Më 23 tetor 2016, Shoqata Shqiptaro-Amerikane e Grave të Arizonës organizoi manifestimin jubilar, që u mbajt për të dhjetin vit me radhë, kësaj here në nderim të shenjtërimit të Nënë Terezës./Nga Hajro HajraArizona, SHBA/
Janë jo më shumë se dy-tri ditë të vitit kur shqiptarët e Arizonës organizojnë manifestime masive, kur takohen e bëhen bashkë për të festuar ditët e shënuara kombëtare. Që nga viti 1993, kur është mbajtur i pari takim i organizuar për të kremtuar Ditën e Pavarësisë së shtetit shqiptar, asokohe me një numër relativisht të vogël pjesëmarrësish, 28 Nëntori ka qenë e vetmja ditë që ka tubuar shqiptarët e Arizonës.
Me nismën e zonjave Lule Lane e Jeta Hajra, shqiptarët e këtushëm u bënë edhe me një festë. Në nderim të figurës së Nënës Terezë, në vitin 2006 u organizua manifestimi i parë për Nënën Terezë. Ishte një manifestim modest, me një pjesëmarrje jo të madhe shqiptarësh, por që u bë tradicional dhe nga viti në vit shënon rritje të numrit të pjesëmarrësve.
Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, 28 Nëntorit dhe Ditës së Nënës Terezë iu shtua edhe 17 Shkurti, kështu që prej këtij viti tri janë ditët që i bëjnë bashkë shqiptarët e Arizonës.Më 23 tetor 2016, Shoqata Shqiptaro-Amerikane e Grave të Arizonës organizoi manifestimin jubilar, që u mbajt për të dhjetin vit me radhë, kësaj here në nderim të shenjtërimit të Nënë Terezës.
Fjalët Mirë se vini! dhe Welcome! me të cilat u dëshiruan mirëseardhje mbi 150 pjesëmarrësve vogëlushi Dion Bejta dhe vogëlushja Era Misini (që të dy me prejardhje nga Ferizaj, por lindur në Amerikë), shënuan fillimin e manifestimit të sivjetshëm. Fill pas kësaj fjale të mirëseardhjes, në sallë hynë fëmijët, të cilët parakaluan pranë fotografive të Shën Terezës, vendosur në të dyja anët e podiumit. Më pastaj u ngjitën në podium Adriana Bendo e Anton Gegaj, të cilët e shpalosën, shqip e anglisht, qëllimin dhe karakterin e këtij manifestimi: arsyet e këtij organizimi për 10 vjet me radhë, me punë vullnetare, janë të shumta. Karakteri i këtij manifestimi kuturor është universal, i kushtohet bamirësisë dhe sakrificës së thellë të Shën Terezës, si dhe tolerancës fetare. Po ashtu, për ne shqiptarët, ky manifestim ka edhe karakter kombëtar, sepse Shën Tereza është shqiptare, është Nëna Jonë, është gjaku ynë. Tereza e Shenjtë (Gonxhe Bojaxhiu) qysh si e vogël qe frymëzuar nga bujaria familjare për t’i ndihmuar të tjerët dhe këtë virtyt nga vendi i saj i vogël e vazhdoi si murgeshë deri në vdekje për ta ndihmuar botën e madhe.
Ne si nëna përpiqemi që fëmijët dhe rinia jonë shqiptare, të rriten në frymën bamirëse të Shën Terezës dhe të frymëzohen nga vepra madhështore e saj, të mos gjykojnë qorrazi, të jenë më tolerantë në përgjithësi dhe të kenë tolerancë fetare në vaçanti. Të ndihmojnë kurdo që munden dhe të falin buzëqeshje ngado që shkojnë. Ndonëse Shën Tereza ishte katolike shumë e devotshme dhe, ndonëse ne shqiptarët kemi përkatësi të ndryshme fetare: katolike, myslimane, ortodokse, bektashiane e të tjera (edhe udhëheqëset e këtij manifestimi janë të përkatësive të ndryshme fetare), megjithëkëtë, falë veprës së madhe që ka lënë pas, ajo është ikona që bashkon të gjithë shqiptarët e të gjitha feve nën hijen e mirësisë dhe me shenjtërimin e saj po shenjtërohet i gjithë kombi ynë.
Për Shën Terezën foli në emër të të rinjve Xhesina Fidani. Pasoi lutja e Nënës Terezë në gjuhën shqipe (projektuar në ekran), pastaj një pikë baleti interpretuar nga DanielaKalaj dhe Xhesina Fidani, për t’ua lënë vendin recituesve Klevis e Andi Lasku, Dion Bejta, Tana Griffin, Daniela e Joseph Kalaj dhe Anxhelina Gegaj, të cilët, ndonëse lindur e rritur në Amerikë, recituan në gjuhën shqipe.Kujtime nga takimi me Nënën Terezë evokuan Lule Lane e Diana Shehu- Griffin.Një pikë teatrore përgatitur nga aktorja profesioniste Rina Hajra, e cila dhe interpretoi rolin e Shën Terezës me thënie të saj në anglisht (thënë shqip nga Jeta Hajra), emocionuan publikun dhe bënë që disa prej tyre të derdhnin dhe lot.
Pikë e fundit e programit ishte ajo e Grupit të Valleve “Ora”, me valltaret e reja Xhesina Fidani, Arba e Rina Hajra, Mjellma e Erza Gashi, Qëndresa e Vlera Syla, Mirjada Jaku, Anxhela Fidani dhe Daniela Kalaj, të cilat interpretuan disa valle burimore shqiptare.Njëra nga udhëheqëset e bordit të grave, aktivistja shumë e zellshme Marinela Papa, në mbyllje të programit falënderoi organizatoret e këtij manifestimi, me fjalët: ne si shoqatë falënderojmë dy themelueset dhe shtyllat kryesore të këtij aktiviteti vullnetar për 10 dhjet me radhë, zonjat Jeta Hajra dhe Lule Lucaj – Lane, falënderoj për kontributin rreth organizimit edhe Kristina Këlliçin, e cila veshjet tradicionale të Shqipërisë së Mesme nga koleksioni i saj ua ka lënë në dispozicion valltareve, një falënderim për ndihmën teknike, për përzgjedhjen e muzikës e të videoxhirimeve, me të cilat u rrumbullakësuan të gjitha pikat e programit shkon për çiftin Adriana e Edmond Bendo, falënderoj po ashtu zonjën Fiqrete Zela, e cila po ua mëson fëmijëve gjuhën shqipe në shkollën shqipe, nën përkujdesjen e Elonia Laskut (ishin fëmijët që recituan ata që ndjekin orët e mësimit të shqipes), e një falënderim i veçantë shkon për valltaret, të cilat për tre muaj me radhë ushtruan vullnetarisht valle përgatitur nën përkujdesjen koreografike të Xhesina Fidanit e nën mbikëqyrjen e zonjës Jeta Hajra.