• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPNIA INKUIZICIONI DHE GJENOCIDI

October 7, 2016 by dgreca

 

2-prilliNga Fritz RADOVANI/

Shkodra/

“Aty si tash para se me ardhë fiset/

ishe/

me tambël në plasaritjen e currave/

e me themele në ujin e njelmë. /

Të dhanë vetëm nji emën: SHKODRA./

E të thirrën qytet me kunora/

e të hodhën përkrye gur/

e hekurat e para.” / Martin CAMAJ./

 ■Nuk kishim mësue endè ndër shkolla alfabetin dhe as autorin e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, kur mësuesit e “shkollës së re” në vitet e para të “çlirimit”, “kur patën hy këta”… mbas 1944, na treguen kuptimin e fjalës së huej “inkuizicion”. Në Fjalorin e Gjuhës së sotme Shqipe, botim i Akademisë së Shkencave RPSSH, fq.722, Tiranë 1980, shkruhet: “Inkuizicion – Organizatë terroriste policore e gjyqësore e kishës katolike, e themeluar në shekullin e XIII, që ndiqte, burgoste e zhdukte mizorisht njerëzit përparimtarë…”.

Mbas 700 vjetësh, për 50 vjet rresht në Shqipni në gjysmën e dytë të shek. XX, kemi “besue” se çdo klerik, ipeshkëv, prift, frat e murgeshë asht “inkuizitor”, ose siç shpjegon fjalori po aty: “inkuizitor – Gjykatës i inkuizicionit… Ai që vepron mizorisht kundër një tjetri, ai që e mundon dike me qellim dhe i shkakton vuajtje të mëdha; gjykatës mizor e i pamëshirshëm…” pra, çdo shqiptar, simbas këtij përkufizimi, kështu duhej të mendonte për Klerin Katolik Shqiptar, inteligjencën katolike dhe të gjithë ata që simpatizonin ate, ose kishin mësue ndër bankat e shkollave të tyne, që ishin të parat shkolla në vendin tonë, edhe pse dyert i kishin të hapuna edhe për muslimanë e ortodoksë Shqiptarë.

■Mbas themelimit të Shtetit Shqiptar në vitin 1912, qeveritë Shqiptare janë drejtue nga këta 36 Kryeministra: Ismail Bej Qemali, Myfid Bej Libohova, Fejzi Alizoti, Turham Përmeti, Esat Pashë Toptani, Sulejman Delvina, Iljas Vrioni, Pandeli Vangjeli, Qazim Koculi, Hasan Prishtina, Omer Vrioni, Xhaferr Ypi, Ahmet Zogu, Shefqet Vërlaci, Fan Noli, Koço Kota, Mithat Frashëri, Mustafa Kruja, Eqrem Libohova, Maliq Bushati, Ibrahim Biçaku, Mehdi Frashëri, Rexhep Mitrovica, Fiqeri Dine, Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Adil Çarçani, Fatos Nano, Ylli Bufi, Vilson Ahmeti, Aleksandër Meksi, Bashkim Fino, Pandeli Majko, Ilir Meta, Sali Berisha dhe Edi Rama.

■Se, cili ishte “inkuizitor” nder këta, ua la në kompetencë “dr. Prof. e akademikëve”!

Se, cili ushtroi Gjenocid në Shqipni, “nuk ka nevojë per akademikë as profesora”!

Mbi bazën parimit të inkuizicionit në vitin 1941, shovenistët jugosllavë të instruktuem nga Rusia staliniste erdhën e  themeluen Partinë Komuniste Shqiptare, tue vue në krye të saj karrieristin fanatik, anadollakun Enver Hoxha. Që ditën e parë të themelimit të saj kjo parti tregoi karakterin e vet inkuizitor ndaj elementit katolik, tue përjashtue nga drejtimi i saj edhe komunistët e vitit 1936 të grupit të Shkodrës, kryesue nga Zef Mala. Në vitin 1942 Enver Hoxha vret edhe komunistin Qemal Stafa, ish student në gjimnazin e Shkodres, të po atij qyteti që konsiderohej reaksionar. E shpejtë edhe Vasil Shanton.

Në luftën për pushtet eleminohet nga kjo parti pothuej krejtësisht elementi katolik, përveç disa spijunve, që deri “një ditë”, i kanë sherbye Sigurimit të Shtetit dhe organeve të diktaturës komuniste. Listat e tyne ruhen në Arkivin e Ministrisë së Mbrendshme.

Inkuizicioni komunist në Shqipni, merr trajtën e tij të veçantë nga vendet tjera të Lindjes komuniste europjane për vet faktin e kushteve historike të vendit tonë, që trashigoi nga e kaluemja jo e largët e pushtimit turk edhe barbarizmin fanatik anadollak, të cilin e dëshmon në Shkodër që në vitin 1945, prania e “Seksionit Katolik pranë Degës së Punëve të Mbrendëshme”, organi i jashtligjshëm ma terrorist i komunizmit që asht drejtue gjithnjë nga oficerë anadollakë filosllavë e kriminelë të zgjedhun në të gjithë Shqipninë për këte qellim nga vetë tiranët Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia.

■Ja si shprehet At K. Gjolaj për këtë akt antiligjor diktatorial në librin “Çinarët” : “Ky Seksion Katolik shyqyr që asht kenë formue, mbasi nuk len kurrkend me kundërshtue se Enver Hoxha me Sigurimin e Shtetit ka krye GENOCID MBI POPULLSINE KATOLIKE Shqiptare, sepse edhe ai vetë ka kenë KRIMINEL ANADOLLAK.” Fq.93.

Per “Inkuizicion” nga Kleri Katolik Shqiptar, deri sot nuk e njoh as nuk e kam ndigjue!

■Do të theksoj një vlerësim që ka ba Prof. Sami Repishti, i cili ka thanë: ”Shqiptarët katolikë janë përpjekë për shekuj me radhë të sjellin në Shqipni frymën civilizuese të Evropës, mendjet e ndrituna të kontinentit, arritjet e pakrahasueshme në fushën e mendimit njerëzor, të krijimtarisë letrare artistike, të shkencës e të teknologjisë dhe të organizimit politik të shtetit modern, që siguron zhvillimin e përparimin e njeriut të lirë”(Përshëndetje në përurimin e Kishës Shqiptare në Harstdale, N Y, 25 prill 1999).

■Po Enver Hoxha, si mendonte: “…meqenëse katoliçizmi shqiptar, dhe në veçansi kleri, ishin pengesa më e madhe për triumfin e komunizmit në Shqipëri, qeveria nuk do të kursente asnjë përpjekje për t’i shpartalluar ata.”E.H.Selected Works, V.I, fq.438, 1974).

■Ndërsa, dijetari At Zef Valentini S.J., thotë: “Tue kenë të kulturuem me arsim të ngritun katolikët shqiptarë gjithmonë u patën ngjallë zili disave. Vrasësi antikatolik Hoxha e pranonte këte tue i ba nderë katoliçizmit, dhe në veçanti klerikve, që ishin pengesa ma e madhe për triumfin e komunizmit.” (Romë 1954).

■Mbas vitit 1944 ky inkuizicion merr të gjitha tiparet ma të rrepta të Gjenocidit, i cili përcaktohet kështu, po në Fjalorin e Gjuhës së sotme Shqipe, fq 610: “Gjenocid – Shfarosje e plotë a e pjesëshme e një popullsie ose e grupeve të veçanta kombëtare…”, gja e cila asht në përputhje të plotë me veprimet e komunistëve të kryeme në Shqipninë Veriore, ose ma saktë, në Shkoder dhe rreth saj ndaj popullsisë katolike Shqiptare.

■Si inkuizicioni, ashtusi edhe Gjenocidi komunist në Shqipni, përfshijnë jo vetëm të gjallët, po edhe të vdekunit, madje, edhe varrezat e Tyne, që prishen, plaçkiten deri unazat e ipeshkvijve dhe treten në Drinazë Eshtnat e të vdekunve…tue fillue nga Kisha Katedrale e Shkodres, Kisha e Françeskane, Kisha e Zojës brinjë Kalasë, Kisha e Jezuitëve etj. Një vepër me të vërtetë makabre e shekullit XX në qytetin brinjë Rozafës.

■Nga ky Gjenocid u zhdukën Kisha, kuvende, biblioteka, muzeume, vepra arti, kulture, shkolla, gjimnaze e seminare, shtypshkronja, Xhamia, e çdo gja që i jepte Shkodrës pamjen me fëtyrën e vërtetë të kulturës Europjane Përendimore përparimtare. Vetem hudhja n’erë e Kishës së Vaut të Dejës nga Fadil Ymeri, flet per të gjitha krimet Fetare!

■Në këte kuadër të mnershëm rrënimi e shpartallimi para të cilit sfokohet edhe vepra “Ditët e fundit të Pompeut”, përfshihet edhe figura e madhe Atdhetare dhe fetare shkodrane e Argjipeshkvit të Shkodrës, Imzot Lazër Mjedja, i vdekun në vitin 1935, i varrosun në Kishën Katedrale dhe i çvarrosun në vitin 1967, kur ajo Kishë u kthye në pallat sporti. Çvarroset themeluesi i Shoqnisë “Bashkimi”(1899) Imz. Preng Doçi, shoqni Atdhetare kulturore, per të cilen i madhi Luigj Gurakuqi tha: “Ajo ishte një akademi!”, randsia e së cilës nuk mund të përmblidhet në pak rreshta, dhe Eshtnat e bekueme të Atij që e themeloi i treten…i treten…nga ai varr i Atij Burri, që mbarë Toka Shqiptare e vajtoi ata vite…vdekjen dhe humbjen e Tij. Shqipnia sundohej nga një qeveri hijenash!

■Imzot Lazër Mjedja i përket asaj “Epoke të Artë” të fillimit të Shek.XX, kur në Shkoder Kleri Katolik Shqiptar, inteligjenca, tregtia, politika, arti, kultura dhe zhvillimi i mendimit europjan përparimtar me një guxim e vetmohim të posaçem arrijnë në ato pika kulminante të historisë së Shqipnisë, që nuk mund të përsëritën kurrma!

■Kolosët Atdhetarë, klerikët dijetarë, poetët, letrarët, intelektualët, politikanët etj., të një ideali të naltë per “Atdhé e Fé”, lanë gjurmët e pashlyeshme në themelet e Shtetit të porsaformuem Shqiptar. Kontributi i Klerit Katolik asht aq i madh dhe i vyeshëm, sa Historia e Shqipnisë nuk ka me mujtë kurrë me i dedikue kapitujt e merituem të Tij, mbasi në Historinë tonë të shkrueme asht hjedhë aq shumë baltë, shpifje, fallsifikime, shtremnime, përdhosje, urrejtje, intriga, hakmarrje, fanatizëm, gënjeshtra e zmadhime të pavërteta, sa duhën vite e vite të tana me spastrue çdo rresht të shkruem të saj si dhe mentalitetin e çdo historiani që do të shkruej, nga ideologjia fallse marksite leniniste, sllavo – aziatiko komuniste bolshevike apo filogreke e filoitaliane e tashti edhe filoturke.

■Po mbushën plot 100 vjet që endè nuk asht botue në Shqipni dokumenti origjinal i Pavarësisë së Shqipnisë në Vlonë me 28 Nandor 1912, sepse gjysma e Atyne Atdhetarëve u quejtën për 65 vjet “tradhtarë”…nga pseudohistorianët tanë. Ndersa, per Don Nikoll Kaçorrin e Gurakuqin me shokë, po punohet me i “dyllosë në Arkivin e Harresës”!

Pak kush njeh aktivitetin e Bajram Currit, Mark Kakarriqit, Gjelosh Lulit, Kolë Mirakaj…   

■Askush nga Shqiptarët nuk njeh aktivitetin Atdhetar të Ipeshkvijve Lazër Mjedja, Luigj Bumçit, Preng Doçi, Jak Serreqi, Vinçenc Prennushi, Klerikëve: Gjergj Fishta, Mati Prennushi, Buon Gjeçaj, Ndre Mjedja, Loro Caka, Lazër Shantoja, Gjon e Nikollë Gazulli, Anton Harapi, Palë Dodaj, Çiprian Nika, Nikoll Mazrreku, Pjetër Mëshkalla, Marjan Prela, Justin Rrota, Kolec Prennushi dhe të rreshtit të pafund të Burrneshave e Burrave të Malësisë Madhe, Hotit e Grudës dhe të Dukagjinit, Shllakut, Mirditës, Pukës, Lezhës e Matit, që ishin forca morale, shpirtnore  e parzmorja e mbrojtjes së Atdheut.

  • Si duhet ti themi “zhdukjes” së këtyne Emnave, Inkuizicion apo Gjenocid ?!
  • “Vorri i t’ huejve a këtune! Bertet”, shkruente i Madhi Mjedja… për Malësorin tonë!

■“Po mos të ishte mendimi gjenial i Imzot Lazër Mjedjës për veprimet tona të vitit 1911, në lidhje me Dedë Gjo’Lulin e Burrat e Hotit, kurrë nuk do të formohej Shqipnia…” ka thanë At Mati Prennushi në vitin 1941, në festen e katundit të Dajçit të Bregut të Bunës. (Dëshmi gojore e Prof. Gaspër Ugashit rreth vitit 1962).

■Per “Inkuizicionin në Shqipni” asht mirë me shkrue “italianët komunistë” që kanë ruejtë në Tiranë “revolverin me të cilin u vra Mussolini”.., deri mbas vitit 1992.  

■Tue shfletue materialet e pakta dhe të sakta historike, mendoj se, duhet vu një Gur në themelin e atij lapidari që koha ka me ngritë tue fillue me Heroin Rin Monajka, e tue shpresue këte edhe per Don Simon Jubanin, Vrasjet nder kufinjë…dhe “Hapjen e Dosjes së 2 Prillit 1991”… në një të ardhme jo fort larg! Historia ynë fillon me Gjenocidin!

■Mos harroni se çdo Prift tue fillue nga gjermani Don Alfons Tracki, shpetoi nga vrasja e fashistëve e nazistëve “një komunist”, dhe sejcili prej tyne…ka vra një Klerik Katolik !

■Ky ishte “fanderimi, mirnjohja dhe shperblimi i tyne!”

■Vetem Hapja e Dosjeve nxjerrë në shesh të Vertetën!

            Melbourne, Tetor 2016.

Filed Under: Analiza Tagged With: Fritz radovani, gjenocidi, shqipnia

DON ALFONS TRACKI: “KËTU, UNË KAM ATDHEUN E DYTË SHQIPNINË..!”

July 17, 2016 by dgreca

1944 – DOSJA NR. 1885/

Nga Fritz RADOVANI/

 NE FOTO: DON ALFONS TRACKI (1896 – 1946)/

–“Jo, nuk vij me ju, mbasi nuk kam ardhë në Shqipni per qellime politike, as ushtarake dhe as, si pushtues. Këtu unë kam Atdheun e dytë Shqipninë, të cilit i kam sherbye si Meshtar dhe, këtu, due të vdes si Shqiptar!” Kështu, i tha Hausdingut në vitin 1944…

  • Nxanësi i Tij At Konrrad Gjolaj, më ka tregue per mësuesin e vet Don Alfons Tracki:

“Ishte aty nga gjysma e nandorit 1944, kur gjermanët që ishin në Velipojë, grumbullojnë 100 burra nga Velipoja dhe Mali Kolaj per me i pushkatue, se kishin vra një ushtar nga forcat gjermane kur po largoheshin nga Shqipnia. Dy djelm nga Velipoja vijnë shpejtë në Shkoder dhe njoftojnë Don Alfonsin, per çka po ngjet në Velipojë. Don Alfonsi shkon me të shpejtë atje, dhe informohet se, “ushtarin gjerman e kanë vra dy agjenta jugosllav, per me ba gjermanët hakmarrje nder Shqiptarët e atyne krahinave…” Takohet me oficerat që kishin grumbullue 100 Shqiptarët me i vra, dhe ua shpjegon atyne qellimin e keq të dy agjentave komunista jugosllav, kunder Shqiptarëve. Ata i besojnë Klerikut Don Alfons Tracki, tue u nisë nga kenja e Tij gjerman, dhe i lirojnë të gjithë Shqiptarët e Pafaj…”

17 KORRIK 1946, ora 17.00 Trupi Gjykues i përbamë nga: Kryetari Mustafa Iljazi, antarë, Zyhdi Shehu e Anastas Koroveshi dhe prokuror Aranit Çela (akti nr. 249), vëndosi: 1. Llesh Marashi, me varje në litar. 2. Kol Ashiku, 3. Nikoll Preng Dedaj dhe 4. Don Alfons Tracki, dënohën me vdekje, me pushkatim. Dihet botnisht se Don Alfonsi, nuk kishte asnjë lidhje me asnjenin nga antarët e grupit me të cilët po dënohej…

  • 18 KORRIK 1946,pra, atë natë bahët kërkesa për falje jete nga avoketnit e sejcilit të dënuem me vdekje. Më datën 18 korrik 1946, bahet shqyrtimi i akteve në Gjykatën e Lartë në Tiranë, nga: Krytari, major Frederik Nosi, antarë kap.Veladin Zejneli dhe kap. Nexhat Hyseni, prokuror Nevzat Haznedari dhe vëndosi:..
  • Me 18 korrik 1946 njoftohët Drejtoria e Sigurimit të Shtetit në Tiranë, me shkresën nr. 902/7 se: “…në bazë të vendimit të dhënë me datën 17 korrik 1946, u ekzekutuan kriminelët : Llesh Marashi, Kol Ashiku, Nikoll Preng Dedaj dhe Don Alfons Tracki.

I pari në litar. Dënimi i tyre në përgjithësi është konsideruar me vend nga i gjithë opinjoni. Vetëm për priftin Don Alfons Tracki, propaganda e klerit bëri që të kishte më tepër diskutime, kështu që u fol se si Don Alfonsi nuk e meritonte dënimin me vdekje, mbasi s’ishte kriminel, por u dënua si klerikal. Në anën katolike është ndjerë dhëmshuri për këtë. Shef i Seksionit Shkodër (Zoji Themeli) d.v.

 70 VJET KRIME…

  • Ekzekutimi u krye në orën 5.00 të datës 18 korrik 1946… po kërkesat e të dënuemve kur janë shqyrtue nga Gjykata e Naltë dhe Kuvendi Popullor?
  • Pse në shkresën e Zoji Themelit nuk asht emni i të ndjerit Kel Abati, që u pushkatue me këtë grup pa pasë as Ky asnjë lidhje me ta? Pse asnjëherë nuk doli në dritë vrasja misterioze e Kel Abatit, mos edhe ky ishte “kriminel”? A duhët besue se me të vërtetë Kel Abatit iu fal jeta mbas ekzekutimit? Ndoshta ma vonë e drejta do të dalin, por kam frikë se jo! Vrasësit komunistë gjithmonë punojnë me mbulue krimet e veta, mjeti ma i mirë i tyne asht harresa! Një metodë që e vazhdojnë edhe sot!

“Tracki ishte modeli ma i përkryem i meshtarit Katolik”, shkruen At Konrrad Gjolaj.

***

  • “I HUMBUNI…” DON ALFONS TRACKI… “I humbun…”, vetëm kaq shënohej ndër rregjistrat e klerikëve që ishin mbrenda “perdës së hekurt”, e ndoshta, përgjithmonë mbetëj ashtu. Nuk asht e meritueshme që shumë nga Ata Figura të ndrituna të historisë sonë kombëtare të mbulohën nga pluhuni i harresës. Jo ma pak përgjegjësi historike dhe morale kemi edhe përpara veprës së misionareve të fesë, të cilët në rininë e tyne, me punë vetmohuese provuen me fakte se Toka Shqiptare për ta ishte Atdheu i dytë i tyne. Kjo, dhe vetem kjo, asht arësyeja kryesore që më ka shty me u ndalue tek “i humbuni” Don Alfons Tracki, i ardhun misionar nga Breslau.
  • E pra, Ky “I humbun”…Kushedi sa vetë shpetoi nga zhdukja nder kampet gjermane!

Misionarë që nuk ka kursye as jeten per Shqipni!

Rrezikoi jeten per me shpetue 100 Shqiptarë, që do të vriteshin nga gjermanët…

  • Dhe, as sot, Don Alfons Trackit nuk i dihet as varri!

            Melbourne, Korrik 2016.

Filed Under: Histori Tagged With: Atdheu i dyte, DON ALFONS TRACKI, Fritz radovani, shqipnia

SHQIPNIA:100 VJET SHTET DHIMBJESH

November 24, 2012 by dgreca

Nga Jozef Radi/

Tashma me orë pritet festa e 100 Vjetorit i Shtetit Shqiptar.

Nji festë e cila e ka ba flamurin dyngjyrësh të nji kombi të shpaloset gjithkund ndër shqiptarë, (si gjeografi pak e trishtë) e të dëshmojë se lidhja jonë me kuqezinë asht diçka e shkrueme në gjakun tonë, në shpirtin tonë, në vuejtjet tona, në krenarinë tonë ballkanase…

Ky flamur si kurrë ma parë e si kurrë ma hijshëm se sot asht jo vetëm në duart e çdonjenit prej nesh, po shpaloset edhe brenda nesh…

Fati gjithnji ban të vetën. Kët Kryefestë të Flamurit, fati ia ngarkoi ta organizojë Sali Berishës. Nji rastësi historike?! Sigurisht, po mund të mos jetë edhe aq e tillë…! Megjithatë organizimi asht diçka protokollare, e arsyetueme, e diskutueme, buxhetore, kurse festa asht tjetër gja, festa asht shpirt, asht frymë, asht gjendje që nis prej çdonjenit nga ne, ashtu si nji pikë shiu vjeshte dhe merr teposhtë bahet rrëke, përrua, lumë derisa shfaqet ashtu e plotë si nji det i ndezun, me gjithë madhështinë e vet; nji det kuqezi i dalë prej nji dhimbje të madhe historike, po si duket sa ma e madhe dhimbja e lindjes aq ma i madh shpirti i kësaj feste të ndjeme…

Nëse bajmë nji kthim mbrapa në histori ka me na rezultue se në ditë të Mëvetsisë dhe shpalosjes së Flamurit, ngrihet figura urtake e Ismail Qemalit; në të njizetepestin vit shfaqet figura mbretnore e Ahmet Zogut; në të pesëdhjetin vit peshon randë hija e Sekretarit të Parë: Enver Hoxhës dhe bash në mbyllje të shekullit Shtet Shqiptar, rri e përndezun lavdie figura e Kryeministrit Sali Berisha, duke na e ba fakt “volendo nolendo”, se nëpër kto katër simbole, ende të vuejtshme, kalon nji rreth, vetëm nji rreth dhe asnji tjetër: rrethi i Njiqind Viteve Shtet Shqiptar… pa shmangë këtu edhe at figurë që duket si jashtë këtij rrethi, po që historia shqiptare s’ka me e pasë kurrë të lehtë me e anashkalue: ajo e Ibrahim Rugovës!

Po Shqipnia e vërtetë, ajo që jeton në shpirtin e çdonjenit prej nesh s’asht vetëm Shqipnia e Prijsave Politikë, e këtyne “Duerve të Hekurta” të Pushtetit, po Shqipnia e Prijsave Shpirtnorë, nji Shqipni që vërtet ende s’po mundet me folë ashtu si duhet, por që askush s’do mundet me ia ndalë ma fjalën: e kjo asht Shqipnia e Fishtës dhe Konicës, e Mjedës dhe e Nolit, e Koliqit dhe Kutelit, e Lasgushit dhe Migjenit, e Mit’hat Frashërit dhe e Lef Nosit, e Merlikës dhe Merxhanit,  e Eqerem Vlorës dhe Krist Malokut, e Ali Asllanit dhe Anton Harapit, e Martin Gjokës dhe Vangjel Koçës, e Çabejt dhe e Rizës, e Kasem Trebeshinës dhe at Zef Pllumbit, e  Petro Markos dhe e Vilson Blloshmit, e Trifon Xhagjikës dhe e Havzi Nelës, e Qoses dhe e Kadaresë, e Musine Kokalarit dhe Drita Çomos, e Pipës dhe Malëshovës, e Tefta Tashkos dhe Vaçe Zelës, e Martin Camajt dhe Bilal Xhaferrit, e Padër Meshkallës dhe Arbën Xhaferrit dhe e shumë e shumë të tjerëve, të cilët Panteoni Shqiptar ende i pret dhimbshëm…

Historiografia shqiptare edhe pse ka mbi shpinë shekullin e trazuem të nji shteti, ende s’u ka dhanë qytetarëve të vet nji tekst si duhet, ku të lexohet pak ma qartë e të kuptohen pak ma mirë përpjekja dhe dhimbja e gjithë atyne që e deshën kët vend, secili në mënyrën e vet, e secili me kontributin e vet, nëpër kontekste historike e rrethana politike jo fort fatlume…

Gjithë figurat e sipërpërmenduna të Kryeshtetarëve kanë shfaqë konflikte të hapta interesash me paraardhësit e tyne, e ku gjithsecili asht përpjekë me ngritë lavdinë e vet mbi poshtnimin e tjetrit… secili prej tyne ka kërkue me e u ngjitë sa ma nalt në majën e quejtun shtet shqiptar, vetëm si pjesë e lavdisë së vet dhe pak kush asht shqetsue se gjithçka realizohej ishte sakrifica ma sublime e nji populli të vuejtun, i cili ende e ka qëndresën cilësinë ma primordiale të genit të vet…

28 nantori, asht ditë e kremte dhe secili prej nesh duhet me harrue diçka nga historia e derisotshkrueme! Ajo çka s’duhet harrue asht vendosja në vend e krejt atyne që luftuen me shpirt për kët vend dhe i dhanë gjithçka mundën, shpesh duke marrë mbi fytyrat e tyne të ndrituna edhe shumë baltë të pameritueme…

Asht e vërtetë se krejt figurat e këtyne Kryeshtetarëve qendruen gjatë në pushtet, bile edhe Plaku i Vlorës, edhe pse njeriu ma pushtetpakët i të katërtve, vinte nga pushteti në perandorinë osmane, prej ku zvarritesh edhe fati i trishtë i Shqipnisë… Dy të tjerët kanë pasë nga nji çerek shekulli, kurse ai ma jetgjati pothuaj gjysëm shekull Pushtet…

Sot, në çdo tavolinë shqiptare ku mund të ulesh me festue, asht e vështirë me i bashkue të Katërt këta Prijës dhe të ngresh nji dolli përbashkuese,  prej asaj fryme që ata kanë mbjellë në histori! Harrohet edhe ma i randomti fakt se ata mbeten historia jonë; janë e mira dhe e keqja jonë e përbashkët, e bukura dhe e shëmtuemja jonë, heroikja dhe tragjikja jonë…!! Do të mbetesh nji akt i madh paqtues, për secilin prej nesh, prej frymës së kësaj feste të kishim nji përcaktim ma pak randues në dam tyne, ose e thanë pak ma ndryshe, me u ndalë te secili te ajo çka asht ma pozitivja e thelbit të tyne udhëheqës… A nuk do të ishte ma e denjë fjala vjen që Ismail Qemali të përcaktohesh fjala vjen si Dipllomati, Andrrimtari, i Sakrifikuemi; a s’do të ishte denjsisht rigoroze që Ahmet Zogu, të quhej Reformatori, I Paepuni, Autoritari; a s’do të ndjeheshin ma mirë jo vetëm idhtarët e diktaturës nëse Enver Hoxha do të konsiderohej Qëndrestari, Kundërshtuesi, Komandanti; apo Sali Berishës a s’do t’i bahej nder nëse do të quhesh Shpresësjellësi, Ekuilibristi, Kuqebluja…

Këto janë ende andrra… ndaj mbetet e vështirë ndër ne me i respektue si duhet ata që e kanë drejtue Shqipninë e këtyne njëqind viteve! Prej sot duhet të na bahet e pamundun me i poshtnue edhe ma, e me vazhdue pafundsisht me urrejtjen… Veç kështu e kërkon  dinjiteti i këtij njiqindvjetori madhështor: me i respektue ata! Le t’i kthejmë me kurajo shumë prej këtyne të përbaltunve të mëdhenj në Panteonin e lavdisë sonë të brishtë; ta dimë ne së pari; mandej edhe fëmijët tanë se nga kemi ardhë, për ku po shkojmë dhe ku mund të mbrrijmë; duke e braktisë njiherë e përgjithmonë idenë e skajshme të heronjve dhe tradhëtarëve… sepse në politikë të gjithë janë nga pak heronj dhe nga pak tradhëtarë… mjaft që të mos jetë në shënjester vetëm e keqja e tyne, sepse vërtet ata qeverisin popullin e tyne po harrohet se ata vërtitën edhe rreth nji harte të madhe, ku koha dhe ngjarjet kanë provue shpesh se asht e vështirë të mos jesh edhe thjesht nji sferë bilardoje…

A s’është mirë që edhe Stoikut Rugova, t’i kujtohet fryma që solli në qëndresën shqiptare dhe jo t’i ciklohen egërsisht çastet e tija të vështira në histori, që shpesh të kujtojnë cejtnotet e shahut…

Po ne ende jemi larg kësaj fryme…

Përballë gjitha këtyne kundërshtive, ndryshe prej herëve të tjera, ky njiqind vjetor po flet si askurrë ma parë me nji gjuhë të pabesueshme bashkuese…!! S’ka as ma të voglin dyshim se sot shqiptarët e gjithë botës kanë vetëm nji kryefestë përbashkuese, gjithë të tjerat janë thjesht festa, Ajo asht Kryefesta Jonë, së cilës duhet t’i biem të gjithë në gjunjë dhe ai Flamur Kuqezi që vërvisim gjithë krenari në qiell ma shumë se ndër duer tona duhet t’na valvitet prej shpirti…

 

Filed Under: Opinion Tagged With: 100 vjet shtet, dhimbjesh, Jozef Radi, shqipnia

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT