• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PËRRALLAT – POLITIKË ME PELUSH

September 14, 2021 by s p

Poezi nga Rudina Çupi

PËRRALLAT – POLITIKË ME PELUSH

 “Rritesh kur mëson se fluturat nuk hahen”. As përrallat. 

Teoria përpunon në të njomë, si baltën.

Përrallat:

– të veshin me të kuqe – ngjyrën që ngreh bishat;

– të japin një shportë me bukë – mjeti që robëron;

– të nisin VETËM në pyll – në shtëpinë e ujkut dhe gënjeshtrës. 

Teoria vazhdon pikë-pikë, si thërrimet për të gjetur rrugën…

Në shkollë:

Historia, kjo përrallë të rriturish, rrëfen se dhe politika është njësoj. 

A nuk i vënë si Kësulëkuqes edhe

– ushtarit pushkën në dorë, 

– punëtorit veglat e punës

dhe i lëshojnë në pyllin e kohës dhe errësirës?! 

Historia përpiqet të na bindë 

se popujt e kanë gjetur rrugën duke ndjekur yjet,

por ne e dimë se popujt kanë ndjekur thërrimet.

Përrallat – politikë e veshur me pelush.

Historia – ujk i veshur si gjyshe. 

E PAKRYERA ËSHTË KOHË E POETËVE 

Njerëzit janë folje:

varen më shumë nga koha sesa nga vet(j)a. 

Në formë veprore a joveprore, ata lëvizin, jetojnë. 

Edhe ne të dy s’jemi tjetër veç folje të parregullta,

si vij dhe erdha që nuk puqen në një rrënjë.

Ne e dimë, folja është lëvizje, tërë gjallim e jetë…

Ti e di, malli ndonjëherë është dembel…

Unë e di, e pakryera është kohë për poetë…

URI E SHUAR ME MOLLË

E shkuara, si largësia, ka ngjyrë tatuazhi 

atë grinë në blu të elefantëve me hapat si vulë. 

Dhe duhet të jetë e ftohtë

përderisa zogjtë shtegtarë të kujtimeve nuk kthehen më. 

E zeza është ngjyrë potente, mbulon çdo ngjyrë,

…tani kuptoj pse ime ëmë dezinfektonte me gëlqere.

E ndez cigarin në flakë të qiririt 

e nuk di se cili prej të dyve bën më shumë dobi,

por një zanore do ta lëshoja të gjatë, larg, gjer te një far,

si tymi i tyre lajmërues, ngjyrë kalk.  

Pas të dyzetave një gruaje i vjen të rrijë mbi çati

në pritje për të kapur me sy dejtë e një vetëtime

e të hidhërohet fill më pas, qyqe aty,

kur qielli, si ëndrra, deje-deje ngrin, bëhet mermer

mbi të cilin ndizet një qiri.

Eh! Ka ca drita që nuk kanë dobi praktike,

por kanë temperaturën lokale të një dacke mbi fytyrë.

Gruaja e di se dritat e bredhit lulëzojnë pak ditë, në të ritë,

si aperitiv, 

si Evë që me mollë e shuan urinë.

TI JE KRYENGRITJA MË E BUKUR QË KAM

Largësia i vesh malet me ngjyrë xhins.

Unë duhet t’i gris ca gjunjët të ngjaj e re. 

Çaje lëvozhgën e shtëpisë si fara,

nise filizin e udhëtimit 

e shpërngulu drejt ajrit e drejt kohës.

Mos më urre mua, pluhurin e punës

a shtresat tona të gjakut, 

por ushqehu,

ji jeshilja më e bukur e peizazhit

dhe arkitektura më e gjallë në qytet.

Lëri shqisat të mësohen me lartësinë 

e me largësinë e njerëzve që të duan. 

Gjurma e roztë ku ti vure kryet në kraharor

më rri si medaljon. 

Merr hov tani! 

Ti je kryengritja më e bukur që kam. 

A ËSHTË SI TURPI LIRIA?

Përshtypja e parë e të qenët e lirë 

më ngatërrohej pak me turpin,

ishte si ndjesia e të rriturit që rri lakuriq 

e i duket se ajri ngjit. 

Ndjen çlehtësi 

kur fillon të zhveshësh nga trupi 

sende të rënda që të lidhin pas vendit, 

për shembull, kur zhvesh atdheun, 

e lë si rrobë përdhe e futesh në det… 

Nëse të merr malli për të, kur të mbërrish në tjetër breg, 

shih në krahun e majtë shenjën e vaksinës së lisë 

dhe mendo se me vete e ke. 

Kur të zhveshësh nga trupi fenë 

vërej në lëkurë shenjat mavi të llastikut 

që duken të gdhendura, si vidë 

dhe çuditu pse shenja është nën kërthizë: 

diku mes vendit ku ke qenë lidhur me nënën

dhe vendit ku lidhesh me atë që fle. 

Një e dridhur do të kalojë në lëkurë 

e do të ndiesh frikë 

se mos mbështjella që t’i mban puthitur thelpinjtë 

çahet ndonjë ditë e nga farë bëhesh bimë 

me rrënjë, kryesisht. 

Oh, është ushtria e qimeve moralistë! 

Thjesht futi një brisk. 

Friku, kur të mësosh se liria është vetmi. 

KUJTIMET

Mbështillem me krahët e mi…

për të ndier me mend praninë tënde, 

e shtrëngoj aq fort atë përqafje çapitëse

sa ndjenjat plasin si njolla të errëta në sy

e zbresin si vesë mbi buzë te një puthje petali;

hija e këtij vallëzimi në mur është njëjës, e hollë 

si një fyt i ngushtë për të marrë frymë 

kur lotët përmbytin ajrin me avull,

sytë e xhamat vishen me mjegull;

në këtë dhomë të mbyllur si gonxhe

banuar vetëm nga molat e kanateve që brejnë drurin,

në simfoni me molat e mia;

unë e shoh qartë e thellë mallin prej mëndafshi;

në këtë dhomë pa perde-petale-që-gëzohen-në-erë,

ku endem si gjysmë tape 

mbetur brenda shishes përgjysmë me verë

ndiej bulëza dhe bëj rrathë të mpirë lëngjesh

që përplasen prapë tek unë si një ishull lundrues;

për t’u kalamendur në këtë vallëzim të përgjysmuar

psherëtij me rrokje – si puls – emrin tënd në vend të melodisë…

Sa lehtë do ta mbanin peshën këta gjunjë të kapitur, 

kur faqet t’i puqnim pashqitshëm 

si mollëza gishtash të ngjyer në mjaltë!

Filed Under: LETERSI Tagged With: poezi, Rudina Cupi

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT