Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/Viti 2020 është viti i përkujtimit të dy përvjetorëve për familjen time. Më 18 shkurt 1970, në moshën 80-vjeçare, ndërroi jetë Babai im i dashur Hasan Ymeri. Kurse më 16 gusht 1980, po në moshën 80-vjeçare, ndërroi jetë nëna ime e shtrenjtë Hanko Ymeri.
Çdokush prindërit i kujton me nderimin dhe respektin më të madh, sepse ata janë njerëzit më të shtrenjtë të jetës së tij. Ata janë busulla orientuese, janë ylli i karvanit për fëmijët e vet, të cilët i rritin dhe i edukojnë me një kujdes të jashtëzakonshëm.
Kur kthej kokën prapa dhe kujtoj rrugën e jetës që kam ndjekur sipas këshillave që më patën dhënë prindërit që në moshë të vogël në fshatin Mesaplik, njëri nga katër fshatrat e Smokthinës së Vlorës, ku jetonte familja jonë, them me plot gojën se ata, ashtu si edhe të gjithë prindërit për fëmijët e tyre, kanë qenë shenjtorë për mua dhe menjëherë më vijnë në kujtesë ca fjalë të arta të disa prej personaliteteve të shquara të lashtësisë, si Menandri (342-291 p.e.r.), komediografi i lashtësisë greke, i cili ka lënë një këshillë fort të vyer për pasardhësit:
“Prindërit nderoji gjithmonë, ashtu si edhe Hyjninë”.
Vlera mjaft të çmuara edukative përcjellin fjalët e Ciceronit (Marcus Tullius Cicero – 106-43 p.e.r.), filozofit, oratorit dhe personalitetit politik të lashtësisë romake, i cili theksonte:
“Dashuria ndaj prindërve është themeli i të gjitha virtyteve”.
Më kujtohet Horaci (Quintus Horatius Flaccus – 65-8 p.e.r.), poeti i “shekullit të artë” të letërsisë romake, i cili thoshte:
“Virtytet e prindërve janë paja më e madhe për fëmijët”.
I ati i Babait, i sëmurë nga pleviti, pati ndërruar jetë në moshë 45-vjeçare, duke i lënë në ngarkim tre vëllezër dhe dy motra më të vegjël. Motrat i martoi, vëllezërit gjithashtu, duke u ndërtuar secilit shtëpi më vete. Vëllai i tij më i vogël, Baxhuli, nuk arriti ta gëzonte jetën pas martesës. Ai qe plagosur në Luftën e Gjormit, në përpjekje me trupat e milicisë fashiste në dhjetor të vitit 1942, kurse në shkurt të vitit 1944, si partizan i Brigadës së Pestë, ra dëshmor në një përpjekje me trupat gjermane në afërsi të fshatit Pilur.
Vëllai im më i madh, Selfoja, në vitin 1948, kur ishte 21 vjeç, si shumë të rinj, pati shkuar vullnetar për gjashtë muaj në ndërtimin e hekurudhës Durrës-Tiranë dhe Peqin-Elbasan. Kur u kthye, Babai dhe Nëna u gëzuan shumë. Në darkë, kur ishim shtruar për të ngrënë, vëllai i tha Babait se në hekurudhë ishte pranuar si kandidat partie. Babai buzëqeshi paksa me ironi dhe i tha: “Po ç’pate, more bir, që i hodhe vetes një zinxhir për gryke?”. Babai nuk kishte pasur simpati për komunistët që gjatë luftës, sepse ata i kishin vrarë padrejtësisht baxhanakun e tij, Murat Hasimin, krejtësisht i pafajshëm. Njëri nga komunistët e fshatit banonte në një kodër, përballë Muratit, matanë një përroi, në shtëpinë e të cilit, që asokohe, ushtonte muzika nga pllakat e gramafonit. Kur dëgjonte tingujt e muzikës, ai komunisti, siç më ka rrëfyer Babai, thoshte me smirë dhe inat: filloi kuja në shtëpinë e Muratit. Që asokohe Murati vishej “allafrënga”, në Vlorë kishte një dyqan të vogël.
Njësiti i Smokthinës, në fshehtësi, kishte hartuar listën se kë duhej të pushkatonte. Në atë listë figuronte edhe emri i Muratit. Një ditë të bukur, kur Murati sapo ishte kthyer nga Vlora, njësiti e arreston dhe vendos ta pushkatojë, paçka se ai s’kishte bërë asnjë krim. Që asokohe Babai pati ruajtur brenda vetes një mëri të heshtur kundër komunistëve.
Nga Babai i ruaj të pashlyera në kujtesë disa këshilla dhe porosi që më pati dhënë, sidomos derisa mbarova shkollën e mesme, dhe një mendim shumë të çmuar, të cilin e kam pasë vlerësuar lart deri tani, kur po i afrohem moshës 82-vjeçare, mendim që më shërbeu edhe si titull i këtij shkrimi.
Më 30 gusht të vitit 1955, në oborrin e shtëpisë sonë, kur po më përcillte për të vazhduar Gjimnazin “Ali Demi” në Vlorë, për ku do të më shoqëronte i ndjeri vëllai i madh, Babai më dha tri porosi:
E para: “Dëgjo, bir i Babait, ki parasysh se këtu e tutje do të jesh larg nënës e Babait. Prandaj ki mendjen, të jesh i kujdesshëm në jetë se Shqipëria është baltë e mallkuar, e ka mallkuar Zoti se shqiptarët nuk e duan njëri-tjetrin. Kur shqiptarët ta duan njëri-tjetrin, atëherë Zoti do ta bekojë baltën shqiptare”.
Disa dhjetëvjeçarë më vonë, Nënë Tereza, 42 vjet pas porosisë së Babait tim, dhe pikërisht pas katrahurës së vitit 1997, erdhi për vizitë në Shqipëri. Para se të hipte në aeroplan për t’u larguar nga aeroporti i Rinasit, ajo iu drejtua Zotit:
“O Zot, hiqja mallkimin Tand Popullit Shqiptar!”.
E dyta: “Atje në gjimnaz përpiqu të jesh i pari në mësime, siç ke qenë këtu në shtatëvjeçare. Por po nuk pate mundësi të jesh i pari, mundohu të jesh mes të parëve dhe atë që është i pari, ta duash dhe ta respektosh si veten tënde, se po pate smirë për të, do t’i bësh shumë dëm kokës”.
Falë kësaj këshille aq të çmuar, nuk e kam njohur kurrë smirën në jetën time dhe ata që kanë qenë më të aftë se unë, i kam nderuar dhe respektuar si veten time.
E treta: “Mos vër kurrë dorë në mallin e botës se, siç të kam thënë dikur, do ta kesh dëmin njëqindfish. E kam porosi nga i ndjeri im atë”.
Këtë porosi Babai ma kishte dhënë që kur isha nxënës në klasën e gjashtë të shtatëvjeçares. Përveç porosisë së të atit, ai kishte pasur edhe një përvojë të hidhur nga jeta e vet. Njëherë, diku aty nga fillimi i viteve ’50, ai kishte shkuar për pazar në Vlorë, e cila ndodhet 54 km larg Smokthinës. Kështu që, për të qenë në Vlorë ditën e pazarit, pra, të dielën në mëngjes, ai nisej me kalë nga Smokthina të shtunën, në të perënduar të diellit, dhe udhëtonte gjatë natës. Atë ditë, pasi kishte blerë gjërat që i duheshin, qe nisur për në Smokthinë pa perënduar dielli. Kishte kaluar mesi i shtatorit. Kur kishte edhe dy orë natë, ai pati arritur në anën e djathtë të lumit të Smokthinës, përballë shtëpive tona, që ndodheshin në një gjysmë lartësie të anës së majtë të lumit. Aty, çuditërisht, kishte sjellë ndër mend atë porosinë e të atit për të mos vënë dorë në mallin e botës. Dhe, aty për aty, kishte thënë me vete: do ta provoj një herë për të mos e vënë në zbatim atë porosinë e tim eti dhe do të shikoj nëse do ta kem dëmin njëqindfish ose jo”. Pati zbritur nga kali dhe i qe afruar një are me misër që ndodhej në anë të lumit, pronë e një fshatari nga fshati Ramicë. Kallinjtë e misrit ishin të shëndetshëm. Këputi njërin prej tyre, i hipi kalit dhe u nis për në shtëpi. Kur arriti, lidhi kalin dhe i hodhi haje, kurse vetë shkoi pranë furrës që kishim në oborr. Nëna, zakonisht, që në darkë, thëngjijtë i mbulonte me hi që të mos fikeshin, në mënyrë që të nesërmen ta ndizte zjarrin me lehtësi. Aty ai i zbuloi, u hodhi ca lëmishte përsipër dhe ndezi zjarrin, zhveshi kallirin e misrit, e poqi, e hëngri dhe shkoi të flinte. Njerëzit e shtëpisë të gjithë ishin në gjumë. Natën e nesërme, gjë që nuk kishte bërë vaki kurrë, një tufë derrash të egër, zbresin nga pyjet në lindje të shtëpive tona, hyjnë në arat me misër dhe batërdisën një dynym e gjysmë. Kur njëherë pati qëlluar që t’i kthehej kësaj ndodhie, unë i thashë me shaka: po ndoshta rastisi që derrat e egër atë natë dëmtuan arat tona, jo se shkaktar qe ai kalliri i misrit që ti more nga ara e huaj. Jo, bir i Babait, – ma ktheu ai. – Ishte ndëshkim nga Ai atje lart në qiell, sepse syrit të Tij nuk i shpëton asgjë nga prapësitë që bëjnë njerëzit këtu në Tokë. Po ja, filani, – ndërhyra unë, – dhe i përmenda emrin e dikujt nga fshtarët, i cili njihej si njeri që vinte dorë në mallin e botës dhe s’kishte pësuar gjë. Prit, bir i Babait, – ma ktheu ai, – se të ligën e ka pas veshit, se kështu është taksur nga Ai lart, që shtëpia jonë ta pësojë menjëherë kur vë dorë mbi mallin e tjetrit, kurse ai që më përmend ti, do ta pësojë më vonë të ligën, mbama mend llafin. Dhe me të vërtetë: ai fshatari pati hipur dikur në hardhinë e tjetrit për të marrë rrush, rrëzohet prej andej dhe mbeti i paralizuar gjatë 18 vjetëve, derisa ndërroi jetë.
Në maj të vitit 1956, mbarova klasën e parë të gjimnazit në Vlorë dhe u ktheva pranë familjes. Komunistët kishin filluar fushatën e ethshme për kolektivizimin e bujqësisë. Ishte muaji qershor. Po korrnim grurin. Bënte vapë dhe vendosëm të çlodheshim pak në hijen e një peme. Ndërhyn Babai: “Këta komunistët qenkan bijtë e djallit, kërkojnë të na marrin tokat dhe bagëtitë dhe të na kthejnë në argatë të shtetit”. Ç’t’i thoshja? Po ndoshta e kanë për mirë, o Baba, – ia ktheva unë. Në fund të majit të vitit 1959, mbarova mësimet e klasës së katërt të gjimnazit dhe gjatë qershorit do të kishim provimet e maturës. Shkova pranë familjes dhe çdo javë kthehesha në Vlorë për dhënien e tyre. E mbaj mend si sot. Ishte data 10 qershor. Po hanim drekë nën hijen e shtratit të hardhisë në oborr. Më 25 maj pati ardhur për vizitë Nikita Hrushovi. Qëndroi tetë ditë në vendin tonë dhe u largua më 03 qershor. Babai pyeti: “Po ky Enveri pse nuk bisedoi me Hrushovin që të ndërhynte te Titua për ta kthyer atë Kosovën këtej nga ne, se ajo është truall shqiptar, është toka jonë?”. U zura ngushtë dhe s’dija ç’përgjigje t’ jepja. I thashë se ndoshta i ka ardhur zor, meqenëse e kishte mysafir. Atëherë ai ma kthen: “Dëgjo, more djalë i Babait! Shqipëria, në këtë gjendje që është, duket si një kopaç përdhe, se kështu na e katandisi Evropa për fajin tonë që s’qemë të zotë t’i mbrojmë tokat tona. Në këtë gjendje, kjo e shkretë Shqipëri është pa kokë, pa shpatulla dhe pa këmbë. Po nuk u bashkuan koka, shpatullat dhe këmbët, ky vend jo vetëm që nuk do ta marrë veten kurrë, por edhe bota do të tallet me të. Dëgjomi këto fjalë që po të them se ti je i ri, e ke jetën përpara, kurse unë sot për nesër jam”. Me “kokë” ai kishte parasysh trojet tona në Mal të Zi dhe Kosovën, me “shpatulla” – trojet e sotme në Maqedoninë Veriore dhe me “këmbë” – Çamërinë. Fakti që Shqipëria s’ka qenë në gjendje të ndërtojë shtet ligjor edhe gjatë këtyre tridhjetë vjetëve, vërteton se ajo s’ka për ta ndërtuar kurrë pa ribashkimin e trojeve tona etnike, që nga Arta e Preveza e deri në Tivar, hapësirë kjo, në të cilën jetojnë gati 10 milionë shqiptarë.
Presidiumi i Kuvendit Popullor, me vendim nr. 4040, datë 14 korrik 1965, Babain, si veteran i Luftës së Vlorës, e dekoroi me medaljen “Për veprimtari patriotike’, me motivacionin “Për trimërinë, guximin dhe vetëmohimin që tregoi në luftë kundër pushtuesve imperialistë italianë më 1920 për çlirimin e Vlorës”.
Ky ishte një gëzim i madh për familjen tonë. Babai ishte vazhdues i traditave atdhetare të pararendësve të vet. Gjyshja e tij nga Babai, Kale Hodja, ka qenë e bija e Hodo Ali Nivicës, e njërit nga udhëheqësit e shquar të kryengritjes antiosmane në mesin e shek. XIX kundër Reformave të Tanzimatit, përkrah Tafil Buzit dhe Zenel Gjolekës, stërgjyshërit e tij, Lulo dhe Muk Bajrami, bashkëluftëtarë të Bilbilenjve të famshëm të Progonatit të Kurveleshit, me urdhër të pashait, janë varur në Rrapin e Janinës dhe në një këngë të vjetër të rapsodit smokthinjot Xhevit Zeneli janë dy vargje: Lulua me Muk Bajramë / gji në gji ç’e dhanë xhanë.
Me respekt dhe nderim të madh kujtoj Nënën e shtrenjtë, e cila njihej për zemrën e saj bujare, për ngrohtësinë e jashtëzakonshme të shpirtit human, për natyrën e saj aq mikpritëse, saqë banorët e lagjes sonë Parika thoshnin: “Hankua i pret mysafirët me bukë që në oborr”, sepse ishte mjeshtre e vërtetë në përgatitjen e gatesave nga më të ndryshme. Veç kësaj, ajo ishte e famshme për punë artistike në vegjë, nga e cila nxirrte qylyma shumë të bukur shumëngjyrësh. Ngrohtësia e shpirtit të saj ishte e përmasave mitike në edukatën që na jepte neve, si fëmijë. Fjalët e saj “kujdes në jetë, të keqen Nëna, që as mizën të mos e shkelni me këmbë”, qenë skalitur për jetë në kujtesën time dhe të të dyja motrave dhe vëllait të madh, Selfos, që prehen në atë jetë. Ajo ishte bijë e një familjeje të madhe nga fshati ynë: ishin shtatë motra dhe katër vëllezër. Njëri prej vëllezërve, Selim Tahiri, kishte dalë partizan dhe pati rënë dëshmor në Jugosllavi. Babai i saj, Abedin Tahiri, kishte marrë pjesë në Luftën e Janinës. Ndërroi jetë në moshën 96-vjeçare. Duke marrë parasysh fëmijët e tezeve, të dajave, të xhaxhallarëve dhe të hallave, ne bëheshim 72 kushërinj të parë.
Unë me time shoqe, Havanë, jemi përpjekur që, të dy fëmijët tanë, djalin dhe vajzën, t’i rritim dhe t’i edukojmë sipas këshillave dhe porosive të prindërve tanë. Dhe ne e ndiejmë veten krenarë me sjelljen e tyre. Të dy erdhën për studime universitare këtu në Shtetet e Bashkuara (djali në vitin 1996, kurse vajza në vitin 1998), ku mbaruan dy fakultete secili dhe tani janë të nderuar në vendet e punës ku japin kontributin e vet.
Me rastin e përkujtimit të datës 18 shkurt dhe 16 gusht, kur Babai dhe Nëna ime patën ndërruar jetë, respektivisht në vitin 1970 dhe 1980, dëshiroj me gjithë zemër që gjithë prindërve dhe fëmijëve të tyre, t’u drejtohem me urimin në vijim:
Qofshin të bekuar prindërit që i edukojnë fëmijët me virtyte të larta! Qofshin të bekuar fëmijët që prindërit i nderojnë po ashtu si edhe Hyjninë!
Kolumbus, Ohajo
16 gusht 2020
COVID-19 SHQIPERIA DHE BALLKANI PO PERJETOJNE ITALINE E MARSIT
Covid-19, mjeku Albert Troci: Shqipëria dhe Ballkani duket se po përjetojnë atë që Italia kaloi në muajin mars/
Ditën e hënë u shënua një tjetër viktimë me COVID-19 mes personelit shëndetësor në Shqipëri. Në një intervistë me gazetaren Bruna Çifligu në Euronews Albania, mjeku Albert Troci e konsideroi si “përgjegjësi të përbashkët” rezultatin e vdekjeve edhe në radhët e mjekëve.
Sipas Federatës Kombëtare Italiane të Urdhrave të Mjekëve, në Itali kanë vdekur rreth 170 mjekë të prekur nga COVID-19. Megjithatë Troci, i cili jeton dhe punon prej vitesh atje, e konsideroi ngjashëm, “përgjegjësi e protokolleve që ndiqen”.
“Përgjegjësia është përbashkët, më shumë e protokolleve që duhen ndjekur në mënyrë të rreptë dhe futja e pacientëve në spitale duhet të kalojë kontrolle të rrepta, po kështu edhe personeli shëndetësor, apo mosgrumbullimi në spitale,” – tha Troci, i cili këmbënguli se në këtë situatë përgjegjësia është vështirë për t’iu adresuar.
I pyetur se si e shihte ai situatën që po kalon Shqipëria pasi prej javësh po raportohen vdekje dhe raste në rritje, mjeku Troci e përshkroi atë me shqetësim.
“Po duket sikur Shqipëria po jeton atë që Italia përjetoi në muajin mars, duket sikur është në pikun, sikur Shqipëria nuk pati arritur asnjëherë një pik dhe rastet po rriten në këtë moment,” tha mjeku Albert Troci, duke shtuar se njësoj të njëjtën gjendje po kalojnë dhe vendet e tjera të Ballkanit.
Troci e lidhi valën e re me më shumë të infektuar me protokollet apo masat kufizuese jo të ndjekura mirë.
“Jo se nuk kanë qenë masat dhe protokollet, por ato nuk janë ndjekur si duhet nga institucionet dhe shoqëria, kjo ka si logjikë por duhen prova dhe fakte që ta dokumentojmë këtë gjë,” – tha mjeku shqiptar që tregoi se në Itali tashmë po regjistrohen raste të importuara me COVID-19 ku sipërmarrës që udhëtojnë jashtë infektohen dhe rikthejnë virusin në zona të ndryshme të Italisë.
Troci kritikoi njerëzit publik që nuk mbajnë maska në aktivitetin e tyre dhe nuk ndërgjegjësojnë popullatën për t’i mbajtur ato.
Mjeku shqiptar tha se autoritetet duhet t’i bëjnë të detyrueshme maskat sidomos në qendrat shëndetësore, ku siç tha ai nuk duhet të kthehen kurrësesi vatra infeksioni.
Ai vlerësoi si pozitive dhe tejet të rëndësishme shtimin e tasteve, ku ditët e fundit janë regjistruar rreth 450-500 teste në ditë, një numër shumë herë më i lartë se ai i dy muajve më parë.
“Ne në Itali tashmë po jetojmë fazën e bashkëjetesës, e dimë që virusi ekziston, ndjekim protokollet dhe vatrat, që janë rreth 50 vatra, por që po arrihen të gjurmohen dhe të kontrollohen. Thembra e Akilit mbetet ardhja e rasteve nga jashtë,” – u shpreh Troci për gjendjen në Itali. (Interviste per TV Euronews Albania)
SHQIPËRIA NË SYTË E ADI KRASTËS
“Tetë vjet janë të mjaftueshëm për të shkatërruar shpirtin dhe mëndjen e një vendi”/
Adi Krasta, prezantuesi i njohur dhe shumë i dashur për publikun shqiptar, ka rrëfyer dhe analizuar ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA New York, Shqipërinë aktuale dhe betejën e shtetit shqiptar ndaj Covid-19, keqqeverisjen e vendit në kohë pandemie, dështimin e reformës në drejtësi, kohën për rrotacion të domosdoshëm politik, shëmbjen e Teatrit Kombëtar si akt tinëzar, opozitën shqiptare dhe kryesorja apeli për diasporën shqiptare kudo në botë për të kontribuar në betejat e Shqipërisë për një jetë më të mirë. Me Adi Krastën bashkëbisedoi gazetari Sokol PAJA.
COVID-19 DHE SHQIPËRIA
Sipas prezantuesit të mirënjohur Adi Krasta “Covid-19 e gjeti botën të papërgatitur. Është paradoksale por si të gjithë vendet komuniste e diktatoriale Shqipërinë e dikurshme nuk do e gjente kaq gafil. Mosmbyllja e rrugës me Italinë e Veriut që në janar, nxitimi për të bërë tendera të dyshimtë të maskave, komunikimi vetëm nga Kryeministri me FB dhe zgjatja e bllokimit u konsideruan gabime të qeverisë në ballafaqimin me pandeminë globale”- citoi ai.
MANIPULIM DHE PROPAGANDË
Administrimi shtetëror i Shqipërisë në kohë pandemie u shoqërua me : masa estreme izolimi, urdhra shproporcionalë, tejzgjatje e gjëndjes së fatkeqësisë natyrore, dhunë policore ndaj qytetarëve etj. Sipas Krastës “ka patur padyshim edhe nga këto që përmendni. Por unë gjej manipulimin, mungesën e çiltërsisë dhe propagandën si defekte serioze” – shpjegon ai.
REFORMA NË DREJTËSI, GJUETI SHTRIGASH
Reforma në sistemin e Drejtësisë në Shqipëri e trumbetuar si reforma më e rëndësishme e dekadave të fundit, sipas Adi Krastës ka qenë një dështim i plotë. “Jam i mendimit që reforma në drejtësi ka dështuar. Ka qenë boshe, selektive, bazuar mbi pritshmëri jo realiste. Roli i ambasadoreve amerikanë ka qenë naiv dhe i pasinqertë. Nga pala shqiptare, dëshira për reformë u shoqërua siç ndodh gjithmonë me klientelizëm dhe gjueti shtrigash” – arsyeton Krasta.
TETË VITE MJAFTOJNË PËR TË SHKATËRRUAR GJITHÇKA
Adi Krasta këmbëngul që rrotacioni i pushtetit politik në Shqipëri është një domosdoshmëri. “Unë e ndjek politikën nga larg. Kulisat i dinë ata që janë afër establishmentit. Unë nuk kam qenë kurrë. Kam folur vetëm për atë që ka qenë para syve të mi. Ajo që kuptoj unë është se tetë vjet janë të mjaftueshëm për të shkatërruar shpirtin dhe mëndjen e një vendi. Rrotacioni është imperativ” – thekson Krasta.
LYPSET NJË KRYEMINISTËR NDRYSHE
Sipas Adi krastës “sytë e shqiptarëve janë tek Kryeministri i të ardhmes, cilido qoftë ai. Bën mirë që ky kryeministër të jetë seriozisht i ndryshëm nga paraardhesit e tij. Dhe po. Një parti politike mundet të vijë në pushtet pas tetë vjetësh opozitë. Problemi është se çfarë do sjellë në pushtet? Të njëjtën çmenduri, arrogancë, kurrupsion dhe hajvanllëk politik të përjetshëm? Shpresoj që jo” – lutet Krasta.
KRASTA SHOW, OPOZITË NGA EKRANI
Monologu i Adi Krastës ka qenë një formë e shkëlqyer gazetarie për të ndërgjegjësuar publikun dhe për të nxjerrë në pah anën tjetër të politikës, asaj që njerëzve u fshihet nga propaganda qeveritare. Modestisht këtë Krasta e arsyeton kështu: “Kam folur si një njeri i zakonshëm por që punon në televizion. Jam i lumtur se konstatoj që më kanë dëgjuar. Nuk kam pretendime iluminuese. Nuk e kam marrë asnjëherë seriozisht veten. Por më është dukur e domosdoshme ti flas shpirtit kundërshtues të popullit tim si një njeri i medias” – mbyll shpjegimin e tij Krasta.
SHËMBJA E TEATRIT AKT I SHËMTUAR E TINËZAR
Sipas Adi Krastës “shembja e Teatrit Kombëtar ka shkaktuar një shembje në shpirtin tim. Ka qenë kaq e parashikuar, burracake, tinëzare dhe e shëmtuar. Jam i bindur se Teatri dhe ata që vdiqën të nderuar dikur sepse punuan në të do jenë Karma për ata që guxuan ta rrënojnë” – shprehet i revoltuar Krasta.
MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË
USAAdi Krasta e quan diasporën shqiptare kudo në botë si pjesë të pandashme të shpirtit e zemrës së Shqipërisë. Ai kujton se “në vitin 1996 kam bërë një dokumentar në USA. Intervistova Gergian, një zonjë në të 80-tat që ishte me origjinë nga Korça. Kishte kindur në Amerikë por fliste një shqipe të shkëlqyer. Kam një veneracion për brezat e shqiptarëve që jetojnë në Usa. Kishin një guxim të admirueshëm që kërkuan Tokën dhe Jetën e ëndrrave. Shpresoj që ata do gjejnë gjithmonë kohë të jenë të pranishëm në jetën dhe betejat e Shqipërisë për një jetë më të mirë. Distanca nuk do të duhet ti bëjë këta shqiptaro-amerikanë të mos e kuptojnë më shpirtin dhe sjelljen e shqiptarëve që jetojnë ende në vendin e vogël nga ku u larguan. Ne kemi nevojë për solidaritet jo për paternalizëm. Vlerësojmë ndjeshmërinë jo marrjen e pozicioneve të prera. Ne kemi nevojë që shqiptarët e Amerikës dhe të të gjithë botës të vazhdojnë të jenë pjesë e jetës dhe zemrës sonë” – mbyll prononcimin e tij për gazetën Dielli prezantuesi i
KOSOVA DHE SHQIPERIA NE BETEJEN ME KORONAVIRUSIN
– Në Kosovë 36 punonjës shëndetësorë të infektuar me koronavirus
– Kosova deri më tash ka regjistruar 604 raste të të infektuarve me koronavirus; prej tyre 18 kanë vdekur, 128 janë shëruar./
– Shqipëria në 24 orët e fundit, një tjetër person ka humbur jetën, duke e çuar në 27 numrin e viktimave nga virusi vdekjeprurës në vend/
Në Kosovë 36 punonjës shëndetësorë janë të infektuar më koronavirus, që nga shpërthimi i epidemisë muajin e kaluar.Drejtori i Departamentit për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti ka publikuar të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, për numrin e punonjësve shëndetësorë të prekur me koronavirus.
Sipas këtyre të dhënave,16 infermierë dhe 14 mjekë në institucionet shëndetësore, 4 mjekë dhe 2 infermierë jashtë institucioneve shëndetësore, një farmacist dhe një teknik i farmacisë, janë infektuar me koronavirusin e ri.
Kosova deri më tash ka regjistruar 604 raste të të infektuarve me koronavirus; prej tyre 18 kanë vdekur, 128 janë shëruar.
Shqipëria në rrugën e mposhtjes së COVID-19
Shqipëria vazhdon të përballet me raste të reja të prekura me koronavirus, edhe pse vendi ka filluar të tregojë një trend të uljes së rasteve dhe vdekjeve të shënuara.
Numri i të shëruarve, duket se po mund atë të të infektuarve.Megjithatë, në 24 orët e fundit, një tjetër person ka humbur jetën, duke e çuar në 27 numrin e viktimave nga virusi vdekjeprurës në vend. Ai ishte një burrë 71-vjeçar i cili ishte prej dy javësh i intubuar dhe vuante nga disa sëmundje bashkëshoqëruese.
Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli në komunikimin e përditshëm me mediat bëri me dije se po vijon hetimi epidemiologjik dhe gjurmimi i kontakteve në Krujë ku kanë rezultuar 18 raste pozitive, ndërsa rastet e tjera janë 3 në Tiranë, 2 raste në Elbasan, 1 rast në Shkodër, 1 rast në Kurbin.
“Deri në këto momente janë testuar 6,269 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 634 raste”, tha Rakacolli.
Ajo bëri me dije se gjatë 24-orëve të fundit, 11 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 356.
Aktualisht në Shqipëri janë 251 persona të infektuar aktivë.
“Kjo tendencë tashmë vazhdon pa luhatje prej më shumë se një jave”, tha Rakacolli.
Ajo shtoi se në dy spitalet ku po trajtohen vetëm pacientët me COVID-19, aktualisht po marrin shërbim 40 pacientë.
Në anën tjetër, presidenti i Shqipërisë Ilir Meta gjatë një konference për media bëri me dije se ka dekretuar ndryshimet në Kodin Penal të propozuara nga qeveria dhe të miratuara nga kuvendi.
Presidenti tha se i është përgjigjur kërkesës së qeverisë për bashkëpunim dhe konsensus për ndryshimet në Kodin Penal, pasi i kishte cilësuar si të nevojshme këto ndryshime në kushtet ku kodi aktual ka boshllëqe të theksuara në këtë pikë.
“Diskutimi i gjerë ka çuar në përmirësime thelbësore të produktit final që është votuar në kuvend. Nisur nga gjendja dhe boshllëku që ka kodi ynë për përhapjen me dashje të sëmundjeve infektive, presidenti vlerëson që iniciativa e qeverisë që shëndeti i njerëzve të garantohet edhe penalisht, duhet mbështetur”, tha presidenti Meta.
Ndryshimi i Kodit Penal ka të bëjë me dënim deri në 15 vjet burgim për personat që thyejnë karantinën dhe përhapin qëllimshëm koronavirusin.
Ashpërsimi i Kodit Penal lidhur me situatën e COVID-19 gjatë këtyre ditëve ka shkaktuar mjaft diskutime, reagime por edhe kundershtime. Organizatat e shoqërisë civile janë kundër ashpërsimit pasi sipas tyre, cenojnë të drejtat dhe liritë themelore të shtetasve.
Tridhjetë organizata i janë drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, duke i kërkuar të rrëzojë në parim amendamentet e propozuara nga qeveria, por këto të fundit u miratuan në parlament, dhe tani u dekretuan nga presidenti.
Shqipëria ka konfirmuar dy rastet e para me COVID-19 më 8 mars të 2020, një baba dhe djali i tij që kishin udhëtuar drejt vendit nga veriu i Italisë.
Në të njëjtën ditë qeveria ndaloi fluturimet dhe udhetimet me tragete që vinin nga Italia, dhe nga ajo kohë ka shtuar masat e sigurisë në tentativë për mospërhapje të virusit.(kortezi-Europa e Lire)
ÇFARË PO NDODH NË VISET SHQIPTARE NË BETEJËN ME COVID-19?
SHQIPËRI, COVID -19 RRËMBEN VIKTIMËN E 18-të/
Edhe pse Shqipëria ka aplikuar ashpërsimin e masave shtërnguse për ndalim-qarkullimin e qytetarëve,fillimisht ndoshta më shumë se në çdo vend tjetër, Coronovirusi po vazhdon të infektojë e të rrëmbejë pacientë. Sot, e shtunë 4 prill, u shënua viktima e 18-të, një 67 vjeçar nga Tirana dërroi jetë ën spitalin Infektiv “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, ku mjekohej prej 13 ditësh. Edhe numri i të infektuarëve me virusin e padukshëm po rritet nga dita në ditë. Gjatë ditës së sotme u raportuan 29 raste të reja nga COVID-19, nga 216 teste të aplikuara ndër pacientë. Nuk dihet numri i saktë i të infektuarëve, pasi numri i të testuarve është i kufizuar. Natyrisht nëse do të kishte më shumë testime, do të dilnin më shumë bartës të virusit panepidemik.
Gjithësesi zyrtarisht Shqpëria ka raportuar 333 të infektuar ndër 2,250 teste të aplikuara. Instituti i Shëndetit Publik dhe Minsitria e Shëndetsisë raportuan se deri të shtunën ishin të shtruar në dy spitalet ku janë përqëndruar të infektuarit me probleme ndodhen 71 pacientë në mjekim.
Po ashtu u raportua për rritje të numrit të të infektuarëve në qytetin verior të Shkodrës, ku numri i të infektuarëv sot u raportua në 31, nga 22 që ishte deri dje. Ndërsa numrin më të madh të infektuarëv e mbanë kryeqyteti, Tirana me 157 raste, më pas vjen Durrësi me 33, Shkodra 31, Fieri 17 etj.
Janë 17 qytete të Shqipërisë që janë të prekur nga COVID-19.
Lajm i mirë është shërimi i disa mjekëve, përfshirë mjekun e njohur Dhimtër Kraja, ndërkohë që një tjetër mjek është në mjekim në spital Roland Xhaxho.
Duket paksa i çuditshëm “lirimi” i karantinës, paralajmërim që u bë edhe nga Kryeministri Rama. Media raporton se gjatë ditës së shtunë, 4 prill, u panë lëvizje masive nëpër rrugë dhe nëpër dyqane. Ta lirosh menjëherë atë ç’ka ke shtërnguar me ligj e urdhëra, nuk duket punë e mençur. Parashikimet janë për rritje të numrit të infektuarëve.
KOSOVA REGJISTROI TË INFEKTUARIN E 135-të
Kosova raportoi sot se numri i të infektuarëve shkoi në 135. Këtë e konfirmoi të Shtunën Instituti i Shëndetit Publik. Të shtunën me 4 prill u raportua
Se ishin shëruar dhe 7 pacientë që ndodheshin në mjekim.
Të tri rastet e reja që iu shtuan numrit total prej 132 deri të premten i takonin Mitrovicës Veriore. Tash Kosova ka 135 të infektuar.
Deri tani është shënuar vetëm një viktimë, ndërkohë që janë shëruar 23 pacientë. Instituti raportoi se janë nën vazhgim 2 mijë e 772 persona që kanë pasë raste kontakti me të infektuarit.
MAQEDONIA E VERIUT SHËNON 5 VIKTIMA TË REJA
Republika e Maqedonisë së Veriut ku jetojnë shumë bashkatdhetarë të Kombësisë shqiptare, sot shënoi 5 viktima të reja. Shkon kështu në 17 numri i të vdekurëve, një më pak se Shqipëria. Viktimat ishin: 2 nga Kumanova,dhe nga një viktimë kishin: Shkupi, Struga dhe Vele.
Maqedonai raportoi se kishte kryera kohët e fundit 414 teste dhe 53 kanë rezultuar me COVID-19. Numri i përgjithshëm i të infektuarëve ka shkuar në 483. Shteti i Maqedonisë së Veriut ka raportuar se kryer në tërësi 4,920 teste, ndërkohë që ka shëruar 20 pacientë që janë mjekuar dhe pas shërimit rezultuan negative. Numrin më të madh të të infektuarëve e kanë shënuar Shkupi, Struga dhe Kumanova.
MALI I ZI
Edhe në Malin e Zi, ku jetojnë edhe bashkatdhetarët tanë, me 4 prill u raportua për 23 raste të reja me COVID-19 në, kjo shifër i takon 24 orëve të fundit..Institucionet shëndetsore raportuan se në shkallë vendi numri i të infektuarëve ka shkuar në 197. Në Podgoricë janë raportuar 14 raste të reja, në Tivar 6 dhe 3 në Nikshiq.
Numrin më të madh të të infektuarëve e mbanë kryeqyteti Podgorica me 91 persona, dhe më pas vjen Komuna me shumicë shqiptare e Tuzit me 34 raste dhe Ulqini me 9 raste. Numri i të vdekurëve është 2, ndërkohë që gjendja po mbahet nën kontroll.(Pergatiti:D .Greca)
- « Previous Page
- 1
- …
- 3
- 4
- 5
- 6
- 7
- …
- 31
- Next Page »