• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqipëtarëtë gjithënjë për boten’ e kurrë për vetëhe

August 27, 2013 by dgreca

Nga Sami Frashëri/

Sindekur thamë më siprë, Shqipëtarëtë gjithë-monë janë vrar’ e përpjekurë e kanë çpërkaturë të-tërë faqen’ e dheut me gjak të-tyre; por nga gjaku i Shqipëtarëve të-tjërë kanë fituarë, Shqipëria s’ka parë nonjë të-mirë. Shumë Shqipëtarë janë çquarë e kanë treguarë vetëhenë në dituri e në të-tjerëra gjërëra’ po me këta të-tjerë mburënë e jo Shqipëtarët’ e Shqipëria.

            Me Pyrron’ e me Aleksandrinë mburenë Grekëritë e i quajnë Grekër. Maqedonasitë që, me trimëritë të-tyre muarrë gjithë botënë në pak kohë nuk’ i suallë nonjë të-mirë Shqipërisë, po Grekëritë, q’ishinë armikët’ e tyre, u ranë pas e i rrethuanë, edhe këta fituanë nga gjaku që derdhënë ata. Se Maqedonasitë përndanë nëpër gjithë vendet që muarrë gjuhën e qytetërin’ e Greket, e jo të tyrenë, q’ish shqipja. E-shum’ e botësë edhe sot Maqedonasitë i zënë për Grekër. Vërtet, të mos ishinë Maqedonasitë, gjuh’ e Grekët e qytetëri e tyre dotë mos kish marrë dotë kurrë këtë bujë që ka sot, edhe mbas dotë kish humburë e t’ish harruarë fare; se shkoll’ e Aleksandrisë edhe të-dituritë q’apinë n’Egjyptë në kohët të Ptolemenjët e bënë gjuhën’ e qytetërin’ e Greqet të përndahetë e të dëgjohetë mbi gjithë anët të dheut. Ptolemenjtë q’ishinë fjeshtë Shqipëtarë nga Çamëria e gjithë Maqedonasitë lanë gjuhën’ e tyre shqipenë me nj’anë të-harruarë e të-paditurë, e vunë përpara greqishtënë, gjuhën’ e Dhimosthenit që ka folur aqë kundra Maqedonaset.

            Pas Grekërvet erdhen Romanëtë; edhe këta fituanë shumë nga Shqipëtarëtë: trimëri e Shqipëtarëvet e mendj’ e-tyre shërbente mburrjen’ e Romanëvet e jo të-tyrenë. Shumë njerës trima e të-diturë kan’apiturë edhe në kohët të këtyre në mest të Shqipëtarëvet, po bota i ka njohurë si Romanë e jo si Shqipëtarë.

            Pas Romanëvet u erth radha Tyrqet. Shqipëtarëtë duke përzjerë me Tyrqitë kanë marrë anë në gjithë luftërat që bëninë e që fitoninë këta kundrë gjithhë botësë;  edhe më të-madhenë e më të-miratë punëra i bënin Shqipëtarëtë, po emnrinë e kishinë Tyrqitë, edhhe gjithë bota i dinte Tyrq e njeri s’i njihte si Shqipëtarë. Më të mbëdhenjt’ e më të-mirëtë e Vezirëvet të Tyrqisë ishinë Shqipëtarët, si Sinan-Pasha që ka marrë Jemenë e ka shpënë Fjamrin’ e Tyrqisë gjer në detet t’Indisë, si Qiprilinjtë q’e kanë shpëtuarë mbretërin’ e Tyrqisë nga një rrezik të-math e e forcuanë aqë këtë mbretëri sa van’ e rrethuanë Vjenënë. Edhe shumë të-tjerë njerës të mbëdhenj e burra trima kan’ ardhurë, prej të cilëve Tyrqia ka fituarë shumë, po Shqipëria aspakë.

            Në kohërayt të-pastajme Shqipëtarëtë kanë punuarë e janë vrarë për Tyrqitë e Shqipëtaret’ e e krishtenë për Grektë, për këta dy kombe të cilëtë, as njëri as jatri, s’ua dinë të-mirënë, e ja u çpëblejnë me të-keqe duke përpjekurë për humbjen’ e kombit Shqipëtar. Boçari, Zhavella, Miauli e të-tjerë më të-shumët’ e trimavet që janë përpjekurrë për ngjalljen’ e për dlirin’ e Grequsë kanë qenë fjeshtë Shqipëtarë e jo fare Grekë; po nga timëri e tyre kanë fituaarë shumë Greqia e jo fare Shqipëria. Në syt të botësë lëftonin Greqtë me Tyrqitë, po në të vërtet lëftoninë Shqipëtarët’ e-krishtërë me Shqiptarët myslimanë. Kur muntnin’ ata fitonte Greqia, kur muntninë këta, fitonte Tyrqia; po gjaku që derdhesh nga të-dy anëtë ish gjak  Shqipëtari. Shqipëtarëtë vritenë vëlla me vëlla, të-tjerë fitojnë. Shqipëtari e ka derdhurë gjithnjë gjaknë pa kurcim, po e ka derdhë kot; Kurrë Shqipëria s’ka fituarë nga gjku i Shqipëtarëvet: gjithë-një të-huaj edhe armikë të Shqipërisë kanë fituarë nga ay gjak i vjejturë e i-derdhurë pa mendim!

            Jo vetem me kordhë e me gjak, po edhe me pendë e me ment Shqipëtarëtë kanë shërbëtuarë gjithë-një të-huajtë. Me të mos shkruarë gjuhen’ e tyre janë shtrënguarë greqisht, latinisht, shqahisht, tyrqisht a arabisht; edhe me  emnit të-tyre mburenë të zott’ e këtyre gjuhëve, e Shqiptarëtë pandehenë t’egjër’ e të pa-diturë, gjith’ i qeshinë duke thënë se, ja u ka ngërnë buallica librën’ e tyre. Po Aristoteli m’i madhi i filosofëvet të  Greqis’ së vjetërë ishte Maqedonas, dome-thënë Shqipëtar e jo Grek. Vërtet në Stagjyre, tek ka lindurë ishin edhe ca Greq t’ardhurë, po fytyr’ e Aristotelit që shohim n’agalmët të ti dhe gjuha greqisht q’e ka shkruarë të-përtuarë e jo aqë të-drejtë si dhe miqësia që kish me Filipinë, anëmikn’ e Greqet e të-tjerë shënja tregojnë që ky filosof i-math nukë ish lindurë prej nonjëj nga Greqtë që kishin ardhurë në Stagjyrë, po prej një Stagjyraku vëndës, e ish Maqedonas, do-me-thënë Shqipëtar i fjeshtë.

            Në kohë të Tyrqete kan’ardhurë shumë Shqipëtarë të-diturë që kanë shkruarë libra e vjersha tyrqisht a arabisht. Vetëm vjershëtarëtë Shqipëtarë që kanë shkruarë vjersha tyrqisht janë aqë shumë, sa emënatë e-tyre munt të mbushinë nji librë të-tërë. Jahja-Beu, q’është një nga më të-dëgjuaritë e vjershatarëvet tyrq, është Shqipëtar.

            Shqipëtarëtë e kanë treguarë gjithë jetënë që janë të zottë edhe me kordhë edhe me pendë, edhe me trimëri edhe me ment e me dituri, e Shqipëria ka nxjerrë shumë njerës të-çquarë e me nam të math, po nonjë nga ata s’ka punuarë për Shqipërit, e cila ka mbeturë gjithë-një e-varfërë  e e-padëgjuarë, e me djemt’ e saj mburenë të-tjerë vënde e të-tjerë kombe. Është ndodhuë një Shqipëtar i-zoti të ngjallnjë Egjyptënë, e të bënjë prej këtij vëndi të-humbur’ e të-prishurë, sish-atëherë, një vënd të-pasur’ e të ndrituarë, si është sot. Dhe Mehmet Ali, Shqipëtari i-pamësuarë, u-ndoth i-zoti të shpëtonjë kështu një vënd të-huaj e të-largë; po kurrë një Shqipëtar s’është ndodhurë t’i bënjë Shqipërisë një të-mirë të-këtillë.P’andaj duke mbaruarë këtë fjalë, themi prapë me hidhërim zëmrë që: Shqipëtarëtë kanë punuarë, gjithë-monë për botënë e jo kurrë për vetëhë.

            Vetëm një Skënderbe ka punuarë në kohërat’ e shkuara për Shqipërinë e vetëm ay   është me të-vërtetë mburrje për Shqipërinë.

 Nxjerrë nga “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bënëtë?”

 

Filed Under: Kulture Tagged With: e kurre per vehte, gjithnje per boten, Sami Frasheri, shqiperia

Shqipëria ka nevojë për një strukturë të pavarur për të luftuar me sukses korrupsionin

August 5, 2013 by dgreca

Këshilli i Europës: Shqipëria progres të limituar në luftën kundër rasteve korruptive lidhur me zyrtarët e lartë dhe punonjësit e sektorit publik.

DW: Z. Rau, GRECO është një institucion i Këshillit të Europës, që funksionon që prej 14 vitesh, që ka rolin e vet në luftën kundër korrupsionit. Pse u krijua, çfarë qëllimesh ka?

Wolfgang Rau: GRECO (Groupe d’Etats contre la corruption – Grupi i shteteve kundër korrupsionit) është një grup ndërqeveritar i ngritur nën kujdesin e Këshillit të Europës për të parë në mënyrë kritike masat që anëtarët e tij marrin për të luftuar korrupsionin. Vlerësimet e GRECO-s i referohen një sërë instrumentave ligjorë të Këshilllit të Europës, të cilat vendet e tij anëtare duhet t’i zbatojnë. Që në krijimin e tij ka qënë e qartë se për të luftuar korrupsionin nuk është i mjaftueshëm vetëm zbatimi i këtyre instrumentave apo mekanizmave. Duhet të ketë kontroll të vazhdueshëm nëse ato janë zbatuar në praktikë dhe si janë zbatuar. Kjo është arsyeja e egzistencës së GRECO-s dhe e pjesëmarrjes në të të 47 vendeve, anëtare të Këshillit të Europës. Kjo lloj përqasjeje shpjegon gjithashtu pse një vend si SHBA u bënë anëtare me të drejta të plota të Grupit që në fillimet e tij dhe po mbështet punën e tij në mënyë aktive. GRECO plotëson kështu aspektin monitorues të Këshillit të Europës me një përqasje tri planëshe në luftën kundër korrupsionit, duke përfshirë edhe përcaktimin e standarteve ndërkombëtare, – si u theksua më lart –dhënien e mbështetjes dhe asistencës teknike. Meqë po flasim për asistencën teknike, GRECO ka kontribuar jo pak në progresin që ka bërë Shqipëria në luftën kundër korrupsionit.

DW: A mund të shpjegoni se cilat janë standartdet anti – korrupsion të Këshillit të Europës?

Wolfgang Rau: Korrupsioni ka qëne dhe mbetet shqetësim i Këshillit të Europës. Në mes të viteve ‘90-të u bë e qartë nevoja për një përqasje multi- disiplinore në këtë fushë të vështirë ku nuk mund të arrihet një sukses afatgjatë vetëm permes zbatimit të legjislacionit. Në këtë kontekst u përpunuan një sërë instrumentash ndërkombëtarë si “Njëzet Parimet Drejtuese për Luftën Kundër Korrupsionit” më 1997, Konventat “Për Ligjin Penal dhe Ligjin Civil për korrupsionin”, të dyja në 1998, “Kodi Model për zbatim nga zyrtarët publikë” në 2000, dhe “Rregulla të përgjithshme kundër korrupsionit në financimet e partive politike dhe fushatave elektorale” në 2003. Këto instrumenta të rëndësishme janë përdorur nga shtetet anëtare, për të cilat GRECO është i interesuar veçanërisht. GRECO u krijua në Maj 1999 me qëllimin e madh të përmirësimit të kapaciteteve të anëtarëve të tij për të luftuar korrupsionin dhe ndjekur, në bashkëpunim, zotimet e tyre në këtë fushë.

DW: Objektivi kryesor është asistenca ndaj shteteve anëtare në luftën kundër korrupsionit, që përbën një nga sfidat kryesore të demokracive në të gjithë botën. Si e realizon GRECO këtë objektiv?

Wolfgang Rau: GRECO ndihmon të identifikojë mangësi në politikat kombëtare anti- korrupsion, duke nxitur reformat legjislative, institucionale dhe vënien e tyre në jetë. GRECO ofron gjithashtu një platformë për të shkëmbyer praktikat më të mira në parandalimin dhe zbulimin e korrupsionit. Në këtë mënyrë shtetet anëtare përfitojnë nga ekspertiza e GRECO dhe rekomandimet specifike për vendin përkatës. Raportet e vlerësimit dhe rekomandimet bazohen në informacionin e shkruar që sigurohet nga autoritete të rëndësishme, nga intervista me aktorë të ndryshëm, përfshirë edhe shoqërinë civile si edhe përmes studimeve paraprake. Plotësimi i rekomandimeve të GRECO-s monitorohet sipas një procedure specifike.

DW: Si është sot situata e përgjithshme në Europë lidhur me korrupsionin?

Wolfgang Rau: Në janar, Thorbjørn Jagland, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të EuropësI, iu drejtua Asamblesë së KE (PACE) dhe tha: “korrupsioni është sot kërcënimi më i madh për demokracinë dhe dëmton besimin e qytetarëve tek ligji”. Besoj fort se ky vlerësim është i drejtë. Megjithatë, nuk mund të jap ndonjë shifër lidhur me nivelin e përgjithshëm të korrupsionit në Europë, që varion në mënyrë sinjifikative nga një vend në tjetrin, por do të ishte naive të besosh që korrupsioni është në rënie. Sa më i gjatë stanjacioni apo recesioni ekonomik, sa më e madhe të jetë konkurrenca për burimet e pakta, aq më u shumë rritet rreziku i praktikave korruptive për të pasur akses tek këto burime duke shkaktuar kështu dëm të mëtejshëm vlerave demokratike të Europës, institucionet dhe stabilitetin. Pavarësisht nga arritjet e shumta të lëvizjes ndërkombëtare anti-korrupsion, nga intoleranca e dukshme dhe në rritje e qytetarëve ndaj politikanëve të korruptuar, punonjësve civilë dhe drejtuesve të bizneseve, nuk ka asnjë arësye për të rënë në vetëkënaqësi.

DW: Shqipëria, si shtet anëtar i GRECO-s, ka përfituar nga monitorim i i tij i vazhdueshëm dhe rekomandimet. Si do ta përshkruanit situatën në Shqipëri nga perspektiva e GRECO-s, sidomos lidhur me plotësimin e standardeve anti- korrupsion të KE?

Wolfgang Rau: Që nga viti 2002 Shqipëria është vlerësuar tri herë nga GRECO lidhur me luftën kundër korrupsionit. Vendi ka plotësuar tanimë 35 nga 37 rekomadimet e dhëna nga GRECO, që atëhere dhe deri tani. Ky është një rezultat shumë i mirë që tregon se Shqipëria ka bërë përpjekje për të përmbushur rekomandimet e KE. P.sh. Shqipëria ka adaptuar Strategjinë Anti- Korrupsion, 2007-2013, dhe ka promovuar politika dhe masa anti- korrupsion në nivel lokal dhe rajonal, ka reformuar legjislacionin penal lidhur me korrupsionin, përfshirë këtu edhe penalitete për persona ligjorë lidhur me mit- marrjen, ryshfetin, trafikun e interesave, dhe pastrimin e parave. Shqipëria ka marrë gjithashtu masa për të mbrojtur dhe inkurajuar raportuesit e rasteve të korrupsionit. Gjithsesi është e qartë që lufta kundër korrupsionit është një sfidë afatgjatë që kërkon përpjekje të vazhdueshme, sidomos kur është fjala për zbatim efektiv të legjislacionit egzistues. GRECO do të vazhdojë të monitorojë plotësimin e standarteve anti- korrupsion të KE, ashtu si bën për të gjitha shtetet anëtare.

DW: Në raportin e dytë të vlerësimit të GRECO-s, lidhur me plotësimin e këtyre standardeve, të publikuar në fund të qershorit të këtij viti, GRECO merret me dy fusha, për të cilat në Shqipëri ka ndjeshmëri të lartë: inkriminimin e korrupsionit dhe transparencën e financimeve të partive politike. A mund të thoni se cilat janë gjetjet kryesore në këtë raport, cilat janë sfidat që mbeten për t’ u përballuar në të ardhmen nga Shqipëria?

Wolfgang Rau: Shqipëria ka kryer një proces domethënës reformash në të dyja fushat. Mes të tjerash, Kodi Penal u amendua në 2012, për të kriminalizuar qartësisht marrjen e ryshfetit nga zyrtarët e huaj dhe ndërkombëtarë, për të rritur nivelin e sanksioneve për ryshfetin në sektorin privat dhe për trafikun e interesave. Për më tepër Shqipëria ka marrë masa të rëndësishme për të forcuar transparencën e financimeve të partive politike, duke përfshirë donacionet dhe donatorët, siguruar monitorimin e KQZ në dy drejtime: aktivitetin e përditshëm rutinë dhe financimin e fushatës elektorale, si edhe për të përcaktuar sanksione lidhur me thyerjen e rrregullave të financimit. Sfida kryesore tani mbetet zbatimi efektiv, në praktikë i kuadrit të ri ligjor. Në raportin e fundit të GRECO-s për Shqipërinë, për të cilin po flasim, në zbatimin e ligjit në praktikë- sidomos në sa parashikon Kodi Penal lidhur psh me ryshfetin aktiv në sektorin publik dhe privat, trafikun e influences – deri tani progresi është shumë i limituar dhe zbatimi i ligjit është penguar nga një mungesë informacioni dhe mirëkuptimi të përgjithshëm për gjithë sa parashikon Kodi Penal për korrupsionin si edhe nga shtrembërimi i zbatimit të ligjit. Vendi ka nevojë për vazhdim dhe zhvillim të mëtejshëm të masave praktike si treinimet e oficerëve të policisë, gjykatësve dhe prokurorëve.

DW: Në ” Progres- Raport, Shqipëria, 2012″ të Komisionit Europian thuhet se: “ka një progres të moderuar lidhur me luftën kundër korrupsionit. Korrupsioni është mbizotërues në shumë fusha dhe vazhdon të jetë një problem shumë serioz.” Kjo deklaratë e KE-së reflekton gjithashtu edhe perceptimin e opinionit të gjerë publik në Shqipëri për korrupsionin. Lufta kundër tij ka qenë dhe mbetet një nga prioritetet e të gjitha qeverive në Shqipëri por ndërkohë mungojnë tregues domethënës të ndjekjes penale apo dënimit të zyrtarëve të lartë që janë akuzuar për korrupsion. Çfarë mendoni ju për këtë fakt? A ka praktika të dobishme në vende të tjera anëtare të GRECO që mund t’i vlejnë Shqipërisë?

Wolfgang Rau: Ashtu si theksova në krye të herës, GRECO në Raportin e tij, të publikuar së fundi, ka deklaruar se përvoja lidhur me parashikimet e Kodit Penal për korrupsionin ka qënë i limituar, si lidhur me zyrtarët e lartë ashtu edhe në përgjithësi me punonjësit e sektorit publik. Përvoja tregon se duhen përmbushur disa kushte për të luftuar me efikasitet korrupsionin, duke filluar nga një vullnet i fortë politik në nivelin më të lartë politik që përkthehet në masa praktike për të siguruar që policia, akuza, dhe gjykatat kanë në dispozicion mjetet e duhura për të kryer punën e tyre, përfshirë edhe një numër të mjaftueshëm stafi të specializuar. Për më tepër, në shumë vende ngritja e një strukture të fuqishme, të pavarur anti- korrupsion ka provuar të jetë një aset në luftën kundër korrupsionit.

DW: Z.Rau, në Shqipëri, në shtator fillon punën qeveria e majtë e kryeministrit Edi Rama, kryetar i PS-së. Çfarë pritet nga Shqipëria, nga perspektiva e GRECO-s, me qëllim përmbushjen e plotë të standarteve të Këshillit të Europës në luftën kundër korrupsionit?

Wolfgang Rau: Në fund të tetorit, GRECO do të organizojë një vizitë vlerësuese për Shqipërinë në kuadër të raportit të rradhës që ka të bëjë me parandalimin e korrupsionit për anëtarët e parlamentit, gjykatësit dhe prokurorët. GRECO planifikon të adaptojë një raport vlerësim në fillim të vitit 2014 dhe pritet që Shqipëria, të plotësojë brenda 18 muajve rekomandimet që do të përmbajë ky raport. Natyrisht, në këtë fazë, nuk mund të flas për gjetjet e ekipit vlerësues dhe rekomandimet që do të ketë në raportin e GRECO-s, por është e qartë që fushat që do të mbulojë ai janë kyç për funksionimin e duhur të një shoqërie demokratike. Përgjithësisht, lipset angazhim i qartë politik dhe veprimi i vendosur, duke përfshirë si masat parandaluese ashtu edhe ndjekjen penale efektive, gjykimin e veprave penale të korrupsionit për ta luftuar ate me sukses.(DW)

 

Filed Under: Interviste Tagged With: per korrupsionin, shqiperia, strukture te pavarur, Wolfgang

PRESIDENTI NISHANI: SHQIPERIA E PERKUSHTUAR KUNDER KRIMIT DHE FORCIMIN E SHTETIT TE SE DREJTES

July 25, 2013 by dgreca

“Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar në intensifikimin e luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar, forcimin e shtetit të së drejtës dhe përshpejtimin e ritmit të reformave për arritjen e stadardeve evropiane”.

Kështu është shprehur Presidenti Bujar Nishani gjatë fjalimit të mbajtur në takimin e Kryetarëve të Procesit të Brdo-s, që po mbahet në Slloveni duke shprehur edhe  angazhimin serioz të mazhorancës së re qeverisëse  në këtë drejtim.

“Kam bindjen se ajo do të realizojë me sukses programin e saj ambicioz. Kështu, do t`u ofrojmë qytetarëve tanë shërbime të cilësisë evropiane dhe do të arrijmë objektivin më prioritar strategjik, integrimin evropian” tha Nishani.

Gjithashtu, Nishani u shpreh se politika e jashtme e Shqipërisë është e orientuar në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe intensifikimit të bashkëpunimit rajonal.

“Shqipëria nuk ka probleme të hapura me asnjë nga vendet e rajonit. Interesave kombëtare të Shqipërisë u shërbehet mirë në një mjedis rajonal paqësor, të stabilizuar, demokratik, ekonomikisht të zhvilluar. Ne kemi inkurajuar shqiptarët në rajon që të veprojnë në mënyrë institucionale dhe të mbështesin reformat për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor, si edhe procesin e integrimit evroatlantik të vendeve ku ata jetojnë. Natyrisht, do të jemi gjithmonë për respektimin e të drejtave të tyre sipas standardeve më të përparuara evropiane dhe ndërkombëtare. Kjo politikë, e formësuar dhe zbatuar pa ekuivoke prej më shumë se dy dekada, do të mbetet një konstante, në shërbim të paqes dhe stabilitetit rajonal” theksoi Nishani.

Gjithashtu Presidenti Nishani ka rikujtuar se më 16-17 shtator do të zhvillohet në Durrës, Samiti i pestë Rajonal Vjetor i radhës.

“Gjatë këtyre takimeve të përvitshme, ne kemi rikonfirmuar nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, miqësisë e bashkëpunimit midis vendeve tona, si edhe jemi angazhuar të kontribuojmë në nxitjen e mëtejshme të kësaj fryme, si në dialogun politik, bashkëpunimin ekonomik dhe në çështje të interesave të përbashkëta rajonale dhe në bashkëpunimin në kuadër të integrimit evropian të vendeve tona. Ne besojmë dhe, me gjithë zemër urojmë që këtë vit të kemi mes nesh edhe presidentët e Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës” tha Nishani.

Kreu i shtetit Nishani më tej u shpreh se  rajoni i Ballkanit Perëndimor ka ndërruar faqen e historisë, duke u shndërruar nga burim kokëçarjesh në rajonin e mundësive të shumta.

“Ai mbart potenciale turistike, kulturore dhe historike, burime të shumta natyrore dhe ndodhet në një pozicion të favorshëm gjeografik.  Tashmë dialogu është gjuha e komunikimit, ku bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë risia më e këndshme dhe meritojnë mbështetje të veçantë. Por, ne mendojmë se bashkëpunimi rajonal konkretizohet, përtej deklaratave verbale, nëpërmjet projekteve konkrete për krijimin e një infrastrukture të përbashkët moderne rajonale, bashkëpunim në fushën e turizmit, transport, mbrojtjen e ambientit, heqjes së gjithë barrierave jo-fizike të lëvizjes së njerëzve, mallrave e kapitaleve, rritjes së shkëmbimeve, njohjes më mirë të njëri-tjetrit. Angazhimi ynë i përbashkët do t`i shërbejë rritjes së potencialit ekonomik të rajonit, për ta bërë atë një treg të dukshëm, tërheqës dhe konkurrues për investitorët e huaj nga e gjithë bota” tha ai.

FJALIMI I PLOTE

Fjalimi i Kryetarit të Shtetit shqiptar në seancën plenare të Takimit të Kryetarëve të Procesit të Brdos:

I nderuar Presidenti Hollande,
I nderuar Presidenti Pahor,
I nderuar Presidenti Josipović,
Të nderuar zotërinj Ministra,
Zonja dhe zotërinj!

Kam nderin dhe kënaqësinë, që, në emrin tim, dhe të delegacionit shqiptar, të shpreh mirënjohjen dhe vlerësimin për Presidentin Hollande prania e të cilit në këtë takim flet qartë. Franca dhe Bashkimi Evropian, me vepra dhe qëndrime konkrete, po i kushtojnë vëmendjen e duhur Ballkanit Perëndimor, mbajnë të gjallë dhe intensive dialogun dhe mbeten të përkushtuara në zbatimin e politikës së zgjerimit drejt rajonit tonë edhe në këto kohë jo të lehta krize.

Një falenderim i përzemërt shkon, në mënyrë të veçantë, për presidentët Pahor dhe Josipović, për sipërmarrjen e tyre. Sllovenia dhe Kroacia, me performancën e tyre të shkëlqyer, kanë merituar anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe janë bërë gjithashtu, përfaqësues të denjë të imazhit të një rajoni, i cili po ndryshon pozitivisht. Kur them këtë, kam parasysh, jo vetëm reformat e suksesshme që kanë afruar standardet e këtyre vendeve me ato evropiane, por edhe faktin se janë një shembull për mënyrën e zgjidhjes së çështjeve dypalëshe. Ata janë zëra të fortë, avokatë të rajonit në BE.

Eksperiencat sllovene dhe kroate janë një vlerë që duhet shfrytëzuar në procesin tonë integrues. Ne do të mund të shkëmbejmë eksperiencat tona  për atë që gjithsecili nga ne ka bërë mirë, ose jo.

Të nderuar miq!

Rajoni i Ballkanit Perëndimor ka ndërruar faqen e historisë, duke u shndërruar nga burim kokëçarjesh në rajonin e mundësive të shumta. Ai mbart potenciale turistike, kulturore dhe historike, burime të shumta natyrore dhe ndodhet në një pozicion të favorshëm gjeografik.  Tashmë dialogu është gjuha e komunikimit, ku bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë risia më e këndshme dhe meritojnë mbështetje të veçantë.

Por, ne mendojmë se bashkëpunimi rajonal konkretizohet, përtej deklaratave verbale, nëpërmjet projekteve konkrete për krijimin e një infrastrukture të përbashkët moderne rajonale, bashkëpunim në fushën e turizmit, transport, mbrojtjen e ambientit, heqjes së gjithë barrierave jo-fizike të lëvizjes së njerëzve, mallrave e kapitaleve, rritjes së shkëmbimeve, njohjes më mirë të njëri-tjetrit. Angazhimi ynë i përbashkët do t`i shërbejë rritjes së potencialit ekonomik të rajonit, për ta bërë atë një treg të dukshëm, tërheqës dhe konkurrues për investitorët e huaj nga e gjithë bota.

Zbatimi i “Trans Adriatic Pipeline” (Projekti TAP) ofron një mundësi të artë për të gjithë vendet tona. Tashmë është bërë konkretisht i nevojshëm bashkëpunimi për të lobuar për Projektin Jonian Adriatic Gas Pipeline – (Projekti IAP), një projekt i propozuar për ndërtimin e tubacionit të gazit natyral nga Shqipëria përmes Malit të Zi, Bosnjë Hercegovinës deri në Split, Kroaci.

“Korridori 8 –të” është nismë e filluar nga viti 1996, do të kalojë nga Bullgaria, Maqedonia dhe Shqipëria për të përfunduar në Bari/Brindisi mbetet një sfidë tjetër e rëndësishme.

Në mënyrë që të rritet konkurrenca dhe siguria e furnizimit me burime energjetike në nivel rajonal, vendet e Evropës Juglindore dhe Bashkimit Evropian kanë nënshkruar Traktatin e Komunitetit të Energjisë. Objektivi afatgjatë është krijimi dhe të bërit funksional të instrumenteve të shkëmbimit të burimeve energjetike, si dhe krijimi i një Tregu Rajonal të Integruar Evropian, në mënyrë që çdo vend të marrë përfitime sa më të mëdha.

Integrimi me rrjetin rajonal është një dimension i politikave tona. Ai konsiston në ndërtimin e linjave të interkonjeksionit me të gjitha vendet kufitare si dhe me Italinë. Në këtë mënyrë, do të krijojmë mundësinë e shkëmbimit të energjisë me vendet fqinje dhe më gjerë.

Zonja dhe zotërinj!

Politika e jashtme e Republikës së Shqipërisë është e orientuar në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe intensifikimit të bashkëpunimit rajonal. Shqipëria nuk ka probleme të hapura me asnjë nga vendet e rajonit.

Interesave kombëtare të Shqipërisë u shërbehet mirë në një mjedis rajonal paqësor, të stabilizuar, demokratik, ekonomikisht të zhvilluar.

Ne kemi inkurajuar shqiptarët në rajon që të veprojnë në mënyrë institucionale dhe të mbështesin reformat për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor, si edhe procesin e integrimit evroatlantik të vendeve ku ata jetojnë. Natyrisht, do të jemi gjithmonë për respektimin e të drejtave të tyre sipas standardeve më të përparuara evropiane dhe ndërkombëtare. Kjo politikë, e formësuar dhe zbatuar pa ekuivoke prej më shumë se dy dekada, do të mbetet një konstante, në shërbim të paqes dhe stabilitetit rajonal.

Në Shqipëri do të zhvillohet këtë vjeshtë, dhe pikërisht në Durrës, më 16-17 shtator Samiti i pestë Rajonal Vjetor i radhës. Gjatë këtyre takimeve të përvitshme, ne kemi rikonfirmuar nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, miqësisë e bashkëpunimit midis vendeve tona, si edhe jemi angazhuar të kontribuojmë në nxitjen e mëtejshme të kësaj fryme, si në dialogun politik, bashkëpunimin ekonomik dhe në çështje të interesave të përbashkëta rajonale dhe në bashkëpunimin në kuadër të integrimit evropian të vendeve tona. Ne besojmë dhe, me gjithë zemër urojmë që këtë vit të kemi mes nesh edhe presidentët e Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.

Mbetemi plotësisht të përkushtuar në intensifikimin e luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar, forcimin e shtetit të së drejtës dhe përshpejtimin e ritmit të reformave për arritjen e stadardeve evropiane. Ky është një proces, që kërkon vijueshmëri. Kur them këtë, kam parasysh edhe angazhimin serioz të maxhorancës së re qeverisëse, të dalë nga zgjedhjet e fundit dhe bindjen se ajo do të realizojë me sukses programin e saj ambicioz. Kështu, do t`u ofrojmë qytetarëve tanë shërbime të cilësisë evropiane dhe do të arrijmë objektivin më prioritar strategjik, integrimin evropian.

Së fundi, përfitoj nga rasti për të shprehur bindjen time në suksesin e këtij takimi dhe të procesit tonë të bashkëpunimit në vijimësi, si dhe të garantoj përkushtimin tim dhe të vendit tim ndaj tij.

Ju faleminderit!

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: presidenti Nishani, shqiperia, shteti i se drejtes, Slloveni

Qëndrimi ndaj hebrenjëve i bën nder kombit shqiptar

July 20, 2013 by dgreca

* Kur hebrenjëve iu kërcënohej jeta, shqiptarët u ofruan miqësinë sipas kodit të lashtë të besës /

*Sipas bisedës me z. Mustafa Rezniqi, zonjën Xhangyle Ilijazi, te Shoqatës së Miqësisë Kosovë-Izrael, z. Besim Ndregjoni, i Shoqatës të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë dhe  zonjën Larisa Lezha, studiues e Arkivit të  Shtetit Shqiptar…/

Nga Dalip Greca/arkiv/

Ajo ç’ka kanë bërë shqiptarët gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore në mbrojtje të hebrenjëve, nuk është më sekret. Sekretet i mori me vete gjatë rrokullimës së tij sistemi komunist, i cili e kishte shpallë të padëshiruar shtetin e hebrenjëve dhe e quante “koburja e imperializmit amerikan”. Mirëpo, Ramiz Alia, besniku dhe pasuesi i diktatorit Enver Hoxha, në kohëpërmbysjen e pushtetit komunist, dosjen për mbrojtjen e hebrenjëve nga shqiptarët ia dorëzoi kongresistit  amerikan Tom Lantos dhe ish kongresistit Joseph DioGuardi gjatë vizitës së tyre në Tiranë më 1990 dhe bota e mësoi se ç’ishte besa e shqiptarëve dhe kodi i saj i sacrificës. Miqtë nga Izraeli nuk vonuan që të shprehnin mirënjohjen për besën dhe bujarinë e shqiptarëve, që kishin vënë veten dhe familjet e tyre në rrezik për të shpëtuar jetë të miqëve, që u kishin rënë në besë.

Veprimi i shqiptarëve përmban në vetëvete ndjenjën e  sakrificës. Kur një familje shqiptare pat vendosur familjen izraelite në një bazë, e  cila mund të rrezikohej nga gjermanët, i zoti i shtëpisë çoi edhe të birin me ta, për t’u treguar se ai për mikun vinte në rrezik të birin. Janë të rrallë popujt që e bëjnë një sakrificë të tillë. Si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, hebrenjtë u morën në mbrojtje nga shqiptarët sipas kodit të lashtë të besës dhe kështu nderuan kombin.

Edhe Kosova u hapi dyert dhe zemrën hebrenjëve

Mustafa Rezniqi nga Gjakovai ndjehet krenar, që  i ati i tij, një ndër tregtarët më të njohur në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore, kishte miqësi me hebrejntë. Miqësinë, i ati i tij,  Asllan Rezniqi,  nuk e shfrytëzoi vetëm për tregti, por, në çastet e vështira, kur miqëve të tij iu rrezikua jeta, ai u ofroi kodin e besës. Hebrenjtë kishin ardhë nga Peja në Deçan për arsye sigurie.

Me porosi të hebrenjve bëri një ndërtesë enkas për ta, dalja sekrete e nëndheshme e së cilës i nxirrte nga rreziku nëse shkonin gjermanët. Gjithësesi ajo ishte një shtëpi moderne për kohën, me dy kate dhe kishte dhoma të veçanta gatimi, fjetje, për miqtë etj. Skicat e kësaj shtëpie janë  depozituar që në vitin 2005 në Izrael. Hebrejtë qëndruan aty gati katër vjet. Kur qëndrimi u bë i rrezikshëm, atëhere, Asllan Rezniqi, i mori dhe i përcolli për në Tiranë.

Mustafa tregon se babai i tij ato kohë ishte një ndër tregtarët me shumë zë si gjatë Luftës së I Botërore ashtu edhe gjatë Luftës së Dytë.

Mustafa Rezniqi, që i ka kaluar të tetëdhjetat, kujton se ishte fëmijë atëherë dhe mban mend shumë mirë miqtë hebrenj. Ai kujton edhe kampin e Prishtinës, ku ishin grumbulluar hebrenjtë, që më vonë u nisën drejt Tiranës,  Aty ishte edhe miku i atit të tij, Samuel Mizraki. Ai pat përfituar nga një dy orësh liridalje që kishin në kohë dreke, ka ikë prej Prishtinës dhe ka marrë rrugën për në Deçan, duke kërkuar mbrojtjen e Asllanit. Që në fillim u morën masa që ai të krijonte një identitet të ri. Fillimisht i nxorën një pasaportë shqiptare me emrin Sami Mazreku. Ai kishte qenë më parë me banim në Shkup, por që andej e kishin sjellë në Prishtinë me rastin e  grumbullimit. I ati i Mustafës ka arritur që ta përcjellë sërish për në Shkup, ku atij i kishte mbetur familja, e cila ishte e hutuar nga ikja e kryefamiljarit.

Mustaf Rezniku, ka sigurtuar dokumentacion të mjaftueshëm, që mohon zëra se në Kosovë janë asgjësuar hebrej. Këto akuza të pavërteta,  thotë ai, i kanë hapur serbët me qëllim që të injoronin solidaritetin e shqiptarëve me hebrenjtë dhe së dyti të përhapnin urrejtje ndaj shqiptarëve me qëllim që të realizonin represionin dhe genocidin e tyre ndaj shqiptarëve, po ashtu si nazistët që ushtruan kundër popullsisë izraelite nëpër Evropë. Shqiptarët e Kosovës kanë qenë të ekspozuar ndaj genocidit dhe dhunës po aq sa hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Një gazetar sllav, Misha Vavic prej Mitrovice ka sajuar një histori ashtu siç i intereson atij dhe jo siç ka ndodhë në fakt për  batalionin shqiptar ”Skënderbeu” dhe këto mashtrime kanë mbizotëruar shtypin serb dhe fatkeqësisht po i merr në konsideratë edhe ndonjë shqiptar dhe më pas shumëzohen në internet. Kurrëfarë  krimi nuk kanë bërë shqiptarët ndaj hebrenjve. Misha Vaviç ka shkruar shpesh të kundërtën e asaj që ka ndodhur mes shqiptarëve dhe hebrenjve. Ka shumë artikuj që mbajnë firmën e tij, por ato i beson vetëm ai dhe ata që qëndrojnë pas tij.

Vaviç rreket që të kapet pas historisë së një shqiptari, i quajtur Muhamet Prejuci, gjoja sikur ai paska treguar me gisht hebrenjtë, duke u bërë kallauz i gjermanëve. Gjithçka është e sajuar, qëllimi ka qenë që të njollosë jo vetëm Muhametin, por edhe tre vëllëzerit e tjerë të tij, që shquheshin si derë fisnike dhe e pa përzier me pisllëqe e krime, që kërkon t’i atribuojë gazetari sllav.

Mustafa dëshmon se për këtë rast ka intervenua i ati i tij, Asllani,me kërkesën e babait të Muhametit. Në fakt Muhameti ka qenë burgos në Pejë për pak kohë. Baba me anë të Halil Kastratit ka investigu dhe ka mësuar të vërtetën. Ai ka qenë i pafajshëm.

Mustafa tregon se deri tani janë evidentuar disa shqiptarë të Kosovës,  që u bënë strehë për hebrenjtë. Ai kujton se babai i tij, Asllani, ka shpëtuar dhe një hebre tjetër, me të cilin bashkëpunonte për punë të tregtisë. Ky ishte me qëndrim në  Gllogovc të Drenicës, e ka çuar në një fshat tjetër, tek një mik i tij. Ky u përcoll për në Shqipëri përmes Bjeshkëve të Nemuna.

Kryetari i Shoqatës së Miqësisë Kosovë-Izrael tregon edhe një rast që flet për përkushtimin e  hebrenjëve ndaj shqiptarëve. Është i njohur rasti i doktor Abravanel, ky ka qenë mjek i shkëlqyer. Shërbente në spitalin e Shkupit. E kanë pasë transferuar nga Shkupi në Deçan dhe ka qëndruar disa muaj aty nën besë të Asllan Rezniqit. Mustafa nuk mund ta harrojë mjekun hebre sepse falë aftësive të tij mjeksore është gjallë sot. Pjestarët e familjes së tij ishin të infektuar nga tifoja e zorrëve dhe kosa e vdekjes po i korrte njëri pas tjetrit. Ishin disa të infektuar që qëndronin bashkë dhe infeksioni ishte përhapur zinxhir: halla e babës, axha, dhe disa kushërinj nuk mundën të shpëtonin, ndërsa Mustafa, atëhere fëmijë, falë kujdesit të doktorit hebre mundi që të shpëtonte. Bëhet fjalë për vitin 1941. Mustafa kujton detaje se si erdhi doktori hebre në shtëpi, se si e vizitoi, i mori gjakun për analiza,  dhe më pas kishte kërkuar një njeri të saktë që ta çonte gjakun në spitalin e  Shkupit për analiza. U gjet një njeri i tillë, i sigurtë. Ky ishte daja i Mustafës, Ismet Stavileci, i cili e çoi në spital gjakun, por s’ka mundur që ta marrë analizën sepse spitali është bombarduar në çast dhe është hedhur në erë.

Kohën e rrezikut mjeku e kaloi në shtëpiën e babës së Mustafës. Ka qëndruar 6 muaj aty. Familja ruan edhe fotografitë më të.  Mjeku hebre kishte lënë familjen në Shkup, gruan, vajzat dhe djalin. Asllani e ka përcjellë vetë nëpër Deçan, Gjakovë, Prizren, Tetovë dhe në Shkup. Më vonë ky mjek shkoi në spitalin e Manastirit. Shqiptarët që shkonin atje ai i ndihmonte, qoftë edhe me një fjalë përshëndetjeje prej Asllan Rezniqit.

…Pas një heshtje, që zgjat disa minuta, Mustafa tregon me dhimbje, se doktori ka pasë një tragjedi familjare.Vajzës së tij i kishte ardhur kunati që ta merrte dhe të shkonin  në Dubrovnik tek një kushëri që kishte mbërritur atje. Kanë qenë të gjithë në mbrëmje në Shkup, por ka rënë një tërmet i fuqishëm dhe familja siç ishte ka mbetur e vdekur.

Mustafa tregon se i ka mbajtë lidhjet me doktorin sa ishte gjallë. Tani lidhjet mbahen me një mbesë të doktorit, me të cilën është takuar në Izrael, ku ka qenë i ftuar.

Kosova po dokumenton kontributin shqiptar ndaj hebrenjve

Xhangyle Ilijazi ka ardhur në Nju Jork nga  Gjilani i Kosovës. Ajo në kohën e vizitës mbante detyrën e zv/kryetares së shoqatës të Miqësisë Kosovë-Izrael. Anëtarësia e shoqatës, më  shumë  se 30, përbëhet kryesisht nga familje që kanë kontribut në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shoqata ka grumbulluar material dokumentar dhe fotografik që dokumentojnë ndihmat e shqiptarëve.

“Ka pasur një propogandë intensive serbe që e ka fshehur këtë realitet dhe ka propoganduar të kundërtën, sikur gjoja shqiptarët nuk kanë mbrojtur hebrenjtë”, thotë me indinjatë zv/kryetarja Iljazi.

Kanë qene më shumë se 15 familje shqiptare që janë të dokumentuara si strehuese dhe shpëtuese të hebrenjve në Kosovë, nderkohe qe numri I familjeve hebreje ne Kosove ishte 56, nderkohe qe pranai e hebrejeve ne Kosove daton ne shekullin e 15-te.

Zonja Ilijazi tregon se mban korrespondencë të rregullt me Muzeumin e Yad Vashem-it që nga fundi i viteve 1980. Ajo ka dërguar disa materiale për shqiptarët që kanë ndihmuar hebrenjtë gjatë Luftës së II Botërore.

Ajo vazhdon që të mbajë lidhje me shumë shoqata të hebrenjve si dhe me një sërë prej shoqatave simotra në shtetet e  Ballkanit.

Aktiviteti më i rëndësishëm mbetet rinovimi i varrezave të hebrnjve. Cila është historia e varrezave?

Organizata “ Zbor” i kishte dorëzuar listat e hebrenjve qarqeve gjermane. Në maj të vitit 1941 në Prishtinë  ishin grumbulluar hebrenjtë dhe po bëhej seleksionimi i tyre. Mushon Asheri dhe djalin e tij Solomonin, gjermanët i kanë rrahur në mënyrë çnjërëzore dhe më pas i kanë pushkatuar në Taukbashqe të Prishtinës. Këta dy hebrenj janë të pushkatuarit e parë në këtë vend. Aty janë edhe varrezat e hebrenjve. Deri në vitin 2000 ato varreza nuk kanë qenë të përkujdesura, dukeshin të braktisura. Me angazhimin e  veprimtarit humanist Murteza Studenica dhe disa ndihmësve të tij, ato varreza janë rregulluar dhe janë nën përkujdesje të Kuvendit Komunal të Prishtinës. Të gjitha të dhënat lidhur me këto varreza dhe me shpëtimin e hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore nëpër familjet shqiptare dhe prej nëpunësve shqiptarë janë prezantuar në librin e Murteza Studenicës “Shqiptarët dhe hebrenjtë”, botuar në Prishtinë dhe në librin e Shaban Sinanit “Shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri”, botuar në Tiranë në vitin 2005. Në këtë drejtim Arkivi i Kosovës ka bërë fotografimin e varrezave dhe ka grumbulluar dokumentacionin duke ua dhënë në shërbimin studiusve.

Ndër studiuesit që ka hedhur dritë mbi kontributin shqiptar ndaj hebrenjve në Kosovë, në Luftën e Dytë Botërore, është  Prof. Hakif  Bajrami.

 

Sa ka qenë numri i hebrenjve në qarkun e Kosovës?

 

 

Sipas statistikës turke të vitit 1911 në fondin “Komiteti i Kosovës” në Arkivin e Shqipërisë, dosja 27, theksohet se në Vilajetin e Kosovës jetojnë 2009 hebrenj, prej tyre 1343 në Shkup, 547 në Prishtinë, 93 në Kumanovë, 26 në Mitrovicë dhe disa persona të vetmuar në Prizren, Gjakovë dhe Pejë.

Ndërsa dy vite më vonë, më 1913, po sipas statistikës të Komitetit të Kosovës, (dokumenti origjinal gjendet në Arkivin e Shqipërisë, dosja 22) në Shkup jetonin 567 hebrenj. Në viset e tjera të Kosovës hebrenjtë nuk shënohen në atë dokument.

Me regjistrimin e vitit 1921 shënohet se në Prishtinë jetonin 322 hebrenj, në Mitrovicë 104, në Pirzëren 1, dhe në Rahovec 1, gjithësej 427 hebrenj në Qarkun e Kosovës.

Me regjistrimin e vitit 1931 shënohet se në Prishtinë jetonin 373  hebrenj, në Ferizaj 3, në Mitrovicë 110, në Prizren 11, në Gjakovë 6 dhe në Pejë 3. Sipas të dhënave arkivore në territorin e Kosovës më 1937 jetonin 506 hebrenj.

Sipas dokumentave ushtarake serbe më 1905 në Vilajetin e Kosovës jetonin 3000 hebrenj, më 1910 jetonin 3200, hebrenj, më 1915 jetonin 298 hebrenj, që do të thotë se të tjerët ishin shpërngulur për në Turqi.

Më 1937 është bërë sërish regjistrimi me detaje i hebrenjve, të cilët në të njëjtën kohë shprehën dëshirën që të shpërnguleshin në Turqi së bashku me shqiptarët. Atëbotë erdhi nga Beogradi Dr. Isak Alkalaj dhe i bindi që hebrenjtë të mos shpërnguleshin.

 

 

Arkivat shqiptare ruajnë kontributin  për hebrenjtë

 

Larisa Lezha, e diplomuar për histori, punon në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit Shqiptar. Ndjehet pak e lodhur sepse ka qenë e mbingarkuar jo vetëm me gjetjen dhe sistemimin e materialeve, por është marrë edhe me dizajnimin e materialeve arkivore që u ekspozuan në Paris. Larisa tregon se më 27 janar 2008, “Dita e Kujtesës” për Shqipërinë u organizua në Paris, në Pallatin e Luksemburgut, në senatin francez, ku u mbajt konferenca me temë: “Shqipëria në periudhën 1933-1944, një shembull për Evropën”. Dimensioni human i Shqipërisë së panjohur ishte vendosur në qendër të konferences së Parisit,  e cila u organizua nën kujdesin e ambasadorit të Shqipërisë në Paris, Ylljet Aliçka, e Senatorit Bernard Fournier, e Drejtoreshës së Arkivave, Nevila Nika. Bashkë me kryetarin e Shoqatës Shqipëri Izrael, prof. Petrit Zorba si dhe Besim Ndregjonin. Larisa ka udhëtuar më pas nga Parisi në Nju Jork, ku u organizua ekspozita “Në besë të shqiptarit”.

Larisa tregon se në arkivat shqiptare janë gjetur dokumenta të pasura që dokumentojnë kontributin dhe sjelljen fisnike të shqiptarëve në mbrojtje të hebrenjve.

Studiuesja e arkivave, Lezha, e cila ka kontributin e vet edhe në ekspozitën që u hap në “Ditën e Kujtesës” në Parlamentin shqiptar, tregon se në qendër të ekspozitave janë vendosur dokumente dhe fotografi origjinale, që faktojnë atë çka ka ndodhur në ato vite në Shqipëri dhe në Kosovë…Ato janë:

– Leje qëndrimi dhe leje pune për hebrenjtë e ardhur nga Gjermania, Greqia e Austria.

– Qarkore e Ministrisë së Brendshme mbi numrin e familjeve izraelite në Shqipëri.

– Marrja e shtetësisë shqiptare nga njerëz të shquar, siç ka qenë rasti nga profesor Nobert Jokli dhe Franz Gunjurger, etj.

 

 

Ndregjonët, sakrificë në emër të besës

 

–         Sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së ish të përndjekurve politikë të Shqipërisë dhe aktivist i të drejtave të njeriut, Besim Ndregjoni,ishte pjese e ekipit shqiptar per Ditet e kujteses. Një nga familje shqiptare qe eshte vene ne mbrojtje te izraeliteve, ka qenë edhe ajo e Ndregjonëve, që i mori hebrenjtë nga Tirana dhe në mot të vështirë e rrugë të vështira për katër ditë i fshehu në Katër Grykë. Ku i mbajti deri në mars të vitit 1945. Babai i Besimit ka qenë oficer i Mbretërisë Shqiptare. Më 1939 ka luftuar kundër  pushtimit fashist. Ka luftuar kundër pushtuesve  i radhitur me çetat nacionaliste nga viti 1941-1944. Në mes të kësaj periudhe, dhjetor 1943, në Tiranë në shtëpinë e  Xhemal Herrit,  i kërkoi babait që të shkojë dhe të takojë Isuf Zenunin, i cili mbante në besë disa hebrenj, të cilëve u rrezikohej qëndrimi i mëtejshëm aty.

Babai i Besimit, Imeri, takon Isuf Zenunin, i cili i tregon problemin. Kishte shtatë hebrenj që duheshin çuar në një vend të sigurtë sepse ardhja e gjermanëve e bënte të pasigurtë qëndrimin e tyre. Familja që duhej marrë në mbrojtje ishte e Emanuel Rubenit e ardhur nga Jugosllavia. Ai ishte me bashkëshorten Lea dhe katër vajzat; Rashela, Ritka, Beta dhe Matilda si dhe  kunati i tyre Isak.Kishin ardhur nga Beogradi, ku u kish ndodhë një fatkeqësi; burrin e njërës prej vajzave të Emanuelit, e kishin masakruar nazistët në Beograd. Problemi ishte se si të shpëtoheshin pesë femrat dhe dy burrat.Në këto kushte Imer Ndregoni, së bashku me një të njohurin e  vet, Ramadan Biba, nga Qafë Molla, i marrin hebrenjtë dhe në kushte fshehtësie i nxjerrin jashtë Tiranës. Ishte një udhëtim i vështirë në një mot me shi të rrëmbyshëm e me erë të fortë. Udhëtimi zgjati katër ditë nëpër male. Akti i babait të Besimit, Imer Ndregjonit, është përjetësuar në kryeqytetin e Shqipërisë, ku një rruge në Tiranë i është vendosë emri, “Imer Ndregjoni”. Në motivacionin e nderimit përfshihet kontributi për shpëtimin e hebrenjve, kontributi kundër fashizmit dhe kundër komunizmit.

–         Rruga që përshkoi Imer Ndregjoni atë dhjetor të ftohtë të vitit 1943 në krye të hebrenjve ishte e gjatë dhe e lodhshme. Ai kishte zgjedhë që të ndiqte  rrugën e Arbërit; Pas Malit të Dajtit, kaloi në Shkallë të Tujanit, mori  Qafën e Murrizës, në Mal të Bardhë, mbërriti në Klos të Matit, në Kurdari dhe përfundimisht i çoi në Katër Grykë, ku ishte shtëpia e Imer Ndregjonit dhe shtëpia e Llan Destan Ndregjonit, që ishte njëkohësisht xhaxhai i babait të Besimit.  Llan Destan Ndregjoni ishte një luftëtar i njohur antiserb, i plagosur tri herë ndër beteja me serbët, por që komunsitët i kishin vrarë të birin dhe kushëririn, Xhetanin në Pezë të Tiranës gjatë vitit 1943. Shtëpia e tij ishte bosh nga që ai vetë ishte vendosur në Vojnik. Kështu që shtatë hebrenjtë  u sistemuan pa asnjë problem. Në fshat u hap fjala se kishin ardhë mysafirë nga Tirana, të cilët  meqenëse  u ishin djegë shtëpitë, do të rrinë për disa kohë tek Ndregjonët.

Besa e shqiptarit është se kur e merr mikun në mbrojtje sakrifikohet edhe familja edhe miqësia. Kjo ishte besa që i dha Imer Ndregjoni familjes hebraike që kishte pësuar një traumë në Beograd. Dhe nga dhjetori 1943 deri në mars 1945 hebrenjtë kanë qëndruar tek Ndregjonët në Katër Grykë të Dibrës.

Besimi thotë se nuk mund të lëri pa përgëzuar të gjithë fshatin Lukas dhe miqtë  që iu gjendën familjes pë krah në mbajtjen e  besës për të shpëtuar familjen e hebrenjve.

Pas Luftës së Dytë Botërore për Ndregjonët filloi Holokausti komunist. Llan Destan Ndregjoni u vra nga komunstët në vitin 1946, Xhetan Ndregjoni ishte vrarë më parë nga komunistët më 1943, Halil Ndregjoni vdiq në burgun e Peshkopisë nën torturat çnjerëzore, ndërsa vetë Imeri, që shpëtoi shtatë jetë njerëzore të një populli të largët, luftëtari i 7 prillit 1939 pas një hetuesie të rreptë, u dënua fillimisht me pushkatim, më pas me 101 vjet burg, dhe shumë vite të jetës së vet i kaloi burgjeve të komunizmit. Mbrojti jetë njerëzore dhe u ndëshkua në mënyrë çnjërzore.(Arkiv)

Filed Under: Histori Tagged With: kosova, ne mbrojtje te hebrejeve, shqiperia

Ambasadori Amerikan: Shqiperia ka problem me trafikimin e qenieve njerëzore

July 17, 2013 by dgreca

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alexandër Arvizu tha se Shqipëria nuk ka bërë sa duhet kundër trafikimit të qenieve njerëzore, krim të cilin e quan me të tmerrshmin që ekziston në Botë. Deklaratën diplomati amerikan e bëri nga qyteti i Elbasanit ku mori pjesë në një tryezë të rrumbullakët mbi parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore.

” Disa prej jush mund të jenë familjarë me raportin e përvitshëm të trafikimit të personave që përgatitet çdo vit nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe që mandatohet nga Kongresi Amerikan. Ndonëse është bërë përparim, përsëri sipas vlerësimit tonë është vënë re që ka pasur rënie performance nga ana e qeverisë shqiptare nga ana e trafikimit, dhe rezultati praktik i saj ka qenë që Shqipëria ka lëvizuar poshtë në shkallë në atë që quhet lista e dështimit të Grupit 2” tha Arvizu.

Ambasadori është optimist se gjërat do të përmirësohen, pasi siç zbuloi edhe vetë, Arvizu ka marrë premtimin e Edi Ramës dhe Ilir Metës se qeveria e majtë do të bëjë maksimumin në këtë drejtim. Dhe për këtë SHBA do të vijojnë mbështetjen.

Në komunikimet tona me Ramën, dhe Metën, dhe disa aktorë të tjerë kemi folur që qeveria e re duhet ta ketë një nga gjërat që duhet të marrë parasysh, ndërsa do të fuqizohen ndihmat që do të ofrohen. Një rast specifik i gjërave që ne po përpiqemi të bëjmë është që IOM është duke marrë një grant prej 500 mijë dollarësh për çështjet e trafikimit në Shqipëri. Dhe me të vërtetë ky është një shembull shumë specifik një partneriteti të nisur në nivelin vendor në Elbasan ndaj dëshiroj të falenderoj pjesëmarrësit në tryezën e rrumbullakët nën drejtimin e Bashkisë, dhe ne si SHBA do të vazhdojmë të kemi partneritet ma sa njerëz të mundemi,por jo vetëmn në çështjen e trafimimit që është një krim i tmerrshëm, por edhe me çështje të tjera që kanë nevojë të trtajtohen siç është korrupsioni, sepse ligjet egzistojnë dhe janë të mira” shtoi ambasadori.

Një tjetër pikë e rëndësishme në këtë drejtim për ambasadorin ëstë edhe bashkëpunimi më i fortë mes policisë dhe prokurorisë.

“U kënaqa kur pashë kur presidenti organizoi një takim me të ashtuquajturën istitucione të pavarura, dhe qartazi guri i themelit të demokracisë është kur institucionet të mund të veprojnë të pavarura. Por mesazhi që duhet të përcillet është që policia dhe prokurorët duhet të punojnë së bashku pasi performanca juaj matet në fakt me se sa mirë ju do të punoni së bashku. Për këtë arsye ka nevojë që të ketë arrestime më të sukseshme, ndjekje penale, gjithashtu edhe dënime të fajtorëve. Qofshin këto çështje korruptive, raste të pandëshkushmërisë ose raste kriminale që meritojnë të ndëshkohen. Kjo është ajo që qytetarët e Shqipërisë kërkojnë dhe kjo është ajo që ata meritojnë” shtoi ai.

Në tryezën e rrumbullakët morën pjesë edhe kryetari i bashkisë Elbasan dhe Organizata Joqeveritare që veprojnë në këtë qytet

Filed Under: Featured Tagged With: Arvizu, i qeneieve njerezore, shqiperia, trafiku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT