Nga Xhemail Peci/
“Bijt e Shqipnisë janë të përhapun në mbarë rrokullin toksore (“gjaku inë i shprishur”) dhe të gjithë, me të rralla përjashtime, i ndiejnë të gjalla në zemër lidhjet me vendin ku linden ata vetë ose prej kah u erdhën të parët. Këto lidhje – verigë e mrekullueshme që shtrin hallkat e veta nëpër kontinente të planetit – mund të jenë vetëm landore ase shpirtnore, po edhe të përzieme. Arbreshët e Italisë, për shembull e duen Shqipninë me nji ndiesi poetike të thjeshtë, në të cilën kujtimet e largëta historike shkrihen në një dritë andrre: n’at ndiesi nuk lëviz asnji lakmi landore dobije, veç dishiri bujare m’e pa vendin e zanafilles edhe fisin qi i u dhuroi gjakun e dejvet, të maltësuem sa ma tepër në shkallë qytetnije e lavdije. Ne tjerët e duem Shqipnin shpirtnisht e njiherit landorisht sepse, mbrendë e jashtë, d.m. th. n’atdhe e n’mërgim, dishirojmë t’a shofim të nderueme, po, por edhe të përparueme në mënyrë qi në truell të saj të mundemi me jetue sa ma lum na vetë ose, s’paku, bijt tonë, po qe se na vetë, për nji arsye a për nji tjetër, mbesim e vdesim përjashta.” (Ernest Koliqi)
Marin Barleti: Secili shkon rrjedhës së gjakut të vet.
Thirrja e zërit të gjakut i prekë zemrat dhe përshëndetja e shpalosur si një zemër-thirrje poetike në një ditë nëntori, nuk ka si të mos sjellë ndërmend thënien e Marin Barletit se secili shkon rrjedhës së gjakut të vet.
Thirrjet e poetëve të një kombi shpesh bëhen obelisqet që ngriten në ballë të kohës. Duke paralajmëruar të ardhmen që do të vijë, poetët shpesh e sfidojnë realitetin e kohës së tyre në emër të një realiteti të ri. Zemër-klithjet e poetëve si Naim Frashëri, Pashko Vasa apo Fan Noli u bën obelisqe kohësh dhe epokash: O Moj Shqypni… O malet e Shqipërisë…O Flamur gjak, o flamur shkabë, o vend e vatër, o mëmë e babë…
Pjetër Budi: Qoftë për të mirën e dheut të Arbërit!
Përshëndetja e përbashkët sa edhe ogurbardhë: Shqipet ju përshëndesin, gjithsesi më kujton një nga zemër-thirrjet më kuptimplote në gjithë poezinë dhe letërsinë shqipe, një thirrje aktuale sot e mot. Thirrja që skaliti në ballë të kohës e me zërin e zemrës së tij, poeti Pjetër Budi: Qoftë për të mirën e dheut të Arbërit!…
Në mënyrë të veçantë, rrugëtimi i përbashkët i dy misionareve të kulturës shqiptare, nuk ka se si të mos ngjajë me një rrugëtim të shqiponjave. Gjithsesi një rrugëtim simbolik për të cilin profesor Selman Riza thoshte: “Shqipja jonë ka dy krerë. Përse të mos bëhet edhe gjuha e bashkuar prej dy krye-dialekteve?”
Për më shumë se kaq, një zemër-thirrje si kjo, jo rastësisht më kujton shkrimin e titulluar Zef Skiroi, poet i vllaznimit gjithshqiptar të Ernest Koliqit, një shkrim gjithë përkushtim për poemën “Kthimi” të Skiroit:
“…I mallëngjyeshëm bie në gjunjë dhe puthë tokën e andrrueme. Ndjenë shpirtat e moçëm që e përshëndesin…Poeti lundron drejt Shqipnisë i qarkuem prej shpirtnave të mëdhej t’arbëreshëve dhe në brigjet e atdheut të rigjetun, e prisnin Hijet e Madhërishme t’Stërgjyshënve shqiptarë:
”O gjaku i jynë
që këthehe prap në zëmbërë
i dëlir po sikur shkove.”
Shpirta që përshëndesin! Hije që presin! Sërish malli. Malli që çanë malin. Malli, për të cilin sërish Ernest Koliqi, në shkrimin tjetër Papas Petrotta, Flamurtar i Kulturës Shqiptare (Malli arbresh për Shqipni), gdhendte kronikat e një malli që do të shfaqet e ri-shfaqet për të satën herë, në lëndinat e lotëve e në Fushën e Korabit, në kapërcyell të shekujve e në portet dhe aeroportet. Gjithsesi një ndjesi dhembshurie dhe krenarie:
“Çdo shqiptar zemër-ndjeshëm pushtohet zakonisht nga nji përshtypje e gjallë çudije kur rasa e qet m’u takue me arbreshë. Mbas pesëqind vjetvet jo vetëm qi krenija e Arbërit nuk asht shue në gjak të tyne por asht fuqizue.”
Pra, edhe një rrugëtim në shërbim të kulturës dhe të artit është një dëshmi e radhës gjithë përkushtim dhe admirim, gjë që merr një kuptimësi të veçantë për vetë përshëndetjen, për shprehjen e përzgjedhur, si dhe për fjalën e gdhendur në ballin e kohës.
Dy fjalë zemre që në vete gjithsesi bartin mall e që shpalosen flatrave të shqiponjës, fjalë që kalldrëmeve të kujtimeve në kështjellë të kujtesës ngrejnë edhe krenarinë e ligjshme.
Rrugë që shpalosin shtigje drite, udhëtime që në vete kanë sa përshendetje po aq edhe takime e përqafime.
Në një mision si ky dhe në një vizion si ky, fjala gjithmonë merr flatra. Fjala është një krua galdimi. Është një ujëvarë e bardhë, një diademë në ballë. E thënë simbolikisht, e tërë rilindja mendore dhe shpirtëroe e një kombi fillon kur shqipet filluan t’ua mësonin shqipen, shqipeve të shqipeve. Në vlerësimin e një misioni të tillë, një nga poetët e thelpinjve më të hollë lirik të këtij kombi thuri shprehjen nga më të bukurat. Duke thënë me të drejtë se “Rilindja e bëri Shqipërinë për shqiptarë”, Lasgush Poradeci në nderim të Breznive Orëmira përkujtoi se këto brezni, lartësuan atë që ai e pagëzoi aq bukur: Pelerinatën e Gjakut.
Pelerinata e Gjakut
Në rrugëtimin e tij të gjatë e në lartësim të kësaj pelerinate të shenjtë, një shpend i rrallë sa edhe krenar, po shfaqej sërish në kujtesën e këtij kombi të lashtë sa vetë trojet e tij stërgjyshore. Po valonte prapë në fushën e larë me gjak. Sa më lart që ngritej ai shpend, aq më shumë rritej shpresa, aq më shumë zgjohej ndjenja, aq më e qartë bëhej e pritmja e një kombi. Simbolika e një shpendi në një fushë gjaku, si dhe simbolika e shprehjes në shpalim të përshëndetjes, marrin një kuptim të veçantë duke u shkrirë në njëra-tjetrën, si një mishërim epokash dhe shekujsh. Si një shpalim kujtimesh të së kaluarës krenare që kur mbreti Agron lëshoi zemër-klithjen e tij: Vraje vdekjen! Që kur Pirrua iu drejtua ushtarëve të tij: Unë jam shqiponja, ju jeni bijtë e mi! Që kur kryekalorësi i lirisë u foli bijve të Arbërisë: Lirinë nuk ua solla unë, por e gjeta këtu në mesin tuaj!…Që kur Lekë Dukagjini dha urdhërin ushtarak sa edhe atdhetar: “Embetha” (Mbi ta!)…
Në kapërcyell të shekujve, ky shpend i shenjtë u bë dëshmitar i ngjarjeve të parreshtura, u bë udhërrëfyes në rrugën e madhe të lirisë, rrugë e cila shpesh u shkri në epitete që në vete kishin shkronja gjaku, si: Shqiponja e gjuhës shqipe (Petro Nini Luarasi), Martiri i gjuhës shqipe (Papa Kristo Negovani)…
Shtegtoi ky shpend krenar shekujve dhe epokave, ngriti krye e sfidoi perandori të shumta dhe të njëpasnjëshme. Sfidoi dhe fitoi, doli ngadhënjimtar. Kombi që aq shumë e mbajti në zemër, që aq shumë e ushqeu me gjak si vetë Nositi zogjtë e tij, i prirë nga ky shpend jo rrallë e ndjeu veten krenar, duke u bërë ngadhënjimtar nëpër beteja të shumta, edhe pse aq shpesh të pabarabarta.
Prandaj edhe rrugëtimi prej misionaresh të kulturës në shtegun e dritës është vetë përshëndetja që shpalos një ogur të bardhë. Në yllësinë e fjalës shqipe Migena Arllati e thurë një qëndismë prej mëndafshi, madje deri në ato përmasa sa poetja dhe përshëndetja shkrihen në një. Për më shumë se kaq, nën petkun e simbolikes përshëndetja merr përmasat e një embleme ilire, dëshmi se toka bujare e gjakut ka shkruar kronikat e veta gjithmonë si një etje të përhershme për rreze drite: “Shqipet ju përshëndesin!”
Vjen nga larg një zog i shkruar
Yllësia e fjalës shqipe shpalos kështu një zemër-thirrje, e cila shtrihet në lashtësi siç shtrihet edhe vetë kënga lirike: “Vjen nga larg nje zog i shkruar, ndër kurbetet shkon mërguar!” Ashtu siç do të këndonin poetët e një kombi të lashtë sa vetë një shpend i shenjtë: “Një shqiponjë e arratisur fluturon” (Lasgush Poradeci), “Shqiponjat flututojnë lart” (Ismail Kadare)…
Në psherëtimat lirike dhe në këngët epike, një shpend i shenjtë në një fushë gjaku po bëhej shpresa ripërteritëse e një kombi. Sa më lart që ngritej ky shpend në qiell, aq me shumë përulej përpara tij një komb i tërë, tek i cili mendjet e tij më të ndritura kishin rrënjosur idenë se vetë gjuha shqipe ishte shpirti i këtij kombi. Në mijëvjeçarët e shkuar shumëçka do të mblidhej tek rrugëtimi dhe fluturimi i gjatë i këtij shpendi, prandaj edhe përshëndetja qe shpalos poetja gjithnjë e më shumë merr përmasat e një oguri të bardhë. Veçse në rrugëtimin e saj, poetja dhe profesoresha nuk është vetëm. Poetja dhe gazetarja janë në rrugëtimin e tyre të përbashket prej misionareve të kulturës dhe artit. Elikona ilire dhe Etleva dardane. Migena Arllati (Kosovarja nga Elbasani) dhe Lumira Kelmendi – pa dyshim një pasardhëse e denjë e pararendësve të saj. Që të dyja në një mision tepër fisnik, në një vizion që nënkupton një përshëndetje si një emblemë ilire. Gjithsesi, që nënkupton edhe një parafrazim të thënë për Breznitë Orëmira: “Ndërsa lirinë e pajisin me një vel hyjnor, atdheun e veshin me rrobe të shenjtëruara!”
Migena Arllati: Shqipëria ime, shenjtëria ime!
Për të satën herë, në yllësinë e fjalës shqipe shpaloset kështu një sfond në të cilin lirika dhe epika shkrihen në një. Migena Arllati e njeh zemër-klithjen e simotrës së saj, poetes Afërdita Skënderi, se: “Dheu i Jugut e sheh ëndërr dheun e Veriut!” Prandaj, është poetja ajo që bashkon malet dhe njerëzit, brigjet dhe zemrat. Migena Arllati bashkon Elbasanin me Erenikun. Me gjuhën e simbolikes dhe të metaforës, ajo e shpalos kaq bukur një kurorë drite. Duke shkruar një poemë biografike “Peri i gjatë” (pjesë e cilës është poezia e titulluar Gëzuar Nëntorin Kuq e Zi) ajo në të vërtetë ka shkruar preludin e një agimi që po zbardhëllon. Duke mbajtur kështu ne njërën dorë një qëndismë me mëndafsh vetetimash, dhe në dorën tjetër ngjyrat e ylberit të cilat nëpërmjet fjalës shqipe ia falë atdheut, zonja Migena ngre ne piadestal shqipen me dy krena, madje ne ato përmasa ku simfonia e shqipeve bëhet një me simfoninë e fjalës:
Dielli mё ngroh shqip
edhe Hёna shqip mё flet
bijё e Elbasanit
nuse e Gjakovёs
nё damarё lёviz gjak i njёjtё
…
Kёtu Ereniku gurgullon shqip
….
Mali me malin s’bashkohet
por njerёzit bashkohen njё ditё,
kokёn nё Shqipёri
trupin nё Kosovё
veshur me Himnin e Flamurit
dy grushta dhé nё duar
kёtu s’kam qenё kurrё e huaj!
Ajo e di se ka me ardhë…Ajo e parandien se ka me zbardhë…sepse ajo është poetja e cila bashkëbisedon me atdheun duke e shprehur krenarinë e saj të ligjshme, gjithmonë nëpërmjet yllësisë së fjalës shqipe, si nje ogur të bardhë: “Shqipëria ime, shenjtëria ime!”
Zonjat e Mëdha të kulturës shqiptare
Sa herë që flasim për zonjat e mëdha të kulturës shqiptare, nuk ka se si të mos shfaqen në kujtesë edhe ato që hapën rrugë e çelën shtigje. Pararendëset që meritojnë gjithë respektin dhe nderimin, ndjenjën e pafund të mirënjohjes e të përkujtimit. Fjala vjen, s’ka se si të mos na kujtohet Elena Gjika, e cila me të drejtë është quajtur Muzë e Qytetërmit në mes të Lindjes dhe Perëndimit, tek i shkruante Jeronim de Radës se: “Akademia duhet të jetë shpirti i një kombi”, se “çdo lëvizje politike duhet të priret nga një lëvizje kulturore e letrare.”
Armand Pommier, në monografinë e tij për Elena Gjikën (“Zonja konteshë Dora D’Istria”, Paris, 1863), duke shpalosur portretin e kësaj zonje të madhe të kluturës shqiptare, mes tjerash shkruante: “Nën ndikimin e një sistemi dobiprurës, ku baraspeshohen më së miri ana morale dhe ana fizike, u zhvilluan në përmasa dhe në harmoni me të vërtetë magjepëse mençuria dhe trupi i Elenës. Së shpejti, fama e saj për zgjuarsi e bukuri do jehonte aq larg. Më 1849, ishte një vazjë e re e fort e hijshme, e gjatë, e hajthme, elegante, aq edhe e lidhur, privilegj i mrekullueshëm i racave helenike; fytyra e saj me një ovale të përkryer, me një harmoni të shkëlqyer të kontureve në tërë hollësitë e tyre, ishte me një bardhësi shpërthyese, tonuar lehtë në të trëndafiltë dhe gjallëuar nga sytë kafe mrekullorë, vështrimet depërtuese dhe të gjalla të të cilëve mbartin ngrohtësi e mirësi, flokë të zinj rethonin si kurorë ballin e saj të gjerë, mbi të cilin shkëlqenin gjithë llamburinat e gjenisë.”
Na shfaqen kështu në kujtesë edhe Sevasti e Parashqevi Qiriazi, gazeta “Ylli i Mëngjesit” dhe ëndrra aq fisnike që ylli i mëngjesit do të binte përmbi qepallat e një atdheu të lirë e të shumëvuajtur.
Kur kishte rastisur që njëra nga motrat Qiriazi ta vizitonte mëuesin e gjuhës shqipe Koto Hoxhin, në burgun famëkeq të Jedi Kulles, mësuesi atdhetar nga Qestorati i Gjirokastrës pat thënë me krenari të ligjshme: Unë vetëm trupin e paskam të burgosur, por shpirtin të lirë!…
Nuk ka se si të mos vete mendja edhe tek Musine Kokalari e tek Dr. Sabiha Kasimati, tek sakrifica dhe përkushtimi tyre, tek dashuria për gjuhën shqipe, për kulturën, për letërsinë, për të bukurën dhe të madhërishmen. Gjithsesi, edhe për misionin që ato bartnin mbi shpatullat e tyre. Këto Zonja të Mëdha të kulturës shqiptare e të letrave shqipe, e vunë krenarinë përmbi lumturinë. Këto martire të lirisë e të demokracisë, dashurinë për Shqipërinë e vunë përmbi pasurinë.
Natyra shqiptare qe treguar aq dorëlëshuar në faljen e dhuntive ndaj këtyre zonjave të mëdha të kulturës shqiptare, por jo edhe fati. Në shkrimet dhe ligjërimet e tyre, ato thurën himne për lirinë e atdheut dhe të ardhmen e tij. Me vuajtjen dhe sakrificën e pashembullt, idealet e tyre ngadhënjyen përmbi padrejtësitë e kohës. Ato shkruan një porosi për përjetësi dhe një letërsi për lakmi. Fjala vjen, Marie Shllaku ishte një nga ato Zonja të Mëdha, që shkroi me gjakun e saj të dlirë, një nga krye-poemat epike të kombit të saj. Duke klithur përpara togës së zezë të pushkatimit, ajo e tha preludin e një dite që patjetër do të vinte: Kosovë, gjaku im t’u bëftë dritë! Studentja e re e cila ishte përcaktuar për të studiuar filozofi në Romë dhe e cila thellohej me zotësi edhe në letërsi, hyri në përjetësi dhe ashtu siç ishte ringjallur Mamica Kastrioti tek Shote Galica, ashtu njëlloj do të ringjallej edhe Shote Galica tek Marie Shllaku.
Prandaj është i nderuar një komb, djepin e lirisë të së cilit e përkundin edhe Zonjat e Mëdha të kulturës, gjithmonë duke rendur rrugës së pararendësve të tyre.
Zonjat e Mëdha dhe zemër-thirrja e mendjeve të ndritura të kombit shqiptar, zemër-klithja e njerëzve të penës e të pushkës, të tribunës e të aksionit, të fjalës e të veprës: Zonja Mëmë!
Gjithsesi, edhe zemër-thirrja e Naimit të Frashëllinjve, i cili sa bukur ka thënë, që e pastë bekimin aty ku ka rënë: Lum kush të rronjë, të ta shohë zonjë!
Zëri i zemrës gjithmonë flet ngapak, sepse zëri është dëshmi e qëndresës dhe e sfidimit të harresës, që nga koha e lashtësisë kur mbreti Agron tha: Vraje vdekjen! Që kur Gjon Buzuku nisi poemën e tij të madhe të gjuhës shqipe: U, Doni Gjoni…Unë e bekoj atë që të kujton! Unë e mallkoj atë, që ty të harron!
Gjon Buzuku, ky misionar ogurbardhë i gjuhës shqipe e ky prijatar, shfaqet dhe rishfaqet me mesazhin e tij të madh, njëlloj si përshëndetja e shqipeve: Kujtesa është bekim, harresa është mallkim!
Gëte: Sa ëmbël tingëllon gjuha e nënës në dhe të huaj!
Zëri gjithmonë është dëshmia më e mirë se në fillim ishte fjala, ashtu siç shkruan në Librin e Shenjtë! Zëri është dhunti, është një bekim i rrallë. Zëri gjithmonë e vret harresën, dhe sa herë që e vret harresën ai e shpalos edhe më shumë, edhe më qartë porosinë e mbretit Agron: Vraje vdekjen! Zëri bëhet kështu ura lidhëse në mes Tokës dhe Qiellit, në mes të dhuntisë së falur dhe përjetësisë së ëndërruar. Bëhet, ashtu siç thoshte Viktor Hygo, lutje – lidhja e infinitit të shpirtit me atë të Krijuesit të Universit. E zëri i artikuluar gjithsesi se dëshmon edhe për zonjat nga bota e lartësuar. Zëri që flet nëpërmjet mikrofonit, shpalos kronikat e një kulture të lashtë e tepër domethënëse në përmbajtjen e saj. Këto kronika marrin përmasat e dritareve prej kah e shohim botën dhe prej kah bota na sheh dhe na njeh më mirë. Të jesh në një mision të tillë do të thotë pra të kesh një mision të qartë drite, do të thotë se misioni i luftëtarëve të dritës është mision lirie. T’u japësh zë, t’u falësh zë këtyre kronikave do të thotë të jesh në shërbim të përhershëm që për qëllim ka lartësimin dhe shkëlqimin e kulturës. Ky mision shquhet për pasion, për vizion por edhe për përkushtim e qasje profesionale ku nu mungon kamera me syrin e shqiponjës, e ku si në një urë me tri harqe, yllësia e fjalës shqipe shpalos rreze drite. Kamera, mikrofoni dhe montazhierja: KultArt.
Dy kamerat e RTK-ës me sy shqiponjash
Figurativisht, ura me tri harqe ka edhe lentat e ylberit në yllësinë e fjalëve shqipe. Dhe ura që i lidhë brigjet, që figurativisht i bashkon copët e ndara, përbëhet nga tre emra: Kameramani Ahmet Konujusha, gazetarja Lumira Kelmendi dhe montazherja Fiorda Domi-Lokaj. Në të vërtetë, Radio Televizioni i Kosovës ka dy kamera, sytë e të cilave ngjajnë aq shumë me sytë e shqiponjave. Njëra është e kameramanit Fatmir Hadri, dhe tjetra e Ahmet Konjushës…
Emra që ngriten në shërbim të një misioni kaq fisnik siç është kultura e një kombi. Njerëz të devotshëm në qëllimin e tyre, por gjithsesi edhe profesione me gjurmë të denja prej pararendësish, si: Ali Hadri, Enver Hadri, Flamur Hadri…Pa harruar as një jetë të tërë me kamerë -Ruzhdi Domin, gjurmëve të të cilit ecën edhe montazherja e cila ndonëse në prapavijë, me përkushtimin dhe profesionalizmin në punën e saj, gjithsesi e meriton epitetin: “Bleta Shqiptare e Thimi Mitkos.”
Dhe cili syresh nuk nderoi edhe Koblenzin, apo thënë më drejt se cilin syresh do të nderonte Koblenzi, e në radhë të parë nuk do të nderonte vetveten. Ku është kultura shqiptare, aty janë edhe misionarët e saj. E ku shkojnë misionarët aty shkon dhe përhapet edhe më shumë kultura e një kombi. Jo vetëm në Akademinë kushtuar poetit Martin Camaj… Prandaj, në mënyrë të veçantë bashkatdhetarët në Koblenz, ua kanë borxh një shprehje të nderimit e të mirënjohjes për përkushtimin e përhershëm që kanë misionarët e kulturës. Le të shpresojmë se një ditë kjo patjetër do të ndodhë dhe se dita e një dëshmie të tillë nuk do të jetë larg.
Gjurmëve të pararendësve. Dy dëshmi se nuk ka rastësi!
Nga mikrofoni i gazetares Lumira Kelmendi të emisionit KultArt, poeti i vargut të gjakut-Ali Podrimja (Kosova, është gjaku im që nuk falet!), foli ndoshta për herë të fundit duke përkujtuar me dhembshuri se Kosova shpesh qe teatri tragjik i Ilirisë.
Nga po ky mikrofon, ca fjalë zemre ranë si ca buqeta me lule në një nderim nga më të rrallët për poetin i cili po njëjtësohej me atdheun e tij për fatin tragjik.
Duke shprehur nderimin dhe respektin e thellë, mirënjohjen dhe falënderimin për poetin e vargut të gjakut, gazetarja Lumira Kelmendi i thuri poetit një poemë përjetësie: Lamtumirë poet! E paq dheun e lehtë dhe paqen e amshuar!…
Gazetarja e talentit të dhuruar nga natyra, por edhe e përkushtimit të dëshmuar me një qasje dhe qartësi profesionale, në rrugëtimin e saj është e shoqëruar nga pararendësit e saj.
Nuk do mend se Migena Arllati në përkushtimin e saj për gjuhën e ka frymëzimin nga pararendësit e shquar të shqipes si Anonimi i Elbasanit e Theodor Haxhifilipi (Mësues Todri), pa harruar kurrë as emrat që nderuan dhe lartësuan vendin e tyre, si Aqif pashë Elbasani (një nga atdhetarët më të devotshëm e krahu i fortë i Ismail Qemalit), Lef Nosi (një nga diplomatët më të zotë që ka pasur Shqipëria, e babai i filatelisë shqiptare), Visarion Xhuvani (një prift patriot e një poliglot i shquar, krahu i djathtë i Fan Stilian Nolit në themelimin e Kishës Autoqefale Shqiptare), Ethem Haxhiademi (një nga dramaturgët më premtues që nxorën letrat shqipe), Sotir Paparisto (ligjëruesin e shquar të pedagogjisë e të psikologjisë në Normalen e Elbasanit), Kristaq Cipo, Mahir Domi, Aleks Buda dhe sa e sa të tjerë…
Veçmas në dashurinë për gjuhën, poetja dhe studiuesja në të djathtë të saj ka Konstantin Nelko Kristoforidhin (për të cilin me të drejtë është thënë se ai ishte “gjuhëtari që shëtiti këmbë gjithë Shqipërinë”, dhe i cili “e deshti gjuhën e mëmës si lulja dritën e diellit”), e në të majtë ajo e ka Aleksandër Xhuvanin (për të cilin profesori erudit Selman Riza pat thënë se: “përmes shkrimeve të tij shijojmë më të bukurën e shkodranishtevet.”)
Që të dy figura eminente e gjithmonë frymëzuese për dashurinë ndaj gjuhës shqipe. I pari, me epitetin nga më domethënësit: Babai i gjuhës shqipe. Dhe i dyti, një nga më të përkushtuarit për pastërtinë e gjuhës shqipe.
Njëlloj, në rrugëtimin prej gazetareje dhe misionareje të kulturës, Lumira Kelmendi qëndron mes dy krahëve, mes dy ikonave. Njëra figurë e nderuar sa dhe prijatare e gazetarisë televizive, kurse tjetra ikonë e fletorarizmës shqiptare: Qazim dhe Ramiz Kelmendi.
Gjithsesi, Migena Arllati dhe Lumira Kelmendi janë dy dëshmi që flasin zëshëm, se nuk ka rastësi!
Zëri dhe zonjat nga bota e lartësuar.
Zë zemrash në petale fjalësh.
Në flatra të shqiponjës.
Zëri dhe zonjat nga bota e lartësuar:
Shqipet ju përshëndesin!
Njëra është poetja – Migena Arllati, e cila gjakimin e saj e ka thurur në flatra fjalësh: Me gjuhën e rrjedhës së Drinit dua t’ju flas (poezia e shpërblyer “Burri i Dheut”), dhe tjetra është gazetarja-Lumira Kelmendi, e cila në një përshëndetje ndoshta të lashtë sa vetë mosha që ka toka bujare të gjakut, ka përmbledhur ogurin e bardhë të të gjitha breznive orëmira:
Orëmire!
Si në një udhëtim shqiponjash, poetja kthehet tek rrjedha e Drinit të përmallshëm të Lasgushit. Në po këtë rrugëtim, gazetarja kthehet tek fjala e cila ka hyrë nën urdhërat e bekimit hyjnor që nga lashtësia.
Që të dyja ecin nëpër shtigje drite duke iu falur një rrugëtimi të gjatë, për të cilin poeti Ernest Koliqi lëshoi zemër-thirrjen e tij të njohur: O gjuhë e folun, tre mijë prannvera!
Oremire!
Siç do ta përmbyllte gazetarja Lumira Kelmendi një nga kronikat e saj më të bukura me Arbëreshët e Italisë, duke përkujtuar kështu përshëndetjen nga më të rrallat dhe gjithsesi nga më domethëneset, me të cilën arbëreshët shfaqin dashurinë e tyre për gjakun e Arbërit:
Mirupafshim!
Nëntori. Doruntina dhe Motra e Gjergj Elez Alisë
Rrugëtim nëntori. Muaji që numrin nëntë e nxjerrë nga mitet dhe legjendat, që e bën njëmendësi pasi ka kaluar motet e mëdha, malet dhe bjeshkët, pasi ka zbardhëlluar mbi honet e shekujve.
Nëntori merr përmasat e një muaji që shënon një ogur të bardhë, sepse numri nëntë në letërsinë popullore shqiptare është një numër me fat. Në nëntor, si në një përmbyllje të një viti a të një rrugëtimi të gjatë, gëzimi i festës e përmbledhë gjithë vitin, e kurorëzon gjithë mundin.
Nëntori është muaji që e sjellë edhe Doruntinën. Pa çka se pyetja mund të përsëritet prapë, ndonëse nën petkun e simbolikes: Kush e solli Doruntinën? Fjala e dhënë apo dhembja e vëllait për të motrën? Pa harruar as dhembjen proverbiale të motrës për të vëllanë, e përjetësuar aq dhembshëm tek lotët e motrës përmbi plagët e Gjergj Elez Alisë…
Vrojtuar nga ky prizëm, duke e ndërthurur legjendën me njëmendësinë, albanologu suedez Ullmar Qvick ka shkruar: “Musine Kokalari ëndërronte Suedinë, ambientin e bukur dhe të qetë ku jetoi dhe veproi Selma Lagerlof, por mundësia e saj për të parë vendin tonë u shkatërrua nga tragjedia e saj personale, e cila ishte edhe tragjedia e vendlindjes së saj. Ajo motër e Gjergj Elez Alisë, siç e quan Eglantina Mandia, nuk erdhi kurrë në Vermlandë”.
Prandaj, pyetja shtrohet sërish: Kush e solli Doruntinën? Po Musinenë, kush e solli në Vermlandë?
Gjithsesi, fjala shqipe dhe yllësia e saj. Simotrat e saj. Sofra e përbashkët. Kronikat e kulturës dhe të artit që shpalosin kalldrëme kujtimesh, që hapin dritare agimesh duke ngritur atdheun në lartësitë që ai meriton. Kronikat e kulturës në kështjellë të kujtesës sonë historike…
Në Vermlandë. Në Kalabri. Në Koblenz…
Elikona ilire. Etleva dardane. Doruntina dhe Motra e Gjergj Elez Alisë. Mitet e zhveshura, legjenda dhe realiteti. Eposi i kreshnikëve: Rënka Diell! Dhe dyvargëshi i madh lirik i Pjetër Bogdanit: Veshur me Diell! Mbathur me Hënë! Legjenda e krushqve të ngrirë dhe poema e madhe e gjuhës shqipe: U, Doni Gjoni…
Kosovarja nga Elbasani dhe Kristinë Amonpur e RTK-ës:
Shqipet ju përshëndesin!…
Shqipëria dhe poezia në të cilën rrah flatrat liria e saj
Poeti romantik anglez Bajroni, do ta quante Shqipërinë toka se shpirtave të papërkulur. Tokë heronjsh në të tërë kohërat. Kështu do të shkruante Lamartini për Shqipërinë, kurse Frederik Mistral më 16 maj 1885, duke e përgëzuar për “lirikat me bukuri hynore”, dhe duke i quajtuar ato “një parfum i idileve biblike”, mes tjerash i shkruante Jeronim de Radës: “Ju përgëzoj, zotëri, që i keni përkushtuar muzën tuaj, dashurinë tuaj dhe jetën tuaj kultit të gjuhës suaj amëtare, lavdërimit të vendit tuaj dhe të racës suaj…Qofshi pra i lumtur që jeni përzgjedhë për të hartuar psalmet e Shqipërisë suaj të ëmbël. Poezitë tuaja të kulluara e të përshpirtshme janë monumente të atdheut tuaj.”
Një ogur të bardhë shprehte edhe Baroni Pol d’Eeturnel de Konstant (Senator francez), në letrën dërguar Kryetarit të Qeverisë, Iljaz Bej Vrionit, më 18 maj 1921, tek i shkruante nga Parisi: “E pasur, pitoreske, punëtore, paqedashëse dhe e respektuar, Shqipëria do të jetë Zvicra e Gadishullit Ballkanik. Udhëtarët e Botës së Lashtë dhe të Botës së Re do të venë aty për të kërkuar besimin dhe lirinë.”
Lui Benloeu, një filolog dhe albanolog i shquar, në shkrimin Forca e gjakut shqiptar (Dizhon, 19 mars 1877, si pjesë e studimit linguistiko-etnorafik “Greqia para grekëve”, botuar në Paris, 1877), shfaqte gjithashtu një admirim të hapur, duke shkruar: “Admironi megjithatë forcën e gjakut që ngadhënjen, madje edhe mbi urrejtjet fetare dhe mëson tolerancë për të gjithë anëtarët e së njëjtës racë”. Ndërkaq, në Analizë e gjuhës shqipe–Studim gramatikor krahasimtar (Paris, 1879), shkruante se kërkesat e popullsive të varfëra janë që të ruajnë lidhjet e gjuhës dhe të gjakut “me qëllim që të mos bëhen pre e fqinjëve të pandershëm në përgjim zgjerimesh të papërligjshme.”
Duke shkruar për poetët bashkëkohor shqiptarë, Mishel Mete (përkthyes i poezive, eseve dhe letrave të Ismail Kadaresë) në eseun e titulluar Poetë që flasin për një popull të tërë, do të vinte në pah se: “Gjuha shqipe mban domosdo një vend të privilegjuar në këtë kërkim të një identiteti kombëtar, elementi thelbësor i të cilit është ajo vetë.”
E përderisa Robert Eskarpit, më 1970 duke iu referuar veprës së Ismail Kadaresë, do të shprehej se: Një shqiptar përmban gjithë Shqipërinë, Alan Boske në parathënien e librit “Ismail Kadare dhe poezia e re shqipe” (Paris, 1973), do të përmbledhte gjithë misionin e artit poetik shqiptar në një fjali tepër domethënëse dhe të shprehur aq bukur: Shpirti i Shqipërisë gjendet në poezitë e saj më të mira.
Së fundmi, në parafrazim të poetit francez Lui Aragon, Shqipëria është një emër ku mblidhen shekujt. Një zemër ku zgjohen ardhmëritë…
Latif Berisha, Poeti dhe Profesori Martir:
Fluturimin e lirë të shqipeve në gjakun tonë
Në ligjëratat e tij për letërsinë e Romantizmit, një nga thëniet më të shpeshta që profesori dhe poeti martir i sillte në mbamendjen tonë prej studentësh, ishte zemër-klithja e poetit arbëresh Jeronim de Rada: Doemos do të vdesim në shtrat, në mos rënçim në prag të shtëpive tona!
Profesori sikur e kishte parandier fatin tragjik, por më shumë se kaq ai e kishte shpalosur profecinë e tij prej poeti: Ne nuk dëshirojmë asgjë më shumë se sa fluturimin e lirë të shqipeve në gjakun tonë!…
Një emër që rri përjetësisht në çdo zemër. Shqipe. Një poemë epike, një emër të cilin kombi e vuri gjithmonë përmbi mermeret e qëndisura. Emri i një shpendi të shenjtë në një fushë gjaku. Sa më lart që ngritet ky shpend, aq më shumë përkulemi përpara tij. Simfonia e fjalës bëhet një me simfoninë e shqipeve, ashtu siç shkroi poeti Ernest Koliqi në veprën e tij dramatike të titulluar në mënyrë simbolike Simfonija e Shqipevet:
N’buzët e reja t’ona
lulzon, sa here i çelim,
nji myster shum i vjetër.
fjalët e lashta e t’njoma,
qi kemi na te goja,
kumbuen, n’agim t’njerzimit
mbi brigjet ballkanike.
Kaluen breznit ormira,
kaluen breznit orzeza,
por gjuha e Ilyrvet t’moçëm
n’Shqiptar’t e soçëm mbet.
Simfonia e fjalës shqipe. Yllësia e saj që ngjitet brezit të qiellit. Mesazh i shapolsur si një qëndismë vetëtimash në flatrat e shqiponjës: Unë jam nxënëse e Sami Frashërit! (Musine Kokalari përpara trupit gjykues)! Unë jam për Shqipërinë si Republikë Aristokratike! (Marie Shllaku përpara trupit gjykues)…Zonjat e Mëdha të kulturës shqiptare. Që nga Elena Gjika, Parashqevia, Sevastia e deri tek Nermin Vlora dhe Vaçe Zela me zemër-thirrjen në të cilën shpalosen bardhësitë e atdheut: Rrjedhin këngë e ligjërime…
Pa dyshim, një gjakim i përhershëm, si ai i Princit të Poezisë Shqipe -Lasgush Poradecit: “duke përcëlluar drejt shqipes zjarrin drithërues të ilirishtes”, ashtu siç ëndrronte edhe Princi i Gjuhës Shqipe – Faik Konica, që t’i kthehet Shqipërisë, shkëlqimi i dikurshëm që kishte në kohë të Ilirisë.
Udhëtarët e Botës së Lashtë dhe të Botës së Re:
SHQIPET JU PËRSHËNDESIN!