*Sipas burimeve angleze dhe referencave historike/
*Përsiatje rreth librit “Rrugëtimi i Përjetësimit të Ali Ibër Nezaj në Bronz” të Halit Nezaj promovuar të Dielën me 27 prill 2014 nga Vatra dhe Shoqata e Shkrimtareve/
Nga Raimonda MOISIU/
Paranteza/
Në tubimin e celjes së Degës Vatra Hartford CT, fjala e Kryetarit të Federatës Panshqiptare Vatra , dr.Gjon Bucaj u prit me interes e enthusiazëm, Mes morisë së pyetjeve nga audienca, ju bë edhe një pyetje- rreth idesë të bashkimit të Shqipërisë me Kosovën. Përgjigja e dr. Bucaj ishte plot mëncuri, erudicion e kockë të fortë intelektuale: “ Ideja e bashkimit me Kosovën është sa e vjetër aq edhe bashkëkohore. Kjo ide është hedhur, që në Lidhjen e Prizrenit. Gjithsesi, shqiptarët kudo ku janë kanë krijuar bashkësitë e tyre atdhetare, ku kanë dëshmuar bashkimin e trojeve të tyre. Patriotët shqiptarë themeluan Lidhjen e Prizrenit në Ballkan, trojet shqiptare, ndërsa Fan Noli, Konica, bashkëkohasit e bashkëthemeluesit e tij, themeluan Vatra në Amerikë -, që do të thotë se ne jemi një komb, një gjuhë”. Kjo përgjigje e mëncur dhe e urtë e dr.Bucajt –i shkon shumë përshtat titullit të librit ‘Rugëtimi i përjetësimit të Ali Ibër Nezaj në bronz”-alias “Rrugëtimi i përjetësimit të Ali Ibër Nezaj nga Lidhja e Prizrenit –në Vatra dhe Dielli i Shqiptarëve në Amerikë”.
Me kët’rast dëshiroj të uroj:
Gëzuar 102 vjetorin e Lindjes “Vatra” e Shqiptarëve të Amerikës!
Për librin “Udha e ëndrrës së thyer”, paraqita këndvështrimin tim në formën e përsiatjes, ndërsa për librin “Rrugëtimi i përjetësimit të Ali Ibër Nezaj në bronz” , m’u desh të gërmoja në arkivat shqiptare e të huaja, referencat dhe studimet historike shkruar nga publicistë e studiuesë profesionistë të mirënjohur shqiptarë e të huaj, të cilët kanë shkruar në mënyrë sistematike e të admirueshme për figurën madhështore luftarake, poliadrike të patriotit të shquar Ali Ibër Nezajt. Jo pse nuk shkruaja edhe vetë profilin e këtij luftëtari të shquar, por ka një parim profesional në publicistikë e gazetari; kur për një figurë historike apo publike kanë shkruar emra fort të njohur të botës shqiptare gjërësisht, studiuesë e historianë shqiptarë e të huaj, materiale studimore-shkencore historike, na duhet të tregojmë maturinë profesionale të publicistit e gazetarit, për të mos rënë në përsëritje apo “kopjuar” ato, që pararendësit tanë kolegë kanë shkruar. Në publicistikë e gazetari jemi me fat që Diaspora ka Dalip Grecën, njeri me cilësi të vyera, profesionist i zoti, i matur dhe inteligjent, që posedon mjeshtërisht artin e publicistikës bashkëkohore. Unë jam një nga studentet e Dalipit. Cfarë dëshiroj të them me këtë? Që jam e sigurtë se do të marr mbështetjen dhe aprovimin e këtij mendim nga ai. Kështu që unë sot do t’ju paraqes para jush, duke cituar edhe burimet nga i kam marrë; Referenca dhe studime historike shkencore nga arkivat e huaja: “Udhëheqësi i Lidhjes sipas burimeve angleze”nga Kirk Gri dhe Konsulli austriak Lipih”(shën. i Raimonda MOISIU)
Arkivat e huaj: Si e mbrojti Ali Ibër Neza Lidhjen e Prizrenit ..
Lidhja Shqiptare e Prizrenit ka qenë ngjarja më e rëndësishme dhe më e domosdoshme për lirinë, bashkimin dhe pavarësinë e Shqipërisë.10 qershori i vitit 1878, dita kur u mblodh në Prizren Lidhja e Shqiptarëve, është një datë e shënuar e historisë heroike të popullit tonë. Ajo ishte një ngjarje me rëndësi të madhe historike për fatet e kombit tonë, pse bëhej në kohën kur Porta e Lartë e Perandorisë Osmane, në bashkëpunim me carizmin rus dhe me perandoritë e tjera të Evropës, kërkonin ta copëtonin dhe e copëtuan atdheun tonë.Me një prestigj të tillë Tropoja nisi në kuvendin e Prizrenit bijtë e vet me në krye Ali Ibër Nezën) e Binak Alinë. Më 10 qershor 1878, që të dy u zgjodhën anëtarë të KQ të Lidhjes shqiptare të Prizrenit.
Në vitet e lidhjes e më pas, aktiviteti i Ali Ibër Nezës merr përmasa shumë të gjera dhe figura e tij poliedrike rri me dinjitet krahas tre katër figurave me të ndritura udhëheqëse të Lidhjes Shqiptare. Që ditën e themelimit të saj, Lidhja shqiptare u ballafaqua me një presion të gjerë e të gjithanshëm të administratës turke nga brenda, por edhe zyrtarë ndërkombëtarë të vendeve të ndryshme. Ali Ibër Nezës i takoi nderi i madh historik që të ishte si përfaqësues e mbrojtës i Lidhjes Shqiptare në disa nga momentet më vendimtare të saj. Një muaj pas krijimit të Lidhjes, më 22 korrik 1878, ushtria austro-hungareze marshon në drejtim të Bosnjë-Hercegovinës. Autoritetet turke u munduan që forcat e Lidhjes t’i drejtonin në Bosnjë kundër Austro-Hungarisë e ta linin vetë Shqipërinë pa mbrojtje. Për këtë qëllim, më 19 gusht 1878 mblidhet Lidhja. Ali Ibër Nezaj në krye të disa forcave të armatosura ngarkohet të shkojë në Novi Pazar për të marrë vesh nëse forcat austro-hungareze kanë qëllime pushtimi ndaj Shqipërisë. Këtë fakt e vërtetojmë me dokumentin nr.17 të konsullit anglez në Prizren, që mban datën 2 tetor 1879. Sen Xhoni shkruan: “Pak kohë më parë kur flitej se austriakët po marshonin në drejtim të Novi Pazarit, fisi i tij (Ali Ibrës) menjëherë propozoi t’i kundërshtonte ata, por me propozimin e tij, ai me disa pasues të vet shkuan e u takuan me austriakët, dhe pasi u siguruan se austriakët nuk do bënin pushtime, ai u kthye të qetësojë popullin e vet”. Pra, largpamësia e tij si politikan duket qartë. Me Ahmet Koronicën janë nismëtarë e udhëheqës të rrethimit të Mehmet Ali Pashës në sarajet e Abdullah Drenit në Gjakovë, në shtator të vitit 1878. Për këtë, kryekonsulli Lipih nga Shkodra lajmëron ministrin e Jashtëm në Vjenë, më 14 shtator 1878. Kjo ngjarje pati jehonë edhe në botë, shqetësoi Portën e Lartë, si dhe fqinjët shovinistë.U organizua një masakër e përgjakshme kundër të krishterëve të Gjakovës nëpërmjet makinacionesh, ku ishte përfshirë dhe kisha serbe e Deçanit. Në këtë ngjarje figura e Ali Ibrës (Nezaj) shkëlqeu me madhështi të plotë, duke i kaluar edhe caqet e kohës së vet. Më 2 tetor 1879, konsulli Sen Xhon shkruan: “Vitin e kaluar pas vrasjes së Mehmet Aliut, u diskutua seriozisht për shkatërrimin e kishës katolike të Gjakovës dhe një masakër të përgjithshme ndaj të gjithë të krishterëve të qytetit. Dhe ishte ndërhyrja e Ali Ibrës që e ndaloi këtë fatkeqësi. Ali Ibra më njoftoi mua se të gjitha persekutimet e tanishme kundër të krishterëve të Gjakovës kryhen vetëm për shkak të urrejtjes fanatike që kanë dy zyrtarë qeveritarë kundër tyre. Njëri është Kareman Beu, kajmekami dhe tjetri Hasan Aga, një oficer i zaptijeve, djali i Sadik Agës dhe ai deklaron se që të dy duhen ndaluar”. Këtë mision të lartë patriotik, mbrojtjen e popullsisë së krishterë që në fakt ishte mbrojtja e Lidhjes kundër përçarjes, Ali Ibra e vazhdoi gjithnjë duke mbetur figura qendrore e Lidhjes në këtë aspekt. Këtë fakt e vërtetojnë shumë dokumente të viteve 1879-1880. Për të ilustruar këtë fakt, citojmë vetëm një fragment nga dokumenti nr.22 i datës 6 tetor 1879 të konsullit anglez në Prizren: “Ali Ibra i cili është kryetar i fisit më të fuqishëm të të gjitha fiseve malore të kësaj krahine, ka treguar gjithmonë një prirje dashamirësie ndaj popullsisë së krishterë dhe për më tepër ai më premtoi se mbrojtja e tij do të vazhdojë dhe se ai do ta quajë si detyrën e tij të ndërhyrjes për çdo rast persekutimi kundër të krishterëve”. Mbrojtja e lidhjes
Kulla e Ali Ibër Nezajt
Por Porta e Lartë s’mund ta linte të jetonte Lidhjen. Sulltani dërgoi gjeneralin plak e gjakatar Dervish Pashën, për të shuar me gjak Lidhjen Shqiptare. 3000 forca nën komandën e Ali Ibrës e Mic Sokolit zunë Shtimjen. Ndërsa forcat e tjera nën komandën e Sulejman Vokshit zunë Cërnalevën.
Ali Ibër Nezës i takoi nderi historik që të jetë njëri ndër tre komandantët e njërës prej betejave më të mëdha të shekullit XIX për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Në këtë betejë, ku ushtria turke la 1800 të vrarë, forcat e Lidhjes u thyen. Ali Ibra u plagos rëndë në këmbën e djathtë. Epika popullore thotë: “Ali Ibra në vraç të zi, po i shkon gjaku deri në zingji….” Qytetet e Kosovës ranë një nga një me përjashtim të Gjakovës. E vetmja kështjellë e papushtuar mbeti malësia e Gjakovës, Tropoja, ku erdhën edhe Sulejman Vokshi e Ymer Prizreni. Ata qëndruan për disa kohë në shtëpinë e Ali Ibrës në Shipshan. 50 vjet më vonë do të qëndronte në të njëjtën shtëpi për shumë kohë një figurë tjetër e shquar e historisë shqiptare, Hasan Prishtina.
Më 7 maj, konsulli Shmuker nga Shkupi njofton ministrin e Jashtëm në Vjenë se 2000-3000 malësorë të Gashit e Krasniqes janë mbledhur pranë qafës së Morinës. Ata kanë edhe dy topa që i kanë marrë në Guci, thotë ai, dhe janë të vendosur për vazhdimin e rezistencës.
Ndërsa më 18 qershor 1881 kryekonsulli Lipih nga Shkodra lajmëron ministrin e Jashtëm të Vjenës, Hajmerle: “Sulejman Vokshi bashkë me Ali Ibrën mori kryesinë dhe sot që është shpirti i opozitës në malet e Gjakovës, i refuzoi të gjitha ofertat e marshallit dhe kanë mbetur deri tani të papërulur, por besohet se është në plan një atentat kundër tij. Ali Ibra që u konsiderua i vdekur, u shërua prej një plage që mori në Shtimje, e cila shkaktoi zërat e vdekjes së tij”. Sulejman Vokshi qëndroi 5 muaj në shtëpinë e Ali Ibrës në Shipshan.
Më 9 tetor 1881, konsulli Shmuker njofton nga Prizreni ministrin e Jashtëm të Vjenës, Hajmerle: “Të mërkurën, më 5 tetor, zbritën në qytetin e Gjakovës së bashku me krerët e Malësisë dhe të Rekës, Sulejman Aga Vokshi dhe Ali Ibra, të cilët në kohën e sundimit të Lidhjes konsideroheshin si shefa më me influencë dhe më aktive të fiseve malore, duke qenë të përcjellë prej 200 të armatosurve. Për të evituar konfliktet dhe për t’u frymëzuar besim delegatëve të tyre, ishte dhënë urdhër që trupat të qëndronin në kazermat e tyre”. Ali Ibra e Sulejman Vokshi me krerët e tjerë i paraqitën në formë ultimatumi qeverisë programin e tyre, që përmbante shumë pika. Shmiker shkruan: “Për aq sa duket, Dervish Pasha ka probabilitet që të marrë në konsideratë pjesën më të madhe të këtyre kërkesave dhe e gjithë do të gjejë gradualisht përfundimin e saj në komandimin e Sulejman Vokshit, Ali Ibrës…”
Më 9 nëntor 1881, në Gjakovë bëhet një mbledhje me gjithë përfaqësuesit e malësive. Mbledhja kryesohet nga Sulejman Vokshi e Ali Ibra, dy figurat e fundit të patundura të Lidhjes shqiptare. Mbledhja kërkon lidhjen e një bese të re. Po ashtu më 9 tetor konsulli austro-hungarez Shmuker i shkruan Fon Kollajt, ministrit të Jashtëm të Vjenës: “…Krahas me organet e portës, ne posedojmë edhe një lloj qeverie provizore, kështu vazhdon të më shkruajë konfidenti im-, ose të themi më mirë, një formë TRIUMVIRATI të përbërë nga shefat Sulejman Vokshi, Ali Ibra dhe bajraktarit të Krasniqes, që është nominal, por në fakt organi që i shkon me tepër fjala në rrethin e Gjakovës… Flitet se Ali Pasha është bashkuar fshehurazi me fiset malore të Gjakovës dhe i bashkuar me ta, ai shpreson që me kalimin e kohës të formojë një shtet të vogël brenda në shtet”… Pra, Gjakova mbeti përherë në duart e kryengritësve. Dervish Pasha, me tituj, grada e terror, me format e tij theu shume krerë të Lidhjes. Sipas burimeve popullore edhe Ali Ibër Nezës i dha titullin “Pashë”, me rekomandimin e sulltanit, por Ali Ibra e hodhi poshtë me indiferentizëm e përbuzje. Ai nuk e zëvendësoi kapuçin, plisin e bardhë shqiptar me festen e kuqe turke.
Ali Ibër Nezaj vazhdoi përpjekjet e tij për çështjen kombëtare deri në fund të jetës se tij. Vdiq në sarajet e tij në Osek, në dalje të Gjakovës, ndërkohë që ky qytet do të ketë dhe një shesh me emrin dhe shtatoren e tij.
*Marrë nga “Udhëheqësi i Lidhjes së Prizrenit” -sipas burimeve angleze dhe referencave historike.
* Materiali u lexua në promovimin e dy librave, me autor Halit Nezaj: “Udha e Ëndrrës së thyer” dhe “Rrugëtimi i përjetësimit të Ali Ibër Nezaj në bronz”