• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përse zoti Rama shkon në Beograd?!

October 23, 2014 by dgreca

Nga Dr. Enver Bytyçi/
Ngjarjet që ndodhën më 14 tetor në stadiumin e Beogradit, ku dhjetra mijë qyetarë të Serbisë thërrisnin në kor për asgjësimin fizik të shqiptarëve duket se po shkojnë drejt arkivës dhe po ia lëshojnë vendin predikimit të njohur e të përsëritur sa e sa herë në këto dy dekada për “të harruar të shkuarën dhe për të parë nga e ardhmja”. Gjithkush tundohet nga ky lloj predikimi, por fatkeqësisht ne shqiptarët shkojmë deri në harresë dhe drama na përsëritet si makth i përhershëm e ndërkohë ata që kërkojnë me ngulm zhdukjen fizike të shqiptarëve përsërisin vazhdimisht ritualin e tyre edhe kur në stadium dhe tubime të tjera luajnë skuadra jo shqiptare. Kështu ndodh përshembull në ndeshjet e futbollit apo basketbollit midis Serbisë dhe Kroacisë, kur spektatorët në studiume shpërthejnë në thirrjet histerike “Vritini kroatët, që shqiptarët të mbeten pa vëllezërit e tyre”. ”.(“ubi hrvata da šiptar nema brata”) Ndërsa në ndeshjen e kombëtares shqiptare me atë serbe të datës 14 tetor u përsërit deri në infinit parulla raciste dhe antihumane “Vritini shqiptarët”! Politikanët serbë, me reagimin e tyre e mbështetën këtë kor racizmi, ndonëse Europa predikon antiracizmin. Politikanët shqiptarë u morën me droning, duke fshehur kokën në rërë si struci dhe duke bërë lojën e Beogradit, pasiqë udhëheqësit serbë kishin interest ë veçantë që në Shqipëri të promovohej ajo që nuk kishin bërë shqiptarët, por e kishin bërë vetë serbët, droni dhe flamuri me Shqipërinë Etnike ose “Shqipërinë e Madhe”, siç e quajnë në Serbi.
Por në këtë analizë është me vend të shohim se çfarë mund të na vijë si bumerang në ditët e javët e ardhshme. Çfarë mund të sjellë ajo “marrëdhënia e re, historike”, midis Shqipërisë dhe Serbisë me e pas vizitës së kryeministrit Rama në Beograd?
Pse u befasua Tirana politike e zyrtare nga ngjarjet e 14 tetorit?
Ngjarja e Beogradit u përdor dhe u keqpërdor nga të dy palët, politika në Beograd dhe politika në Tiranë. Tirana u gjend në befasi. Ndonëse diskursi i përdorur nga qeveria shqiptare, përkatësisht kryeministri dhe ministria e jashtme, u duk në koherencë, megjithatë një ose shumë hapa pas politikës dhe diplomacisë serbe. Kjo shërben gjithashtu si argument që qeveria e Tiranës nuk ka patur haberin se në stadiumin e Beogradit do të hidhej një flamuri i Shqipërisë etnike me dronin komandues.
Për të zbutur efektet e befasisë së dronit dhe flamurit në kufijtë etnikë, politika zyrtare e Tiranës në mënyrë të kamufluar përdori dy steriotipe reagimesh: Nga njëra anë shfrytëzoi steriotipin nacionalist, duke u bazuar tek akuzat e Beogradit për vëllain e kryeministrit, si organizator dhe autor të provokimit nacionalist në Beograd. Nga ana tjetër duke mobilizuar me porosi të veçantë gjithë median proqeveritare për të promovuar teoritë konspirative të nacionalizmit e miteve dhe për të përcjellë të shqiptarët imazhin nacionalist të shefit të qeverisë. Por dhe vetë deklaratat e zotit kryeministër për konsum të brendshëm, të krahasueshme me frymën e artikujve e Zërit të popullit të vitit 1981, synuan manipulimin me nacionalizëm të sajuar të opinionit. Ndërsa në diskursin e përdorur në mediat ndërkombëtare bie në sy taktizimi mbrojtës, i llojit se “Shqipëria e Madhe është makth i Serbisë dhe nuk është project i shqiptarëve”. Në vend të akuzohej qeveria e Beogradit jo vetëm për mos marrjen e masave për zhvillimin normal të ndeshjes, por edhe për skenarin e fluturakes me flamur, si mjet alibie për justifikimin e mbulesën e racizmit antishqiptar, në Tiranë të gjithë u përkujdesën për të himnizuar qëndrimet patriotike të shfaqura në Beograd, për të amnistuar miqtë e Begoviçit dhe për të fituar kapital politik në elektoratin shqiptar e më gjerë në hapësirën shqiptare.
Kjo mënyrë reagimi bëri që të mos binte aq shumë në sytë e në veshët e shqiptarëve se në krye të huliganëve serbë ishte p.sh një person i dënuar dhe problematik, si Ivan Bogdanov. Dëshira për ta shfrytëzuar ngjarjen në dobi të përfitimeve politike evitoi dënimin e shëmtisë nacionaliste serbe e shfaqur me thirrjet “Vdekje shqiptarëve, vritini shqiptarët”. Megjithatë të gjitha këto do t’i mbeten së kaluarës, sepse në sfond ka dalë një tjetër problem. Kancelaritë europiane e më gjerë mbajnë shënim faktin se mediat proqeveritare më shumë se ato joqeveritare promovojnë simbole e mite nacionaliste, thjesht në funksion të dyluftimit të bendshëm pozitë-opozitë, por që shkon në drejtimin e kundërt të projektit integrues të vendit në BE.
Çfarë do të sjellë vizita e zotit Rama në Beograd?
Pas një lufte verbale për ose kundër vizitës së zotit Rama në Beograd, erdhi dhe kompromisi për shtyrjen e kësaj vizite për datën 10 nëntor. Në parantezë më duhet të them se kryeministri Rama duhet të përgatitet edhe për një shtyrje të katërt a të pestë, ose së paku për shkurtimin e axhendës së tij në Serbi. Edhe kjo luftë shkoi sipas asaj lojës së fëmijëve: “Ta lashë, ma le”, dmth u orkestrua në funksion të interesave politike të të dy palëve në pushtet. Por në fund të fundit, Rama bëri mirë që nuk ra në kurthin e udhëheqësve kryesorë të Beogradit për ta anoluar këtë vizitë. Ndërkohë që unë dyshoj në rzultatin e saj, sa kohë që të dy kryeministrat pranojnë se kanë presion nga zonja Merkel për t’u takuar në Beograd. Eksperienca dëshmon se pajtimi, aq më tepër ai që quhet pajtim “historik”, nuk vjen me presion, me detyrim. Pajtimi është process dhe si i tillë kërkon koherencë, reflektim, njohje të realiteteve të shkuara e garanci për mos përsëritjen e tyre, çka nuk ka ndodhur e nuk do të ndodhë për një kohë të gjatë në rastin e të ashtuquajturit “pajtim midis shqiptarëve dhe serbëve”. Edhe pas vizitës së Ramës në Beograd, nëse do të luante përsëri kombëtarja jonë në Serbi, do të përsëriten të njëjtat sekna si ato të 14 tyetorit 2014.
Që 10 nëntori të duket si normal të dy palët, edhe kryeministri Rama, edhe ai Vuçiç, kanë zbutur tonet dhe po shkojnë drejt armëpushimit, por pa u tërhequr aspak nga akuzat e ndërsjellta. Vuçiç nuk ka kërkuar falje që vëllain dhe deputetët, këshilltarët dhe gazetarët e Ramës i quajti “bandë”, ndërsa kryeministri ynë nuk ka ndërmend që “të kthehet në të kaluarën”.e të kërkojë shpjegime për një qëndrim të tillë të homulogut të tij serb. Madje ai nuk ka ndërmend të ndalet as në deklaratën e presidentit Nikoliç, sipas të cilit “shqiptarëve do t’u duhen shekuj të emancipohen”, çka do të thotë se në Beograd do të gjenden përballë dy palë të pabarabarta: Nga njëra anë “modernët” terroristë të tipit Vuçiç, Nikoliç e Daçiç dhe “shiptari me bisht”, Edi Rama!!!
Por më së fundi zoti Rama ka pse t’i falenderohet zotit Vuçiç, për shkak se retorika e tij “antibanditeske”, së paku përkohësisht i ka rritur kredencialet e Ramës si “nacionalist shqiptar”. Them së paku, sepse vizita në Beograd nuk do të përfundojë me imazhin që krijoi retorika e javës së parë pas 14 tetorit.
A do të shënojë vizita e Ramës “pajtimin historik” midis shqiptarëve dhe serbëve?!
Në fakt të dy janë të interesuar që 10 nëntori (nëse do të bëhet vizita me ose pa axhendë të ndryshuar) të shënohet si “kthesë historike” në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë. Do të shohim nëse do të flitet për “pajtim historik midis shqiptarëve dhe serbëve”, apo jo. Por që ky është qëllimi serb i vizitës Rama në Beograd, kjo u duk në një intervistë të ish-presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, i cili përsëriti tezën e tij të “bisedimeve Tiranë – Beograd për zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb”. Zhvillimi i ngjarjeve dhe shfrytëzimi i lojës së futbollit midis të dy kombëtareve më 14 tetor del kësisoj si një duel i parapërgatitur, me qëllim që në opinionin publik brenda dhe jashtë dy vendeve të përfshira të përforcohet ideja se “konflikti nuk ka ekzistuar dhe nuk ekziston midis Kosovës dhe Serbisë, por midis shqiptarëve dhe serbëve”. Ndaj dhe kjo shërben për të motivuar një bisedim qoftë dhe Kopf an Kopf (tet a tet – kokë më kokë) midis zotit Rama e zotit Vuçiç për dakordimin në parim për angazhim të të dy palëve për zgjidhjen e këtij konflikti, si dhe për përcaktimin e modaliteteve përkatëse. Rama ka shumë dëshirë që të marrë role të tilla me ambicjen “që të mbetet në histori”, por sinjale për këtë ka dhënë edhe interpretimi mediatik, sipas të cilit. “pas 70 vitesh për herë të parë e viziton Beogradin një kryeministër shqiptar”. Ndërkaq me një synim të tillë duket se ka ndodhur dhe ngërçi I mos funksionimit të institucioneve në Kosovë.
Nëse kryeministri shqiptar tenton të marrë përsipër këtë rol, atëherë ai do të zhbëjë gjithë investimin brendashqiptar e ndërkombëtar për Kosovën dhe pavarësinë e saj. Nëse realizohet projekti i Tadiç, Vuçeviç e Daçiç për të tërhequr Tiranën zyrtare për zgjidhjen e problemeve dhe konflikteve që Prishtina ka me Beogradin, atëherë konflikti jo vetëm nuk do të zgjidhet, por do të krijohej një vatër e re krize në Ballkan, zjarri i së cilës mund të kontrollohet nga Moska, ndërsa tymi i kësaj vatre do të nxijë qiellin e Europës.. Kriza do të vijë për shkak se asnjë politikan në Kosovë nuk do të mbështeste përpjekjet e Tiranës në këtë drejtim, edhe nëse gjërat do të shkonin krejtësisht në favor të shqiptarëve.
Cila është kostoja e përfshirjes së zotit Rama në biseeimet direkte me Beogradin?
Megjithatë tërheqja e Tiranës zyrtare në zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb do të kishte një kosto të pariparueshme për Kosovën. Në një rast të tillë Serbia, siç ka bërë historikisht në diplomacinë dhe politikën e saj, do të vinte në pazar territoret e Kosovës. Pra ajo llogarit në një marrëveshje, sipas të cilës palët bien dakord, që Shqipëria dhe Kosova të bashkohen, por me kushtin e rregullimit, saktësisht të ndryshimit të kufijve, pra shkëputjen e katër komunave në veri të Mitrovicës dhe bashkimin e tyre me Serbinë. Një kosto si kjo do të shtrojë dilemën, sipas së cilës: Pse shqiptarët e Kosovës u vranë, u masakruan, u dëbuan, u përdhunuan, u dogjën, u shkatërruan në themel, kur e kishin ndërmend të pranonin një një projekt, të cilin e kishte hartuar Dobrica Qosiç dhe do ta kishte nënshkruar Sllobodan Milosheviçi?! Udhëheqësit politikë të Serbisë ka kohë që lobojnë për një zgjidhje të tillë, të cilën mund t’ua mundësojë vetëm përfshirja e Tiranës zyrtare në bisedime të drejtpërdrejta.
Dyshimet se kjo do të ndodhë i përforcoi para dy ditësh këshilltari për politikat e rajonit i kryeministrit Rama, zoti Shkëlzen Maliqi. Ai tha se zoti Rama dhe zoti Vuçiç do të punojnë që në bisedimet dhe takimet midis tyre të përfshijnë dhe udhëheqësit e Kosovës, duke e justifikuar këtë me faktin se “lidhjet midis Serbisë dhe Shqipërisë nuk mund të realizohen pa kaluar përmes Kosovës”. Prapa kësaj lëvizjeje nuk mund të mos shohësh se Rama dhe Vuçiç janë marrë vesh që në “aksionin e pajtimit” të tërheqin dhe miklojnë Prishtinën politike e zyrtare. Dhe që të bëhet kjo, duhej që të rritej kapitali politik dhe besueshmëria e zotit Rama te qytetarët e Kosovës, duke zhvilluar duelin e njohur që filloi më 14 nëntor dhe vazhdoi deri te telefonata midis zotit Rama dhe zotit Vuçiç. Si prelud i kësaj lëvizjeje shërben gjithashtu shërbimi i emisioneve të shumta nacionaliste televizive, nga ato të Rudina Xhungës e Sokol Ballës e deri te ato të Blendi Fevziut dhe Ilva Tares.
Qarqet europiane dhe vetë aktorët e kësaj uverture e dijnë se marrëveshje të tilla mund t’i bëjnë vetëm liderë me imazhin pozitiv të nacionalistit. Si të tillë ata kanë zgjedhur në Serbi, presidentin Nikoliç, kryeministrin Vuçiç dhe minisrin e jashtëm Daçiç. Zgjodhën në Kosovë Hashim Thaçin. Por nuk mundën ta bindin për këtë ndërmarrje “nacionalisitin” e pandreqshëm, Sali Berisha. Zoti Rama, duke dashur të shënohet në histori, mbetet njeriu i vetëm që mund të bëjë kompromise, por që i duhej vënë kupertura e duhur nacionaliste. Për këtë duhej dërguar vëllai i tij në stadiumin e Beogradit dhe më pas të sulmohej si “nacionalist”, madje që “lufton për Shqipërinë e Madhe”. Ai flamur dhe ajo hartë e Shqipërisë etnike u vu virtualisht e meditiakisht në duart e Olsi Ramës, me qëllim që shqiptarët në Kosovë, Maqedoni e kudo tjetër jashtë kufijve të Shqipërisë të “qetësohen”, se ata do t’i përfaqësojë në Beograd “njeriu i duhur”, i cili u dëshmua përmes vëllait të tij, si “armik” i Serbisë dhe “luftëtar” i devotshëm i “Shqipërisë së Madhe”. Momente të tilla kanë edhe kurbanët e vet. Në rastin në fjalë duhej sakrifikuar këshilltari kryesor i Ramës dhe Thaçit, i akuzuari si spiun i Serbisë, Baton Haxhiu.
Sindroma e ngërçit institutcional në Kosovë dhe interesi për këtë ngërç…
Ndërsa n Prishtinë Hashim Thaçi si autori kryesor i krizës institucionale në vend, por edhe liderët e tjerë kundërshtarë të tij, e ndihëmuan zotin Rama në këtë aksion “pajtimi” me Serbinë, pa menduar se kjo do t’u kushtojë humbjen e pasurive të mëdha nëntokësore dhe mbitokësore të veriut të Kosovës. Ndoshta kjo panoramë do të kthjellohet më mirë për Isa Mustafën, Ramush haradinajn dhe Fatmir Limajn në kavët që vijnë. Dëmi që ata I kanë shkaktuar bashkë me Thaçin e vetëdijshëm në lojën e madhe mund të jetë katastrofal. E pikërisht për këtë arësye përgjegjësia që ata kanë për fatet e vendit është e jashtëzakonshme. Duket se vetëm presidentja Jahjaga ka mundur të transmetojë përgjegjësi reale për Kosovën, së paku në këto gjashtë muajt e fundit.
Nga faktet dhe argumentet që kanë dalë deri më tani në dritë mund të konkludojmë se shqetësimi kryesor i qeverisë së Tiranës është integrimi me çdo çmim në Bashkimin Europian, pra, edhe me çmimin e humbjes së sërishme të territoreve shqiptare. Kjo sindromë na përsëritet, për fat të keq, tash pas gati 70 viteve në të njëjtën formë si në vitin 1948, kur diktatori shqiptar u njësua me diktatorin sovjetik, Josif Stalin, edhe pse ky i fundit kishte rënë dakord për “gëlltitjen e Shqipërisë” nga ana e Jugosllavisë, (kupto të Serbisë). Kurse në rastin e sotëm Serbia, sipas planit të ish-presidentit Tadiç, është përgatitur mirë që të realizojë “gëlltitjen e një pjese të territorit shqiptar”, gjithnjë me mbështetjen e qarqeve antishqiptare dhe segmenteve të lodhura me konfliktet ballkanike në Europë si dhe me angazhimin e qeverisë shqiptare. Skenari është i gatshëm, modeli është i njëjtë, thjeshtë ndryshojnë aktorët në kuptimin e emrave, por jo edhe të pikëpamjeve, bindjeve dhe përkatësisë së atëhershme.
“Shqipëria e Madhe” vërtet është shpikje e Beogradit, ashtu siç ishte shpikje e tij droni me flamurin përkatës. Që Shqipëria dhe shqiptarët u dhanë me passion pas atij flamuri, pa e ditur se po çonin ujë në politikën serbe, edhe ky është një fakt, të cilin politika shqiptare as majtas e as djathtas nuk tentoi ta evitojë. Përkundrazi majtas pati mbështetje të plotë për shkak të promovimit të premierit në opinionin e brendshëm si “nacionalist”. Që Serbia shfrytëzon këto dobësi të palës shqiptare, për këtë nuk duhen dëshmi e prova, sepse tashmë jo vetëm ne, por gjithë bota është lodhur me truke të tilla. Dhe që vetë ne shqiptarët, qeveritarët tanë, politikanët tanë, ia krijojmë favore të tilla Serbisë, edhe ky fakt nuk ka nevojë për t’u vërtetuar. Por që ne të bëhemi pjesë e të nënshkruajmë dështimin tonë, duke ia mundësuar Beogradit të sotëm realizimin e projekteve të Serbisë së djeshme të Milosheviçit, kjo do të shënonte rekordin e nënshtrimit politik, moral dhe shoqëror të politikës dhe kryeministrit shqiptar para qeverisë serbe.
Kam dashur dhe dua që kjo paradigmë të mos jetë e vërtetë, të mos kishte indicia se do të ndodhte kështu. Por fatkeqësisht, Boris Tadiç dëshmoi sot se ka investuar dje për të arritur në këtë finish. Celebrimi i koalicionit Rama-Meta në Shkodër nga ana e tij nuk na shfaqet më thjesht si “bashkëpunim” midis të majtës europiane, por para së gjithash si pranim i opcioneve serbe për zgjidhjen e konfliktit me shqiptarët.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dr. Enver Bytyci, Përse zoti Rama, shkon në Beograd?!

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT