TIRANË, 17 Janar/ – “Edi Rama ka shpenzuar qindra milionë lekë të taksapaguesve shqiptarë për të blerë 8 faqe reklamash në revistën më të shtrenjtë në botë, The Economist, për një artikull-reklamë që thur lëvdata për të, por që në krye tregon se është shkrim i paguar”, u shpreh sot sekretarja e Marrdhënieve me Publikun në Partinë Demokratike, Grida Duma.
Me anë të një deklarate për mediat, Duma thekson se, “Sipas rregullave britanike të reklamës, në çdo faqe ku lëvdohet Edi Rama, shkruhet Advertisement Feature, çka do të thotë, shkrim i paguar. Vetëlavdërimi 8 faqësh i Edi Ramës, është padyshim më i shtrenjti në historinë e këtyre viteve, dhe u ka kushtuar shumë taksapaguesve shqiptarë”.
“Ky shpërdorim parash, bëhet në kohën kur mijëra familje në Vlorë, Fier, Lushnjë, Durrës, Krujë dhe Lezhë që janë në kushte ekstreme nga pasojat e përmbytjes, nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga qeveria, dhe mijëra familje të tjera janë në rrezik për shkak të motit që vazhdon të përkeqësohet. E megjithatë, Edi Rama vendos të çojë dëm qindra milionë lekë të shqiptarëve për të blerë lëvdata për vete”, shton Duma.
Shkrimi per Shqiperine ne “The Economist”
Ky shpërdorim turpshëm i parave të shqiptarëve, sipas PD, “jo vetëm nuk e ndihmon Shqipërinë dhe gjendjen e rëndë të qytetarëve, por nuk zbardh asgjë në imazhin e nxirë të një kryeministri që ka 200 milionë euro pasuri me rryshfete pallatesh, që ndau me CEZ 600 milionë euro, që fshihet pas 1 milionë dollarëve në ditë evazion në dogana, që ka detyruar 100 mijë bashkqytetarë të ikin në eksod, që mbushi zyrat e Parlamentin me kriminelë e trafikantë, që nuk deklaron pikturat e tij në doganë, që jep pasuritë e vendit me bisedime të fshehta, që shet asetet për një biletë në radhën e parë të NBA, që braktis vendin ditën kur mijëra familje janë nën ujë”.
“Edi Rama është kryeministri më i korruptuar në Ballkan, dhe nuk ka shkrim të blerë a reklamë të shtrenjtë që e shpëton nga gjykimi i drejtë i qytetarëve”, përfundoi Duma.