-NË KOSOVË RRUGA FERIZAJ-GJILAN EMËRTOHET BEAU BIDEN/
*Kryeministri Mustafa: Tek SHBA-të, Kosova sheh aleatin e saj të përhershëm/
-Nënpresidenti i SHBA, Joe Biden në vizitë Kosovës: Kosova do të ketë gjithmonë përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rrugën drejt suksesit/
-Joe Biden, tash e dy dekada ka mbështetur luftën për lirinë, pavarësinë dhe integrimin e Kosovës në NATO e BE\
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI /më vonë raporti i plotë/
PRISHTINË, 17 Gusht 2016/ Nënpresidenti i SHBA, Joe Biden, mbërrti mbrëmë për vizitë në Kosovë, i pritur në Aeroportin e Prishtinës me ceremoni shtetërore, me nderimet më të larta e mirënjohjen e gjithëmonëshme.
Presidenti i Republikës Hashim Thaçi ka pritur në Aeroport nënpresidentin Joe Biden dhe familjen e tij, siç është shprehur, për t’iu uruar përzemërsisht mirëseardhjen miqve të përjetshëm të Kosovës.“Partneriteti strategjik me SHBA-të na ka mundësuar të bëhemi shtet dhe gjithnjë e më shumë po na bën një shoqëri demokratike me mundësi të barabarta për të gjithë”, është shprehur presidenti i Kosovës.
“Joe Biden, tash e dy dekada ka mbështetur luftën për lirinë, pavarësinë dhe integrimin e Kosovës në NATO e BE”, ka theksuar Thaçi duke shprehur falënderim.Në Prishtinë, sot, nënpresidenti amerikan Biden zhvilloi takime dypalëshe me presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin Isa Mustafa.
“Kosova do të ketë gjithmonë përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rrugën drejt suksesit”, deklaroi në konferencë për shtyp pas takimeve nënpresidenti amerikan Joe Biden.
“Kosova ka shënuar progres dhe ka marrë njohje më të mëdha globale. Jeni në një pozitë ku bota po ju njeh po ashtu jeni duke bërë përpara nën emrin tuaj dhe duke garuar me flamurin tuaj”, tha nënpresidenti amerikan në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin kosovar Thaçi.
“SHBA do të qëndrojë përkrah Kosovës sepse ne besojme tek ajo. SHBA ka dhënë 2 miliardë dollarë ndihma dhe do vazhdojmë të ndihmojmë më tej Kosovën”, theksoi, mes tjerash, në“Pata nderin e veçantë të pres sot Zëvendës Presidentin Amerikan, mikun e madh të Republikës së Kosovës, Joe Biden. Pasi i urova Zëvendës Presidentit Biden mirëseardhje në Kuvendin e Kosovës, zhvilluam një takim shumë të frytshëm bilateral.
Jam thellësisht i bindur se kjo vizitë do të ketë ndikim pozitiv në fuqizimin e mëtejshëm të miqësisë dhe të partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së. Zoti i bekoftë Kosovën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës!”, u shpreh kryeministri Mustafa.
Kryeparlamentari kosovar Kadri Veseli ka shkruar në ‘facebook”: “I urova mirëseardhje në Kuvendin e Republikës së Kosovës, mikut tonë të çmuar, zëvendëspresidentit të SHBA-së, Joe Biden dhe Familjes së tij. Shtetet e Bashkuara janë sinonim i lirisë dhe pavarësisë tonë. Përgjithmonë.”
Gjithashtu, nën patronatin e qeverisë së Kosovës, nënpresidenti Joe Biden dhe Dr. Jill Biden do të shkojnë për vizitë afër kampit Bondsteel për të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të emërimit të rrugës kushtuar djalit të tyre të ndjerë, Joseph R. “Beau” Biden, III, bën të ditur Ambasada e SHBA në Kosovë.
Ndërkohë, bashkëshortja e nënpresidentit amerikan Biden, Jill Biden do të shkojë në manastrin e Graçanicës, ku do të takohet me peshkopin Teodosije, si dhe do të vizitojë ambientet e manastirit.
Në prag të vizitës, Ambasada amerikane në Prishtinë ka deklaruar për shtypin kosovar se “nënpresidenti vjen në Kosovë për të dëshmuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zhvillimet demokratike në Kosovë, si dhe për të përforcuar marrëdhëniet e fuqishme midis dy vendeve tona”.
Kjo është vizita e dytë e nënpresidentit të SHBA, Joe Biden, në Kosovë, pas të parës në 21 maj 2009, pak më shumë se një vit pas shpalljes së pavarësisë, kur është dekoruar me Medaljen e Artë të Lirisë, e cila u jepet personaliteteve të njohura të botës për meritat e tyre për mbrojtjen e lirisë së Kosovës dhe për ndërtimin e vendit të lirë të Kosovës, si dhe për integrimin e tij në bashkësinë e kombeve të lira të botës.
Pavarësinë e Kosovës, të shpallur në 17 shkurtin historik 2008, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë njohur që në ditën e parë pas shpalljes.
Që prej 20 vitesh, SHBA-të janë vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Prishtinë. Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë, para 20 viteve, në 6 qershor 1996, që u bë nga nënsekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, shënoi vendosjen e pranisë amerikane në Kosovë në rrethana të veçanta.
Në pritjen në Aeroport të nënpresidentit amerikan Biden ishte edhe Majlinda Kelmendi, fituse e medaljës së artë në xhudo në “Rio 2016”, të parës medale olimpike të Kosovës shtet. Trajneri i xhudistes, Driton Kuka ka thënë se nënpresidenti amerikan Joe Biden ia dhuroi Stemën Shtetërore të SHBA-ve kampiones olimpike Kelmendi, e përgëzoi dhe nipave të tij ua prezantoi si heroinë të Kosovës.
“Joe Biden Nënkryetar Amerikan jep dekoratë Stemën Shtetërore për Majlindën gjatë zbritjes në Aeroport. Përgëzoi Kampionen tonë dhe ja prezentoj Majlinden nipave të tij si Heroina e Vendit tonë”, është shprehur Kuka.
NË KOSOVË RRUGA FERIZAJ-GJILAN EMËRTOHET BEAU BIDEN
Në Kosovë, emrin e Beau Biden, djalit të ndjerë të nënpresidentit amerikan Joe Biden e mori sot rruga 35 kilometërshe që lidh dy qytete, Ferizajn e Gjilanin.“Ky është një moment i ëmbël, por edhe i hidhur, pasi po këtu në këtë vend isha me Beau para disa viteve”, tha nënpresidenti amerikan dhe shprehu falënderimet e tij dhe gjithë familjes Biden, në fjalën e mbajtur në ceremoni, ku morën pjesë edhe krerët e shtetit të Kosovës dhe drejtuesit e komunave.
Beau Biden ka ndërruar jetë me 6 janar të vitit 2015. Beau Biden, ka punuar në Kosovë në vitin 1998-99 pas luftës, duke ndihmuar në trajnimin e prokurorëve dhe gjykatësve vendas për organizatën për siguri dhe bashkëpunim në Evropë (OSCE).
Beau Biden ishte edhe Prokuror i Përgjithshëm në Delaware ndërsa për një kohë kishte shërbyer edhe me Forcat Amerikane në Irak.
PËRFUNDON VIZITA E BIDEN, POLICIA E KOSOVËS: ASNJË INCIDENT
Gjatë realizimit të vizitës së Zëvendës Presidentit Amerikan Joe BIden në Kosovë, në 16 e 17 gusht 2016, Policia e Kosovës ka qenë e angazhuar sipas planifikimeve operacionale të parapara për garantimin e rendit dhe sigurisë së përgjithshme, e në veçanti ka qenë e përkushtuar në ndermarrjen e masave shtesë për siguri që parashihen per porsonalitete të larta.
“Vizita e Zëvendës Presidentit Amerikan z. Biden, në Republikën e Kosovës, ka perfunduar sipas planifikimeve të parapara, nuk është raportuar asnjë incident”, deklaroi pak më parë Policia kosovare.
Policia e Kosovës falenderon të gjithë akterët e përfshirë, e në veçanti qytetarët e vendit për maturinë e treguar dhe mirkuptimin gjatë nderprerjeve të përkohshme të qarkullimit nëpër disa rrugë gjatë realizimit të vizitës dhe njofton se të gjitha rrugët tani janë të lira për qarkullim.
Fjalimi i presidentit Thaçi në ceremoninë e përurimit të rrugës “Beau Biden”/
17 gusht 2016/
I nderuari zëvendëspresident Biden,
E nderuara Dr. Biden,
E nderuara familje Biden,
I nderuari Kryeministër,
I nderuari ambasador Delawie
Të nderuar mysafirë të ceremonisë,
Jemi sot në këtë vend për një arsye shumë të veçantë.Jemi këtu të kujtojmë Beau Biden, por, nëpërmjet këtij kujtimi, të reflektojmë pak edhe për rrugën e përbashkët që kemi ne – Republika e Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në këtë botë plot sfida. Beau Biden i ndjerë, për ata që nuk e dinë, përveç se ishte i biri i zëvendëspresidentit Biden, ishte edhe një nga amerikanët që kanë shërbyer me zell dhe me dashuri në Kosovën e pasluftës.Si një jurist i ri dhe entuziast, ai ka ndihmuar që të ngritën kapacitetet e para të sundimit të ligjit.Ai ka ndihmuar prokurorët dhe gjykatësit vendorë të fitojnë përvojën e duhur të drejtësisë, ashtu që Kosova të mos jetë vetëm një shoqëri e lirë, por edhe një vend me të drejta të barabarta.
Ju ftoj të mendojmë pak për këtë koncept të të qenit të barabartë.Zëvendëspresidenti Biden shquhet në SHBA dhe në mbarë botën si një luftëtar për të drejta të barabarta në mes njerëzve. Si i pasuri, ashtu dhe i varfëri, si pjesëtari i shumicës etnike, ashtu edhe ai i pakicës kanë lindur mbi këtë tokë e nën këtë diell, me të drejtën e pamohueshme të lirisë dhe të barazisë.Para 20 vitesh jemi strehuar nëpër male, kur s’ka pasur as autostrada e as rrugë të reja, duke luftuar për lirinë tonë.Kemi luftuar që çdo njeri të jetë i lirë në Kosovën tonë të përvuajtur.
Kemi pasur një fat të paparë.Intervenimi humanitar i SHBA-së dhe aleatëve të tjerë na ka shpëtuar.Partneriteti ynë strategjik tash e një çerekshekulli na ka bërë shtet, na ka bërë një demokraci dhe na ka sjellë në prag të integrimeve euroatlantike.Në majën e majës së këtij udhëtimi të gjatë, por të rëndësishëm historik midis dy shteteve dhe dy kombeve ka qenë zëvendëspresidenti Biden, fillimisht si senator, pastaj si numri dy i shtetit amerikan, por edhe si baba krenar i Beau Biden.Beau, i cili erdhi këtu, na dha kohë të çmuar të jetës së tij të shkurtër dhe mbetet deri në përjetësi simbol i vlerave tona të përbashkëta.
E nderuara familje Biden,
Më lejoni të ju them edhe ca fjalë në fund:Beau, disa vite para vdekjes së tij të hershme, ka thënë se “nuk është gjithmonë mirë të përqendrohemi te caku, pa i shikuar mjetet me të cilat arrijmë në cak”.Nganjëherë duhet të ngrihemi mbi emocione të çastit dhe mbi zhurmën e lajmeve ditore.Duhet të shikojmë më tutje.Mu si kjo rrugë ku jemi sot, që është pjesë e një lidhjeje të re të Kosovës me botën, ashtu edhe ne duhet të jemi pjesë e solucioneve rajonale dhe botërore.Ne, tani, si Kosovë duhet të ofrojmë zgjidhje.Duhet t’u ofrojmë miqësi fqinjëve dhe duhet t’i mbyllim kapitujt e së kaluarës.Nëse ia zgjasim dorën edhe një prindi kosovar serb që ende kërkon fëmijën e zhdukur, nuk na bën kjo të dobët, por shumë më të mëdhenj.Nëse përkrahim të drejtat e barabarta të dashurisë për komunitetin LGBT, nuk na bën kjo më pak të moralshëm, por me fuqi superiore morale.
Nëse kërkojmë të drejtat e një nëne apo motre të goditur nga dhuna familjare, kjo na bën më të fuqishëm.Nëse ngulmojmë në dinjitetin e veteranit të luftës dhe fëmijëve të veteranëve, kjo na bën më krenarë.
Po ashtu, nëse me Malin e Zi forcojmë partneritet strategjik pa asnjë dilemë për kufirin në mes nesh, nuk na bën kjo humbës historik, por na bën fitues të përbashkët të një ardhmërie të sigurt në NATO.Nëse plotësisht normalizojmë marrëdhëniet me Serbinë, ne i japim kuptim paqes – pajtimit në mes popujve dhe vendeve tona.
Të gjithë do të jemi fitues.
Zëvendëspresident Biden dhe Dr. Jill Biden,
Ju siguroj këtu, në këtë vend, nën emrin e djalit të juaj të ndjerë Beau Biden, se Kosova është një rrëfim suksesi, është një storie fenomenale e mrekullisë së SHBA-së.Por, mbi të gjitha, ju informoj se në këtë vend, falë punës tuaj, familjes suaj dhe të ndjerit Beau, jemi duke ndërtuar një vend të barabartë për të gjithë.Jam i sigurt se bashkërisht do t’ia dalim.
Ju faleminderit!
***
Kryeministri Mustafa: Tek SHBA-të, Kosova sheh aleatin e saj të përhershëm
Prishtinë, 17 gusht 2016-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në ceremoninë e emërtimit të rrugës Ferizaj-Gjilan me emrin Joseph R. “Beau” Biden, III, djalit të Zëvendës Presidentit të SHBA-ve, Joe Biden.Ceremonia që u organizua në Sojevë të Ferizajt, në afërsi të kampit Bondsteel, u mbajt pas takimeve që Zëvendës Presidentit Biden zhvilloi në orët e mëngjesit me Kryeministrin Isa Mustafa dhe Presidentin Hashim Thaçi.
Kryeministri Mustafa, para të pranishmëve të shumtë ku ishin edhe familja e Zëvendës Presidentit Joe Biden, dhe shumë personalitete vendore e ndërkombëtare, shprehu bindjen se emërtimi i kësaj rruge me emrin e Beau Biden, do ta forcojë edhe më shumë lidhjen ndërmjet popullit të Kosovës dhe të SHBA-ve.
Duke vlerësuar lartë kontributin e Beau Biden dhënë pas luftës në vënien e themeleve të sistemit juridik në Kosovë, Kryeministri Mustafa, tha se ai meriton të jetë engjëlli mbrojtës i kosovarëve për shkak të historisë së jetës së tij.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partneri kryesor strategjik i Kosovës. Prandaj, edhe pagëzimin e kësaj rruge me emrin Beau Biden, ju lutemi ta shihni si një përpjekje të kosovarëve për të respektuar angazhimin e qindra, mijëra e miliona amerikanëve për çlirimin e Kosovës dhe për shtetndërtimin e saj. Partneriteti mes dy vendeve tona është natyral. Ne ndajmë vlera të përbashkëta. Prandaj, tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kosova sheh aleatin e vet të përhershëm, të cilin, Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, e ka emërtuar mrekullisht si Miqësi të përhershme të dy vendeve që kanë të vendosura lidhje speciale”, tha kryeministri Mustafa.
***
Fjala e plotë e kryeministrit Mustafa në ceremoni.
I nderuari Zëvendës president i SHBA-ve, Joe Biden
E nderuara doktor Jill Biden
Shumë e respektuara Familje Biden,
I nderuari President i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi
Të dashur kryetarë të Gjilanit dhe Ferizajt, z. Lutfi Haziri dhe Muharrem Svarqa
Të nderuar të pranishëm,
Jam i nderuar që Ju drejtohem nga kjo pjesë e rrugës Beau Biden, e cila lidhë dy qytete të mëdha të Kosovës, Ferizajn dhe Gjilanin.Kjo rrugë, jam i bindur se do ta forcojë edhe lidhjet mes dy popujve dhe shteteve tona.Beau Juaj i dashur, në këtë mënyrë bëhet i Kosovës, ku ai shërbeu me fisnikëri për të vënë themelet e një shteti të së drejtës. Kjo rrugë përshkon Bondstill-in, ku kosovarët shohin garantin e mbrojtjes dhe të sigurisë së tyre dhe të rajonit të Ballkanit.Beau Biden e meritoi të jetë Engjëlli Mbrojtës i kosovarëve.Për shkak të historisë dhe jetës së tij.Për shkak të gatishmërisë së tij për t’ia krijuar sistemin e drejtësisë një populli të sunduar padrejtësisht për shekuj të tërë.Për shkak se karakteri i tij luftarak për jetën është simbiozë e përpjekjes për mbijetesë të kosovarëve.Për shkak se emri i tij Beau dhe mbiemri i tij, Biden, mishërojnë kuptimin e mikut të çdo kosovari. Doktor Biden, Faleminderit që keni nderuar popullin tim me ardhjen tuaj në Kosovë.Ju jeni një shembull i shkëlqyer i ruajtjes së vlerave të familjes.Populli im ka mbijetuar duke kultivuar këtë vlerë të shenjtë.Miku im, Joe, më lejoni t’ju drejtohem në emër dhe më fal nëse trazoj ndjenjat tuaja.Beau nuk mund të ishte ndryshe. Veçse një djalë i denjë i familjes së mrekullueshme Biden.Populli i Kosovës dhe unë, admirojmë forcën dhe karakterin tuaj për t’u ngritur mbi dhimbjen.Për të shikuar përtej saj, tek e ardhmja, për pasardhësit e Beau-t, Natali e Hunter. Për të ardhmen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të globit tonë.
I nderuar zëvendëspresident i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zotëri Joe Biden.
Siç biseduam edhe në Prishtinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partneri kryesor strategjik i Kosovës.Prandaj, edhe pagëzimin e kësaj rruge me emrin Beau Biden, ju lutemi ta shihni si një përpjekje të kosovarëve për të respektuar angazhimin e qindra, mijëra e miliona amerikanëve për çlirimin e Kosovës dhe për shtetndërtimin e saj.Partneriteti mes dy vendeve tona është natyral. Ne ndajmë vlera të përbashkëta. Prandaj, tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kosova sheh aleatin e vet të përhershëm, të cilin, Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, e ka emërtuar mrekullisht si Miqësi të përhershme të dy vendeve që kanë të vendosura lidhje speciale.
I nderuar zëvendëspresident Biden,
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shpëtuar Kosovën.
Kanë mbështetur e po mbështesin rindërtimin dhe shtetndërtimin e saj.
Ne e ndjejmë se falënderimi ynë më i mirë për tërë këtë investim tuajin është ta bëjmë Kosovën një shtet të denjë për të qenë mik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ne kemi shumë punë për ta arritur këtë objektiv.
Kemi edhe shumë pengesa gjatë rrugës.
Por, populli i Kosovës do t’u del ballë shtigjeve të gjata.
Ai do t’i kapërcejë pengesat dhe do ta bëjë Kosovën një vend të denjë për të jetuar secili qytetar i saj, pavarësisht përkatësisë etnike dhe pavarësisht besimit.
Populli i Kosovës i beson përkushtimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ta mbështetur Kosovën.
Për zhvillimin e saj ekonomik.
Për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Për parandalimin e ekstremizmit dhe terrorizmit.
Për sundimin e rendit dhe të ligjit.
Për forcimin e demokracisë së saj.
Për të qenë faktor i stabilitetit rajonal.
Për të krijuar raporte të mira me fqinjët.
Për të forcuar subjektivitetin e saj shtetëror.
Për të qenë e barabartë në familjen euro-atlantike.
Për të qenë një rrëfim i plotë i suksesit, të cilit i gëzohen të gjithë miqtë e saj.
Siç iu gëzuan triumfit të Majlinda Kelmendit në Olimpiadë.
Për ta bërë Kosovën një shtet që sillet me përgjegjësi të plotë ndaj qytetarëve të saj dhe ndaj interesave të tyre.
Një shtet që është i gatshëm të marrë dhe t’i zbatojë obligimet ndërkombëtare.
Doktor Jill, i nderuar zëvendëspresident Joe,
Rruga, emërimin e të cilës po e promovojmë sot, jam i bindur se do ta kthejë shpesh vëmendjen e familjes tuaj kah Kosova.Sipas traditës tonë, shtëpia e kosovarit është shtëpi e mikut të tij.Ju tashmë jeni miqtë e Kosovës.
Nuk keni nevojë për ftesë që të vini në Kosovë.
Sepse ju tashmë vini në shtëpinë tuaj.
Zoti e bekoftë miqësinë tonë të përhershme
Zoti e bekoftë familjen Biden
Zoti e bekoftë popullin amerikan dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj.