• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MË MIRË NJË FUND I ANKTHSHËM SE SA NJË ANKTH PA FUND

November 15, 2020 by dgreca

Shkruan:EUGJEN MERLIKA/

NJË  JETË  NË  DIKTATURË/

(Kujtime të një “armiku të klasës”)/

  “Ktu vaji e trishtimi/

Veç ndihet ndër shpija/

Ktu ndihet tingllimi /

I hekrave të mija/

E gjama e nji të shkreti/

Qi bjen vala e detit.”/

NDRE  MJEDA /

MË MIRË NJË FUND I ANKTHSHËM SE SA NJË ANKTH PA FUND/

Më 1974, në moshën tridhjetë vjeç, u martova me një vajzë të re që, kundra opinionit, pranoi të lidhë jetën me mua. Ajo sapo mbaroi atë vit shkollën e mesme dhe ne filluam jetën së bashku, në vështirësi për banesë, por me shpresë për një jetë më të qetë. Mendonim t’a ndërtonim atë jetë mbi frutin e djersës sonë të ndershme e, mbi të gjitha, të gjenim ngushëllim në harmoninë familjare. Mbaj mend vetëm një dhjetëditor të bukur në plazhin e Durrësit, pastaj retë e zeza e mbuluan, duke paralajmëruar shtrëngatën dhe një dimër të zgjatur pa fund.  

Me atë periudhë të vështirë lidhen dhe kujtimet e vajzës së xhaxhait që ne e kishim rritur në shtëpinë tonë dhe e kishim si fëmijën tonë. Ajo vazhdonte vitin e parë të gjimnazit në Lushnjë. Është e paimagjinueshme për botën e qytetëruar dhe aktualisht e pabesueshme dhe për rininë tonë, që një nxënëse në klasën e nëntë të përjashtohet nga shkolla vetëm sepse një shoqe e saj i kishte treguar në klasë një fletë reviste që paraqiste një femër në plazh me rroba banjoje! Ky ishte “sakrilegji”  që do të gjente si shkak këshilli pedagogjik e organizata e partisë për të këputur dëshirat e dy vajzave ende të parritura mirë, për të vazhduar mësimet. Kështu plotësohej “plani” i viktimave të luftës ideologjike e politike kundër “shfaqjeve të huaja”. Ky ishte versioni zyrtar i përjashtimit nga shkolla të Silvës. E vërteta ishte një tjetër, sa dramatike aq dhe e rëndomtë në sistemin kriminal në të cilin jetonim : Sigurimi i shtetit kishte dashur të bënte bashkëpuntore të saj Klorën, nënën e vajzës.  Kundërshtimit të saj për të bërë punën e spiunes ata i u përgjigjën me urdhërin e përjashtimit të vajzës nga shkolla. Ai urdhër u zbatua nga drejtuesit e shkollës, që merrnin mbi ndërgjegje një krim : atë të dënimit me mohimin e së drejtës për të vazhduar shkollën të një fëmije të pafajshëm. Do t’isha kurioz të di nëse i ka munduar ndonjëherë në vetvete ky fakt, apo është kaluar thjesht me justifikimin e zbatimit të një urdhëri që vinte nga organe që s’kishin asnjë lidhje me arsimin…..

Duhet të pohoj me sinqeritet se për mua qe një dhimbje e thellë kthimi i motrës tek prindërit e saj në Gradishtë e që në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare të kapte kazmën për të rrëmihur tokën e për të nxjerrë bukën e gojës. Mbaj mend se më shpëtuan lot nga sytë, kur shumë rrallë në jetën time prej burri, qoftë dhe në vdekjet, kam derdhur lotë.

Më 1975 filluan pushimet nga puna. Në kuadrin e luftës kundër burokratizmit, unë dhe shokët e mi, specialistë ndërtimi me kategori të lartë u kaluam në bujqësi si punëtorë fushe. Kjo ishte llogjika e Rrapi Gjermenit që, për të plotësuar numrin e “burokratëve” të hequr nga aparatet, simbas orientimit të Komitetit Qendror, fuste emrat tanë në listat e shkurtimeve. Dëmi ekonomik i

shtetit ishte i dukshëm. Ne kishim mbajtur peshë në brigadat e ndërtimit me punën tonë të ndërgjegjshme e të kualifikuar, dhe papritmas këto brigada cungoheshin. Vërejtjeve të personelit inxhiniero-teknik në këtë drejtim iu kundërvu “lufta e klasave” në emër të së cilës merreshin këto masa, e për të cilën askush nuk mund të kundërshtonte. Kjo ishte një nga të këqijat e vogla në krahasim me ato që na prisnin në vitet e ardhme.

Në mars 1975 u arrestua Kurt Kola, një mik i imi. Filloi ajo periudhë ankthi që zgjati plot gjashtë vjet. “Më mirë një fund i ankthshëm se sa një ankth pa fund”. Nuk më kujtohet tani se kujt i përkasin këto fjalë; por gjatë këtyre viteve unë dhe shokët e mi të kampeve, e sigurisht familjet e tyre, e kemi vërtetuar plotësisht saktësinë e shprehjes. Çdo tre muaj arrestohej njëri prej nesh, në sektorë të ndryshëm të fermës së Lushnjës ku ishim shpërndarë. Më duket se diçka më shtrëngon fytin e s’më lë të mbushem me frymë dhe tani që i kujtoj ato vite të llahtarshme. Çdo ditë kur niseshim për në punë përshëndeteshim në heshtje me njerëzit e shtëpisë se ndoshta nuk ktheheshim në darkë. Ishte një torturë cfilitëse mendimi se nga një çast në tjetrin do mund të të viheshin hekurat në duar, për të të shkëputur nga gjiri i familjes. Më e tmerrshmja ishte se nuk dije si t’i ruheshe së keqes. Proçeset bëheshin për agjitacion e propagandë, dhe ky përcaktim ishte kaq i gjërë, sa që mund të të fajësonin edhe pa hapur gojën fare, mjafton të shikoje me bisht të syrit një bukë të djegur apo një domate të kalbur në banakun e shitësit. Këtu gjenin terren të aktivizoheshin dhe fundërrinat e shoqërisë, njerëzit pa kurrfarë vlere veç poshtërsisë që, vullnetarisht, e vinin në shërbim të së keqes, për të mbjellë dëshpërimin e personave, të familjeve, të fëmijëve, të mbarë shoqërisë. Kishte mes tyre dhe shokë nga tanët, që i quanim njerëz të mirë, shokë të vuajtjeve që nga fëmijëria, njerëz që i respektonim, i prisnim e i shkonim në shtëpi, por që, fatkeqësisht, ishin kthyer në varrmihësit tanë. Provokatorët gjenin mënyrat më të ndryshme për të zbatuar  detyrat e tyre, e ne u kthyem në memecë. Çdo gjë për të cilën bisedohej, nga punimi i tokës, tek vegla e punës, tek brigadieri, tek muzika, tek filmi, tek mallrat e dyqaneve, shërbimet e ndryshme, gjithçka që thuhej futej në veprimtari armiqësore. Prandaj e vetmja bisedë pa zarar ishte sporti e veçanërisht futbolli, për të cilin diskutonim me orë të tëra, pa kaluar në tema të tjera që ishin bërë tabu të paprekshme. Nuk guxonim të dilnim në qytet se mos “binim në sy”. Ishte problem rasti i vdekjeve ose i dasmave në shoqëri, ku grumbulloheshin shumë njerëz, sepse një fjalë e thënë pa qëllim mund të raportohej brenda pak orëve e stërholluar nga disa persona.

Për vite të tëra nuk shkova njëherë me gruan në kinema. I shmangeshim takimit me shokët, vetmia e trishtuar ishte e vetmja gjëndje normale e jona. Ndiqnim me sy të zgurdulluar çdo gaz që kalonte rrugës e sidomos targat 6701 e 6702 të cilat ishin bërë për ne si kuçedra që përpinin njerëz. Ankthi përpinte gjithë sektorin kur vinin ata me oficerët e Sigurimit brenda. Kush e kish rradhën sot? Kjo pyetje si një varré binte mbi trurin e secilit dhe vetëm kur largohej makina, lirohej frymëmarrja. Gjëndja bëhej tragjikomike po të merrej parasysh se secili e kishte atë ankth në shpirt e nuk guxonte t’ia shprehte askujt, as shokut përbri, as familjarëve vetë… Ndërkaq muajt e vitet kalonin duke gllabëruar në burgun e zi shokët tanë me radhë. Mbas Kurtit, Ahmeti, Eqeremi, Qemali, Fatmiri, Naimi, Mojsi, Deda, Leka…

Tashmë ankthi kishte marrë një tjetër formë torture. Frikës së arrestimit i shtohej presioni shkatërrues në të gjitha format, për t’u degjeneruar e për t’u bërë bashkëpunëtorë në krim, për të spiunuar dhe akuzuar shokun, mikun, deri dhe njeriun e afërm të gjakut. Ishte veprimtaria e Sigurimit të Shtetit, e njerëzve zotër të këtij vendi, që gëzonin të gjitha privilegjet, i shërbenin me zell këtyre privilegjeve dhe atyre që ua kishin dhënë. Përballimi i luftës me ta kërkonte gjakftohtësi, përvojë, vendosmëri, e mbi të gjitha karakter të fortë. Njerëzit me karakter të dobët u dorëzuan në këtë luftë, për t’i shpëtuar së keqes së tyre projektuan shkatërrimin e shokut, burgosjen e tij. Ishte një luftë e ashpër që i bëhej  ndërgjegjes së njerëzve, ishte përpjekja për të shkatërruar në themel gjithçka pozitive kishte shpirti i shqiptarit, e në rradhë të parë besën e mikpritjen. Ishte një tërmet që lëkundte themelet e kombit e krijonte një çarje vertikale që shkonte deri në thellësi të ndërgjegjes. I hiqej karakterit kombëtar ajo forcë që e kishte bërë të përballonte furtunat e historisë së bashku, mbillej përçarja, urrejtja, lufta mes njëri-tjetrit.

Këtë trysni, që për vite me rradhë kushtëzoi qënien time, vendosa ta shmang me një vendim skajor: të pranoj arrestimin dhe pasojat e tij për veten dhe familjen. Lija në shtëpi tre pleq, gruan dhe dy vajza të vogla. Në dorën e Zotit!

Arrestimi u krye më 25 Prill 1980, në punë. Erdhi Gazi i Degës me gjashtë veta, oficerë dhe policë. Ende sot ato gra lushnjare që punonin aty në stallat e Institutit e kujtojnë atë skenë. Shefi i sigurimit Kosta Ndini më pyeti: “Ti je nipi i Mustafa Krujës?”. Përgjigjes time pohuese ia ktheu me formulën e zakonshme: “Në emër të popullit je i arrestuar”. Tani që sjell para syve të mendjes atë çast fatkeq, më kujtohet shprehja e famshme e zonjës Roland para gijotinës: “Popull! Sa krime bëhen në emrin tënd!..”

Mbas arrestimit u paraqita te hetuesi. Ky ishte një djalë i ri nga Skrapari. Hetuesinë me të e kalova mirë. Ndryshe nga shumë shokë të mij që i urrenin hetuesit e tyre, unë për Bashkim Cakën nuk kam as zemërimin më të vogël; nesër po ta takoj mund të rri me të e të pi ndonjë gotë birrë.

Tensionit të ditëve të para për akuzën, i zuri vendin zhgënjimi i plotë kur mora vesh se shoku im i ngushtë ishte akuzuesi kryesor për krimin tim të “agjitacionit e të propagandës, për minimin e rrëzimin e pushtetit popullor”.

Si një film më kalonte para sysh jeta jonë. Njohja jonë datonte para më shumë se një të katërt shekulli. Kishim qenë bashkë shokë klase që në të parën gjimnaz, shokë vuajtjesh në të njëjtat kushte të internimit. Kishim ndarë bashkë kafshatën e gojës, gëzimet dhe hidhërimet. Me të vërtetë rrugët tona u ndanë, sepse ai u bë arsimtar dhe vazhdoi universitetin me korrespondencë, ndërsa unë u bëra murator dhe s’pata mundësi të vazhdoja shkollën e lartë. Por ne mbetëm shokë, miq. Nuk kishte tavolinë që të shtrohej në shtëpinë time pa praninë e tij. Unë nuk dyshoja se mbas sjelljes së tij prej Urjah Hipi fshihej pabesia, nuk mund t’a merrnja me mend se shoku im e ngrinte ndërtesën e pozitës së tij shoqërore si arsimtar mbi gërmadhat e fatkeqësisë sime apo të shokëve të tjerë. Kur ishte ai ushtar unë sa herë e pata ndihmuar, isha pranë tij në fatkeqësinë e burgosjes së të atit. Ai ishte i zgjuar, me kulturë, plot mirësjellje e dhembshuri me njerëzit e familjes sime; si kishte mundësi të më groposte mua? Në emër të çfarë ideali arrinte ai në këtë humnerë shoqërore, si flinte i qetë në shtratin e tij bashkëshortor? Si i duronte shikimet e pafajshme të vogëlusheve të mia? Si mund të dilte para nënës sime, për të cilën thoshte se kishte shumë respekt? A ekzistonte Ferri i Makbetit për tipa të tillë?

Grabian, qershor 1990

Vijon

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, Fund i ankthshem, se nje ankth pa fund

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT