Studioja e Fadil Berishës me 13 shkurt 2014 ishte nikoqire e prezantimit të punës krijuese të tre artistëve shqiptarë nga Maqedonia: Nehat Beqirit, Edin Kurteshit dhe Ngadhnjim Mehmetit.
E kuruar si ekspozitë nga Nora Halimi, përzgjedhja e veprave shpërfaq varietet edhe mediumesh, edhe qëndrimesh artistike. Pavarësisht gjinisë dhe teknikës së përdorur, veprat e ekspozuara reflektojnë sa fragmente realitetesh personale, po aq edhe rrethanat sociale, marrëdhëniet e caktuara me shoqërinë, me botën fizike.
Le t’i prezantojmë të tre artistët: Neha Beqiri ka lindur në vitin 1967 në Tetovë. Ai u formua si piktor në Prishtinë, ku kreu Fakultetin e Arteve Pamore dhe më pas studime postdiplomike për fotografinë, i kreu po në Universitetin e Prishtinës. Punon si lektor në Fakultetin e Arteve të Bukura në Universitetin e Tetovës.
Me punimet e tij ka marrë pjesë në mbi 30 ekspozita personale kombëtare edhe ndërkombëtare.
Edin Kurteshi ka lindur në vitin 1977 në Sarajevë. Formimi i tij arsimor u realizua fillimisht në Universitetin e Tetovës, ku kreu Fakultetin e Arteve Pamore për pikturë.
Është është përfaqësues i një brezi të ri të artistëve figurativë në Maqedoni, ku vepra e tij i ka shfaqur në disa ekspozita personale dhe grupore.
Ngadhnjim Mehmeti ka lindur në vitin 1977 në Tetovë. Formimi i tij u realizua në Stamboll, Turqi, ku kreu studimet në Fakultetin e Arteve Pamore. Edhe studimet postdiplomike për udhëheqës dizajnit grafik i kreu po atje, në Stamboll, pranë Universitetit Marmara.
Ngadhnjim Mehmeti është themelues i marketingut dhe agjenci reklamash EGGRA në Shkup dhe Tiranë, si dhe ka kryer një numër të fushatave në trojet shqiptare.
Nehat Beqiri u përfaqësua në këtë ekspozitë me një cikël pikturash vizualisht shumë të gjalla, pamje metaforike të ndërtuara me një gjuhë figurative që vë në lojë forcën e mendimit, lirinë imagjinative dhe përvojën e vet artistit.
Monotipite e Edin Kurtishit synojnë të transmetojnë atmosferën dhe përcjellin emocionin e një pejsazhi vazhdimisht të ndryshueshëm përmes optikës personale, duke përdorur zogjtë si entitet metaforik dhe qiellin si mjedis grafik.
Ngadhnjim Mehmeti me serinë e shtypit të portretit të Nënë Terezës ishte më social dhe më i drejtpërdrejtë në trajtimin e fenomeneve dhe situatave që ngjyrosin kohën në të cilën jetojmë, sic është ajo e identitetit dhe globalizmit dhe realiteteve të tjera të cilat janë sa lokale, po aq dhe globale.
Ne Foto: Dr. Skënder Murtezani me dy artistët, Nehat Beqiri dhe Nganjdhim Mehmeti