Nga Keze Kozeta Zylo/
Duke shkuar drejt teatrit SVA që ndodhet ne Manhattan në hyrje të tij shfaqej reklama e shkruar me gërma të arta “Java e filmit shqiptar në New York”. Nuk kishte shqiptar që të mos ndihej i emocionuar kur lexonte reklamen për javën e festivalit të filmit shqiptar.
Brenda teatrit të uronin mirëseardhjen drejtuesit dhe organizatorët e festivalit të filmit shqiptar z.Ariot Myrtaj dhe Mrika Krasniqi si dhe regjisori i filmit “Agon” z.Robert Budina.
Qindra shqiptarë erdhën në ceremoninë e hapjes së festivalit të filmit shqiptar ku dalloheshin midis tyre artistë, aktorë, regjisorë, kritikë, përfaqsues organizatash të ndryshme, media të cilët kishin ardhur për të mbështetur dhe parë filmin shqiptar. Javën që kaloi u dha premiera e parë e filmit komik shqiptar “MikeyBoy” në teatrin e famshëm të Manhattanit AMC me aktorin e Hollivudit Mike Dusi, i cili së bashku me prindërit Maria dhe Zef kishin ardhur posaçërisht për Javën e Festivalit të filmit shqiptar. Aktori i Hollivudit midis të tjerash tha se e kishte parë filmin dhe e vlerësonte punën e regjisorit Budina, si dhe lojën aktoreske të artistëve në film.
Ndërsa regjisori Budina tha se ndihej krenar për filmin “Agon” dhe komentoi se titulli aq simbolik i filmit është në shërbim të subjektit të zgjedhur. Tranzicioni 20 vjeçar solli emigrimin e mijëra njerëzve në vende të ndryshme të botës dhe veçanërisht në Greqi. Problemet e shumta gjatë tranzicionit i kam sjellë në film nëpërmjet dy vëllezërve ‘Saimir’ qe rolin e tij e luan aktori Marvin Tafaj, dhe vellai i tij Vini që luhet nga Guljem Kotori, dhe të tjerëve që ecin si në një tunel të errët dhe në fund të tunelit gjejnë një dritë që zbardh, “Agon”. Në këtë pjesëmarrje binte në sy ardhja e shumë të rinjve çka të jep shpresë për një shtytje më të fuqishme kulturore në botën e artit ku bota ka shume nevojë për ta njohur sa më shumë Mëmëdheun tonë të shumëvuajtur. Gjatë intervistave të shumta për TV Alba Life mjaft aktorë u shprehën se ishin të kënaqur për bashkëpunimin me njeri-tjetrin dhe shpresonin se do të sillnin dhe më shumë filma me tematikë nga bota shqiptare. Z.Arton Myrtaj një djalë i talentuar si dhe znj.Mrika Krasniqi një vajzë plot sharm, bashkëorganizatore të Festivalit thanë para kamerave se ishte viti i dytë që e organizonin festivalin e filmit shqiptar dhe falënderoi gjithë bashkëpunetorët e tij që ishin ndodhur në çdo moment për ta realizuar sa më bukur edicionin e dytë të Festivalit. Zonjusha Ermira Babamusta aktiviste e dalluar dhe promotore e kulturës tha se ishte e lumtur që zhvillohej edicioni i dytë i festivalit të filmit shqiptar dhe uroi që ky bashkëpunim të vazhdojë pambarim. Aktori dhe regjisori i talentuar Ergys Bakalli si dhe aktori kryesor në filmin e tij “Made in America” Artan Telqiu thanë se ishin të nderuar që merrnin pjesë në këtë film dhe falënderoi bashkëpunëtorët e shumtë. Emira Berisha aktore që ka luajtur në teatrin “Invitation to a marriage” foli me plot dashuri për festivalet që organizohen dhe është kënaqësi që ne të marrim pjesë në to. Edhe znj.Theodhora Rexhepi drejtore e marketingut tha se po punonte vazhdimisht për ta paraqitur festivalin sa më dinjitoz dhe më tërheqës.
Të veshur me kostume kombëtare aktorët që lujane role nga më patriotiket Shaban Lajci dhe Tom Gjergji thanë se organizime të tilla festivalesh sjellin gjithmonë atmosferë festive dhe njëkohësisht njohje të Shqipërisë pranë botës. Aktori plot përvojë i disa roleve me origjinë nga Maqedonia z.Luan Bexheti ndihej shumë krenar për festivalin e filmit shqiptar dhe falënderoi gjithë aktorët, organizatorët që në këto aktivitete sjellin mjaft shqiptarë. Të marrësh pjesë në këto aktivitete kaq të rëndësishme medoemos që ngarkohesh me emocione të fuqishme dhe ndihesh krenare për atë çka bëjnë shqiptarët e kulturuar.
Aty takohesh me plot dashamirës të artit, të kulturës, të edukimit ku prej tyre do të veçoja dhe tri zonjat profesore dhe studjuese, të cilat kishin menduar që më parë për t’i dhuruan shkollës shqipe Alba Life dy bluza me Flamurin tonë Kombëtar. Gjesti fisnik i tyre do të më ngelet gjatë në kujtesë.
Festivali u hap me filmin “Agon” të regjisorit të mirënjohur Robert Budina. Filmi “Agon” është përzgjedhur midis 76 filmave të huaj për çmimin Oskar në vitin 2014. Shpresojmë që të zgjidhet në pesçen finale për të shkuar direkt në konkurrimin për Oskar. Para filmit kanë përshëndetur organizatorët e tij si znj.Mrika Krasniqi dhe Ariot Myrtaj. Znj. Krasniqi e çeli ceremoninë e hapjes me falënderimin e gjithë artdashësve që merrnin pjesë në këtë festival si dhe kineastët për punën e shkëlqyer dhe bashkëpunimin me ta. Ndersa Z.Myrtaj tha se ne sot jemi dy vjeçarë dhe shpresoj që kjo traditë të vazhdojë sa më gjatë. Ai tha se unë u frymëzova për të organizuar festivale që t’i tregojmë botës kulturën tonë, historitë e shumta, ngase bota vetëm nëpërmjet kulturës, artit do të na njohë më shumë. Z.Myrtaj falënderoi sponsorizuesit e shumte si Liberty Blue group, Familia pizeria, Elvis Murriqi, Bekim Bardhi, Bejtulla Krasniqi etj…
Ambasadori i Kosovës në New York z.Bekim Sejdiu me thjeshtësinë që e karakterizon iu uroi dy organizatorëve punë të mbarë dhe tha se kemi dhënë një kontribut modest si konsullatë në organizimin e këtij festivali dhe shpresoj që ky festival të kthehet në një traditë të bukur ngase promovohen vlerat kombëtare. Me humor vazhdoi ai se jam i sigurtë se ju nuk keni ardhur këtu të dëgjoni fjalimin e një dipllomati, por keni ardhur për të pare filmin.
Pas fjalës së tij në skenë është ngjitur regjisori i filmit “Agon” z.Robert Budina. Z.Budina midis të tjerash tha se jam shumë i prekur nga puna e jashtëzakonshme e dy të rinjve Krasniqi dhe Myrtaj. Festivalet e mëdhaja nuk i bëjnë sipërfaqet, por energjia e njerëzve dhe shpresoj që në të ardhmen festivali të ketë sa më shumë kineastë.
Në fund të filmit “Agon” i cili u ndërpre disa herë nga duartrokitjet z.Myrtaj dhe Krasniqi organizuan bashkëbisedimin me pjesëmarrësit në sallë. Artdashësit i drejtuan pyetje të ndryshme regjisorit Budina i cili u përgjigj plot kulturë dhe profesionalizëm.
8 Nëntor, 2013
Manhattan, New York