Nacionalizmi etnik dhe institucionet e dobëta mbeten kërcënime për qendrueshmërinë në rajonin e Ballkanit, sipas komunitetit amerikan të zbulimit.
Vlerësimi, është pjesë e raporti të përvitshën rreth kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, që u paraqit të martën në Kongres nga Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Zbulimit, James Clapper.
Sipas raportit, Kosova ka bërë përparim drejt demokracisë së plotë, shumetnike, edhe pse tensionet në mes të shqiptarëve dhe serbëve mbeten.
Në Maqedoni, vazhdimi i krizës politike dhe shqetësimet në lidhje me radikalizimin mes shqiptarëve muslimanë rrezikojnë të përkeqësojnë marrëdhëniet tashmë të tensionuara ndërmjet shumicës etnike maqedonase dhe të pakicës shqiptare, pesëmbëdhjetë vjet pas konfliktit të dhunshëm ndëretnik mes dy grupeve.
Në Bosnje Hercegovinë, sipas raportit, 20 vjet pas përfundimit të luftës, vendi vazhdon të jetë i ndarë nga ana administrative dhe kulturore, me një situate të rënduar nga burokracia e pa-efektshme, pothuajse jo-funksionuese. Bosnja ka ndër papunësitë më të larta në botë mes të rinjve me rreth 60 përqind.
Komuniteti amerikan i zbulimit po ashtu tërheq vëmendjen se vërshimi i një numri të madh emigrantësh në Ballkan mund të acarojë më tej tensionet shoqërore atje.
A ishin fiset ilire “pengesë” për ekspansionizmin persian në Ballkan?
SHKRUAN:NIKO FERRO/
Pse persianët ishin shumë të interesuar për territorin e fiseve ilire të paionëve? Çfarë ofronte ai?
Të shkruash për këtë temë, në radhë të parë do të thotë të kesh hulumtuar gjerësisht çdo libër dhe çdo artikull që lidhet në funksion me temën. Në radhë të dytë do të thotë të guxosh, pra të sjellës një mendim ri dhe të pranueshëm.
Po pse pikërisht kjo temë, jo sepse ajo është më e rëndësishme se të tjerat, por për faktin se një argument mbi këtë çështje nuk është prekur më parë ndoshta tek tuk nga historiografia greke, maqedonase e italiane. Natyrisht që rrahja e argumenteve të reja ka si synim shtimin e diapazonit për ilirët. Kështu, për të pasur një pamje më të qartë mbi fillimin e kërcënimit të ekspansionizmit persian në Ballkan, më poshtë po paraqesim një përmbledhje të ngjarjeve historike.
Në shek VI p.e.s Kiri i Madh kishte bashkuar mbretërinë e Medëve dhe të Persianëve, duke i dhënë jetë kështu një fuqie të re politike, Perandoria persiane. Por Kiri i Madh nuk u ndal me kaq, ai tentoi të shtrinte sundimin e tij edhe në qytet-shtete greke të Azisë së Vogël. Ndërkaq Kiri ishte i mëshirshëm me popujt e nënshtruar, për të ishte e mjaftueshëm që qytet greke dhe fenikase të paguanin haraçin vjetorë, në këmbim të mbajtjes së një autonomie të zgjeruar.
Por Dari I, pasuesi, vendosi të konsolidonte edhe më tej fuqinë e Perandorisë persiane. Kështu për të fituar rezistencën e shteteve Ioniane, Dari u përpoq t’i dobësonte ekonomikisht duke nënshkruar traktate me qytet-shtete fenikase. Sakaq qytetet greke, të cilat mezi i mbijetonin masave shtrënguese të persianëve reaguan duke mos e njohur fuqinë e Mbretit të Madh dhe të satrapëve të tij persian.
Qyteti i parë Ionianë që u rebelua kundër guvernatorit persian ishte Mileti, në vitin 499 p.e.s Tirani Aristagora për të tërhequr simpatinë e satrapit të Azisë së Vogël, persiani Artaferne i propozoi këtij të fundit një ekspeditë kundër ishullit të Nasos, ku aty prej pak kohësh ishte formuar një qeveri demokratike. Artaferne i vuri atij në dispozicion një flotë persiane, por rezistenca e ishullit ishte heroike, dhe rrethimi i ishullit rezultoi të ishte një disfatë për persianët.
Atëherë Aristigora, duke parashikuar një ndëshkim ekzemplar nga ana e Darit I, menjëherë ndryshoi “pllakë” dhe ngriti lëvizjen antipersiane në qytetet greke të Ionias duke shkaktuar një revoltë në të cilën u rreshtuan Lidët, Karitët, Qipriotët, e shumë të tjerë.
Aristigora, me në krye një grushti oplitësh, arriti të pushtonte edhe kryeqendrën e satrapit persian, Sardi. Pas këtyre sukseseve fillestare, qytetet kërkuan edhe ndihmën e qyteteve të origjinës, Spartës, Athinës, Eretrias por spartanët e refuzuan pjesëmarrjen e tyre pasi ishin të zënë në konflikt me një tjetër qytet rival të tyren, Argosi. Mësojmë se vetëm Athina dhe Eretria dërguan ndihma, të cilat u limituan në një flotë të përbërë nga 25 anije.
Përgjigja e Darit ishte tepër e fuqishme.
Ai u përball me rebelët në tokë dhe në det, duke i mposhtur të gjithë por ai nuk u ndal me kaq, shkatërroi me zjarr dhe hekur të gjithë Ionian. Zbulojmë se qyteti i Miletit u shkatërrua deri në themel më 494 p.e.s dhe banorët e tij, që kishin treguar rezistencë kundër persianëve u shpërngulën dhe u shitën si skllevër. Qytetet e tjera rebele u detyruan të dorëzonin armët dhe mjete të tjera të luftës, dorëzuan gjithashtu të gjitha anijet.
Pikërisht në këtë moment deliri dhe fitoreje, mendimi i Darit I, për t’u zgjeruar në Perëndim filloj të maturohej. Por për të nisur një pushtim drejt Perëndimit, Darit i nevojitej një njohje e mirë e territoreve, por kjo gjë nuk përbente shqetësim, Mbreti i Mbretërve e kishte gjetur zgjidhjen.
Aty nga fundi i shek VI p.e.s Dari urdhëroi Skylaksin një gjeograf dhe historian grek nga Karianda e Karisë të ndërmerrte një udhëtim eksplorues në Evropë, Azi, Afrikë dhe në Indi. Mund të themi se vepra e tij, e ndihmuar edhe nga dikush tjetër në përshkrimin gjeografik ajo paraqitet me shumë interes.
Aty nga fundi i shek. VI p.e.s Dari I, avancoi me një ushtri të madhe nga Kerkonezi në drejtim të grykëderdhjes së Danubit, duke nënshtruar kështu të gjitha fiset thrake, që gjente në kalimin e tij, Tinët, Odrizët, Shirmiadët dhe Nipseit.
Mësojmë se një ushtri e madhe skite e ardhur nga viset veriore të Thrakisë, bëri që Dari të tërhiqej me një pjesë të vogël të ushtrisë, pjesa tjetër qëndroi në Thraki, nën komandën e Megabazit, komandant persian. Brenda pak kohësh satrapi i Darit, arriti të nënshtronte të gjitha qytetet bregdetare thrake si dhe fiset që banonin afër tyre. Më saktë deri në brendësi të territorit të fiseve ilire të paionëve.
Për të kuptuar më mirë qëllimet e persianëve ndaj këtij territori, më poshtë po sjellim një kronik të Herodotit. “Ata që u pushtuan në Evropë prej persëve, në kohën e Darit, sundoheshin nga Megabazi. Një ngjarje në të cilën qe dëshmitar Dari, bëri të lind te ky, mbret dëshira për të urdhëruar Megabazin që t’i shpërngul paionët e Evropës në Azi. Pirgesi e Mantyesi, të dy paionë, donin të bëheshin tiranë të paionëve. Menjëherë pasi Dari u kthye në Azi, ata shkuan në Sardë bashkë me motrën e tyre dhe duke gjetur rastin kur ky mbret qëndronte në lagjet e jashtme të qytetit të lydëve, ata e zbukuruan sa mundën me shumë motrën dhe e dërguan për të mbushur ujë. Ajo mbante një shtam në kokë, tërhiqte një kalë për kapistali, të cilin e kishte lidhur pas krahut dhe tirrte li. Dari, kur e pa këtë që po kalonte, i tërhoqi vëmendjen pasi ato që bënte ajo nuk i kishin zakon gratë e Persisë, Lydisë, ashtu edhe të pjesës tjetër të Azisë. Për këtë arsye, kur e pa urdhëroi disa nga rojet e tij ta ndiqnin dhe të shikonin çdo të bënte me kalin e saj…. Dari i habitur nga të dhënat e rojeve të tij, dhe nga ajo që kishte parë vetë kërkoi që ta sillnin tek ai. Kur ajo erdhi para Darit, vëllezërit e saj që po i vërenin të gjitha këto nga një vend i afërt u paraqitën edhe ato. Kur Dari i pyeti mbi vendin e tyre, të rinjtë ju përgjigjën se ishin Paionë dhe se ajo ishte motra e tyre. Mbreti e pyeti përsëri pse kishin ardhur në Sardë, çfarë njerëzish ishin paionët dhe në cilin vend të tokës banonin. Ata i thanë se kishin ardhur për t’i shërbyer atij, se Paionia me qytetet e saj gjendej në brigjet e Strymonit dhe se ky lum nuk ishte shumë larg nga Hellesponti, dhe se ishin me prejardhje teukrase dhe koloni e trojanëve. Kjo qe përgjigja për çdo njërën prej pyetjeve të tij. Ai donte të dinte akoma nëse gratë e këtij vendi ishin të gjitha kështu punëtore si motra e tyre.” (Herod. V. 1.12)
A thua që Mbreti i Mbretërve të interesohej për territorin e paionëve vetëm se gratë ishin punëtore? Çfarë kërkonte të dinte më tepër ai ? Çfarë ofronte territori i paionëve për persianët?
Pavarësisht se ky territor mund të përdorej si bazë për ekspansionizmin persianë në Ballkan, ky vend ishte mjaft i pasur me metale.
Më poshtë po citojmë autorin antik Aristoteli: “Për Paioninë thonë se kur bien shira të vazhdueshëm, në tokën e zbutur gjendet i ashtuquajtur ar i padjegshëm. Flitet se toka në Paioni është aq e pasur me ar, sa shumë vetë kanë gjetur copa ari më të rënda se një mna” (Aristot. De mir. Ausc 833 b, 45)
Pra siç citohet më sipër nuk bëhet fjalë për gra punëtore, por për pasuri minerale.
Sipas Herodotit “Atëherë Dari i shkroi Megabazit të cilin e kishte lënë në Thraki, si komandant të një pjese të ushtrisë së tij, që t’i shpërngulte paionët nga tokat e tyre dhe t’i sillte tek ai së bashku me gratë dhe fëmijët… Megabazi pasi lexoi letrën, zgjodhi dhe mori njerëz nga Thrakia për t’i treguar rrugën dhe marshoi me ushtrinë e tij kundër Paionisë. Paionët si e morën vesh se persët po marshonin kundër tyre, u përgatitën që t’i zmbrapsin dhe shkuan me të gjithë forcat e tyre në brigjet e detit duke menduar se andej do sulmoheshin. Por Megabazi kur mori vesh se ata ruanin shtigjet nga ana e detit duke menduar se andej do sulmoheshin, kaloi në ndërmjetësinë e tyre, papritmas dhe para se ata të kujtoheshin, i pushtoi me lehtësi të madhe aq sa nuk u gjend njeri për t’i mbrojtur. Paionët kur mësuan se qytetet e tyre ishin në duart e armikut u shpërndanë duke u kthyer në tokat e tyre pra ju dorëzuan persianëve. Kështu një pjesë e paionëve, d.m.th. Siriopaionët, Paioplajt dhe ata që zinin atë pjesë të vendit që arrinin deri te Liqeni i Prasias u dëbuan nga vendbanimet e tyre dhe u dërguan në Azi. Ndërsa paionët e rretheve të Malit Pangajonë ( Doberët, Agrianët, Odomantët) dhe paionët e Liqenit të Prasias, Megabazi nuk i nënshtroi dot.? (Herod. V. 1, 12, 13,14,15,16)
Arsyeja ?
Natyrshëm lind pyetja. Pse Megabazi nuk arriti të nënshtronte të gjithë fiset ilire të paionëve ? Mos vallë ata kishin luftuar heroikisht kundër ushtrisë persiane ?
Ndonëse Herodoti, nuk përmend fjalën “luftë” apo “betejë”, mund të hamendësojmë që në krah të paionëve të ishin rreshtuar të tjera fise ilire, taulantët, dardanët, enkelejtë të cilët luftuan bashkërisht kundër forcave persiane. Në këtë kontekst vlen të përmendet mendimi i W. Pojakowskit (Kuvendi i Studimeve Ilire. Vëll I Tiranë 1974 f. 338) “[Në shek. V p.e.s] kemi të bëjmë me një epërsi luftarake të fiseve ilire, në veçanti të Enkelejve, se kjo hegjemonie pati ndikim nga lidhjet me luftrat greko-persiane”.
“Për sa i përket paionëve, ilirëve dhe të fqinjëve në përgjithësi <
Sipas Herodotit “persianët pas nënshtrimit të paionëve, ju drejtuan Maqedonisë. Sepse rruga nga Liqeni Prasias deri në Maqedoni është shumë e shkurtër. (Herod. V. 17)
Pra me pak fjalë territori i paionëve shërbeu si “urë” për ekspansionizmin persian.
Si përfundim mund të themi se të gjithë autorët antik në mënyrë të drejtpërdrejt ose të tërthorët tregojnë për rëndësinë strategjike që kishte territori i fiseve ilire të paionëve si dhe për rëndësinë ekonomike, që ofronte ky vend për shkak të minierave të argjendit dhe të arit. Mendojmë se ishin pikërisht këto kushte të cilat bënë që ky territor të ishte tejet i lakmuar nga persianët, më pas nga maqedonasit, grekët, keltët, romakët, sllavët, dhe në fund osmanët.
Ajo që vlen të theksohet është se persianët nuk arritën dot të depërtonin në brendësi të territoreve ilire. Në pamje të parë ndoshta për shumë njerëz kjo dëshmi duket e parëndësishme, por duke u fshirë kështu copëza të historisë të paraardhësve tanë, mendoj se na lind e drejta të predikojmë një moral të tillë që asgjë nuk mund të mënjanohet, asgjë nuk mund të përcaktohet apriori e parëndësishme,dhe të gjykohet me mentalitetin që kjo apo ajo çështje e kësaj natyre përbën objekt pa rëndësi. Ato janë dhe do të ngelen pjesë e identitetit të historisë sonë.
Ballkani, pikë takimi e rrezikut të radikalizmit islamik dhe ndikimit rus
Shtëpia e Bardhë i konsideron ekstremizmin e dhunshëm dhe agresionin rus, si dy nga sfidat kryesore ndaj sigurisë kombëtare amerikane. Përballja me këto kërcënime është një përparësi për Shtetet e Bashkuara edhe në rajonin e Ballkanit, ku përpjekjet për të ushtruar ndikim si nga Rusia, ashtu edhe nga islamistët radikalë, takohen në një pikë. Paqëndrueshmëria politike, tensionet e mbetura etnike dhe dobësia ekonomike i bëjnë këto vende veçanërisht të ekspozuara. Popullsitë me numër të madh myslimanësh nga njëra anë dhe lidhjet historike dhe fetare me Rusinë nga ana tjetër, i bëjnë vendet e Ballkanit Perëndimor, më të prekshme nga këto ndikime. Frank Wisner, ish-ambasador i Shteteve të Bashkuara dhe ish-i dërguar i posaçëm për bisedimet e statusit mes Kosovës dhe Serbisë, thotë se megjithëse Ballkani nuk është sferë përparësore rivaliteti, ai nuk është i parrezikuar.“Mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme që Ballkani të mos lejohet të preket nga rivalitetet e fuqive të mëdha dhe së dyti që çështjet e Lindjes së Mesme të mos ta infektojnë këtë rajon. Përsa i takon kësaj të fundit, kjo është detyrë e shërbimeve të zbulimit të Evropës Perëndimore dhe Shteteve të Bashkuara, si edhe atyre të Ballkanit, që të identifikojnë dhe gjejnë elementët shkatërrimtarë që shkojnë dhe kthehen nga zonat e udhëtimit të Levantit dhe Lindjes së Mesme”, thotë ai. Rreziku i ndikimit të radikalizmit islamik. Vende si Shqipëria, Bosnja dhe Kosova kanë miratuar ligje për tu ndaluar qytetarëve të tyre të marrin pjesë në luftëra të huaja dhe kanë arrestuar një numër elementësh radikalë. Kjo do të jetë një përpjekje afat-gjatë, thotë ish-zëvendës ndihmës Sekretari i Mbrojtjes Ian Brzezinski, që tani është studiues në Këshillin e Atlantikut: “Do të jetë një ndërmarrje e vazhdueshme, afatgjatë, ku intensifikimi i këtij bashkëpunimi mes policive e shërbimeve të zbulimit, do të bëhet gjithnjë e më urgjente, gjithnjë e më e domosdoshme, me kalimin e kohës”. Që kur filloi konflikti në Siri në vitin 2011, në këtë vend kanë shkuar mbi 20 mijë luftëtarë të huaj, nga mbi 90 vende, të paktën 3,400 prej tyre nga Perëndimi, sipas Raportit për kërcënimet Globale të departamentit amerikan të zbulimit. Numri i luftëtarëve nga Ballkani është të paktën një mijë, nga të cilët 500 nga Bosnja, 300 nga Kosova, 90-100 nga Shqipëria dhe rreth 100 nga Maqedonia, sipas të dhënave zyrtare nga Ballkani dhe burimeve të tjera. Ballkani dallon nga vendet e Evropës Perëndimore, pasi sundimi i ligjit është më i dobët dhe varfëria më e madhe, thotë zoti Brzezinski. “Strukturat e qeverisjes dhe rendit janë disi më të dobëta në vendet e Ballkanit, krahasuar me homologët e tyre në veri të Evropës. Disa prej këtyre vendeve kanë popullata të konsiderueshme myslimane. Kjo nuk do të thotë se është gjë e keqe të kesh popullsi myslimane, por është një realitet që po shfrytëzohet nga organizata si ISIS. Këto vende janë në spektrin e një varfërie më të madhe në relievin ekonomik të Evropës dhe kurdo që ke një situatë pabarazie ekonomike, ka shoqëri që janë më të ekzpozuara ndaj ekstremizmit”. Ish-ambasadori Wisner thotë se Shtetet e Bashkuara kanë synuar të veprojnë si një forcë stabilizuese në rajon, “Por vazhdon të ketë një program politik që ende nuk ka marrë rrugë, në Bosnje, Maqedoni dhe sigurisht mes Kosovës dhe Serbisë”. Rreziku i ndikimit të Rusisë. Një sfidë tjetër me të cilën ndeshet Ballkani sot është rritja e ndikimit rus. Moska synon të shfrytëzojë lidhjet e saj historike me rajonin. “Si Serbia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe vende të tjera, janë të gjitha në linjën e zjarrit”. Kështu u shpreh Sekretari amerikan i Shtetit,z. John Kerry, gjatë një dëshmie të kohëve të fundit në Kongres. Rusia po përpiqet në mënyrë aktive të zgjerojnë praninë në Ballkan. “Mendoj se është e rëndësishme që të mos ketë kriza, që Rusia të mund t’i shfrytëzojë, gjë që do të rriste tensionet mes Rusisë, Evropës dhe Shteteve të Bashkuara”, thotë ish-ambasadori Wisner. Serbia për shembull, importon 82 për qind të gazit nga Rusia. Pasi Bashkimi Evropian mori masa që çuan në anulimin e planit për gazsjellësin “South Stream” përmes Evropës Juglindore, Kremlini po përpiqet për një rrugë alternative që do të kalonte përmes Turqisë, Greqisë, Maqedonisë dhe Serbisë dhe pastaj përmes Hungarisë dhe ndoshta deri në Austri. Mediat ruse, “Russia Today” edhe “Sputnik” janë të pranishme në Serbi. “Rusia përfiton nga koha kur ekzistonte Bashkimi Sovjetik që krijoi varësi infrastrukturore në rajon me ekonominë e sotme të Rusisë”, thotë zoti Brzezinski. Por ai shton se ndërsa ekonomitë e Ballkanit modernizohen dhe përshtaten me standardet evropiane të ligjeve dhe infrastrukturës, kjo varësi dobësohet. Megjithatë Serbia për shembull nuk i ka mbështetur sanksionet e BE-së ndaj Rusisë. Dhe kur Presidenti rus Vladimir Putin shkoi në Beograd tetorin e kaluar, ishte një kujtesë se lidhjet e ngushta të Serbisë me Rusinë, është e vështirë të bashkëjetojnë me aspiratat e Beogradit për të hyrë në BE. Nevoja dhe sfidat e integrimit Euro-Atlantik. Ish-ambasdori Wisner thotë se është e rëndësishme që Greqia dhe Maqedonia të zgjidhin problemet mes tyre dhe se Evropa duhet të vazhdojë me përpjekjet për integrimin e Serbisë dhe Kosovës. “Është veçanërisht e rëndësishme që të fillojnë negociatat që Kosova të hyjnë në rrugën e vet për një të ardhme në Bashkimin Evropian dhe që Serbia të mos hyjë në BE, nëse Kosova nuk pason në po të njëjtën rrugë, sigurisht duke plotësuar kushtet”. Zoti Wisner shton se duke zgjidhur këto probleme, nuk mbetet një terren negativ që Rusia mund ta shfrytëzojë dhe është më e lehtë që të ruhet harmonia e nevojshme për Ballkanin. Ai i referohet shqetësimeve të shprehura veçanërisht në Evropë, por edhe në Uashington se Presidenti Putin po përpiqet të krijojë çarje mes Ballkanit dhe Perëndimit. Sekretari Kerry tha para nënkomisionit të Senatit se Rusia është e angazhuar në një “përpjekje masive për të lëkundur, për të tërhequr vendet, për të krijuar lidhje me to”, duke rindezur në mënyrë tragjike një lojë të re mes Lindjes dhe Perëndimit. Uashingtoni, thotë zoti Brzezinski mund të luajë rol më të madh. “Mendoj se Shtetet e Bashkuara mund të inkurajojnë më shumë duke rizgjuar vizionin e një Evrope të bashkuar dhe të lirë, duke këmbëngulur më shumë për zgjerimin e NATO-s, veçanërisht për Maqedoninë dhe Malin e Zi. Mendoj se duhet të përpiqemi më shumë që të rrisim besimin e Serbisë tek potenciali i bashkëpunimit të sigurisë me Perëndimin, për ta shkëputur nga një lloj botëkuptimi pro-rus. Mendoj se është gjithashtu e nevojshme rritja dhe forcimi i bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit dhe Evropës Perëndimore”.Por si ish-ambasadori Wisner, ashtu dhe ish-zyrtari i lartë i Pentagonit, Brzezinski bien dakord se integrimi është një rrugë me dy drejtime dhe se procesin do të duhet ta udhëheqin vetë vendet përmes reformave agresive dhe arritjes së standardeve të nevojshme për anëtarësim të plotë në komunitetin Euro-Atlantik.
Pergatiti per Diellin, Shefqet Kercelli
Forumi BERZH, Fyle: Moment kyç që Ballkani të kërkojë investime
Gjergji Mima/ – Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikat e Fqinjësisë Evropiane, Stefan Fyle, i pranishëm në forumin rajonal të nivelit të lartë për Investimet në Ballkanin Perëndimor, të organizuar nga BERZH në Londër, prezantoi qasjen e re të investimeve në këtë rajon.“Ndërsa Evropa tregon shenjat e para të daljes nga kriza, ky është një moment kyç për Ballkanin Perëndimor për të kërkuar për të tërhequr më shumë investime. Fakti që ekziston një grup i tillë i shquar i njerëzve të mbledhur këtu sot, duke sjellë së bashku krerët e rajonit, investitorët dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare dhe institucioneve financiare ndërkombëtare aktuale dhe potenciale private dhe publike, tregon se rëndësia e investimeve është rritur për rajonin”, tha Fyle.
Duke paraqitur zyrtarisht për herë të parë qasjen e re të qeverisjes ekonomike, konkurrencën dhe rritjen e Komisionit Evropian për rajonin e Ballkanit Perëndimor, Komisioneri Fyle, u shpreh se “në Dokumentin e Strategjisë së Zgjerimit tetorin e kaluar, ne njoftuam synimin tonë për të zhvilluar një qasje të re në ekonomitë e rajonit të zgjerimit. Sot, unë zyrtarisht nis këtë qasje të re, e cila ka të bëjë me ndërtimin e një mirëkuptimi të përbashkët mes liderëve të këtyre vendeve dhe investitorëve të mundshëm mbi prioritetet për reformën ekonomike”.
“Cili është qëllimi i kësaj qasjeje të re ? Ne duam që të vazhdojmë t’u mbështesim në përmbushjen e sfidave të krijimit të vendeve të punës, rritjen e aftësisë konkurruese dhe nxitjen e rritjes . Gjatë pesë viteve të fundit, ne jemi ballafaquar me sfida të njëjta në Bashkimin Evropian. Përpjekjet tona për të trajtuar krizën po sjellin rezultate. Ne kemi përvojë – ne duam që ju të përfitoni prej saj tashmë”, tha Fyle.
“Asnjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk është një ekonomi tregu funksionale. Papunësia në të gjithë rajonin është e lartë. Të rinjtë janë të prekur veçanërisht. Nivelet e defiçitit publik dhe borxhit janë rritur. Konkurrueshmëria pengohet shpesh përmes politizimit të vendimeve që duhet të jenë drejtuar nga tregu. Këto probleme duhet të adresohen nëpërmjet një axhende të reformave të besueshme, shoqëruar me fonde të bollshme nga sektori privat dhe publik”, tha Fyle.
“Reformat e financave publike dhe të institucioneve të tregut të punës dhe reduktimi i pengesave administrative për bizneset duhet të jenë prioritete. Investimet në arsim, aftësitë dhe hulumtim gjithashtu duhet të jetë e lartë. Sundimi i ligjit është veçanërisht i rëndësishëm në aspektin e sigurisë ligjore dhe të besimit të investitorëve dhe kështu, është kyç për reformën ekonomike”, theksoi Fyle.
Sipas Komisionerit Fyle, “investimet do të ndodhin vetëm nëse vendet përmirësojnë klimën ndaj investimeve, duke krijuar kushtet për një rritje të qëndrueshme, të nevojshme për të krijuar vende të reja pune; kushtet për të ndihmuar dhe për të tërhequr investime të huaja direkte; kushtet në të cilat bizneset mund të jenë konkurruese dhe të lulëzojnë, dhe kushtet që do të rindezin frymën e sipërmarrësve tuaja dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (SME)”.
Komisioneri Fyle inkurajoi të gjithë investitorët e pranishëm për të marrë këtë mundësi për të përcaktuar zonat në të cilat do të duan qeveritë të përqëndrohen për ta bërë klimën e investimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor më tërheqëse.
“Unë gjithashtu dua të theksoj rëndësinë e qeverisjes ekonomike në ruajtjen e mbështetjen për zgjerimin e Bashkimit Evropian”, tha Fyle duke u shprehur se “ne do të punojmë me ju për të arritur këto qëllime”.
“Së pari , ne kemi nevojë për stabilitet makroekonomik, fiskal dhe financiar. Ne tashmë kemi një dialog në programet makro – ekonomike dhe fiskale vjetore me të gjitha vendet me përjashtim të Kosovës. Ne duam të forcojmë këtë proces dhe të përqëndrohemi mbi reformat kryesore strukturore”, tha Fyle.
Ne, vijoi Komsioneri për Zgjerim, “do të mbështesim dialogun tonë mbi Programet Kombëtare të Reformës Ekonomike. Rezultati duhet të jetë për të rënë dakord së bashku në një grup të Vendeve të rekomandimeve specifike për të drejtuar reformat. Ne, së bashku me FMN-në, do të japim asistencë teknike për të mbështetur zbatimin e këtyre rekomandimeve. Vendet gjithashtu do të kërkohet të hartojnë planet e veprimit për menaxhimin e financave publike. Progresi këtu do të hapë mundësinë e mbështetjes buxhetore në sektorë në kuadër të Instrumentit të Ndihmës së Para – Aderimit (IPA) – IPA II”.
Së dyti, theksoi Fyle, “ne kemi nevojë për reforma sektoriale dhe investime në sektorë të caktuar, duke çuar në rritjen e eksporteve dhe më shumë vende pune. Komisioni do të ftojë vendet për t’i dhënë Pasqyrat (çdo vit të dytë, duke filluar nga viti 2015 ) e planeve të tyre për reforma strukturore në të gjithë sektorët më shqetësues, për të përmirësuar konkurrueshmërinë dhe rritjen, të tilla si transporti, energjia dhe arsimi.
Së treti, tha Fyle, “fonde të rëndësishme përmes IPA II do të mbështesin këtë proces dhe reformat pasuese me një fokus në veçantë në mbështetje të sektorëve. Dhe ne do të punojmë me të gjithë ju dhe me Institucionet Financiare Ndërkombëtare për të ofruar dhe financuar këto reforma. Vendet tuaja, të dashur Kryeministra, do të varet nga lidershipi juaj për të siguruar koordinim të të gjithë departamenteve të qeverisë tuaj për të siguruar që ju po punoni në reformat e dakorduara”.
“Nevojat për investime në rajon janë të konsiderueshme. Për këtë arsye unë kam qenë i kënaqur me marrëveshjen nëntorin e kaluar mes Evropës dhe Institucioneve Financiare Ndërkombëtare që të intensifikojnë bashkëpunimin e tyre në investime kyçe në infrastrukturë, duke përfshirë transportin si prioritet dhe energjisë . Kjo do të bëhet përmes Kuadrit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor”, tha Fyle.
Komisioneri për Zgjerim theksoi gjithashtu se, “vendet e Ballkanit Perëndimor janë shumë të integruar ekonomikisht nëpërmjet Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA). Prandaj ka kuptim për të përgatitur së bashku disa reforma dhe të vlerësojmë zbatimin e tyre. Strategjia Evropa Juglindore e 2020 për Punë dhe Prosperitet në një Perspektivë Evropiane mund të jetë një pikë kyçe referimi për Komisionin dhe Institucionet Financiare Ndërkombëtare”
MOS VALLË BALLKANIT I MUNGON NJË “SULLTAN ALLAFRËNGA”?
Nga Fadil LUSHI/
Të nderuar miq, nuk do ma zini për të madhe nëse këtë shkrim do ta “ngarkoj” me nocionet si: sulltani, pashai, heqimi, kumari, pjerdhët, politika dhe Republika e Maqedonisë, një “shtet specie në zhdukje e sipër”!
Dikur moti, gjegjësisht në vaktin e Perandorisë Osmane, sulltani kishte vendosur që këshilltarin e tij personal ta emërojë pasha në një nahije të lanë pas dore dhe të varfër. Fillimisht e kishte konceptuar si njeri mendjefemër dhe me përvojë. Pasi pashai ishte sistemuar në pashallëk dhe pasi kishte filluar punën, sulltanit i kishin mbërritur haberet për abuzimet që ishin pjellë e pashait. Ai vendosi që ta ftojë në sarajin e tij për të llafosur për “thashethemet” që i kishin ardhur në vesh lidhur me një vakie që kishte ndodhur në hapësirat e rezidencës së tij”. Që pashait i mungonte “hazër-xhevapi”, sulltani si sulltan, që në shikim të parë dukej njeri i qetë, shpesh dhe papritmas dinte të ta kallë tmerrin, e kishte pyetur: “Pa më thuaj të vërtetën dhe mos mëto të më bësh pordhë, pasi që ajo pordha jote nuk shkon përtej brekëve tua pa llastik”!? (Se në vaktin e Perandorisë Osmane nuk kishte pasur brekë me llastik, njohësit e kësaj historie nuk japin asnjë shpjegim, por ama se kishte pasur brekë, kishte pasur!). Kishte shumë kohë, që tek mendja dhe mentaliteti prej provinciali i këtij “me demek” pashai, gjegjësisht këshilltari personal të sulltanit, ishte instaluar turpi, inati prej Homeri, deliri i megalomanisë, “stuhia e negativitetit”, fodullëku i tij i skajshëm dhe një botë e tërë prej mllefesh, shpifjesh dhe thashethemesh absurde. Se, ky “me demek” pasha, kishte shkelur mbi të gjitha limitet e moralit publik dhe njëkohësisht, ashtu “pahiri”, kishte abuzuar toptan atë etikë edhe ashtu të brishtë, sulltani këtë nuk e kishte në dijeni. Për këtë arsye sulltani kishte vendosur që këshilltari i tij i dikurshëm doemos të kontrollohej te heqimi. Në fakt, ai vuante nga një “mangësi” paksa e vockël.
Kur shkoi te heqimi, ai i parashtroi pyetjen: Ç’të mundon! Pashai që dukej si “ajo pushka e jevgut që dikur kishte marrë flakë”, ia ktheu ashtu troç: Ngado shkoj i bëj të dhjerat në brekë dhe hiç fare nuk më vjen turp nga vetja. Heqimi vazhdon ta pyesë si ndër dhëmbë se në ç’vakt dhe në ç’vend i ndodh kjo vaki?
Pashai i përgjigjet: – Eh, kur dhe ku më vjen!? Më vjen në sabah, në aksham, në saraj, në bahçe, në rrugë, në dhomën e xharijeve, në vaporin e sulltanit, në mexhlise, në “hamamxhik” dhe s’di në ç’vend tjetër!… Bobo, sa turp, kur më shohin njerëzit! Po e gjithë kjo nuk më sikletos kur jam vetëm, por koritem kur njerëzit që rastisin t’i kem për rreth “më marrin erë”!?
Po mirë, – ia kthen me gjysmë gojë heqimi tmerrësisht i frikësuar. – Do t’i pish këto ilaçe dhe do më thërrasësh pas një muaji.
Pashai nuk po e thërriste as pas tre muajsh, heqimi vajti vetë te saraji. E, mor i uruar, – i tha, – të bënë derman ilaçet? E bën më ku të të zërë?
– Prapë i mbush brekët mu para mexhlisit heqim, po nuk më vjen më turp. As skuqem, as zverdhem më.
– Shumë bukur! – u shpreh i kënaqur heqimi. -Në fillim, me këto ilaçe që t’i dhashë, nuk ndalen dot të dhjerat, po përkundrazi, ato të heqin ndjenjën e turpit, të shtojnë injorancën dhe xhahillëkun, ndjenjën e të qenit m. i qelbur dhe bajgë e ndyrë! -ia tha njërën pas tjetrës heqim efendiu”.
Krahas gjithë kujdesit të heqimit për kurimin e tij, pashai vazhdoi të dhjesë e të urinojë në të gjitha hapësirat që ishin nën juridiksionin e sulltanit.
Meqë pashai nuk i “përfilli” këshillat dhe urdhrat dhe atij nuk i bënë derman ilaçet e heqimit, sulltani u detyrua ta pushonte nga vendi i punës duke e syrgjynosur diku larg në një cep të perandorisë, gjegjësisht në nahijen e berberit, i cili shumë kohë më parë në vend që të ia hiqte kokën këtij “me demek” dhjerësi, gabimisht e kishte bërë vetëm synet…!?
Nëse ky “pasha” kishte jetuar në vaktin e sulltanit dhe nëse e kishin paragjykuar dhe barazuar me atë batutën e gomarit: “hall ta lësh pa ujë, se e ngordh, hall t’i japësh shumë, se e mbyt, hall t’i japësh të ftohtë, se e ftoh, hall t’i japësh të ngrohtë, se e…” si dhe me atë meselenë e dhisë: “…, të cilës kur i ha bytha, ha bukën e bariut”, sot në hapësirat e Gadishullit Ilirik (Ali Podrimja), frymojnë ca “pashallarë të pasynetuar”, të padëgjueshëm, të paragjykuar, politikanë “axhami” dhe me autoritet të falimentuar, a më mirë të themi ca hyzmeqarë, të cilët lëre që jetojnë në kohë dhe vend të gabuar, por edhe kanë rënë në (lesh) dashuri me nacionalizmin, me shovinizmin provincial si dhe me shtetin e tyre “biblik”, një shtet që i mungojnë argumentet, elokuencat si dhe trashëgimia kulturore. Këta “me demek” politikanë, që i përngjajnë asaj “furtunës në gotë uji”, shumë kohë më parë, ashtu “pa hiri”, në lojën e kumarit vunë (me kuti shkrepësesh) institucionet kushtetuese, flamurin, emrin e shtetit “biblik” si dhe autoqefalinë e kishës, duke përfshirë aty edhe hisen e shqiptarëve, qoftë atë politike, kulturore, historike, ekonomike, njashtu edhe territoriale. Këta vuajnë këmbë e krye nga provincializmi dhe, duke mos i përfillur madje as sugjerimet, urdhrat (apo edhe këshillat) e Brukselit dhe Uashingtonit, njëkohësisht do ta cenojnë rëndë ekuilibrin dhe standardin politik, edhe ashtu të brishtë, si dhe durimin, heshtjen dhe tolerancën e pakuptimtë të shqiptarëve. Duke mbyllur kufij ndërshqiptarë, ata do ta vënë para sprovash të vështira edhe stabilitetin e shtetit,…, kohë pas kohe, për qejfin e tyre do të pezullojnë qarkullimin e lirë të mallrave dhe njerëzve. Ata me atë inatin e tyre homerik dhe të sajuar, do të humbasin edhe ata pak miq, fqinj, sejmenë dhe sekserë, të cilët sot e gjithë ditën sillen vërdallë kazinove të Shkupit, Sofjes dhe Beogradit në kërkim të “kumarxhinjve të rinj politikë”!
Disa vite më parë, një politikan gjegjësisht një nacionalist i përbetuar grek pat deklaruar: “Nëse doni të mos ketë më Maqedoni, atëherë mos humbisni kohë më të, gjegjësisht mos u merrni me të, nëse do ta bëni të kundërtën, atëherë do t’i mundësoni të frymojë në kaosin e gjirizit të gjeografisë politike të Ballkanit”!
Sot, gjithsecili me të drejtë do parashtrojë pyetjen se a mos vallë Ballkanit në veçanti Maqedonisë, që është një shtet specie në zhdukje e sipër, i duhet një “sulltan allafrënga”, a mos vallë i duhet një “berber dhe berberhane” ku do të “synetoheshin paragjykimet dhe komunikimet primitive a të egra të “pashallarëve” të padëgjueshëm dhe me komplekse? Ku ta dijë njeriu.