• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHKOLLA SHQIPTARE DHE MËSIMET MBI FETË

May 11, 2016 by dgreca

“Harresa e çdo feje çon në harresën e detyrave të njeriut”– J.J.ROUSSEAU/

Shkruan: Eugjen Merlika /

Ka disa ditë, që kur Kryeministri Edi Rama njoftoi publikisht mendimin se në shkollat mund të futet, si lëndë e re mësimore, një histori e besimevet fetare, që shkrimet në organet e shtypit gëlojnë si asnjë herë tjetër për të njëjtin problem. Mendimet e shumta të shprehura ndahen në dy pjesë, të cilat nuk dij si qëndrojnë në raport me njëra tjetrën. E para është ajo e skeptikëvet, që venë në dyshim, në format më të ndryshme, projektin qeveritar, ndërsa e dyta është ajo e atyre që e shohin të dobishëm atë.

Duke e parë me sy të paanshëm këtë synim, më duket se trajtimin e tij duhet t’a shkëpusim nga debati politik, i cili në Shqipëri është më shumë një vazhdimësi pa krye e përplasjes së interesavet të kastavet drejtuese, se sa një përpjekje për të sendërtuar objektiva që i shërbejnë përparimit të Vendit. Nuk dij sa është e vërtetë që nisma e futjes së kësaj lënde të re në shkollat tona vjen nga Evropa, por personalisht e quaj një nga risitë e rëndësishme të këtyre 25 viteve të pas komunizmit. Kjo jo vetëm për faktin lirindjellës në vetvete, por edhe si një shenjë të shkëputjes nga mendësia komuniste në superstrukturën arsimore e kulturore të Shqipërisë, që ka mbajtur peng për gati tre të katërtat e shekullit, brënda skemash të parafabrikuara nga politika, mendimin shqiptar dhe formimin intelektual të disa brezave shqiptarësh.

Kundërshtarët e këtij mendimi, firma të njohura të jetës intelektuale shqiptare të dyzet viteve të fundit, e përqëndrojnë kundërshtinë e tyre në dy argumenta kryesore. I pari është vënia në dyshim e dobisë së një veprimi të tillë, madje ka edhe ndonjë që parashikon edhe “konflikte”(!) shoqërore si pasojë e tij, a thua se 70 vjetët e mungesës së kësaj lënde në shkolla kanë qënë një model i paarritshëm harmonie e bashkëpunimi ndërmjet shtetit dhe qytetarëvet. Argumenti i dytë paraqet një “vështirësi”, simbas meje, të zmadhuar në fuqi të tretë, për të hartuar tekstet e mësimdhënies e për të gjetur mësuesit. Në këtë drejtim hasim “dizertacione” e shpalosje erudicioni, mbi çastet e ndryshme historike të lidhura me vendime të hierarkivet fetare, kryesisht në kah negativ.

Më duket se trajtimi i problemit ndërlikohet enkas, për të mos nxjerrë në dukje, siç do të ishte më mirë, kundërshtinë që e ka bazën në formimin intelektual të shkollave ateiste në Shqipërinë e regjimit e, në rastin më të mirë, referencat shkojnë tek laiçizmi i shtetit, antiklerikalizmi i një pjese të iluminizmit freng, madje deri tek mbyllja e shkollave private nga Ministri mason i Mbretërisë, z. Mirash Ivanaj. Kjo lloj kundërshtie i ka rrënjët në gjysëm shekullin komunist të shoqërisë shqiptare e në luftën e gjithanëshme, që Shteti i asaj kohe zhvilloi kundër besimevet fetare, duke ngritur në piedistal një totem të Rilindjes Kombëtare, siç ishte vargu i famshëm i Pashko Vasës “Feja e shqiptarit âsht shqiptaria”. Ai ishte një varg monumental për mesazhin që përcillte rreth 120 vite më parë, kur kombi nuk ekzistonte si entitet shtetëror e kur besimet fetare mund të luanin një rol negativ, sidomos në Jugun e Shqipërisë ku ndikimi i kishës greke ishte shumë i fortë. Instrumentalizimi i tij nga regjimi komunist dhe inteligjenca e tij nuk ishte në funksion të interesit kombëtar, siç trumbetohej, por të luftës kundë feve si institucione që, për gjysëm shekulli, u quajtën “opium për popullin”.

Shëmbja e sistemit, me zhvillimet e saj të prirura ndaj fitimit të kohës së humbur, hapja ndaj botës, pjesëmarrja në institucionet ndërkombëtare, deri para 25 vitesh të shpallura zyrtarisht si “armike” të Shqipërisë e të shqiptarëvet, mërgimi në përmasa të jashtzakonëshme, liria e shprehjes dhe shkrirja e të vërtetave historike, së bashku me interesin që zgjojnë ato në një opinion publik më pak të politizuar, kanë krijuar kushtet për një rishikim themelor të gjithë disiplinave humaniste të shkollave tona. Politizimi i theksuar i tyre gjatë regjimit e ngurimi i papërligjshëm për t’u hequr ndryshkun gjatë viteve të kalesës, kanë shkaktuar një tjetër dëm të madh në formimin e nxënësve dhe studentëve të shkollave shqiptare gjatë këtyre viteve.

Cilado Qeveri, që merr përsipër seriozisht të ndreqë këto shtrembërime të jetës sonë kulturore, jep një ndihmesë të çmuar në përparimin e Vendit, një dukuri që ende nuk është në nivelin e kërkuar e që, për të arritur atë objektiv, ka nevojë të domosdoshme për njerëz të formuar me dijen e vërtetë dhe parime morale të shëndosha. Mendimi për të futur një lëndë mbi besimet fetare në shkollat tona, besoj se shkon në këtë drejtim. Do të jetë një vlerë e shtuar për formimin kulturor, një dritare për të parë e gjykuar përvoja mijëvjeçare të njerëzimit, në tërësinë e tyre, në dritëhijet e tyre, në rolet e tyre të vërteta në jetët shpirtërore të qindra miliardë njerëzvet që kanë kaluar mbi këtë planet. Ajo dritare ka qenë e mbyllur me mure të papërshkueshme nga asnjë lloj rreze drite, pasojë e një ideologjie skajore, kundër njerëzore, që i mohonte shtetasve të drejtën për t’u futur në objektet e kultit, mbasi besimin vetiak tek Zoti, me gjithë fuqinë mizore të ushtruar, nuk mundi t’a shrrënjosë plotësisht.

Mësimi i besimeve fetare si lëndë shkollore, krahas historisë së përgjithëshme, filozofisë, historisë së arteve, do të zgjerojë horizontin e të rinjve shqiptarë. “Feja është motra e madhe e filozofisë” thonte dy shekuj më parë poeti i njohur anglez Savage Landor. Nëpërmjet asaj lënde nxënësit do të njihen me parimet themelore të besimevet të ndryshme fetare, por edhe me historinë e tyre. Kështu do të jenë në gjëndje të bëjnë zgjedhjet e tyre vetiake, pa detyrimin e Shtetit dhe të propagandës së tij. Ky mësim nuk cënon aspak karakterin laik të Shtetit, madje e forcon  atë më tepër sepse formon qytetarë të pregatitur e të vetëdijshëm që do të dijnë “T’i japin Qezarit atë që është e Qezarit dhe Zotit atë që është e Zotit”.

Përtej së drejtës natyrore e të lindur të çdo individi në shoqëritë demokratike e të qytetëruara, për të mos patur mure kufizuese në formimin e tij intelektual e shpirtëror, një e drejtë e dhunuar dhe e nëpërkëmbur tmerrësisht nga regjimet komuniste, mendoj se nxënia e ideve themelore të besimevet fetare ndikon fuqishëm edhe në brumosjen morale e paisjen e njerëzve me vlera të çmuara si dashuria mes njerëzve, harmonia ndërmjet besimevet, respekti për të ndryshmin, ndihma e solidariteti njerëzor me të varfërit, të dobëtit, të pamundurit, të gjymtuarit, të moshuarit në vështirësi etj. Ishin këto vlera që lartësoi e përhapi në gjithë globin bija më e madhërishme që nxori kombi shqiptar, Nënë Tereza, të cilën regjimi kriminal ateist shqiptar e mohoi paturpësisht për gati një gjysmë shekulli, edhe se ishte krenaria m’e madhe e tij në botën bashkëkohore.

Çështjet teknike të teksteve e mësuesve nuk më duken se janë pengesa të pakapërcyeshme. Nuk më duket se është e nevojshme të përfshihen klerikët e besimeve të ndryshme në proçesin e hartimit të teksteve, që duhet t’i lihen në dorë një grupi të vogël studjuesish të ndershëm, të aftë, me horizont të gjërë e pa paragjykimet negative të shkollës ateiste të regjimit. Ata për punën e tyre mund të mbështeten në tekste të huaja objektive të historisë së besimeve dhe nocioneve themelore të tyre. Nëse ata tekste  janë të plota mund të përkthehen integralisht e nëse do të kenë nevojë për përditësime, të lidhura me historinë tonë n’atë fushë, mund të bëhen plotësimet e nevojshme, të bazuara në studime të njohura të ekspertëve të së shkuarës apo të ditëve tona. Nuk është një punë shumë e thjeshtë, por as e pamundur. Po të jetë vullneti, përkushtimi, kompetenca dhe vetëdija se po i shërbehet të sotmes e t’ardhmes së kombit tonë, duke plotësuar një zbrazëtirë që, prej më shumë se 70 vitesh, linte të mangët shkollën dhe kulturën shqiptare, çdo pengesë e çfarëdo forme bëhet e papërfillëshme.

Uroj që projekti të shkojë përpara drejt sendërtimit të tij pa mëdyshje, të jetë cilësor e gjithëpërfshirës, të mbajë parasysh ndryshimet e opinioneve, të shkuarën, por të shohë me vendosmëri drejt s’ardhmes, sepse synimi i tij duhet të jetë një hap tjetër drejt shoqërisë së lirive dhe qytetërimit.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Melika, SHKOLLA SHQIPTARE DHE MËSIMET MBI FETË

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT