-Në “Ditët e Nënë Terezës” sot u mbajt mesha e fundit e së dielës në Katedralen në Prishtinë para shugurimit në 5 shtator/
-Riti i shugurimit të Shenjtërores Shën Nënë Tereza në kryeqytetin e Kosovës fillon me procesionin nga rezidenca ipeshkvore drejt dyerve hyrëse të kishës…/
-Në “Ditët e Nënë Terezës” e festën e shugurimit të Katedrales të pranishëm edhe vatranë nga Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA, të shumë mirëpritur edhe në Ipeshkvinë e Kosovës…/
SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI, i akredituar nga Këshilli për Media i Shugurimit të Shenjtërores Shën Nënë Tereza/
PRISHTINË, 3 Shtator 2017/ Këmbana e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë binte sot para orës 11:00 të fillimit të meshës së fundit të së dielës para shugurimit të kësaj Shenjtërore, që në 5 shtator 2017 do të udhëhiqet nga i Dërguari i Posaçëm i Papa Françeskut, Kardinali shqiptar Ernest Simoni – Troshani, e për këtë po bëhen të gjitha përgatitjet.
Derisa shumë njerëz mbërrijnë në meshë flasim me Don Lush Gjergjin, Vikar Gjaneral i Ipeshkvisë së Kosovës. “Është mesha e fundit e së dielës në Katedrale para shugurimit”, i konfirmon ai korrespondentit të Gazetës DIELLI, ndërkohë që vijojnë festimet e “Ditëve të Nënës Terezë”, të nisura në 26 gusht, në ditëlindjen e shënjëtëreshës shqiptare, të njohur e të admiruar në gjithë botën, në ditën e bekimit të gurthemelit të Katedralës.
Ndërsa, nesër, një ditë para shugurimit të Katedrales, Mesha, Lutja e Mbrëmësores me Lutjet e Nënë Terezës zhvillohet në Kishën e Shën Ndout në Prishtinë, në orën 18:00.
Nga Ipeshkvia e Kosovës, Komisioni për Media i krijuar enkas për ngjarjen e madhe të shugurimit të Katedrales Nëna Terezë, për të cilën janë bërë tashmë edhe akreditimet e para të mediave vendore dhe ndërkombëtare, mes të cilave Gazeta DIELLI, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, me korrespondentin në Prishtinë, sot u njoftua edhe “Ecuria e ritit të shugurimit të kishës”:
“Që nga shekulli i 4-të është zakon që një kishë katolike të fillojë të përdoret në formë solemne, para së gjithash në një kremtim solemn eukaristik – në meshë të shenjtë (shërbesë liturgjike). Zakonisht një kishë e re kushtohet, respektivisht shugurohet nga ipeshkvi i vendit.
Riti i shugurimit të Shenjtërores Shën Nënë Tereza në Prishtinë fillon me procesionin nga rezidenca ipeshkvore drejt dyerve hyrëse të kishës. Prijnë ministrantët (shërbestarët liturgjikë) dhe priftërinjtë bashkëkremtues pas të cilëve shkojnë i Deleguari i posaçëm i Vatikanit kardinali shqiptar Ernest S. Troshani i shoqëruar nga ipeshkvi i vendit Mons. Dodë Gjergji bashkë me ipeshkvinjtë e tjerë të ftuar. Në hyrje të kishës bekohet uji i përgatitur për të bërë ripërtëritjen e dëshmisë së pagëzimit të besimtarëve. Duke hyrë, kisha dhe hapësira e kishës spërkaten me ujë të bekuar. Në ndërkohë këndon kori i kishës i cili do ta përcejllë ceremoninë gjatë gjithë kohës.
Vijojnë leximet nga Shkrimi i Shenjtë. Pas Ungjillit dhe predikimit vijon kushtimi apo shugurimi në kuptimin e plotë të fjalës, i cili hapet me litanitë – ku thirrën në ndihmë ndërmjetësia e shenjtërve dhe shenjtëreshave të Kishës katolike. Vijon vendosja e relikteve – pikat e gjakut të Shën Nënë Terezes, në vendin e përgatitur – te truporja e saj anash altarit kryesor. Pastaj altari pastrohet me ujë të bekuar dhe lyhet me bagmin apo vajin e shenjtë. Gjithashtu me këtë vaj të shenjtë lyhen edhe dymbëdhjetë kryqet e apostujve në muret e kishës. Mbi altar digjet temjani apo kemi, shoqëruar nga një këngë e kënduar e bashkësisë dhe lutja e kushtimit nga ana e ipeshkvit. E gjithë kjo pasohet nga kremtimi eukaristik – kushtimi i dhuratave, respektivisht kujtimi i Darkës së fundit të Jezu Krishtit.
Në përfundim të gjithë besimtarët e këndojnë lutjen ‘Lavd e ndera të qoftë, o Zot’ në shenjë mirënjohje për këtë ngjarje të rëndësishme. Të pranishmit shpërndahen pas marrjes së bekimit solemn të kardinalit”.
“Ecuria e ritit të shugurimit të kishës” iu dërgua korrespondentit të Gazetës DIELLI nga Don Shtjefën Doda – Këshilli për Media i Shugurimit të Shenjtërores Shën Nënë Tereza bashkë me mesazhin, ku mes tjerash, shkruan:
“I nderuar z. Jashari,
Ju konfirmojmë se i kemi marrë të dhënat Tuaja për akreditim duke aprovuar kështu kërkesën Tuaj për të përcjellë shugurimin e kishës “Shën Nënë Tereza” me 5 shtator 2017, në Prishtinë.
Ju do ta keni vendin e caktuar për media brenda kishës e cila do të shugurohet…
Duke ju falënderuar për mirëkuptim e bashkëpunim Ju përshëndesim përzemërsisht.
Mirë se të vini!”.
Në festën e shugurimit të Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë do jenë të pranishëm edhe vatranë nga Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA, të ardhur edhe enkas e janë shumë mirëpritur edhe në Ipeshkvinë e Kosovës, si dhe shqiptarë të tjerë të diaspores sonë nga shumë vende të botës.
Vatranë nga SHBA, të Shqipërisë, Kosovës e viseve tjera shqiptare janë të pranishëm edhe në aktivitete tjera të “Ditëve të Nënë Terezës”, të nisura në 26 gusht. Në këtë ditë edhe u takuan me Ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, i ardhuri enkas bashkë me bashkëshorten Dila, Marjan Cubi, anëtar i Kryesise së Vatres, njëherësh arkëtar si dhe kryetar i Komisionit për mbledhjen fondeve për ndërtimin e Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë, anëtari i Komisionit, Fran Marku, si dhe Tomë Paloka që do e botojë së shpejti librin “Shqiptarët më të mirë në Amerikë që i njoha unë”…
Në 31 gusht, Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, i ka pritur në takim në Ipeshkvi dhe i ka shoqëruar në vizitë Katedrales Zef Balajn, vatran i vjetër, anëtar i Kryesisë së Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, që ka ardhë me bashkëshorten Lina, anëtarin e Këshillit të Vatrës, Lek Përlleshi, me bashkëshorten Vera, si dhe Nue Balajn, nip i Zefit, që ishin së bashku.
Edhe në këto raste u theksua se shqiptarët nga SHBA – Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, që vepron në Nju Jork dhe rrethinë, kanë kontribuar për mëse 9 vite me 2 milionë dollarë, që janë mbledhur dhe janë dorëzuar.
Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji në fjalën përshëndetëse në hapje të “Ditëve të Nënë Terezës” vlerësoi lart të gjitha kontributet, ndërsa takoi e falënderoi vatranët edhe gjatë koktejit.
“Dua me këtë rast të falënderoj të gjithë donatorët, që na kanë ndihmuar për ndërtimin e kësaj Kishe, ata që janë sot prezentë e ata që do të jenë me 5 shtator”, u shpreh Ipeshkvi Gjergji.
Shugurimi i Katedralës Nënë Tereza bëhet në 5 shtator 2017, në ditën që është e 1 vjetorit të shenjtërimit e të 20 vjetorit të kalimit në amshim të shenjëtëreshes shqiptare.
Para një viti, në 2016-tën, shenjtërimit të Shën Nënë Terezës i parapriu Koncerti i Filharmonisë së Kosovës “Valsi Hyjnor” në Bazilikën Shën Pali Jashtë Mureve, në 3 shtator, me një përfaqësi mbarëshqiptare. Meshën e Shenjtërimit e udhëhoqi Papa Françesku në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan në 4 shtator. Mesha e falënderimit është udhëhequr nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, në 5 shtator.
Në 26 gusht, kur nisën “Ditët e Nënës Terezë” në mbrëmje feste e programi kulturor me këngë klasike dhe recitim të poezive dhe uratave të Nënë Terezës në Katedrale u hap edhe një ekspozitë e autorit Sakip Imeri e fotografive dokumentare që nga vënia e gurthemelit të Katedrales në Prishtinë.
Pjesë e veprimtarive është edhe ekspozita me fotografi e dokumente “Shenjtorja shqiptare nga Shkupi – korrespondenca”, e cila është hapur në Bibliotekën Kombëtare në kryeqytetin e Kosovës, me bashkëorganizim të Institutit të Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup dhe Ipeshkvisë së Kosovës.
Nën një nga fotografitë e ekspozitës lexojmë: “Gonxhe Bojaxhiu nxënëse në shkollën fillore shqiptare të Shkupit, në vitin shkollor 1922/1923”.
Shqiptarja Gonxhe Bojaxhiu, e lindur në 26 gusht të vitit 1910 në Shkup, u bë Motra Tereze e Loretos (1929); Nënë Tereza – “Misionare e Dashurisë” (1950); Nobelistja e Paqes (1979), e Lumja Nënë Tereza (2003); Shën Nënë Tereza (2016).
Në 10 dhjetor 1979, sipas raportimit në atë kohë të gazetës tradiconale të Kosovës Rilindja, Nëna Terezë, pasi kishte pranuar Çmimin Nobël për Paqe në Oslo ka deklaruar: “Përsa i përket prejardhjes, unë jam shqiptare, indiane përkah nënshtetësia, motër murgeshë katolike, përkah thirrja, që i përkas tërë botës…”
Biografi i Nënë Terezës, Don Lush Gjergji, Vikar Gjaneral i Ipeshkvisë së Kosovës, ka shkruar: “Kush ishte Gonxhe Bojaxhiu? Bija e Kolë Bojaxhiut, me prejardhje nga Prizreni, dhe Drane lindur Bernaj – Bojaxhiu, nga Novosella e Gjakovës, por edhe më tepër bija e krishterimit tonë dymijëvjeçar, e traditës, kulturës dhe martirizimit të popullit shqiptar….
Kush ishin prindërit e saj? Kolë Bojaxhiu (1872-1919) ishte tregtar i njohur, ndërtimtar, muzikant, poliglot, patriot i shquar, por mbi të gjitha bamirës dhe babë i shumë të varfërve të Shkupit dhe të rrethinës. Angazhimin e tij për drejtësi dhe barazi e pagoi edhe me jetë, si duket qe helmuar në Beograd, sepse i mbronte të drejtat themelore të njerëzve të pambrojtur, sidomos të shqiptarëve.
Drane Bojaxhiu (1889-1972) ishte grua e mirë, shtëpiake e kujdesshme, nënë e zellshme dhe shumë e përshpirtshme, shpirt dhe zemër për çdo nevojtar, edukatorja e parë e Gonxhe Bojaxhiut.
Familja Bojaxhiu pati edhe dy fëmijë të tjerë: Lazër Bojaxhiu (1905-1981) dhe Age Bojaxhiu (1908-1973)”.
“Unë jam prej Prizreni, prindërit e mi kanë lindur në Prizren”, kujtonte fjalët e Nënë Terezes, Don Shan Zefi, Kancelar i Ipeshkvisë së Kosovës, nga takimi i parë në vitin 1975, në një bisedë ekskluzive që kam zhvilluar në 100 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, në qershor 2010
“Isha në gjimnazin klasik në Suboticë (qytet në Krahinën e Vojvodinës në federatën e atëhershme jugosllave), ku ishim rreth 40 seminaristë kosovarë… Kur i tham se jemi nga Kosova, Nëna Tereze menjëherë u shpreh shqip, duke treguar se është nga Prizreni. Me një emocion të jashtëzakoshëm filloi të flasë shqip me ne shqiptarët…”, tregonte Zefi.
Ai tregonte se me Nënën Tereze është takuar edhe në Shkup, në vitin 1986. “Thoshte edhe atje se ishte e lindur në Shkup, se kishte prindërit nga Kosova”.
Po ashtu, Zefi tregonte se me Nënën Terezë ka pasur 3-4 takime edhe në Romë.
“Edhe recitonte, lutej në shqip. ‘Punën e pendimit’ e thoshte shqip gjithmonë…”, shprehej Zefi, derisa bisedonim në Selinë e re të Ipeshkvisë së Kosovës dhe në Katedralën në ndërtim në Prishtinë…
Gurthemeli i Katedrales në Prishtinë është vënë në 26 gusht 2005 për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë nga ana e Presidentit historik Ibrahim Rugova, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe Kardinalit të Uashingtonit Teodor Mekkerik.
“Papa Gjon Pali i Dytë e ka përkrahur personalisht ndërtimin e kësaj katedraleje”, theksonte Presidenti Rugova.
Katedralja në Prishtinë nisi të ndërtohej ndërkohë që ishte festuar 6 vjetori i Kosovës së lirë nga qershori 1999. Në 2005-tën shënohej dhe 600 vjetori i lindjes së kryeheroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.