nga Zamira Rubjeka/
Flamuri kuq e zi me shqiponjën dy krerëshe u valvit edhe në Clearwater, ku 500 bashkatdhetarë u bënë bashkë. Komuniteti Shqiptar në Tampa Bay si gjithë Diaspora, festoi ditën e Pavarësisë së Shqipërisë me entuziazëm dhe dashuri kombëtare. Këtë radhë pas një pune rigoroze dhe frymë bashkëpunimi ndërmjet organizatave shqiptare të Clearwater në Florida (FL), u arrit një marrëveshje që festa kombëtare të zhvillohet së bashku me një qëllim kryesor dhe të vetëm në mendje, atë të bashkimit kombëtar, duke lënë mënjanë çdo interes personal apo grupor. Këto organizata ishin Vatra Tampa Chapter, Albanian Heritage Foundation of Tampa Bay and AANO. Ky ishte një sukses për komunitetin shqiptar që për herë të parë me dedikim vullnetar festuan së bashku këtë festë madhështore dhe aq simbolike për të gjithë shqiptarët. Meritën e këtij bashkëpunimi e kanë z. Arian Kushta, z. Ardian Kraja, z. Tasim Ruko dhe z. Metat Idrizi me përkrahjen e të gjithë bordit Vatra Tampa. Në këtë festë performuan i talentuari Devis Xherahu, Ermal Mamaqi dhe e mirënjohura e skenës dhe ekranit shqiptar zj. Silvana Braçe. Hapja e ceremonisë u bë me himnin e flamurit amerikan interpretuar nga e talentuara këngëtarja amerikane Lilly Cruz dhe himni shqiptar u këndua nga vogëlushja shqiptare Altea Ali. Salla kumboi nga zërat e të gjithë pjesmarrësve që këndonin së bashku me këngëtarët me dorën në zemër dhe të emocionuar. Mbi 500 shqiptarë të bashkuar si asnjëherë më parë, u përmalluan për vendlindjen dhe nderuan edhe këtë rradhë gjakun e derdhur për liri dhe demokraci. Ajo që i solli veçanti dhe emocion të thellë ishte dhe pjesmarrja e zonjës Silvana Braçe që me zërin e saj të ëmbël dhe prekës solli një copëz Shqipërie më vehte që u ndie nga të gjithë bashkëkombasit duke sjellë emocione të rralla dhe duke shuar sado pak atë mall që përvëlon çdo ditë të gjithë shqiptarët në diasporë. Vetëm një artiste dhe ikonë si zj. Braçe arrinë të ofrojë publikut momente të tilla magjike. Më tutje shfaqja vazhdoi me valle nga krahina të ndryshme të Shqipërisë e prezantuar nga grupi “Shqiponjat” që prezanton Shqipërinë me dinjitet çdo vit në Festivalin Folklorik të Saint Petersburg, FL dhe që është formuar nga fondacioni AHFT. Më vonë vogëlushet e shkollës shqipe”Iliria” recituan në shqip me zërat e tyre plot jetë vjersha patriotike duke e bërë atmosferën më gjallëruese dhe të këndshme. Fjalën e rastit e mbajti Z. Tasim Ruko kryetar i degës Vatra Tampa Chapter ku përshëndeti bashkatdhetarët. Përshëndetje dhe falenderime u bënë dhe nga kryetarët e dy organizatave të tjera Z. Kraja dhe Z. Idrizi.Më pas këngëtari i talentuar dhe i mahnitshëm Devis Xherahu ngriti publikun në këmbë me një këngë patriotike duke mbajtur flamurin shqiptar në një dorë dhe mikrofonin në tjetrën në mes të vëllezërve dhe motrave shqiptare.(Te plote lexoje ne Diellin e printuar)