TIRANË,9 Janar-Raportuesi i Parlamentit Europian, Knut Fleckenstein, vlerëson se Shqipëria është në rrugë të mbarë dhe premton shumë sa i takon realizimit të reformave për plotësimin e 5 prioriteteve, ndërsa nënvizoi rëndësine e pjesëmarrjes së shoqërisë civile në vendimmarrjen politike.
Deklarata e Fleckenstein erdhi në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Tiranë gjatë një bashkëbisedimi me mediat, duke përmbledhur dhe takimet që ai zhvilloi me liderët politike shqiptarë.
Në fjalën e tij, Fleckenstein vlerësoi se Shqipëria po bën hapa premtues sa i takon realizimit të reformave. “Jeni në rrugë të mbarë. Kemi vënë re se janë ndërmarrë mjaft nisma ligjore. Është shumë e rëndësishme që po zbatohet ligji, por nga krahu tjetër, duhet edhe të veprohet në mënyrë të ligjshme”, vijoi Fleckenstein.
Sipas tij, është shumë e rëndësishme që në proçesin e integrimit europian të marrë pjesë e gjithë shoqëria, prandaj po punohet për ngritjen e Këshillit Kombëtar për Integrimin. “Nëse i lihet në dorë vetëm politikanëve, vendi do të humbë. Shpresoj se në të ardhmen e shpejtë do të ketë një Këshill Kombëtar për Integrimin, i cili do të jetë një forum ku do të marrin pjesë përfaqësues nga fusha të ndryshme. E di nga eksperienca në vendin tim, që nëse BE është diçka vetëm për politikanët, nuk do ta fitojnë këtë lojë. Procesi është i suksesshëm vetëm kur të sigurohet një shumicë e gjerë e shoqërisë, që dëshiron të jetojë në një komunitet që ka vlerat për të cilat flasim gjatë gjithë kohës. Për këtë duhet bashkëpunim politik, që t’i shpjegohet qytetarëve se çfarë duhet të realizohet dhe si e ka trajtën integrimi evropian, cfarë risie sjell dhe duhet të bëjnë për të kontribuar, e kështu me radhë”, vijoi Fleckenstein.
Raportuesi i PE në fjalën e tij rikujtoi edhe njëherë pesë prioritet, ndërsa vuri në dukje se janë 3 shtylla kryesore përmes të cilave këto pesë prioritete mund të realizohen. “Së pari, forcimi i shtetit të së drejtës është një proces që nuk ka të bëjë vetëm me krijimin e mjedisit të sigurt për kompanitë, por është një proces që lidhet me luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe që garanton jetën dhe liritë themelore të qtytetarëve. Qeveria ka filluar t’i zbatojë ligjet. Është e rëndësishëm të veprohet në mënyrë të ligjshme, po ashtu. Ky eshte element i rëndësishëm për t’u theksuar. Së dyti, rritja e besimit tek institucionet dhe së treti, forcimi i shoqërisë civile, pasi zëri i qytetarëve nuk duhet të jetë në qoshe të skendës politike, por në qendër të saj, pasi kjo është BE”, tha Fleckenstein. Sa i takon prioriteteve, Fleckenstein tha se janë po ato, reforma në administratë publike; reforma në gjyqësor; lufta ndaj korrupsionit; lufta ndaj krimit të organizuar; mbrojtja e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe këtu është mjaft e rëndësishme dhe liria e medias, si një shtyllë që tregon një vend të emancipuar.
Raportuesi foli edhe për dosjen e 21 janarit, ku tha se 4 vite hetim është një kohë e gjatë. “Nesër do të takoj një familjar të një prej viktimave të 21 janarit (Aleks Nikës). Një ngjarje e rëndë që ende nuk ka marrë përgjigje nga drejtësia. 4 vite hetim është shumë kohë e gjatë, pres të kuptoj më shumë nesër”, tha ai.
Fleckenstein foli edhe për tragjedinë në Francë, duke thene se kjo krizë kalohet përmes dialogut politik të të gjithë aktorëve politike në Europë dhe më gjerë, si dhe krijimit të politikave të përbashkëta në fushën e sigurisë.
Raportuesi i PE-së, Fleckenstein, në fund tha se ai nuk ka ardhur në Shqipëri si arbitër apo gjyqtar, por si një përçues i zërit të Bashkimit Europian dhe ndihmës së këtij komuniteti ndaj vendit tonë në rrugën e gjatë drejt integrimit të plotë të Shqipërisë në BE.(Kortezi: Arbi Fortuzi)