• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GJENOCIDI KOMUNIST NË RRETHIN E VLORËS

May 2, 2013 by dgreca

Rreth kibrit të Aranit Hoxhës “Gjëmat e komunizmit në trevën e Vlorës”, Vlorë 2013/

Nga Shpresim KASAJ/

Ajo që më tërhoqi vëmëndjen në punën e grupit të të  persekutuarve politik të Vlorës, që përgatiti albumin për të pushkatuarit, të vdekur në burgje, të dënuar apo internuar, shkurt për dhunën dhe terrorin komunist në rrethin e Vlorës, ishte se, sa herë që ngecte puna, pyetej Aranit Hoxha dhe ky nxirrte nga gjiri fletore e blloqe shënimesh dhe lexonte të dhënat që i kërkoheshin.

Këto fletore e blloqe shënimesh, ku kishte mbajtur të dhëna për secilin të dënuar apo të persekutuar politik, nuk i mbante në çantë, por në gjirin e tij si relikte shumë të shtrenjta dhe të dashura. E pyeta se ku i kishte gjetur e marrë këto të dhëna dhe ai më sqaroi se, për to, i ishte dashur një punë njëzet vjeçare duke lëvizur e pyetur fshat më fshat e shtëpi më shtëpi, ku merrte takim me familjarët e të dënuarve dhe të persekutuarve politikë. Gjithashtu, më sqaroi se këtë punë nuk e kishte quajtur të mjaftueshme, pasi të dhënat i kishte verifukuar me arkivat e shtetit.

Nga  Aranit Hoxha,, mësova se komunistët e Vlorës i kishin vrarë, më 14 shkurt të vitit 1944, pa gjyq dhe pa asnjë faj të atin, Sulo Hoxhën. Ai më dhuroi edhe një libër të shkruar Mynyr Zyka  “Një engjëll Shqipërie” , që i kushtohej atit të tij. Psi e lexova atë libër vura re se titulli përputhej me brendinë dhe, se Sulo Hoxha kishte qenë vërtet një engjëll mirësie si hoxhë dhe mësues, që predikonte dije, dashuri dhe vëllazëri midis njerëzve, gjë që shkonte ndesh me ideologjinë e komunizmit që predikonte luftë klasash, dhe për këto Sulo Hoxha, nuk e donte komunizmin. Ky ishte edhe faji i vetëm i tij, për të cilin klika komuniste e vrau në mënyrë barbare, duke e zhveshur dhe lënë në mes të pyllit në mëshirë të bishave.  Atëherë e kuptova mirë pse i mbante autori Aranit Hoxha në gji, fletoret dhe blloqet e shënimeve me të dhënat e të vrarëve dhe të dënuarve politikë nga regjimi komunist. Atij, qysh në fëmijëri i ishte djegur shpirti nga ai regjim. Të gjitha këto i mësova atëherë, kur Sula Hoxha më tha se  kishte ndërmend të shkruante dhe të botonte një libër.

Gjatë këtyre dy-tre vjetëve që kanë kaluar, qysh atëherë, ai i plotësoi dhe i sistemoi këto të dhëna dhe mi dha mua për t’ia redaktuar. Dhe ja sot Aranit Hoxha ka dalë përpara lexuesve me librin e tij të parë: “Gjëmat e komunizmit në trevën e Vlorës”, prej 285 faqesh.

*   *   *

Qëllimi i tij është i thjeshtë dhe fisnik: të nxjerrë në dritë e të zbardhë krimet e sistemit komunist gjatë një periudhe gjysmëshekullore. Vetëm duke i nxjerrë në dritë ato krime, brezat që nuk e kanë jetuar dhe nuk e njohin atë kohë, do ta njohin se çfarë kolere dhe gjëme ishte ai sistem dhe nuk do të lejojnë që ai të instalohet përsëri në Shqipëri. Ky është mesazhi i thjeshtë i librit të autorit Aranit Hoxha.

Një libër i tillë ishte i domosdoshëm për publikun e gjerë. Ata që nuk e kanë jetuar atë kohë, s’kanë se si t’i dinë këto krime, madje edhe ne, që e kemi jetuar atë kohë, nuk mund t’i dinim me hollësi, siç përshkruhen në këtë libër. E si mund t’i dinim?! Kush mund të fliste për to, në atë kohë? Natyrisht, dinim që kishte të pushkatuar dhe të dënuar  dhe që kishte pasur gjenocid, por nuk mund t’i dinim përmasat e tij reale.

Të vërtetën drithëruese e mësojmë nga libri i Aranit Hoxhës. Le ta shohim konkretisht. Vetëm në rrethin e Vlorës janë pushkatuar ose varur në litar 434 vetë, të cilëve po t’u shtohen edhe 77 persona të vdekur në burgje dhe hetuesi, bëjnë 514 shpirtra njerëzorë, të marra padrejtësisht. Po kaq është afërsisht edhe numri i dëshmorëve vlonjate të vrarë nga pushtuesit  nazifashistë. Por, këtu ka një dallim, dëshmorët i vrau armiku dhe populli i nderon me lule e kurora, kurse këta, dëshmorët e Aranit Hoxhës u bënë viktima të një lufte vëllavrasëse, të nxitur nga një klikë e varur nga të huajt, që pasi i vrau, i shau, i mallkoi, i anatemoi aq sa emrat e tyre nuk mund t’i zije dot në gojë. Numrit së të vrarëve nga klika e më pas regjimi komunist, po t’i shtohet edhe numri i të dënuarve në burgjet komuniste prej 975 vetash, bëhen 1489 vetë, pra dy brigada. Këtu, nuk po përmendim dhe 750 vetë të internuar.

Ja, pra, çfarë përmasa të lemerishme kishte gjenocidi komunist në Vlorë. Po në të gjithë Shqipërinë?! Dikush mund të mos i besojë këto shifra që u përmendën këtu. Është e drejtë e tij të gjykojë si të dojë, por Aranit Hoxha nuk lë shteg mosbesimi. Ai, i ka konkretizuar një për një shifrat, me emra dhe mbiemra të veçantë, me datën e lindjes, të arrestimit dhe dënimit, me vendlindje dhe vendbanim, me vitet e dënimit e të vuajtjes së tij, si dhe me ridënimet kur ato janë përsëritur. Pra, është një punë e madhe atdhetare që ka bërë autori për njëzet vjet me radhë. Ai i ka sistemuar sipas vendlindjes dhe vendbanimit në 58 fshatra dhe tre qytete: Vlorë, Himarë dhe Selenicë. Pothuajse nuk ka mbetur fshat i Vlorës pa pasur të pushkatuar apo të burgosur politik. Krimi komunist filloi që me lindjen e tij, qysh në vitin 1943, kundër njerëzve të vet, komunistë e partizanë që nuk mendonin si udhëheqja e tyre, sllavo-komuniste dhe u quajtën “fraksionistë”.

Që nga gushti i vitit 1943 deri në nëntor 1944 u vranë 22 komunistë dhe partizanë si “fraksionistë” të Sadik Premtes, si: komandanti dhe komisari i ‘Çetës Plakë të Vlorës”, Neki Imeri dhe Xhemil Çakërri, Sekretari Organizativ i Qarkorit të Vlorës, Mynyr Xhindi dhe kuadro të tjerë si Fejzo Gjomemo, Duro Elmazi, Haki Xhelo, etj.

Gjatë muajve tetor-dhjetor 1943, u vranë me atentat 116 vetë duke përfshirë Sekretarin e Rinisë së Ballit Kombëtar për Vlorën, Azis Sharrën etj.

Ky qe vetëm fillimi, kurse vrasjet e goditjet masive, kundër nacionalistëve dhe ballistëve filluan pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, që u zhvillua në ditët e para të gushtit të vitit 1943.

Më datën tetë gusht, kur akoma nuk qe tharë boja e deklaratës së përbashkët të kësaj marrëveshjeje, Enver Hoxha u dërgoi një promemorie të brendshme të gjitha qarkoreve të Partisë Komuniste në rrethe, ku i udhëzonte që ta grisnin Thirrjen e lëshuar nga Konferenca e Mukjes dhe të mos flitej më për të. Nga ana tjetër, ai dënoi kryetarin e delegacionit të Frontit Nacionalçlirimtar në Mukje, Ymer Dishnicën, duke e përjashtuar nga Komiteti Qendror, se gjoja kishte rënë nën ndikimin e Ballit dhe se kishte ndarë pushtetin me Ballin Kombëtar.

Në fund të shtatorit të atij viti, Enver Hoxha u dërgoi urdhër të gjitha njësive partizane të godisnin me ashpërsinë më të madhe çetat dhe batalionet e Ballit Kombëtar. Ishte një luftë e vërtetë vëllavrasëse, paçka se ende mohohet, se në Shqipëri nuk ka pasur luftë civile. Po si mund ta quajmë ndryshe atë luftë që mori jetën e gjashtëmijë nacionalistëve dhe ballistëve shqiptarë?!

Komunistët nuk kursenin as gratë dhe fëmijët. Konkretisht, në Bolenë vranë Peshqeshe Çelomenen me tre djemtë e saj: Fuatin, Ganiun, Bilbilin; Mamudi Novruzaj me tre djemtë dhe vajzën e saj: Numanin, Islamin, Bilon dhe Duzen. Në Kuç, ekzekutuan tetë burra dhe pesë gra, në Hadëraj vranë në derë të shtëpisë nënën dhe të birin, Zenepe dhe Halim Caushin. Dhe kështu vrasjet barbare vazhdojnë e vazhdojnë në çdo fshat.

Një farsë më vete ishin gjyqet kundër të ashtuquajturve “kriminelë lufte”, që u organizuan në vitin 1945 nga gjyqtarë dhe prokurorë që nuk e kishin fare haberin e gjykimit dhe të drejtësisë, si Qemal Klosi, Islam Hariz Ganaj nga Tërbaçi e Mantho Rrapua, si dhe prokurori shpirt zi Selim Alimerko.

Më 25 tetor 1945, ky trup gjykues, gjykoi dhe dënoi me një aktakuzë të përbashkët brenda një dite 80 “kriminelë lufte” duke i dënuar nga 20 vjet e deri në burgim të përjetshëm, madje dhe me pushkatim. E pabesueshme, por e vërtetë që ka ndodhur. Kemi dokumentin e plotë të atij gjyqi me emrat, akuzat dhe dënimet që janë dhënë për gjithësecilin nga këta 80 të dënuar.

Në gjyqe të tilla u gjykuan dhe u dënuan elita e atdhetarëve vlonjatë që kishin vendosur gurin e themelit të shtetit shqiptar, si: Qazim Kokoshi, Aristidh Ruci, Zini Abaz Kanina, bashkëpunëtorë të afërt të Ismail Qemal Vlorës, delegatë të Kuvendit të Vlorës më 1912 dhe firmëtarë të deklaratës së Pavarësisë.

Gjyqet dhe dënimet me pushkatim dhe me varje në litar vazhduan edhe më pas ndaj grupit të deputetëve dhe ndaj intelektualëve të shquar që kishin mbaruar universitete në perëndim. Le të përmendim për shembull, Drejtorin e Kantierit për Tharjen e Kënetës së Maliqit, Avdul Sharra dhe inxhinierin Kujtim Beqiri, që kishin mbaruar me Medalje të Artë në Universitetin e Vienës.

Ajo që vlen të përmendet gjithashtu, është se autori nuk flet për vrasjet dhe dënimet e njërit krah, por pasqyron dhe ato që janë bërë brenda llojit. Pra, ai evidenton dhe pasqyron edhe ish partizanët dhe komunistët e vrarë, madje dhe gjeneralë e ministra.  Autorit i dhimbsen edhe këta, se edhe këta janë shqiptarë, vëllezërit tanë të një gjaku, që u bënë preh e një ideologjie gënjeshtare dhe vrastare.

*    *    *

Si përfundim, mund të themi se, ky libër është me mjaft vlera për pasqyrimin e krimeve të klikës dhe regjimit komunist që u vendos në Shqipëri dhe që sundoi për gjysmëshekulli. Ky libër nuk duhet të mungojë jo vetëm në familjet e atyre që kanë emrat e të afërmeve të tyre në të, por edhe të gjithë të tjerëve që duan të mësojnë të vërtetën dhe përmasat e gjenocidit komunist në rrethin e Vlorës, pavarësisht se kujt ngjyre politike a besimi i përkasin.

 

 

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Aranit hoxha, Gjenocidi komunist, ne rrethin e Vlores, Shpresim kasaj

Kontributi i patriotëve të Armenit në pavarësinë e atdheut

February 15, 2013 by dgreca

Nga Shpresim Kasaj/

 Fshati Armen është një fshat me peshë e me një zë të veçantë në historinë e luftërave për liri të krahinës së Vlorës e të gjithë Shqipërisë.Gjatë gjithë etapave të historisë, ky fshat ka nxjerrë nga gjiri i tij djem e burra të shquar, si për penë e mendje, ashtu edhe për dyfekë e trimëri, që janë radhitur me burra të shquar të Vlorës dhe i kanë dalë zot vatanit në stuhitë dhe rrebeshet e kohërave. Në ndonjë periudhë të historisë, ata kanë dalë edhe në udhëheqje e drejtim, si në Luftën e Vlorës më 1920, ku Osmën Haxhiu e Sali Bedini ishin: njëri kryetar e tjetri anëtar i Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare që udhëhoqi këtë luftë.

Burra të shquar të Armenit e gjurmët e tyre në historinë kombëtare i gjejmë që shumë herët, por për të mos dalë jashtë objektit e temës së kësaj fjale të shkurtër, do të përqendrohem te periudha e pavarësisë.Lufta për autonominë dhe pavarësinë e vendit nuk filloi dhe mbaroi për një vit, as për dy, tre apo katër vjet. Për të arritur pavarësinë u deshën vite të tëra lufte e përpjekje me penë dhe me pushkë. Ajo është së pari lufta me penë e mendje e rilindësve tanë dhe, më pas e kryengritjeve me armë të popullit tonë trim. Siç dihet, rilindja filloi që në vitin 1845 me botimin e “Evetarit” të Naum Veqilharxhit e të gramatikës së Kristoforidhit, por ajo mori hov të madh pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Kjo lidhje ishte përpjekja e parë për të krijuar një shtet shqiptar në të katër vilajetet, pas 450 vjetësh robëri. Kjo lidhje krijoi degët e saj në të gjithë Shqipërinë Etnike. Kryetari i Lidhjes për Vlorën ishte Mustafa Pashë Vlora, xhaxhai i Ismail Qemalit me Musa Bodon, Odhise Kasnecin e Nikollë Konomin. Pas shtypjes së Lidhjes nga turqit, Lufta filloi të organizojë në fushë të librave shqip për të zgjuar ndërgjegjen kombëtare që nga viti 1883, në Vlorë dhe fshatrat e saj filluan të vijnë libra shqip në mënyrë të fshehtë. Në vitin 1900 krijohet një plejadë e tërë me patriotë vlonjatë që lidhen me njëri-tjetrin e punojnë për mësimin e shkollën shqipe si: Musa Cakërri, Mulla Xhaferr Drashovica, Hamit Lumi, Koli e Kristo Karbunara, Dush Strati, Todi Lubonjari, Aristidh Ruci, Jani Minga, Elmaz Xhaferri, Leonidha Naçi, etj. Këta sillnin e shpërndanin libra shqip nga Shoqëritë Patriotiko-Kulturore të Stambollit, Bukureshtit, Sofjes e Kajroa dhe ua mësonin po fshehtas bashkëqytetarëve e bashkëfshatarëve të tyre.

Në këtë veprimtari patriotike u përfshinë edhe disa patriotë armenas si: Hasan Harizi, Hasn Sulo Skënderi, Muhamet Hasimi, Cane Durka, të cilët u burgosën në Kalanë e Beratit e më pas në atë të Janinës ku Hasan Harizi e Hasan Suloja vdiqën prapa hekurave duke u bërë martirë të shkronjave shqipe. Këta patriotë armenas u lidhën me Todi Lubonjarin, një karvanxhi korcar që banonte në Lubonjë të Armenit dhe transportonte me mushka qymyr nga dushqet e Tërbacit për në Vllahi e Rumani dhe sillte që andej libra shqip të shoqërisë së Bukureshtit. Në një letër, Jani Vruho e përgëzon atë për përhapjen e abetareve në Armen e Treblovë, gjithashtu ndikim te patriotët e Armenit pati Afëz Biçaku nga Drashovica që kishte qenë në Stamboll me Mulla Xhaferr Drashovicën, mësuesin e djemve të Ismail Qemal Vlorës. Afëz Biçaku jepte mësim fshehtas  në Peshkëpi, Penkovë, Lubonjë dhe Armen. Kjo punë, mori karakter më të organizuar, pas krijimit të dy klubeve patriotike “Lumi i Vlorës” dhe “Labëria”.

“Lumi i Vlorës” u krijua në vitin 1900 nga Hamit Lumi (Çela). Ndër anëtarët e parë gjejmë edhe emrin e një armenasi. Ja konkretisht lista e anëtarëve të parë të këtij klubi: Musa Çakërri, Dush Strati, Elmaz Xhaferri, Ali Radhima, Jorgo Koleka, Muhamet Armeni, Kristo Karbunara dhe Harun Panajaja.

Në tetor 1908 u krijua klubi “Labëria” me kryetar Xhemil Bej Vlorën, sekretar Leonidha Naçin dhe arkëtar Muhamet Çobon. Kryetar Nderi i këtij klubi u zgjodh Ismail Qemali që ishte në Stamboll. Këto klube u bënë vatra të atdhetarizmit, jo vetëm për përhapjen e librave shqip e zgjimin e ndërgjegjes kombëtare, por dhe në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve që nëpërkëmbeshin nga nëpunësit turq. Kryesia e këtij klubi ndërhynte te kajmekami e qeveritarët lokalë për zgjidhjen e shumë problemeve që u dilnin bashkëqytetarëve të tyre. Në këto klube, përveç armenasve që përmendëm më lart si: Hasan Harizi, Hasan Suloja, Muhamet Armeni, Cane Durka morën pjesë edhe figura të tjera të shquara si Osman Haxhiu, Sali Bedini e Refat Aliu që patën një veprimtari të gjerë dhe u njohën nga afër e qenë bashkëpunëtorë të Ismail Qemal Vlorës. Le t’i marrim e të shohim një e nga një veprimtarinë e tyre:

  1. Osman Haxhiu – ish njohur me Ismail Qemalin në Stamboll kur vazhdonte “Robert Kolexhe”. I ati i tij, Haxhi Muhameti, ish mik i familjes Vlora, i Syrja e Xhemil bej Vlorës. Ai kish marrë pjesë si delegat në Kongresin e Dibrës në vitin 1909 bashkë me Mehmet Seit Mavrovën, Hasan Sharrën, Abaz Nurin e Ali Asllanin. Haxhi Muhameti bekoi flamurin më 20 nëntor 1912 bashkë me Dom Nikollë Kaçorrin dhe at Marko Moçkën. I biri i tij, Osmani ish anëtar i Klubit “Bashkimi” të Janinës dhe më pas i Klubit “Labëria” të Vlorës. Ai mori pjesë në shumë takime me patriotë të ndryshëm ku flitej për autonominë dhe pavarësinë endnit. Ai mori pjesë në Kuvendin e Drashovicës së Korrikut më 1911 dhe mbështeti Memorandumin e Gërçes dhe hodhi idenë e luftës së armatosur kundër pushtuesit osman. Ai bëri fushatë për kandidaturën e Ismail Qemalit për deputet në Parlamentin Xhon Turk. Qe sekretar i prefekturës së parë të ngritur nga qeveria e Ismail Qemalit e më pas prefekt i Vlorës. Është i njohur aktiviteti i tij si organizator dhe udhëheqës i Luftës së Vlorës që është jashtë objektit të kësaj kumtese të shkurtër.
  2. Sali Bedini, ishte anëtar i Klubit “Labëria”, bile një nga anëtarët aktivë të këtij klubi. Ai mori pjesë në një dërgatë që priti në Korfuz Ismail Qemalin në vitin 1908. për këtë dërgatë na flet Kristo Karbunara, sekretar i Klubit “Labëria” dhe nipi i Babë Dudë Karbunarës, firmëtarit të Deklaratës së Pavarësisë dhe “Mësues i Popullit”. Ja si shkruan ai: Më 1908 morëm një kartë se duhet të prisnim Smail benë në Korfuz. Elmaz Xhaferr Kanina na mblodhi e caktuam një dërgatë për ta pritur. Në këtë dërgatë bënin pjesë: Ahmet Durmish Xhafa, Qazim Kokoshi, Ibrahim Abdullahu, Jani Minga, Elmaz Xhaferri, Hamza Isai, Dom Mark Vasa, Osman Haxhiu, Sali Bedini, Toto Hosi, Todi Lubonjari, Laze Malo… shkruam në Korfuz me navell. Atje ndenjën dy netë e pritëm Smail beun që erdhi me vaporin “Lloid” në Vlorë Smail beu u prit si Krishti. Ai ish drita që na ndriçoi udhën tonë për të bërë Shqipërinë.” Në fillim të pranverës së vitit 1909, Muharrem Rushiti e Spiro Bellkameni erdhën në Mavrovë ku bënë takim me patriotët vlonjate, ku mori pjesë dhe Osman Haxhiu e Sali Bedini. Ja disa nga pjesëmarrësit e këtij takimi: Ibrahim Abdullahu, Alem Mehmeti, Dhimitër Qypi, Laze Malo, Hamza Isai, Osman Haxhiu, Sali Bedini, Isuf Rustemi, Hajredin Danushi, Osman Muka, etj.

Sali Bedini ishte pjesëmarrës edhe në Kuvendin e Drashovicës dhe, pas këtij kuvendi, ngriti çetën me luftëtarë armenas dhe bashkë me 150 luftëtarët e komanduar nga Ibrahim Abdullahu u hodh në Selishtë të Mallakastrës dhe luftoi përkrah luftëtarëve të udhëhequr nga Bektash bej Cakrani. Me Bektash beun, atë e lidhte, jo vetëm ideali i përbashkët, por edhe gruaja e tij, Qamileja që ishte nga Veizajt e Cakranit, fis i Bektash beut. Ja si shkruan për këto luftime gazeta “Liri e Shqipërisë’, që botohej në Sofje të datës 1911 të atij viti: “ Në fillim të gushtit, çetat u përqendruan në Cakran, ku Bektash bej Cakrani kishte përqendruar një fuqi të madhe. Me kryengritësit u bashkuan mjaft ushtarë shqiptarë që shërbenin si redif në repartet xhonturke. Me ta u bashkua dhe mësuesi i Cakranit, Thanas Floqi dhe ai i Kurveleshit, Shuko Dalipi. Në Cakran u zhvilluan luftime të ashpra me xhon turqit.” Sali Bedini mori pjesë në ngritjen e flamurit me shumë bashkëfshatarë të tjerë, si dhe në shumë ngjarje historike të zhvilluara më pas si Lufta e Vlorës ku ai qe një nga protagonistët kryesorë të saj, për të cilën nuk do të flas, sepse del jashtë temës së kësaj kumtese.

  1. Refat Ali Kasaj. Është një patriot tjetër armenas, pjesëmarrës i ngjarjes së pavarësisë. Ai ishte mik i afërt i familjes Vlora. Ai, në vitet 1885 -1900 ishte qehaja “administrator” i familjes së Xhemil bej Vlorës dhe Syrja bej Vlorës, xhaxhallarë të Ismail Qemalit. Ky fakt është i konfirmuar edhe në kujtimet e Eqerem bej Vlorës, vëllimi 1 faqe 48. Kur flet për verimin që bënte familja Vlora në Bishan, buzë Vjosës, ai shkruan: “Aty, në Bishan, i ndihmuar nga mësuesi im, Don Luigji; unë kisha sajuar një kasolle me trungje që u ngjante atyre të udhëtarëve të parë. Atje kisha çuar pushkën, veshjet e kalorësisë, sallën e zagarët, të cilët në të vërtetë nuk ishin të miat, por të qehajait tonë, Refat Armenit.” Kjo familje fisnike e ndihmoi Refatin të mbaronte studimet e larta në Stamboll, të pajiset me dije shkencore e me një kulturë të gjerë. Përsëri është meritë e familjes së Vlorajve që ai punoi për dhjetë vjet në administratën e lartë të perandorisë ormane, në Stamboll.

Ai qe sekretar i Ministrit të Brendshëm, e më vonë i Kryeministrit të Perandorisë, Ferit Pashë Vlorës, bir i familjes Vlora dhe kushëri i Ismail Qemalit. Duke qenë në këtë pozicion, ai u njoh nga afër dhe u miqësua jo vetëm me Ismail Qemalin, por dhe me shumë personalitete të qeverisë dhe të parlamentit osman. Ai erdhi që nga Stambolli në javën e parë të tetorit 1908 për të përkrahur kandidaturën e Ismail Qemalit për deputet në Parlamentin Xhon Turk për Kazanë e Vlorës dhe Beratit. Së bashku me Osman Haxhiun, Sali Bedinin, Durro Shaskën, Alem Mehmetin, Ibrahim Avdullahun e Todi Lubonjari bënë takime nga data dy deri në gjashtë tetor në fshatrat e zonës sonë: Treblovë, Kocul, Armen, Karbunarë, Romës, Gorisht, Mallkeq e të tjerë. Kur ishte sekretar i Ferid Pashë Vlorës, ndikoi te kryeministri për të liruar nga burgu e amnistuar disa patriotë vlonjate të Klubit “Labëria” pas bastisjes së këtij klubi nga autoritetet lokale turke në qershor të vitit 1909.  Shumica e anëtarëve të këtij klubi u arratisën në Korfuz, Brindizi e Trieste dhe disa u fshehën fshatrave. Disa që u zunë u burgosën nga Gjykata e Janinës me nga dy deri në pesë vjet burg. Po kaq u dënuan në mungesë dhe ata që u fshehën dhe nuk u zunë.

Nga relacioni i konsullit austro- hungarez Kraus, dërguar Ministrisë së Jashtme në Vjenë, më katër qershor 1909, mësojmë se: “lista e banorëve të Vlorës në bastisjet e fundit është si më poshtë: Elmaz Efendi Kanina, Ibrahim Abdullahu, Duro Shaska, Ali Beqir Velça, Musa aga Sharra dhe tetë banorë nga katundet fqinjë të Vlorës. Personat në fjalë i shoqëruan për në Janinë me urdhër të Shefqet Pashës për të dalë para gjyqit ushtarak në Stamboll. U arratisën për në Korfuz, Brindisi e Triste personat e mëposhtëm: Hasan Sharra, Shahin Haruni, Hilmi e Petref Risilia, Hamza Isai, Hajri Kreshpa, Bektash Efendi Cakrani, Hajredin Danushi, Ahmet Durmishi e Xhemil bej Vlora. Shumë prej këtyre të arratisurve u lidhën me Refat Armenin e ky, ndërhyri te kryeministri për lirimin e tyre. Këtë fakt e gjejmë në kujtimet e Leonidha Naços, sekretar i Klubit Labëria, të botuara në librin e Pr.Dr. Bardhosh Gaçes: “Lëvizja Kombëtare në Vlorë, 1878 -1912”, botimet “Toena”, Tiranë 1999. Ishte e natyrshme që Ferid Pasha do të ndërhynte për lirimin dhe amnistinë e tyre se ai i kishte bashkëqytetarë, miq e shok të tij dhe xhaxhanë e tij, Xhemil bej Vlora. Ai, megjithëse ishte kryeministër i perandorisë ishte shqiptar dhe zemra patjetër, do t’i rrihte për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ibrahim Abdullahu që ishte një nga kryetarët e Klubit “Labëria” që ndërroheshin me rotacion, patriot i madh e bashkëpunëtor i Ismail Qemalit shkruan kështu në kujtimet e tij: Në Stamboll njoha mjaft shqiptarë që i shërbenin çështjes kombëtare si Feim Mezhgorani, Ferid Pashë Vlora, Ismail Qemali, Zihni Abaz Kanina, Shahin Kolonja, Azis Pashë Vrioni, Mehmet Pashë Tetova, etj.” Refat Aliu mori pjesë në ngritjen e flamurit së bashku me shumë bashkëfshatarë të tij si: Osman Haxhiu, Sali Bedini, Ramadan Armeni, Muhamet Hasimi, Halil Hodo, Mahmut Mersini, Cane Durkën, Meçan Tartarin, Brahim Harizin, Hamit Demën, Selim Xhaferrin e ndonjë tjetër. Ai mori pjesë e punoi në administratën e re të Vlorës të ngritur nga qeveria e Ismail Qemalit, në zyrat e prefekturës me prefektin Ahmet Durmish Xhafën e në zyrat e katundarisë me Ibrahim Avdullahun. Ai mori pjesë edhe në shumë ngjarje të tjera të rëndësishme që ndodhën më pas si në kuvendin e Βarçallasë, në Luftën e Vlorës, në Kuvendin Zakonor të Kuçit, etj, por nuk do të zgjatem të flas për to, pasi dal jashtë temës dhe objektit të përcaktuar, ngjarjeve të pavarësisë. Po kështu është i gjatë e pambarim aktiviteti atdhetar i shumë patriotëve të tjerë armenas, disa prej të cilëve u përmendën në këtë ligjëratë, por edhe i të tjerëve që nuk u përmendën dot sot, por do të jetë objekt i aktiviteteve të tjera të shoqatës sonë.

Lavdi paçin përjetë patriotët e Armenit, Vlorës e të gjithë Shqipërisë që kanë luftuar për pavarësinë dhe lirinë e atdheut në të gjitha luftërat!

Filed Under: Histori Tagged With: Patriotet e Armenit, pavaresia, Shpresim kasaj

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT