Hyseni:Kosova është shtet sekular i definuar me kushtetutë, ndonëse 90 përqind popullsi myslimane, kryesisht jo praktikuese dhe Kosova dhe shqiptarët në tërësi i shquan sensi për harmoni ndër fetare dhe ndër kulturore dhe bashkëjetesë ndër fetare dhe ndër kulturore dhe ne jemi të vendosur që këtë sekularizëm, këtë kulturë të fuqishme harmonie nderfetare ta ruajmë me çdo kusht./
Prishtinë, 24 tetor 2016/ Me jep kënaqësi të veçantë mundësia që t’i drejtohem juve sot, një auditoriumi kaq impresiv, rreth një çështje që e preokupon Republikën e Kosovës, po aq sa pjesën dërmuese të vendeve të globit. Me këtë dua të nënvizoj se ekstremizmi i dhunshëm, i cili shpeshtë herë përfundon në akte terroriste, radikalizmi i shoqërive të ndryshme, tashmë janë probleme komplekse transnacionale, nuk janë probleme ekskluzivisht të një vendi, dhe rrjedhimisht kërkojnë një koordinim transnacional dhe bashkëpunim të ngushtë ndërkombëtarë, nëse duam të jemi të suksesshëm në adresimin dhe luftimin e këtij fenomeni.
Me 11 shtator me rastin e sulmeve të kullave binjake në New York, janë krijuar percepcionet se kjo ka të bëj me Amerikën dhe jo me pjesën tjetër të botës. Percepcion skajshmërisht i gabuar dhe historia e më vonshme e ekstremizmit të dhunshëm dhe akteve terroriste në botë, ishte një dëshmi e dhimbshme se ishte percepcion i gabueshëm, sepse ekstremizmi, qasjet radikaliste, manipulimi i doktrinave mbi çfarëdo baze ideologjike për qëllime politike, apo përfitimi materiale, janë më shumë se transnacionale. Prandaj edhe bota e ka pasur të vështirë që të përcaktoj një sfond specifik të shkaqeve rrënjësore. Cilat janë ato shkaqe rrënjësore që e bëjnë një grup të radikalizuar të angazhohet në akte makabre terroriste, që për përfundimin kanë humbjen e jetës së njerëzve të pafajshëm.
Në Republikën e Kosovës kemi një vit që e kemi aprovuar Strategjinë Kombëtare për Parandalimin e Radikalizmit dhe Ekstremizmit të Dhunshëm, përpos që kemi aprovuar edhe një ligj shumë të mirë për parandalim, i cili ndalon bashkimin e qytetarëve të Kosovës në konflikte të jashtme, ligji mbështet kryesisht në dispozitat e rezolutës së Këshillit të Sigurimit, 21/78 e shtatorit të vitit 2014. Kjo rezolutë përfundimisht e sanksionon edhe në rrafshin politik nevojën e bashkimit politik të botës kundër ekstremizmit të dhunshëm.
Askush vetmas nuk mund ta luftoj këtë të keqe, kjo e keqe mund të luftohet vetëm përmes bashkëpunimit ndërkombëtarë, koordinimit të veprimeve, këmbimit në kohë të informacionit, sepse këmbimi i vonuar nuk ndihmon. Në këtë rrafsh Republika e Kosovës, ka dëshmuar si pothuaj askush në Ballkan për të bashkëpunuar dhe rezultatet janë evidente. Kemi pasur pothuaj një vit që nuk kemi regjistruar asnjë rast të shkuarjes së qytetarëve tonë në Siri dhe Irak. Ndërkohë që më fund të muajit shtator kemi gjashtë raste, dy prej të cilave i kemi konfirmuar që kanë arritur në vatra të krizes përmes rrugëve të ndryshme.
Sidoqoftë rezultatet në Kosovë janë të prekshme, janë të dukshme dhe këto vijnë si rezultat i zbatimit konsekuent të strategjisë nacionale për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm, përkatësisht planit të veprimit të kësaj strategjie, sepse mbi bazën e kësaj strategjie, Ministria e Punëve të Brendshme, ka hartuar një plan shumë të përpiktë të veprimit.
Republika e Kosovës është anëtare e koalicionit global anti-terrorist që nga samiti i Shtëpisë së Bardhë, i shkurtit të viti të kaluar. Kosova ka anëtarësuar pesë qytete të saja në atë që quhet rrjeti i qyteteve të forta. Një projekt ambicioz që është lansuar në samitin e liderëve kundër terrorizmit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, vitin e kaluar. Natyrisht në pajtim me ligjin, policia, prokuroria dhe gjyqësia e Kosovës kanë vepruar dhe tashmë kemi një numër të madh për rrethanat e Kosovës, të arrestuarve, ose të dënuar ose në proces të gjykimit.
Në MPB theks të veçantë i kemi vënë tek parandalimi dhe këtu jemi duke bërë punë të madhe me gjithë spektrin social dhe politik të Kosovës, duke përfshirë edhe bashkësitë fetare, shoqërinë civile, shkollat, kryesisht përmes forumeve komunale të sigurisë, sepse ne mendojmë se zgjidha është te parandalimi, tek kundër mesazhi, tek kundër narracioni, e jo tek përballja me pasojat. Gjithsesi përballja efikase dhe e vendosur me pasojat ka edhe ndikim parandalues, por synim i shoqërisë sonë është të parandalojmë pasojat dhe të intervenojmë sa më herët që është e mundshme, përmes fushatave të ndryshme në shkolla, në xhami, kisha, komunitet dhe këtë po e bëjmë për çdo ditë.
Në cilësinë e Ministrit të Punëve të Brendshme, njërit nga njerëzit e zbatimit të planit të veprimit, vitin e kaluar dhe këtë vit, kam vizituar të gjitha komunat e Kosovës, me përjashtim të katër komunave në veri dhe kemi debatuar hapur me spektrin e gjerë social dhe politik rreth nevojës të angazhimit në një fushatë të fuqishme kundër radikalizmit dhe ekstremizmit. Kosova është shtet sekular i definuar me kushtetutë, ndonëse 90 përqind popullsi myslimane, kryesisht jo praktikuese dhe Kosova dhe shqiptarët në tërësi i shquan sensi për harmoni ndër fetare dhe ndër kulturore dhe bashkëjetesë ndër fetare dhe ndër kulturore dhe ne jemi të vendosur që këtë sekularizëm, këtë kulturë të fuqishme harmonie nderfetare ta ruajmë me çdo kusht.
*