NGA ILIR LEVONJA/Për ne shqiptarët shtrëngimi i duarve është një rrugë e vështirë. Por, pse ta mohojmë, emocionante.
Ndofta nga që ne e kemi të pamundur, të duam sinqerisht.Ndofta nga që e kemi dënuar vetëm me faktin se, çfarë do thojë bota. Kutadish se çdreqin është. ?! Por ne e kemi gati të pamundur. Na mbysin gulçet. E kurrë se shikojmë njëri-tjetrin drejt e në sy. E kurrë nuk e njohim qetësinë e argumentin.
Veç ama të bërtiturat, pështymat, rrahjet e gjoksit, po. I kemi mjete vitale të së përditshmes.
Unë nuk dua të ndalem se cila palë fitoi dhe cila humbi. Kjo është një politikë e nostalgjikëve. Atyre që bëjnë kurban edhe jetë njerëzish. Si e si tu shkojë e tyrja.
Të bësh kurban idetë apo fjalët është më normale. Dhe më pa kosto gjë në botë. Po kujt shqiptari ia thua këtë.
Padyshim që refreni i sotshëm i tyre, është pranimi i PD-së të bëhet pjesë e kësaj qeverie droge. Dhe jo pjesëmarrëse e zgjedhjeve të lira, të mbikqyrura nga një qeveri teknike etj. Pasi pranimi i pushtetit në tavolinë, i posteve, nuk qe çështja demokrate. Megjithëse akoma priten zhvillime. Shkurt PD iu largua çështjes. Ndofta sfidës më të madhe në këto kohë të reja. Por vështruam aty edhe ngritjen e një lideri, i cili e ktheu çadrën nga një vend hajengu i ditëve të para, në një çështje të madhe. Madje u tregoi kokave të nxehta se protestat bëhen edhe pa gurë, plumba e të vrarë. Bëhen pa thyer e djegur. Pa ndenjur në fund të turmës, por në krye dhe i qartë.
Dhe kaq normalitet e kish të domosdoshëm Shqipëria.
Nuk humbi as Edi Rama nga krahu tjetër.
Një turrë e tërë që pëllasin të shkumosur dhe identifikojnë gjithçka me faktin e një lëshimi të tepruar. Sikur t’i ketë dhënë botën një opozite që nuk ekziston.
Një turrë e tërë që me atë mendësinë provinciale tonën, që për inat të sime vjerre, po shkoj të fle me mullixhiun. Dhe këta, për inat të Saliut janë gati të murosin, jo vetëm mëkatet e tyre, por edhe një popull të tërë. Madje nuk e kanë aspak për gjë të quhen vet popull, pozitë dhe opozitë. Nuk kanë për asgjë të murosin edhe abc-në e demokracisë.
Në fakt e gjithë kjo mëndësi ka qënë vraja jonë kombëtare.
Shpërbërja jonë e pashmangshme.
Shkurt e pa stërhollime, nuk humbi askush.
Veç vendi fitoi një qetësi të domosdoshme. Një normalitet.
Dhe dhëntë zoti e pafshim sa më shumë shtrëngime duarsh të tilla. Edhe orëve të vona, pasi nuk ka se si bëhet më bukur të jetosh mes ëndrrës dhe realitetit. Nuk ka gjë më emocionuese, se sa kur sheh dy lidera shqiptarë, të kthyer në truallin normal të demokracive në botë.
Nuk janë më të aftë se ne këta, këtej.
Po ndryshe nga ne nuk kanë nerva me shumicë. Ama më të aftë nuk janë.
Paçim sa më shumë marrëveshje. Takime e ritakime…, sepse si do që të jenë. Janë më efikase se ngërçi kolektiv dhe inatet për të gjetur të drejtën. Kujt i takon e kujt nuk i takon ajo. Kush ka të drejtë dhe kush nuk ka. Kjo për një arsye të thjesht, rifreskimi, lëvizja.
Eshtë njësoj sikur hapni dritaren e ajri i përtërirë iu freskon tëmthat.
Dhe ndofta kjo lëvizje përpara sjell e ysht përfundimisht edhe atë edukatën në demokracitë e konsoliduara. Ku individi vjen, ngrihet për të drejtuar një force politike. Për të fituar që të drejtoj edhe vendin. Vjen drejton dhe largohet. Dhe jo, të ngulet për tu punësuar aty, si në parti, ashtu edhe në pushtet.