• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqipëria nderon martirë të kombit dhe fesë

September 18, 2014 by dgreca

Nga Frank SHKRELI/
Tre ditë para se të shkelë në tokën arbërore për vizitën e tij në Tiranë, Papa Francesku ka përshëndetur gjatë një meshe në Vatikan, shqiptarët dhe ka falenderuar popullin shqiptar për përgatitjet që ka ndërmarrë për ta pritur atë sa më mirë me rastin e vizitës së tij në kryeqytetin e shqiptarëve, ndërsa ka theksuar edhe njëherë shembullin e tolerancës fetare ndër shqiptarët, si një prej arsyeve kryesore të vizitës së tij në Shqipëri, duke thënë tekstualisht këto: “Të dielën, me ndihmën e Zotit do të shkoj në Shqipëri. Kam vendosur ta vizitoj këtë vend, sepse ka vuajtur shumë për shkak të një regjimi të tmerrshëm ateist dhe tani po mundësojnë një bashkëjetesë paqësore midis besimeve të ndryshme fetare. Përshëndes popullin shqiptar dhe i falënderoj ata për përgatitjet për vizitën time. U kërkoj të gjithëve që të më shoqërojnë me lutje”, ka thënë Papa disa ditë para udhtimit të tij drejtë Tiranës.
Në pritje të Papa Françeskut, rrugët e Tiranës, në mënyrën më dinjitoze janë dekoruar me flamujt e kombit shqiptar dhe të Vatikanit, ndërkohë që bulevardi i “Dëshmorëve të kombit” ku do të kalojë Papa për të shkuar tek Sheshi “Nënë Tereza”, është mbuluar në të dy anët me portretet e disa dyzina klerikësh katolikë, të vrarë mizorisht nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Siç duket nga përgatitjet shtetërore dhe qeveritare, kjo vizitë e Papës do të jetë tepër dinjitoze, ashtu siç duhet dhe siç e kanë traditë shqiptarët. Megjithëse Papa Françeskut i pëlqen thjeshtësia, është me vend që kjo pritje të reflektojë dëshirën e Papës që ai ka shprehur se me vizitën e tij do të kujtojë vuajtjet e popullit shiqptar. Andaj kjo vizitë, ndër të tjera, duhet të jetë një dëshmi e tragjedisë së klerit katolik shqiptar gjatë regjimit komunist, e këtyre viktimave të pafajshme të vrarë nga një dorë e pamëshirshme e një shteti terrorist. Duhet të jetë një dëshmi jo vetëm për vet shqiptarët, por dhe për botën e cila këtë të djelë do të jetë e pranishme aty në mes të Tiranës, nepërmjet më shumë se 1600 gazetarëve. Sepse, megjithëse Shqipëria e vogël në krahasim me shtetet e tjera ish-komuniste ku gjithashtu persekutohej feja, numri i klerikëve katolikë shqiptarë të vrarë, proporcionalisht, duhet të jetë numri më i madh në krahasim me numrin e viktimave të klerit katolik në ish vendet komuniste të Europës Lindore, gjë që e bën tragjedinë, e jo vetëm të klerit katolik –por edhe atij mysliman dhe ortodoks shqiptar — si një ndër terroret dhe masakrat më të egëra komuniste, që ka njohur bota.
Shpresohet që kjo ekspozitë e mrekullueshme në qëndër të Tiranës, përveç dëshmisë që tregon, të jetë njëkohsisht edhe fillimi i përjetsimit të kujtimit të tragjedisë së këtyre viktimave të pafajshme — dhe jo vetëm tragjedisë së tyre por edhe fatit dhe historisë moderne të kombit. Sepse me vrasjen e këtyre klerikëve nga regjimi komunist, u zhdukën ato që Ernest Koliqi i pat cilësuar ata në një shkrim si, “Rreze Qytetnie të Fikuna”, duke përmendur poetnit dhe shkrimtarët e njohur klerikë, si Vinçenc Prenushi, Anton Harapi, Bernardin Palaj, Lazer Shantoja, Ndre Zadeja, Nikoll Gazulli, Aleksandër Sirdani e shumë e shumë të tjerë. Ishin këto viktima të komunizmit, portretet e të cilëve janë vendosur në qëndër të Tiranaës me shumë të tjerë, të cilët Ernest Koliqi i kishte njohur personalisht, e të cilët sipas tij, “Ishin Artista të fjalës, që ndërsa e holluen shqipen tue ia shtue mjetet shprehëse, ata synojshin rritjen e breznive të reja në zjarmin e idealit kombëtar.” Koliqi vazhdon shkrimin e tij me rastin 20-vjetorit të fillimit të tragjedisë së klerikëve shqiptar që u shlnua këtu në Amerikë më 1966, duke thënë se, klerikët e martirizuar, “Na çilën sytë me pa shkëlqimin e trashëgimit tonë stërgjyshor. Ndikuen në shpirtin tonë krenarinë e emnit shqiptar. Fetarë po, dhe të përpikshëm, por edhe atdhetarë të qitun.”
Periudha e komunizmit si në gjithë botën tjetër, për nga egërsia me të cilën trajtonet kundërshtarët, ishte një kapitull i historisë së Shqipërisë dhe të shqiptarve me të cilën nuk mund të ndjehet askush krenar. Përveç tjerash, zhdukja fizike e këtyre klerikëve dhe eliminimi i veprave të tyre letrare dhe kombëtare ka varfëruar përgjithmonë edhe vet historinë dhe kulturën kombëtare të shiqptarëve. Ndoshta ky ishte edhe qëllimi i atyre që ndërmorën këtë vëllavrasje me urdhëra të të huajve, fillimisht nën urdhërat e jugosllavëve e më vonë të rusëve, qëllimi i të cilëve ka qenë gjtihmonë që të ndalonjnë zhvillimin dhe prirjet përparimtare perëndimore ndër shqiptarët, dhe njëkoshisht të zhdukin edhe ndjenjat kombëtare të shqiptarëve. Ishin këto krime çnjerzore të ndërmarra nga një regjim i tërbuar me ideologjinë komuniste sllavo-aziatike i cili nuk kishte asgjë të bënte me kombin shqiptar dhe as nuk i shërbente interesave të tij.
Por fatbardhsisht planet e tyre, megjithse e çuan shumë mbrapa kombin shqiptar nuk dolën me sukses. Kujtimi i këtyre viktimave të komunizmit siç pasqyrohet nga përgatitjet për vizitën e Papa Françeskut në Tiranë nga qeveria, nga shteti si edhe nga besimtarët e tre besimeve fetare dhe i mbarë populli shqiptar këtë djelë, vërteton fjalët e poetit kombëtar At Gjergj Fishtës kushtuar dëshmorëve:
“….E kur Shqyptari ndër ma të largtat mote
Nepër të cilat do të endet jeta e njerit,
Kur të këndoj Shqyptari m’ato kangë kreshnike
Sa gjaku e mundi kje prej jush dikue
Për me u ndërtue Atdheu i tij Shqypnia:
-O të lumtë ata, ka me brohoritë me vedi
Që flija e Atdheut e ban, e tue dhanë jetën,
Liri Atdheut e të ambël jetë i suellën.
E ai vorret tua atëherë ka me kërkue
E ka me i gjetë, e ka me i ruejt, si ruhet
Altari i Atdheut: e me kunora të blerta
Ka me i lulëzue, e mbasandej ju besën
ka për tua dhanë mbi vorr, se kurr për së gjallit
s’ka me e koritun namin tuej e nderen
Se ka me dekë për Atdhe si desin burrat,
Si diqët — qe– ju për një Shqypni të lirueme”
Në Shqipëri dhe ndër shqiptarët kudo ndihet një shprehje krenarie për pritjen që po i bëhet Papa Françeskut në vizitën e tij Tiranë të djelën që vjen si dhe kujtimit që me këtë rast po u bëhet të viktimave të regjimit komunist të klerit katolik. Ndoshta kjo vizitë e Papës është edhe një rast i mirë për tu zotuar se shqiptarët sot e tutje — këtyre dhe të gjitha viktimave të komunizmit shqiptar të të gjitha feve e të gjitha krahinave — s’ka “me ua koritur namin e as nderin”, pasi këta si viktima të pafajshme, humbën jetën për lirinë që gëzon sot Shqipëria dhe kombi shqiptar. Ky është një obligim jo vetëm fetar e moral por edhe atdhetar, një angazhim ky që më në fund do të sjellë paqë e pajtim dhe do të çojë në një manifestim të shërimit të plagëve kombëtare.

Filed Under: Editorial Tagged With: Frank shkreli, martirë, Shqipëria nderon, të kombit dhe fesë

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT