Nga Shefqet Kërcelli/
Baza Ushtarake e Durrësit i ka fillesat e saj që në krijimin e Flotës Shqiptare më 25 dhjetor 1925, pasi dy anijet e para që u blenë në Itali u bregëzuan në portin e Durrësit, nga ku nën drejtimin e Kapidan Ahmet Kapidanit filluan ruajtjen e kufirit detar shqiptar. Mbas clirimit u krijua një Komandë e vogël marine me komandant fillimisht zoti Celo Arëza dhe pastaj Kapiten Stavri Cika. Baza Ushtarako Detare Durrës{BUD}, u krijua mbi Bazën e Flotiljes së 66-të Luftarako-Detare si rezultat i riorganizimit të FLD, në tetor 1964. Në ditët e para të v.1965, mbrëmjen e 4 janarit, anijet dolën nga baza e Sazanit në një mot të trazuar dhe në agimin e datës 5 janar 1965 u bregëzuan në molin lindor të portit të Durrësit. Komandant i kësaj Flotilje u caktua Dashamir Ohri. Në maj të v.1971, mbas kryerjes së punimeve disa vjecare në Kepin e Palit, filloi zhvendosja e anijeve nga moli lindor i Portit në këtë bazë. Nga ky vit baza mori formë të plotë me infrastrukturë dhe anije, duke qenë një nga bazat më të rëndësishme të FLD. Në vite në këtë bazë kanë punuar, stërvitur e jetuar me qindra kuadro, detarë e specialist, të cilët e kanë mbajtur lart emrin e marinarit. Kuadro dhe mjete detare të asaj kohe kanë marë pjesë në stërvitjet më të rëndësishme të zhvilluara në rang Flote Luftarake, ndërsa marinarë të shërbimit të detyrueshëm mbas lirimit kanë plotësuar ekuipazhet e anijeve të Transportit Detar. Mbas viteve ’90 baza u bë protogoniste e aktiviteteve të para bashkëpunuese me Flotat Partnere të NATO-s, që nga zbatimi i embargos ndaj ishJugosllavisë deri tek stërvitjet e para paqeruajtëse, ku detarët tanë u vlerësuan për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar. Ngjarje me rëndësi për efektivin e Bazës ishte Vizita e ishSekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, të ndjerit Manfred Vërner, në mars 1993. Kjo ngjarje shtoi kurajon dhe vendosmërinë e detarëve për të arritur treguesit e standartet e Flotave Aleate. Në riorganizimin e këtij viti{1993} ishBUD-i u emërtua Distrikti i I-rë Detar i Forcës Detare, strukturë e cila u angazhua gjerësisht në zhvillimin e stërvitjeve të përbashkëta me strukturat e tjera të Forcave tona të Armatosura dhe me anije të vendeve anëtare të NATO-s për mbi dy dekada. Vitin e kaluar në këtë bazë u zhvillua finalja e stërvitjes “Albanian-Lion-2014”, me pjesmarrjen e trupave Shqiptare, Britanike dhe të FSK. Ndërkohë, në zbatim të misionit të tyre, efektivat e Distriktit Detar Durrës kanë zhvilluar dhjetra operacione kërkim-shpëtimi dhe të zbatimit të ligjshmërisë detare, kryesisht në zonën e tyre të përgjegjsisë, nga derdhja e Semanit deri në atë të lumit Buna. Zhvillimi, transformimi dhe modernizimi i Bazës ka ecur paralel me zhvillimin e Forcës sonë Detare. Gjatë këtyre viteve struktura e bazës ka ndryshuar dhe i është përshtatur koncepteve të reja për zhvillimin e Forcës Detare në projekte afatshkurtëra, afatmesme dhe afatgjata. Aktualisht ajo funksionon si bazë detare, ku një personel kuadro dhe detarë profesionistë, bashkë me mjete detare të nevojshme kryejnë detyrat e caktuara dhe janë të gatshëm për cdo emergjencë ose fatkeqësi detare në rajonin e caktuar detar.
Punë, përkushtim e fillim të mbarë për zbatimin e detyrave të vitit 2015
Në një ditë të zakonëshme, baza zgjohet nga përhumbja e natës. Kuadrot dhe detarët i drejtohen anijeve të tyre për të provuar gatishmërinë ose për ti bërë shërbimet e radhës. Dikush sapo është kthyer nga lundrimi i radhës dhe con në vend pajisjet dhe mekanizmat para se të largohet, të tjerë kryejnë punime e riparime të ndryshme në godinat apo infrastrukturën e shtrirë të kësaj baze. Komandant i ri i Bazës, Kapiten i Rangut të III-të Besnik Cami, është caktuar në këtë detyrë fundvitin e kaluar. Ai vjen në këtë punë mbas një eksperience disa vjecare në det e kualifikimi të admirueshëm si kuadër. Kam shërbyer dhe më parë në këtë bazë, thotë komandant Besniku, ndaj tani përgjegjsia ime është e dyfishtë, duhet të përmirësoj shumë gjëra në këtë bazë, që më duken sikur janë lënë në harresë. Si Komandant i Grupit të II-të të Anijeve, bashkë më kolegët e mi së pari, tregojmë kujdes për gatishmërinë dhe mirmbajtjen e anijeve, thotë kapiteni. Kjo për faktin se nga dhjetori i vitit të kaluar dhe këto dy muaj të vitit 2015, anijet tona kanë patrulluar thuajse cdo ditë nga Semani deri në derdhje të lumit Buna. Jo thjesht prej grafikëve patrullues, por dhe për shkak të fatkeqësive detare, Anija “Iliria”, P-131, “Lissus”, P-133, P-04, P-01,{Archangel}, Motovedeta 118, 110, kanë patrulluar rregullisht për zbatimin e ligjshmërisë detare, verifikim, ndalim e gjobitje të peshkimit të paligjshëm, monitorim të trafikut detar, kontrolli i hyrje daljeve të anijeve të ndryshme, por dhe operacionet e kërkim-shpëtimit në fatkeqësitë detare të fundit. Kështu vetëm në muajin dhjetor të v.2014, nga anijet e kësaj baze u përshkuan rreth 1244 milje lundrime. Pamvarësisht vështirësive, janë shtuar përpjekjet për eleminimin e difekteve të ndryshme në anije, për ti pasur ato të gatshmë për lundrim. Masat janë shtuar dhe për sigurinë e bazës dhe objekteve, krahas të tjerave, teknikët Lek Ndoi, Iljaz Kotobelli, etj, kanë siguruar ndricimin 100% të objekteve. Për realizimin e detyrave të shumta të këtij viti, ku përfshihen dhe disa stërvitje me partnerët e huaj janë përfshirë të gjithë kuadrot dhe detarët e bazës, por do vecoja kuadrot Edison Hoxha, Silvan Boni, Haki Stafa, Fredi Mara, Sabri Idrizi, etj. Gjithashtu pjesë e punës në bazë është përgatitja dhe kualifikimi i kuadrove dhe personelit, marrja e të drejtës lundrimore nga oficerët e rinj, psh. N/lejtnant Alban Ademaj dhe Jetnor Balla, por dhe shkëmbimi i përvojës së fituar nga kuadrot që kanë studjuar në akademitë e NATO-s, kryesisht në SHBA. Është fakt që me riorganizimin e ri, jeta në bazën e Kepit të Palit është gjallëruar. Për këtë ka ndikuar ndjeshëm Vendimi i marë nga Ministri i Mbrojtjes, Qeveria dhe Parlamenti shqiptar për thellimin e kanalit hyrës në basenin e bazës, i cili nuk është thelluar ka disa vite, duke vështirësuar hyrje–daljet e anijeve në Bazë. Vendimi i Qeverisë dhe caktimi i fondit për këtë projekt të vecantë ja ka shtuar besimin dhe përkushtimin në punë efektivit të bazës. Ata po punojnë intensivisht që baza në vitin 2015, të risë ndjeshëm kapacitetet operacionalë e prezencën e saj për cdo emergjencë detare.
Grupi i ushtarakëve të Task-Forcës së FSK e përfundoi me sukses misionin në Shqipëri
Në ceremoninë përcjellëse të tyre mori pjesë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral-major Jeronim Bazo /
Nga Shefqet Kërcelli /
Gjatë këtyre ditëve të vështira për popullin shqiptar si rezultat i përmbytjeve të jashtëzakonëshme kryesisht në zonën jugore të vendit, nuk mungoi as ndihma e popullit dhe shtetit të Kosovës. Pjesë e kësaj ndihme ishte dhe kontributi i vecantë që dha një grup ushtarakësh të FSK, pjesë e Task-Forcës së Regjimentit të Mbrojtjes Civile. Kështu djemtë me uniformë të FSK, nga data 4 deri më datën 9 shkurt 2015 morën pjesë në operacionin për stabilizimin e situatës së ujit në basenin e rezervuarit të Manskurisë. Drejtuesi i këtij grupi N/toger Drilon Llalloshi na tregon punën që u bë nga ushtarakët e FSK, për të larguar ujin e tepërt të basenit nëpërmjet motopompave, pamvarësisht vështirësive të motit e terrenit. Kështu ky grup bashkë me struktura të tjera të Ushtrisë Shqiptare, si Qendrën e Zhytjeve Pashaliman dhe një Togë të Brigadës së Mbështetjes Rajonale, bënë të mundur nxjerrjen e ujit të tepërt nga diga si dhe zhbllokimin e tubit kryesor dhe kolektorit të këtij rezervuari, duke mënjanuar një rrezik e katastrofë natyrore për zonën Golem-Kavajë. Gjatë ditëve të qëndrimit në Shqipëri ushtarakët e FSK u shoqëruan nga kapiten Anton Legisi, Komandant i Qendrës Mobile të ASNI. Në respekt të kontributit të vecantë që dha ky grup ushtarakësh për vendin tonë në përballimin e situatës së vështirë të përmbytjeve, para largimit nga vendi ynë, në ambientet e Shtëpisë së Pushimit të Ushtarakëve Durrës, u zhvillua një ceremoni e thjeshtë përcjelljeje, ku mori pjesë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral-Major Jeronim Bazo. Duke ju drejtuar ushtarakëvë të FSK, Gjeneral Bazo tha se së pari, ju sjell urimet më të mira dhe mirënjohjen më të thellë në emër të Ministrit të Mbrojtjes dhe Prefektit të Tiranës, zotit Sadik Vorpsi. Fjalët më të mira dhe urimet më të përzemërta i keni nga banorët e zonës dhe nga ana ime. Ju në emër të popullit e shtetit të Kosovës na u gjendët pranë në këto moment të vështira, duke treguar shpirt humanizmi e fisnikërie. Pamvarësisht sasisë e mjeteve, rëndësi ka mesazhi i këtij akti human, që kur bashkohen forcat, puna bëhet më mirë, njëkohësisht shpalosen dhe vlerat profesionale. Në si ushtarakë në momëntin e duhur bëjmë atë që kërkohet, pa fjalë , pa llafe, nuk presim falenderime por vazhdojmë para, theksoi Gjeneral Bazo. Në fund Shefi i Ushtrisë Shqiptare, falenderoi Popullin e Qeverinë e Kosovës, Shefin e Shtabit të FSK, Gjeneral Kastratin, për gatishmërinë e treguar në eleminimin e pasojave të këtyre përmbytjeve të pazakonta në Shqipëri. Pjesë e kësaj ndihme ishte dhe ky grup i vogël ushtarakësh, që meriton ndere dhe lavdërime për korrektësinë dhe punën që bëri këto ditë për stabilizimin e ujit në rezervuarin e Manskurisë.
Një muaj mbas tragjedisë së “Norman Atlantic”
Flet kapiteni i Rimorkiatorit “Adriatiku”, zoti Petrit Cila:-Ja si nuk e lamë tragetin “Norman Atlantic” të përplasej në bregun shqiptar./
Nga Shefqet Kërcelli*/
Po kalon një muaj nga tragjedia e tragetit “Norman Atlantic” dhe jehona e këtij aksidenti të rrallë detar ende nuk është shuar, pasi në brigjet matanë Adriatikut vazhdojnë ende analizat dhe hetimet për shkaqet që cuan në këtë ngjarje të pazakontë.Ndërkohë detarët tanë civilë dhe ushtarakë ende jetojnë me kujtimet e atyre ditëve të vështira kur u përballën me detin e egër për të parandaluar tragjedinë detare.Por ajo që më shqetësoi të sjell në vëmëndjen e opinionit publik është mungesa e vëmendjes nga mediat tona për kontributin real që dhanë Rimorkiatorët e Kompanisë së Mjeteve tona Detare në parandalimin e pasojave që mund të sillte një përplasje e tragetit “Norman Atlantic” në cdo segment të bregdetit shqiptar. Është fakt që si drejtuesit e kësaj kompanie të suksesshme shqiptare ashtu dhe kapitenët e ekuipazhi i Rimorkiatorëve janë modestë dhe të rezervuar për të folur për ndihmën konkrete që dhanë në këtë ngjarje, e cila mund të kishte marrë përmasa të jashtëzakonëshme për bregdetin tonë. Tabloja e mjeteve që morrën pjesë në këtë operacion detar është gjysmake pa pasqyruar punën dhe vështirësitë me të cilat u përballën detarët e RM “Adriatiku”. Sipas detyrës që morëm nga drejtuesit e kompanisë u nisëm më datën 29 dhjetor, ora 10.30 nga porti i Durrësit, tregon Kapiteni i RM “Adriatiku” Petrit Cila. Deti ishte 5-6 ballë dhe era V-VP-VL. Në orën 16.30 të kësaj dite ne ishim një milje larg tragetit të djegur, i cili ishte braktisur rreth 4 milje nga Veriu i Sazanit dhe po kaq nga Jugu i derdhjes së Vjosës. Në vendngjarje ishim 4 RM italianë e grekë dhe dhe 2 RM shqiptarë. Ndërkohë kapiteni i anijes “Lissus” na konfirmoi faktin që trageti ishte i braktisur dhe era e fortë po e conte drejt brigjeve shqiptare. Rreziku ishte permanent. Krahas zjarrit, trageti mund të sillte një ndotje të paparë, bashkë me të dëmet ekologjike. Ne u ndodhëm atje në kohën dhe vendin e duhur, thotë kapiteni. Ishte gjë e mirë që ata kishin lënë një cimë në bash dhe një cimë në kic, thotë marinari Gjergj Bicaj. Tragetet dhe anijet e tjera italiane dhe greke që ndodheshin në rajon nuk mund ta kapnin cimën, pasi nuk mund ti afroheshin “Norman Atlantic”, kështu që kjo barrë i ngeli RM “Adriatikut”. Aty detarët tanë të sprovuar Gjergji, Shpëtim Brahimaj, arritën të kapin cimën dhe ta lidhin tek kallumi i “Adriatikut”. Bëjmë të pamundurën për kapjen e cimës në bashin e anijes. Nga kjo orë e në vazhdim trageti u mbajt i sigurt nga RM ynë. Ne e mbajtëm tragetin ne kujdes. Hidhnim ujë për të ruajtur cimën mos digjesh. 48 orë tension, ankth, përballje me valët e egra të detit. E njejta situatë vazhdoi deri më datë 31. Kështu tragetit “Norman Atlantic”, i lënë në mëshirë të fatit i doli zoti Rimorkiatori ynë, thotë kapiten Cila. E mbajtëm për dy ditë të karikuar, duke u krijuar mundësi mjeteve të tjera të hidhnin ujë e të manovronin lirshëm. Ndërkohë RM “Adriatiku” hidhte ujë në traget dhe cimë për të mos e lejuar atë të digjet. Kështu ekuipazhi i RM “Adriatiku”, i përbërë nga Kap. Petrit Cila, Oficer Alban Hoxha, k/mekanik Ilir Duka, elektricist Ali Guci, mekanikët Kledi Hamiti dhe Ervis Tonuzi, si dhe marinarët Gjergji Bicja dhe Shpëtim Brahimaj, sakrifikoi shumë në këtë aksident detar. Rimorkiatori “Adriatiku” mbajti peshën kryesore në këtë operacion të vështirë. Ekuipazhi i tij e mbajti të lidhur tragetin për dy ditë, në cdo cast merrnim urdhërin”- mos e lëshoni! Dhe ne nuk e lëshuam atë deri në orën 10.00 të datës 31 dhjetor, kur deti ra dhe erdhën rimokiatorët nga Italia, si kofini mbas të vjelit. Italianët nga që kishte zjarr sa afroheshin dot ditën e parë, pastaj kur e morën me det të qetë, na thanë pse erdhët, thotë elektricisti Ali Guci. Me përpjekjet e përkushtimin tonë ne bëmë që nata e ndrimit të viteve mos sillte lajm të keq për tre popujt fqinj, vecanërsiht për shqiptarët, shprehen detarët e “Adriatikut”. Ndërsa autoritetet e anijeve ushtarake na falenderuan, drejtuesit e mjeteve civile nuk denjuan të thonë një fjalë mirënjohje. Por operacionin tonë humanitar e vlerësoi mbarë opinioni në dy brigjet e Adriatikut, pamvarësisht kush i mori lëvdatat. Në fund të fundit sakrificat e ekuipazhit tonë i di zoti, thotë kapiten Petriti, ne zbatuam një detyrë të autoriteteve shqiptare, pasi trageti ishte brenda ujërave tona. Teksa shohim dhe cimën e mbledhur të tragetit “Norman Atlantic” në kicin e RM “Adriatiku”, ndjehemi krenarë me këta njerëz fisnikë e guximtarë, që rrezikuan jetë e tyre për të shpëtuar jetë të tjera. Por nuk është ky rasti i parë që Rimorkiatorët e kompanisë së Mjeteve tona detare marrin pjesë në operacione të tilla, ata dhe herë të tjera kanë marrë pjesë në operacione kërkim-shpëtimi, krahas institucioneve shtetërore, duke shkruar kështu historinë e tyre të ndritur në detarinë shqiptare. Dhe këtë histori të shkruar mbi dallgët e detit e bëjnë kapitenë të zotë si Petrit Cila, mekanikët e marinarët e zotë të këtyre mjeteve, lavdia e transportit tonë detar. Dikush mund të thotë:-vonë folët për këta detarë?! Por, më mirë vonë se kurrë, për të plotësuar boshllëkun mediatik të krijuar nga fatkeqësia detare e “Norman Atlantic” dhe për të evidentuar kontributin e mjeteve tona detare, një aset me vlerë për ekonominë dhe transportin tonë detar.
* Autori eshte bashkepunetor i Diellit
Ledia Goga, shkencëtarja farmaceutike në Boston
Nga Shefqet Kërcelli*/
Ëndërronte të ishte dentiste në një klinikë në Durrës, por sot punon në Boston, si ndërlidhëse kliniko-shkencore për kompaninë farmaceutike “Boehringer Ingelheim”. Vajza nga qyteti bregdetar i Durrësit, Ledia Goga, u largua nga Shqipëria në gusht të vitit 1996, por, pamvarësisht se kanë kaluar 18 vjet, ajo është e bindur se do të mbetet përgjithmonë në mes të dy kulturave, asaj shqiptare dhe asaj amerikane. E lindur në Shqipëri dhe e arsimuar profesionalisht në Amerikë, Ledia nuk mund të ndihet 100 për qind pjesë e asnjërës shoqëri. Ajo ka një personalitet të vecantë, me përkatësi të plotë vetëm në grupin e emigrantëve si vetë ajo, me rrënjë diku në mes të Atlantikut. Pavarësisht rrugës së gjatë e të vështirë të integrimit, Ledia ishte me fat që iu dha mundësia për t’u shkolluar në Amerikë. Në mesin e viteve 90 -të shekullit të kaluar, shumë bashkëmoshatarë të saj përpiqeshin të gjenin mënyra të ndryshme për ta ndërtuar të ardhmen e tyre jashtë Shqipërisë së tranzicionit. Është interesante se sa forcë ka rastësia në përcaktimin e drejtimit të jetës të Ledias. Pasi mbaroi gjimnazin “Gjergj Kastrioti” në Durrës, ju desh të zgjidhte midis konkursit të stomatologjisë dhe atij të anglishtes, sepse ishin të dy në një ditë. Por vajza e re zgjodhi stomatologjinë dhe, për fat të keq, nuk e fitoi. Arsyet nuk i di edhe sot e kësaj dite, sepse konkurruesit nuk kishin të drejtë të shihnin apo t’i diskutonin përgjigjet e pyetjeve të komisionit. Ato mbeteshin përfundimisht mbrapa dyerve të mbyllura, ku bëheshin pazaret e radhës. Vitin që vijoi Ledia aplikoi për të filluar studimet si përkthyese në Xhenova, Itali, dhe si studente e përgjithshme në Amerikë. Atë verë iu desh të zgjidhte përsëri, por këtë herë midis Italisë dhe Amerikës, sepse viza italiane dhe bursa amerikane erdhën në një dite. Zgjodhi rrugën e Amerikës; Një vendim që përcaktoi drejtimin e 18 viteve më pas. Në kolegj nxënsja e shkëlqyer e “Gjergj Kastriotit” zgjodhi degën e biologjisë dhe më pas doktoratën në fiziologji, në University of Louisville, Kentucky, sepse shkenca e biologjisë e ka tërhequr që kur ishte nxënëse në qytetin e saj bregdetar. Interesi e pasioni për të ju zgjuan që në klasën e pestë, me mësuese Sosen, në shkollën “Mujo Ulqinaku”, dhe më pas u përforcuan nën ndikimin e pedagogut Michael Capp në kolegjin “Carlow College”, në Pittsburgh, Pennsylvania, i cili ja prezantoi përsëri biologjinë me një elokuencë e mjeshtëri të rrallë pedagogjike. Pas vitit të parë të kolegjit, fondet e bursës nga Shoqata Kulturore Shqiptaro-Amerikane mbaruan dhe studentja e biologjisë u ndodh në mes të një udhëkryqi shumë të vështirë:-ose të kthehej mbrapsht në Shqipëri, ose të vazhdonte të luftonte, të punonte çfarëdolloj pune e të studionte njëkohësisht, për të përballuar taksat e shkollës dhe jetesën. Rezultatet e larta në provime e ndihmuan vetëm pjesërisht, sepse, duke qenë studente e huaj, bursa e pjesshme që i jepte universiteti ishte shumë e vogël. Pavarësisht se vështirësitë financiare për t’u diplomuar e për të përballuar jetën në një vend të huaj ishin të rënda mbi shpatullat e një adoleshenteje, deri atëherë “e mbrojtur” nga kujdesi dhe dashuria e prindërve, Amerika gjithmonë e ka shpërblyer vullnetin, sakrificën dhe këmbënguljen e emigrantëve në baza meritokracie. Për këtë shumë djem e vajza shqiptare e respektojnë gjithmonë vendin ku vendosën të studiojnë e të jetojnë, pasi, ashtu siç thotë shprehja e mençur amerikane, “Ajo që nuk të vret, të bën më të forte!”. Ky është një parim bazë, mbi të cilin është ndërtuar kultura e punës amerikane dhe përpjekjet e tyre të pandalshme për të ecur përpara. Pa i harruar sakrificat e së kaluarës, prirja e natyrshme e Ledias është të fokusohet tek e tashmja dhe te sfidat e tanishme të realitetit të saj profesional. Porse ky profesion ende nuk njihet në Shqipëri, në mungesë të kompanive farmaceutike që bëjnë kërkime klinike dhe hedhin në treg medikamente të reja.
Ledia Goga shërben si ndërlidhëse e shkencës klinike ndërmjet kompanisë “Boheringer Ingelheim” dhe mjekëve ekspertë pulmonologë në rajonin e New England, që përfshin shtetet Massachusetts, New Hampshire, Maine, Vermont dhe Rhode Island. Në SHBA, industria farmaceutike është tepër e mbikëqyrur nga qeveria amerikane, nëpërmjet Administratës së Ushqimit dhe Medikamenteve (FDA). Çdo medikament i ri që hidhet në treg duhet të kalojë teste klinike rigoroze të efikasitetit, por edhe të padëmshmërisë te pacientët përkatës. Këto teste janë investime miliona dollarëshe dhe, për të qenë i suksesshëm në treg, sugjerimet e mjekëve ekspertë për vlerat e medikamentit të ri janë të një rëndësie thelbësore. Detyra e saj është të ndërtojë ura lidhëse midis interesave tregtare të “Boehringer Ingelheim” dhe interesave kliniko-shkencore të ekspertëve pulonologë që praktikojnë në New England. Me takimet që ajo organizon i mban të dyja palët në dijeni të studimeve të reja klinike dhe zbulon ku kanë interesa të përbashkëta për të investuar më tej në fushën e pulmonologjisë. Ledia Goga ndihet shumë e realizuar në këtë profesion, sepse e bën t’i mbajë aktuale njohuritë në fushën e pulonologjisë, si edhe të komunikojë vazhdimisht me mjekë shkencëtarë të shquar në fushën e tyre me statusin e klientit, por edhe atë të kolegut brenda kompanisë së saj. Përvoja e saj si emigrante në Amerikë mbetet pozitive, sepse sakrificat shpërblehen si nga ana intelektuale dhe ato materiale. Ashtu si edhe mjaft bashkatdhetarë të saj në Europë e kudo nëpër botë, të prezantuar denjësisht me dijet e tyre, Ledia nuk e ka ndier diskriminim etnik thjesht sepse nuk ka lindur në Amerikë, apo sepse anglishten e flet me theks të huaj. Detyra e saj ishte të konkurronte për të njëjtat shkolla, bursa dhe mundësi pune ashtu si vendasit, por zgjedhjet u bënë gjithmonë në bazë të vlerave të saj akademike, eksperiencës profesionale dhe rekomandimit të pedagogëve dhe kolegëve. Kjo meritokraci është një nga arsyet e progresit amerikan që duhet të frymëzojë çdo person në Shqipëri që ka në dorë CV-në e një kandidati për universitet apo punësim.
Le ti urojmë shkencëtares së re durrsako-amerikane suksese në kërkimet e saj farmaceutike!
* Përshtati nga revista “Elite”, për “Diellin”, Shefqet Kercelli
Përballja me krimin dhe terrorizmin në det…
Nga Shefqet KERCELLI/
Paraditen e datës 23 janar 2014, në Qëndrën Ndërinstucionale Operacionale Detare {QNOD} u zhvillua analiza për realizimin e detyrave gjatë vitit 2014. Në analizë morën pjesë Drejtues e përfaqsues të Dikastereve e Institucioneve përbërëse të kësaj Qendre si, Ministria e Mbrojtjes, e Brendshme, Transportit, e Financave, e Bujqësisë dhe e Mjedisit. Gjithashtu morën pjesë zotërinjtë, M.Stickevers, përfaqsues i ICITAP-it, zoti Ralph Shield, atashe ushtarak i SHBA në vendin tonë, Kolonel Francesco Guarini, Komandant i Guardia Di Financa, etj. Në analizë mori pjesë dhe Zoti Petro Koci, Zvëndës Ministër i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë. Fillimisht Gjeneral-major {R}, Maksim Malaj, Drejtor i QNOD i uroi mirëseardhjen pjesmarrësve dhe bëri një rezyme të punës së këtij Institucioni të rëndësishëm për zbatimin e ligjshmërisë detare në ujërat tona territoriale. Zoti Malaj e vuri theksin në punën e bërë gjatë vitit të kaluar nga QNOD si dhe nevojat për përmirësim. Ai theksoi përpjekjet për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhezbatimin e përmirësimin e legjislacionit aktual nga cdo institucion. Në përputhje me Strategjinë Kombëtare të menaxhimit të Kufirit, gjatë vitit 2014, me vënien në gatishmëri të Sistemit të Vëzhgimit Detar nga Forca Detare, janë shtuar kapacitetet survejuese dhe operacionale të qendrës, si dhe është rritur efektiviteti ndaj aktiviteteve kriminale në det. Kështu nga personeli dhe mjetet e institucioneve përkatës janë zhvilluar 89 operacione kundër trafikut të drogës, personave dhe armëve, 34 operacione kërkim-shpëtimi dhe 31 operacione kundër peshkimit të paligjshëm. Pra, kjo tregon se prezenca e shtetit shqiptar në kontrollin e hapësirës detare dhe rritjen e sigurisë në të po rritet nga viti në vit. Aritja e këtyre rezultateve është bërë e mundur jo vetëm nga përmirësimi i teknologjisë e aparaturave në përdorim, por dhe përpjekjet e vazhdueshme për aftësimin e personelit të gjithë strukturave pjesmarrëse . Në përgatitjen e personelit ka ndihmuar dhe asistenca e ICITAP, e PAMECA IV, stërvitjet e kryera me Flotën e VI-të të SHBA, me Qendren e Simulimit të KDS, me qëndrën homologe të Malit të Zi, etj.Në vijim zoti Malaj trajtoi probleme të gatishmërisë teknike të sistemeve, të realizimit të buxhetit dhe sfidat e forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional e rajonal të QNOD. Nga ana e Tij, Komandanti i Forcës Detare, Gjeneral Shkurti nënvizoi bashkëpunimin me subjektet e tjera dhe angazhimin e Forcës Detare si me Sistemin e Vëzhgimit Detar, ashtu dhe me personel e mjete për përmbushjen e detyrimeve institucionale. Në krahasim me vitin 2013, prezenca e Rojes Bregdetare ka qenë më e madhe gjatë vitit që lamë pas. Gjenerali shtroi domosdoshmërinë e ndëshkimit për shkelsit e ligjit, vjeljen e taksave, ngritjen e ekipeve të përbashkëta me policinë kufitare, peshkimin dhe antikontrabandën gjatë patrullimeve, përmirësimin e kuadrit ligjor për eleminimin e mbivendosjes me Ligjin e Rojes Bregdetare,etj. Është gjë pozitive vendosja si praktikëe metodë pune e analizës së ngjarjeve dhe nxjerrja e përgjegjsive individuale dhe kolektive, nënvizoi zoti Shkurti. Një rast i tillë ishte analiza që ju bë fatkeqësisë detare të tragetit “Norman Atlantic”. Në fund zoti Shkurti theksoi se gjatë këtij viti, 2015, Roja Bregdetare ka mbështetjen e nevojshme logjistike për të përballuar cdo operacion në det. Drejtori i Administratës Detare, zoti Gazmir Tahiri vlerësoi ecurinë dhe rezultatet e arritura nga QNOD, si dhe domosdoshmërinë e saktësimit të kompetencave të drejtuesit të këtij institucioni. Më pas Ai evidentoi mungesën e burimeve njerzore për prezencën e kapitenerisë në QNOD, nevojën e përmirësimit të bazës material e, pasjen e një ekipi permanent{Stand Bay} për cdo emergjencë detare, i cili të ketë dhe mjete riparuese për mjetin e aksidentua. Aktualisht, vendit tonë i mungon një hallkë e tillë, theksoi kapiten Tahiri. Ka një problem konceptual në trajtimin e kësaj cështje, që lidhet me ndryshimin e një emergjence tokësore nga ajo detare. Kuptohet që një njëri me këmbë në det, me atë me një këmbë në tokë nuk mund të krahasohet.Ndërsa është i nevojshëm përmirësimi i kuadrit ligjor ku ne shpesh ngecemi. Mendoj se përdorimi i sistemit të rotacionit për drejtimin e QNOD, do ishte më rezultativ në të ardhmen e QNOD, përfundoi diskutimin kapiten Tahiri. Zoti Zamir Shtylla, drejtor në Ministrinë e Financave, vuri në dukje nevojën e kulturës profesionale të gjithë aktorëve në QNOD, shfrytëzimin e bazës logjistike ekzistuese, se ne nuk kemi komoditetin e një bazë e kushte ideale. Besim reciprok në dhënien e shkëmbimin e informacionit, përfshi dhe vendet partnere, mënjanimin e dualitetit të pushteteve e ndjenjës së unit, vënia në lëvizje e cdo potenciali e mjeti institucional për rritjen e efektivitetit të QNOD, etj. Tashmë QNOD duhet ta pranojmë të gjithë si strukturë dhe të bashkëveprojmë për ta fuqizuar atë, theksoi zoti Shtylla. Drejtues i Parë Xhevair Karaj, përfaqsues në Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit, shtroi ceshtjen e përmirësimit të vëzhgimit në hapësirën detare , eleminimin e zonave të pambuluara, afrimi sa më afër buzës së ujit dhe për mjete deri në 5 m gjatësi, gjë që kërkon teknologji të re. Sigurisht që dhe për këto Komanda e Forcës Detare ka projekte në të ardhmen. Në lidhje me këtë cështje serioze, sepse pa zbulim s’ka asnjë operacion, mirë do ishte që të vazhdonte bashkëpunimi me Kompaninë “Lockhhed Martin”, si për riparimin e sistemit aktual të vëzhgimit, ashtu dhe për zvogëlimin e rajoneve të pambuluara. Drejtues Karaj evidentoi nevojën e përmirësimit të radiokomunikimit për një bashkëpunim më të mirë gjatë operacioneve të përbashkëta me aktorët e tjerë. Nga ana e tij, Ilir Nako, specialist në Ministrinë e Mjedisit, në emër të eprorëve të tij, vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me QNOD dhe Rojen Bregdetare, si në parandalimin e eleminimin e ndotjeve në det, ashtu dhe për peshkimin e paligjshëm. Aktiviteti në këtë drejtim do shtohet në zbatim të planit kombëtar të mjedisit. Qartësimi i linjës së komandim-kontrollit dhe saktësimi i pikave të kontaktit mes aktorëve, ka rëndësi parësore në operacionet detare, theksoi Kolonel Ahmet Leka,komandant i Qendrës së Bashkuar Operacionale{QBO} të FA.Tashmë dhe helikopterët tanë janë pajisur me mjete shpëtimi dhe veshje për zhytësat. Në vijim kolonel Leka theksoi nevojën e planit kombëtar të kërkim-shpëtimit dhe marrëveshjen me tre fqinjët për zonat e përgjegjsisë, probleme të cilat ne i kemi trajtuar më parë tek Gazeta Dielli. Zoti Arjan Demiri, drejtues në Ministrinë e Bujqësisë, përmendi aksionet e kryera për parandalimin e peshkimit të paligjshëm, vendosjen në gatishmëri të sistemit Bluebox, trajnimin e personelit për këto aparatura, etj. Nga ana e tij, Zoti Mark Stickevers, përfaqsues i ICITAP, në QNOD vlerësoi punë e QNOD dhe përmirësimin e saj mbas vendosjes në gatishmëri të Sistemit të Vëzhgimit të Hapësirës Detare. Duhet ta kemi të qartë se niveli aktual i QNOD, është pasqyrë e nivelit të institucioneve që ju drejtoni, tha zoti Stickevers. QNOD mbështetet mbi konceptin reargues, parandalues. Nëpërmjet zbulimit, informimit të vazhdueshëm, shfrytëzimit të kapaciteteve e aparaturave ekzistuese, shërbimeve inteligjente, njohjes dhe mbajtjes nën kontroll të situatës detare, është bërë i mundur ndalimi i mjeteve me shkelje ligjore. QNOD ka informacionin e nevojshëm për cdo situatë detare, për cdo mjet, kush hyn dhe kush del në ujërat shqiptare, kjo duhet fuqizuar me ato mjete që ka cdo institucion. Tashmë QNOD e ka një VKM, mirë është që ta lexojë cdo drejtues institucioni dhe të zbatojë detyrimet. Natyrisht dhe në të ardhmen bashkëpunimi i ICITAP do vazhdojë, në drejtim të trajnimeve, testeve praktike, shkëmbimin e informacionit, etj. përfundoi zoti Stickevers. Më konsideroni si të shtëpisë , ndaj mbani flamurin e Guardia Financës në tavolinë, e filloi diskutimin Kolonel Francesco Guarini, Komandant i Guardia Di Financës{GF} në Shqipëri. Kemi vite që bashkëpunojmë me institucionet tuaja, vecanërisht kundër trafikut të drogës, një kundërshtar i vjetër ky. Është e nevojshme parandalimi i këtij trafiku që në tokë. Pastaj në det puna shtohet, se kundërshtari përdor të gjitha mjetet që nga ato 5 m gjatësideri tek mjetet e peshkimit. Por tashmë kemi dhe një kundërshtar të ri, terroristët, ndaj nqs nuk marrim masa sistemi ynë dështon. Këto cështje kryesore u diskutuan dhe gjatë vizitës së Ministrit të Brendshëm Italian në vendin tonë këto ditë, tha Kolonel Guarini. Marr shkas nga ngjarja me tragetin “Norman Atlantic”, ku në zyrat e kontrollit të vendeve tona fqinje, anëtare të BE, ka neglishenca në kontroll, e jo më pastaj në anije tregtare apo peshkimi. Të gjitha institucionet detare gjenden në një luftë të përhershme kundër trafikut dhe terroristëve, ndaj ne duhet të jemi bashkë dhe sy hapur, përfundoi Koloneli i GF. Ju falenderoj për ftesën që më bëtë, për të marrë pjesë në këtë forum të vecantë të shtetit shqiptar, nënvizoi kapiten i Rangut të II-të Ralph Shield, atashe ushtarak i SHBA në vendin tonë. Është kënaqësi kur sheh përfaqësues të institucioneve të ndryshme të diskutojnë hapur për detyrat e misionin kryesor që ka të bëjë me sigurinë detare. Shumë gjëra lidhen me koston, por ka dhe mënyra të ndryshme për zbutjen e efekteve buxhetore. Psh. Sisteme të ndryshme komunikojnë me njëri-tjetrin, para se të mendosh të blesh një të ri. Sigurish ky institucion i ri ka nevojë për mbështetje e përmirësim legjislacioni, një process që duhet të vazhdojë. Duke pasur një mision kompleks, QNOD ka vështirësitë e veta të drejtimit, theksoi Kapiten Shield. Zoti Petro Koci, Zv/Ministër i Mbrojtjes, i sapo emëruar në këtë detyrë, së pari falenderoi zotin Malaj dhe personelin e QNOD për arritjet e deritanishme. Para këtij takimi të parë u informova për rolin që ka QNOD, si institucion i rëndësishëm i shtetit shqiptar për sigurinë detare të njerzve, mjeteve dhe mjedisit, tha Ai. Diskutimet e sinqerta , bashkëpunimi ndërinstitucional, ndihma dhe këshillat e partnerëve, sfidat e së ardhmes, janë domethënëse për këtë qëndër. Mendoj se ka ardhur koha të shohim nga e ardhmja, së pari në institucionalizimin e mëtejshëm të qendrës. Përmirësimin e VKM ekzistuese, i procesit të emërimit, vartësisë e përbërjes së QNOD. Zbatimi i regjimit dhe rregullave të informacionit, institucionalizimi i buxhetit e aseteve të QNOD, bashkëpunimi ndërdikasterial dhe me partnerët, modernizimi i teknologjisë, por më parë të përdorim efektivisht atë që kemi, të jenë funksionale. Ndërkohë ne si Ministri po hedhim hapat e duhur për të krijuar mardhënie institucionale me kryeministrin, duke i dhënë zgjidhje ligjore këtij problemi, theksoi Zvministri Koci. Në mbyllje Ai shprehu besimin se të gjitha institucionet e QNOD do venë asetet dhe kontributet e tyre për të rritur sigurinë detare në vendin tonë si dhe luftën ndaj trafiqeve të ndryshme, krimit të organizuar dhe akteve terroiste.Mbas kësaj analize të rëndësishme për problematikën detare në vendin tonë zoti Koci zhvilloi një vizitë të shkurtër në sallën operacionale “Fiqiri Kupe” dhe Komandën e Forcës Detare.
- « Previous Page
- 1
- …
- 38
- 39
- 40
- 41
- 42
- …
- 44
- Next Page »