Kosovë-shtypi: Opozita nuk do ta bllokojë ratifikimin e MSA-së/
-Tituj të tjerë: “Çollaku: MSA, më e rëndësishmja pas Pavarësisë”, “Hapet ‘dera’ e BE-së”, “Kosova më në fund përjeton një gëzim europian!”, “Mustafa: Kosova tani partner i Bashkimit Europian”, “Vuloset rruga e Kosovës për në BE”/
PRISHTINË, 28 Tetor 2015/ Subjektet politike opozitare do ta pezullojnë bllokadën e punës së Kuvendit kur në rend dite të vihet aprovimi i Ligjit me të cilin ratifikohet Marrëveshja për Stabilizim-Asociim (MSA), e firmosur të martën në Strasbourg nga autoritetet e Kosovës dhe ato të Bashkimit Evropian. As qeveria nuk do ta vonojë shumë procedimin për ratifikim, paralajmëron sot shtypi në Prishtinë.
Me kryetitullin “Opozita nuk do ta bllokojë ratifikimin e MSA-së”, Koha Ditore shkruan se, në sesionin vjeshtor janë përmbyllur vetëm dy seanca plenare, me gjithë shumë tentativave që janë bërë. Edhe ato janë zhvilluar në kushte të jashtëzakonshme – njëra nën zhurmën e filikaçave dhe tjetra në bufe të Kuvendit. Që nga fillimi i këtij sesioni opozita ka kushtëzuar zhbllokimin me tërheqjen e nënshkrimit nga ana e qeverisë në Marrëveshjen për parimet mbi bazën e të cilave do të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, si dhe nga Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Nga të tria subjektet politike opozitare, vetëm Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është deklaruar qartë se do ta lejojë ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.
Në anën tjetër, në lëvizjen “Vetëvendosje”, subjekt ky kryesor opozitar, kanë thënë të jetë herët tash të jepet një përgjigje në lidhje me pozicionimin për ratifikimin e MSA-së.
“MSA ‘çarmatos’ opozitën”, është titulli te Zëri. Sipas kësaj gazete, ratifikimi i Marrëveshjes për Stabilizim-Asocim për herë të parë, pas shumë seancave të ndërprera, pritet ta “çarmatosë” opozitën dhe me flamur të bardhë ta kthejë në Kuvendin e Kosovës. Nënshkrimi i MSA-së ditën e djeshme me BE-në duke vënë kështu marrëdhënie kontraktuale me Evropën, shihet si e mirë e madhe edhe për opozitën. Megjithëse, ata hezitojnë për ta pranuar me “plot gojën” votën për këtë marrëveshje, opozita ka garantuar se të paktën bllokime nuk do të ketë. Madje, AAK-ja ka përshëndetur edhe publikisht nënshkrimin e MSA-së. Edhe nga analistët “kundërshtimi” i opozitës nuk mendohet të ndodhë. Ndërkohë, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, ka urdhëruar Kuvendin që të bëjë ratifikimin sa më të shpejtë të këtij procesi edhe pse kjo çështje nuk do të jetë pikë e rendit të ditës të hënën në seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës. Ndërkohë, apel në drejtim të opozitës pas nënshkrimit të Marrëveshjes, për të ulur armët dhe për të filluar dialogun, kanë dërguar edhe zyra e BE-së në Prishtinë dhe ambasadat e vendeve të BE-së të cilat tashmë e kanë njohur shtetin e Kosovës, shkruan gazeta.
Ndërsa, kryetitulli te gazeta Zëri është “Çollaku: MSA, më e rëndësishmja pas Pavarësisë”, ku theksohet se, “ministri Bekim Çollaku thotë se nënshkrimi i MSA-së është ngjarja më e rëndësishme për Kosovën që nga Shpallja e Pavarësisë. Sipas tij, kjo Marrëveshje e njeh qartë territorin e Kosovës”. “Hapet ‘dera’ e BE-së”, është poashtu titull qendror i ballinës.
“Kosova më në fund përjeton një gëzim europian!”, është editoriali i gazetës Bota Sot, e cila në kryetitull thekson “Mustafa: Kosova tani partner i Bashkimit Europian” dhe “Një hap më afër Europës. Nënshkruhet MSA-ja”. Gazeta Epoka e Re ka kryetitull “Vuloset rruga e Kosovës për në BE”.
Në Kuvendin e Kosovës nuk është renditur në axhendë ratifikimi i Marrëveshjes për Stabilizim-Asocim, e cila është nënshkruar pas kohës së mbajtjes dje të mbledhjes së Kryesisë me shefat e grupeve parlamentare, ku u përcaktua rendi i ditës për seancën vijuese, por pritet të jetë së shpejti.
Seanca e radhës e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mbahet të hënën, në 2 nëntor. Kështu ka vendosur dje Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen ku ishin prezentë edhe kryetarët e grupeve parlamentare, por jo edhe të opozitës.
Në seancën plenare të së hënës, në të cilën përsëri paralajmërohen bllokime nga opozita, ligjvënësit kosovarë pritet të shqyrtojnë një varg projektligjesh, raportesh e rekomandimesh.
Seanca parlamentare e ftuar vetëm nga përfaqësuesit e pozitës për pasditën e 23 tetorit u pamundësua nga opozita edhe duke hedhur gaz lotsjellës, disa herë, deri në mesnatë, e pas mesnatës në orët e para të 24 tetorit u mbajt një seancë në rrethana të jashtëzakonshme jo në sallën plenare, në të cilën qëndronte vetëm opozita e “përjashtuar”.
Kuvendi i Kosovës, kishte më shumë se një muaj nga fillimi i sesionit vjeshtor, nuk kishte arritur të përfundojë asnjë nga seancat plenare të ndërprera nga opozita edhe me hedhje gazi lotsjellës, të vezëve e shisheve të ujit, me “rrethime” të foltores e kryesuesit, mes fërshëllimash e fjalorit të ashpërsuar gjithnjë e më shumë, madje deri në banalitet, derisa jashtë Kuvendit në shesh kishte edhe protesta./b.j/
Shtypi në Kosovë: Legalizimi i pushtetit të dyfishtë
-Spahiu në Koha Ditore: De facto, Asociacioni është republikë. Zeri: Serbia bleu 350 shtëpi të shqiptarëve në veri. Bahtiri: Mitrovica po bashkohet!/
PRISHTINË, 25 Tetor 2015/ “Legalizimi i pushtetit të dyfishtë”, është një kryetitull shkrimesh në shtypin e sotëm në Prishtinë për bashkësinë-asociacionin e komunave me shumicë serbe, për të cilën në dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel është arritur marrëveshja bazë në 19 prill 2013 – raundin e 10-të dhe ajo e parimeve pikërisht para dy muajve, në 25 gusht, në raundin e 28-të kryeminsitror.
Nga “dy kapela” i mbajnë Aleksandar Spiriç, Vuçina Jankoviç, Dragan Jablanoviç, Stevan Vuloviç dhe Bratislav Nikoliç. Janë në krye të komunave me shumicë serbe dhe ushtrojnë pushtet të dyfishtë në Kosovë, pasi mandatin e tyre e bazojnë në dy sisteme – atë të Kosovës dhe në sistemin e Serbisë.
Nuk janë të vetmit këta që formalisht mbajnë mandate, të cilat burojnë nga ligjet e shtetit që i përkasin, e faktikisht punojnë për llogari të fqinjit verior, që me Kushtetutë Kosovën e definon si pjesë të territorit të vet. Ka edhe titullarë të një numri të madh institucionesh të tjera që operojnë ngjashëm. Ka edhe kompani që sa për formalitet në Kosovë janë regjistruar si të reja, e që në fakt janë degë të kompanive publike të Serbisë, shkruan sot gazeta Koha Ditore në Prishtinë.
Dhe kupola e gjithë mekanizmave të këtillë do të jetë Asociacioni i komunave me shumicë serbe, i cili është në fazë konstituimi. Marrëveshja bazë për të është mbërritur në 2013-n, e ajo që përmban parimet mbi të cilat do të ngrihet është firmosur dy muaj më parë. Marrëveshja për parimet ka nxitur reagime të forta në Kosovë, ngaqë konsiderohet se ajo ka cenuar drejtpërdrejtë fondamentet e shtetit të Kosovës – shpërbën karakterin e shtetit unitar. Opozita ka bllokuar prej atëherë punën e Kuvendit dhe zhbllokimin e ka kushtëzuar me heqjen e nënshkrimit nga kjo marrëveshje.
Juristët tërheqin vërejtjen se që nga fillimi i dialogut Serbia ka imponuar një axhendë dialoguese që për qëllim final, në vend të normalizimit të situatës në veri, kishte legalizimin e prezencës së saj në kuptimin institucional në Kosovë.
Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë se modeli i sovranitetit të dyfishtë që Serbia po e shtyn përpara vërehet jo vetëm në kuptimin e të emëruarve të lartë politikë, por edhe në kuptimin e autorësisë, për shembull, mbi pronën publike dhe shoqërore në Kosovë.
“De facto, Asociacioni është republikë”, është titulli tjetër i gazetës ku citohet Nexhmedin Spahiu, publicist nga Mitrovica, në një intervistë. Ai është profesor i shkencave politike dhe sheh rrezik të madh nga marrëveshjet e fundit që Kosova i ka mbërritur me Serbinë, e të cilat veçmas e prekin qytetin e tij.
Vë theksin te dy nga katër marrëveshjet e firmosura gjatë muajit gusht – te Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe te ajo për rivitalizimin e urës qendrore në Mitrovicë, e cila ndodhet mbi lumin që ndan qytetin në dy komuna me shumicë etnike të ndryshme.
Tek flet për Asociacionin, Spahiu pak rëndësi i kushton asaj që shkruan në marrëveshje. Thotë se funksionimi i këtij Asociacioni e bën de fakto funksionimin e “Republika Srpskas” në Kosovë, por pa emrin “republika”. Emri “republikë”, sipas tij, mund t’i vihet më vonë – në momentin kur të vijë në rend dite që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.
E tek flet për urën e Ibrit, përmend një paradoks që përmban plani për rivitalizimin e saj – hapësirën e madhe gjelbëruese, në dëm të përgjysmimit të korsive të rrugës. Me të dëmshme se këtë e vlerëson mosplanifikimin për ta ngritur xhaminë e djegur në luftë, themelet e së cilës ndodhen në brigjet veriore të Ibrit, skaj urës. Mungesa e saj thotë se do të krijojë barriera psikologjike në mes të dy pjesëve të Mitrovicës.
Në këtë intervistë Spahiu ka folur edhe për efekhtet e marrëveshjeve dhe nevojën për dialog. Po kështu, edhe për strukturat që Serbia vazhdon t’i mbajë në Kosovë. Ai ka argumentuar se, edhe nëse shpërbëhen formalisht, nuk do të jetë e vështirë ringjallja e këtyre strukturave.
Ndërsa gazeta Zëri në një titull sot thekson se, “Serbia bleu 350 shtëpi të shqiptarëve në veri” të Mitrovicës.
Sipas gazetës, mbi 350 shtëpi dhe shumë më shumë banesa të shqiptarëve në pjesën veriore të Mitrovicës Qeveria e Serbisë i ka blerë duke u ofruar shuma marramendëse të parave.
Më së shumti shtëpi, sipas burimeve të gazetës, shqiptarët i kanë shitur në “Lagjen e Boshnjakëve” mbi 120, por numër të madh të shtëpive të shqiptarëve qeveria serbe i ka blerë edhe në lagjet tjera veriore me shuma marramendëse.
Shqiptarët e veriut thonë se janë shitur mbi 60 për qind e pronave të tyre në mesin e të cilave edhe banesa, të cilat paraprakisht janë uzurpuar nga serbët.
Në këtë mënyrë, duke blerë shtëpitë e shqiptarëve Serbia bën spastrimin etnik në veri të Mitrovicës.
Sipas shqiptarëve të veriut, pronat e tyre po shiten me ndërmjetësimin e “matrapazëve dhe të avokatëve”, ndërkohë që trendin e shitjes së pronave të shqiptarëve në veri nuk mund ta ndalë askush, madje as nuk bëhen përpjekje.
“Mitrovica po bashkohet!”, është titulli tjetër i gazetës. Kryetari i Komunës së Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri, ka thënë se me rivitalizimin e urës mbi lumin Ibër dhe me largimin e barrikadave në këtë qytet po bashkohet Mitrovica.
Madje, sipas tij, me ardhjen e tij në pushtet në Komunën Jugore dhe të Goran Rakiçit në atë Veriore raportet në mes të shqiptarëve dhe serbëve janë duke u normalizuar edhe më shumë, pasi Bahtiri thotë se të dy kryetarët janë duke u angazhuar për një gjë të tillë.
Këto deklarata kryearti i Mitrovicës Jugore i ka dhënë në një intervistë për gazetën Zëri.
Bahtiri, gjithashtu, ka thënë se Suhodolli do të mbetet nën administrimin e Komunës Jugore, ashtu siç parashihet edhe në Planin e Ahtisarit.
Për më tepër ai ka thënë se nëse kërkohet që të tejkalohet Plani i Ahtisarit, ai do të kërkojë që çdo vendbanim me shqiptarë në veri të kalojë nën administrimin e Komunës, që ai e drejton./b.j/
Shtypi në Kosovë : Analistët: Rruga e vetme, dialogu
-“Nëse opozita përcaktohet për variantin e vazhdimit të bllokadës dhe provokimit të konfliktit, kjo atëherë çon drejt ndeshjes me forcën e shtetit. Si pasojë, do ta kemi rrezikun e shpërthimit të një lloj lufte civile ose, të paktën, të gjendjes së anarkisë, gjë që do ta komprometonte aftësinë e Kosovës që të krijojë shtet stabil”./
Analistët politikë Shkëlzen Maliqi dhe Nexhmedin Spahiu, duke e komentuar situatën e fundit ndërmjet pozitës dhe opozitës, kanë paralajmëruar se mund të ketë veprime edhe më radikale në seancën e radhës të Kuvendit, në rast se nuk ndërmerren hapa për ta qetësuar situatën.
Njohësi i proceseve politike, Shkëlzen Maliqi, ka thënë se zgjidhja më e mirë për tejkalimin e krizës është dialogu dhe tërheqja e opozitës nga qëndrimet ultimative. Në të kundërtën, ai ka thënë se ka rrezik për shpërthimin e një lloj lufte civile. “Nëse opozita përcaktohet për variantin e vazhdimit të bllokadës dhe provokimit të konfliktit, kjo atëherë çon drejt ndeshjes me forcën e shtetit. Si pasojë, do ta kemi rrezikun e shpërthimit të një lloj lufte civile ose, të paktën, të gjendjes së anarkisë, gjë që do ta komprometonte aftësinë e Kosovës që të krijojë shtet stabil. Zgjidhja më premtuese do të ishte nëse do të vendosej kanali i dialogut, pra që opozita të heqë dorë nga ultimatumet, duke kërkuar nga pushteti garancitë se marrëveshjet nuk çojnë drejt pasojave që ajo i alarmon”, ka deklaruar Maliqi për “Epokën e re”, duke shtuar se, nëse partitë opozitare nuk do të ndalen atëherë, sipas tij, kemi të bëjmë me një shembull tipik të dhunës interpretative. “Opozita e kushtëzon Qeverinë të heqë dorë nga marrëveshjet ndërkombëtare që i ka nënshkruar, atë për asociacionin e komunave serbe dhe atë për demarkacionin me Malin e Zi. Opozita thotë: Hiqni dorë nga nënshkrimet dhe ne do ta zhbllokojmë Kuvendin! Por, në të vërtetë, ajo nuk ndalet tek kjo. Në esencë kërkon edhe më shumë, skajshmërisht shumë. Kemi të bëjmë me një shembull tipik të asaj që unë do ta quaja dhunë interpretative, kur një subjekt politik pretendon se qëndrimet e saj janë të drejta, alfa dhe omega e situatës dhe se nuk mund të ketë qëndrime të tjera. Pastaj opozita kërcënon se do të kalojë në protesta publike derisa pushteti aktual nuk dorëzohet dhe nuk anulohen marrëveshjet”, ka thënë Maliqi.
Ai ka vlerësuar se kjo nuk është pikënisje e duhur për ta zgjidhur çështjen, pasi shumica e koalicionit në pushtet, e përkrahur nga bashkësia ndërkombëtare, nuk ka ndërmend të tërhiqet nga marrëveshjet, as nga pushteti që e ka falë votës së fituar vitin e kaluar dhe, sipas Maliqit, kjo krijon atë situatë të tensionuar që mund të çojë drejt konfliktit të hapur. “Opozita sikur synon që pushtetin ta përmbysë me dhunë, ndërkaq që pushteti i kontrollon forcat e rendit dhe sigurisë dhe mund të intervenojë kundër ambicieve puçiste të opozitës militante”, ka theksuar Maliqi. Sipas tij, një prej arsyeve për radikalizimin e opozitës është frika e disa drejtuesve të saj nga ndërhyrja tashmë e legalizuar e faktorit ndërkombëtar, sepse së shpejti do ta kemi të instaluar Gjykatën Speciale. “Edhe te Vetëvendosja!, tek AAK-ja dhe Nisma kemi disa figura politike të spikatura dhe mujshare, që do të mund të gjykoheshin nga Specialja. Për dallim nga mujsharët e pozitës, kandidatë për Specialen, që bashkëpunimin me ndërkombëtarët e shohin si mundësi për ‘amnistim’ nga ndjekja penale, mujsharët e opozitës përcaktohen për radikalizim të qëndrimeve dhe veprimeve, për të krijuar idenë se janë faktorë me fuqi destabilizues: mos na prekni, mund të sjellim anarki dhe kaos në Kosovë!”, është shprehur Maliqi.
Duke folur për mundësinë e intervenimit të faktorit ndërkombëtar, ai ka thënë se tashmë ndërkombëtarët mbajnë qëndrimin e prerë në favor të Qeverisë dhe e kritikojnë ashpër opozitën. “Kjo ia jep mazhorancës fuqinë ta mbrojë kushtetutshmërinë me të gjitha mjetet, ndërkaq përpjekja e opozitës që të imponohet me dhunë do të ishte aventurë e rrezikshme, sepse nuk do ta ketë përkrahjen as të ndërkombëtarëve, as të shumicës së popullit”, ka vlerësuar Maliqi.
Edhe analisti tjetër politik, Nexhmedin Spahiu, duke folur për zhvillimet e fundit, ka thënë se klasa politike e Kosovës është duke luajtur me zjarr. Ai ka thënë për “Epokën e re” se Kosova ka nevojë për formimin e një qeverie teknike me mandat njëvjeçar. “Nëse nuk ndërmerren masa të menjëhershme, situata rrezikon të përshkallëzojë. Ajo çfarë i duhet Kosovës aktualisht është formimi i një qeverie teknike, ku do të përfshiheshin të gjitha partitë politike parlamentare me një mandat njëvjeçar derisa të qetësohet situata. Përndryshe, ndezja e gjakrave, që veç ka filluar, mund të dërgojë në një situatë tepër të rrezikshme edhe për fatin e Kosovës. Prandaj, është koha që pozita dhe opozita të ulen, të bisedojnë dhe të formojnë një qeveri teknike gjithëpërfshirëse dhe të përgatiten për zgjedhje pas një viti”, është shprehur Spahiu. Në këtë kontekst, ai ka thënë se është e domosdoshme ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar që, sipas tij, duhet të ndodhë sa më shpejt. “Mendoj se ambasadorët e vendeve të Quintit duhet të takohen me të gjithë liderët politikë dhe të bëjnë një zgjidhje, pra qeverinë teknike. Nuk ka zgjidhje tjetër e cila do të mund ta evitonte përshkallëzimin e mëtutjeshëm të dhunës që veç ka filluar. Po ashtu, mund të ketë veprime edhe më radikale në seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës në rast se nuk ndërmerren hapa për ta qetësuar situatën”, ka deklaruar Spahiu.
Kosovë-shtypi: Arrestimi i Kurtit mat potencialin e trazirave
PRISHTINË, 13 Tetor 2015/ “Arrestimi i Kurtit mat potencialin e trazirave”, shkruan sot shtypi i Kosovës në një kryetitull balline.
Gazeta “Zëri” raporton se, policë e protestues të lënduar, vetura të djegura, objekte të tjera të demoluara është bilanci i demonstratave që plasën pas arrestimit të ish-liderit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, në mbrëmjen e së hënës. Ka mjaftuar vetëm një alarm i partisë më të madhe opozitare, “Vetëvendosje”, se lideri “shpirtëror” i kësaj partie u arrestua nga Policia dhe qindra protestues të barrikadohen para Stacionit Policor në Prishtinë. Menjëherë ka plasur përleshja e aktivistëve më radikalë të LVV-së dhe Policisë, që rezultoi me dhunë deri në momentin kur u dha lajmi se deputeti Kurti u lirua.
Policia gjatë gjithë kohës përdori gazin lotsjellës dhe spërkatësin neutralizues, ndërsa protestuesit përveç gurëve kanë djegur edhe koshat e mbeturinave, si dhe disa vetura zyrtare.
Albin Kurti, deputet i Kuvendit të Kosovës, u arrestua nga Policia me urdhër, siç u tha, të Prokurorisë, pas dyshimit për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e Kuvendit të Kosovës. Kurti është ndaluar në magjistralen Ferizaj – Prishtinë dhe është shoqëruar për intervistim në Stacionin Qendror të Policisë në kryeqytet. Ai ka qenë bashkë me deputetin dhe shefin e Grupit Parlamentar të “Vetëvendosjes”, Glauk Konjufca, dhe dy aktivistë të tjerë të kësaj Lëvizjeje, që ishin duke u kthyer nga një aktivitet nga Shkupi.
“Prishtina fushëbetejë”, është kryetitulli në ballinë i gazetës “Koha Ditore”.
Pas një përleshjeje mbi tri orësh me gurë e gaz lotsjellës mes pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe protestuesve, deputeti i lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, është liruar nga arresti, mbrëmë vonë, pas mesnatës, shkruan gazeta.
Më tej thekson se, Kurti u ndalua në mbrëmje, rreth orës 9:00, derisa po kthehej nga Shkupi, në fshatin Çagllavicë, bazuar në, siç tha Policia, “urdhëresën nga prokurori kompetent”, në kuadër të hetimeve për hedhjen e gazit lotsjellës në seancën e fundit në Kuvend..
Vetë Kurti pas lirimit tha se policia kërkoi ta intervistonte, por ai ka refuzuar t’u përgjigjej pyetjeve që i kishin bërë gjatë mbajtjes në Polici tre hetues të krimeve të rënda.
Ai lirimin e tij ia atribuoi presionit të protestuesve, të cilët pas arrestimit të tij u tubuan para ndërtesës qendrore të Policisë në Prishtinë, ku, duke kërkuar lirimin e deputetit opozitar hodhën edhe gurë dhe mjete të forta, duke thyer xhamat e hyrjes së stacionit policor “Qendra”. “Besoj se pse jam liruar kaq shpejt ju e dini më mirë, se ju keni qenë jashtë e unë kam qenë brenda”, tha Kurti pas daljes nga Policia.
Ai nuk ka dashur të flasë në asnjë moment për hetimin e tij që nisi të premten lidhur me hedhjen e gazit në Kuvend. Madje refuzoi të përgjigjet edhe në atë nëse e konsideron vepër penale këtë akt. “Nuk kam pranuar të përgjigjem në asnjë pyetje të këtyre hetuesve dhe nuk kam pranuar avokat mbrojtës, unë përfaqësoj veten dhe nuk ka nevojë që të më mbrojë askush. Pyetje të prokurorisë dhe këtyre policëve unë nuk iu kam përgjigjur dhe nuk kam pse të ndërroj këtë qëndrim as tash”, tha ai për gazetën.
“Kryeqyteti në kaos pas arrestimit të Kurtit”, është titulli në ballinë i gazetës “Kosova Sot”, sipas së cilës “pakënaqësia qytetare merr dimension të ri”. “Deputeti Albin Kurti është arrestuar pak pas menatës, pas arrestimit nga Policia”, raporton gazeta.
Javën e kaluar, në 8 tetor, nga grupi parlamentar i LVV, deputeti Albin Kurti, është hedhur edhe gaz lotësjellës në “aksionet simbolike” protestuese të bllokimit të seancave plenare të Kuvendit të Kosovës që nga fillimi I sesionit vjeshtor, në një prej të cilave ka pasur edhe gjuejatje me vezë drejt kryeministrit. Në kundërshtim të 4 marrëveshjeve me Serbinë të 25 gushtit dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, opozita kosovare ka bojkotuar tre mbledhjet e kaluara të Kryesisë me kryetarët e grupeve parlamentare, bojkoton edhe komisionet parlamentare, ndërsa ka paralajmërtuar edhe protesta në rrugë.
Sot, pas mesditws, në zyrën qendrore të Lëvizjes Vetëvendosje mbahet konferencë e jashtëzakonshme për medie, në lidhje me ngjarjet e mbrëmshme./b.j/