Drejtori amerikan i priste nxënësit me kostumin kombëtar shqiptar/
Nga Keze Kozeta Zylo/
Shqipëria u ul një ditë të tërë mësimi këmbëkryq në një shkollë amerikane në New Jersey. Ndonëse më parë shumë prej nxënësve amerikanë nuk e dinin ku binte Shqipëria, ose më e keqja nuk e bënin fare pjesë të hartës europiane, por e çonin tutje nëpër stepa. Sot gjërat kanë ndryshuar rrënjësisht, të paktën po flas për Amerikën vendin ku kam pothuajse 18 vjet që jetoj dhe punoj me dinjitet. Por jo vetëm nxënësit, por dhe mësues apo gjyshërit e tyre amerikanë, shumë shumë na thoshnin se ne kishin dëgjuar që është një vend krejtesisht i varfër dhe shumë probleme të tjera që ndjen sëmbim në zemër në se i përmend.
Një ditë shkolle në fund të muajit Janar shumë nxënës shqiptare që jetojnë në shtetin kufi të Nju Jorkut në New Jersey organizuan një ditë shqiptare në shkollën publike në Washington School Rutherford. Herët në mëngjes drejtori amerikan veshur me kostum kombëtar shqiptar iu uronte nxënësve të shumtë të tij mirëseardhjen, me një mirësjellje dhe mirësi çka dhe është karakteristikë e tij do të shpreheshin prindërit amerikanë dhe shqiptarë që sjellin fëmijet e tyre në këtë shkollë publike amerikane. Në se nuk do ta dije më parë se ishte drejtori amerikan, pa asnjë dyshim që ai dukej komplet si prind shqiptar ngase kishte veshur kostum kombëtar shqiptar.
Mjediset e shkollës ishin zbukuruar me dekorime të ndryshme nga trevat e Shqipërisë. Nënat e nxënësve zonja të vërteta ku disa prej tyre kam fatin që t’i njoh i kishin kushtuar një kujdes të jashtëzakonshëm si amvisa plot kulturë dhe finesë që të bënin të ndiheshe krenare. Binin në sy tavolina të ndryshme me zbukurime dhe punime nga duarartat shqiptare, ku mjaft gra amerikane të magjepsuara ndaluan pranë punë doreve me grep, shtiza, gjilpërë, jastëqeve zbukuruese etj. Dominuese ishin dhe veglat muzikore që janë përdorur qysh në lashtësi nga shqiptarët si lahuta, mandolina, çiftelia etj… Ajo që do të më bënte më shumë përshtypje ishte sofra e bukur shqiptare, shtruar me një mbulesë të bardhë të punuar me dorë, pecetat e bardha, pjatat e ndryshme ku të parët tanë uleshin rreth sofrës për të ngrënë bukë.
Nxënësit shqiptarë kishin përgatitur një program të bukur artistik me këngë dhe valle shqiptare. Programi u hap me ardhjen e dy fëmijëve duke mbajtur dy flamujt shqiptar dhe amerikan dhe duke i valëvitur në ajër çka i çuan të gjithë pjesëmarrësit në këmbë për të nderuar simbolet e dy shteteve përkatësisht të Shqipërisë dhe Amerikës. Hymni amerikan u këndua nga Emeli dhe Aida Feza, Florian Çirra. Hymni shqiptar u interpretua nga Adea dhe Donart Balidemaj, me të cilët ndjej krenari të ligjshme pasi ata kanë qenë nxënës të shkollës shqipe në Staten Island. Prindërit e tyre të nderuar patriotë të flaktë Bashkim dhe Vjollca Balidemaj shprehën mirënjohjen pasi thanë se hymnin kombëtar e mësuan prej shkollës shqipe ne Staten Island. Nxënësit bën betimin një ritual i përditshëm në të gjitha shkollat amerikane të cilët betohen para Flamurit dhe se përpara ligjit janë të gjithë të barabartë. Gjithmonë në mëngjes më bënte shumë përshtypje sidomos në fillim kur fillova punë në shkollë publike se në se lajmëroheshe nga qendra e zërit për betimin çdo njeri ku të ishte në korridor, në klasë, do të ktheheshin me fytyrë nga Flamuri amerikan dhe do të betoheshin, si shqiptare më shkonte mendja për Himnin e Flamurit tonë që është për të ardhur keq që ka shumë që nuk e dinë, dhe për dekada të tëra nuk u vendos që të këndohej me ligj ndër shkolla.
Nxënësit e talentuar Erza Balidemaj, Briana Bresa paraqitën plot kulturë para publikut amerikan historinë e Shqipërisë, si një nga popujt më të vjeter në botë, personalitete te shquara qe njihen botërisht si Gjergj Kastrioti, Nënë Tereza, James dhe John Belushi, Aleksandri i madh, Ismail Kadare, Tony Dovolani, Rita Ora etj… Me lahutë interpretoi mjeshtërisht z.Bali Balidemaj. Interesante ishte dhe loja e kapuçave që fëmijët e realizuan aq bukur. Ndërkohë që valëvitej Flamuri shqiptar Erza Balidemaj interpretoi vargjet aq të njohura nga poeti kombëtar Naim Frasheri si: Ti Shqipëri me ep nder, me ep emrin shqiptar, zemrën ti ma gatove plot me dashuri dhe zjarr.
Nxënësja simpatike Fjolla Balidemaj udhëhoqi vallen: “Vallja e Rugovës” dhe Moj e mira e Diasporës valle që u mirëpritën me plot duartrokitje. Fjolla dukej si nje shtojzovalle me veshjen kombëtare në skenë duke kërcyer si artiste me motive shqiptare. Në këtë program morën pjesë këta nxënës shqiptare: Donart, Erza dhe Adea Balidemaj, Fjolla, Arnesa, Arion Balidemaj. Erxhan, Florian, Xhuliana, Siana, Amin dhe Jasin Cirra. Aida, Emil Feza, Briana Bresa, Melina Muriqi, Christopher Kasperan dhe Thomas Kasperan. Fjala e Drejtorit të Shkollës publike amerikane ishte shumë frymëzuese, veshja e tij kombëtare me plisin e bardhë në kokë e bënte të ndihej si shqiptar për atë ditë. Ai tha se të njohesh kulturën dhe traditën shqiptare është pasuri për shkollën dhe sot e quaj një ditë të veçantë sepse të gjithë së bashku respektuam historinë shqiptare dhe kjo traditë ka kohë që ka filluar dhe do të vazhdojë gjithmonë dhe me kulturat e tjera në botë.
Ishte një ditë e bukur kuq e zi që do të ngelet gjatë në kujtesën e pjesëmarrësve dhe të nxënësve të shkollës amerikane, ata u larguan nëpër shtëpiat e tyre të ngarkuar me historinë shqiptare.
Shkurt, 2015
New Jersey