Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Gjiganti kosovar “ “Trepça” ishte eksportuesi më i madh në ish- Jugosllavi dhe në llogaritë e saj derdheshin mjete të mëdha devizore. Sado që prej tij mbetej pak, në Kosovë ai ishte, megjithatë, boshti qendror i zhvillimit të përgjithshëm dhe sidomos të atij ekonomik të Kosovës. “ Trepça” me 21 mijë e 500 punëtorë ngriti një sistem të tërë objektesh pune dhe studimi. Objektet më të rëndësishme të saj në Kosovë, pos minierave në Stantërg, Kishnicë, Hajvali dhe Novobërdë, kishte arritur të ngriste edhe këto objekte: fabrikën e baterive industriale në Pejë, , “ Metalikun” në Gjakovë, “ Famipën” në Prizren, fabrikën NI CD të baterive në Gjilan, fabrikën e akumulatorëve në Mitrovicë, fabrikën e municionit të gjuetisë në Skenderaj, fabrikën e llamarinës së zinkuar në Vushtrri, fabrkën e bojërave dhe llaqeve në Vushtrri, , fabrikën e paisjeve për procesin e prodhimit në Mitrovicë, shkritoren dhe rafinerinë në Zveçan, Metalurgjinë e plumbit dhe të zinkut në Mitrovicë. Po ashtu, Trepça ka pasur institutin e vetë për zhvillim, Qendrën elektronike, Organizatën për furnizim të materialeve dhe shitjen e mallrave, laboratorë modern, Qendrën mjekësore dhe sistemin e transportit. Po ashtu pasuria e saj shtrihej edhe në pjesët tjera federale të ish- Jugosllavisë, si në Mal të Zi, Vojvodinë, Bosnje Hercegovinë e më së shumti në Serbi.
Në kulmin e prodhimtarisë serbët pushtuan “ Trepçën”
Siç mësuam unë dhe kolegu im Ymer Avdiu nga bashkëbiseduesit tanë Azizi Abrashi, Nysret Magjera dhe Dr. Safet Merovcinë nëntor të vitit 1999, gjatë vitit 1988, do të thotë në vitin e fundit kur punuan shqiptarët, ky gjigant shënoi kulmin e prodhimtarisë më të suksesshme, rrugë kjo që u ndërpre nga pushtimi klasik serb. Atë vit në Trepçë u arritë që të prodhohen dy milion e 100 mijë tonë xehe, koncentrat zinku 80 mijë, koncentrat plumbi 120 mijë tonë dhe pirit 120 mijë tonë. Plumb të rafinuar u prodhuan 103 mijë tonë, argjend 126 mijë kilogram, ari 242 kilogram, legura të plumbit 30 mijë tonë, bizmut 115 mijë kilogram dhe acid sulfurik 30 mijë tonë.
Metarlugjia e zinkut kishte realizuar 49 mijë e 500 tonë zink elektrolit, 6 mijë tonë legura të zinkut dhe 2 mijë tonë zink oksid, tre mijë tonë zink pluhur,145 mijë tonë acid sulfurik dhe 180 mijë kilogram kadmium. Kështu ishte në të gjithë kolektivat tjerë punues të këtij gjiganti që ia kishin lakmi edhe shumë partner të jashtëm me të cilët kishte kontakte afariste dhe bashkëpunim tjetër me interes. U bënë përpjekje të shumta që edhe në kushte okupimi kjo shtyllë e rëndësishme disi të shpëtohet. Kësisoj, në kuadër të mbrojtjes së kësaj pasurie të madhe që rrezikohej të gllabërohej, punëtorët e “ Trepçës”, sipas dispozitave të atëhershme në fuqi, këtë gjigant asokohe e shndërruan në shoqëri aksionare. Mirëpo, as kjo e as grevat nuk bënë punë, Sepse Serbia mu për shkak të pasurisë e pushtoi ushtarakisht dhe me akte arbitrare e shpalli pronë të Serbisë. Shqiptarët i largoi nga puna dhe pasi vetë nuk mund të prodhonte filloi eksploatimin e vrazhdë dhe krijoj situata të mjegulluara duke i futur kompanitë multinacionale në lojë.
Gjatë kohës së pushtimit serb prodhimi ishte katastrofik
Në të gjitha ndërmarrjet e Trepçës, deri në pushtimin përfundimtar serb më 1989, prodhimtaria dhe kapacitetet e saj përpunuese ecnin me hapa të sigurt drejt një të ardhme më të mirë të banorëve të Kosovës. Me kapacitet disponuese deri në vitin 1989 bruto- produkti vjetor ishte rreth v250 milionë dollarë, ndërkaq eksporti në pesë vitet e fundit ishte 140 milionë dollarë. Çmimi i metaleve të ngjyrosura ka qenë drejtpërsëdrejti i varur nga Bursa, mirëpo për shkak se Trepça kishte arritur të ngrisë kapacitetet përpunuese kjo dukuri jo e favorshme ishte eliminuar në masë të dukshme. Deri në këtë vit është arritur, bie fjala, që të prodhohen mbi 2 milionë e 100 mijë tonë xehe. Mirëpo këtë tempo të afarizmit të suksesshëm nuk arriti ta mbaj udhëheqja serbe, sepse ajo dëboi me dhunë të gjithë punëtorët shqiptarë. Thënë me gjuhën e ekspertëve shfrytëzimi i minierave pa punëtorë shqiptarë nuk ishte i mindur në masë çfarë janë frikësuar të gjithë, por ai eksploatim ka qenë shumë i vrazhdë.
Për dhjetë vjet kapacitet në Trepçë janë shfrytëzuar10- 18 për qind dhe ky ishte prodhim më karastrofik në gjithë historinë e saj. Është punuar vetëm me koncentrate të importuara ngaqë minierat kosovare nuk kanë qenë në veprim, por atje janë shfrytëzuar vetëm shtyllat mbajtëse që shërbenin për sigurimin e horizonteve, duke e rrezikuar në këtë mënyrë tërë xeheroren nga një shëmbje e përgjithshme që do të kishte pasur probleme të mëdha në riaktivizimin e sërishëm të saj. Prodhimi i dhjetë vjetëve mund të krahasohet me një vit prodhimi kur punonin shqiptarët.
Aventura që dëmtonin edhe shëndetin e banorëve
Më tej mësuam se duke mos pasur mundësi që pa punëtorë shqiptarë të aktivizojnë ndërmarrjet e Trepçës, udhëheqja e dhunshme serbe e kontrolluar drejtpërsëdrejti nga regjimi në Beograd, u hyri disa aventurave që ishin jo vetëm në dëm të këtij gjiganti, por edhe të shëndetit të banorëve të Kosovës. Sipas Dr. Safet Merovcit, kjo udhëheqje fantome ka lejuar firmën greke Militeanosit që të përpunojë koncentrat në rafinerinë dhe shkritoren e Zveçanit, dyshohet, me sasi jashtëzakonisht të lartë të zhivës dhe arsenit. Pos në Trepçë askund tjetër në botë nuk kishte mundur të ndodhte një gjë e tillë për të rrezikuar në masë aq të madhe banorët e një vendi e më së shumti shqiptarët që përbënin 95 për qind të numrit të përgjithshëm. Dyshohet që koncentrati që është përpunuar në Zveçan është importuar nga Kolumbia, të cilin askush në botë nuk e përpunon për shkak të sasisë së madhe të zhivës dhe arsenit.
Shkatërrimet e objekteve të ndërmarrjeve të Trepçës pas luftës u dukën kudo. Serbia plaçkiti më të madhe makineritë dhe paisjet më moderne. Ndërkaq edhe ato që mbetën ashtu siç i la okupatori shumica prej tyre u shitën dhe fatkeqësisht asnjera prej tyre nuk e pati fatin që të vazhdoi me prodhimtari për çfarë ishte e ndërtuar dhe e planifikuar. Dhe tash shtrohet pyetja se si do të funksionoj gjiganti ynë pa ato objekte të domosdoshme përcjellëse për t’i sjell dobi dhe zhvillim më të hovshëm vendit tonë. Edhe pas 15 vjetësh të përfundimit të luftës gjendja e Trepçës mbeti pezull, ndoshta bukur shumë me fajin e faktorit ndërkombëtar, mirëpo edhe institucionet tona nuk ishin të vendosura për ta kthyer këtë gjigant në gjirin e saj dhe kështu përfundimisht të përfundoi kjo odisejadë e panevojshme që u zhvillua deri me tash. Është e kuptueshme se çdo nguti mund të sjellë pasoja të paparashikueshme, mirëpo, a nuk mjaftuan 15 vite që i gjithë materiali i nevojshëm të përgatitet dhe prona që i takon me të gjitha dispozitat ligjore edhe të atëhershme edhe të tashme të kthehet në qeverisje të plotë të institucioneve kosovare. Dialog nuk mund të këtë në asnjë mënyrë me Serbinë për pasuritë e saj, por duhet të këtë bisedime për të kthyer gjithë atë që ka plaçkit dhe që ka investuar Trepça në këtë shtet fqinjë.