• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Secili bën zgjedhjen e tij

June 30, 2014 by dgreca

(Monolog në shumës me Trifon Xhagjikën)/
Nga Faruk Myrtaj*/
Ajo ishte zgjedhja jote, ne bëmë zgjedhjen tonë. Ti zgjodhe ikjen për të mbetur, ne zgjodhëm mbetjen për të ikur! Në rregull, pra! Kot vjen e na shfaqesh herë-pas-here përmes ca vjershave që, pikërisht për shkak të asaj zgjedhjeje, mbetën të pabotuara në gjalljen tënde, të fshehura diku, për të ta rrëmbyer e fshehur edhe jetën tënde, ca më vonë.
Drama jote nuk ndodhi për shkakun tonë. Ne i botuam vjershat tona. Të paralajmëruam atëherë intimisht të silleshe edhe ti si ne, por ti veprove ndryshe, ndryshe e kishe edhe jetën tënde edhe fatin e vjershave të tua. Ti mbase nuk je gabuar! Besoje që pikërisht ashtu do të siguroje përjetësinë dhe mbase kjo ishte ç’kishe ëndërruar! Bukuri! Fli i qetë, pra!
Edhe ne jemi të qetë në zgjedhjen e bërë, ndryshe nga jotja. Përse atëherë vjen e na prish qetësinë e zgjedhjes e të jetës sonë? Vetë ngulmove të shfaqeshe siç ishe! Bëre ç’mund të të merrnin vesh që ishe ndryshe nga ne të tjerët. Sikur ne të kishim dëshirë tjetër! Sikur ne nuk kishim sedër, ego, etje për lavdi e përjetësi! Kërkove të merrej vesh brendësia jote. E dije se ç’do të thoshte kjo?! Në rregull pra! Ne u fshehëm, ulëm kokat, por mbetëm. Ti, ku je?! U shfaqe dhe ike! Sikur të ishte problem ikja, jo mbetja!
Ata që morën vjershat e tua dhe që kishin në dorë jetën tënde, bënë punën e tyre. Edhe ata kishin te drejtën e zgjedhjes. Kjo ishte zgjedhja e tyre. As ata nuk kanë faj, madje edhe pse nuk dinin t’i kuptonin vjershat e tua. Se, nuk shkruajnë vjersha gjithë njerëzit, dè! Dikush merr përsipër të bëj shtetin, dikush të shkruaj vjershat, por është edhe ndokush tjetër që vigjëlon për ta ruajtur shtetin nga vjershat. Ti e dije këtë, apo jo?! Në gjithë kohët duhen ca njerëz që ruajnë shtetin prej vjershave!
Në këtë botë ushtrohen lloj-lloj zejesh: secili ka zgjedhjen e tij. Jeta nuk e përfshin vdekjen, por asnjë kuptim s’do të kishte jeta pa ekzistencën e vdekjes. Në fund të fundit, ata respektuan zgjedhjen tënde: pranuan këmbimin e jetës me vjershat, ta morën jetën tënde “ndryshe”, në këmbim të vjershave ndryshe. Ti mbase s’kishe faj, por cili ishte faji i tyre, në fund të fundit?!
Ti shkruaje në atë mënyrë se mbase besove se ia vlente vetëm asisoj. Kujtove se me vargje të lira do të vinte liria, do të ndryshoheshin gjërat?! I gjori ti! S’e dije se edhe pa vjershat njerëzit e shtyjnë si e shtyjnë jetën?! Në të gjitha kohët kjo. Edhe dje, jo pak njerëz, arritën të ndjehen lumtur. Si kanë mundur?! Punë e tyre. Zgjedhje e tyre, pra! Mbase edhe së vdekuri do vije buzën në gaz kur ne deklarojmë edhe sot se ishim të lumtur dje, por ja që kështu ishte. Ne jemi gjallë dhe dëshmojmë! I ikuri nuk dëshmon dot…
Ti, meqë ndjeheshe krijues, si Krijuesi atje lart, si Ai për të cilin thonë se është por s’duket, këtë kërkove. Madje kërkove diç më tepër: të bëje Krijuesin, por edhe të dukeshe!
Sikur ne të tjerët, nuk dëshironim të ishim të tillë! Bëre edhe një hap marrëzie më tej: besove se gjithë sa shkruhen, botohen. E kur na paska ndodhur kjo? Në cilën kohë? Në cilën epokë?! Kur na paskan qenë barabar Liria, që dhuron natyra njerëzore dhe Liria që lejon shteti?!
Jo pak njerëz të letrave, të fjalës, të mendimit, zgjodhën rrugë tjetër: prej të gjallësh. Edhe sot e kësaj dite janë gjallë e janë ndë jetë…Ti mbase thua se je ndë dritë të vërtetë! Ashtu beson, vërtetë?! Ndonjëherë, kohë-për-kohë, ne kemi qenë edhe të lavdishëm. Ti e pak të tjerë si Ti, as mbetët gjallë, e as i gëzuat dot kënaqësitë e të gjallëve. Ne të tjerët pranuam të mbetemi, ashtu në heshtje, por mbetëm gjallë.
Së fundi kanë nisur të ta përmendin emrin nëpër gazetat. Ty dhe atyre të tjerëve si ti. Po ua botojnë ato që nuk i botuat dot në gjallje. Më shumë si një kuriozitet ngjan kjo punë, gjersa ju vetë as dëgjoni, as shikoni, as u gëzoheni dot këtyre botimeve. Pastaj, tani botohen aq shumë libra, sa nuk është më ngjarje botimi i librave tuaj të para 30-40 vjetëve! Kurse vjershat tona, të të gjallëve, vazhdojnë të mësohen prej brezave, kanë hyrë prej kohësh e aty janë, në tekstet shkollore. Edhe kjo bën pjesë në zgjedhjen tënde. Nëpër vjershat duket se gjërat do të ndryshohen sa hap e mbyllë sytë, por shteti mezi lëvizë, mezi ndryshohet, po ata njerëz janë, po ata bëjnë librat shkollorë! Njerëz që pranuan të mbeten gjallë me të gjallët!
Këta të rinjtë e sotëm janë allasoj: neve, që kemi mbetur gjallë, na shohin si të vdekur, teksa për ju të Ikurit flasin si për ca të gjallë! Mirë bëri ai, thonë për ty, mirë bëri që braktisi atë jetë që bënit atëkohë. S’kanë ngè të na dëgjojnë e jo më të na kuptojnë neve të gjallëve. Për shkak të thinjave tona, por edhe për shkak se ne i kemi endè gazetat e televizionet, rrinë e na dëgjojnë, por pastaj, kur vjen fjala tek ti e poezitë e tua, na pyesin: edhe poet, edhe i panjohur?! Edhe poet, edhe në burg?! Kaq shumë poetë paskemi pasur, sa i kemi futur edhe nëpër burgje?! Po ju ç’bënit kur ata shkonin nga kjo jetë?!
Ndokush prej tyre na pyet intimisht për ty. Po, ashtu ka qenë, i tregojmë ne, ashtu ka qenë, por kjo ishte zgjedhja e tij. Jona ishte tjetër. Gjithësekush paguan një çmim. Se, të flasim midis nesh, edhe kjo tjetra, jona, jeta siç pranuam ta bëjmë ne, e kishte një lloj çmimi. Edhe ne paguam për jetën që bëmë, por nuk qahemi, ishte zgjedhja jonë. Siç edhe ti kishe zgjedhjen tënde, apo jo?! Këmbeve të Vërtetën, që u duhej të gjithëve, me Jetën që ishte vetëm e Jotja!
E mbajmë mend mirë se si pagove për jetën tënde, por edhe ti mos harro çmimin që paguam ne për jetën. Liria nuk ka qenë aq e lirë sa sot, u themi ne këtyre të rinjve të sotëm. As sot nuk është e lirë, na i kthejnë ata, ne prandaj pëlqejmë atë!
Ti thoshe se lexuesi nuk vdes kurrë? Ne zgjodhëm lexuesin tjetër, atë që do të jetonte e do të vdiste bashkë me ne. Çdokush zgjedh lexuesin e vet. Përderisa jemi gjallë ne dhe është gjallë lexuesi ynë, ne do të lexohemi! Ti doje lexues të përjetshëm, prit pra kur të lindet ai!
Ike, ngaqë e pe Atdheun Lakuriq. E the me zë të lart këtë.
Sikur vetëm ti kishe sy për ta parë dhe gojë për ta rrëfyer atë që pe! Sikur ne të tjerët s’ishim aty, apo sikur nuk kishim të njëjtin Atdhe! Po Atdheu bëri si bëri, edhe lakuriq, edhe pa vjershat e tua! Me këto vjershat tona, por Atdheu mbeti gjallë, edhe ai, si ne. Vërtet nuk e dije se njerëzit bëjnë edhe pa vjershat, madje edhe pa të vërtetën?! Më shumë akoma: edhe pa të bukurën. Ti vendose të ikësh dhe ata, ç’të bënin? Të harruan. Ne mbetëm, neve na deshën. Pse, si thua ti, të të duan ty njerëzit e shkretë, ty që ike për t’u thënë se ishin lakuriq?! Po pse, nuk i kishin sytë në ballë ata?!
S’e dije ti se edhe atë që bëri Himnin Kombëtar ne e lamë pa emër, pa kryeqytet, pa flamur?! S’e dije se dashuria e tepërt për atdheun kthehet në mallkim! Nuk ke pse bën për Atdheun, më shumë se ç’bën ai për ty! Gjërat e tepërta, gjer edhe dashuria e tepërt, kthehen në sëmundje, në prekje, në cerozë…as kaq gjë nuk more vesh ti?! Pastaj, na e thuaj pra, si i përjetshëm që beson se je: sot, si është Atdheu: I veshur apo lakuriq?! Ë?! Hë de! Thuaje, de!
Pse nuk përgjigjemi ne? Jo! Ne vetëm bëmë një pyetje! Nuk pyetëm veten, se nuk e mbajmë veten për të mençur, idealistë, të përjetshëm! Të pyesim ty, se ti u përgjigjesh këtyre pyetjeve! Ti u përgjigje edhe atëherë, kur na rrinte ngusht rroba e fjalës: na thuaj pra, si është Atdheu sot? I veshur apo lakuriq?! Lakuriq, do përgjigjesh ti flakë për flakë?! E presim këtë përgjigje nga ti! Kështu u përgjigje edhe atëherë! Se vetëm ti ke sy ndër të gjallët e ndër të vdekurit… Por kjo është e drejta jote, e drejta që ke zgjedhur vetë. Ti thua atë që do, ne jemi ushtruar të dëgjojmë, të zemë veshët me duar, të mos jenë lakuriq veshët tanë së paku, ia mbajmë vrapit e shkojmë e mbyllemi në shtëpi. Prej brenda shtëpisë, Atdheu s’duket. Atdheu mbetet jashtë, kur ne shkojmë e mbyllemi brenda. E ç’farë pastaj si është Atdheu?! U përgjigje atëkohë, por, ja, ku më je sot, ku?! Dhe Atdheu ku është?! Çfarë përfitoi nga vdekja jote, nga zgjedhja jote?!
Çfarë pastaj se guxove, çfarë pastaj se dyshove kur besohej, çfarë se shkruajte vjersha që s’botoheshin? Ti nuk kuptove dot se ç’hyjnë në punë vjershat me Atdhe lakuriq! Shkove dhe bëre motër vdekjen…Mbase s’ta kishin mësuar vdekjen të tjerët, përpara nesh, por ne, së paku, e mësuam nga ty…Për këtë të jemi mirënjohës. Sa për të ardhur pas teje, nuk të vinim dot, s’kishte përse të na e kërkoje këtë.
Mbase je penduar për zgjedhjen tënde. Se, nuk ka qenë e lehtë të shkruaje “Shko o Republikë/ Mua më duhet të eci në rrugën time…”, teksa ne të tjerët merrnim Çmime Republike, të kësaj Republike! Kishe mundësi edhe ti të jetoje si moshatarët e tu. Por edhe kjo ka të bëjë me zgjedhjen tënde, siç thuhet për ty gjatë përkujtimeve!
Ç’ti bësh, ne të mjerët nuk ditëm të bënim zgjedhjen tënde! Ne zgjodhëm të mbeteshim, ti zgjodhe të ikje! Se, as mund të rrinim e as mund të iknim të tërë, dè!
Sekush nga të sotmit e zë në gojë gjestin tënd si “trill poeti”. Ne të gjorët, asnjë gjest të tillë nuk arritën ta kryejmë dot, por ja që mbetëm! Ti po deshe thuaj që as kemi qenë dhe as jemi poetë, është e drejta jote! Por ja që ne jemi sot. Si i bëhet?! Kështu janë të gjallët! Ky është çmimi i të gjallit. Gjërat e kanë një çmim… Ti pagove me jetë vdekjen, ne paguajmë me vdekje jetën!
U gjend dikush për t’i botuar vjershat e tua, por fare mirë ato mund të kishin humbur diku. As emrin, as namin s’do ta kujtonte njeri. Dhe, në fund të fundit, ç’vlerë kanë vjershat, kur nuk je vetë?! Ti mund të mbeteshe gjallë dhe t’i ruaje vjershat e tua. Nuk të dukej zgjidhje, as kjo?
Kanë mbetur edhè ca si puna jote. Me ne rrinë e këmbejmë biseda. Ne nuk fshehim gjë. U lutemi ndonjë herë, ashtu duke shkelur syrin, të na huajnë ca vite burgu, nga burgjet që kanë bërë! Zëmë e qeshim, si të gjallë që jemi. Qeshin edhe ata. Të na i kishit kërkuar ca kohë më parë këto vite burgu, na thotë ndokush prej tyre. Jeta kështu është, ç’ti bëjmë jetës ne! Kështu ka qenë gjithnjë. Këta të sotmit nuk na besojnë neve kur u themi se të gjithë e kemi paguar çmimin për atë kohë. Edhe kur ndëshkoheshe ti, apo të tjerët si ti, qëllimi nuk ishte ndëshkimi juaj, që iknit përgjithnjë: qëllimi ishte të trembeshim ne që do të mbeteshim përgjithnjë! Ne jemi trembur për shkakun tuaj, pra ju jeni fajtorë përballë nesh! Ha, ha, ha!
Ti shkove ballëhapët vdekjes duke shkuar nëpër buzë thënien e Gëtes, “e vërteta duhet përsëritur gjithnjë, sepse edhe gënjeshtra përsëritet kurdoherë”, por edhe jeta, nuk se na jepet aq shpesh që ne ta dhurojmë për vjersha.
Ka edhe sot një grusht të tjerësh si ti, kujtohen e na thonë që Atdheu është Lakuriq! Por ne e dimë se në të gjitha kohët ky Atdheu ynë, lakuriq ka qenë!
Por ç’punë ka Atdheu me vjershat tona, me jetën tonë ç’punë ka Atdheu?!

Filed Under: ESSE Tagged With: Faruk Myrtaj, i bën zgjedhjen e tij, Secil, trifon Xhagjika

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT