-Para 21 viteve në 1995-tën, dy vizita në Uashington, takime me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Uoren Kristofer, të Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, duke nisur në qershor…/
-Rugova për hapjen e Zyrës Amerikane në Prishtinë: Ky është një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet e shkëlqyeshme midis SHBA dhe Kosovës, dhe tregon kujdesin e vazhdueshëm amerikan për gjendjen në Kosovë dhe çështjen e Kosovës/
“Kosova e pavarur, shtet i njohur, i integruar në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që është një vend që i pari është interesuar për ne dhe na ka ndihmuar, dhe që na ndihmon vazhdimisht”, theksonte Presidenti historik Rugova në intervistat që kam zhvilluar nëpër vite, duke folur për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe çështjes shqiptare/
Gazeta DIELLI, nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 26 Qershor 2016/ Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në qershorin e para 21 viteve ka zhvilluar takime të rëndësishme në Uashington, ndërsa një vit më pas po në qershor, bashkë me familjen, ka marrë pjesë në hapjen solemne të Zyrës Amerikane në Prishtinë, të parës nga gjithë bota, në një ditë historike.
“Kosova e pavarur, shtet i njohur, i integruar në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që është një vend që i pari është interesuar për ne dhe na ka ndihmuar, dhe që na ndihmon vazhdimisht”, theksonte Presidenti historik Rugova në intervistat që kam zhvilluar nëpër vite, duke folur për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe çështjes shqiptare.
Në publikimin e Qendrës për Informim të Kosovës “Ibrahim Rugova: Jeta dhe veprimtaria letrare e politike”, shkruan se në vitin 1995, më 22 qershor, Presidenti Rugova takohet në Uashington me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Uoren Kristofer. Kristofer thotë se SHBA-të e njohin problemin e Kosovës dhe e siguron Presidentin Rugova se SHBA-të nuk do të qëndrojnë anash në rast të konfliktit në Kosovë. Ai thekson se pa zgjidhjen e pranueshme të çështjes së Kosovës nuk do të ketë heqje definitive të sanksioneve ndaj Serbisë dhe Malit të Zi.
Po ashtu, Presidenti Rugova takohet me liderin e shumicës në Senatin Amerikan, Robert Dol. Senatori Robert Dol tha se çështja e Kosovës është preokupim i vazhdueshëm i Senatit Amerikan dhe se SHBA-të përkrahin të drejtat legjitime të popullit shqiptar të Kosovës.
Po në vitin 1995, në 8 dhjetor Presidenti i Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova takohet në Uashington me Sekretarin Amerikan të Shtetit Uoren Kristofer, takim ky i dyti brenda gjashtë muajve. Rugova shfaq shpresën se SHBA-të, pas suksesit diplomatik në Bosnjë, do të angazhohen për zgjidhjen e çështjes së Kosovës që është çështje kyçe në Ballkan. Uoren Kristofer thekson se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në pozicionin e njohur të artikuluar nga ish-Presidenti Bush dhe të ritheksuar nga administrata e Klintonit se nuk do të lejohet konflikti në Kosovë.
Në vitin 1996, më 12 janar Dr. Ibrahim Rugova përshëndet paralajmërimin e Ndihmës-Sekretarit të Shtetit të SHBA, Riçard Hollbruk, për hapjen e një Zyre Amerikane në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë. “Ky është një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet e shkëlqyeshme midis SHBA dhe Kosovës, dhe tregon kujdesin e vazhdueshëm amerikan për gjendjen në Kosovë dhe çështjen e Kosovës”, thekson Rugova dhe shfaq shpresën se edhe vende të tjera, nga Evropa, do të hapin zyra të tilla në Kosovë.
SHBA-të janë vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Kosovë. Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë në 6 qershor 1996, u bë nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum.
Fillimisht, Zyrtari i USIA-as (Agjencia Informative Amerikane), Majkëll Mekllellën (Michael McClellan) në 22 maj 1996 ka mbërritur në Prishtinë për të udhëhequr punët në hapjen e Zyrës së këtij shërbimi.
Hapja e përfaqësisë amerikane në kryeqytetin e Kosovës ishte festë për kosovarët dhe u përjetua si një moment shumë i rëndësishëm dhe historik për të ardhmen, raportoja para 20 viteve.
Ndërsa, në mëngjesin e pas mbrëmjes historike të 24 marsit 1999 të ndërhyrjes shpëtimtare së NATO-s për Kosovën e popullin e saj, kam raportuar edhe se, forcat serbe gjatë natës kishin bërë sulme dhe vrasje të tjera në familjet dhe vendbanimet shqiptare, kishin djegur edhe selitë e institucioneve të rëndësishme kosovare e ndërkombëtare, përfshirë zyrat që ndodheshin në një shtëpizë shkrimtarësh që ishte bërë seli e Presidencës dhe e institucioneve tjera të Republikës së Kosovës, atëherë të panjohur ndërkombëtarisht dhe Zyrën e SHBA-ve në Prishtinë.
Pas përfundimit të luftës, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë (USOP) rifilloi të punojë në shtator të vitit 1999.
USOP përfaqësonte Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar të SHBA-së (USAID), Departamentin për Drejtësi dhe Departamentin për Mbrojtje.
Më pak se dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë, Zyra e SHBA-së në Prishtinë u bë Ambasadë në 8 prill 2008, ndërsa, po atë vit historik, në 18 korrik, Tina Kaidanow është betuar si Ambasadore e parë Amerikane për Republikën e Kosovës.
Zyra e SHBA-ve në Prishtinë u bë Ambasadë në një ceremoni ku kanë marrë pjesë udhëheqësit më të lartë të Kosovës. “Si rezultat i statusit të ri të Kosovës si vend i pavarur, i njohur nga shumë prej kombeve më të fuqishme dhe më të përparuara të botës, na është dhënë leja nga Kongresi i SHBA-ve për t’u hapur formalisht si ambasadë e Shteteve të Bash kuara”, ka thënë Kaidanow në ceremoninë solemne.
Ajo ka shtuar se, “derisa Zyra e SHBA-ve në Prishtinë ka funksionuar për shumë vite me të gjitha përgjegjësitë dhe detyrat e një misioni të zellshëm diplomatik, emërimi si ambasadë pasqyron një fazë të re në zhvillimin tonë dhe nënvizon përkushtimin tonë të thellë dhe të qëndrueshëm për të punuar për përparimin e Kosovës dhe popullit të saj”.
Diplomatja e SHBA-ve në Prishtinë, Kaidanow, siguroi për vazhdimin dhe intensifikimin e përpjekjeve në vitet në vijmim dhe se asistenca amerikane Kosovës do të ketë për qëllim sigurimin e një të ardhme më të ndritur për të gjithë.
“Ju sjell urimet nga niveli më i lartë i Qeverisë së SHBA-ve për këtë rast shpresdhënës, përfshirë nga Sekretarja e Shtetit Rice, e cila dërgoi përshëndetjet e saj personale”, tha më tej Kaidanow.
“Është kanqësi dhe nder të jemi këtu në Kosovë në një kohë aq të rëndësishme, dhe i shprehim mirënjohjen tonë të posaçme popullit të Kosovës, i cili na ka ofruar besimin dhe bashkëpunimin e vet gjatë gjithë këtyre viteve”, ka theksuar e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë.
Duke e marrë fjalën në ceremoni atëherë Presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu tha se “Kosova ka tashmë një histori të marrëdhënieve speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që janë farkuar nëpër kohë të stuhishme të ekzistencës sonë”.
Më tej presidenti Sejdiu përkujtoi:
“Po mbushen 12 vjet që kur kemi përfaqësim diplomatik të SHBA-ve në Kosovë. Hapja e Zyrës Amerikane më 6 qershor 1996, që u bë nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit John Kornblum, ka shënuar vendosjen e pranisë amerikane në Kosovë në rrethana të veçanta.
Ky shënonte moment të rëndësishëm të marrëdhënieve të shkëlqyeshme në mes të Kosovës dhe SHBA-ve, do të thoshte më 1996 Presidenti Ibrahim Rugova, i cili me të drejtë e quante këtë lidhje ‘miqësi të përhershme’ në mes të dy vendeve tona”.
Më tej Sejdiu tha se Presidenti amerikan George W. Bush, në letrën e tij të njohjes së pavarësisë së Kosovës, që ia kishte dërguar atij të nesërmen e shpalljes, përkujtonte “lidhjet e thella dhe të sinqerta të miqësisë që bashkojnë njerëzit tanë”.
“Kjo miqësi, theksonte Presidenti Bush, ‘e farkuar gjatë orëve më të errëta të tragjedisë së Kosovës, është bërë edhe më e fortë në nëntë vitet që kur ka mbaruar lufta në Kosovë’”, tha Sejdiu.
“Sot, me hapjen e Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë, po kurorëzohet njëra pjesë e punës për vendosjen e marrëdhënive të plota diplomatike në mes të Kosovës dhe SHBA-ve. Kjo do të përmbyllet me hapjen e Ambasadës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, përfundoi Sejdiu, President në atë kohë.
“Dita e sotme është e veçantë për ne, sepse miku ynë më i madh, SHBA-të po avancojnë statusin e prezencës së tyre në shtetin tonë të ri”, ka thënë në ceremoni atëherë Kryeministri Hashim Thaçi, Presidenti i tashëm i Kosovës.
Ai vlerësoi se “duke e avancuar statusin e zyrës së deritanishme në Ambasadë të plotëfuqishme, dëshmohet së SHBA-të kanë besim në Kosovë”.
“Prandaj, unë si Kryeministër dhe i tërë populli i Kosovës jemi të nderuar dhe jemi mirënjohës për këtë gjë. Si përfaqësues i popullit tim, me lejoni që të them se edhe ne kemi besim të madh në Shtetet e Bashkuara. Ne gjithmonë e kemi çmuar dhe do ta çmojmë miqësinë dhe marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Thaçi.
“Besimi në liri, barazi, dhe drejtësi janë vlerat sublime, të cilat e bëjnë kombin amerikan të jetë madhështor sot. Prandaj, ne me vendosmëri shikojmë drejt Shteteve të Bashkuara dhe do të vazhdojmë t’i mbështesim dhe kultivojmë këto vlera të përbashkëta”, nënvizoi kryeministri në atë kohë.
“Ndërkohë, që Kosova do të vazhdojë udhëtimin e saj në mesin e vendeve të lira dhe demokratike të botës, ne përgjithmonë do të ruajmë në zemrën tonë respektin e veçantë për popullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët janë të përfaqësuar nga kjo Ambasadë këtu”, përfundoi Thaçi duke uruar “në këtë rast madhështor”.
Në 1 korrik 2009 Prishtina ndau 5 hektarë truall për ndërtimin e objektit të ri të ambasadës së SHBA-ve në Kosovë.
Atëherë kryetari i komunës së Prishtinës Isa Mustafa (tash kryeministër) dhe ambasadorja amerikanë në Kosovë Tina Kajdanoë, nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit për dhënien e truallit në shfrytëzim Ambasadës Amerikane, në lagjen Arbëria të kryeqytetit.
Memorandumi është edhe një shembull i forcimit të lidhjeve ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës, u theksua në ceremoni.
Në 5 maj 2015, në Prishtinë u zhvillua ceremonia e përurimit të fillimit të ndërtimit të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ishin të pranishëm përfaqësuesit e institucioneve më të larta kosovare, si dhe të ambasadave në Kosovë.
“Ky moment shënon fillimin e ndërtimit të shtëpisë tuaj të përhershme në Kosovë, në shtetin tonë të ri qytetarët e të cilit u janë përjetësisht falënderues dhe mirënjohës për rolin e guximshëm dhe historik që keni në bërjen e Kosovës shtet”, theksonte atëherë Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, në fjalën e rastit, duke iu drejtuar, Ambasadores së SHBA-ve, Tracey Ann Jacobson, e cila përfundonte misionin në Prishtinë.
Ambasada Amerikane në Prishtinë në 30 mars njoftonte se, Presidenti Obama ka nominuar Greg Delawie-n që të shërbejë si Ambasadori i ardhshëm i SHBA-ve në Kosovë.
Ambasadori i ri amerikan në Kosovë me “mirëmengjes” niste prezantimin e tij përmes videos duke paralajmëruar ardhjen në Prishtinë. “Unë jam Greg Delawie dhe është nder për mua të shërbej si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës. Pres ta vazhdoj miqësinë e gjatë mes shteteve tona. Zyrën tonë informative në Kosovë e kemi hapur në vitin 1996. Tani pothuaj 20 vjet më vonë, objekti i ambasadës sonë të re në Prishtinë është në ndërim e sipër”, shprehej ambasadori duke shtuar se shërbimi publik është i rëndësishëm për familjen e tij.
“Gjithmonë kam besuar në vlerën e marrëdhënieve mes popujve, jo vetëm mes qeverive. Vazhdimi dhe ndërtimi i lidhjeve të tilla me Kosovën, demokracinë më të re të Evropës, do të jetë njëri prej prioriteteve të mia kryesore”, theksonte ambasadori amerikan.
Njoftimi dërguar nga ambasada e SHBA në Prishtinë theksonte se, Greg Delawie ndjehet i nderuar që do të shërbejë si ambasador i ardhshëm amerikan në Kosovë.
Në 21 gusht 2015, Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, dorëzoi letrat kredenciale në pritjen me ceremoni solemne shtetërore te atëherë Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, bashkë me të cilën edhe shëtitën më këmbë shesheve të Prishtinës.
Pavarësinë e Kosovës të shpallur në 17 Shkurtin historik 2008 Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë njohur që në ditën e parë pas shpalljes.
—–
Në foto: Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë (Nga albumi i Ilaz Bylykbashit)