• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHOKËT E DHOMËS Nr. 8

December 14, 2013 by dgreca

*Në kujtim të atyne që s’janë ma…/

*Koço Tasi, Foto Bala, Anton Dukagjini, Suad Asllani, Jakë Kodheli, Ali Selenica, Nosh Preka, Lan Kraja, Nikollë Zef Miraka, Sali Vata, Gjergj Gjeto Vushaj, Hamza Kuçi, At Donat Kurti, Loro Vata, etj. që i kujtoj me nderim të thellë edhe sot e kësaj dite/

*I veçanti Lan Kraja. Pader Meshkalla në dhomen e tij të errët, përdhese e plot lagështi çoi nji “Meshë” për Shpirtin e Lan Krajës./

Shkruan: Bep KUQANI/

Në mes të dhjetra dhe qindra shokëve bashkëvuajtës në burgun famëkeq të Burrelit, do të kujtoj disa të dhomës nr.8 që sot nuk janë midis nesh. Ata nuk janë pak. Po permendi disa prej tyne: Koço Tasi, Foto Bala, Anton Dukagjini, Suad Asllani, Jakë Kodheli, Ali Selenica, Nosh Preka, Lan Kraja, Nikollë Zef Miraka, Sali Vata, Gjergj Gjeto Vushaj, Hamza Kuçi, At Donat Kurti, Loro Vata, etj. që i kujtoj me nderim të thellë edhe sot e kësaj dite.

Asht e pamundun që mbas ma se 50 vjetësh të mbahen mend të gjithë, por shokët e kësaj dhome që ishin të gjallë deri në vitin 1998, kur unë emigrova këtu në Sh.B.A. dhe që mund të jenë gjallë edhe sot si  Nazmi Bici, Qemal Cucaj, Bardhosh Gjonzeneli, Syrja Toto, Pelivan Hazizi, Petrit Velaj, Patriot Xhelo etj, të cilët mund të dëshmojnë e ta plotësojnë këte listë edhe ma mirë. Me këtë rast dëshroj t’iu uroj të gjithëve shëndet, jetë të gjatë e lumtuni në familjet e tyne.

Ngjarja i takon vitit 1962. Këtë shkrim due t’ia kushtoj në mënyrë të veçantë njenit prej tyne :LAN KRAJËS, si nji figurë origjinale, krejtësisht e veçantë, i cili kishte nji forcë të tille e tepër të rrallë karakteri e inteligjence sa mundi t’i imponojë cilitdo që pati rastin t’a njohë (përfshi këtu edhe intelektualët që ndodheshin atëherë jo vetëm në dhomën tonë, por në të gjithë burgun), nji dashtni dhe respekt të veçantë.

Po kush ishte Lan Kraja dhe çka e dallonte atë nga të tjerët?

Lani ishte 26 vjeç kur në pranveren e vitit 1952 tentoi të arratiset në Jugosllavi për t’i shpëtue shtypjes së egër të diktaturës komuniste, ku po vuente përveç të tjerash nji vorfni të pa pershkrueshme : i pa punë, nji vëlla pak ma i vogël (edhe ai i pa punë), jetim pa nanë. Vetëm i ati punonte “me shpirt ndër dhambë” si bahçevan për 3800 lekë në muej (paga ma e vogël), sepse e kishte kalue moshën e pensionit të pleqnisë, por nuk kishte vjetërsi pune as për pension të pjesëshëm. Vetëm këto ishin t’ardhunat e tyne mujore.

Kështu mjaftoi kjo tentativë që Lani të dënohej per tradhti të naltë ndaj Atdheut me 15 vjet burg se tentativa për arratisje konsiderohej n’atë kohë si nji ndër krimet ma të randa.

I rritun dhe i “regjun” në vorfni dhe mjerim, langu i kungujve dhe i kasatravecave të ziem që perbante pothuejse menynë e përditëshme të gjellës së burgut, nuk i bante fort përshtypje. Ndërsa langun e groshës e konsideronte si nji miradi. Racionin e bukës prej 600 gramësh në ditë e ndante gjithmonë në tri vakte  megjithë urinë e madhe që e mundonte. Sepse duhet thanë se shumë të tjerë e hanin të gjithë për nji herë porsa e merrnin, që zakonisht vinte rreth orës 11,30-12 të ditës
Lani nuk kishte shkollë, i gjithë formimi i tij arsimor ishte shkolla unike që n’atë kohë ishte 7 vjeçare. Por ai kishte nji mendjemprehtësi dhe nji pjekuri të jashtëzakonëshme për moshën dhe nivelin e tij. Kjo përbante njanën anë të veçansisë; anën tjetër e përbante karakteri i tij i pa epur, ndershmënia dhe morali në shkallen ma të naltë; veçori këto që s’kishin si të mos u binin në sy jo vetëm shokëve të dhomës, por edhe të burgosurve të tjerë.
Ai kishte nji forcë arsyetim dhe nji logjikë që të habiste për shumë probleme që diskutoheshin në dhomë, edhe politike. Mbaj mend se kur  erdhi Hrushovi per vizitë në Shqipni -në vitin 1959- që u prit me aq pompozitet; fill mbas nji fjalimi që mbajti në Tiranë, Lani tha : “Edhe në mes tyne paska fillue kriza”. Për ne të gjithë shokët e dhomës kjo na u duk e pa besueshme dhe e pa konceptueshme; po kur të nesërmen dolem në oborr, në orarin e pajtosit siç e quenim atëherë, ndigjuem se edhe Xhevdet Kapshtica që ishte në dhomën nr.7 dhe Engjell Çoba në dhomën nr.2 kishin të njejtin mendim, gja që në fakt u vërtetue plotësisht ma vonë,
Por Lani kishte nji të “metë”: Nuk pranonte asgja, asnji ndihmë, prej askujt, as edhe nji cigare. Kishin tentue disa herë shumë shokë të burgut t’i ofronin ndonji ushqim, por ishte e pamundun për ta bindun që t’i pranonte.
Pader Pjeter Meshkalla, Hafiz Ali Tare Kraja, Gjergj Kokoshi, Xhevat Korça (që i dha fund jetës me grevë urije në burg) e shumë të tjerë, në orarin e “pajtosit” mundoheshin për t’i lanë diçka në dorë, por ai me shumë njerëzi dhe respekt refuzonte në mënyrë kategorike. “Unë kam ushqim -u thoshte- jepjani ndonji tjetri që s’ka”. Sa për duhanin, kur i ofronte ndokush ndonji cigare, ua priste shkurt “të falem nderës, por e kam lanë”!
Në të vërtetë ai mbante gjithmonë në fund të nji strajce të vogel dy-tri lugë sheqer dhe në fund të nji tjetre nji copë djath rreth 50 gram. Këto ai i siguronte nga “fondi” prej 500 lekësh që i Ati dhe vëllai ia dergonin në krye 4-5 muejsh, të cilat i harxhonte gjysmën për cigare dhe me gjysmën tjetër blente 1kgr. djath dhe 1kgr. sheqer. Kështu që atë grimë djath dhe atë fije sheqer ai nuk i hante por i ruente deri sa ti vinte 500 lekshi tjetër. Në kohën e bukës i vinte përpara dhe bante sikur hante vetëm sa për tu dhanë të kuptonin të tjerëve se “nuk jam pa ushqim”.
Mirëpo ky “marifet” i Lanit, pa shkue shumë kohë u zbulue nga shokët e dhomës dhe në mes të shokëve të tij ma intimë fillonin shakatë : “More Lan -i thonin-  a mundesh me na i dhanë edhe ne ato strajca “magjike” të djathit e sheqerit që s’u mbarokan kurrë”? Dhe ai po me shaka ua kthente “Konsumojini edhe ju në mënyrë po aq racionale sa edhe unë dhe nuk do të ju mbarohet kurrë”!
Nderkohë nuk i kishte mbetë veçse edhe nji vitë burg për të plotesue dënimin, mbasi kishte përfitue diçka nga dy amnisti. Mirëpo kohët e fundit ishte dobësue jashtëzakonisht shumë, kishte mbetun kockë e lëkurë. Të gjithëvë u dhimbej, të gjithë donin ta ndihmonin; por ishte e pamundun  ta bindje që të pranonte edhe gjanë ma të vogël.
Gjergj Kokoshi e Pader Pjeter Meshkalla menduen nji ‘dredhi” : biseduen me Hulusi Spahiun (ish gjeneral, n’atë kohë i burgosun politik që kryente detyrën e llogaritarit të burgut), i cili kur tu komunikonte të burgosunve lekët që u vinin nga familjet, ti komunikonte edhe Lanit çdo muej nji 500 lekësh, sikur ia çonte i Ati. Kur të bahej porosia për blemje ushqimesh, që bahej vetëm nji herë në muej, “shpenzimet e Lanit” do të zbriteshin në emnat e personave që ishin rregjistrue në nji listë që ia kishin dorëzuë Hulusiut.
Në krye të listës qëndronin emnat e Gjergj Kokoshit dhe Pader Pjetër Mëshkallës. Pastaj vinin me radhë Hafiz Ali Tare Kraja, Engjell Çoba, Sheuqet Muka, Dom Lazer Jubani, Xhevat Korça, Dom Loro Nodej, Foto Bala, Jak Kodheli, Suad Asllani e shumë të tjerë. Për hirë të së vërtetës duhet thanë se edhe Hulusi Spahiu kishte vue emnin e vet n’atë listë. Sqaroj se viti i kësaj ngjarje ka qenë 1962.
Vlenë për t’u shënue se kjo punë bahej në fshehtësi të plotë, duke u ruejtun jo vetëm nga Lani, por edhe nga komanda e burgut, sepse po ta merrte vesh kjo e fundit , të gjithë do të ndeshkoheshin jo ma pak se me nga nji muej në birucë, në çimento, pa asnji shtresë a mbulesë e, llogaritari do të hante barazhgen ma të randë.
Me këte “marifet” Lani filloi të porosiste rregullisht çdo muej ato pak ushqime dhe me këshillën e disa shokëve e la me të vertetë edhe duhanin dhe dyfishoi ushqimet duke shtuar edhe ndonji vezë, sallam, domate apo fruta simbas rastit.
Kështu me këte ndihmë bujare të shokëve, që Lani s’e mori vesht kurrë dhe as komanda arriti ta përballojë fizikisht edhe vitin e fundit dhe të dilte i gjallë nga burgu.
Lani nuk jetoi shumë. Vuejtjet e randa të burgut e kishin ba tashma plotësisht efektin e tyne. Vdiq në moshen 59 vjeçare nga nji sëmundje e randë dhe e pa shërueshme. Ai nuk priti të shihte ndryshimet që solli shembja e Murit të Barlinit.
Për koincidencë Pader Meshkalla iu gjet pranë edhe jashtë mureve të burgut me vizitat e shpeshta që i bante sidomos gjatë kohës që lëngonte nga sëmundja. Ai mori pjesë nder të parët në varrimin e tij dhe po atë ditë, në dhomen e tij të errët, përdhese e plot lagështi çoi nji “Meshë” për Shpirtin e Lanit.
Dritë i baftë shpirti dhe pushoftë në paqë shoku i jone i mirë dhe i pa harrueshëm LAN KRAJA!

Filed Under: Histori Tagged With: Bep Kuqani, shoket e dhomes nr 8

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT