KUVENDET NË VITET E PARA TË PUSHTETIT KOMUNIST NË QARKUN E KUKËSIT PËR PARALIZIMIN E MUHARREM BAJRAKTARIT (1945-1946)/
Nga Prof.Shefqet Hoxha/
Në arkivin e Kukësit, në fondin e Këshillit Nacionalçlirimtar të qarkut, ruhen dokumente për kuvendet e organizuara me nismën e pushtetarëve komunistë, në vitet 1945-1946, me qëllim që të kufizoheshin e të pajtoheshin gjaqet, si dhe të pengoheshin e të luftoheshin Muharrem Bajraktari e të arratisurit e shumtë politikë që qarkullonin nëpër malet dhe fshatrat e qarkut të Kukësit (Lumë, Has, Malësi e Gjakovës, Malzi). Këto kuvende ishin në vazhdën e traditës, e cila – siç dihet – qe shfrytëzuar për interesat e tyre edhe nga pushtuesit e huaj: turq, serbë, austro-hungarezë, italo-gjermanë.
Thirrja e traditës në ndihmë nga pushtetarët komunistë ishte rrjedhojë e paaftësisë së tyre për të stabilizuar vetëm me mjetet e forcës gjendjen tejet të rëndë që ekzistonte në malësitë e qarkut të Kukësit, në vitet 1945-1946. Në këto vite, pjesa më e madhe e popullsisë qe e armatosur dhe e pakënaqur me pushtetin e ri, sepse brigadat partizane e patën gjakosur krahinën e Lumës në vjeshtën e vitit 1944. Që nga ajo kohë, qarkullonin nëpër malet e Lumës e më gjerë shumë grupe të arratisurish politikë, më i rëndësishmi prej të cilëve qe ai i Muharrem Bajraktarit. Me që viset më të sigurta për të arratisurit e asaj kohe qenë malësitë e Tejdrines e të Kalisit, atje u organizuan dhe kuvendet kundër tyre. Kjo edhe për faktin se në bajrakët e Tejdrines e të Kalisit qenë ruajtur më mirë traditat kanunore, mbi bazën e të cilave organizoheshin kuvendet dhe besëlidhjet popullore.
Dokumentacioni arkivor na njeh me disa kuvende të organizuara në Suroj, Kalis, Kukës, Malësi e Gjakovës, Malzi.
I.
Më 14 mars 1945, u mblodh një kuvend në Suroj me pjesëmarrjen e 144 burrave, zot shtëpie, “me ba nji besëlidhje kundra t’arratisunve, në bazë të zakonit të vendit”. Kuvendi qe thirrë nga këshilli nacionalçlirimtar dhe ai i frontit i katundit. Në këtë kuvend u lidh besa me këto sharte:
1. Familjet e të arratisurve do të bëjnë be se nuk do të furnizojnë me bukë e sende të tjera njerëzit e tyre që ndodhen në mal; po kështu, ato edhe do të njoftojnë menjëherë autoritetet lokale dhe ushtarake, në qoftë se i diktojnë ku janë apo i shohin;
2. Çdo i Suroj as do të betohet se nuk do të ndihmojë me bukë e sende të tjera të arratisurit, të cilët, po të shihen, do të tregohen në organet e pushtetit vendor dhe ato ushtarake.
3. Në qoftë se dikush hetohet se i ka parë të arratisurit, ose u ka dhënë bukë dhe nuk ka treguar ku duhet, ky do të përzihej prej vendit 3 vjet, do t’i digjej e rrënohej shtëpia, do t’i priteshin pemët dhe do t’i konfiskohej pasuria; po ashtu, do të gjykohej para gjyqit të popullit;
4. Po qe se katundi dyshon se ndonjëri i ka parë të arratisurit dhe nuk ka lajmëruar ku duhet, ky do të detyrohet të lahet me be me 24 burra, simbas kanunit. Po qe se betarët nuk do ta lajnë, do të përzihej familjarisht prej katundi për 3 vjet, do t’i digjej e rrënohej shtëpia, do t’i priteshin pemët dhe do t’i konfiskohej pasuria në favor të shtetit, si dhe do të gjykohej nga gjyqi. Kjo besëlidhje do të kishte afat “deri sa të dezertuemit të kapen ose të dorëzohen”.*
Të gjithë të besëlidhurit, 144 burra, e gishtosën ose e nënshkruan vendimin e marrë bashkërisht.
2.
Më 17 prill 1945, edhe në Kalis u bë një besëlidhje e tillë, me pjesëmarrjen burrë për shtëpi. Tubimi u bë në Livadhin e Teqes, në vendin e kuvendeve tradicionale. Qëllimi i tij qe “për të ba simbas zakoneve të vjetra pa u shty prej kujt, por tue paramendue mirëvajtjen tonë e njikohsisht për të qenë të lirë me punue në shtëpitë tona prej njerëzve turbulluesa qi ndodhen në mal të arratisun”.
Besa e lidhur pat tri pika:
1. Të mos pranohen në shtëpi dhe të mos u jepet bukë të arratisurve, ndryshe fajtorët do të nxirren prej Kalisi për tri vjet dhe do t’u merrej pasuria e tundshme;
2. Po qe se dikush sheh të arratisur dhe nuk njofton dhe kjo vërtetohet, fajtori nxirret prej Kalisi për tri vjet dhe i merret pasuria e tundshme;
3. Kushdo që nuk dorëzon armët deri më 2o prill 1945 dhe këto i gjenden në shtëpi, ka për t’u përzënë prej Kalisi për tri vjet dhe ka për t’iu marrë pasuria e luajtshme.
Për mbikëqyrjen dhe zbatimin e kësaj besëlidhjeje, çdo kabile (vëllazëri) caktoi veqilin e vet dhe këta qenë 29 vetë gjithsej. Kryetar i komisionit të besës u caktua Rushit Daci, një burrë i njohur në Kalis. U vendos, gjithashtu, që të dënohen edhe veqilat (komisioni i besës) e kabileve, po qe se “mbajnë hatër”.
3.
Më 23 prill 1945, përsëri u mblodh një kuvend në Kalis, ku morën pjesë 29 veqilat e kabileve (vëllazërive), anëtarët e këshillit nacionalçlirimtar të katundit dhe komisari politik i komandës së vendit. Kuvendin e kryesoi Rushit Daci. Në kuvend u bisedua për prishjen e itifakut të lidhur disa ditë më parë (17 prill) nga disa katundarë, për të cilët u vendos që në bazë të zakonit të vendit për t’u provue me 24 pleq për të ba be që Muharrem Bajraktarin as tjetër të arratisun mbrend nuk i kam mbajt, buke nuk ‘i kam dhanë, as dijeni për te se ka qenë në katunin tonë nuk kam pasë”.
Në bazë të kësaj prove dhe fjalëve të përcaktuara nuk mundën të bëjnë be fshatarët Rasim Prendi, Rrahman Mahmuti, Can Mahmuti e Nezir Prendi.
Fshatari Mahmut Ademi deklaroi me dorë në kuran se Muharrem Bajraktarin nuk e kishte pasur brenda, nuk i kishte dhënë bukë, dhe dijeni për të nuk kishte, porse, një natë, dikush i kish trokitur në derë, por nuk ia kishte çelë.
Isuf Marku, Abdulla Noka, Emërli Lika, Hasan Vehapi, edhe këta fshatarë të Kalisit dhe të akuzuar, bënë be sipas fjalëve të përcaktuara dhe u shfajësuan.
Din Prendi dha provën vetëm për veten dhe doli i pafajshëm, ndërsa për të vëllanë, Nezirin, nuk pranoi të bëjë be, sepse – tha – tash tri vjet nuk flet me mua dhe as nuk punon në shtëpi, mbasi është dhe i pamartuar.
Meqë fshatari Ramadan Kasami kishte për të bërë be më datë 10 maj 1945, para katundit Palush, u la që, në atë datë, të provohej edhe për dyshimin që binte mbi të se kishte dijeni për vendndodhjen e Muharrem Bajraktarit.
Në përfundim, kuvendi vendosi që Rasim Prendi, Rrahman Mahmuti, Can Mahmuti e Nezir Prendi të përziheshin prej katundit për tri vjet e t’u merrej pasuria e tundshme. Ndërsa Mahmut Ademi u gjobit 70 napolona, sepse nuk kishte njoftuar për trokitjen që kish pasur në derë. Me që Din Prendi u lá me be për veten e tij, u quajt i pafajshëm, por u vendos që pjesa e pasurisë së të vëllaut, Nezirit, t’i konfiskohej.
Si u shqyrtuan fajet dhe u vendos dënimi i fajtorëve, kuvendi vendosi edhe:
1. Të kërkojë prej qeverisë të mos merren masa ligjore ndaj atyre që kanë dalë të pafajshëm në katund dhe të lirohen ata që mund të jenë në burg;
2. Për njerëzit e fajshëm qeveria të lejojë komisionin e besës të zbatojë vendimet që ishin marrë.
3. Edhe në se qeveria heton ndonjë faj të bërë brenda konditave të besës, të mos marrë masa ligjore, pa e bërë provën para komisionit fajtorët;
4. Për mangësitë e shkaktuara me qëllim nga komisioni i besës, qeveria të marrë masat më të rrepta ndaj anëtarëve të tij.
4.
Sipas një telegrami (nr.13, datë 6 janar 1946) që Abedin Shehu, ish Sekretar i Parë i Qarkorit të Partisë Komuniste për Kukësin, i drejtonte Ministrit të Punëve të Brendshme, Koçi Xoxe, në Tiranë, mësojmë se më 2 janar dhe më 5 janar qenë organizuar dy tubime, në Bicaj e në Kukës, ku kishin marrë pjesë anëtarët e këshillave NAÇl. dhe të frontit, klerikë, parí, përfaqësues fisesh të katundeve etj. Në këto tubime ish biseduar për pajtimin e gjaqeve e të ngatërresave të ndryshme, si dhe për miratimin e një itifaku (bese) për të mos strehuar e ndihmuar të arratisurit. “Ky itifak – shkruante A. Shehu – do të jetë rigoroz dhe nëse do të dijmë ta shfrytëzojmë, do të kemi sukses në këtë drejtim”.
Në tubimet e mësipërme u krijuan edhe “dy komisione inisiatore” për të studiuar format dhe kriterin e pajtimit në praktikë të gjaqeve sipas zakoneve, po edhe programit të qeverisë.
Telegrami njoftonte edhe se një tubim si ai i Bicajt dhe ai i Kukësit do të organizohej edhe në Tropojë. Në fund, sekretari i parë i qarkorit i propozoi Ministrit të Punëve të Brendshme që një mënyrë veprimi për pajtimin e gjaqeve dhe për luftën kundër të arratisurve “të zbatohej edhe në prefekturat e Dibrës dhe të Shkodrës, masi si krahina kufitare influencojnë në zhvillimin e situatës tonë”.
Duket, në zbatim të këtij propozimi, qe bërë një besëlidhje edhe në Malzi (Shëmri, 6 maj 1946). Vendimet që u morën atje titullohen: “Besë e lidhun për dorzaninë etj. në Malzi”.
5.
Në tri tubimet që u organizuan në qendrat e nënprefekturave të Lumës (Bicaj), Kukësit (Kukës) dhe Tropojës (Tropojë) u miratuan edhe komisionet e besës për ato njësi administratore për: a) Lidhjen e një bese të përbashkët për të mos strehuar e ndihmuar të arratisurit; b) Pajtimin e gjaqeve dhe ngatërresave.
Komisionet e besës të nënprefekturave zgjodhën komisionin e qarkut, ku merrnin pjesë Shukri Bulica, Malë Rexhepi, Ismail Arifi, Ajdin Zeneli, Hysen Selmani, Ibrahim Dida, Haziz Murati, Osman Haliti, Mustafë Imer Aga, Nexhip Ahmeti, Isuf Groshi, Nuhi Spahiu, Gani Shaqiri, Latif Jata, Musë Domi. Ky komision zgjodhi një kryesi të përhershme me kryetar Malë Rexhepin, sekretar Shukri Bulicën, anëtar Osman Halitin.
Komisioni i besës së qarkut (prefekturës) miratoi dy vendime të titulluara: PËR BESËN (ITIFAKUN) dhe “PËR PAJTIMIN E GJAQEVE” (20 janar 1946)
Kërkesat e vendimit të parë ishin:
1. Të mos strehoheshin, furnizoheshin e informoheshin të arratisurit, për të cilët duhej të njoftoheshin menjëherë organet e pushtetit e të ushtrisë;
2. Të dënohet me djegien e shtëpisë, t’i merret pasuria e t’i internohet familja atij që strehon, furnizon e informon të arratisurit apo ai që i sheh e nuk kallëzon;
3. Kush takohet me të arratisurit ose i sheh e nuk i denoncon brenda kohës më të shkurtër të mundur, të dënohet sipas vendimit të komisionit të prefekturës;
4. Të arrestuarit që janë burgosur për strehim, furnizim, përcjellje e informim të të arratisurve, por që kërkojnë të lahen me be para komisionit, brenda një afati 10 ditor të lihen të lirë, mbasi të kenë lënë dy garantë. Komisioni i nënprefekturës brenda dhjetë ditëve të caktojë pleqtë e besës dhe të përfundojë prova. Beja të bëhet sipas fajit, me 24 pleq ose më pak;
5. Në qoftë se të arratisurit i marrin dikujt bukë me forcë dhe ky denoncon brenda kohës më të shkurtër të mundshme, komisioni dhe qeveria ta zhgarkojnë atë prej fajit. Po mbet dyshimi për fajësi, i akuzuari të lahet me be para komisionit. Po qe se lajmërimi për marrjen e bukës bëhet me vonesë ose nuk bëhet fare, fajtorit t’i digjet shtëpia, t’i merret pasuria dhe t’i internohet familja. Në se lajmërimi është bërë me kohë ose pa kohë, këtë ta caktojë komisioni;
6. Ata që akuzohen për strehim, furnizim, përcjellje a informim të të arratisurve, të mos dënohen nga qeveria pa u verifikuar më parë çështja;
7. Edhe anëtarët e këshillave të pushtetit e të frontit të konsiderohen fajtorë, në qoftë se informohen nga banorët e nuk e bëjnë me kohë denoncimin tek organet ushtarake. Për këtë faj ata shkarkohen dhe u digjet shtëpia, u merret pasuria dhe u internohet familja.
8. Deri në 30 janar 1946, këshillat e frontit dhe të pushtetit të katundeve duhet të lidhin besën (itifakun) dhe të njoftojnë çdo shtëpi e çdo fis për vendimet që janë marrë, përndryshe ata do të gjobiten me 1000 fr. gjobë dhe do të shkarkohen nga detyra;
9. Për ata që nuk pranojnë kushtet e besëlidhjes, të merret masa e lëçitjes, e cila do të zgjatë deri sa ata të kthejnë rrugë. Atyre që nuk pranojnë edhe mbas lëçitjes kushtet e besëlidhjes, t’u digjet shtëpia, t’u merret pasuria, t’u internohet familja.
Vendimi PËR PAJTIMIN E GJAQEVE përmbante këto pika:
1. Gjaku çmohet 3200 fr. shq., ndërsa plagosjet simbas llojit të dëmtimeve, sa gjysma a çereku i kësaj shume (1600 fr. shq., 800 fr. shq.). Gjaku të paguhet dy këstesh, i pari në dorë, i dyti pas tre muajsh;
2. Ai që nuk i bindet pajtimit të gjakut, të lëçitet deri sa të bindet e të pajtojë, ndërsa qeveria të marrë masa të rënda e shembullore ndaj tij, mbasi është kundër bashkimit dhe qetësisë së popullit;
3. Kur bëhet pajtimi i gjakut, gjakësit do t’i jepen dorëzanët që kërkon. Këta mund të ndërrohen me pëlqimin e të zotit dhe të komisionit. Kush pret dorëzanësin, ky ka të drejtë të marrë gjakun mbi dorëvrasësin, por jo mbi pjesëtarët e tjerë të familjes.
4. Ngrënia e bukës ose pirja e kafes mbas pajtimi do të bëhen simbas zakonit. Në mos të dyja, njëra është e detyrueshme.
5. Kush vret kënd mbas hyrjes në fuqi të këtij paqi, do t’i digjet shtëpia, do t’i merret pasuria e do t’i internohet familja dhe dorëvrasësi do t’i dorëzohet qeverisë për ndjekje ligjore;
8. Kush vret për çështje nderi ose mbrojtje personale, do të dalë në provë (24 pleq) dhe, pastaj, do të gjykohet, në se duhen marrë masat e caktuara për prishjen e paqit. Vrasësi do t’i kalojë gjyqit.
7. Paqi (pajtimi) bëhet edhe me ato familje që kanë pjesëtarë të tyre të arratisur;
8. Pajtimi do të bëhet nga komisionet e nënprefekturave dhe këta mund edhe të ndahen në grupe, po qe nevoja;
9. Këshillat e frontit e të pushtetit duhet të lajmërojnë familjet e hamsëruara për pajtimin dhjetë ditë përpara që të ndodhen në shtëpi në ditën e caktuar;
10. Këshillat e frontit e të pushtetit ngarkohen me zbulimin e ngjarjeve dhe bien në përgjegjësi të rëndë, po i fshehën ose i neglizhojnë ato;
11. Çështjet e ndryshme që nuk janë parapa në këtë vendim, lihen në dorë të komisioneve të nënprefekturave, të këshillave të frontit e të pushtetit të atyre njësive administrative. Çështjet që nuk mund t’i zgjidhin ata, ia delegojnë komisionit të qarkut.
6.
MALZI
Më 6 maj 1946, u tubua një kuvend edhe në qendrën e Malziut, Shëmri, i cili lidhi një besë me këto pika:
1. Për gjaqet (vrasje, plagosje) që kanë ndodhur deri sot, u lidh besa, u caktuan dorëzanës për deri në fund të tetorit 1946. Po u qit pushkë mbrenda kësaj periudhe, fajtorëve do t’u digjen shtëpitë, ata do të përzihen prej krahinës, do t’u internohet familja e do t’u konfiskohet pasuria;
2. Për vrasjet për nder që kanë për të ndodhur mbas sodit, nuk do të merren masa. Do të konsiderohen të tilla, po qe se burri vritet së bashku me gruen; po u vra tri metra larg saj, vrasja është besë e thyer;
3. Ai që shan, rreh ose hajnon, ka thyer besën e lidhur;
4. Edhe hjeksia (kur bën vetë ose shtje kend në dorë të huaj) quhet besë e thyer;
5. Quhet besë e thyer edhe mbajtja, përcjellja, përkrahja a të ushqyerit e të arratisurve;
6. Është besë e thyer edhe grabitja e gruas a e vajzës së huaj;
7. Ata që thejnë drumin (komunikacionin) dhe plaçkisin udhëtarët, thyejnë besën e lidhur.
Një jetë e gjatë në shërbim të kombit
(Në 100-vjetorin e lindjes së prof. Miftar Spahisë – Thaçi; – 14 mars 1914 – 5 nëntor 2005)/
Nga Shefqet Hoxha/*
Jemi tubuar për të përkujtuar 100 vjetorin e lindjes së prof. Miftar Spahisë – Thaçi, lumjanit të madh që bëri emër me përkushtimin dhe ndihmesat që dha për atdheun. Ai naltoi veten dhe krahinën, prandaj u mbiquajt “Korifé i Lumës”, po urdhri i lartë “Skënderbeu” që iu akordua në pragun e vdekjes, e ul këmbëkryq në sofrën e burrave më të mirë të kombit. Ai jetoi gjatë (14 mars 1914-5 nëntor 2005), po çdo ditë e çdo vit nuk prâni së dhuruari buqeta lulesh për atdheun dhe kombin e tij, prandaj prof. Miftari do të jetë vazhdimisht i pranishëm në kujtesën tonë, sepse burra si ky Luma e Shqipëria i kanë të numëruar me gishta.
Miftar Spahija vjen prej një fisi me emër të Kolesjanit (Lumë). Katër klasë të fillores i kreu në fshatin e lindjes, plotoren e gjimnazin në Tiranë, ku pat mësues intelektualë të njohur për dije e shqiptari: Veniamin Dashin, Anton Krajnin, Karl Gurakuqin, Mirash Ivanajn, prandaj u rrumbullakua kulturalisht, falë edhe brumit vetjak. Më 1935 mori diplomën e gjimnazit, duke u klasifikuar i pari. Në vitin pasardhës fitoi gradën e aspirantit në Shkollën Mbretërore. Në këte institut dhe në gjimnaz – shkruan ai – “nxuna me dashtë rranjët e mija e me u krenue si shqiptar, nxuna se Kosovën e Shqipninë Lindore na i kish pushtue Sërbi e Çamërinë Greku”. Këto “rranjë” më vonë pipzuan, luluan e ertuan dashuri të pamatë e përkushtim për atdheun dhe kombin shqiptar.
Rezultatet e larta në gjimnazin e Tiranës i siguruan Miftarit bursë shtetërore në Universitetin e Torinos (Itali), në fakultetin e letërsi-filozofisë (dega e letërsisë), ku shfaqi aftësi të merituara dhe u titullua “Dottore in lettera” me tezën “Elementa të huej në gjuhën shqipe” që e udhëhoqi albanalogu i njohur, prof. Bartoli. Këte tezë ai e elaboroi edhe më vonë, formuloi dhe vuri në jetë një platformë të tij gjuhësore, e cila e njëjtëson me rilindësit e mëdhenj, por me ndjesi bashkëkohore, sepse kërkon t’i dalim para rrezikut që na vjen nga proceset konverguese europiane.
Pushtimin e Shqipërisë nga Italia Fashiste Miftari dhe studentët shqiptarë të Torinos e pritën të pezmuar. Në qershor 1939 ai kthehet në Shqipëri pranë familjes, por këtu nisin dyshimet e përndjekjet: e izolon karabinieria në Bicaj dy javë, më vonë e burgos në Tiranë e prej këtu e internojnë në San Nicola di Tremiti, një ujëdhezë e vogël pranë Barit, ku gjeti edhe nacionalistë të tjerë shqiptarë. Pasi kalon edhe disa muaj në Sinalunga, pranë Sienës, në shtator 1941 kthehet në Kolesjan. Një muaj më vonë emërohet në gjimnazin “Sami Frashëri” të Prishtinës, ku dha mësim një motmot. Këtu qe shoqëruar me Ymer Berishën, njërin prej herojve të mëvonshëm të Kosovës. “Në këte vit shkollor – ka shkruar Miftari – u mundova t’i ushqej nxanësit me thërrmijat e ditunisë së fitueme në universitetet e Evropës”. Por, për t’i shërbyer më shumë Kosovës, sidomos konsolidimit të administratës shqiptare, ai angazhohet në qeverisje si nënprefekt në Rahovec e në Gjilan, prej kah, më 8 gusht 1943 largohet, pse ndiqej, por e ndalojnë në malet e Kukavicës dhe e ndryjnë në burgun e Prizrenit, prej të cilit doli më 9 shtator, kur kapitulloi Italia. Plot një vit qëndroi pa punë pranë familjes në Kolesjan “as i arratisun as i paarratisun, me nji sy në shtëpi, me tjetrin kah mali” – siç na ka kallëzuar ai.
Më 5 shtator 1944, forcat e Brigadës së Pestë hynë dhelpërisht në Lumë, ndërsa Miftar Spahija mbathi opingat e ngjeshi armët “për t’i shpëtue dorës gjakatare komuniste” (janë fjalët e tij), e cila – si na thotë ai, “qe nji zgjebe që e mbuloi kombin për gati gjysmë shekulli”. “Me doktrinën komuniste s’kishem asnji pajtim; e njihshem dhe e dijshem se Partija Komuniste Shqiptare asht bisht i komunizmit serb. Nuk duhej shumë mund me e kuptue se komunistat shqiptarë u ishin nënshtrue interesave të Sërbisë, s’çajshin kokën për Kosovën, për gjymsën e trupit të komit” – do të shkruante më vonë në kujtimet e veta Miftari.
Gjatë dy viteve (6 shtator 1944-20 gusht 1946) Miftar Spahija u ra pash e më pash maleve të Lumës, jetoi i vetmuar ose me tubën e Muharrem Bajraktarit, i ndjekur këmba-këmbës nga hafijet e Sigurimit e të Oznës dhe nga reparte speciale, por shpëtoi gjallë. Ndërkohë pushteti komunist i internoi familjen në kampin “Murat Çelebi” të Beratit, ku i vdiq njomzakja 15 muajshe, Kadishja. Kur qëndrimi në Shqipëri u bë i pamundur, Miftari, i inkuadruar në grupin prej 56 nacionalistësh, nën prijen e Muharrem Bajraktarit, i len lamtumirën atdheut. Pas një odiseje të gjatë e tejet të dhimbshme, ku humbi 21 shokë, më 13 shtator 1944, doli në botën e lirë. Por do t’i duheshin edhe 50 vjet “fshamje, lot e gjak” – siç ka shkruar ai – deri sa të shembej Muri i Berlinit, më 1989, e do ditë më shumë sa të binte edhe regjimi komunist në Shqipëri. Gjatë këtyre viteve Miftar Spahija provoi kampet helene, jetën e rëndë në Romën e pasluftës dhe emigracionin në vendin më të pasur të botës, në SHBA. Këtu punoi nëpunës biblioteke në Universitetin “Kolombia”, pastaj mësues në një shkollë të mesme dhe profesor i asocuar në Universitetet e Harrisonit e të Mansfildit në Pensilvani, deri sa doli në pension në vitin 1980.
Prof. Miftar Spahisë i qe veshur akuza “armik i popullit” nga regjimi komunist pa të drejtë për t’u kthyer ndonjëherë në Shqipëri, por nuk qe e shkruar që ai të mos i rishihte të vetët, Kolesjanin, Lumën, Shqipërinë dhe Kosovën martire. Proceset demokratike të viteve 90 të shekullit të kaluar dogjën listën e mëkatarëve pa mëkate, shembën klonet që patën penguar bijtë e mallëzuar të Shqipes që të kthenin dalë, prandaj Miftari erdh disa herë në Shqipëri për të ftoritë “mallin që i pat veshkë zemrën, që i pat shtrydhë langun e gjallnisë, që e pat ba si të nërkimë” – siç na thoshte ai, – puthi varret e të parëve, por jo atë të së bijës 15-muajshe, pse pa varr, u çmall me Baftijen, gruan besnike që e priti një jetë të tërë, duke u shkrirë si qiriri larg tij.
Miftar Spahija, i lodhur dhe i këputur nga travajet e jetës dhe të kombit dhe në një moshë tejet të thyer, u shua në një spital të Njuxhersit, në SHBA, dhe u varros sipas amanetit të lënë në tokën e Arbërit, në Tiranë, më 12 nëntor 2005, i përcjellë nga një kortezh stërmadh miqsh e dashamirës, siç e meritonte.
Prof. Miftar Spahinë e kanë cilësuar “si korife të politikës dhe të diplomacisë shqiptare” (Baleta); ai ka qenë një idealist i vendosur për Shqipërinë etnike, për Kosovën dhe Çamërinë, pse – sipas tij – Kosova asht djepi i kombit të pavarun shqiptar” dhe “Çamëria asht banue gjithmonë prej shqiptarëve”. Më 25 korrik 1993 ai i qe përgjigjur rryeshëm Klintonit, Jelcinit, Miteranit, Mejxherit e Gonxales-it me një skicë të shkurtër historike për deklaratën që i kishin bërë ata kryetarit të Këshillit të Sigurimit se “nuk mbështetnin deklaratat për pavarësi të Kosovës. U thoshte se “nuk do të ketë paqë në zemër të Ballkanit pa një Kosovë të pavarur”. Njëherit i tërhoqi vëmendjen qeverisë shqiptare “që të mos i përtypte fjalët në sofizma, por t’i thoshte çiltas, se shqiptarët duen veç trojet e veta, te kërkuj tjetër”.
Ai ka qenë antikomunist i thantë. “Me doktrinën komuniste, – ka shkruar Miftari, – s’kam asnjë pajtim”. Për të Partia Komuniste Shqiptare qe murtaja e Shqipnisë dhe vorri i Kosovës”. Idetë antikomuniste Miftari i ka dëshmuar tërë jetën me shkrime dhe me vepra.
Sipas parimeve të filozofisë politike, ai pëlqente demokracinë republikane e parlamentare, si forma ma e arsyeshme e qeverisjes, por në rastin e mbretit të shqiptarëve, Ahmet Zogut, – shkruan ai – është ndryshe. “Populli shqiptar duhet ta quej vetën fatbardhë që pati në krye të timonit nji burrë si Ahmet Zogu, i cili krijoi shtetin e njimendët shqiptar, ai diti me lundrue me guxim e me urti ndërmjet ujërave të turbullt të Jugosllavisë, Greqisë e Italisë”.
Miftar Spahija na ka lënë një vepër të gjerë, ku përfshihen punime historike, letrare, gjuhësore, një korrespondencë të pasur, një shumësi artikujsh e disa dorëshkrime ende të pashpaluara. Ndërkaq, unë e kam të vështirë të shprehem se cilën lëmí ka pasur më për zemër ai, historinë, letërsinë apo gjuhësinë. Ai ka botuar tri romane të stërmëdhenj, Hasimja (1990), Arbanët e Curranët (1998) dhe Taf Bardheti (2000) që kapullojnë 2756 f. Këto romane formojnë një të tërë në përmbajtje e në formë e veç vlerave letrare që bartin, ato janë edhe një gurrë e cemtë, ku mund të shuajnë etjen të gjithë ata që merren a duan të merren me historinë, etnologjinë e psikologjinë shoqërore të malësorëve shqiptarë në kapërcyell të shek. XIX, po edhe më parë dhe më pas, megjithëse në vetvete ato nuk janë as histori, as etnologji, as psikologji e mirëfilltë. Në këte vështrim vepra letrare e prof. Miftar Spahisë sikur vjen për të plotësuar, nga këndvështrimi i një vendësi, kërkimet e Nopçës, Durhamit, Hasllëkut etj. si dhe vizionet letrare historike të Pashko Vasës, dom Ndoc Nikajt, Shtjefën Gjeçovit… Sepse në çdo faqe të romaneve të Miftar Spahisë gëlon fryma e Rilindjes Kombëtare dhe e Kanunit të Maleve. Parë në tërësi, vepra letrare e shkrimtarit lumjan është një enciklopedi e vërtetë e jetës, e kulturës shpirtërore dhe e së folmes së malësorëve lumjanë.
E po deshi kush të qëmtojë pasurinë leksikore e frazeologjike të krahinës së Lumës, e siguroj se hambar janë veprat e Miftar Spahisë. Në këte lëmë Miftari ka pasur vetëm një akran, Tahir Kolgjinin. Pa i lexuar romanet e Miftar Spahisë, nuk duhet t’u grahish këmbëve për në tëbanat e lumjanëve, se para teje ka fluturuar atje kjo bletë mashtoke për të thithur nektarin më të vlefshëm që krijuan brezat në visin midis Ujit të Poslishtit e Veleshicës.
E tani t’i kthehemi gjuhës që përdor Miftar Spahija në veprat e veta, sepse ajo është elementi bazë i shprehjes, është mjeti me të cilin merren vesh e komunikojnë njerëzit. I ndjeri prof. Arshi Pipa diku paska thënë: “Shqipja paraqitet në tri forma: në gjuhën kombëtare, ku përfshihen të gjitha dialektet; në gjuhën e përdhosur letrare dhe në gjuhën e Miftar Spahisë”. Dhe ky vlerësim nuk është i pakët, sepse tregon se “gjuha e Miftarit” nuk ishte një formësim i rastësishëm, por një realitet i pranuar, një mjet komunikimi ngritur mbi kritere të caktuara të formuluara nga autori, të prezantuara në veprat e botuara, shpjeguar në bisedën me Hasan Hasanin (1992) dhe në fleshën e tretë të batrilit (romanit) Taf Bardheti. Miftar Spahija qe një puritan i skajshëm që, – sipas meje, – ia pat hipur kalistrup (kaliboç) vetes, sepse vepra e tij mbushur me tepri me neologjizma e krahinizma, me një drejtshkrim tejet fonetik, e ka të vështirë, madje të pamundur, të kënaqë lexuesit e sotëm.
Dijet e shumta në fushën e historisë Miftar Spahija i ka shfrytëzuar për të ndriçuar të kaluarën e kombit dhe për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve para shovinistëve fqinjë dhe imperializmit europian. Idetë e tij historike ai i ka shpaluar në veprat letrare, në letrat dhe memorandumet e shumta, po sidomos në skicën historike “Rreth Kosovës” shkruar në vitin 1993, e cila mbyllet me këte pasazh: “E vetmja zgjidhje për Kosovën e banueme prej shqiptarësh në masën 95% asht pavarësia nga Serbia, sepse as toka as populli i Kosovës nuk kanë qenë e nuk janë sllave”.
Miftar Spahisë i pëlqente ta quante veten “të Thaç”, megjithëse te ky burrë mali qenë të trupzuara vetitë më të spikatura që legjenda ua vesh disa fiseve shqiptare: “trimnia e Hotit, besa e tërvesa e Shalës, krenia e Shoshit…”; si i thaçjan Miftarin duhet ta karakterizonin – simbas legjendës “thanat e thaçat” po, përkundrazi, ky burrë i urtë mbetet shembull i rrallë i njeriut të punës e të veprimit”.
Fjala e mbajtur nga prof Shefqet Hoxha, në sesionin përkujtimor, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së prof.Myftar Spahija-Thaçi, me 15 nëntor, në Muzeun Historik Kombëtar
ME DASHURI TË PAMATË PËR VISIN E MALZIUT
Nga Ramiz LUSHAJ/
1.
Kombi nis tek dera e jote, tek kufijtë bio-pronësor të tokës tande, tek visi yt. Kjo aksiomë e përjetshme është leitmotiv edhe i morinasit e bregdrinasit, Kadri Morina. E dëshmoi publikisht, si përherë, edhe në këtë fundviti me kryerjen e sipërmarrjes shpirtërore e financimin tërësor të botimit të veprës së mirëfilltë shkencore “MALZIU bubrrime historike-etnologjike-folklorike-gjuhësore” (GEER, Tiranë, 2013). Është një vepër tejet e çmuar për vendlindjen e Kadri Morinës, i cili ka lind e rritë shtat dhe profil në Shikaj, dikur qënder bajraku dhe një nga 12 fshatrat e komunës së sotme Malziu në brigjet e Drinit të Bashkuar apo, tashti, edhe të liqenit artificial të Fierzës së dritës. Kjo vepër shkencore i kap nivelet e botimeve euro-atlantike për nga brendia e luksi i saj saqë hyn në standarte të një libri dhuratëedhe për ente zyrtare e mjedise familjare elitare.
Autori (njëherash edhe redaktor e korektor) i kësaj vepre shkencore është prof. as. dr. Shefqet Hoxha, Mësues i Popullit, euriditi lumjan, ish pedagog universitar, bashkëpunëtori shkencor i instituteve shkencore të Tiranës, ish deputet demokrat në Kuvendin e Shqipërisë (1992-1996),me qindra shkrime e dhjetra libra të botuar, tashti pensionist në metropolin shqiptar, në Tiranë. Prof. Shefqet Hoxha është legjendë e gjallë e shkrimtarisë shkencore e kulturologjike për Kukësin me rrethina. Ndoshta përbën rast unikal në botën e sotme që një shkenctar e kulturolog i kushton krahinës së tij etno-historike e administrative 50 vepra të mirëfillta e me laryshi zhanresh si monografi historike, etnologji, dialektologji, folklor, leksikologji, etj. Shkenctari Shefqet Hoxha, siç faktohet edhe në kit’ veprën e tij, paska mbi një gjysëm shekulli që hulumton ngultas e zdrit shpeshtas për Malziun me disa botime në faqe të shtypit lokal e qëndror, parë në këndvështrime historike, etnologjike, folklorike,gjuhësore, etj. Emri emblematik bashkëkohor dhe vepra madhore akademike e derisotme e prof. Shefqet Hoxhës, i ban nder çdo krahine e rrethi të Shqipërisë Londineze dhe gjithkah shqipnojnë trojet etnike në Ballkan, po tani këto merita në rritje, ky thesar me prodhimtari visarore, i takojnë vendlindjes së tij, Kukësit. Ai është, si të thuash, “akademi” e/për Kukësin.
Kjo vepër shkencore në stafin e saj akademik ka vetëm një recensent. Sigurisht, mjafton vetëm një i tillë si Mustafa Hoxha, pasi ky është një personalitet dijetar e veprimtar vendali – nga fshati Dukagjin i Malziut, i shkolluar pesë vjet në Leningrad të BRSS, ish deputet në dy legjislatura në Kuvendin Popullor të RPSSH, ish zyrtar profesionist i arsimit e kulturës në Kukës, mbi një gjysëm shekulli (1965-1991) ka mirëdrejtue dy masmedia: radion lokale Kukësi, e cila kishte veprimtari të çmuar kombëtare si zëri shqiptar për Kosovën dardane nën Jugosllavi e, mbasandejna, edhe kryeredaktor i gazetës lokale “Kukësi i Ri”, autor i disa veprave të përkthyera nga rusishtja në shqip, etj. E kam njohur nga afër Mustafa Hoxhën qyshse në fundvitet ’80 e fillimvitet ’90, asokohe kur botohej në Kukës gazeta lokale “Shkëlzeni” e Tropojës, ndaj dua të them se është një burrë i fismë, dalzotas i detyrave të veta, të cilit zgjuarsia e thellë e urtia e hapur kurrë nuk i munguan e as nuk i tepruan, ndaj eci me hapa të qetë e me sy të qeshur. I tillë, njeri i nderuar, mbetet edhe sot, 78 vjeçar, teksa bulevardon në Tiranë e kie kënaqësi me i folë me të dy fjalë në ecje apo me u ul diku e me e pi një kafe të rrallë me i burrë të tillë të rrallë.
Këta tre burra të sojshëm, secili ma i mirë se shoqi, prof. Shefqet Hoxha i Lumës, Mustafa Hoxha i Dukagjinit (Malziu) e Kadri Morina i Shikajve (Malziu) morën vendim në bashkari dhe i hynë sipërmarrjes fisnike mbi trevjeçare për botimin e veprës “Malziu…”. Secili në detyrën e vet, në profilin e vet, me rolin e kontributin e vet. Pati edhe të tjerë ndihmatarë si kordinator, konsulent apo prurës me shenime e kujtime si i mirënjohuri etnologu pukjan, Xhemal Meçi; i përkushtuari malzias, Rexhep Tahiri; të paharruemit malzias, Ali Hasani, Ejup Hoxha, Ferit Hoxha, të cilët i faleminderon veçmas edhe autori i monografisë, prof. Shefqet Hoxha. (shih fq. 8). Vepra shkencore “Malziu…” e penës së artë të prof. as. dr. Shefqet Hoxhës, doli në dritë si një arritje e mirëpritur, të cilën autori ua kushtimon “malazezëve të urtë e të vnjeshëm” duke ua shpalos “vlerat njerëzore dhe të kaluarën e harruar të visit të tyre” (fq.3). Kjo vepër shkencore i kapërceu kufijtë e një krahine, të një rrethi, të një qarku; po hyn në fondin e pasurisë kombëtare, po zenë vend në biblioteka kombëtare në Europë e deri në Amerikë.
2.
Amerikanët e kanë një shprehje për vetveten: Mëso të respektosh një biznesmen që ka mbi një milionë dollarë se po të ishe i zoti do i baje edhe ti kaq pasuri valutore me mendjen e djersën tande. Në vende euro-lindore ballkanike,si kjo e jona Shqipëri Londineze, e cila ka përjetue disa sisteme e rregjime ma tepër se problematike, gjithato luftëra botërore e ballkanike shkatrrimtare, kryengritje të shumta e të pafundme kundër vetvetes e të tjerëve, e cila po e provon aktualisht edhe tranzicionin galopant e galiç, kuptohet se është disi e vështirë me i vnue në vend e me rend, sipas Traditës apo Protokollit, biznesmenët e kohës së tanishme tue iu marrë në konsideratë pasurinë valutore, humanitare e intelektuale të tyre. Sot, jo veç në laminë e biznesit, shumkush ia ngjet vetes “flatrat” e dragoit dhe gjithkush po don me t’i mbathë “patkojtë”. Kena kalue jo pak kohna revolucionare me ç’shenjtërim të pronës private e të bio-poseduesve të saj. As kjo koha e sodit nuk po i jep shenjtërinë meritore pronës e, përndryshe, ma e pakta: me i lanë në shenjtërinë e vet biznesmenët e meritës.
Kadri Morina është nga ato personalitete shumëdimensionale publike që ban përjashtim jo rastësor në kohë e hapësirë, në vlera e virtyte. Ia ka mbrri të jetë i përveçëm, me emër e mbiemër, me fytyrën e tij, në librin e madh të biznesit kombëtar shqiptar e të shoqërisë kombëtare shqiptare. Nuk është i vetmi, po i përnget vetëvetes. Ndjek edhe shembullin ma të mirë të të tjerëve. Kadri Morina është vet Kadri Morina.
ADN e Kadri Morinës në vena e inde dhe në palcën e ashtin genetik ndër breza e ka të skalitur fort e mirë traditën e biznesit. Është “i lindur” si biznesmen e, si i tillë, punon në bizneset e veta me të gjitha shqisat e tij. Përndryshe: Ai ka çka sjell e çka përcjell. Si shumëkush. Mbi të gjitha: është Dikush. I rrinë kohës në kambë. I prin jetës në ballë.
Gjyshi i tij morinas e bregdrinas, Niman Ali Morina, qyshse para dy shekujve kalendarik e ka marrë fatin në krah e botën në sy dhe i ndali hapat në Anadoll, bash në kryeqytetin portual të Stambollit, në kryeqytetin e tri perandorive nga ma të mëdhatë e botës: asaj Romake, Bizantine e Otomane; një nga kryeqytetet e kulturës, arsimit e zhvillimit ekonomik botëror të asaj kohe. Ky njeri i ditun dhe i shetitun u rikthye tek ama e tij, në truallin e tij, duke i dhanë ma tepër fuqi e risi kullës së vet, e cila ishte një ndër ma gjallniket nga pasunia e veprimtaria në trevën e Malziut. Kësokohe, Niman Morina solli me veti kulturë të madhe, monedha osmane, mjete relike (si një mulli kafeje që dikur e përdorte krejt krahina për dasma e morte), etj.
Ashtu sikurse të shquarit e botës në fusha të ndryshme të jetës e të shkencës marrin Çmimin “Nobel” në Stokholmin skandinav të Suedisë, edhe Tahir Morina, i ati i Kadri Morinës, e ka marrë në rang lokal një të tillë “çmim” të pashoq për virtytetet, vlerat e veprat e tij në vendlindjen e vet, pasi në krahinën Malziu e jo vetëm malziasit e thërrasin masivisht e mirësisht: “Baba Tahiri”. Shpesh ka qëllue që as profetët mos me u vlerësue në vendlindjen e vet, ashtu sikurse edhe shumë fëmijë modernë harrojnë me i thirrë prindit të vet me emnin hyjnor: “Babë”! Pra, një çmim i tillë: “Babë Tahiri”, nuk është i pakët me e fitue moralisht dhe jo aq i lehtë me e mbajtë atë jetëgjatësisht e dinjitarisht, pasi vet njeriu duhet të jetë “nobel”, të jetë njeri i mbrrimë, të jetë vet Tahir Morina.
I thjeshti, punëtori, besimtari, Tahir Morina, burrë i besës e i ndershëm, për nga profesioni edhe guzhinier i shumkërkuar, njeri vendimmarrës, shquhej edhe si administrator i pasurive të tij të (pa)luajtshme saqë edhe pikën e ujit mund ta ndante më dysh, i zgjonte mëngjeset në krye të punëve të ditës, stinës e kohës; luftonte me plot sakrifica përmes vështirësive të (pa)qëllimta për t’i rritë të mirë e me të mira të pesë fëmijët e tij, me ua dhanë me zotësi e mbarësi shkollën, punën e rrugët e jetës.
Tashti ky burrë malësie, bregdrinas e morinas, i ditur e i shetitur, misionar bajenderës, ky Tahir Morina, shtatmbajtun, ecën krenar brigjeve të Drinit, bulevardeve të Tiranës, bregdetit të Sarandës, Udhës së Kombit deri në Prishtinë, nga plazhi i Ulqinit në kalanë e Shkupit, pasi ia ka mbrri asaj që ia don zemra e mendja çdo prindi mbi tokë: iu kanë ngrit fëmijët e tij, nipërit e mbesat e tij, në lartësi dinjitare që tashma kanë imazhin, frymën e suksesin e tyre me emnin e nderit e të progresit: “Kadri Morina”.
3.
Vendlindja e Kadri Morinës, krahinë/za e Malziut, në brigje të epërme të Drinit të Mesëm, është një trevë e qytetërimit të lashtë pellazgo-ilir, që daton të paktën dhjetë mijë vjet ma herët, tue nistue prej sodit. Në antikitetetin e lashtë vendasit e atyshëm jetnonin në banesa mbi tokë e ta ndara në dhoma, kishin enë me dekoracione për gatim e hijeshim, etj., njësoj si edhe në Maliq të Korçës, etj., ndërkohë që sipas HPSH, Tiranë, 2002, fq. 44-46) edhe në ultina bregdetare banonin në gropa nëndhese. Aty, lidhtas me Fushën e Dukagjinit (Malziu), gjendej Kolshi i vjetër prehistorik, vendbanim i neolitit të hershëm të zhvilluar, që në historinë shqiptare, ballkanike e europiane njihet si “Kultura Kolshi I”, kulturë përfaqësuese e krejt Shqipërisë Verilindore. Kolshi I ka si tregues themelor qeramikën barbotine në reliev të ngritur, qeramikën e pikturuar me bojë kafe mbi sfond të kuq dhe qeramikën impreso, të cilat vendosen mjaft qartë në raporte kulturore e kronologjike me Rudniku III në Kosovë dhe me gjithë kulturat e fazës Starçevo II b të Ballkanit Qendror, etj.
Në këtë truall të Malziut të sotëm thuhet se ka jetnue fisi ilir i Siculotae (fq. 112), prej të cilit e mori emrin edhe vendlindja e Kadri Morinës, fshati Shikaj (Shikla-Shikje-Shike), ashtu sikurse edhe në brigjet e Valbonës, prej ku bigohet me Drinin e deri në Gryka, popullohej nga fisi ilir i Skirtonëve, paraardhësit e fisit të hershëm të “Ponarit të Lekës” me vendbanim trojenik në Malësinë e Gjakovës dhe në Ultinën e Podgoricës së sotme. Për herë të parë, sipas gurrave dokumentare të vrellta, emni i fshatit Shikaj (në trajtën Shikla) përmendet në krisobulën e car Stefan Dushanit në vitin 1348.
Malziu ka pasë qytetërim edhe në kohna të Mesjetës së hershme, të mesme e të vonë. Aty ende gjenden gjurmë historike e rrënoja të kalave (kështjellave). Ma e njoftuna është “Kalaja e Lekës”, e Lekë Dukagjinit, sundimtar i këtyne anëve e ligjbërës i Kanunit me emnin e tij. Kjo kala, të cilën e ka shkel me kambë shpeshherë edhe Kadri Morina, ngrihet mbi një kodrinë, në një vend të kyçtë, mbi një shkëmb të thiktë “Qafa e Gjytetit” e, teposhtë, shtrihet një fushë e vogël, “Qyteti”. E gjitha kjo formon një farë gadishulli tek bashkimi i lumit të Krumës me Drinin e, kulla e saj katërkandshe, lartohet në 259 metra lartësi mbidetare. Mbi një kodër në formë konike me lartësi 323 metra mbi nivelin e detit ngrihet “Kështjella e Shëmrisë”, për të cilën historiani Shefqet Hoxha hedh idenë se duhet të jetë vendosur “në kufirin mes provincave Praevalis dhe Dardania”, e cila ishte edhe një tjetër pikë nyje në kahendarjet e rrugëve drejt Vaspasit e Dardanisë.
Malziu ishte një vend gjeo-strategjik i kryqtimit të udhëve qyshse në kohë të lashta, pasi trupohej nga “Rruga e vjetër”, ndryshe: Publica Via apo ma plotërisht: Rruga Lissus-Nissus (Rruga Lezhë-Nish). Në Vaspas (Va-Spas), tek kalimi mbi lumin Drin, rruga e madhe ndahej në tre drejtime, drejt kryeqëndrave të mëdha ndër kohëra: drejt Prizrenit, drejt Gjakovës me rrethina, drejt Shkodrës. Nga fshatra të Malziut, siç shpjegohet në këtë vepër shkencore, niseshin disa udhë drejt krahinave (rretheve) përqark: drejt Mirditës, Hasit, Malësisë së Gjakovës (Tropojë), Pukës, Kukësit. Këto rrugë kanë sjellë qytetërim, zhvillim të mirë ekonomik e kulturor, pasi aty kishte doganë, hanet e Vaspasit e Shikaj, dyqane zejtarie e shitore, etj. Në gjysmën e dytë të shek. XVIII u ndërtue “Ura e Vezirit” (sipërmarrje nga Veziri i Shkodrës) me 18 harqe të madhësive të ndryshme, një nga monumentet ma të mëdha të Perandorisë Otomane në gadishullin e Ballkanit.
Malziu ishte një vend që kohëpaskohe i bante njerëzit e vet biznesmenë të mirë, iu ngjallte atyne humanizmin njerëzor, iu ushqente ndjenjën e punës, kursimit e fitimit.
Ndaj nuk është e rastit, që në vise përgjatë brigjeve të Drinit, në të tilla udhëkryqe të shkëmbimeve tregtare e të kulturave, si fjala vjen prej nga bashkimi i Dy Drinave deri në bigimin e Valbonës me Drinin, kemi gjithata biznesmenë të njohur në këtë shekull të ri: Avni Ponari, Basri Ruka, Hajri Elezi, Kadri Morina, Ramë Geci, Shyqyri Duraku, e dhjetra të tjerë.
Ndryshe nga gjithato treva në Shqipërinë e Veriut, Vaspasi e krejt krahina etno-historike e administrative e Malziut, falë edhe pozicionit gjeo-strategjik, është fjalashkrue nga shumë autoritete të shkencave, politikës, letrave e diplomacisë, shumë sish edhe udhëpërshkrues, si: Llazar Soranzo (shek. XV), Frang Bardhi (1638), Evlia Çelebia (1670), Stefan Gaspri (1671), Vincenzo Zmajevich (1703), J.G. von Hahn (1867), Giusepe Celcich (1899), Jastrebovi (1904), Theodor Ipen (1908), A. Baldacci (1929), E. Armao (1933), Kahreman Ulqini (1973), Kolë Luka (1981), Xhemal Meçi (1997), Jaho Brahaj (2005). Sigurisht, historiani i njohur Shefqet Hoxha e ka mirëmendue përzgjedhjen e publikimin e fragmenteve të shkruara (fq. 100-112) nga këto personalitete duke ia rritë kështu ma tej e ma mirë vlerat e mirëfillta dokumentare kësaj vepre shkencore për Malziun.
Prof. as. dr. Shefqet Hoxha qyshse në parathënie të kësaj vepre shkencore pohon edhe një tjetër randësi etno-historike të Malziut: “Traditat e ruajtura të banorëve të Malziut dëshmojnë origjinalitetin, por edhe ndikime të krahinave përrreth: Mirditës, Lumës, Hasit dhe Malësisë në të djathtë të Drinit. Madje, më duket se ky vis është një kapërcere midis Gegërisë së mesme dhe Malësisë, tiparet kulturore të të cilave i ndesh në çdo lëmi: në folklor, në etnokulturë, në të folme, etj.” (fq. 7).
4.
Kadri Morina mban mbiemnin e fisit të vet Morina, një nga 12 fiset e njohura në Shqipërinë e Veriut. Emrin Morina e gjejmë tek Qafë Morini në kufi me Gjakovën e Tropojën (Malësinë e Gjakovës). Aty, në hershmëri pagane, ka qënë një Tempull Diellor. Aty njerëzit luteshin. Aty janë ba edhe luftëra të mëdha. Njerëzit ishin qëndrestarë, luftëtarë. Vdisnin në kambë. Pra, ishin morina. Nuk dihet: vendi ua dha emrin e fisit apo fisi i dha emrin vendit. Sidoqoftë, në mes të Kukësit e Prizrenit kemi edhe doganën e Morinës. Nga fisi Morina, siç thuhet edhe në këtë vepër, ka edhe në Shikaj, Petkaj, Shpataj, Mgullë të Malziut. Një prej tyre është Kadri Morina i Shikajt. Më vno disi në mendime një rrëfim i vitit 1982 i Fejzë Dobrushit, 83 vjeç, në Shëmri: flet për një festë të veçantë në Malzi: “Darka e Diellit” (fq. 259) e cila festohej sikurse Dita e Verës, Novruzi, Zhgjergji, Runa, Shmitri, Mejdisi i Dimnit. Ndaj baj një farë lidhjeje jo krejt rastësore traditore në mes Tempullit Diellor në Qafën e Morinit e Darkës së Diellit në Malziun në breg të Drinit të Bashkuar.
Kadri Morina është njeri besimtar. Beson në Zot jo veç kur i duhet, jo veç për rrëfim, jo veç kur ka hall, por beson në Zot se duhet besuar, beson si misionar, beson për veprim. Njësoj sikurse edhe baba e nana e tij besimtarë e misionarë, bamirës, bajenderës.
Përndryshe: Kadri Morina nuk është shenjt, po ka shenjtëritë e tij. Një prej tyre është edhe bamirësia në kohën, vendin dhe mënyrën e duhur. Ai ka marrë përsipër me sukses ndërtimin apo restaurimin e kulteve fetare në Peshkopi, në qytetin e Tiranës, në Marikaj të Durrësit, në Zall-Bastar të Tiranës, etj. Mijëra dollarë i akordoi për restaurimin e Xhamisë së Et’hem Beut bash në qendër të Tiranës, këtij kulti monument kombëtar, fetar, kulturor e historik. Ka financue edhe në përkthimin e Kur’anit. Ai nuk t’i përmend shembuj të tillë bamirësie. Duhet me i mësue prej të tjerëve. Këto fakte i gjeta tek një portret për biznesmenin e humanistin Kadri Morina të shkruar nga gazetarja e shkrimtarja shqiptaro-amerikane, Raimonda Moisiu, e botuar tek “Tirana Observer” në vitin 2009. Kadri Morina ka me dhjetra raste ndihme bamirësie si për jetimët e Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli” në Tiranë; për një fëmijë trevjeçar për transplant mëlçie në Spitalin Amerikan në Tiranë, etj. etj. Gjithashtu ka financue për Festivalin e Filmit në Durrës, shumë libra historik e letrar, ekspozita pikture, veprimtari nga ma të ndryshmet.
Ndihma e Kadri Morinës për Kosovën është e madhe, e çmuar, e përhershme, e cila shprehet edhe në një deklaratë të tij të kahershme: “Për Çështjen Kombëtare shkrij pasurinë, jap edhe jetën”.
5.
Dinjitari Kadri Morina e ka nusen e tij, Kozetën, nga dera e njohur e Madanëve të Gashit të Gurit.Është çika e nderuar e një burri të mirë, Din Madanit, shtegtar i hidrocentraleve në dy dekada nga Fierza në Koman (1971-1989). Ai ka disa vite që ka ndrrue jetë, po mbetet kujtimi e nderimi për emrin, virtytet e sakrificat e tij, mbetet shembulli i tij si kryezyrtar model i sektorit të burimeve njerëzore në 15 vitet e fundit të paradaljes në pension.. Kam pasë rastin ta njoh qyshse në hidrocentralin e Fierzës, kah fundviti 1975. Pikërisht, asokohe kur fillova punë në ma pak se një vit kohë në sekretari-arkiv në kantierin e prodhimit nr. 2 të H/C të Fierzës. Ndonjëherë, ndër vite, më ka qëllue që kur kisha mëdyshje për ndonjë shkrim për Fierzën për ta çue në shtypin e Tiranës shkoja e konsultohesha edhe me Din Madanin, barometrin e të drejtës e të vërtetës. Edhe sot e kësaj dite i çmoj sjelljet e tij si ndaj disave që ishin me “biografi të keqe”, ndaj atyre që donin të kualifikoheshin në profesione të ndryshme, etj. Ishte njeri fistar. Mbi të gjitha njerëzor. Djalin e tij, intelektualin e kohës, ing. Skënder Madanin, e kam mik, një mik që të ban të nderuar ecja në krah të tij. Ai ka krye dy universitete, ka dy shtetësi – shqiptare e kanadeze, zotëron dy gjuhë të huaja. Ma së parit e pata takue këtë djalosh të Dhjetorit ’90 teksa interesohej tek ministri i Kulturës, Bujar Leskaj, për t’i kërkue miqësisht ndihmë për Tropojën e tij. Kësokohe, më 2007, ai punonte zv/drejtor i Përgjithshëm i Shërbimeve të Transportit Rrugor.
Në vitin 2009, teksa pinim kafe me mikun tim Skënder Madani tek “Piazza” në qendër të Tiranës, e pata njohur biznesmenin Kadri Morina, pronarin e ri të këtij bar-restoranti modern, të frekuentuar nga personalitete (ndër)kombëtare. Ky bar-restorant, edhe pse janë ndertue të tjerë me emna të mëdhenj botëror si “Sheraton”, “Rogner”, etj. ende mbetet në nivele të larta si vatër e bukurisë, kënaqësisë e mirësisë. Më la mbresa e më ngjalli respekt kultura e Kadri Morinës. Ai kishte njohuri të mira për letërsinë e artin, për figura të njohura të tij. Ai fliste me admirim e kompetencë për Kosovën, etj. Ai e mbante bisedën në lartësi edhe kur fliste për Amerikën e personalitete të saj, disa prej të cilëve i kishte miq, si artistin e madh me origjinë shqiptare, Sten Dragoti, kumbara i djalit të tij të vogël, Wesliklarkut, etj. Atë ditë m’u duk se ishte një anglo-sakson. Mbi të gjitha, Kadri Morina, është një shqiptar kombëtar.
Fëmijët e Kadri Morinës janë në rrugën e të mbarës, në ecje drejt lartësive të suksesit. Ma i madhi ndër fëmijët, Kreshniku, është i dhanun pas matematikës, talent qyshse herët kur fitonte Olimpiadat e Matematikës. Tjetri, Klajdi, i përkushtuar edhe pas sportit, pjesmarrës në veprimtari ndërkombëtare si në Samitin Botëror të Ujit në Stamboll, etj. Klara, vajza e vetme, talent në piano, çka e ka dëshmue edhe në koncertin e Selin Dion në Las Vegas të Amerikës, etj. Një nga katër fëmijët e tij, ma i vogli, mban emnin Wesliklark, në nderim mirënjohjeje për gjeneralin amerikan, Wesli Klark, komandant Suprem i Forcave të Bashkuara të NATO-s për Europën, që ishte një nga strategët e Luftës së Kosovës në vitin 1999, ndihmëtar i lirisë së saj së Kosovës. Pra, një familje e mirë në lartësi të kohës, me vizione e pasione për jetën e të nesërmen, me tradita e arritje. Njerëz të mirë në këtë kohë të vështirë.
6.
Vepra “Malziu…” është një enciklopedi shkencore, një vepër fletëhapur për brezat, një metodologji për të tjerët se si duhet shkrue një monografi për një krahinë shqiptare.
Një vend të veçantë në këtë vepër (fq. 219-240) zenë disa prej figurave të njohura të krahinës së Malziut, si: Andrea Kalimashi (1643-1687), Demë Simoni (mesi i shek. XIX), Rrustem Ukë Bajrami i Pistës (gjysma e dytë e shek. XIX), Tahir Sinani i Kalimashit (gjysma e dytë e shek. XIX), Hasan Rrahmani i Mëgullës (gjysma e dytë e shek. XIX), Ismail Arifi (…1912), Osman Ibrahim Hoxha i Dukagjinit (fundi i shek. XIX – fillimi i shek. XIX); Halil Mustafë Hasani i Pistës (1884-1912), Sali Aga (1854 – 1953), Tahir Aga e motra e tij, Lajle , Ramë Hoxha i Dukagjinit (fundi i shek. XIX e gjysma e parë e shek. XX), Ismail H. Muçaj, Mustafa Hoxha, etj.
Kadri Morina e ka provue vetveten si biznesmenë qyshse në kohën që punonte në vendlindjen e tij, me menaxhimin e prodhimit e tregtimit të esencës të rrëshirës së pishës, duke u arritë pesëfishimi i vlerës të ditëpunës në kooperativën bujqësore. Kësokohe, edhe pasi kërkoi të drejta të mohuara të babës së tij, Tahir Morinës, për qëndrimet e zgjuara e të prera në kohëprishjen e marrëdhanieve me Bashkimin Sovjetik, ndodhi ajo që (s)pritej: djaloshit Kadri Morinaiu vërsulën njerëz të vegjël në karrike të mëdha për ta implikue në gjyqin e jehonshëm të Kukësit për esencën e rrëshirës së pishës, prej nga doli me pafajësi. Në kohën kur punonte me rininë në ushtri në Tiranë, në vitin 1990, iu kërkue të sillte patate nga Kukësi, ku me shtimin e numrit të kamionave iu shtuan edhe të ardhurat. Në kohën e Lëvizjes Studentore të Dhjetorit ’90, në ditën e rrëzimit të shtatores së Enverit, vetheq zyrtarisht uniformën e zyrtarit ushtarak dhe ia fillon biznesit: I bleu katër fabrika buke nga Turqia. Nis edhe transportin e çimentos. Fillon të merret me ndërtimtari. Tevona, më 1998, ngre një zdrukdhtari për mobilje për firma ndërtuese. Para disa vitesh kreu dy blerje të mëdha: bleu Shoqërinë e Sigurimeve “EUROSIG” në Tiranë e me filiale në disa rrethe, bleu edhe bar-restorant “Piazza” në qënder të Tiranës (ish lokalin e shqiptaro-amerikanit të njohur, Ekrem Bardha). Merret edhe me ndërtime deri në Sarandë. Pra, Kadri Morina, nuk është nga ata “biznesmenët e klonuar” apo “biznesmenët në inkubator” që punojnë me lekët “e tepërta” apo “të fshehta” të të tjerëve e për të tjerët, që i kemi jo të pakët në këtë kohë tranzicioni postkomunist. Nuk është as nga ata biznesmenë që u banë të fuqishëm me forcë apo mbi lotë. Kadri Morina është biznesmen i themeltë, i suksesshëm, i pathyeshëm, i pakthyeshëm, biznesmen i të djeshmes, i të sotmes dhe i së nesërmes.
Prof. as. dr. Shefqet Hoxha, Mësues i Popullit, tek vepra e tij shkencore “Malziu…”, në kryefalenderimin e tij për biznesmenin Kadri Morina (fq. 2) na i përcjell tri të veçanta të këtij biznesmeni sipërmarrës misionar: “Zemërgjerësia. Njeri me shpirt të ndjeshëm. Me dashuri të pamatë për visin e vet, Malziun”.
Kur ecën Kadri Morina hapin e ka të lehtë. Duket sikur Toka e mban peshë. Mëse realitet, pasi është nga të shumtit bij të kësaj Toke që nuk i bajnë randë Asaj, nuk i nxanë vend kot. Përkundrazi: me biznesin e humanizmin e tij, gjallnon e hijeshon në Tokën e vet etnike. Ai kontribuon që kjo Tokë të jetë një vend edhe ma i jetueshëm, edhe ma i lumnueshëm për rrënjët e degët e tij, për shoqërinë shqiptare bashkudhtare, për breza në vargni kohe. Ai mbetet i motivuar për vete dhe motiv për të tjerët. Njeri i Besimit, i Mendimit dhe i Veprimit. Në këtë Tokë të begatë edhe Kadri Morina e ka hisen e vet të meritueme me dije natyrale e të kultivueme dhe me sakrifica bohemike e praktike, e ka emrin e vet të mirë me punë të vyeshme e virtyte genetike.Në këtë Tokë të bekueme edhe Kadri Morina e ka hisen e vet të diellit natyror e atij hyjnor, i ka hapësirat vendore e kohore rrezatuese të veprimtarisë së vet në shërbim mirësor për familjen e njerëzit e tij, shoqërinë tonë, kombin shqiptar.
Tiranë, dhjetor, 2013