• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shëngjergji

August 10, 2014 by dgreca

Tregim nga Hazir Mehmeti/
Lauresha u ngrit e përgjumur, fshiu sytë dhe pa nga xhami i krisur i dritarёs sё rrezet e kishin prekur majën e Fushës së Pëllumbave. Kjo tregonte se mëngjesi kishte hapur krahët gjithandej si paralajmëruese e ardhjes së shpejtë të diellit sipër Bjeshkëqyqës hijedhënëse mbi fushëgropën malore ku fshati në shekuj kishte ngritur themelet e tij. Zërave të një ditё të re iu prinin kikirikët e gjelave të njëmijë e njëqind lloje zërash.
U ngrit, mori shportën, shatëthin dhe gati pa u vërejtur doli në rrugën e kalldrëmtë ku e pritnin shoqet e saj.
-Ku je moj, tani e sa po të presim. Dielli nuk duhet të na sheh në punën tonë, -foli Dranja, vajza e vetme në familjen e Gurrdiellite njohur për bujari.
Asnjëra nuk donte të zgjatej në bisedë, u përshëndetën dhe filluan rrugën. Secila e dinte se ishte Nata e Shëngjergjit dhe duhej ngutur në mbledhjen e bimëve të sapo ringjallura pas dimrit të gjatë. Herët, pa lind dielli në Ditën e Shёngjergjit ato duhet t’u jepeshin bagëtive për t’i ngrënë. Bisqet e reja të lajthive, shelgjeve, frashnajave, thanave e shumë bimëve tjera t’i vendosnin gjithkah ku mund të dukeshin bukur, nguliteshin në plasaritjet mureve të lyer me baltëbyk disa nga të cilët ishin të gëlqerosura. Shumica e mureve asnjëherë nuk kishin parë bardhësinë e gëlqeres dhe nuk ishte e rrallë përzierja e bykbaltës me bajga. Muret e ndonjë balline në mesore të kullës dukeshin përplot figura provokuese të imagjinatës fëmijërore dhe shpesh qëndronin orë të tëra duke biseduar rreth tyre. Uleshin në minën përballë dhe bënin gara se cili do gjej më shumë figura. Njëherë motra e madhe pyeti se mos dallonin figurën e djallit. Të befasuar asnjëri nga fëmijët nuk dinte se çfarë pamje kishte djalli edhe pse të gjithë e imagjinonin diçka shumë të shëmtuar, me brirë e herë pa ta, me bisht e herë pa bisht, me fytyra të ndryshme nisur nga majmuni e deri tek kaçadreri me grremçat e tij gjigant që këput lisa, rrezon shtëpi, han njerëz nga të cilët fëmijët i ka më të preferuar. Secili e parafytyronte sipas ngjarjeve nga përrallat dhe gojëdhënat e dëgjuara. Gjyshja tregonte përrallat me dreqin nga Karpatet.
Sido që të jetë zbukurimi i çilerit ishte më i lehtë. Aty mes çatmave nga bujashkat e drunjtë kishte hapësira mesore vertikale dhe po i shikove drejt nuk dukej asgjë nga brenda. Bisqet me sythe e gjethe të para të tyre nguliteshin pjerrtas dhe rrinin bukur për disa ditë derisa thaheshin nga ajri i ngrohtë i ditës edhe pse freskia e natës me plotë lagështirë ua shtonte jetën.
Lauresha nuk u arsyetua, përshëndeti shpejtas dhe krah për krah me Norёn filluan rrugën drejt përroit në llërën e të cilit gjarpëronte Ujëbardhi shekullor me ujin e ftohtë bjeshke gurgullima e të cilit ishte e zëshme në fillimpranverë. Brigjet e lumit tani kishin zënë të ngjallën në fillimbotën e gjelbërimit. Gjethet e para nga sythët e hershme kishin zënë të rriteshin duke u pri gjetheve me radhë majave të degëve që tani hynin në vitin e dytë të jetës. Më herët gjethonin bimët luginës e cila gjarpëronte poshtë rrafshlartës ku pranvera prekte tokën më herët.
Grupi i vajzave u nda në katërshe, secili nga tri veta. E lanë të takohen atëherë kur hija e do arrinte tri këmbë tek Ahu pranё Kroit. Lugina jugore dallohej me qepën e egër, burgalemin, dellëzimin e vogël e ndonjë bimë tjetër. Lugina perëndimore me Përroin e Bardhë ishte e pasur me Gencianën, kungullin e egër, amonin, luleshpatën, lulgjakun, purrigjarpërin. Në shpatet mes dy luginave, lëndinave dhe skaj tyre rriteshin bimët gramore e aty këto ndonjë qepore. Purrini i egër skaj ferrave nga ana juglindore, luleshurdha, aguliçja ndër të cilat më e njohura ishte shtari të cilin banorët e rrethit e njihnin dhe e përdornin mjaft mirë si ilaçe. Në Fushën e Pëllumbave gjatë gjithë verës gjen erëshalqinin, një bimë e vogël me gjethe të vogla në rozetë dhe lulesën me lule të vogla të cilave u vjen era shalqi. Rrënjët e saj mblidhen për Shëngjergj dhe përzihen me bimët tjera.
Në fillim mesdite takimi ishte caktuar tek Ahu i Ariut. Grupi i vajzave nga Pjerrina e Knusit ishte i fundit në pritjen e shoqeve të cilat u dukën në zbritjen e tyre pjerrinës përballë nën degët e ahut me shportat e tyre përplot, disa nga të cilat kishin zbukuruar rrethshportën me lule që vareshin deri poshtë saj.
-Sikur na humbet,- iu drejtua Nora shoqeve duke qeshur.
-Më shkoj mendja tek ariu i zgjuar tani nga strofka,- foli Lauresha
– Do i thosha në vesh ariut, se kam një shoqe të bukur e të dashur dhe do më falte,- qeshi Hana, vajza më e rritur e Guranve të njohur me kullat e tyre në gjithë rrethin e Malësisë Perëndimore të Bjeshkëqyqes.
Pranë kroit nën ahun e vjetër i cili sapo kishte nisur gjethet e para formuan rrethin, nxorën bimët para veti dhe filloi ndarja. U fillua me filizat e lajthisë me lulesat e tyre të zgjatura dhe përplot pluhur të gjelbër poleni. Të gjitha ngritën filizat, asnjërës nuk i mungonte, pastaj vazhduan me radhë. luleshalqinin e ndanë me shoqe ato që vinin nga shpatëmali. Me shporta e mbushura përplot bimë të vëna bukur që dalloheshin nga larg u kthyen në fshat tani i gjallëruar nga jeta gjithandej hapësirave nën brushën e cila çdo ditë derdhte tonelata gjelbërim.
Tek porta e vjetër e muranës Norën e priste gjyshja. Një përqafim i mbesës ia hoqi merakun, i cili e kishte mbërthyer. Nuk ishin të rralla kafshimet e gjarpërinjtë në pranverën e hershme kur ata ishin agresiv edhe pse nuk mbahej mend se dikush kishte vdekur në fshat nga helmi i tyre. Shumica e kafshimeve kishin kaluar lehtë me largimin e helmit duke e thithur nga ata që kishin dhëmbët e shëndoshë apo duke e lidhur gjymtyrën për ta penguar qarkullimin e gjakut me helm. Me gjilpërë therej vendkafshimi apo pritej me teh brisku dhe derdhej gjaku bashkë me helmin. Kështu ishin shpëtuar shumë veta. Në fshat jetonte plaka të cilën të gjithë e thërrisnin Dada Hyrë, edhe pse kishte një emër tjetër sipas bisedave që dëgjoheshin mes grave të fshatit. Ajo e vetmja e dinte vjershën e gjarprit dhe thuhet se i kishte shpëtuar shumë bagëti e fëmijë nga kafshimi i kafshës helmuese. Fshati kishte ligjet e veta, rregullat e njerëzit e tij të mësuar me to që nga lashtësia.
Lauresha e kujtonte Sokolini cili kishte kohë që ishte larguar për punë në Mal të Zi dhe nuk kishte asnjë fjalë nga ai. Puna e tij në guroren e Zetës ishte e rëndë, vetëm Goli- Otoku thuhej se mund të krahasohej me te. Aty dergjeshin me vite shqiptarë nga gjithë trevat shqiptare. Kjo e digjte në shpirt Laureshën. Fshati i Sokolit në shpatbjeshkën ku rrokullisej shkami dukej i zhytur në bardhësinë e luleve të kulumrijave e kajsijave të cilat vizatonin kufij arash e oborresh në gjelbërimin e sapo nisur pranveror.“E Sokol, sa shumë u lavdëroje se nuk do të largoheshe këtej. Thoshe, tani të kam ty zemër dhe kurrkush s’mund të na ndaj, vetëm vdekja”.
Laureshës i pëlqente të dëgjonte gjyshen ku rrëfente ngjarje nga festimi i Shëngjergjit, i tregonte me shpirt e humor. Vajza hapte sytë e mëdhenj, dukej sikur nuk merrte frymë nga kureshtja. “Dikur në lashtësi doli kuçedra, e cila donte të pinte tërë ujin dhe toka të shkretohet, mirёpo i doli përballë Shëngjergji- dragoi i fuqishëm dhe me shigjetë e godet për vdekje kuçedrën. Ajo ditë u pagëzua me emrin e dragoit dhe në kujtim të tij çdo Shëngjergj bie gjithmonë shumë shi”- tregonte gjyshja e mbushur frymë. “Para Shëngjergjit nuk duhet të hysh nën hije, sepse nuk është e shëndoshë dhe mund të të kapnin ethet” kështu ishte krijuar bindja tek të gjithë. Këtë e përsërite gjyshja sa herë që kërkonim mbrojtjen nga dielli pёrcёllues. Ndodhte që në rrugët shpatmali të piqte dielli derisa e kaloje përpjetën, ndaleshe dhe s’bënte të hyje nën hije.
Dita e Shëngjergjit sillte fat atyre që zgjoheshin herët, para se të lindte dielli. Nënat ngriheshin para agimit dhe mbushnin kazanët me ujë të vakët ku venin hithra, i lanin fëmijët e pastaj me hith i preknin në trup. Luteshin për shëndetin e mirë dhe mbrojtje nga ligësitë gjatë gjithë vitin, duke nanurisur magjishёm “I shëndosh si hithi, i fortë si çeliku”
Kështu ishte spërkatur çdo vit Lauresha, por tani ishte rritur dhe përgatitej që nesër para agimit të zgjohej, të mblidh hithra përskaj avllisë, ti vente në ujë dhe t’u dëshironte shëndet e mbarësi të tjerëve deri në Shëngjergjin tjetër.
– Laureshë, Laureshë moj! – u dëgjua thirrja e Norës, e cila vinte oborrit dhe shikonte gjithandej sikur kërkonte njeri të humbur, apo njeri që duhej t’i thoshte diçka me rëndës.
– Ja ku jam, eja shkallëve- foli Lauresha i cila nga kati i kullës, vëzhgonte fshatin përballë në kërkim të një premtimi që sot e mundonte më shumë se zakonisht.
Në sytë e laureshës Nora dukej tjetër.
-Ç’kemi moj, përse dukesh kështu e shqetësuar?
Nora ngriti kokën, hapi sytë dhe vuri të dy duart mbi supet e Laurshës, e gëzuar tha: “Sokoli moj, Sokoli, ka ardhur. E takova duke kaluar kalldrëmit, por dukej i zbehtë në fytyrë. Ja letrën për ty”. Nxori letrën nga gjiri dhe ia drejtoj Laureshës duke shikuar me kujdes anash mos dikush e përgjonte.
Nata filloj të lëshon hijen e saj skajeve duke gllabëruar gjithçka. Vetëm yjtë ndrinin rreth hënës me fytyrën e saj e cila sonte dukej e qeshur. Dukej sikur edhe ajo i gëzohej Shëngjergjit. Ajo shihte të gjithë, i dinte të gjitha edhe kthimin e Sokolit, i cili kushedi ku gjendet tani kur gjumi i humbur nuk duket gjëkundi. Për një çast mbylli sytë dhe pa Dragoin me shigjetë drejtë kuçedrës kishte fytyrën e Sokolit i cili godiste si dikur Shëngjergji që shpëtoi ujin e tani binte rrëke nga qielli në mijëra zëra gurgullues së burimeve Bjeshkëqyqes, prej nga vinin ndarje legjendash ehistorish shekujve. Ndërkohë një meteor vizatoi ndriçimin gjerë poshtë kapakëve të dritareve, mbarimi i së cilit skuqi qiellin e kthjelltë në miliarda ndriçime.
– O zot, fshani Lauresha, ngadalë shqeu skajet e zarfit dhe me kujdes nxori letrën.
-Orkestra gjëmonte nën hijet e qarreve shekullore me tingujt që mbushnin luginën e rrethuar nga pylli me lisa të vjetër. Klarinetisti zgurdullonte sytë e mëdhenj e faqe të fryra veç sa nuk pëlcitnin.Guxhumi në dorën e djathtë të tupanxhiut përulej në lakimin e tij goditjeve të lëkurës e cila lëshonte gjëmimin e shoqëruar me dridhëset mes gishtave që vallëzonin mbi lëkurën e regjur nga rrahjet. Gjithçka frymonte gjallërues në lëndinën poshtë fshatit. Secili kishte sjell diçka të zbukuruar nga ringjallja e ngrohtësisë diellore të fillim majit, ku rendi i fshatarëve me kafshët e tyre të zbukuruara me kurora e vargje gjithfarë lulesh, bisqesh, tufash që vareshin në lloj-lloj ngjyrash, kumona e cingare, shirita pëlhurash e tjerrësh tregonin gjallërinë e Shëngjergjit. Gurgullima e lumit i fshehur pas mështeknave sfidonte flakën djegëse të kuçedrës hija e së cilës kishte mbetur shekujve me paraqitjen e saj të herë pas hershme Luginës së Dragoit.
Ashtu siç kishte shkruar në letrën e tij, Sokoli, qëndronte kaluar mbi gjokun pullali me qafën harkore ku jelja e tij fije-fije varej si ylber pranvere që pinte ujë përtej shtatë kodrave në Kroin e Mollës. Hingëllima e tij në vrapin përtej Shkëmbit me dy kalëruesit shkrihej gjithandej në jetën gjelbëruese. Shigjeta godiste shpellat e Lugajës prej nga Kuçedra nxirrte kokën moteve. Lauresha në prehrin e Dragoit kalëronte shtigjeve të rrëpirëta. Shëngjergji ishte aty. Gjithkund. Në dheun e bekuar dardan.

Besnik, korrik 2014

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Hazir Mehmeti, Shëngjergji

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT