• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPËRIA DHE ITALIA NGA KONGRESI I BERLINIT TEK LUFTA GREKO – TURKE

August 27, 2020 by dgreca

Nga ELENA GJIKA MERLIKA – KRUJA *-  Më 20 prill 1880, përpara Konferencës së delegatëve evropianë në Kostandinopojë, Lordi Fitzmaurice, Ambasador i Anglisë, shpaloste një zgjidhje të tij për problemin shqiptar: të formohej një Shqipëri autonome, ku të përfshiheshin katër Vilajetet, i Shkodrës, Janinës, Kosovës e Manastirit. Propozimi ishte pasojë e një shkëmbimi të gjatë e të imtë letrash e shpjegimesh ndërmjet përfaqësuesve anglezë në Turqi dhe Lordit Granville e mbështetej në nenin 23 të Traktatit të Berlinit që parashikonte ndryshime dhe reforma të mundëshme në Turqinë e Evropës. Propozimi në përgjithësi u prit keq, por nëse orvajtja britanike nuk dha frutat e saj, ishte i rëndësishëm fakti që çështja shqiptare vihej para Fuqive të Mëdha: ky popull ishte i pranishëm me të gjitha nevojat e tij e përbënte një faktor të rëndësishëm në historinë e Ballkanit. Për këtë dëshmojnë dokumentat anglezë, të paraqitura n’atë kohë në parlamentin britanik.

            N’Itali ngjarjet patën një jehonë të rëndësishme. Më 28 nëndor 1880 Francesco Crispi deklaronte: “Shqiptarët, si popujt e tjerë të përzierë n’atë pështjellim që është Perandoria Otomane, meritojnë të trajtohen si kombësitë e tjera…. në Turqinë evropiane ka një milion e gjysmë shqiptarë; është e vërtetë se ata nuk janë më ata të para katër shekuj e gjysmë…. por rënia e një populli nuk i jep të drejtë harresës së të drejtave të tij; harresa nuk mund të jetë kurrë një mbrojtje për një ministri italiane”.[1] Të tjera deklarata të ngjajshme nuk mungonin nga ana e njerëzve me përgjegjësi, gjithmonë në kuadrin e atyre parimeve që kishin formuar themelin e Rilindjes italiane. Më 1880 Franca pushtonte Tunizinë dhe është e njohur goditja e pësuar nga kjo ngjarje për dëshirat italiane: ishte frika se edhe në brigjet e Adriatikut, si n’ata afrikane, do të arrihej shumë vonë e më i gjallë bëhej interesi për Shqipërinë.

            Më 28 gusht 1881 u nënëshkrua Traktati Austro – Ruso – Gjerman, që zgjeronte Traktatin e fshehtë të 7 tetorit 1879 ndërmjet Austro – Hungarisë dhe Gjermanisë. Në Traktatin e ri Rusia merrte përsipër të mbante parasysh interesat e Austro – Hungarisë e të mos lejonte, jashtë një marrëveshjeje të përbashkët, asnjë ndryshim në statu quon tokësore të Turqisë evropiane; Protokolli i fshehtë shoqëronjës i njihte Austro – Hungarisë të drejtën të bashkëngjiste Bosnjën dhe Herxegovinën, kur t’a shihte të nevojshme.

            Italia, si pasojë e këtij Traktati, ishte e veçuar në Lindje, por ndërhynte Aleanca Tripalëshe më 1882 dhe Italia do të kishte që atëherë si aleate Austro – Hungarinë. Ishte një gjëndje ende më e vështirë për ndeshjet e pashmangëshme e të shumta të ndikimeve, veçanërisht në Shqipëri. Në krahasim me Italinë, Austro – Hungaria ishte pa dyshim në një pozitë më të mirë. Që nga viti 1857 Hecquart, konsulli i Francës në Shkodër, njoftonte Qeverinë e tij për depërtimin austriak, gjë të cilën e pohonte pak më vonë Merègnin. Mbretëria e Dyfishtë ndihmohej në veprën e saj të depërtimit në Veriun shqiptar, mes malsorëve e mirditorëve, nga lidhjet e tyre me Vatikanin, nga  mjetet financiare, nga aftësia e të dërguarve të saj, nga bashkëpunimi i klerit shqiptar për arsimimin e të cilit kujdesej me shumicë mjetesh, duke ndërtuar kisha, duke ndihmuar manastire, duke mbrojtur dhe nxitur kultin dhe besimin në Kishën e Romës. Italisë i mungonte ndihma e Vatikanit dhe mundësia e mjeteve të gjëra financiare, por nga ana tjetër, kishte mbështetjen e madhe të kolonive shqiptare si dhe kujtimin e veprës e politikës së Venedikut në Dalmaci e Shqipëri.

            Kundër sllavizmit punonin Komitetet shqiptare jashtë, kundër sllavizmit drejtohej politika e Austro – Hungarisë, kundër sllavëve luftonin prej dhjetëvjeçarësh popullsitë malsore të Veriut shqiptar. Në fakt ishte një gjëndje guerriljeje të përherëshme e dukej se Qeveria e Kostandinopojës nuk ishte krejt e huaj ndaj lëvizjeve të tilla. Arsye historike e të çastit shtynin kundër njëri tjetrit sërbët e shqiptarët. Forcat e sllavizmit, të ripërtërira, në një jetë të re në sajë të disa Fuqive, ishin vënë në kërkim të atyre territoreve që i quanin të domosdoshme për t’ardhmen e popullit të tyre. Nuk mund të mos pranohet se arsyet e të dy popujve, secili për hesapin e tij, quheshin të sakta, por nuk duhet harruar sa shkatërruese ishte politika e Portës që mbështeste kryengritjet shqiptare kundër sërbëve, duke krijuar n’ato vise një gjëndje të vazhdueshme shqetësimi të përhershëm, duke nxitur nacionalizmat e të dy palëve, duke u shërbyer prej tyre për të vendosur mbi ato treva autoritetin e Gjysmëhënës.

            Në Jugë po ashtu jetonin popujt fqinjë, shqiptarët e grekët. Shqiptarët shpesh janë qortuar se nuk kanë ditur të përfitojnë nga rastet e shumta e nuk kanë mbajtur një qëndrim të qartë, kur ngjarjet mund të ishin në dobi të tyre, si gjatë luftës greko-turke të 1897-ës. Por gjëndja në Shqipërinë Jugore nuk i jepte shqiptarëve një garanci të sigurtë mirëkuptimi e bashkëpunimi pa interes nga ana e grekëve, sepse këta prej vitesh ndiqnin një politikë të hapur shkombëtarizimi në trevat e fqinjëve të tyre, një politikë pa dyshim e aftë, e lidhur me interesat e Patriarkanës greke të Kostandinopojës, e drejtuar me metoda që nuk njihnin caqe, në një krahinë që do të ishte dëshmitare dhune, masakrash e poshtërimesh. Rumania bënte të njohur më 1905, në një Libër të Gjelbër, historinë e kobëshme të këtij depërtimi shkatërrimtar. Shëmbulli më i qartë i këtyre ndjenjave ishte kundërshtimi i shqiptarëve ndaj vendimeve të Berlinit. Më 1897, urrejtja e ngjeshur prej vitesh, shpërthente në luftën greko-turke.

            Veprimet ushtarake shihnin shqiptarët në luftë përkrah trupave otomane kundra ushtrisë greke. Janë të njohura ngjarjet para luftës  dhe përfundimet rrënuese për Greqinë të betejave të ndryshme. Edhe populli grek, i shtyrë nga një valë entuziazmi, e kishte dëshiruar këtë luftë e kishte bindur për çështjen e saj të drejtë shtetet e Evropës, përfshirë Italinë. Niseshin nga siujdhesa  garibaldinët vullnetarë, nën komandën e Ricciotti Garibaldit, ndërmjet tyre edhe deputetët Faci e Fratti. Më 21 prill grekët u sprapsën në Ligaria, më 23 braktisnin Matrin duke u drejtuar për në Larisë, linin Velestinin, Volon e më 5 maj dukeshin në ultësinë e Farsalës. Garibaldinët i mbanin besën traditave luftarake të Këmishëkuqëve, por fati i armëve greke ishte shënuar pakthyeshmërisht. Dihet se Greqia  u shpëtua nga ndërhyrja e fuqive t’Evropës, por dështoi synimi i përkëdhelur prej kohësh, për të pushtuar zonat e lakmuara të Shqipërisë së Jugut. Fshatrat e shkatërruera ishin aty dëshmitare të “entuziazmit” me të cilin ishin pritur grekët nga gjindja e Epirit. Ishte thelluar aq shumë hendeku nga urrejtjet, mëritë, masakrat e dhjetëvjeçarëve, saqë nuk arrinte t’a mbushte as urrejtja për shtypësin otoman. Shqiptarët nuk kishin faj kur zbrapsnin me zjarr luftarak ushtritë greke, nën habinë dhe përbuzjen e Evropës. Për ndjenjat greke ata që nuk besonin do të bindeshin kur të bëhej realitet Lidhja ballkanike e të bëheshin të njohura projektet e serbëve e të grekëve kundrejt popullit shqiptar.

            Dhe n’Itali nuk munguan ata që nuk miratuan sjelljen shqiptare n’atë rast, por Qeveria italiane e kishte bërë të njohur prej kohësh qëndrimin e saj: Italia dëshironte autonominë e kombësive të ndryshme, kur Perandoria turke nuk do t’ishte më në gjëndje të mbahej. Këtë politikë do t’a ndjekë vazhdimisht gjatë gjithë periudhës që do t’i paraprijë e do të pasojë fundin e zotërimit të Portës në Evropë. Më 6 tetor 1887, kur Nigra i kumtonte Francesco Crispit disa marrëveshje të kryera ndërmjet ambasadorëve të Austrisë, Anglisë e Italisë në Konstandinopojë, ministri italian shprehu gjithë mirëkuptimin dhe mbështetjen e tij. Ishin marrëveshje të mbështetura në tetë pika: “paqe, statu quo, mbështetje autonomive lokale, pavarësi nga Turqia, përfshirë dhe neutralitetin e ngushticave, mosnjohje të konçesioneve të saj për ndërhyrje në Bullgari në dëm të të drejtave sovrane të saj, dëshirë për të ortakësuar edhe Turqinë në veprimet e tri Fuqive, mbështetje asaj në rast ndërhyrjesh të sipërthëna ndaj të cilëve ajo ishte bashkëjetuese dhe e paaftë për qëndresë, pushtim i përkohshëm i disa pikave të Perandorisë otomane nga ana e tri Fuqive me marrëveshje për të rivendosur ekuilibrin.”[2]

            Por kjo marrëveshje nuk pati jetë të gjatë. N’atë vit mbaronte dhe traktati i parë i Tripalëshes dhe protokolli i ri sillte edhe një formulë kushtuar “les regions des Balkans”, gjithmonë në kahun e marrëveshjes së përbashkët e të këshillimeve të ndërsjellta, në prani të ndryshimeve të mundëshme në shumë të dëshëruarën Turqi t’Evropës.

            Në Shqipëri nuk pushonte për asnjë çast vepra e kombëtaristëve, të cilët nuk humbnin asnjë rast për t’i dërguar peticione e lutje Sulltanit, duke kërkuar me durim të njëjtat gjëra: njohjen e kombësisë, të drejtën e përdorimit të gjuhës së tyre, hapjen e shkollave shqipe. Një nga këto përkujtesa, më 1895, i kushtoi internimin dyqind bejlerëve.

            Simpatitë shqiptare prireshin nga Italia dhe nga Janina vinte një raport i konsullit italian, më datën 6 janar 1896, që përmbante pohimet e bejlerëve shqiptarë një nënshtetësi italian. Ndërmjet të tjerash thuhej: “Bejlerët shqiptarë i thanë Fantit se tashmë nuk kishte asnjë dyshim se fati i Turqisë po rrëkëllehej e që në mes të shpërbërjes së afërt, sytë e të gjithë shqiptarëve të vërtetë si të krishterë ashtu edhe myslimanë, ishin drejtuar paprerë përtej Adriatikut, tek Italia. Ata gjithashtu janë shprehur se nuk do të pranonin kurrë bashkim me Greqinë…”[3] Por nuk mungonin edhe mendime që mbështetje të këtilla të kërkoheshin edhe nën mbrojtjen austriake.

            Visconti-Venosta takonte në Monza Goluchowski-n në nëndor 1897 dhe marrëveshja mbetej e qëndrueshme përsa i përkiste Ballkanit në përgjithësi e Shqipërisë në veçanti. Një vit më parë, mbas Aduas, Italia kishte qënë e detyruar të mbyllte shkollat e saj në Prevezë, në Vlorë e në Durrës, mbasi kjo marrëveshje mund të shëmbëllente si një farë shpërblimi për lëshimet e mëparëshme. Por kur ministri italian takonte Goluchowskin ishte në fuqi marrëveshja austro-ruse për Ballkanin, e nënëshkruar në Petersburg në prill t’atij viti. Shqipëria përbënte një pikë të rëndësishme të kësaj marrëveshjeje, megjithëse propozimet, vendimet, zgjidhjet e parashikuara ishin të përcaktuara njëanësisht, mbasi ishte e qartë se Rusia nuk angazhohej krejtësisht, duke e quajtur “të parakohshëm” çdo vendim përkundrejt Shqipërisë. Austro-Hungaria e përfundonte, pavarësisht nga Italia, marrëveshjen e saj me Petërsburgun duke e ndarë Ballkanin me Rusinë në dy zona eskluzive ndikimi: “sfera e ndikimit të plotë të Rusisë përfshinte Bullgarinë, ajo e Austrisë Sërbinë. Sfera e ndikimit të kufizuar të Austro – Hungarisë përfshinte Maqedoninë, Selanikun, Shqipërinë; ajo e Rusisë pjesën tjetër të Turqisë n’Evropë.”[4]

            Nëse marrëveshja ishte me rëndësi të madhe për Austrinë sepse shmangëte luftën e gjatë e të heshtur ruse ndaj politikës ballkanike të Mbretërisë së Dyfishtë, por duke përjashtuar Italinë, mbi të gjitha nga problemi shqiptar, në siujdhesë trondiste besimin në një bashkëpunim italo – austriak në Shqipëri dhe asgjësonte pjesërisht vlerën themelore të Aleancës Tripalëshe. Por Italia hapte në Shqipëri konsullata, shkolla e përpiqej të kryente veprën e depërtimit fetar nëpërmjet Urdhërit Salezian, gjë që shkaktonte zëmërimin e hapur të Qeverisë së Vjenës.

            Në korrik 1899 Komiteti shqiptar i lëshonte një thirrje bashkatdhetarëve për një kongres në Bukuresht, që duhej t’ishte një dëshmi e fuqishme e mundësive dhe dëshirave të racës. Duhej të mblidhte të gjithë kombëtaristët jashtë shtetit, atë bërthamë tundulluesash bredharakë në kryeqytetet e ndryshme t’Evropës, shpesh pa mjete, të trishtuar e të lodhur nga ankthi i arritjes së qëllimit e i fitores, të pakuptuar herë herë edhe nga bashkatdhetarët, të padëgjuar nga interesat e politikës dhe të diplomacisë së Kontinentit.

*Marrë nga “REVISTA e SHQIPËRISË”, e drejtuar nga Francesco Ercole

Botim tremujor nën kujdesin e Qëndrës së studimeve për Shqipërinë, pranë Akademisë Mbretërore të Italisë.  Shtator 1942.


[1] Dokumenta të Parlamentit italian, 28 nëndor 1880

[2] Salvatorelli: “Aleanca Tripalëshe” Milano, Instituti për studimet e politikës ndërkombëtare, 1939, faqe 141 – 143.

[3] Francesco Crispi: “Çështje ndërkombëtare”, Milano, Treves 1923, faqja 239 e në vazhdim

[4] J. Larmeroux: “Politika e jashtëme e Austro – Hungarisë”, vëll. I Paris, libraria Plon, Plon-Nourrit e k. 1918, faqe 385

Filed Under: Histori Tagged With: Elena Gjika-Kruja, Lufta Italo-Greke, Shqiperia dhe Italia

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT