• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

COVID-19 SHQIPERIA DHE BALLKANI PO PERJETOJNE ITALINE E MARSIT

July 6, 2020 by dgreca

Covid-19, mjeku Albert Troci: Shqipëria dhe Ballkani duket se po përjetojnë atë që Italia kaloi në muajin mars/

Ditën e hënë u shënua një tjetër viktimë me COVID-19 mes personelit shëndetësor në Shqipëri. Në një intervistë me gazetaren Bruna Çifligu në Euronews Albania, mjeku Albert Troci e konsideroi si “përgjegjësi të përbashkët” rezultatin e vdekjeve edhe në radhët e mjekëve.

Sipas Federatës Kombëtare Italiane të Urdhrave të Mjekëve, në Itali kanë vdekur rreth 170 mjekë të prekur nga COVID-19. Megjithatë Troci, i cili jeton dhe punon prej vitesh atje, e konsideroi ngjashëm, “përgjegjësi e protokolleve që ndiqen”.

“Përgjegjësia është përbashkët, më shumë e protokolleve që duhen ndjekur në mënyrë të rreptë dhe futja e pacientëve në spitale duhet të kalojë kontrolle të rrepta, po kështu edhe personeli shëndetësor, apo mosgrumbullimi në spitale,” – tha Troci, i cili këmbënguli se në këtë situatë përgjegjësia është vështirë për t’iu adresuar.

I pyetur se si e shihte ai situatën që po kalon Shqipëria pasi prej javësh po raportohen vdekje dhe raste në rritje, mjeku Troci e përshkroi atë me shqetësim.

“Po duket sikur Shqipëria po jeton atë që Italia përjetoi në muajin mars, duket sikur është në pikun, sikur Shqipëria nuk pati arritur asnjëherë një pik dhe rastet po rriten në këtë moment,” tha mjeku Albert Troci, duke shtuar se njësoj të njëjtën gjendje po kalojnë dhe vendet e tjera të Ballkanit.

Troci e lidhi valën e re me më shumë të infektuar me protokollet apo masat kufizuese jo të ndjekura mirë.

“Jo se nuk kanë qenë masat dhe protokollet, por ato nuk janë ndjekur si duhet nga institucionet dhe shoqëria, kjo ka si logjikë por duhen prova dhe fakte që ta dokumentojmë këtë gjë,” – tha mjeku shqiptar që tregoi se në Itali tashmë po regjistrohen raste të importuara me COVID-19 ku sipërmarrës që udhëtojnë jashtë infektohen dhe rikthejnë virusin në zona të ndryshme të Italisë.

Troci kritikoi njerëzit publik që nuk mbajnë maska në aktivitetin e tyre dhe nuk ndërgjegjësojnë popullatën për t’i mbajtur ato.

Mjeku shqiptar tha se autoritetet duhet t’i bëjnë të detyrueshme maskat sidomos në qendrat shëndetësore, ku siç tha ai nuk duhet të kthehen kurrësesi vatra infeksioni.

Ai vlerësoi si pozitive dhe tejet të rëndësishme shtimin e tasteve, ku ditët e fundit janë regjistruar rreth 450-500 teste në ditë, një numër shumë herë më i lartë se ai i dy muajve më parë.

“Ne në Itali tashmë po jetojmë fazën e bashkëjetesës, e dimë që virusi ekziston, ndjekim protokollet dhe vatrat, që janë rreth 50 vatra, por që po arrihen të gjurmohen dhe të kontrollohen. Thembra e Akilit mbetet ardhja e rasteve nga jashtë,” – u shpreh Troci për gjendjen në Itali.  (Interviste per TV Euronews Albania)

Filed Under: Opinion Tagged With: Ballkani, Dr. Albert Troci, shqiperia

KËRCËNIMET NDAJ SIGURISË BOTËRORE, NË RREZIK EDHE BALLKANI PERËNDIMOR

January 31, 2019 by dgreca

-Paralajmërimet u bënë nga zyrtarët më të lartë të enteve të Zbulimit Amerikan       gjatë një sesioni në Komisionin e Zbulimit të Senatit  të hteteve të Bashkuara të martën që kaloi./

1-Frank-shkreli-

Nga Frank Shkreli/Zyrtarët më të lartë të zbulimit amerikan, përfshirë Drejtorin e FBI-së, Chris Wray dhe Drejtoreshën e CIA-s, Gina Haspel, paralajmëruan për kërcënimet në rritje e sipër ndaj sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe ndaj sigurisë botërore, si pasojë e bashkpunimit në rritje e sipër midis Kinës dhe Rusisë.  Ata paraqitën të martën raportin vjetor — para Komisionit të Senatit për Zbulimin të Shteteve të Bashkuara – dhe për të dhënë dëshmi mbi sfidat e sigurisë me të cilat përballet bota këtë vit.

 

Përveç dëshmive nga ai vet dhe nga udhëheqsit më të lartë të enteve të Zbulimit amerikan, Drejtori i Zbulimit Kombëtar Dan Coats, i dorëzoi Komisionit të Senatit raportin vjetor me vlerësimet e enteve amerikane të Zbulimit, për paralajmërimet ndaj kërcënimeve që i kanosen sigurisë kombëtare dhe botërore.  Z. Coats shkruan në parathënien e raportit që i dorëzoi Senatit se, “Kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara do të shtohen dhe do të marrin forma të ndryshme gjatë këtij viti, shkaktuar pjesërisht nga bashkpunimi i ngushtë midis  Kinës dhe Rusisë, ndërkohë që ato do të garojnë më intensivisht në nivel ndërkombëtar me Shtetet e Bashkuara dhe me aleatët dhe partnerët e tyre tradicionalë. Garat po ndodhin në të gjitha fushat, përfshirë konkurrencën për superioritet teknologjik dhe ushtarak, përfshirë gjithnjë e më shumë edhe vlerat, si pjesë e kësaj gare.  Rusia dhe Kina po përpiqen të përcaktojnë dinamikat e sistemit ndërkombëtar dhe të sigurisë rajonale dhe të ushtrojnë njëkohësisht influencën e tyre politike dhe ekonomike në të gjitha rajonet e botës, e sidomos në rajonet gjeografike afër tyre”, thuhet në raportin e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar.   Drejtori i Zbulimit Kombëtar.  Z. Dan Coats u tha gjithashtu anëtarëve të Komisionit të Senatit se Rusia dhe Kina e ndoshta edhe vende të tjera do të përpiqen të përdorin mediat sociale dhe mjete të tjera, për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2020.

Në raport theksohet fakti se “Kina dhe Rusia kanë lidhur një aleancë më të fortë se kurdoherë tjetër, ndoshta ç’prej viteve 1950-ave, duke nenvijuar se ka të ngjarë që këto lidhje të forcohen edhe më shumë gjatë këtij viti, sidomos kur përputhen disa prej interesave të tyre, në kundërshtim me vlerat demokratike perëndimore dhe të zbattimit të drejtave bazë të njeriut.”   Në parathënie të raportit mbi kërcënimet ndaj sigurisë botërore, dorëzuar të martën Senatit, nënvijohet gjithashtu se, “Ndërkohë që Kina dhe Rusia po përpiqen të shtrijnë influencën e tyre globale, ato njëherazi po shkelin edhe normat e sigurisë, të njohura dhe të pranuara tanimë, ndërkombtarisht, duke shtuar në këtë mënyrë rrezikun për shpërthimin e konflikteve rajonale, sidomos në Lindjen e Mesme dhe në Azinë Lindore”, theksohet në raport.

Eskpertët e Zbulimit amerikan shprehin gjithashtu shqetësimin e tyre se k[saj atmosfere pasigurie për botën kontribon edhe fakti se aleatët dhe partnerët e Shteteve të Bashkuara po kërkojnë një pavarësi gjithnjë e më të madhe nga Washingtoni, në përgjigje të atyre që ata supozojnë se janë ndryshime në politikat amerikane të sigurisë dhe të tregëtisë, ndërkohë që tregohen më të gatëshëm se në të kaluarën që të arrijnë marrveshje për partneritete dypalëshe ose shumëkombëshe.  Ndër të tjera, ata paralajmërojnë se sistemi ndërkombëtar i pas Luftës së Dytë Botërore është gjithnjë e më shumë nën trysni — përballë kërcënimeve dhe sulmeve kibernetike, përhapjes së armëve bërthamore, garës në hapësirë dhe konflikteve rajonale.

Raporti i agjencive amerikane të Zbulimit ven në dukje edhe kërcënime të tjera ndaj sigurisë botërore, duke përmendur terrorizmin si një kërcënim ndaj interesave amerikane dhe të aleatëve të Shteteve të Bashkuara anë e mbanë botës.  Imigrimi, sipas raporti, përbën gjithashtu një problem që nxit tensionet, jo vetëm midis disa shteteve por edhe në nivel global.  Trazirat politike po shtohen në shumë rajone të botës ndërsa po zhbëhet qeverisja e mirë, nënvijojnë shefat e enteve të Zbulimit amerikan.

Si një ndër problemet me të cilat përballet bota këtë vit, sipas raportit të agjencive amerikane të Zbulimit, është edhe rritja e nacionalizmit në Evropë, si një dukuri kjo që nxit tensione në kontinent dhe më gjërë.  Dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian dhe zgjedhjet për parlamentin evropian, në fund të muajit Maj, sipas raportit, do ta bëjë të vështirë që Bashkimi Evropian dhe udhëheqsit e vendeve të ndryshme evropiane, të mund të përballen me përpjekjet në rritje e sispër të Rusisë dhe Kinës, për t’i përçarë ata nga njëri tjetri dhe për t’i larguar nga Shtetet e Bashkuara.  Raporti thekson se ka të ngjarë që Rusia dhe Kina të shtojnë përpjekjet e tyre për të rritur influencën e vet në Evropë në kurriz të interesave amerikane, duke përfituar në këtë mënyrë, jo vetëm nga problemet ekonomike në disa vende, por edhe nga mosmarrveshjet transatlantike dhe nga rezultati i zgjedhjeve për Parlamentin evropian në Maj, ndërsa pritet që parti të ndryshme nacionaliste evropiane të shënojnë fitore të dukshme në ato zgjedhje. Raporti përmend gjithashtu si faktor i pasigurisë edhe, “Ambiciet rajonale të Turqisë, mosbesimi i saj ndaj Shteteve të Bashkuara dhe autoritarizmi në rritje e sipër i udhëheqësve turq, po ndërlikojnë marrëdhëniet dypalëshe, ndërkohë që po e bëjnë Ankaranë më të gatëshme dhe më të vullnetshme të sfidojë objektivat rajonale të Shteteve të Bashkuara.”

Raporti i ekspertëve amerikanë të Zbulimit mbi kërcënimet, gjatë vitit 2019 ndaj sigurisë botërore, parashikon gjithashtu një të ardhme të zymtë për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor ku thuhet se: “Pothuaj është e sigurt se rajoni i Ballkanit Perëndimor do të mbetet i rrezikuar nga dhuna në nivel të ultë, ndërsa ka mundësi edhe për një konflikt të hapur ushtarak gjatë gjithë vitit 2019.  Rusia do të përpiqet të shfrytëzojë tensionet etnike të rajonit dhe njëkohësisht të përfitojë nga korrupsioni i lartë që ka pllakosur vendet e Ballkanit Perëndimor, me qëllim që t’i pengojë ato vende të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian dhe e Aleancës së Atlantikut Verior, NATO-s”, thuhet në raport.

Në këtë situatë të zymtë që parashikon raporti vjetor i enteve të Zbulimit amerikan për botën në përgjithsi dhe për Ballkanin Perëndimor në veçanti, Shqipëria dhe Kosova nuk kanë qenë kurrë më në gjëndje të dobët – të pakën këto 30-vjetë post-komunizëm – për të kundërshtuar influencat e huaja, sidomos influencat nga Rusia, Turqia e deri diku edhe Kina.  Korrupsioni i lartë, gjëndja e mjerueshme ekonomike dhe mos-stabiliteti politik, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, janë një pikë e dobët dhe përbëjnë një fushë të dobishme veprimi dhe shfrytëzimi – në mungesë të normalitetit politik dhe ekonomik shqiptar – për interesat anti-shqiptare   të Rusisë, Serbisë, Turqisë, Greqisë, e të tjerëve.

Siç mund të shihet edhe nga raporti amerikan mbi kërcënimet që i kanosen sigurisë botërore gjatë këtij viti, rreziqet janë të mëdha edhe ndaj fatit dhe interesave kombëtare dhe të sigurisë së Shqiptarëve në trojet e veta. I takon kësaj klase politike që të ushtrojë maturi politike dhe diplomatike – por mbi të gjitha atdhedashuri — në këtë botë të pasigurt dhe plot kërcënime, duke ndenjur larg interesave të huaja dhe provokimeve të tyre dhe të mos joshen me “miqësi” të rrejshme — nga shtete që, historikisht, kurrë nuk ia kanë dashur të mirën shqiptarëve.  Këto janë kohëra shqetësuese, për të mos thënë të rrezikshme, të cilat nevojitin njerëzit më mendje ndritur dhe më me përvojë që ka Kombi.  Rregulloni punët e shtëpisë, dhe ashtu siç jeni betuar, bëni detyrat që iu kanë besuar shqiptarët, para se të jetë vonë.  Kujdes, se kjo nuk është koha as vendi për të eksperimentuar me politikën e jashtme dhe me diplomacinë e Kombit shqiptar, sidomos përballë kërcënimeve dhe rreziqeve ndaj sigurisë botërore dhe rajonale, siç paralajmëruan edhe shefat e enteve të Zbulimit Amerikan, në dëshmitë e tyre këtë javë, para Komisionit të Zbulimit të Senatit të Shteteve të Bashkuara.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Ballkani, Frank shkreli, Kercenimet ndaj Sigurise

BALLKANI, LARG BE-së

February 7, 2018 by dgreca

3HannPër Ballkanin perspektivë integruese, por s’ka ikje nga kriteret e BE-së/

Bashkimi Evropian u ka ofruar perspektivë të qartë integruese vendeve të Ballkanit Perëndimor, por BE-ja nuk do të importojë mosmarrëveshje brenda saj, kështu që vendet që mëtojnë integrimin, duhet t’i zgjidhin paraprakisht mosmarrëveshjet, është thënë gjatë prezantimit të Strategjisë së re të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

Kjo strategji është shpalosur nga Presidenti i Komisioni Evropian, Jean-Claude Juncker, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, dhe komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn, për Kosovën, ndërkaq është pasuar edhe me një konferencë në Prishtinë të Përfaqësueses së BE-së, Nataliya Apostolova.

“Populli i Ballkanit dhe liderët e këtyre vendeve e kanë bërë një zgjedhje të drejtë, që të jenë pjesë e Bashkimit Evropian. Ne, mund t’ju themi atyre se edhe ne e kemi bërë zgjedhjen e njëjtë, pra u japim perspektivën e qartë evropiane atyre”, ka deklaruar Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini.

Strategjia e re, ka parashikuar afate kohore vetëm për Serbinë dhe Malin e Zi, sipas së cilës, këto dy vende mund të anëtarësohen në BE diku në vitin 2025. Përderisa vendet tjera si Shqipëria, Maqedonia, Bonjë e Hercegovina dhe Kosova janë përfshirë në Strategjinë e Zgjerimit, por pa ndonjë afat kohor për anëtarësim.

“Komisioni është i gatshëm të përgatisë rekomandime për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, në bazë të kushteve të plotësuara”, theksohet në Strategji.

“Me përpjekje dhe angazhim të vazhdueshëm, Bosnja dhe Hercegovina mund të bëhet kandidate për anëtarësim. Kurse Kosova ka mundësi të bëjë përparim të qëndrueshëm me zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe të avancojë në rrugën e saj evropiane, kur të lejojnë rrethanat objektive”, theksohet aty.

Por, Mogherini tha se “këto nuk janë afatet e fundit dhe se edhe vendet tjera mund të fillojnë me negociata gjatë muajve në vijim”.

Raporti përfundimtar i BE-së, sipas saj, pritet të publikohet në prill, kurse takimi me vendet e Ballkanit do të mbahet më pas në Sofje të Bullgarisë, e cila aktualisht ka marrë kryesimin e Unionit.

Ndërkohë, komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi të mirë, Johannes Hahn tha se po flitet për një perspektivë për të gjitha vendet në rajonin e Ballkanit.

“Pra, secili në Ballkan duhet të ketë si interes integrimin dhe të shtojnë bashkëpunimin mes vete në rrugën drejt BE-së”, theksoi Hahn.

Ai tha se Strategjia dhe të gjitha elementet e saj, nuk paraqet mundësi për vendet që të shmangin kriteret e përcaktuara për integrim, por paraqet një kanalizim të kritereve si domosdoshmëri për integrim në BE.

Hahn ftoi vendet e Ballkanit që të shtojnë bashkëpunimin dhe t’i tejkalojnë mosmarrëveshjet, duke i rikujtuar shtetet e Ballkanit se stabiliteti dhe marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore, janë kushte të parapara në kriteret evropiane.

“Anëtarësimi në BE nuk është vetëm çështje ekonomike, por edhe përkushtim për pranimin e vlerave dhe standardeve evropiane”, tha ai.

Ndërkohë, Përfaqësuesja e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova tha se “nuk ka ndonjë dallim ndërmjet Kosovës dhe vendeve tjera të rajonit në këtë Strategji”, ndonëse për Kosovën, ajo tha se mbetet ende rrugë e gjatë deri në fazën integruese.

“Kushtet dhe kriteret janë të njëjta dhe se procesi i zgjerimit mbetet i mbështetur në meritat dhe nuk ka rrugë tjetër. BE-ja nuk mundet dhe nuk do të importojë mosmarrëveshje bilaterale, ato duhet të zgjidhen para anëtarësimit. Kosova, e po ashtu edhe Serbia, duhet t’i intensifikojnë përpjekjet për normalizim, ngase nuk ka ndonjë rrugë alternative”, tha Apostolova.

Në strategjinë e re të BE-së kërkohet që të “arrihet marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të detyrueshme ligjërisht ndërmjet Serbisë dhe Kosovës në mënyrë që (të dyja vendet) të avancojnë drejt rrugës evropiane”.

Lidhur me Strategjinë e re është deklaruar edhe ministrja e Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha. Ajo e ka cilësuar si tejet pozitive që Bashkimi Evropian e ka konfirmuar se Kosova e ka vendin e vet në BE dhe e ka rrugën e vet të ndarë nga Serbia në këtë proces.

“Është tejet pozitive që BE ka konfirmuar se Kosova e ka vendin e vet në BE dhe e ka rrugën e vet të ndarë nga Serbia në këtë proces. Fakti që BE e trajton procesin e aderimit të Kosovës në BE të ndarë nga Serbia, për mua është një njohje e shtetësisë së Kosovës, përkundër mosnjohjes nga disa shtete anëtare të BE-së, dhe rezistencës që kanë shfaqur disa shtete që Kosova fare të mos përfshihet në këtë strategji”, tha Hoxha.

“Po ashtu, është tejet pozitive që BE-ja kërkon kategorikisht që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje juridikisht të detyrueshme, si parakusht për anëtarësimin e tyre në BE”,tha tutje ajo.

Publikimi i Strategjisë, pritet të pasohet edhe me takimin e radhës ndërmjet liderëve të vendeve të Ballkanit dhe atyre të Bashkimit Evropian, i cili do të mbahet muajt në vijim.(RFL)

Filed Under: Analiza Tagged With: Ballkani, LARG BE-së

Viti 2018 vit vendimtar për Ballkanin Perëndimor

January 1, 2018 by dgreca

Bashkimi Evropian pret që viti 2018 të jetë vendimtar për Ballkanin Perëndimo dhe afrimin e tij me Brukselin. Por realisht ka shumë probleme.

1 Ballkani

Viti 2017 në politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian ka përfunduar siç edhe kishte filluar – me pritje të mëdha! Gjatë gjithë vitit 2017 ka pasur nga Brukseli në drejtim të Ballkanit Perëndimor mesazhe mbështetjeje dhe inkuarijimi. Shefja e diplomacisë evropiane Federica Mogherini ka deklaruar në qershor se përparimi i Ballkanit drejt BE është një “prej prioriteteve të saj”. Ndërsa Jean-Cloude Juncker në shtator ka dalur në opinion për herë të parë me një itinerar kohor për anëtarësimin e mundshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe ka paralajmëruar Strategjinë e anëtarësimit të Serbisë dhe Malit të Zi, deri në vitin 2025.

”Viti i ardhshëm është shumë i rëndësishëm për rajonin. BE ka forcuar angazhimin në Ballkanin Perëndimor me të gjithë partnerët atje. Ndaj kërkohet një angazhim edhe më i madh për realizimin e reformave”, kumtoi Komisioni Evropian. Mesazhet e këtilla nga Brukseli janë kuptuar si sinjale të qarta, që dallojnë nga mesazhet monotone të viteve të kaluara ne procesin e integrimeve. Ndryshimi retorik në mesazhe nënvizon vendosmëri për afrimin e Ballkanit me Brukselin.

”Fakti që KE ka paralajmëruar një Strate

Federica Mogherini Hohe Vertreterin der EU für Außen- und Sicherheitspolitik (Getty Images/AFP/J. Thys)

gji të qartë për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe që vendet kandidate favorizohen edhe nga vendet që në të ardhmen do të kryesojnë me BE, paraqesin një ndryshim pozitiv për këto vende dhe për nxitjen e reformave atje”, thotë për Deutsche Wellen Korina Stratulat nga Qendra për Politikë Evropiane në Bruksel (EPC).

Pritjet e mëdha dhe dëshpërimet e mundshme

Në Bruksel është hartuar një itinerar i qartë i vitit 2018 për Ballkanin Perëndimor. Në fillim të shkurtit Komisioni Evropian do të bëjë publike “strategjinë e zgjerimit”, e cila nga Juncker është anoncuar si Strategji për anëtarësimin e Serbisë dhe Malit të Zi. Por kjo Strategji përfshinë të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat gjenden në procesin e integrimit. Jozyrtarisht thuhet se Komisioni në këtë dokument parashikon që Serbia dhe Mali i Zi të anëtarësohen në BE deri në vitin 2025, që Bosnja të ketë statusin e kandidatit deri në vitin 2019 dhe që të “nxitet procesi i anëtarësimit” me Shqipërinë dhe Maqedoninë, nëse Tirana i realizon pesë refomat me prioritet, ndërsa Shkupi zgjidhë problemin e emrit të vendit me Athinën. Ndërsa Kosova mund të shpresojë liberalizimin e vizave, nëse i plotëson kushtet. Ekspertët thonë se këto vende duhet të bëjnë “hapa të pakthyeshëm” në reforma, në veçanti në sektorin e sundimit të ligjit, demokracisë, zgjidhjen e çështjeve të hapura bilaterale, duke përfshirë edhe çështjen e shtetësisë.

”Asnjë nga këto fusha nuk është detyrë e lehtë dhe do të jetë shumë interesante të shihet se çfarë ka parashikuar Brukseli sakt për këtë rajon dhe çfarë të re sjellë kjo strategji – apo do të insistohet në çështjet e njohura edhe më parë”, thotë Stratulat për DW.

Në EPC thonë se në politikën e zgjerimit duhet të merren parasyshë dy çështje. Së pari, këtu nuk ndikojnë vetëm qëllimet e Komisionit Evropian por edhe të vendeve anëtare, të cilat në çdo moment mund ta bllokojnë apo ngadalësojnë procesin e integrimeve të vendeve kandidate. Dhe e dyta, përcak

EU-Kommissionspräsident Jean-Claude Juncker (picture alliance/dpa/AP/V. Mayo)

timet kohore për anëtarësim, sepse përcaktimet kohore mund të kenë pasoja negative në procesin e komplikuar të reformave në Ballkan.

”Qëllimi i zgjerimit është që vendet kandidate të reformohen dhe të shndërrohen në “vende të mira anëtare”, me demokraci të qendrueshme dhe ekonomi stabile. Nëse përcaktimet kohore e dëmtojnë këtë qëllim, atëherë nuk i shërbejnë qëllimit të menduar”, thonë në EPC.

Ku jemi dhe si duhet të veprohet?

Për sa kohë Brukseli po punon “Strategjinë e vendeve të Ballkanit”, të gjitha këto vende kanë edhe strategjinë e tyre. Mali i Zi si lider i procesit të integrimeve mendon se në 30 kapitujt e hapur deri tani (prej 35 sa duhet të hapen) është arritur një përparim i madh dhe dinamikë e duhur. Serbia në vitin 2017 ka mbyllur 12 kapituj të hapur më parë dhe është e kënaqur me tempon e procesit. Ajo mendon se në vitin 2018 procesi mund dhe duhet të shkojë edhe më shpejtë. Shkupi mendon se Maqedonia “është shembulli më pozitiv i viti 2017” dhe nga BE pret t’i shpërblejë angazhimet e tij dhe të hapë në gjysmën e parë të vitit 2018 procesin e negociatave. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama nuk ka kursyer fjalët kritike në drejtim të BE dhe nuk pret ndonjë ndryshim tepër të madh të Brukselit.

”Nuk janë problem fjalët por veprat e Evropës. Ndaj nesh është totalisht jo fer, sepse ne jemi anëtar i NATO-s kaherë, ndërsa Mali i Zi është anëtarësuar së fundi. Përveç kësaj, në kapitujt 23 dhe 24, jami shumë përpara Malit të Zi. Edhe para Serbisë, sepse ajo duhet të bëjë reformat që ne i kemi kryer. Fantastike është që Serbia dhe Mali i Zi kanë hapur procesin e negociatave. Por nuk është fer që ne nuk e kemi hapur këtë proces. Në BE kurrë nuk dihet, sepse shumë shpesh ndryshojnë pozicionet dhe kushtet”, deklaroi Rama në fund të vitit 2017 në Bruksel.

Bosnje-Hercegovina në vitin 2018 është futur me një premtim tjetër të pa realizuar – nuk është përgjigjur në pyetësorin për të marrë statusin e kandidates.  Në BE kanë frikë se procesi i ngecjeve mund të vazhdojë e

dhe në vitin 2018. Brukseli ka paralajmëruar edhe Kosovën, për shkak të vonesave në miratimin e ligjit për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe iniciativës për pezullimin e ligjit për Gjykatën Speciale për krime lufte. Ndaj kur shikohet kjo gjendje e “larmishme” në Ballkan, shtrohet pyetja: cila është perspektiva e Ballkanit Perëndimor në vitin 2018?

”Shpresoj se shumë shpejtë do të hapen negociatat edhe me disa vende të tjera të rajonit. Reale është të pritet përparim në procesin e negociatave me vendet me të cilat janë filluar negociatat, ndërsa nga disa të tjera pres që të paktën të mos ketë hapa mbrapa”, thotë Kroina Stratulat.

Ajo mendon se gjendja më problematike është në Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë. “Në një skenar pozitiv mund të parashikohet që Kosova të marrë liberalizimin e vizave gjatë këtij viti. Realisht nuk jam optimiste por shpresoj se nuk kam të drejtë”, konstaton Stratulat në bisedë me DW.

Ajo dhe ekspertët tjerë shpresojnë se në rajon nuk do të ketë ndonjë zhvillim që do të dëmtonte përpjekjet për afrimin e Ballkanit Perëndimor me Brukselin.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ballkani, Pritshmert e 2018

POLITIKA PUTINISTE DHE ERDOGANISTE, SHPATA E DEMOKLEUT MBI BALLKANIN PERËNDIMOR

September 6, 2017 by dgreca

Tirana dhe Prishtina zyrtare duhet ta kuptojnë para se të jetë vonë, se Putini nuk është Gorbaçovi dhe Erdogani nuk është Ataturku, madje as Demireli./

2-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/

Kohët e fundit, anëtarë të Kongresit Amerikan, në grupe dhe individualisht, kanë vizituar disa vende të Ballkanit Perëndimor, me qëllim për të parë së afërmi situatën politike dhe ushtarako-ekonomike në atë rajon dhe për të biseduar me udhëheqësit e atyre vendeve mbi shqetësimet e vazhdueshme amerikane dhe të Evropës Perëndimore, në lidhje me influencën e Rusisë dhe të Turqisë, jo vetëm në rajonin e Ballkanit Perendimor por edhe më gjërë. Në këtë frymë ishte edhe vizita e Zëvëndës – Presidentit të Shteteve të Bashkuara në fillim të gushtit që kaloi, në Podgoricë, në kuadër të mbledhjes së nivelit të lartë të Kartës së Adriatikut, ku morën pjesë udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Vizita e Z. Pence në Mal të Zi, Estoni dhe Gjorgji, pasoi vizitën që bëri më heret Presidenti Trump në Poloni dhe në Gjermani. Më heret, përfaqsues të lartë të administratës amerikane, si Sekretari i Mbrojtjes Xhim Mattis dhe Sekretari Amerikan i Shtetit Reks Tillerson ishin dërguar në Evropë për të qetësuar shqetësimet e shprehura nga vendet afër kufijve me Rusinë dhe njëkohsisht për t’i siguruar ato se Washingtoni mbështet Aleancën e NATO-s si dhe sovranitetin e vendeve ish-sovjetike, por që ende nuk janë anëtare të saj, siç është Gjorgjia.

Mund të thuhet pra se i gjithë ky aktivitet diplomatik, mbrenda disa javëve nga ana e Shteteve të Bashkuara, kishte për qëllim të zhdukte çdo dyshim të vendeve anëtare të NATO-s dhe të tjerëve, se Washingtoni është i zotuar si gjithmonë për mbrojtjen e përbashkët, në rast të një sulmi, të vendeve anëtare të NATO-s, ashtu siç parashikohet në nenin 5 të aleancës. Për më tepër, gjatë vizitës së tij në Evropë, përfshirë Malin e Zi, Zëvendës-presidenti amerikan Pence, përveç se foli për marrëdhëniet bilaterale dhe politikën mbrojtëse, ai theksoi edhe vlerat e lirisë, të demokracisë dhe tolerancës fetare, duke inkurajuar vendet ballkanike që të lidhen me perëndimin dhe të kundërshtojnë përpjekjet ruse, për të përçarë aleancën NATO, e cila e konsideron Rusinë si një kërcënim të sigurisë dhe paqës në kontinentin evropian.

Në vazhdën e këtyre vizitave të zyrtarëve më të lartë amerikanë kohët e fundit në rajonin e Ballkanit, ishte ajo e Senatorit republikan nga shteti Uiskonsin, Ron Xhonson, njëkohsisht edhe Kryetar i Komisionit të Senatit Amerikan për Sigurinë Kombëtare. Gjatë takimeve të tij në Beograd me zyrtarët serbë, Senatori amerikan u bëri thirrje autoriteteve serbe që të mos i japin statusin diplomatik personelit rus në atë që Moska e cilëson si një “qendër humantitare” ruse, shumë të përflur në Nish të Serbisë, por të cilën shumë ekspertë dhe agjenci perëndimore të shërbimit të fshehtë, thonë se është një çerdhe spiunazhi. Ligjvënsi amerikan i tha Presdientit të Serbisë, Vuçiq, se akordimi i statusit diplomatik personelit në qendrën ruse në Nish, do të ishte, “Një shenjë shumë e keqe” dhe nuk do t’i shëbente interesave të Serbisë, sidomos sa u përket investimeve perëndimore në atë vend. Qendra “humanitare” ruse në Nish — për të cilën kam shkruar edhe më heret e që është hapur në vitin 2012 – sipas shumë vërejtësve të çështjeve të Ballkanit, në të vërtetë, shërben si një qëndër spiunazhi kundër vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe sidomos kundër interesave perëndimore në atë rajon, por përdoret edhe si qëndër propagande për të influencuar opinion publik në favor të politikës dhe diplomacisë së Rusisë në rajonin e Ballkanit. Senatori Xhonson u tha bashkbiseduesve në Beograd se nëqoftse Serbia dëshiron investime nga perëndimi, “Ajo duhet të tregojë shënja se preferon stilin qeverisës të demokracive perëndimore dhe tregun e lirë dhe jo llojin e agresionit që, fatkeqsisht, po demonstron aktualisht Vladimir Putin-i i Rusisë”.

Në një intervistë me Zërin e Amerikës, Senatori Ron Xhonson komentoi mbi gjëndjen në Ballkan dhe mbi marrëdhëniet ruso-amerikane, duke theksuar se, “Është e nevojshme që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian të tregojnë interesim më të madh ndaj këtij rajoni, duke marrë rolin udhëheqës”. Tani është një kohë e përshtatëshme që vendet e Ballkanit të integrohen në Bashkimin Evropian dhe në radhët e demokracisë Perëndimore”u citua të ketë thënë, për ndryshe shtoi ai, rajoni,“Shumë lehtë mund të bie nën influencën ruse”. Senatori Xhonson u shpreh gjithashtu se Rusia po bën çdo gjë të mundur për të destabilizuar autoritetet vendore, me qëllim për të parandaluar animin e tyre drejtë Perëndimit”, duke thënë se ne duam që vendet e Ballkanit të, “Anojnë nga Perëndimi dhe jo nga Lindja”.

Gjatë vizitës së Senatorit Xhonson në rajon, ai vizitoi edhe Prishtinën, ku u takua me Presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe me Kryeministrin në detyrë, Isa Mustafa. Senatori amerikan i siguroi udhëheqsit më të lartë të Kosovës, sipas një njoftimi për media, se, “Administrata e presidentit Trump do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në të gjitha fushat dhe do të mbetet e përkushtuar për paqën dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon.

Ndërkaq, dhe përballë kësaj situate, shtetet e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, duhet të vendosin — ndërkohë që marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin janë në nivelin më të ultë ç’prej shembjes së Murit të Berlinit, por njëkohësisht edhe duke marrë parasyshë përkeqsimin e marrëdhënieve të Turqisë së Erdoganit me Perëndimin, e sidomos me Gjermaninë – se kah do t’ia mbajnë ato, siç u shpreh Senatori Xhonson: nga Lindja a po nga Perëndimi? Distancimi i dukshëm i Turqisë nga Perëndimi, nën regjimin e Presidentit Erdogan, mund të nevojitë një pozicionim të ri nga ana e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare,edhe në marrëdhëniet me Ankaranë.

Nuk ka dyshim se influenca e stilit të qeverisurit nga Putini dhe Erdogani në rajonin e Ballkanit, minon demokracinë dhe inkurajon disa prej të “fortëve”të Ballkanit që të ushtrojnë një pushtet autoritar në disa prej vendeve të rajonit, duke shkelur dhe duke abuzuar me të drejtat e njeriut dhe me normat demokratike.

Prandaj, vendet ballkanike duhet të vendosin njëherë e mirë nëse modeli udhëheqës për ‘ta është ai perëndimor, a po preferojnë modelin e Putinit dhe Erdoganit: njëri dëshiron ringjalljen e perandorisë sovjetike e tjetri ringjalljen e perandorisë otomane, në kurriz të popujve të Ballkanit dhe të Evropës. Ndërsa pretendojnë integrimin e plotë ekonomik dhe politik me Evropën, Shqipëria dhe Kosova nuk mund të flirtojnë njëkohësisht me udhëheqës të tillë, si Erdogani e Putini, të cilët kanë minuar demokracinë, jo vetëm në vendet e tyre, por kudo që atyre u “shkelë” këmba. Ndërkohë që marrëdhëniet e Turqisë me Evropën sa vinë e keqësohen dhe ndërsa lidhjet midis Putininit e Erdoganit po përmirësohen, qoftë edhe në sipërfaqe — shpejt do të vijë koha që udhëheqsit shqiptarë në Ballkan duhet të vendosin se kah do t’ia mbajnë, drejtë Perëndimit apo drejtë Lindjes?

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Z. Ditmir Bushati duke folur të mërkurën në Shkollën Verore të Këshillit Kombëtar të Integrimit në Tiranë, me të drejtë u shpreh se, “Topi është në fushën tonë”, ndërsa theksoi se, “Nevojitet të forcojmë më tej konsensusin kombëtar, diologun politik që integrimi europian të mos jetë thjesht retorikë, por të jetë ai që ne dëshirojmë ta konsiderojmë si projekti ynë i vetëm kombëtar”.

Tirana dhe Prishtina zyrtare duhet ta kuptojnë para se të jetë vonë, se Putini nuk është Gorbaçovi dhe Erdogani nuk është Ataturku, madje as Demireli.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ballkani, Frank shkreli, Politika Putiniste dhe Erdoganiste

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Frank Shkreli merr titullin ‘Qytetar Nderi’ i Malësisë së Madhe
  • Zgjedhjet piramidë dhe Shkodra
  • KUSH ËSHTË ABDULLAH RAMI?
  • Koncerti Panshqiptar Shpalos Bukurinë e Muzikës së të Gjitha Trevave
  • “Përtej harrimit” dhe përkthimi i “Shekspirit” të Hygoit, një përpjekje në rimëkëmbjen historike të kujtesës sonë të përbashkët
  • Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm
  • “50 VJETORI I REVOLTËS SË SPAÇIT”, HOMAZH DHE NDERIM TE VATRA
  • JU MIRËPRESIM NESËR TE VATRA
  • Shoqatat Shqiptare organizojnë “Piknikun shqiptar” në Staten Island, New York më 28 Maj
  • PAQEJA DHE MBROJTJA, NDESHJA DYFISHE N’EVROPË
  • ME VISARIN…
  • Presidentja Osmani priti në takim ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, njëherësh kryesues aktual i OSBE-së
  • Misioni fisnik i AFC ndërthuret me simbolikën historike të New England Conservatory, Boston në 27 maj
  • Kryeministri Kurti mirëpriti Komisionerin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Olivér Várhelyi
  • SI DEGRADOI POZITA E SHQIPTARËVE NË MAL TË ZI GJATË KOHËS SË PUSHTETIT TË MILLO GJUKANOVIQ-it ?

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT