Nga Fahri XHARRA/
Selman Riza ishte thellësisht dhe patundshëm i bindur, se një komb duhet të krenohet dhe të mbrojë me dinjitet vlerat e vërteta që ka dhe jo të zbukurohet me pendë të huaja, me pikëpamje që i beson vetëm ai, po kurrkush tjetër.
I mbrujtur qysh në vegjëli në konviktin “Naim Frashëri” me dashurinë për atdheun nga mësues të tillë patriotë si Ibrahim Fehmiu e Sadi Pejani, të cilëve më vonë do t’u kushtojë monografi të vetat, me një formim të shëndoshë shkencor, që nis në Liceun Kombëtar të Korçës vijon me studimet në Francë dhe mbaron me mbylljen e jetës së tij më 1988, mbajtës i dy diplomave franceze një për drejtësi dhe një për gjuhësi, njohës i 12 gjuhëve jo thjesht për kulturë, por për t’i përdorur si mjete të domosdoshme e të pazëvendësueshme pune, shfrytëzues i pakundshoq i kohës për të punuar dhe jo “për të vrarë veten” Selman Rizës “do t’i mjaftojë” koha e saktë që i lanë përndjekjet, arrestimet dhe burgimet e njëpasnjëshme për t’u bërë një analizues i thellë dhe kompetent mbarë gjuhës shqipe dhe i problematikave të saj. Ai është i vetmi gjuhëtar ndër ne që e ka kaluar në sitën e vet të imët e të rreptë shkencore tërë strukturën e kësaj gjuhë dhe në të dy planet, historik dhe bashkëkohor.
Ai teorizonte me guxim “për të zbuluar nëpërmjet të pames të papamen”. Selman Riza “do të zbërthejë” hap pas hapi e pjesë pas pjese, mbarë ngrehinën e gjuhës sonë në elementët e saj përbërëse dhe do të hedhë hapa të guximshëm, aty ku shumëkush shihte vetëm terr të padepërtueshëm nga mugëtia e shekujve. Atë nuk e shqetëson aspak mendimi i mëparshëm për një çështje. Nuk e shqetëson as fryma oportuniste e kohës “se kjo dëmton interesat kombëtare”.
Tek Selman Riza bashkohen në një shkencëtari i shquar dhe atdhetari i madh, njeriu me karakter të fuqishëm dhe i papërkulur ndaj diktaturave, që me vullnet të hekurt arriti në majat e shkencës të cilës iu përkushtua. Njerëz të tillë janë të rrallë në historinë e çdo kombi dhe duhet të mbeten frymëzues për brezat. Për këtë dhe duhet njohur; Jeta dhe Vepra e tyre. Këtij qëllimi i shërben monografia e Engjëll Angonit kushtuar kësaj figure, të lënë qëllimisht në harresë, që është një kontribut i ndjeshëm, por vetëm hapi i parë. Vepra dhe jeta e tij, prej patrioti të madh, duhet të botohet e plotë, duhet të njihet mirë, veçanërisht në kohët me trazime dhe pështjellime të mëdha si kjo e jonë . “Atdheu fillon te fjala“ ka thënë një poet dhe në rrënjët e fjalëve shkoi, si pakkush, Selman Riza.
Selman Riza lindi në Gjakovë më 21 12. 1909. Lindi në një periudhë luftërash ku shqiptarët, veçanërisht ata të trevave të Veriut, luftuan me armë në dorë për të mbrojtur e mos u coptuar atdheu. Në një kohë tillë të përgjakshme dhe në një mjedis patriotik u lind dhe kaloi fëmijërinë shkencëtari i ardhshëm. Engjëll Angoni i përshkruan ato me korrektesë dhe logjikë të lakmueshme duke e përshkruar djaloshin e vogël gjakovar që nga arratisja e tij për në “dheun amë”, në Shqipëri, në vitin 1922 , bashkë me të rinj të tjerë kosovarë.
Për veprimtarinë e tij politike thellësisht patriotike Selman Riza burgoset në vitin 1945 në Tiranë, vetëm disa ditë pas kthimit në Shqipëri, ku kishte ardhur për t’i shpëtuar genocidit serb. Pas burgosjes dhe internimin nga fashistët Italianë Ai tashmë po provonte një burg tjetër, nga bashkatdhetarët e tij. Vetëm tre muaj qëndroi Selman Riza në burgun e Tiranës se me kërkesën e jugosllavëve ai u transferua në burgjet titiste në Prishtinë “si kosovar antijugosllav” për t’u gjykuar. Mbasi shpëtoi nga dërgimi në Jugosllavi në 1945, falë ndërhyrjes së Manol Konomit, atëherë ministër i Drejtësisë, kjo nuk u shmang në vitin 1948. Selman Riza qëndroi për tre vjet e gjysmë në burgjet jugosllave. Lirohet në gusht të vitit 1951, sepse ishte i sëmur rendë nga skorbuti dhe “rrezikohej t’u mbetej në dorë xhelatëve jugosllavë”. Ndonëse i internuar dhe i survejuar në Sarajevë, Selman Riza iu përkushtuar tërësisht punës shkencore. 1951 -1955 Ai shkroi disa nga veprat e tij që u bënë më vonë korpusi kryesor i krijimtarisë shkencore.
Me gjithë premtimet dhe kërcënimet , shantazhet dhe intrigat për të marrë nënshtetësinë jugosllave Selman Riza, në dhjetor të vitit 1955, rikthehet në Shqipëri dhe bashkohet me familjen e tij në Tiranë. Fillon punën menjëherë në Institutin e Historisë dhe Gjuhësisë si punonjës shkencor dhe në fakultetin e filologjisë ku, si pedagog i jashtëm, jepte lëndën “Historia e gjuhës së shkruar shqipe”.
“Dardani e vjetër
Kosovë e Re!
Ke qen’ shqiptare
Shqiptare je.
Dimën e verë
Sa t’jetë jeta
Ka me përshëndet
Me “Tungjajeta”… ( Selman Riza )
Selman Riza me jetën dhe veprën e tij mbetet një luftëtar i paepur i çlirimit të Kosovës dhe çështjes shqiptare, ndjekës i papërkulur e sistematik i parimit të papajtueshmërisë së pakompromis me çdo gjë antikombëtare e regresive, për Shqipërinë dhe shqiptarët edhe se për këtë u përndoq dhe dhunua gjithë jetën, por nuk u nënshtrua. Ai mbetet po aq dhe një nga gjuhëtarët më të shquar në lëmë të albanologjisë. Shkenca shqiptare dhe jo vetëm ajo i detyrohen së tepërmi atij dhe kjo gjendje heshtjeje dhe mosvlerësimi duhet të ndryshoj sa më parë.
Ai nuk është vetëm një gjuhëtar në zë, por, në radhë të parë, një patriot i shquar, idealet e të cilit janë edhe sot flamur i shqiptarizmit në Kosovë”.
Referencat:
ADMIRINA PEÇI Rrëfej babanë tim Selman Riza Jeta mes përndjekjeve, intrigave
Aleksandër Meksi: Profesor Selman Riza, Njeriu – Vepra
Ali Dhrimo – Pesë autorët me të vjetër në gjuhën shqipe
Ali Jashari -Smilari fjalëkrijues i profesor Selman Rizës.
Arjan Th. Kallço – Selman Riza, njeriu i përkushtimit, dhe Albanologjia
Fahri Xharra,04.07.15 Gjakovë
NDERIM PËR ATDHETARIN, PEDAGOGUN DHE GJUHËTARIN
Në 25-vjetorin e ndarjes nga jeta: Prof. Dr. Selman Riza-“Mësues i Popullit”/
Ne Foto: Prof. Dr. Selman Riza (25 dhjetor 1909-16 dhjetor 1988)/
Shkruan: Prof. Murat Gecaj/
1. Disa vjet më parë, është venë në qarkullim, në Tiranë, libri i Engjëll Angonit: “Selman Riza, gjuhëtar dhe atdhetar i shquar”. Që në fillim, janë dhe pak fjalë të autorit, për lexuesin: “Ndërkaq, nuk mund ta fsheh kënaqësinë, që kam ndier gjatë gjithë punës për hartimin e këtij libri, sepse kështu pata mundësinë që ta njoh dhe ta çmoj edhe më tepër, siç e meriton, jetën dhe veprën e tij aq të pasur, që e bëri të pavdekshëm”. Ndërsa në parathënien e tij, prof.dr. Shaban Demiraj-Akademik nënvizon: “Më në fund, gati dhjetë vjet pas vdekjes, dikush kishte marrë përsipër t’i bënte të njohur një publiku të gjerë jetën aq të brengosur dhe veprimtarinë aq të pasur të këtij shkencëtari dhe atdhetari të rrallë” e më tej: “Ky libër, i shkruar me një qartësi tërheqëse dhe me një dokumentim bindës, na e shpalosë, si në një ekran, jetën plot vuajtje e brenga dhe arritjet e mëdha shkencore të këtij personaliteti të shquar të shkencës shqiptare”. Autori e ka ndarë këtë libër (me afër 200 faqe, me dokumente e foto) në katër pjesë kryesore. Në të parën, flet për jetën dhe veprën. Aty mësojmë se prof. Riza kishte lindur më 25 dhjetor 1909, në qytetin e Gjakovës-Kosovë. Më tej, kishte qenë nxënës në shkollën plotore “Naim Frashëri” të Tiranës dhe në Liceun Kombëtar të Korçës. Pastaj vijoi dy fakultete të larta, në Toluzë të Francës dhe u kthye pedagog, ku ishte vetë nxënës, pra në Liceun e Korçës.
Si gjatë qëndrimit në Shqipëri e në Kosovë, ai u tregua atdhetar i flakët dhe i papajtueshëm ndaj çdo armiku. Prandaj u përndoq e u persekutua: U burgos e u internua, nga rregjimi fashist dhe u burgos nga dy rregimet diktatoriale komuniste (në Kosovë e në Shqipëri); në vitet e fundit të jetës e larguan nga puna si shkencëtar e pedagog dhe, pasi iu bë një “gjyq” inkuizicional, u dërgua “për riedukim” në muzeun e Beratit. Ndërsa, në vitin 1970, u nxor në pension para kohe. Pastaj e munduan sa s’ka më: sëmundja e rëndë dhe e gjatë, mjedisi i heshtur dhe mospërfillës i shtetit monist. Ja, pra, se çfarë provoi ky atdhetar, pedagog e shkencëtar i madh, deri sa u nda përgjithnjë nga jeta, në Tiranë, më 16.12.1988.
2.
Zotërues i disa gjuhëve, prof. Selman Riza ishte pedagog i gjuhësisë, në Fakultetin Histori-Filologji, të Universitetit të Tiranës dhe bashkëpunëtor shkencor në Institutin e Gjuhësisë e Letërsisë, të Akademisë së Shkencave. Me vullnet të jashtëzakonshëm për punë, njerëzor e tepër korrekt, këmbëngulës e dashamir ndërmjet studentëve e kolegëve dhe gjithë atyre, që e njohën, -ai la pas një pasuri të paçmuar në praktikën pedagogjike dhe në lëmin e studimeve gjuhësore.
Jeta dhe vepra e prof.dr. Selman Rizës janë nderuar e vlerësuar në Kosovë, ku është bërë botimi i disa vëllimeve, në serinë e studimeve të tij. Ndërsa në vitin 1994 (pra, pas vdekjes), u botua në Tiranë libri i tij me interes: “Sistemi foljor i letrarishtes shqiptare bashkëkohore”. Punimet e prof. Rizës rrokin fusha të gjera të gjuhësisë shqiptare, por dhe të tjera. Të tillë përmendim: autorët e vjetër, historinë e gjuhës së shkruar, dialektet e shqipes, drejtëshkrimin, gramatikën e shqipes (bien në sy studimet për pronorët, nyjën, foljen) etj.
Pas viti 1990, në Shqipëri dhe në Kosovë, për prof.dr. Selman Rizën është shkruar në shtyp dhe janë organizuar veprimtari përkujtimore, ku është theksuar ndihmesa e tij e madhe në fushën e arsimit kombëtar dhe të shkencës shqiptare. Atij i janë dhënë titujt e lartë “Mësues i Popullit” dhe “Punonjës i shquar i shkencës dhe teknikës”. Jeta dhe vepra e tij e mundimshme janë burim frymëzimi për brezat që të kenë atdhedashuri të paepur dhe vullnet të çeliktë e punë të palodhur, si për Shqipërinë dhe “Kosovën shqiptare”, siç e quajti ai, në pak radhët e amanetit të fundit.
3.
Më kujtohet se, kur autori i librit, që përmenda në fillim të këtij shkrimi, E.Angoni kishte nisur mbledhjen e dëshmive, dokumenteve dhe kujtimeve, për hartimin e librit kushtuar prof.dr. Selman Rizës, më kërkoi të shkruaja kujtimet e mia, pasi kisha qenë student i këtij. Sigurisht, shpreha kënaqësinë dhe gatishmërinë për ta plotësuar kërkesën e bërë.
Kur i fillova studimet e larta, në Universitetin e Tiranës, sigurisht ishte një ngjarje e rëndësishme për mua, pasi vija nga një krahinë e largët malore dhe e prapambetur, në të kaluarën edhe për zhvillimin arsimor. Me sa më kujtohet, deri atëherë, në shkollën e lartë, nga krahina jonë kishin ardhur pak bijë e bija të malësorëve. Pa u zgjatur, kujtoj se në kursin tonë ishin rreth 30 studentë: nga Tirana, por dhe nga rrethe të tjerë e disa të huaj, nga ish-Bashkimi Sovjetik e bile deri nga Mongolia e Vietnami. Përpara tani kam një polifoto, që është bërë në vitin 1963, kur u diplomuam, “mësues i shkollës së mesme, për lëndët gjuhë-letërsi shqipe”. Përveç bashkëstudentëve të mi, aty janë dhe fotot e disa prej drejtuesve e pedagogëve tanë. Ndër ta, është fotografia e pedagogut Selman Riza.
Atë e njoha mirë, që në vitin e parë, sepse vija në Universitet nga Malësia e Gjakovës (Tropoja) dhe më kishin thënë se ai ishte nga Kosova. Pra, ishim pothuaj bashkëkrahinas dhe, si në heshtje, ndieja që diçka më tepër, se me të tjerët, më lidhte me këtë pedagog. Kur paraqitej rasti, këtë gjë ai ma shprehte në ndonjë bisedë të përbashkët, sidomos kur ishte fjala për veçoritë gjuhësore të të folmes së Shqipërisë Veri-Lindore dhe të Kosovës.
Prof. Selmani na dha kursin e autorëve të vjetër të shqipes së shkruar. Por, në leksionet e seminaret e tij, aq serioze dhe të përgatitura me korrektësi e aftësi të lartë shkencore, gjente rast të na fliste jo vetëm për figura të tilla, si Buzuku, Budi, Bogdani etj., për lashtësinë dhe veçoritë e shqipes së shkruar, por dhe për bukurinë e saj dhe mundësitë e shumta, që ajo ka për t’i shprehur qartë e saktë mendimet tona. Pra, nënkuptonte dhe kritikonte ata njerëz, që gjuhën shqipe e mendonin “gjuhë të varfër”, që “nuk lejon mundësi shprehjeje, si gjuhët e huaja” etj. Veçanërisht, ishte këmbëngulës dhe kërkonte saktësi, gjatë shprehjes së mendimeve nga ne, studentët, jo vetëm në përgjigjet e ndryshme në leksione, seminare a bashkëbisedime, por dhe në bisedat e lira. Me dashamirësi e takt pedagogjik, por dhe me qortim, kur paraqitej nevoja, na drejtohej, kur përdornim në të folur, fjalë të huaja të panevojshme ose kur nuk i shprehnim drejt, fjalët a mendimet tona. Kujtoj se ai studionte me zell të veçantë pronorët e shqipes. Për këtë gjë na fliste me pasion në auditore, por dhe kishte botuar në revistat tona shkencore
Gjej rastin që të shtoj dhe diçka tjetër. Sidomos në dy vitet e para të studimeve, kisha vënë re se ndonjë pedagog i yni rrinte si më ” i tulatur” dhe “i ndrojtur”. I tillë ishte jo vetëm prof.Selman Riza, por bile dhe prof.Eqrem Çabej. Në atë kohë, nuk e dinim se ata na paskëshin “njolla” në biografi, sipas rregimit të asaj kohe, gjë që e kuptuam më vonë. Dhe, “gjynahet” e prof. Rizës na paskëshin qenë se: “Është i pabindur”, “kërkon të bëjë studime në kokën e tij” ose “nuk e njeh materializmin dialektik” etj.
Kur përgatisja temën e diplomës, nga fusha e dailektologjisë, në vitin e fundit të studimeve universitare, prof. Riza nuk e kaloi këtë punë timen në heshtje. Përkundrazi, më përgëzoi dhe, pas kohës së mbledhjes së materialeve në terren, sistemimit dhe interpretimit të tyre, më pyeste dhe më nxiste: “Si po të shkojnë punët? Nëqoftëse ke ndonjë gjë për t’u konsultuar, jam i gatshëm. Puno me zell e kujdes, se do të dalësh faqebardhë…”.
Me prof.Selman Rizën jam takuar disa herë edhe pasi mbarova studimet e larta.
Në kohën e fundit të jetës, ai nuk ishte mirë nga ana shëndetësore dhe kjo më therte në zemër. Në vitet 1974-1975, kam patur nderin e kënaqësinë që ai të më bënte dhe vizita në banesën afër ish-pasticeri “Flora” të kryeqytetit, kur isha vetëm në një dhomë, me gruan e tre fëmijë të vegjël. Por dhe ia kam kthyer atij vizitën, pra kam shkuar në shtëpinë e tij, jo larg nga ne dhe kemi pirë kafe bashkë. Në bisedat tona zinin vend: Malësia e Gjakovës, Kosova, gjuha shqipe etj, por dhe problemet tona familjare.
Jam pikëlluar pa masë, kur mora vesh vdekjen e Profesorit dhe mikut tim të paharruar, prof. Selman Riza. Sa herë e kam kujtuar jetën e tij ose kam sjellë ndërmend vuajtjet shpirtërore e fizike, që i janë shkaktuar padrejtësisht, thellë në shpirt kam ndjerë dhimbje të madhe. Kam kënaqësinë dhe nderin të pohoj se, me sjelljen, diturinë dhe karakterin e tij, ai ka ndikuar mjaft në formimin tim të përgjithshëm, sidomos në atë gjuhësor dhe inteklektual. Prandaj, dëshiroj dhe e kam detyrim moral, që dhe tani, 25 vjet nga ndarja e tij përgjithnjë nga jeta, të përulem me respekt e nderim të thellë përpara kujtimit, jetës dhe veprës së shquar të prof. Dr. Selman Rizës! Ai do të mbetet përherë i gjallë, jo vetëm në kujtesën time, por dhe tërë brezit tonë të studentëve të tij.
Tiranë, 13 dhjetor 2013