• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VEZIR ADEMAJ….AI ËSHTË HEROI IM…!

August 1, 2015 by dgreca

NJË HISTORI E LAVDISHME E SHKRUAR ME GJAK NGA BIRI I KOSOVËS, VEZIR ADEMAJ/
SHKRUAN: AVNI KARAKUSHI-NEW YORK*/
1) “ME PUSHKË NË DORË NË BALLË TË FRONTIT, MUND T’A MBROJË FLAMURIN KOMBËTAR, FAMILJEN, PRAGUN E KULLËS, KËTA NJERËZ TË PA FAJSHËM E TË PA MBROJTUR, TOKËN E KOSOVËS, NDERIN DHE DINJITETIN E KOMBIT SHQIPTAR, SI DHE INTERESAT E SHENJTA TË ATDHEUT TIM”. – Vezir H. Ademaj -/
2) “Vetëm nëpërmjet shkollimit mund të arrijmë një hapë para tyre dhe vetëm nëpërmjet edukimit mund t’a gjejmë çelësin e humbur të lirisë”. – Vezir H. Ademaj –
3) “Këtu, zemra ime gjenë rahati dhe qetësi dhe nëse arrij ta shoh vendin e lirë, këtë flamur dhe atë shqiponje duke valuar në liri, do të jem njeriu më i lumtur në Botë”, u kishte thënë grupit të tij që po përgadiste për luftë, disa javë para se të bie Dëshmor i Kosovës.
4) Po betohem para varrit të Vezirit, se nga këtu do të nisem me këta trima, e do të shkojmë në Kallavaj, aty ku po zhvillohen luftime, dhe do të marrë hakun për Vezirin. Dhe, nëse vritem pa marrë hakë për të, mos më qoftë hallallë gjaku për Kosovë”. ~ Shaban Golaj.
5) “Si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe bashkimin e tyre, do të jem përherë besnik, luftëtar i denjë i lirisë, vigjilent, guximtar dhe i disiplinuar, i gatshëm që në çdo kohë, pa kursyer as jetën, të luftoj për t’i mbrojtur interesat e shenjta të Atdheut. Nëse shkel këtë betim, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpra të luftës dhe nëse tradhtoj, qoftë i humbur gjaku im. Betohem, betohem, betohem…!”. – Betimi i Ushtarit –
Përsëri erdhi data përkujtimore e atij korriku të nxehtë e të paharruar, që lëndoi shumë zemra shqiptarësh. Është, përkujtimi i përvjetorit të 17, të rënjes heroike të HEROIT TIM. Duke shfletuar albumin dhe ditarin e kujtimeve, hasa ne disa foto të kohës së luftës që më ngjallën shumë kujtime. Aq shumë kujtime, saqë për një moment edhe fytyra mu mbulua nga lotët dhe duke udhëtuar në mendime , fillova ti përkujtojë bisedat me të, momentet dhe veprat e paharruara të tij. Ishte ajo kohë kur deportimet e shqipëtarëve nga shtëpite e tyre, rrahjet, maltretimet, arrestimet, vrasjet dhe masakrimet ishin bërë temë qendrore e jetës aktuale.
Lufta e fundit në Kosovë ishte matësi më i mirë i unitetit të Popullit Shqiptar, duke provuar vërtetësinë në praktikë se thënja e popullit “Bashkimi bënë Fuqin” ka buruar nga praktika dhe se bashkimi i gjithë Popullit Shqiptar kundër pushtuesit serbë, mund të bëhet vetëm për një Flamur, Flamurin e Lirisë, Flamurin Kuq e Zi. Dhe, sepse Liria ishte më e shtrenjtë se çdo gjë tjetër për ta dhe se ky flamur mund të valvitet, e Shqiponja mund të fluturojë në Shqipërinë e madhe vetëm kur është e lirë.
Pas shumë, e shumë tentimeve kundër pushtuesit serbë, disa herë të sukseshmne, e disa herë pa rezultate, Shqiptarët vetëm në fillim të viteve të 90’ta, e kuptuan se vetëm një organizim i mirëfillt mund të sjellte rezultatet e dëshiruara, kundër një armiku i cili ishte shumë i madhë në numër dhe shumë i pamëshirshëm.
Ky organizim, në fillim edhe pse ishte i përbërë nga grupe të vogla të përsonave, prapë se prapë ishte simbol i rezistencës popullore. Grupe të cilat pas disa viteve kaluan në një organizatë të mirëfilltë ushtarake dhe e cila ishte në mbështetje të plotë të popullit.
Kjo organizatë ushtarake kishte komandant Adem Jasharin, dhe ishte emëruar “Ushtria Çlirimtare e Kosovës” (UÇK), e cila misionin e saj liridashës e shpalli publikisht pikërisht më 28 Nëntor, 1997, në Llaushë të Drenicës, në prani të mbi 20 000 njerëzve, të cilët merrnin pjesë në varrimin e mësuesit Halit Geci, të cilin e kishin vrarë forcat serbe.
Këtij misioni madhështor i’u bashkuan dhe për të kontribuan të gjithë ata që kishin gjak të pastër shqiptari. Lufta ishte rruga e vetme që kishte mbetur, sepse lapsit i’u kishte hargjuar ngjyra dhe sepse fjalëve kishte kohë që i’u kishte humbur kuptimi dhe vlera.
Luftuan, sepse për Liri ata ishin betuar dhe betimi i tyre ishte: “Si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe bashkimin e tyre, do të jem përherë besnik, luftëtar i denjë i lirisë, vigjilent, guximtar dhe i disiplinuar, i gatshëm që në çdo kohë, pa kursyer as jetën, të luftoj për t’i mbrojtur interesat e shenjta të Atdheut. Nëse shkel këtë betim, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpra të luftës dhe nëse tradhtoj, qoftë i humbur gjaku im.
Betohem, betohem, betohem…!”.
Për këtë betim, Vezir Ademaj u kthye nga Gjeneva duke i lënë prapa të gjitha që i kishte arritur atje, bashkë me titujt e kampionit në Kick-Boks. U kthye, sepse Atdheu ishte i shenjtë për të dhe gjatë gjithë jetës së tij këtë ditë e priste, dhe se ato që kishte arritur në Gjenevë ishin kalimtare, lufta në mbrojte të Atdheut ishte e rëndësishme, luftë e cila i fali përjetësinë. Dhe, tani besoj që dëshmorët si Veziri nuk vdiqën, sepse vendin që ata lanë boshë, e zuri LIRIA.
Liri, e cila u arrit me luftën Heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me sakrificën dhe gjakun e derdhur të dëshmorëve të Atdheut. Dhe, po të mos ishin këta trima, do të ishim ende të okupuar, duke na maltretuar, torturuar, vrarë e masakruar shkau, ashtu siç bënç gjithmonë. Nuk do ta kishim as përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe as ndërhyrjen e Aleancës Veri-Atlantike (NATO-s). Andaj, nuk është e lehtë t’i përkujtojmë ata që shkruajtën me gjak historin tonë të lavdishme.

Vezir Ademaj u lindë më 15 Mars, 1971, në Sheremetaj të Gjakovës dhe ishte një nga tetë fëmijët e Nënë Mejremes dhe Babë Hysenit.
Të asaj Gjakove heroike që gjindet në Rrafshin të Dukagjinit, që po me gjak vulosi historin e popullit Shqiptar dhe po ashtu me gjak e ndërtoi rrugën e lirisë.
Po, të asaj Gjakove që më 7 Shtator, 1912, njëri nga personalitetet më të shquara të Lëvizjes sonë Kombëtare dhe njëherit hartuesi dhe nënshkruesi i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, Luigj Gurakuqi tha: “Mua nuk më mbetej gjë tjetër për të bërë përveç që të shkojë në Gjakovë e të mirresha vesh me atdhetarët e atjeshëm, të cilët qenë të vetmit që luftuan burrërisht e që mbrojtën gjer në fund të drejtat kombëtare e që janë edhe sot gati të bëhen therrorë për atdheun tonë të dashur…”

SHKOLLIMI/
Shkollën fillore e kreu në vendlindje, në fshatin Sheremetaj, në afërsi të Kullës së tij. Në afërsi të asaj kulle që i bëri ballë rrëbesheve të kohës e fatëkeqësive dhe pavarësisht të gjithave qëndrojë e fortë në këmbë dhe si e tillë do të qëndrojë gjithmonë.
Kullë, të cilën armiku provoj disa herë ta rrënojë, mirëpo nuk i’a doli. Nuk i bëri gjë, as dy here tentimi për ta djegur, ndërsa përderisa kërkohej me çdo kushtë që të rrënohej për shkak të historisë së saj të lavdishme që mbante në vete, ata i’u kthyen duke e granatuar, derisa arritën ta rrënojnë vetëm një pjesë dhe kulmin e saj, por jo edhe oxhakun.
Ndërsa, tani, pas 15 viteve të çlirimit të Kosovës, kulla qëndron gjysmë e rrënuar në këmbë, mirëpo nuk do të qëndroj gjatë ashtu. Atë, që është dashur ta bëjë gjatë këtyre 15 viteve, Qeveria e Kosovës, po mundohet ta bëjë vëllai i Vezirit, Dr. Hasani. Siç nuk kursej asgjë për t’a dërguar në vend amanetin e të vëllait, nuk do të kursej as kësaj here për ta dërguar në vend amanetin e gjithë Familjes Ademaj, sepse në këtë Kullë, u lindë, u edukua dhe u rrit.
Ndërkaq, mësimet në shkollën e mesme i vazhdoi në shkollën“Vëllezërit Frashëri” të Deçanit, ku moshatarët e tij e kujtojnë si nxënës shembullor dhe me shkathtësi fizike të jashtëzakonshme.
Pasi mbarojë me sukses shkollën e mesme, Veziri regjistrohet në Fakultetin e Shkencave Natyrore, të Univeristetit të Prishtinës.
Studime këto, të cilat i’a ndaluan në vitin 1989, dhe nuk e lejuan që ti vazhdoj më tutje, për shkak të qëndrimeve të tij kundër pushtetit dhe të pjesëmarrjes së tij aktive në demostrata. Demostrata në të cilat kundërshtohej rrënimi i autonomisë së Kosovës.
Dhe kështu, po në të njëjtin vitë, e arrestojnë dhe e dërgojnë në shërbim të detyrueshëm ushtarak, në Armatën Ushtarave Jugosllave në Tivarë. Duke e detyruar kështu ta veshë atë uniformë që e urrente me shpirtë, ndërkaq, Tivari gjithashtu ishte edhe një arsye më tëpër për ta urryer më shumë. Sepse, në Tivarë forcat Serbe më 1 prill, 1945, kishin masakruar mbi 3500 Kosovarë.
Edhe pse kishin kaluar mbi 45 vite nga ajo masakër, politika e serbisë vazhdonte e njëjtë, rrahje, maltretime, vrasje, zhdukje, etj.
Sikurse edhe shumë shqiptar të tjerë më parë që i kishin eliminuar, edhe Vezirin tentuan disa herë ta eliminojnë për shkak të bindjeve që kishte, mirëpo falë shkathësive të tij fizike ai disa herë u shpëtojë këtyre kurtheve atje.
Pas maltretimeve të shumta nga Eprorët e Armatës Jugosllave në Tivarë dhe atëher kur po priste që t’a përfundojë shërbimin e rregullt ushtarak, mirret vendim që atij t’i shtyhet afati edhe për tre muaj, sepse me çdo kusht kërkonin likudimin e tij fizik, dhe mënyra e vetme për ta bërë këtë ishte që t’a mbajnë edhe disa muaj në Tivarë.
Vendim, të cilin as që e mendoj gjatë për ta pranuar, dhe kështu në natën e dytë të vazhdimit të shërbimit ushtarak, ai bënë planin e arratisjes dhe bashkë me disa shokë që i’u kishin bashkangjitur, ai tenton dhe arrin të arratiset nga Tivari i mallkuar.
Veziri, arrin të kthehet në shtëpi pas disa ditë e netëve udhëtimi, dhe kur arrin në shtëpi, nuk ishte në gjendje të qëndrojë aty, sepse shtëpia ishte bastisur disa herë nga forcat serbe, të cilat ishin në kërkim të tij.
Pas disa muajve gjërat filluan të qetësohen pak, mirëpo dëshira e zjarrtë për shkollim, nuk i mjaftonte Vezirit për t’i vazhduar studimet që kishte nisur në Prishtinë, sepse siç thoshte edhe ai vetë: “vetëm nëpërmjet shkollimit mund të arrijmë një hap para tyre, dhe vetëm nëpërmjet edukimit mund t’a gjejmë çelësin e humbur të lirisë”.
Për shkak të kushteve që ishin krijuar, ai nuk guxonte ti vazhdonte studimet e filluara në Prishtinë, sepse kërkohej nga shërbimi milicor i Serbisë.
Mirëpo, ai tenton disa herë dhe më në fund arrin të regjistrohet në Shkollën e Lartë “Bajram Curri” në Gjakovë, në drejtimin Pedagogjik.
Gëzimi i tij që kishte filluar studimet në Gjakovë nuk i zgjati shumë, për shkak të gjendjes së keqësuar atje, dhe si shumë student Kosovarë edhe Veziri u detyrua që ti ndërpresë studimet edhe një herë, kësaj radhe studimet që sapo kishte nisur dhe ti marrë rrugët e Europës, në mënyrë që ti ikë arrestimit nga milicia serbe. Nga regjimi okupues ishte i kërkuar për shkak të pjesëmarrjes në demostrata, ikje nga shërbimi ushtarak dhe mos pajtimit i tij me këtë regjim.

ARRITJA E VEZIRIT NË GJENEVË/
Edhe Veziri, si shumë atdhetar të zjarrtë në mërgim, të cilëve malli për atdhe u’a kishte djegur zemrën, por prapë mundoheshin me të gjitha forcat që kishin të kontribojnë në çlirimin e atdheut, dhe të gjithë të bashkuar sakrifikonin çdo gjë që kishin, që vendin ta shohin të lirë, sepse vetëm në atë mënyrë plaga e tyre e dhimbshme do të shërohej, njëherë e përgjithmonë.
Është, po e njëjta plagë si ajo e ASDRENIT, malli i mërgimit, për të cilin ai shkruajti këto vargje:
Me sa mallë e sa dëshirë,
Atë ditë po e pres,
që edhe unë atje i lirë
pranë prindërve të vdes!.
Sakrifica dhe dinjiteti i tij njerëzor e kombëtar dhe shquarësia e tij për trimëri e burrëri e bënte njërin ndër veprimtarët dhe atdhetarët më të kompletuar të çështjes kombëtare në mërgim.
Pasi kishte arritur në Gjenevë, ai fillon të mirret edhe me aktivitete sportive, saktësishtë me Kik-Boks, duke u pranuar kështu pas një kohe shumë të shkurtër edhe në Federatën Sportive Zvicërane të Kik-Boks, për shkak të shkathtësive të tij fizike. Nga aty arrinë të bëhet një mjeshtër profesionist i Arteve Marciale (Kik-Boks), me nofkën “ALFREDI”, duke u bërë fillimisht Kampion i Ligës Zvicëranë në Kik-Boks dhe pas disa viteve arrin të bëhet edhe Kampion Europian.
Kishte një karrierë të sukseshme profesionale atje, mirëpo pas suksesit të fundit, ai kërkojë nga Federata Zvicërane që ti lejojnë mbajtjen e flamurit shqiptarë, kërkese kjo e cila u refuzua kategorigisht nga ta. Pas këtyre mosmarrëveshjeve ndërmjet tyre, Veziri largohet përfundimisht nga Federata Zvicërane.
Veziri i edukuar dhe shkolluar në nëj familje të ndershme, bujare dhe atdhetare, u bë një veprimtarë dhe luftëtarë i denjë i çështjes kombëtare edhe në Zvicër, saktësisht në Genevë, duke i’u bashkangjitur kështu forcave Atdhetare që kishin për qëllim Çlirimin e Kosovës. Kështu, që përveç që ishte njëri nga organizatori i tyre, ai ndihmojë Lëvizjen për Çlirimin e Kosovës me qindra, mijëra franga zvicerane, për të blerë armatim për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
KTHIMI NGA GJENEVA/
“Na luftojmë e ndoshta nuk e gëzojmë (lirinë), por ata që vinë mbas nesh, kanë me i gjet shejet tona.” ~ Hasan PRISHTINA ~
Atëherë, kur Atdheu thërriste për ndihmë, Veziri, la të gjitha çka kishte arritur për ato vite në Gjenevë. La jetën shoqërore, jetën profesionale, jetën luksoze me të gjitha të mirat e Zvicrës, sepse këto për të nuk kishin shumë rëndësi. Rëndësi kishte që ti ndihmoi popullit të tij dhe për këtë erdhi dhe e vuri jetën e tij në rrezik, në këmbim që të shpëtojë jetën e njerëzve të pafajshëm, të pa armatosur, dhe të pa mbrojtur.
Në marsin e vitit 1998, kur kishte shpërthyer lufta në Kosovë, Veziri nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vjen me uniform ushtarake për ta kryer obligimin që kishte ndaj atdheut.
Erdhi nga Gjeneva, bashkë me disa shokë, në Kosovë i ngarkuar me armë, duke e thyer kështu edhe një herë kufirin, vetëm e vetëm për tu bërë edhe në front pjesëtarë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për ta kapur në dorë atë armatim që e kishte blerë atje dhe të dalë i pari në luftë.
Veziri, në ditët e para të kthimit të tij nga Gjeneva, përveç përgaditjeve tjera që bënte, ai ndërmerr edhe disa aksione. Njëri ndër to ishte edhe shkurja e tij te Shkolla Fillore në Sheremetaj, duke rrëzuar kështu bustin dhe duke hequr pllakën e cila mbante emër shkau.
Shokët, kur e kishin pyetur se përse e kishte bërë atë veprim, ai ishte përgjigjur kështu: “Sepse këtë ditë kohë të gjatë e kam ëndërruar, shumë ka ndejtë ai shkja aty, ai vendë si ka takuar asnjëherë atij”. Ndërkaq, kur të njëjtën pyetje i’a kishte bërë e ëma, ai ishte përgjigjur kështu: “Sepse nënë, unë kam ardhur që emrin e kësaj shkolle t’a ndërrojë me emrin tim…”.
Shkathtësia dhe qëndrimi i tij prej boksieri profesionisti e luftaraku, si dhe dashuria e madhe për Atdheun, ishin disa nga vyrtytet e tij që e ngrisnin moralin e Ushtrisë dhe i bënte të gjithë së bashku të pa mposhtur drejtë sukseseve në frontë përballë armikut.
Me rastin e formimit të batalionit të dytë, i cili ishte i përbërë prej katër kompanive ushtarake, ne fshatin Sheremetaj, Vezirin, për shkak të këtyre aftësive dhe shkathtësive që kishte, e emëruan si Komandant të Njësisë Speciale “KOMANDO” dhe mbante nofkën e luftës “ALFREDI”, të njëjtën nofkë që e mbante në Gjenevë.
Detyra e tij ishte që ti organizonte e ushtronte të gjithë djemt dhe vajzat e pesë (5) fshatrave të Rekës së Keqe dhe ti përgatiste fizikisht e psiqikisht për sulme kundër armikut.

“ME PUSHKË NË DORË NË BALLË TË FRONTIT, MUND T’A MBROJË FLAMURIN KOMBËTAR, FAMILJEN, PRAGUN E KULLËS, KËTA NJERËZ TË PA FAJSHËM E TË PA MBROJTUR, TOKËN E KOSOVËS, NDERIN DHE DINJITETIN E KOMBIT SHQIPTAR, SI DHE INTERESAT E SHENJTA TË ATDHEUT TIM”. (Pjesë e fjalimit të Vezirit, gjatë dhënjes së Betimit, në oborrin e Shkollës Fillore në Sheremetaj).

E emëruan Komandant të Njësisë Speciale “KOMANDO”, sepse kishte shpirt dhe mendje profesionisti, për punët e të cilit nuk flisnin fjalët e tij, sepse ato i kishte të pakta, por për punët e tij flisnin më së miri veprat e tij.
Fillimisht, ishte aktivizuar duke i ndihmuar fshatrat e Rekës së Keqe rreth organizimit dhe mobilizimit të tyre për luftë. Gjithashtu, kishte marrë pjesë në shumë luftime, si në Smolic, Molliq, Ponoshec, Junik, Baballoq, Gllogjan, Rahovec, Klinë, etj, deri në Drenicën heroike, duke treguar gjithmon shkathtshmëri dhe trimëri të rrallë në ato luftime, luftime të cilat ende mbahen mendë nga bashkëluftëtarët e tij.
Për shkak të pjesëmarrjes dhe rrezultateve të treguara të tij në këto vendluftime, ai emërohet edhe si ushtarak në Njësitin Diversant, në Gllogjan, nën komandën e Ramush Haradinajtë.
Në korrik, të vitit 1997, Veziri e shëndërroj Kullën e Familjes së tij, në Sheremetaj, në bazë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke i ndihmuar kështu edhe me shuma të mëdha parash në blejren e armatimit, dhe duke kontribuar në luftë, bashkë me babain dhe dy vëllezërit. Babai i tij, Hyseni, ishte i angazhuar në luftë, si një njohës profesionist i terenit të asaj ane, ndërsa, dy vëllezërit e tij, Shaqiri dhe Rasimi, duke ndihmuar në bartjen e armatimit, nga Shqipëria për në Kosovë, dhe furnizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nëpër vendluftime me këtë armatim, si dhe duke marrë pjesë në mbrojtjen e fshatit.
Guximi dhe vendosshmëria e tyre për të rezistuar, i bënte këta të pa mposhtur në gjitha betejat, edhe pse ishin shumë të paktë në numër dhe të armatosur thjeshtë, kundrejtë armikut që kishte në dispozicion qindra ushtarë dhe të gjithë të pajisur me një armatim tepër modern. Mirëpo, në betejën e Kallavajit, në Junik, më 25 korrik, 1998, duke luftuar fyt për fyt, e gjoks për gjoks me forcat e armikut dhe ku vija ajrore në mes tyre ishte vetëm disa dhjetra metra, pa pritur Veziri goditet nga një pjesë e granatës, e cila i shkaktoi plagë të rënda, ku edhe ra si Hero i vërtet, me pushkë në dore duke luftuar, rezistuar dhe pa u dorëzuar asnjëherë përballë këtij armiku shekullor.
Duke mbyllur kështu një kapitull jete në moshën 27-vjeçare, moshën më të bukur të rinisë. Për këto vepra heroike mori epitetin “DËSHMORË I KOMBIT”.
Ata që na dulen Zotë në luftë, emrat e tyre janë shkruar në lapidar si Dëshmorë të Kosovës. Bota i njeh si pjestarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa ne i njohim si Heronjë.
“Vetëm kur e shohë këtë flamurë dhe këtë shqiponjë duke valuar e lirë, ndihem edhe unë i lirë, zemra ime gjen rahati dhe qetësi, ndryshe nëse ajo nuk është e lirë, unë asnjëher nuk do të jem i lumtur në jetë”. ~ Vezir Ademaj “ALFREDI”.
Dhe teksa rrëzohej për tokë sikur një kullë guri, që vetëm granata arriti ta rrëzojë në jetë, atij ndoshta vetëtimthi i’u kujtua përsëri betimi solemn i Hasan Prishtinës. “Mue, në idenë teme patrioke nuk ka mujtë as nuk do të mujë me më shtrue, ari i të tanë botës, por as mënia e të tanë anmiqëve! Ka me më shtrue vetëm vdekja!”.
Të njëjtin betim e kishte bërë edhe Alfredi kur la Gjenevën dhe u kthye në Atdhe. Betim të cilin e mbajtën që të dy me nderë, deri në fund të jetës së tyre.
Ashtu siq kishte rrezikuar jetën e vetë Veziri për ta tërhekur trupin e Hysen Arifit që ishte plagosur një ditë më parë, në të njëjtin vend, ashtu edhe bashkëluftëtarët e tij kishin rrezikuar jete e tyre vetëm që mos ta lënë trupin e Vezirit të bie në dorë të trupave serbe.
Veziri kishte lënë amanet që nëse bie dëshmorë, trupi i tij të mbështjellet me flamurin Kuq e Zi, sepse, për shqiponjën dy-krenare ai ishte tëhequr nga Kik-Boksi, dhe kishte ardhë për të luftuar, vetëm që ajo të fluturojë e lirë. “Këtu, zemra ime gjenë rahati dhe qetësi dhe nëse arrijë ta shohë vendin e lirë, këtë flamur dhe atë shqiponje duke valuar në liri, do të jem njeriu më i lumtur në Botë”, u kishte thënë grupit të tij që po përgadiste për luftë, disa javë para se të bie Dëshmorë i Kosovës.
Flamurin e kishte gjetur vëllai i tij Shaqiri, dhe po të njëjtën ditë e bëjnë edhe vorrimin e ALFREDIT, në Fshatin Sheremetaj në prezencë familjes dhe të shumë bashkëluftëtarëve nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, me nderime të larta ushtarake për në pavdekësi, duke e mbyllur kështu një kaptitull jete në moshën 27 vjeçare, moshën më të bukur të rinisë.
Për veprat e tij heroike, ai mori epitetin e “DËSHMORIT TË KOMBIT”.
Babai i Vezirit, Hyseni, një patriot i lindur e i devotshëm, përveç dhimbjes dhe krenarisë që ndjente në ato momente, ai të pranishmëve u tha: “Biri im, ishte biri im deri atë ditë që u kthy nga Zvicra dhe e pashë me uniformë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që nga ajo ditë ai ishte shoku juaj, mbrojtësi jonë dhe biri i Kosovës”.
Në ato momente, Shaban Golaj, i ishte afruar dhe në prani të të gjithë atyre që ishin prezentë i kishte thënë babait të Alfredit: “Po betohem para varrit të shokut tim, Vezirit, se nga këtu do të nisem me këta trima, e do të shkojmë në Kallavaj, aty ku po zhvillohen luftime, dhe do të marrë hak për Vezirin. Dhe, nëse vritem pa marrë hak për të, mos më qoftë hallall gjaku për Kosovë”.
Po të njëjtën ditë, Shaban Golaj, kishte shkuar në Kallavaj, kishte shkatërruar një automjet të blinduar dhe kishte vrarë disa pjestarë të ushtrisë paramilitare të Sërbisë.
Pastaj, ai, bashkë me disa pjestarë të UÇK-ës, në mbrëmje arrijnë në Sheremetaj që ti’a komunikojnë këtë lajm babës së Vezirit: “Unë, hakun për gjakun e e shokut tim, Vezirit e mora, dëshmitar i kam këta trima, tash do të luftojë për Lirinë e Kosovës, sepse ky ishte edhe amaneti tij i fundit”. Të nesërmen, po në atë Kallavajë ku kishte rënë heroikisht Veziri, bie edhe Shabani. Ndërsa, Hysen Arifi, i cili ishte plagosur një ditë më herët, po në të njejtin vendë, për shkak të plagëve të rënda që kishte marrë, ndërron jetë pas disa javëve.
Jeta e ALFREDIT, SHABANIT, HYSENIT, u shua, por gjithë thesarin e tyre, që kishin e lanë pas vetes. Familjes, i dhuruan thesarin më të qmueshëm që e kishin për ta, lavdinë dhe krenarinë. Kosovës, i falën lirinë të cilën gjithmonë e kishte ëndërruar, atë liri të cilën se kishte asnjëherë. Ndërsa, Botës, në hartën e saj, i’a shtuan një shtet të ri. Pjesa tjetër për shkak të guximtarëve si ta, mbetet histori…

Arrestimi i Rasimit/
Edhe Rasimi ishte inkuadruar në radhët e UÇK-së, ashtu siç kishte vepruar edhe babai dhe dy vëllezërit tjerë. Ndërkaq, disa muaj pas rënies së Vezirit, në një natë Bajrami, “musafirët” e paftuar nuk trokitën në derë, mirëpo duke rrethuar fillimisht shtëpinë në të gjitha anët, pastaj duke shkelmuar dyert e shtëpisë një nga një, u futën me forcë brenda.
Ata kishin dy kushte që kërkonin. Njëri kusht ishte: dorëzimin e meshkujve të shtëpisë, Hysenin, Shaqirin dhe Rasimin, të cilët ishin pjestarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndërsa, kushti i dytë ishte: të gjithë armatimin e Vezirit e kërkonin. E kërkonin armatimin e tij që e kishte blerë në Gjenevë, disa ditë para se të niset për Kosovë dhe të cilin e kishte bartur gjithmonë me vete që nga dita kur ishte nisur nga atje, e deri në ditën kur edhe bie dëshmor për të mos vdekur kurrë.
Ata kishin informata të sakta me vete dhe fotografi të cilat i kishin marrë, jo me dhunë por me dëshirë, falë tradhëtarëve shqipfolës, disa nga të cilët kishin qenë prezentë edhe në ditën e betimit.
Pastaj, e arrestojnë Rasmin, e dërgojnë fillimisht në stacionin Milicor të fshatit Ponoshec. Pas disa orë rrahje, maltretim, torturim, etj., atë e marrin dhe e dërgojnë në stacionin Milicor në Gjakovë. Stacion ky, në të cilin qëndroi disa ditë. Nga stacioni milicor i Gjakovës, Rasimin e transferuan në burgun e Pejës. Aty qëndroi disa muaj, pastaj nga burgu i Pejës, atë, bashkë me shokët e tij të burgosur, i kishin marrë pengë, për ti shfrytëzuar më pastaj si objekt mbrojteje nga frika e ndonjë sulmi kundrejt tyre nga ana e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës apo e NATO-s, derisa gjendeshin në territorin e Kosovës, për të kaluar më pastaj në Serbi.
Familja nuk kishte as një informatë për Rasimin, të cilin për herë të fundit e kishin parë në burgun e Pejës dhe që nga ajo ditë, ata nuk kishin as një informacion se a është i gjallë apo i vdekur. Ndërkaq, në ditën e parë të Çlirimit të Kosovës, motra e tij, Shasimja bashkë me bashkëshortin e saj Isenin, shkojnë dhe e paraqesin Rasimin si të zhdukur, në Kryqin e Kuq Ndërkombëtar, me seli në Gjakovë dhe gjithashtu tregojnë që për herë të fundit Rasimi ka qenë në burgun e Pejës.
Pas disa javëve pritjeje, më në fund përfaqësues të Kryqit të Kuq, e kishin shkuar te Familja Karakushi në fshatin Raçë, të Komunës Gjakovës, për ta kërkuar motrën e Rasimit, Shasimen, që t’ia kumtojnë asaj lajmin e gëzueshëm dhe të shumë pritur se vëllau Rasimi, gjindet gjallë dhe është i burgosur bashkë me mbi dy mijë Kosovarë tjerë, në burgjet e Serbisë. Si, dhe lajmi tjetër i mirë ishte se, që nga tani të gjithë këta të burgosur do të jenë në mbrojtjen e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar.
Pas disa muajve, Kryqi i Kuq trokiti në derën e familjes Ademaj, në Sheremetaj. Kësaj radhe ata kishin shkuar për të i’u treguar se një anëtarë i familjes kishte drejtë për të shkuar nën përcjelljen e Kryqit të Kuq dhe ta vizitojë Rasimin në burg. Dhe, kush tjetër më shumë, se Shasimja kishte guximin që të thotë që unë dua të shkojë ta shohë Rasimin, duke dëshmuar edhe këtë herë se dashuria për ta parë vëllanë, ishte më e madhe sesa dëshira e saj për të jetuar.
Nën mbrojtjen e Kryqit të Kuq dhe UN-it, ajo bashkë me rreth 20-të nëna dhe motra, heroina kosovare shkuan në burgjet Serbe, për ti vizituar bijtë dhe vëllezërit e tyre të burgosur, që mbaheshin padrejtësisht në burgjet e Serbisë. Ato i lejuan që të qëndrojnë dhe të bisedojnë me ta vetëm disa minuta.
Ndërsa, kur erdhi koha për të shkuar, ajo derisa e përqafojë vëllanë në ballë dhe pastaj e përqafojë fortë dhe në veshë me një zë të vogël ajo i pëshpëriti këto fjalë: “Mbahu, vëllau im, mos u ligështo para tyre, kujtoje Vezirin që nuk u dorëzua asnjëher. E bëri për hatër të atdheut, e të lirisë. Të lirë do të jeni edhe ju, shpejtë…”
Kështu, edhe Rasimi bashkë me mijëra të burgosur tjerë me ndihmen e Kryqit të Kuq, të ndarë në disa grupe lirohen nga burgjet serbe. Ai në emër të lirisë vuajti burgjeve Serbe nga 14. 01.1999, deri më 27.09.2001.
Kur Atdheu lëshoj kushtrimin dhe i kërkoi trimat që aq shumë i duheshin, ata siç nuk kursyen më parë, nuk kursyen as tani. Ecën maleve me ditë e netë të tëra, shumë herë edhe të uritur ecnin në të ftohtë, borë, diell dhe shi. Ecën dhe qëndruan të fortë sepse ishin bërë shokë me shqiponjat.
Edhe pse këmbët e tyre ishin të gjakosura, duart e ngrira, fytyra të sfilitura nga të ftohti, prapë nuk dorëzoheshin, sepse kishin zemër të madhe, të cilën u’a ngrohte flamuri dhe ëndërra e tyre nuk u ndalte aty, por vazhdonte tutje, drejtë qëllimit…
Disa vite pas lufës, familja e dëshmorit Hysen Arifit, në bashkëpunim me disa bashkë vendas të fshatit Pacaj, kishin shkuar në fshatin Sheremetaj, te familja e Vezir Ademajtë. Ata kishin një kërkesë të vetme, që Hysen Arifin ta rivorrosin ne fshatin Shemetaj, saktësishtë pranë Vezirit.
Familja Ademaj, veçanërisht babai i Veziri, Hyseni, nuk i’u kishte nevojitur kohë e gjatë për të menduar, rreth asaj kërkese. Dhe, të pranishmëve i’u drejtohet me këto fjalë “Dasëm pa mishë e krushqi nuk ka, sikurse nuk ka Liri pa gjakë e dëshmorë. Hyseni e Veziri, ishin shokë të ngushtë qysh në rini, shkjau u shprëndau për disa vite, mirëpo prapë se prapë Liria i bashkoi, duke i bërë bashkëluftëatrë të ngushtë dhe nga atdhetarët më të shquar të kësaj ane, të cilët dhanë një shembullë të veçantë, sesi mbrohet Atdheu. Andaj e keni edhe lejen tonë, mundë ta rivorrosni Hysenin pranë Vezirit, sepse aty e ka vendin. Luftuan të bashkuar drejtë një qëllimi, ndërsa liria nuk vonojë shumë dhe erdhi.”
Pas disa javëve, Familja e Hysen Arifit, e bëjnë rivorrimin e tij, duke e vorrosur pranë Vezirit.
Sot, në përvjetorin e 17 të rënjes së tij heroike, përveç shkollës fillore në Sheremetaj që i mban të gravuar në shkronja të arta, emrat e dy dëshmorëve të Rekës së Keqe: “VEZIR ADEMAJ e HYSEN ARIFI”, po ashtu, me emërin e Vezirit, Kuvendi Komunal në Gjakovë ka emëruar vitin e kaluar një rrugë, në Gjakovë.
Për të mos harruar historinë dhe të kaluarën tonë, vellau Vezirit, Dr. Hasani që jetonë dhe punon në New York,, ka ngritur një muze në fshatin e tij të lindjes, në sheremetaj, duke ekspozuar të gjitha shkrimet, fotografitë, medaljet e ALFREDIT. Sepse siç thotë edhe ai vetë: “Historia nuk duhet të harrohet kurrsesi. Për veprën dhe sakrificën qindra vjeqare e trimave dhe trimneshave të Kosovës duhet shkruar historia dhe duhet përcjellur në gjeneratat e reja, nësë do të kemi një të ardhme të ndritur për ta, sepse themelet e shtetit të Kosovës u vendosën mbi eshtrat e tyre, dhe se Pavarësia e Kosovës u vulos me gjakun e tyre.
Veziri ishte një njeri i mrekullueshëm, një shokë besnikë, familjarë i dashur, dhe një hero i vërtetë i Kosovës, i cili e deshti vendin tonë, dhe i shërbejë me nderë, duke sakrifikuar edhe jetën për lirinë e saj. Ai ishte i admiruar nga shumë ushtarë të Rrafshit të Dukagjinit dhe për këtë arsye ai nuk do të harrohet asnjëherë. Ai ishte, është dhe do të jetë gjithmonë inspiruesi im në jetë, një shembull i një njeriu që nuk u gjunjëzua dhe dorëzuar asnjëherë, dhe i gatshëm për të sakrifikuar gjithqka, vetëm, e vetëm të që ne të jetojmë të lirë.
AI ËSHTË HEROI IM…

*BOTOI GAZETA”DIELLI” NE SHBA, KORRIK 2015

Filed Under: Histori Tagged With: Avni Karakushi, heroi i kosoves, shkruan, Vezir Ademaj

FJALË TË PATHËNA, PËR PILOTIN DËSHMOR, AZBI SERANAJ…

April 3, 2013 by dgreca

Nga: Prof. Murat Gecaj/

 1.

Jeta është shumë e çuditëshme! Po të më kishte thënë dikush, këtu e mbi 60 vjet më parë, se tani do të ulesha e të shkruaja për një bashkëmoshatar timin, me emrin e nderuar dhe titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut”, Azbi Ramadan Seranaj, sigurisht që do të më dukej e pabesueshme. Por ja, që jeta është e tillë, me shumë të paparitura, me dhimbje e brenga, por dhe me fatkeqësi.

Në këto mendime të trishtuara më futi këto ditë kolegu e miku shkrimtar, sidomos për aviacionin shqiptar, Riza Lahi. Ishim takuar bashkë që të pinim kafe dhe të shkëmbenim dy libra me njëri-tjetrin. Sigurisht, tema e bisedës sonë ishte edhe për jetën e pilotëve tanë. Mirëpo, miku im nuk e dinte, se diçka e shkuar nga jeta ime më lidhte me këtë armë të Ushtrisë Shqiptare. Ndër të tjera, i tregova atij se kisha qenë skenderbegas që në moshën 12-vjeçare, pra në klasën e 7-të. Pasi mbaruam klasën e tretë gjimnaz, maturën na dërguan ta kryenim në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve. Në verën e vitit 1957, ndodhi e paparitura për disa nga ne kursantët. Na përzgjodhën për të na dërguar të studionim për aviatorë, në ish-Bashkimin Sovjetik. Kishte nga ne, që ishim kursantë në degën e artilerisë së rëndë kundërajrore. Pra, nga planifikimi që të përgatiteshim për të gjuajtur avionët “armiq” nga toka, ishte menduar që të aftësoheshim për të dyluftuar në ajër me ata.

Që mos ta lodhi lexuesin, po citoj pak radhë nga libri i autorit aviator, Qirjako Dhima:

“Oficeri i rojës, pasi mori forcën nga kujdestarët dhe oficerët e ditës të nënreparteve, komunikoi:

-Vini re! Kursantët, që do të dëgjojnë emrat, mbas ngrënies së drekës, do të paraqiten në komandën e shkollës! Dhe filloi të lexonte: Servet Dani, Petrit Nuraj, Qirjako Dhima, Azbi Seranaj, Murat Gecaj, Meko Elmazi…Lista ishte me 14-15 veta…”.

Siç tregon autori i librit në fjalë, ne na njoftuan se, me urdhër të ministrit të Mbrojtjes Popullore, ishim caktuar për t’u dërguar në Shkollën e Aviacionit, jashtë shtetit, pra në ish-Bashkimin Sovjetik, për t’u bërë pilotë gjuajtës reaktivë. Ndërsa  nuk ishte e thënë që unë të shkoja për studime jashtë vendit për aviator. Nga një ftohje e fortë dhe e paparitur, u shtrova në Spitalin Ushtarak të Tiranës dhe në vijim më liruan me paaftësi për shërbimin ushtarak. Kështu, mora udhë të tjera, në jetën civile. Ndërsa shumica e atyre  bashkëmoshatarëve të mi, me përjashtim të Servet Danit, me probleme nga sytë e ndonjë tjetër, ata studiuan dhe u bënë pilotë të zotë, në Aviacionin Luftarak Shqiptar. Ndër ta, ishte edhe shoku im i dashur dhe i paharruar, Azbi Seranaj.

2.

E kishte nisur jetën ushtarake në vitin 1950, pra në moshën 10-vjeçare, ndërsa unë dy vite më vonë. Vërtet ishim nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, unë nga Tropoja e ai nga Mallakastra, por megjithatë jeta jonë ushtarake, që në atë moshë të vogël, na afroi e na bëri si vëllezër. Kjo vinte  edhe sepse Azbiu ishte djalosh i urtë, i qetë e i afrueshëm dhe i respektueshmë me të gjithë ne. Gjithashtu, me mësime ishte ndër më të dalluarit e klasës dhe tërë shkollës sonë. Sigurisht, këto cilësi ai i ruajti të pandryshuara, deri në fundin e jetës së tij.

Siç tregova më lart, Azbiu shërbeu në armën e aviacionit dhe bëri emër me profesionalizmin e tij të spikatur. Ndërsa unë, pas studimeve të larta, në Tiranë e në ish-Leningrad (sot Petërburg), shërbeva pothuajse gjithnjë në shtyp. Por në vitet 1966-1973, më dërguan të punoja me rininë e kulturën në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), pra në rrethin e vendlindjes. Në ato vite bëheshin shumë stërvitje ushtarake, jo vetëm me oficërë e ushtarë efektivë, por dhe me rezervistë. Mbaj mend se një lajm shumë i hidhur u përhap përmes medias, pra se aviatori i guximshëm dhe trim, Azbi Seranaj, në moshën 32-vjeçare, gjatë një fluturimi me avionin e tij gjuajtës-bombardues, kishte humbur jetën tragjikisht dhe kishte mbetur përgjithnjë i paharruar, në kaltërsitë e Atdheut tonë!

Shumë vite më pas, pikërisht në vitin 2005, e takova pranë Komitetit Kombëtar të Veteranëve, në Tiranë, bashkëmoshtarin tonë, oficerin e njohur të aviacionit shqiptar, Qirjako Dhimën. Ai më tregoi se kishte përfunduar një libër, kushtuar pikërisht jetës dhe aktit heroik të pilotit Azbi Seranaj. Shkëmbyem mendime, se edhe unë mund të shkruaja diçka, në nderim të kujtimit të tij. Mirëpo, siç doli më pas, isha i vonuar dhe libri ishte dërguar në shtyp. Pra, nuk u realizua dëshira që aty të botoja pak radhë!

3.

Duke u kthyer te takimi me Riza  Lahin, që përmenda në fillim të këtij shkrimi, shënoj këtu se ai, kur u njoh me lidhjet e kahershme të mijat me Azbiun, e hapi celularin dhe formoi një numër. Sakaq, më tha t’i flisja vëllait të tij, pra Kujtim Seranajt, i cili jeton dhe punon në Tiranë. Sigurisht, përjetova emocionet e rastit dhe e lamë që të takoheshim bashkë, në ditët vijuese. Kështu ndodhi që të nesërmen dhe ai më tha se kopjet e librit, kushtuar Azbiut, ishin mbaruar me kohë. Ndërsa unë gjeta një rrugëzgjidhje tjetër, pra e mora atë në fondin e Bibliotekës Kombëtare.

Nuk do të ndalem këtu, që të bëj recensionin e këtij libri, në 175 faqe, shoqëruar me mjaft fotografi shprehëse. Por theksoj se autori, që nga fillimi e deri në  fund, ka dëshmuar jetën e thjeshtë, por heroike të në djaloshi nga një familje atdhetare mallkastriote. Kështu, pas kaq e kaq vitesh, e solla në vëmendje me dashuri, nderim dhe respekt të veçantë, shokun tim të rinisë, Azbi Seranaj, kujtimi i të cilit do të ruhet gjatë nga brezat.

Me këto radhë të thjeshta, sadopak, tani ndjehem  “i çliruar” nga një detyrim moral, që pak vite më parë, nuk munda të isha edhe unë pjesë e librit jetëshkrimor të Qirjako Dhimës, kushtuar këtij “Dëshmori të Atdheut”, me titullin: “Azbi Seranaj, përjetësisht në kaltërsi-Monografi” (Tiranë, 2005).

…Janë thurur këngë e vjersha dhe janë publikuar kujtime e shkrime për pilotin Azbi Seranaj, disa nga të cilët janë edhe në këtë libër. Përmbledhurazi, mund të shpreheshim, me fjalët e autorit të  tij: “502-shi”, ashtu mbeti përjetë në sulm, në pikjatë!” Ndërsa unë po shkëpus vetëm pak vargje, prekës e domethenës, hartur nga shokët, që në ato ditë të rënjes së tij heroike , në tetor 1972:

Për ty nëna nuk derdhë lotë,

Bijtë e saj janë gjithë pilotë;

Vijnë nga Jugu e nga Veriu,

Nëna thotë: Po më vjen Azbiu!

Në aerodrome shokët kur zbresin,

Me parashutë e përshëndesin,

Që s’pranoi kurrë për ta hapë,

Kur avioni i tij mori flakë!…

Tiranë, 3 prill 2013

Filed Under: Kulture Tagged With: Azbi Seranaj, Murat Gecak, Piloti deshmor, shkruan

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT