KRISTAQ TURTULLI/
Sa shpesh vëlla këmbehen stolat prej kashte, në lëkure,/
Eja të shkojmë të nxëmë prej idiotëve…/
Mes tonë i kemi, janë me shumicë./
Të themi atë që ata nuk thonë./
Nuk janë vëllezër siamezë./
Përsëri shëmbëllejnë shumë./
Por duhet të mësojmë prej tyre./
Po të duam të jetojmë…/
Ata nuk mund të meditojnë./
Por janë realisht komodë,/
Vlerësojnë jetën e vërtetë mondane,
Pinë puro kubane,
Ngaqë nuk kanë se çfarë të thonë.
Por sa të mendojë i mençuri ata mbarojnë punë…
Vërtet vëlla duhet mësuar prej idioteve.
Mes tyre këmbejnë stolat prej kashte, në lëkure.
Ehu vëlla, ku janë ata,
Mbi trurin e lëmyshqë, flokët xhelatinë.
Lart e poshtë, e në hava.
Por nuk bëhet shaka me ta, aha..!
Të kryqëzojnë si Krishti.
Të vënë në kokë kurorë me gjemba.
Dhe të qajnë me lot krokodili.
Ata janë më të lumturit e botës,
Më të pafajshmit,
Më të dëliret,
Më të sharët,
Më trutharët,
Më të pafytyrët,
Më fajtorët,
Më vrastarët.
Por ata nuk qederosen kur i shajnë,
Nuk kanë zemberek në zemër të këputet.
Sepse të shkurdisur janë.
Por sa të mendojë i mençuri, ata mbarojnë punë…
Dhe flenë në dyshekë me pupla.
Të tjerët ikin nga sytë këmbët.
Hë vëlla, më thuaj si do të ishte bota pa ata!
Një supë pule, apo trahana.
Aha..aha…aha!
Kur s’ka të tjerë hanë bakllava…