Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Londër, në kuadër të veprimtarive të saj për Diplomacinë Kulturore dhe promovimin e vlerave të vendit tonë, organizoi me datën 16 dhjetor 2013, koncertin e e madh të artistëve Shqiptarë/
LONDER : Titullimi i këtij koncerti me këtë emër kishte si qëllim t’i sillte audiencës jo vetëm notat muzikore të interpretuara me virtuozitet nga artistët shqiptar por edhe ta nxiste atë të merrte shënim se Shqipëria është një vend europian dhe që ka tërë potencialin, bukurinë, çarmin dhe aftësinë e njerëzve të saj për të qenë e tillë.
Koncerti u zhvillua, në sallën Amaryllis Fleming Concert Hall të Kolegjit Mretëror të Muzikës në Londër. Ai u ndoq nga një audinecë e gjërë prej më se 400 spektatorësh, ku kishte Ambasadorë, diplomatë, lordë, parlamentarë, profesorë universitetesh, muzikologë, antarë të shoqatës Anglo – Shqiptare, biznesmenë, dashamirës anglezë të muzikës, bashkatdhetarë me banim në Britaninë e Madhe etj.
Në qendër të koncertit ishte emri dhe frymëzimi i artistes tashmë me famë botërore Ermonela Jaho ndërsa programi i saj u plotësua me zërin e sopranos tjetër shqiptare e ardhur enkas në Londër nga Bukureshti, Arlinda Morava, shoqëruar në piano nga Maestro Petrescu dhe viloniçelistja Klara Bregu, me tingujt e violinës së Alda Dizdarit dhe meloditë e mrekullueshme të luajtura nga Alb – Trio e Londrës e drejtuar nga pianistja Mariela Cingo.
Shfaqja u përshkrua nga një ritëm i lartë, plot emocione dhe u ndoq me interes të jashtëzakonshëm. Në mënyrë të veçantë u mirëpritën arjet e operave, si ajo e Puçinit “O mio babbino caro” nga Opera “Gianni Schicchi”, “Manon” nga Opera me të njëjten titull e Jules Massenet, interpretuar nga Ermonela Jaho, pastaj këngët shqiptare, “Moj e bukura Morenë”, “Perëndeshë e bukurisë” kënduar nga Arlinda Morava. Alb – Trioja London luajti Mendelssohn ndërsa muzika e bukur e Limos Dizdarit u interpretua nga e bija e tij, violinistja e njohur Alda Dizdari. Koncerti arriti kulmin me “Sempre Libera” nga “Traviata” e Verdit interpretuar nga Diva shqiptare dhe u mbyll në mënyrë madhështore me këngën “Të duam më shumë Shqipërinë” ekzekutuar nga të gjithë artistët.
Hapjen e koncertit e bëri prezantuesja Kristale Rama, një vajzë amerikane me prindër shqiptarë nga Ulqini e cila recitoi vargje te Bajronit per shqiptaret.
Me pas, ne fjalen e rastit u tha:
Eshte nder i madh t’ju urojme me respekt mirësardhjen të gjithë pjesmarrësve duke filluar nga shkëlqesitë e tyre Ambasadorë, pjestarë të bashkësisë diplomatike, lordëve, antarëve të parlamentit, atasheve ushtarakë, miqëve britanikë të Shqipërisë, qytetarëve britanike, shqiptarëve me banim në Britaninë e Madhe.
Urime dhe mirëseardhje të ngrohtë artistëve të cilët kanë ardhur nga vende të ndryshme për të interpretuar këtu për një audiencë kaq të nderuar. Këta janë ata artistë të cilët i japin vendit tonë ndriçim, hijeshi dhe emër të mire në botë.
Shqipëria sapo ka përkujtuar 101 vjetorin e pavarësisë së saj. Ky koncert mbahet edhe në vijim të këtij përvjetori.
Këtë vit ne vendosëm ta festonim këtë datë të shënuar duke organizuar këtë koncert, në këtë vend të mrekullueshëm, në Kolegjin prestigjios Mbretëror të Muzikës, një prej shkollave më të mira në botë.
Kjo festë ka edhe një kuptim të veçantë. Në fakt ishte planifikuar të mbahej pikërisht në vigjilje të një ngjarje shumë të rëndësishme kur vendoset për statusin e Shqipërisë kandidate në Bashkimin Europian.
Ne jemi europianë dhe meritojmë të bëhemi pjesë e kontinentit tonë të vjetër edhe politikisht ashtu siç i takojmë fizikisht dhe historikisht. Ky koncert është një dëshmi tjetër e kulturës tonë të përbashkët. Ndërsa këta artistë janë vetë dëshmia e gjallë e kësaj.
Ne jemi krenar dhe mirënjohës për këta artistë.
Duhen falenderuar maestro Christian Alexander Petrescu nga Romania dhe pianisti Tom Blach nga Londra të cilët iu bashkuan artistëve tanë sonte.
Falenderime per Kolegjin Mbretëror të Muzikës dhe stafin e tij për ndihmën që na kanë dhënë
Mirënjohje për praninë e përfaqësuesve të organizatave shqiptaro – britanike duke u ndalur tek kontributi i veçantë i dhënë nga shoqata më e vjetër e ngritur jashtë Shqipërisë që ende ekziston, ajo Anglo – Shqiptare e ngritur me shume se nje shekull me pare.
Nuk mund tëmos permenden dhe falenderohen diplomatët e ambasadës së Shqipërisë në Londër për përkushtimin e treguar që të realizohet ky aktivitet.
Dhe tani më lejoni të ftoj në skenë këngëtaren e operas, Divën e mirënojihur në skenën ndërkombëtare, Ermonela Jaho.
Ky koncert përbën një arritje shumë të madhe për prezantimin e kulturës shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar dhe shënon veprimtarinë e parë në serinë e këtyre aktiviteteve që ambasada do të organizojë me artistët më të shquar shqiptarë në vitet që vijnë.