• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kadare si inerci e një politike largpamëse

April 22, 2020 by dgreca

shkruar nga Shpend Sollaku Noé/

Kur Enver Hoxha, në një nga takimet e shumta me intelektualë afër të të majtës, i këshillonte Viktor Eftimiut që, përveç Kadaresë, të kish parasysh edhe Dritëro Agollin si një majë të realizmit socialist që duhej përhapur në botë, krijuesit apo lexuesit e sotëm ose nuk kishin lindur, ose ishin fëmijë, ose adoleshentë,  ose lexues fanatikë të “Zëri i Popullit”. 

Që Hoxha qe një diktator gjakatar i pashoq tashmë edhe ithtarët e tij e pranojnë, duke ia justifikuar në mënyrë të pacipë gjakderdhjet. Ata që diktatorin e kanë quajtur idiot e të dështuar në largpamje, sidoqoftë, nisen prej urrejtjes klasore, por i mohojnë atij të paktën largpamësinë e përcjelljes në të nesërmen e zgjatur të figurës së tij edhe në letërsi e arte.

Dhe nuk ka përcjellës më të mëdhenj të lavdisë së tij se këta dy autorë të përmendur më sipër. 

Këtu do të merrem me Kadarenë vetëm sepse nuk kam aq kohë të lirë sot sa ta konsumoj për dy personazhë. Me Dritëroin do të merrem herë tjetër.

Glorifikimi i diktatorit- ky është problemi kryesor që Ismaili ka ndeshur pas ‘90, nga shqiptarët por edhe nga komisionet e çmimeve që janë shumë skrupoloze ndaj autorëve që kanë përkrahur diktaturat. Nëse Kadareja e ka përkrahur apo jo diktaturën shqiptare nuk besoj të ketë më dyshime. Mjafton të kujtosh ndër të tjera poemat “Shqiponjat flururojne lart”, “Përse mendohen këto male” dhe sidomos “Vitet ‘60”. Në prozë më e spikatura si përkrahje e diktatorit është pa dyshim “Dimri i vetmisë së madhe” apo në formën e mëvonshme të “Dimri i madh”. Pa harruar se , në përgjithësi, e tërë vepra e tij duhet parë sipas principeve kryesore të realizmit socialist, përfshi këtu edhe romane të tipit “Këshjtella”, “Kronikë në gur” “Dasma” etj. , aq të rënduar prej tendenciozitetit klasor. Nga pikëpamja sasiore temat e tilla politiko- letrare zënë vendin kryesor në krijimtarinë e shkrimtarit tonë të shumëpërfolur. 

Qëllimi i këtyre shënimeve të shkurtra nuk është recensionimi i veprës së tij, por thelbi i diskutimeve të sotme rreth krijimtarisë së këtij autori.

Çfarë qëndrimi kanë mbajtur botuesit shqiptarë në lidhje me veprën e tij? 

Hudhri që zotëron kopirajtin e Kadaresë ka konfirmuar tendencën e pranimit total të kësaj krijimtarie. Arësye tregtare? Edhe. Sikur të kish pastruar prej frymës socialiste krijimtarinë e autorit kryesor që boton, do të kish qenë një plus i madh për këtë botues. Mund të kish mbajtur shumë prej tyre, ku , të paktën jo aq drejtpërdrejt, Kadareja shfaqet si autor i diktaturës. Do të mjaftonte “Prilli i thyer” apo edhe vepra te tjera në prozë dhe pastrimi i poezisë kadarejane nga ajo pjesë flagrante ku himnizohet diktatori apo partia. Por ky botues, me sa kam kuptuar, preferon ta paraqese totalisht Kadarenë. Arësyet i di ai më mirë. Ne vetëm mund të supozojmë: shes biftekun, por për këtë më duhet të pranoj edhe plëncin e palarë, edhe mushkritë e infektuara…. Ose: nostalgjikët janë ende të shumtë. Ata kanë mbetur tek e djeshmja e Shqipërisë – fanar i komunizmit botëror dhe Enveri – klasiku i fundit i marksizëm leninizmit… 

Nuk di që Hudhri të jetë shprehur ndonjëherë hapur rreth kritereve të seleksionimit të veprës kadarejane të realizmit socialist. 

Sipas supozimit tim të dytë, ai, si tregtar librash, nuk e ka menduar keq. Pasi ata që sot e pranojnë symbyllur Kadarenë nuk janë pak. Kësaj lukunie lexuesish nuk i intereson faqja letrare e medaljes, por vetëm ajo politike. Kadareja është për ta dëshmia e gjallë se në diktaturë mund të lulëzonte art i madh. Këta janë edhe ithtarët më të zjarrtë të I.K-së. Zakonisht kjo kategori përmledh lexuesit që nuk kanë lexuar më pas ‘90-ës. Atyre u mjafton informacioni i marrë në shkollat e nivelit të ulët, nga mësues të nivelit të ulët, të diplomuar me gjela deti, thasë me arra apo raki Skrapari.  Këta lloj  ithtarësh janë edhe më të rrezikshmit, pasi më injorantët e kohës së tollonit. 

Një rreth më i zgjeruar rreth ndjekësve të kategorisë së mësipërme është masa e pseudolexuesve, dmth e atyre që nuk kanë hapur më asnjë libër qysh prej dekadash. Ata i kanë krijuar opinionet vetëm me të dëgjuar apo nga ç’thonë të tjerët nëpër sociale. Ky lloj rrethi është edhe më i rrezikshmi, duke qenë se në të përfshihen edhe më injorantët dhe më nostalgjikët e periudhës së vetëshpallur komuniste. Me këta lloj njerëzish as që ia vlen të diskutosh, pasi të tërheqin me njëmijë kthetra në pusin e errët të urrejtjes histerike ndaj atyre që e mendojnë ndryshe. 

Filli i kyq që i bashkon të gjitha rrymat prokadarejane është një i vetëm: Pas Ismailit askush tjetër nuk meriton vëmendje. Ai mbetet më i madhi, të tjerët nuk ekzistojnë. Teza kryesore me të cilën i kundërvihen kritikuesve të tij është: e bëjnë për xhelozi, sepse ai i errëson.

  Ehi, para se të flisni. Lexoni njëherë të tjerët, pasi nuk mund të bëhen krahasime pa të paktën dy përbërës. Dhe mbushjani mendjen vetes: Ismail Kadareja i sotëm është vetëm inerci e një politike largpamëse të Enver Hoxhës. Librat e tij të sotëm edhe në vlerë stilistike kanë humbur shumë prej shkëlqimit të dikurshëm. Niveli i tij i sotëm është pak më shumë se ai mediokër – si refleks i zbehtë i lavdisë së dikurshme politiko-letrare. 

Filed Under: ESSE Tagged With: Kadare, Politika largpamse, Shpend Sollaku

“Barcodes-Codici a barre”

March 24, 2020 by dgreca

-Dhjetë vjet më parë botohej në SHBA, si libër më vete në italisht e anglisht, kjo poemë e Shpend Sollaku Noé-së, përkthyer tashmë në 32 gjuhë te tjera./ 

Shpend Sollaku Noé,një poet i puthur prej perëndisë Apollo/

Stelvio Mestrovich Wotninsky-it për librin “Barcodes-Codici a barre”, botuar për herë të parë në SHBA, në italisht e anglisht, në vitin 2010.

Pas një sërë librash të një niveli superior (i fundit, sipas kronologjisë, është fenomenali “Abysses-Voragini”, USA 2009), poeti shqiptar Shpend Sollaku Noé na prezanton tani poemën e labirinteve “Barkodë”. 

Autori – profesor, gazetar, shkrimtar dhe sidomos Poet (me P të madhe), për ta diferencuar nga sharlatanët dhe shitësit e vargjeve të mërmëruar (gjithmonë e më shumë të pranishëm) – jeton në Itali si azilant politik që prej 1992-it. Bashkëpunon me gazeta dhe revista të rëndësishme; veprat e tij i gjen të përkthyera në gjuhë të ndryshme. Sh. S. Noé është shumë aktiv në mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, sidomos të emigrantëve dhe të refugjatëve politikë.

Ky presantim nuk është i kotë. Është esencial për të kuptuar Atë që ka shkruar “Barkodë” dhe përse e ka shkruar. Është një  uverturë për të depërtuar në vepër. 

Në shkrimin e poemës “Codici a Barre”, Shpend Sollaku Noé është puthur në ballë e bekuar prej Perëndisë Apollo, ngjizës i shpirtit të Artit, Muzikës e Poezisë, Perëndi e Dritës, nënkuptuar si njohje shpirtërore dhe profetike. Dhe profecirat në këtë poemë gjenden me bollëk. 

Poeti shqiptar ngren zërin, qorton, paralajmëron,  ndëshkon mëkatarët e epokës që jetojmë. Zihet ngushtë vetëm se çfarë të zgjedhë, por kërkon të jetë afër të të braktisurit, të të varfërit, të emigrantit, të të ikurit prej luftrave, të azilantit politik. Shfryhet me forcën e një cikloni, vërsulet kundër bankave, kundër demokracive të rreme, kundër marksizmit, kundër kapitalizmit, duke tundur gishtin mikelaxhelian sidomos kundër kalbësirës, tashmë të përditshme, duke e dënuar pa mëshirë: 

[…] Kafkë mbi kafkë,/ eshtër mbi eshtër,/ fertilizues për gjëmbaçë e grëmëra,/ hiç xixëllonja,/ zero mëllenja,/ zhdukur bretkët/ pak vetëtima./ Shi shtiran,/ bosh kujtesa e aromave,/ por nuk mungon e pamëshirshmja: / nuk kishte lindur idiot,/ vdiq i çmendur […]

Vargje të dhunshme, ku shpërthen zemërimi dhe trishtimi për realitetin që na bren pak nga pak. E më tej:

[…] Ngarkoj mbi shpatulla sarkofagët e të pyes ty,/ fantazmë e përheshme/ e nëntokës,/ si nuk ke ditur/ Pegazin e interesave të kalërosh,/ të mjelësh/ apo të milesh prej financiareve/ o tout court/ të nxjerrësh bukën e gojës?! …]

Këtu autori bëhet therës, këtu poezia ulet e paftuar në kronikën mondane, por gjithmonë e mbyllur në një kornizë të artë vargjesh të habitshëm.

Për një azilant politik, burgu është i parapëlqyer, është i pari dhe i vërteti atdhe: 

[…] sepse atje jashtë bota të është/ si një banjo penale: /programuar si të lindesh,/ programuar përse të jetosh,/ programuar kur të shfarosesh.

Dhe shpresa ku është? Sh.S.Noé regjistron: 

[…] të vegjetojmë e të jemi gati/ për t’i shërbyer epitropit bankomat,/ të flemë si gjithmonë të fundit/ e si gjithmonë të zgjohemi të parët,/ të konstatojmë që trupi ynë/ është akoma lumturimisht i tëri,/ kur sytë / kapsalliten për kredinë e shtëpisë,/ këmbët / vihen në lëvizje për të shlyer këstet e autos,/ krahu i djathtë përkëdhel/ kuzhinën e re,/ dhe i majti/ sallën e ngrënies;/ kur për të pasur subvencionim/ mendon zonja Vaginë,/ dhe ndonjëherë duhet të behet ganimed/ edhe zoti Penis./ Për iPhone-in e brezit të fundit/ parashikon treguesi i djathtë,/ për të vjedhur nga interneti videoklipet/ konsumohet sharësi i majtë,/ për të bërë të mbijetojnë hipertregjet/ turbinon zonja Bythë,/ dhe për boutique-ët/ kafka e trurit kaçak.[…]

Shpend Sollaku Noe lartësohet si Dante Aligieri i shekullit të 21-të: në poemë nuk gjen lugje dhe rrethe të ferrit, por  vizioni është po ashtu ngjethës. Ndihemi më se të mallkuar, buratinë të vërtetë që qarkullojnë në botën-ferr ku, në vend të flakëve, janë informatika, kreditë për t?u paguar, fajdexhinjtë, bankat-shushunja, cmira, xhelosia, mania për të rënë në sy, besimet fetare të rreme, injoranca, historia e falsifikuar, burokracitë e çnderuara e pagdhendja.

Zoti nuk gjendet. Ndoshta edhe ai është bërë mason. Aty-këtu rigon ndonjë cifël qiellore në Terrin Apokaliptik. Hullì kometash shkojnë nxitimthi dhe zhduken në Hiç. Sepse edhe paralajmërimet vlejnë një Hiç: 

[…] Shkoni, o njerëz, të zvarriteni/ si horra të kënaqur/ të puthni duart e të të mëshirshmëve Godfathers,/ t?u lëpini këmbët/ administratorëve bankarë,/ të gërvishni gjunjët në kllapi/ drejt Vegimit Hyjnor,/ e nën kafkë të kamxhikoni të keqen,/ të inçizoni në shpinë gjarpërinj të gjakosur./ E përjetshme lutja e shenjtë qoftë:/ Banka Jonë që je në Tokë.

Me këtë retiçenzë përfundon Poema “Barkodë” e Shpend Sollaku Noé-së. 

Kurrë s?kam lexuar një poemë kaq të bukur, por ngjethëse; kaq të ngjeshur me lirizëm, por të hidhur dhe plot helm; kaq të vërtetë, saqë të vjen të rilexosh, menjëherë pas kësaj, Shkrimet e Shejnta; kaq të përditshme, saqë të vjen të kesh nostalgji për të kaluarën; kaq depërtuese e sëmbuese saqë të vjen të veshësh dorashka para se t?a shfletosh.

                                           Stelvio Mestrovich Wotninsky

“Barcodes-Codici a barre”

                      Fragmente 

1.

Me sytë pre të pagjumësisë

në mbrëmje

bëhem copë të deshifroj

Braque-t e tavanit të murrmë,

ikona anonime që trysin ngushëllimet,

tempuj të panjohur ankthesh damokleiane,

teprica zemrash të depërtuara.

Në dedalët kërkoj të gjej tempullin tim,

një copë dërrasë të pamishtë

për t’iu lutur Zotave të  Lartë,

por nuk arrij dot  të zgjedh

në cilin kult të ringjallem,

për një shpërblim

që përkthehet në thërrime paqeje.

Mund të jetë Agharti,

i mistershmi i templarëve apogjej,

që bëjnë të rrënqethet globin,

përthajnë detet,

e trasformojnë brigjet

në hekatombë të shpirtrave oqeanike?  

Ndoshta, por si Aksel zhylvernian nuk shquhem

e që tash ma merr frymën

shkretëtira Domineddio.

Mund të jetë Konfuci,

i vyeri mërgimtar

në gjah të përjetshëm mecenatësh?

Ndoshta,

por s’mund të jetë e besueshme,

ngaqë nuk rrodhi kurrë gjak i mirë

midis meje e sovranëve.

Mund të jetë Torah Shebiktav,

por nuk ndihem një Elohim;

as i Pastri, as Krijuesi, as i Plotfuqishmi;

nuk më gjen asgjë hyjnore

si Havajahut;

jam fare pak  zotëri,

hiç padron,

prandaj nuk mund të jem as edhe Adonai.

Mund të jetë instikti që shpie drejt Mekës…

por Xhebraili nuk më ndjell,

larg më përlpas,

atje ku pemët nuk flasin

dhe shkëmbinjtë nuk ulërijnë

vajtimin e të vdekurave akullnaja.

Mund të jetë katekizmi që më katapulton

në karakterin e Betlemit,       

por kozmosi

i yjeve kometa

më vjell nëpër terr,

si një ureolë

të padenjë për të shijuar naforën.  

Mund të jetë…

E ngul këmbë në shfletimin

e të të vërtetës doktrinë superiore,

e atelièsë të hekurishteve ekzesliastike,

të laboratorit makiavelik të zotave,

të buduarit të tejngopur të teksteve të shenjtë,

të dyqanit të rrymave jakobine,

të oficinës së lëvizjeve besëshkala,

të karakatinave të dhunuesve  subversivë

të tabuve…

…gjersa mjegulla e barbiturikut

nuk më zvarris

në rrëpirat vorbullore të plogështisë.

2.

I ngatërruar zgjohem pas gardhit të barkodëve

e nuk kam kohë të admiroj yllin

e gozhduar

mbi shtyllën elektrike,

qenin 

që pshurr lulishten publike,

borën vulgare 

të ndotur prej kripës.

Është mëngjes 

dhe i gëzohem  gazit të marmitave,

që më përplas pa mëshirë

ndër gjeratoret gri 

të rrethrrotullimeve ngatërrestare,

mbi fosilet e zogjve të murosur në hekurbeton,

të zhveshur prej erërave gojëqepura,

shurdhuar nga kolaudimi i xinxhirëve të tankeve,

mes “twisters”-ve të varrmihësve të kërrusur,

me lopatë e byrek në dorë,

në paradën e qivureve të zvjerdhura.

Dita?

Vështrim i turbullt prej djersës,

djersës,

djersës,

akoma djersës.

Dhe shpejt është mbrëmje 

– qerpikë gjysëm të kopsitur

të një filmi që më s’e kujtoj në të gdhirë.

Nata nuk ekziston,

nëmos ripërtypja e ditës 

të ngjizur nga Euriborë e Liborë bankarë

të pasurisë të prodhuar (për të tjerë).

Dhe është kaq shpejt

një mëngjes

i ri:

Hidhem prej çarçafit 

qepur me fatura e kambiale

për të vërshuar 

drejt shtegut ekskluziv

që imponon freri i bankave.

3.                                                                                                                                              

Për  ata që ashtu si unë 

nuk janë të shkathët kontornistë

gjenani, ju lutem, një mënyrë tjetër

për të mos mbetur kurrizshtrembër,

ndërsa kalojmë midis sharrës elektrike

të KREDISË       

dhe trapanos tinëzare

të KËSTEVE.

Jepnani një serum

që të mos mbesim të sharruar,

ofronani një dozë

për të mos mbetur të tejshpuar,

ndërkaq na përplasin

nga pikatorja e farmacistit

në peshoren e supermerkatos së huaj.

Tatuazhet tanë

– ca riga verticale të padeshifrueshme

që ngrihen mbi shpatulla numrash

dhe jemi të gatshëm të pësojmë breshëritë

e datalogic-ëve me lazer

në të gjitha fërtelet e mishit tonë të rëgjuar.

Çfarë zjarrmie

edhe për të mjerat meteorite

të hedhur me hobé në Galaktikën e Sporteleve Bankare

– nebulosa conquibus

kaq frymëmbytëse,

kaq stresuese,

kaq afërndenjëse,

kaq të largëta;

nxitje prerjevenash për të shumtit,

për dikë ëndër kroçere spaciale,

krematoriume të gjithndodhshëm

si semaforët:

të kuq për të shumtët,

të gjelbër për të paktët.

Obsteosarkoma që bren eshtrat

e atij që vihet në radhë për t’u rjepur,

e atij që tenton më kot të trafikojë krahët e rëgjuar;

e atij që shpreson të vërë në ankand fitimprurës trurin;

e asaj që shpreson të depozitojë mitrën e shkulur;

e atij që, duke mos pasur asgjë private,

hipotekon të bijën

– krijesë të rrugës;

e atij që shpreson t’i jepet besim prej ikonastasit

si psalltës i zoti apo si epitrop i mbarë;

e atij që është gati të vërë mbi peshore edhe testikujt

për një shpërblim të majmë afrodiziak;

e atij që e ndien që, edhe si kufomë,

mund të jetë jashtëqitur

prej hyjnores bamirësi të bankave.

…

…

26.

Dhe ja kopirajti felin i depozituar, me korrier djallin,

në faltoren e senduiçit universal:

Të jesh i mbijetuar,

nuk është e rastit,

është përqafimi logjik i jetës

dhe i fesë non optional globale:

jo vetëm e gazelës dhe e luanit,

jo vetëm e barit dhe e zjarrit,

jo vetëm e qenit dhe e vjedhësit,

jo vetëm e telekamerësë dhe e privatësisë,

jo vetëm e bankave guaza

që i hapen vetëm një Zoti të Stërholluar.

Që gjithcka në këtë mishmash ka një shpirt mistik:

të ndenjurat dhe poltrona,

Ferrari dhe Nasdaq,

Mib30 dhe picìnu mafioz,

disku i platinit dhe Mibtel,

Bombay Stock Exchange dhe lypësi i rremë,

llogarija rrjedhëse dhe auditori,

HIV dhe savana,

pema gjenealogjike dhe studioja ligjore,

lebra dhe bodrumi;

që dhe Unicum-i ka një shpirt,

si edhe përsosmëria prej kapitalit.

27.

Për tërbimin e djajve, pas vitesh pagjumësie,

e gjeta më në fund të uruarën faltore.

Braktis përgjithmonë mitet anakronike

për të pushuar më në fund nën një strehë paqësore.

Tempulli priftëror

– banka e lakmuar.

Stoli i përunjshëm për t’u falur

– përballë një sporteli bankar.

I Lartësishmi?

Gjithmonë i Njëjti,

quajeni nëse doni Atpërjetshmi Euro

ose më engjëllisht

Shën Dollar.

Le të lutemi, vëllezër,

përpara Zotit Tonë Matematik,

le t?i përulemi titanit bulldozer poshtë mjegullave,

i vetmi që livelon racat,

ideollogjitë,

dhe bën të skuqen prej turpit CIRA-t

dhe Al Qaeda-t.

Nuk shkon më të theremi me njeri-tjetrin

për pretekste të pjella nga templarët e gjorë,

jemi të gjithë bij të të njëjtit kult të vlershëm;

të Klerit Bankeizëm Botëror.

Mos jini kaq naïf, si unë, të përpiqeni

e të besoni akoma

në një tjetër droktrinë globale,

në një tjetër që nuk është Lekizmi

– stridhe që pjell perla prej kartës.

Mos jini kaq kokëtulë, si unë,

të besoni pambarimisht në një kozmos paralel

me këtë të qelburin 

që na poshtëron,

ku tempulli nuk i ka themelet mbi metoritet 

e ankthit monetar,

ku muzika nuk titullohet vetëm Euribor e Libor,

ku era nuk është vetëm

lëvizja e ajrit prej avionëve të luftës,

ku perëndimet nuk linden 

prej reaksionit të uraniumit të varfëruar,

ku Enti Suprem,

e Vetmja e Përhershme,

NënaVdekja

është Democraci e vërtetë…

Por prej lartësisë së obeliskut pigmè

më pëlcet timpanët

tellalli

prej web-it:

Shkoni, o njerëz, të zvarriteni

si horra të kënaqur,

të puthni duart e të të mëshirshmëve Godfathers,

t?u lëpini këmbët

administratorëve bankarë,

të gërvishni gjunjët në kllapi

drejt Vegimit Hyjnor,

nën kafkë të kamxhikoni të keqen,

e të inçizoni në shpinë gjarpërinj të gjakosur.

E përjetshme Lutja e Shenjtë qoftë:

Banka Jonë që je në Tokë… 

Filed Under: ESSE Tagged With: Barcodes-Codici a barre, Noe', Shpend Sollaku

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT