• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Bëni për Setën atë që bëtë për HEC-in e Holtës!

January 25, 2019 by dgreca

PO SETËN – BUKURINË E BUKURIVE, ÇIDHNËN –  VENDORIGJINËN E GJERGJIT TË GJON DIBRANIT  DHE  SHESHBETEJAT E TIJ, A I KE DËGJUAR ZONJA BALLUKU? PO JU ZOTI KLOSI?/

1 hec2 HEC3 HEC

Një letër në “Shqipëria që duam”/

Shkruan: Abdurahim Ashiku/ Athine/

Ra Zagoria dhe Kryeministri Rama foli…
“Ne e kemi shpallur Parkun Kombëtar në vazhdën e programit të mbrojtjes së bukurive të natyrës sonë nga HEC-e, gurore, etj.”
Ra Holta dhe ministrja e re e Infrastrukturës dhe Energjetikes Balluku doli publikisht, me zë e me figurë:
“I papranueshëm rasti i ndërtimit të HEC-it mbi kanionin e Holtës në Gramsh…”
“Së bashku me Ministrin Klosi do ta kthejmë rastin e Gramshit në një platformë diskutimi të hapur me komunitetin…”
“Dua ta them shumë qartë: vërtet HEC-ët e vegjël kontribuojnë në ekonomi, por dhe mund të dëmtojnë ekonomikisht shumë më tepër sesa kontributi i tyre, nëse për një HEC të vogël i bie vlera një pasurie të madhe natyrore…”
Mbase nuk i ka dëgjuar “Zërat e Setës” zonja Balluku. E re është dhe i falet ani se gazetat, emisionet televizive, me zë e me figurë, demonstratat e banorëve, gjyqi publik i hapur (por i shtyrë për në “kalendat greke” dhe “javën pa të shtunë”) kanë qenë “daulle me lëkurë dhie” sa nuk besoj të mos i ketë dëgjuar njeri brenda e jashtë kufijve (përveç pushtetarëve veshmbyllur me dyllë).
Me jua thënë me fjalë zor se i merrni vesh. Duhet të shkoni atje që krijuesi i asaj bukurie t’ju presë e tu uli gjunjët në tokë.
Dhe të faleni.
Kështu më ka ndodhë dekada më parë kur shoqëroja një delegacion gazetarësh liqeneve të Lurës.
U befasova, ndërsa ata i luteshin Zotit për bukurinë që u kishte mbirë në sy…
Seta është një ndër degët e Drinit të Zi, 13 kilometra që nga burimet e saj në Gurë Lurë e deri në Arras, ujëplotë gjatë gjithë vitit…
Seta rrethohet e thellohet nga një histori trimërie dhe heroizmi, qëndrese dhe sakrificash sa në sipërfaqe tokësore nuk e ka asnjë vend në Shqipëri, (mbase edhe në botë), në mesjetë veçanërisht, por edhe në ditët tona.
E kam jetuar Setën në “tamë të vijës”, atje ku merr rrugë një kanal që i foli kohës me një “piketë me plumb pushke”, me trimërinë më të pastër e më heroike të dibranëve, me rrjedhën e ujit në gjashtë kilometra mbi e mes shkëmbinjve të paarritshëm deri atëherë, me tetëqind metro tunel nëpër Gjalicat asokohe të pakalueshme…
Në korrik të vitit 1967 uji i Setës vaditi për herë të parë tokat e Çidhnës për të vijuar në vitet më tej drejt Dardhës e Reçit nga njëra anë, me sifon drejt Sinës e po me sifon drejt Fushës së Çidhnës dhe Kastriotit deri në Vakuf në dhjetor 1969…
Edhe sot, po të kalosh anës kanalit të Setës, Gjalicave, rrugicës si fije peri që varet pas shkëmbinjve (nuk ta rekomandoj Ju zonja Balluku, Klosit i them që të kalojë sapo të shkrijë bora) pyet i habitur “Çfarë njerëzish kanë qenë ata që u varën në këto hone të thella, që çanë malin dhe krijuan këtë vepër ujore, këtë vepër arti me përmasa marramendëse?”.
Është krim që nuk është shpallur “Monument kulture”…
Në gazetën “Bashkimi” të 30 gushtit 1967 shkruhej: “…Më 1 mars filloi puna. Uji në bazë të planit duhej tu jepej fshatarëve në vitin 1969, kurse ai filloi të rrjedhë 6 muaj pas fillimit të punimeve, pra dy vjet para afatit…Ishte planifikuar të punohej gjatë tre vjetëve, të hapeshin tre tunele, të punohej në 6 fronte pune. U punua 6 muaj, u hapën 13 tunele, u punua në 26 fronte pune njeri më i vështirë se tjetri…”
Nuk ka degë të Drinit të Zi ku të jetë shkruar kaq pastër trimëria dhe begatia, heroizmi i vjetër dhe heroizmi i ri i një populli që e ka në gjak punën, shpatën dhe barotin…
Atje ku derdhet Seta u shkrua për herë të parë, me majën e shpatës, trimëria e përbashkët e shqiptarëve, fitorja e madhe kundër ushtrisë më të madhe, më agresive e më të pajisur në armë dhe urrejtje, kundër Perandorisë Osmane, në betejën e Torviollit…
Atje, në brigjet e saj u derdh aq gjak sa nuk ishte derdhur asnjëherë në trojet shqiptare. Mënia e osmanlinjve nuk njohu kufi, shoi një qytet të tërë, qytetin e Çidhnës, folenë e trimërisë dibrane e Skënderbejane…
Nuk dua të hy në “thekrën e historisë”. Është e dendur, më e dendur se kudo në Dibër. Le të hyjnë historianët…
Seta, burimet e saj, kanionet madhështore shpallur “Monument natyre” po humb bukurinë, po humb atë fjalë që faqeve të gazetave dhe gojëve të pushtetarëve nxirret me pasthirrmë, TURIZMIN, po i mohon trevës së Çidhnës e Sinës të ardhmen e vet, po u shkul rrënjët atyre banorëve që brez pas brezi rrënjë e degë të reja vegjetuan.
Flitet për jo një por për katër hidrocentrale mbi Setë….
Po citoj nga shtypi…
“…Tre veprat e marrjes të cilat do të ndërtohen rreth kuotës 489 m (e para në shtratin e përroit të Setës dhe dy të tjerat në dy degët në krahun e djathtë të rrjedhës së saj), tre dekantues, tre basene presioni, nga të cilët dalin tre tubacione me presion me të cilët para hyrjes në tunel bashkohen në një të vetëm. Gjithashtu mbas bashkimit të tubit në një të vetëm me D=200 mm, tubi hyn në tunel rreth 800 m, dhe disa metra më andej hyn prapë në një tunel 140 m ku tubi i presionit do jetë futur në tunel dhe mbas daljes së tij shkon direkt në godinë që do të ndërtohet në afërsi të derdhjes së përroit në lumin Drin rreth kuotës 385 m.”
Nuk mund të heshtja.
Shënova…
Ky është shkatërrimi total i bukurisë së bukurive dibrane, masivit të Setës. Gjithë këto tuba, gjithë këto tunele, gjithë këto vepra marrje do ta shkatërrojnë tërësisht Setën….
Ju zonjë jeni arkitekte. Lexojini këto e bashkë me ato që thuhen para e prapa, shikoni projektet, shkoni edhe në vend, takohuni me banorët, bisedoni me ta për të kaluarën historike dhe për të ardhmen jetësore, ftoni në  një takim intelektualin Mustafa Tola, historianin Ali Hoxha, studiuesin Murat Koltraka me shokët e tyre…
Dhe bëni atë që bëtë për HEC-in e Holtës.
Edhe pse këmbët nuk mbahen fort nga pesha e 78 vjetëve jetë, edhe pse jam syrgjyn njëmijë kilometra larg, do të mblidhja fuqitë dhe do të bëhesha kallauzi juaj zonja Balluku dhe zoti Klosi në një udhëtim Setës nga derdhja në burim…

Shkruan: Abdurahim Ashiku

Gazetar

Athinë, 25 janar 2019

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Abdurrahim Ashiku, HEC, Holta, SETA

SETA, MONUMENT HISTORIE DHE TRIMËRIE

October 7, 2015 by dgreca

Setën, ashtu si edhe degët e tjera të Drinit të Zi që nga Zalli i Okshtunit e deri Mallë të Lurës i kanë marrë njerëz morali i të cilëve është “As fëmijët e mi, as fëmijët e fëmijëve të mi, nuk do të kenë nevojë të punojnë…”

Nuk e di në se në këtë valle hedh këmbët deputeti i Dibrës, djali i Çidhnës ministër i ekonomisë Shkëlqim Cani…
Nuk e di. Ashtu si nuk e di në se do të fillojë hapja e tunelit për të parë dritë Rruga e Arbërit, ashtu si nuk e di se çfarë përgjigje kanë marrë kinezët për kërkesën e tyre për të ndërtuar hidrocentralin e Skavicës, dënimin me mbytje të luginës më të madhe dhe më pjellore të Drinit të Zi…
Nuk e di edhe në se çidhnakët me “pushkë ngrehur” e “ballë djersitur” në histori, do të ngrihen në këmbë…/
Shkruan: Abdurahim Ashiku, gazetar/ Athine/E kam jetuar Setën ndryshe nga degët e tjera që mjelin malet për ta përcjellë shkumën e vluar të mbi Drinin Zi.
E kam jetuar në shkulmin që buron nga gjiri i malit e në rrjedhën që zbret nga liqenet. E kam fotografuar dhe jam fotografuar përballë ujit që  përplaset gurëve të latuar të shkëmbit.
E kam jetuar në “tamë të vijës”, atje ku merr rrugë një kanal që i foli kohës me një  “piketë me plumb pushke”, me trimërinë më të pastër e më heroike të dibranëve, me rrjedhën e ujit në gjashtë kilometra  mbi e mes shkëmbinjve të paarritshëm deri atëherë, me tetëqind metro tunel nëpër Gjalicat asokohe të pakalueshme…
Në korrik të vitit 1967 uji i Setës vaditi për herë të parë tokat e Çidhnës për të vijuar në vitet më tej drejt Dardhës e Reçit nga njëra anë, me sifon drejt Sinës e po me sifon drejt Fushës së Çidhnës dhe Kastriotit deri në Vakuf në dhjetor 1969…
Edhe sot, po të kalosh anës kanalit të Setës, Gjalicave, rrugicës si fije peri që varet pas shkëmbinjve pyet i habitur “Çfarë njerëzish kanë qenë ata që u varën në këto hone të thella, që çanë malin dhe krijuan këtë vepër ujore, këtë vepër arti me përmasa marramendëse?”
Në gazetën “Bashkimi” të 30 gushtit 1967 shkruhej: “…Më 1 mars filloi puna. Uji në bazë të planit duhej ti jepej fshatarëve në vitin 1969, kurse ai filloi të rrjedhë 6 muaj pas fillimit të punimeve, pra dy vjet para afatit…Ishte planifikuar të punohej gjatë tre vjetëve, të hapeshin tre tunele, të punohej në 6 fronte pune. U punua 6 muaj, u hapën 13 tunele, u punua në 26 fronte pune njeri më i vështirë se tjetri…”
Nuk ka degë të Drinit të Zi ku të jetë shkruar kaq pastër trimëria dhe begatia, heroizmi i vjetër dhe heroizmi i ri i një populli që e ka në gjak punën, shpatën dhe barotin…
Atje ku derdhet Seta u shkrua për herë të parë, me majën e shpatës, trimëria e përbashkët e shqiptarëve, fitorja e madhe kundër ushtrisë më të madhe, më agresive e më të pajisur në armë dhe urrejtje, kundër Perandorisë Osmane, në betejën e Torviollit…
Atje, në brigjet e saj u derdh aq gjak sa nuk ishte derdhur asnjëherë në trojet shqiptare. Mënia e osmanlinjve nuk njohu kufi, shoi një qytet të tërë, qytetin e Çidhnës, folenë e trimërisë dibrane…
Nuk dua të hy në “thekrin e historisë”. Është i dendur, më i dendur se kudo në Dibër. Le të hyjnë historianët…
Thashë në fillim se e kam jetuar Setën më gjerë se degët e tjera të Drinit të Zi. I kam përshkuar Gjalicat duke e matur çdo hap, duke e ndalë vështrimin e fiksuar pamjen e kanionit në tërë madhështinë e tij ku frika herë bashkohej me bukurinë e herë ndahej për të udhëtuar në një unazë pambarim.
Në vitin 1988 kam fiksuar disa fotografi mbi Setë, mbi burimet e Sopanikës, të rralla në natyrën e Dibrës. Asokohe ishte llogaritur që pa prishur bukurinë e rrjedhës të merrej “një brazhdë ujë” e nëpërmjet një stacioni pompimi, pasi të ngjitej në lartësitë e fshatit Kodër-Leshe të kalonte Drinin për tu dhënë ujë të pastër të pijshëm fshatrave që nga Fusha e Çidhnës deri në Brezhdan e Ushtelencë. U salduan, u lyen me zift dhe u futën në thellësi të tokës tubacionet. Kam fiksuar në celuloid saldimet parafundore në lagjen Sopote-Ashike të Brezhdanit…
Nuk e di se çfarë u bë me tubat. Nuk kam dëgjuar e lexuar për këtë ujësjellës që do t’ia ndryshonte jetën dibranit të Topalltisë përveçse një “përurimi punimesh” natën pa hënë në Kastriot, në maj të vitit 1996…
Në rrugë satelitore, në mjetet e komunikimit të gjerë më vjen një lajm, më vjen një skicë, më vjen një kob fjalësh…
Flitet për një hidrocentral…
Jo për Skavicën. Për të heshtet si para një furtune…
Flitet për një hidrocentral mbi Setë…
“Ky hidrocentral do të përbehet nga tre vepra marrje anësore. Skema e shfrytëzimit të këtij hidrocentrali është tepër karakteristike dhe interesante sepse ka në përbërje një mori veprash për vet faktin e shfrytëzimit hidroenergjetik. Të tre veprat e marrjes të cilat do të ndërtohen rreth kuotës 489 m (e para në shtratin e përroit të Satës dhe dy të tjerat në dy degët në krahun e djathtë të rrjedhës së saj), tre dekantuese, tre basene presioni, nga të cilët dalin tre tubacione me presion me të cilët para hyrjes në tunel bashkohen në një të vetëm. Gjithashtu mbas bashkimit të tubit në një të vetëm me D=200 mm, tubi hyn në tunel rreth 800 m, dhe disa metra më andej hyn prapë në një tunel 140 m ku tubi i presionit do jetë futur në tunel dhe mbas daljes së tij shkon direkt në godine që do të ndërtohet në afërsi të derdhjes së përroit në lumin Drin rreth kuotës 385 m.
Nuk mund të heshtja. Shënova…
Ky është shkatërrimi total i bukurisë së bukurive dibrane, masivit të Setës. Gjithë këto tuba, gjithë këto tunele, gjithë këto vepra marrje do ta shkatërrojnë tërësisht Setën. Në librin tim PO DIBRËS! JO SKAVICËS! kam shënuar se Seta mund e duhet të mbajë vetëm një hidrocentral me një digë mbi hidrocentralin ekzistues, digë e cila do të krijojë një liqen të bukur mes dy maleve të Gjalicave që formojnë një “tunel natyror”. Nëpër liqenin e krijuar mund të vendosen gondola që mes mrekullisë historike dhe heroizmit të pashembullt të dibranëve për hapjen e kanalit të Setës do të mahnitnin turistët të cilët më pas, me një teleferik nga burimi i Setës në Gurë Lurë do të ngjiteshin tek Liqeni i Luleve…
Setës nuk duhet ti shpërbëhet bukuria natyrore. Çdo gjë atje duhet të ndërtohet në interes të turizmit malor në kompleksin natyror Çidhën, Pllajë, Gurë Lurë, Liqenet e Lurës, Fushën e Pelave… për të vazhduar më tej në Vanas, Varosh… Zall Gjoçaj…Kurbnesh…

Haki Përnezha, një studiues i pasionuar i historisë dhe i vlerave të Çidhnës shkruante me ironi..
…Ju lumëshin duart zotërinj të HEC-Seta 4. Populli i kësaj ane me zemër ju përgëzon pasi juve nuk ju ka zënë gjumi i natës derisa shtitë në dorë këtë burim ujor i cili është pjesë e jetës, e gjakut dhe e historisë shekullore të të parëve tanë deri në ditët e sotme. Lavdi Zotit erdhët ju, që na e qani hallin dhe na sillni gjithë ato te mira sa ne nuk dimë si t’ju falënderojmë për këtë nder që na bëni duke e shkatërruar përfundimisht ekosistemin e kësaj perle natyrore siç është Kanioni i Setës…
Një mik që aktualisht po ndërton një HEC të tillë si ky i juaji por në një vend tjetër te Dibrës me tha: “TANI AS FËMIJËT E MI, AS FËMIJËT E FËMIJVE TË MI, NUK DO TË KENË NEVOJË TË PUNOJNË…”

Seta, ashtu si edhe degët e tjera të Drinit të Zi që nga Zalli i Okshtunit e deri Mallë të Lurës në derdhjet e tyre në Drinin e Zi i kanë marrë njerëz morali i të cilëve është “As fëmijët e mi, as fëmijët e fëmijëve të mi, nuk do të kenë nevojë të punojnë…”
Nuk e di në se në këtë valle hedh këmbët deputeti i Dibrës, djali i Çidhnës ministër i ekonomisë Shkëlqim Cani…
Nuk e di, ashtu si nuk e di në se do të fillojë hapja e tunelit për të parë dritë Rruga e Arbërit, ashtu si nuk e di se çfarë përgjigje kanë marrë kinezët për kërkesën e tyre për të ndërtuar hidrocentralin e Skavicës, dënimin me mbytje të luginës më të madhe dhe më pjellore të Drinit të Zi…
Nuk e di edhe në se çidhnakët me “pushkë ngrehur” e “ballë djersitur” në histori do të ngrihen në këmbë…

Abdurahim Ashiku, gazetar

Athinë, 25 shtator 2015

Filed Under: ESSE Tagged With: Abdurrahim Ashiku, HISTORIE DHE TRIMËRIE, monument, SETA

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT