-Priten edhe ndryshiumet kushtetuese drejt FAK-ut e Speciales/
-Shpërbëhet “Mbrojtja Civile” në komunat veriore me shumicë serbe/
– Para pesë vitesh, në 22 korrik, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konkluduar se miratimi i Deklaratës së Pavrësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008 “nuk e ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e as Kornizën Kushtetuese”/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 22 Korrik 2015/ Vera e Kosovës me shumë vapë është edhe me shumë punë për institucionet shtetërore, që do kenë në axhenda edhe ndryshimet kushtetuese drejt transformimit të FSK në FAK, për të cilin ka kushtëzime nga Lista Srpska dhe krijimit të Gjykatës Speciale, për të cilën ka mungesë votash në Kuvend.
Te merkuren paradite është mbledhur qeveria, e pasdite për vazhdimin e seancëns plenare të ndërprerë për shkak të mungesës së kuorumit, në 16 korrik, u mbidh Kuvendi i Kosovës, i cili nesër do të ketë edhe seancë të re.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, njëherit zëvendëskryeministër e ministër i Jashtëm, i ka thirrur deputetët e partisë së tij për të diskutuar sot paradite rreth themelimit të Gjykatës Speciale. “Kuvendi i Kosovës nuk duhet të mbyllë sesionin pa përmbyllur këtë proces të rëndësishëm”, u shpreh ai pas takimit.
Në 26 qershor, Kuvendi i Kosovës me 75 vota pro, 7 kundër, 2 abstenime nuk e miratoi propozim-amendamentin nr. 24 në Kushtetutën e Republikës për krijimin e Gjykatës Speciale. Votat kundër dhe abstenim ishin nga pozita – PDK, ndërsa opozita nuk mori pjesë në votim. Për miratim mungonin 5 vota, duheshin së paku 80 vota të Kuvendit 120 anëtarësh, përfshirë këtu edhe dy të tretat e 20 deputetëve të komuniteteve pakicë, prej tyre10 serbë.
Në Kuvendin e Kosovës pritet që qeveria të riprocedojë për votim amendamentin kushtetues që ka të bëjë me Gjykatën Speciale pasi për këtë edhe të sigurohet numri i nevojëshm prej dy të tretave, ndërkohë që mesazhet e partnerëve ndërkombëtarë të theksuara edhe sot në ballinat e shtypit kosovar janë se, shtyrja e votimit të Speciales është e dëmshme për Kosovën.
“Pres themelimin e Gjykatës Speciale. Shpresoj se do të bëhet së shpejti, dhe jo me vonesë dhe shpresoj që kjo do të na ndihmojë të gjithëve që të shohim Kosovën duke bërë progres në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar dje në Prishtinë Ministrja e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar dhe Përfaqësuese Speciale e Kryeministrit për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, Baroneshën Joyce Anelay.
Në 27 qershor, në një mbledhje konsultative të qeverisë u paralajmërua riprocedim dhe për këtë bashkërendësim e bisedime edhe me opozitën që nuk votoi në Kuvend ndryshimet kushtetuese, por në 30 qershor tre partitë opozitare kosovare së bashku deklaruan se, “vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës për refuzimin e ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale, i datës, 26 qershor 2015 është përfundimtar dhe i pakthyeshëm”.
Sipas opinionit të opozitës, të theksuar edhe sot, “riprocedimi i Speciales përmbys rendin kushtetues”. Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, cituar nga shtypi, “e ka ftuar qeverinë e Kosovës ta respektojë votën kundër të deputetëve për Gjykatën Speciale dhe të mos e riprocedojë këtë çështje më në Kuvendin e Kosovës”.
Ndërkohë, para se të futen në axhendë seance plenare të Kuvendit propozim-amendamentet kushtetuese të propozuara nga qeveria për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës, me kërkesë të shumicës së përfaqësuesve të subjekteve politike, Kryesia e Kuvendit të hënën vendosi “t’u japë kohë partnerëve të koalicionit të zhvillojnë konsultimet”.
Lista Srpska, me 10 deputetë, pjesë e koalicionit qeverisës në deklarata për media ka shprehë qëndrimin se, “nuk do të votojë transformimin e Forave të Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës derisa të përmbushen katër kushte”, të cilat janë: Formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe, emërimi nga komuniteti serb i zëvendësdrejtorit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, zëvendësi i komandantit të FSK-së të jetë poashtu nga radhët e komunitetit serb si dhe ndërprerja e privatizimit nëpër komuna, përfshirë Brezovicën (qendër turistike) dhe Trepçën (kombinatin xehtaro metalurgjik kimik ).
Ndërsa, nga ana e opozitës që e përbëjnë tre parti shqiptare, u deklarua se ka lëshuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit pasi nuk u pajtua “me vendimin e mazhorances që t’i tërheq nga pika e rendit të ditës ndryshimet kushtetuese për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës”.
Derisa nuk dihet kur do jenë në axhendë të seancave plenare ndryshimet Kushtetuese drejt FAK-ut e Speciales, sot dhe nesër në Kuvendin e Kosovës shqyrtohen e diskutohen çështje të tjera.
QEVERIA E KOSOVËS, KONKLUZIONE TË DIALOGUT NË BRUKSEL PËR SHPËRBËRJEN E “MBROJTJES CIVILE”
Ndërsa, qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka aprovuar konkluzionet e dakorduara për shpërbërjen e të ashtuquajturës “Mbrojtje Civile” e cila funksionon në komunat veriore me shumicë serbe dhe integrimi i tyre në institucionet e Kosovës. Këto konkluzione janë arritur në kuadër të dialogut në Bruksel.
Vendimi i sotëm është pjesë e përmbushjes së obligimeve të qeverisë së Kosovës që dalin nga dialogu dhe ofron bazën legale për institucionet e Kosovës që të bëjnë integrimin e 483 personave në institucionet legjitime të Republikës së Kosovës dhe shuarjen e këtyre strukturave ilegale.
Kryeministri Isa Mustafa e ka vlerësuar si hap shumë të rëndësishëm shuarjen e këtyre strukturave që kanë vepruar në veri të vendit, dhe integrimin sipas ligjeve të Kosovës në institucionet e Republikës së Kosovës.
“Natyrisht që është një kosto shtesë sepse është fjala për 483 punonjës, mirëpo, poashtu jemi konsultuar edhe me Ministrinë e Financave. Ne kemi një hapësirë të punësimit për këtë vit, dhe natyrisht edhe buxhetit të punësimit. Ne duhet të zbatojmë një vendim të tillë, në mënyrë që t’i integrojmë këto struktura, dhe pastaj do të bëjmë shuarjen e tyre, dhe poashtu do të bëjmë edhe shfrytëzimin e të gjitha objekteve dhe hapësirave që janë shfrytëzuar për ato qëllime, për institucionet legale të Republikës së Kosovës, që veprojnë në veri të vendit”, tha kryeministri Mustafa.
Ai shtoi se ky është edhe një obligim edhe ndaj Bashkimit Evropian dhe ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me të cilat janë quar përpara këto procese, duke shprehur besimin se po përmbyllet ky proces dhe se do t’i përmbyllen edhe proceset tjera që janë përpara.
Qeveria e Kosovës njoftonte në 26 mars 2015 se, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ishte arritur Marrëveshja për çështjen e të ashtuquajturës “Mbrojtja civile”. Me këtë rast ministrja për Dialogun Edita Tahiri, e cila ka udhëhequr negociatat për këtë çështje ka deklaruar se, “arritja e kësaj marrëveshje mes tre palëve, Kosovës, Serbisë dhe BE-së e cila është përmbyllur ka një rëndësi të madhe sepse i jep fund strukturës ilegale të ashtuquajtur ‘Mbrojtja Civile’ dhe mundëson integrimin e ish-pjesëtareve të sajë në institucionet e Republikës së Kosovës”.
“Marrëveshja parasheh procesin e zhbërjes së kësaj strukture paramilitare dhe procesin e integrimit të individëve në institucionet civile të shtetit të Kosovës, specifikon obligimet e palëve dhe afatet kohore të zbatimit. Marrëveshja parasheh mbylljen e të gjitha objekteve, zyrave dhe depove që kanë qenë në shfrytëzim nga kjo strukturë ilegale në komunat veriore të Kosovës dhe dorëzimin e tyre institucioneve të Republikës së Kosovës. Kjo marrëveshje duhet të zbatohet deri më 1 shtator 2015”, theksonte ministrja Tahiri.
VENDIMI I GJND PARA 5 VITEVE, VULË E LEGALITETIT TË SHTETËSISË SË KOSOVËS
Zv/kryeministri e ministri i Jashtëm kosovar, Hashim Thaçi, përkujton se sot shënojmë pesëvjetorin e opinionit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.
“Ky vendim dëshmoi se aspiratat e popullit të Kosovës për pavarësi ishin legjitime, derisa akti i shpalljes ishte në përputhje të plotë me çdo normë të zbatueshme të së drejtës ndërkombëtare. Edhe sot u jemi mirënjohës të gjitha shteteve mike që na përkrahën në këtë fitore të madhe ndërkombëtare, që përbën edhe vulën e legalitetit të shtetësisë së Kosovës”, thekson Thaçi.
Para pesë vitesh, në 22 korrik, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konkluduar se miratimi i Deklaratës së Pavrësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008 “nuk e ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e as Kornizën Kushtetuese”.
“Prandaj, miratimi i kësaj deklarate nuk e ka shkelur asnjë rregull të aplikushme të së dretës ndërkombëtare”, theksohej më tej.
Menjëherë pas këtij zhvillimi me rëndësi historike, në një deklaratë të anëtarëve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rikonfirmohej mbështetjetja e palëkundur për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës dhe bëhej thirrje për njohje.
“Grupi Drejtues Ndërkombëtar rikonfirmon mbështetjen e palëkundur të tij për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës demokratike dhe shumetnike në kufijtë e saj të tanishëm dhe i bën thirrje shteteve tjera që të njohin Kosovën. Ai po ashtu përshëndet përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe progresin e konsiderueshëm në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në punën për realizimin e perspektivës së saj evropiane”, theksohej në deklaratë.
Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur Pavarësinë, ishte formuar më 28 shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të Kosovës, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin, bazuar në Propozimin Gjithëpërfshirës të emisarit të posaçëm të OKB-së, kryenegociatorit për statusin, Martti Ahtisaari.