Intervistoi: Fejzi Braushi/*
Historiani Pëllumb Xhufi analizon konfliktin në Përmet mes Kishës dhe autoriteteve vendore, por edhe marrëdhëniet 22-vjeçare të qeverive shqiptare me Janullatos. “Ai ia ka arritur, sepse atij dhe misionit të tij politik i janë nënshtruar të gjitha qeveritë e korruptuara shqiptare të pas 1990” . Pëllumb Xhufi mbështet kabinetin në moshë të re të Ramës, por bën apel që atë mos ta kapë dalldia e rinisë me çdo kush. Rama-Meta? “Kur janë bashkuar kanë bërë mrekullira, kur janë zënë, kanë bërë hatara me kosto për të majtën”
I vetëlarguar nga politika për t’iu përkushtuar historisë, Pëllumb Xhufi mbetet një zë i fortë në mbrojtje të interesave të shqiptarëve sa herë që ai gjykon se ato cenohen nga ndërhyrje të vendeve fqinje, siç ishte dhe rasti i para disa ditëve me Kishën e Përmetit. Në një intervistë për MAPO-n, Xhufi denoncon rolin antishqiptar që luan kreu i Kishës Ortodokse Shqiptare, Anastas Janullatos, si dhe nënshtrimin e vazhdueshëm të qeverive shqiptare ndaj tij. Jashtë kësaj interviste nuk mbetet as qeveria e re, për të cilën Xhufi duket entuziast. “Nëse dyshja Rama-Meta do kenë vullnet për të bashkëpunuar, do dinë të bëjnë mrekullira”, – thotë ai.
Z. Xhufi, ditët e fundit në Përmet u krijua një situatë e rëndë, ku kleri ortodoks reagoi në mënyrë të ashpër duke u konfrontuar me forcat e policisë private. Çfarë ndjetë kur patë ato pamje?
Ndjenja e parë ishte ajo e simpatisë për efektivët e policisë private, që edhe pse djem të rreptë e të fuqishëm, duronin me stoicizëm e qetësi fyerjet dhe sulmet fizike të një turme besimtarësh (?) e priftërinjsh (?) fanatikë e të dhunshëm. Të parët ishin aty për të zbatuar një vendim të formës së prerë të gjykatave shqiptare. Të dytët ndodheshin aty, të organizuar e të paguar nga të huajt për të realizuar axhenda të huaja, duke krijuar një “casus belli”, që siç duket, i intereson dikujt në Athinë e dikujt në Tiranë. Më tërhoqën vëmendjen dy personazhe që më zuri syri mes asaj turme të hakërruar. Prifti Vasil Thomollari, ky “Tartarin i Taraskonit” përmetar, me të kaluar prej keqbërësi ordiner, si dhe “gazetari” minoritar me emrin Odise, që organizoi sjelljen me autobus të “përforcimeve” nga qytete të tjera të Shqipërisë. Janë figurat qendrore të skandalit të eshtrave të Kosinës, ku për të mbushur varret bosh të memorialit të ngritur ilegalisht në Këlcyrë, u hapën varret dhe u nxorën eshtrat e banorëve të atyre fshatrave. Kanonet e Kishës i dënojnë njësoj si vrasësit, ata që hapin varre dhe trazojnë eshtrat. Kështu ka përcaktuar një ndër etërit e hershëm të Kishës, Shën Gregor Nikeani (shek. IV). Hirësia e tij, kreu i KOASH-it, Janullatos, përkundrazi i përgëzoi dhe i promovoi autorët e atij kobi. Madje, at Vasil Thomollarin, i cili deri atëherë kishte qenë një dhjak i thjeshtë, e bëri ikonom të kishës së Përmetit. Dhe nëse ky post përputhet me atë të intendentit (ekonomistit), dhe nëse janë të vërteta ato që thuhen për të kaluarën e at Vasilit, mund të themi pa pasur frikë se e teprojmë, që Hirësia e tij i ka varur ujkut mëlçitë.
Kisha pretendon ndërkohë se pavarësisht debatit mbi pronësinë e objektit dhe truallit të kësaj kishe, në këtë ndërhyrje janë dhunuar simbolet e kishës ortodokse. Madje vetë kreu i kësaj kishe, Janullatos ka deklaruar ditët e fundit se, në rast se do t’u ndodhte kjo myslimanëve, gjysma e botës do ishte në flakë….
Hirësia është fare i pasaktë dhe i padrejtë kur bën pohime të tilla. Objektet dhe simbolet fetare, të futura në mënyrë të paligjshme në mjediset e Pallatit të Kulturës të Përmetit, u mblodhën dhe u transportuan me respektin dhe kujdesin e duhur nga punonjësit e Përmbarimit. Më kot ai rreket t’i japë ngjyra apokaliptike zbrazjes së pallatit të kulturës nga pushtues të paligjshëm, qofshin këta njerëz, priftërinj apo objekte fetare. “Gjysma e botës do të ishte në flakë po të ishte prekur një objekt i shenjtë mysliman”, kështu thotë Hirësia e tij, i cili mundohet t’i japë ngjyrat e një konflikti botëror një sherri të stisur qëllimisht nga ai vetë, këtu e 10 vjet më parë. Para dy vjetësh, pak minuta pas vdekjes tragjike të Aristotel Gumës dhe menjëherë pas deklaratës së ashpër të Ministrisë së Jashtme Greke, z. Janullatos paralajmëroi luftë civile mes “popullit ortodoks” dhe “popullit mysliman” të Shqipërisë. Sot, ai po bën përsëri Kasandrën dhe po paralajmëron shpërthimin e një konflikti botëror…për shkak të incidentit të Përmetit, të stisur personalisht nga ai! Pak mungon që të deklarojë, se “Përmeti është Jerusalemi i ortodoksisë”! Kjo është gjuha e një kryqtari të shek. XII. Vetëm në atë shekull mund të gjesh priftërinj e murgj që u prinin ushtrive pushtuese, që digjnin e piqnin popuj e qytetërime të lashta për të themeluar mbretëri e principata të krishtera. Vetëm në shek. XIII mund të gjesh shembuj kishash e priftërinjsh fanatikë, që vrisnin e digjnin në stivat e zjarrit “të ndryshmit”, heretikët, pavlikanët, manikeistët, bogomilët, ikonoklastët… Hirësia e tij po përcjell pikërisht këtë frymë intolerance e konfrontimi fetar mes shqiptarëve. Flet gjithnjë për një “popull ortodoks”, pa konotacion të qartë kombëtar, ose më saktë, me një konotacion të nënkuptuar grek, në një kohë që ndodhet rastësisht e fatalisht në një vend ku ortodoksit, katolikë, myslimanët apo ateistët janë të bashkuar mbi baza e parime moderne e laike dhe formojnë një popull të vetëm. Flet për viktimizim të kishës ortodokse, në një kohë që me fonde e financime të dyshimta janë ngritur me shumicë kisha, manastire e simbole fetare në toka e në vende që nuk i kanë takuar ndonjëherë kishës. Vetëm pak kohë më parë u inaugurua në Tiranë katedralja gjigante ortodokse, e ngritur në një truall publik (dikur edhe aty ngrihej kino-teatri “Brigada”) dhe fare ngjitur me institucione shtetërore të rëndësisë së parë, siç është Ministria e Mbrojtjes. Janë ngritur kisha e manastire të panumërta në rrethet Korçë, Durrës, Elbasan, Vlorë, Fier, Gjirokastër, Sarandë e deri në Lezhë e Kukës. Hirësia e tij, që tinëzisht e krahason këtë kohë me vitin 1967, ka treguar kujdes të posaçëm të ndërtojë e të evidentojë objekte të reja fetare, sipas një modeli të huaj, ndërkohë që nuk tregon asnjë kujdes për mirëmbajtjen e kishave të vjetra aq shumë të identifikueshme e të dallueshme si kisha shqiptare. Por le të mbetemi në rrethin e Përmetit. Mjafton të kesh një palë dylbi e të ngjitesh në një pozicion dominues, si për shembull në sarejet e Këlcyrës, e do të vesh re se në të gjithë gjatësinë Përmet-Tepelenë vendi është i mbushur me kisha e me simbole fetare të krishtera, të ndërtuara këto vitet e fundit. Janë ngritur që të gjitha në truall publik dhe, shpesh herë, në fshatra të banuara nga popullsi jo-ortodokse. Mesazhin politik të këtij “riorganizimi fetar” të territorit, e kupton çdokush, dhe Hirësia e tij më kot kërkon të bëjë shenjtorin. Ai ia ka arritur, sepse atij dhe misionit të tij politik i janë nënshtruar të gjitha qeveritë e korruptuara shqiptare të pas 1990. Sidomos kjo e Sali Berishës. Pak mungoi që ky, pasi e zhveshi grykën e Këlcyrës nga çdo prani ekonomike, kulturore, ushtarake e policore shqiptare, të inauguronte në prani të Hirësisë së tij dhe të Konsullit grek të Gjirokastrës, një pllakë mermeri me shkrimin: “O udhëtar, këtu hyhet në Vorio-Epir”! Kjo pllakë do mund të vihej në hyrje të grykës së Këlcyrës, buzë fshatit Kodër, në vendin ku edhe sot një lapidar i harruar kujton masakrën e vitit 1914, kur andartët grekë, të prirë nga ndonjë prift e ndonjë besimtar ortodoks shqiptar, nga ta që i pamë në aksion edhe këto ditë në Përmet, masakruan plot 240 fshatarë të pafajshëm shqiptarë. Sigurisht, nuk i përkisnin popullit të Perëndisë, ishin “turq”! Pra, siç e shihni, shumë kujtime të hidhura na sjellin nëpër mend ngjarjet e këtyre ditëve në Përmet. Por, le ta lëmë me kaq. Le të shpresojmë që kjo ngjarje e hidhur dhe e turpshme, të harrohet sa më shpejt.
Debati për kishën e Përmetit ka shkaktuar dhe një reagim të ashpër të shtetit grek, ku me anë të disa deklaratave dhe të një note proteste ka denoncuar ngjarjen si të papranueshme dhe që cenon të drejtat e ortodoksëve….
Shikoni, edhe sot, pas 100 vjetësh të ekzistencës së shtetit shqiptar dhe të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, shteti grek e ka të vështirë të pajtohet me realitetin. Vazhdon ta konsiderojë KOASH si një shtojcë të kishës greke, dhe po ashtu, ortodoksët shqiptarë vazhdon t’i konsiderojë grekë. Pa çka se ortodoksët kanë qenë në ballë të Rilindjes Kombëtare dhe të luftërave për liri e pavarësi, ku autoqefalia e kishës përbën një nga faqet më të lavdishme. Sot, për shkak të paaftësisë dhe korrupsionit të politikanëve shqiptarë, ne kemi në kreun e KOASH-it një klerik grek. Z. Janullatos e pushtoi padrejtësisht atë post nën presionin e fortë që qeveria greke e Micotaqisit bëri mbi qeverinë e Sali Berishës, në 1992. Ja pra, edhe një kujtim tjetër i hidhur, që na zhvendos në fillimin e shek. XX, kur krerët e Kishës tonë ortodokse nuk i caktonin besimtarët shqiptarë, por Kryeministri grek, Eleuther Venizellos. Në këtë kuptim, deklarata e zëdhënësit të qeverisë greke mbi incidentin e Përmetit, të inkurajuar nga ajo vetë, takimi i djeshëm i Konsullit grek të Gjirokastrës me Kryetarin e Bashkisë së Përmetit, apo ndërhyrjet e parlamentarëve grekë në Parlamentin grek apo në atë evropian për këtë çështje, janë reminishenca të një kohe të largët, kur autoritetet greke i lejonin vetes të ndërhynin në mënyrë arrogante për çdo gjë që kishte të bënte me kishën dhe me besimtarët ortodoksë shqiptarë.
Për shkak të përplasjes në Përmet patëm një “ngrirje” të kufirit Shqipëri-Greqi, ku u bllokuan shumë emigrantë. Si e vlerësoni reagimin e qeverisë shqiptare rreth këtij konflikti dhe aktin në kufi, ku u ndaluan disa qytetarë grekë?
Për sa i përket sjelljes së qeverisë shqiptare, më duhet të them se është ajo vetë që ka gatuar jo një, por disa çorba si ajo e Përmetit. Nëse heqim mënjanë sjelljen dinjitoze e të përmbajtur të Përmbarimit e të policisë private, në çështjen e pallatit të kulturës, qeveria bashkë me policinë, me prokurorinë e me autoritetet lokale kanë mbajtur një qëndrim të turpshëm edhe në rastin në fjalë. Kujtoj këtu pamjet e dhimbshme, kur policia private u vu nën agresionin e çetës banditore të “priftit” Vasil, ndërkohë që policia e shtetit prehej nën hijen e pemëve të bulevardit. Kujtoj gjithashtu tulatjen dhe nënshtrimin që autoritetet shtetërore treguan në rastin e bujshëm të skandalit të Kosinës: të gjithë, policë, prokurorë, kryebashkiakë e kryekomunarë rrinin kokulur përballë arrogancës dhe provokacioneve të personazheve groteskë, siç ishin në atë histori Konsulli grek, “prifti” Vasil apo i kudondodhuri Odise, “gazetari” me fytyrë të vrerosur. Në atë rast, ata që e pësuan nuk ishin dhunuesit e varreve, as edhe nëpunësit e korruptuar, por nëpunësit e ndershëm të këtij shteti, si Prof. Sokrat Meksi, që u nxor fill e në pension, porsa certifikoi që eshtrat e zhvarrosura në Kosinë nuk ishin të ushtarëve grekë, por të pleqve, grave e fëmijëve të fshatit. Po ashtu, në rastin e “betejës” për pallatin e kulturës, ai që e pësoi nuk ishte “prifti” Vasil, dhunuesi e pushtuesi i një prone publike, tempull i kulturës, por Kastriot Bezati, drejtori patriot i atij pallati, i cili menjëherë u pushua nga puna.
Në këto kushte, “trimërimi” i vonuar i qeverisë së Sali Berishës, e cila më në fund u kujtua se marrëdhëniet me fqinjët bazohen në parimin e reciprocitetit, duket shumë i bukur për të qenë i vërtetë. Qoftë vendimi për të zbatuar vendimin e gjykatave për lirimin e pallatit të kulturës nga pushtimi i një grushti mercenarësh të ndërkryer, qoftë edhe vendimi për t’iu përgjigjur me kthim të qytetarëve grekë, kthimit që autoritetet greke të kufirit u bënë në mënyrë të pamotivuar qytetarëve shqiptarë, më ngjajnë me një përpjekje të Berishës për t’i lënë edhe një tjetër patate të nxehtë qeverisë në ardhje të Edi Ramës. Në është kështu, kemi të bëjmë me poshtërsinë e fundit në radhën pafund të poshtërsive që kjo qeveri ka kryer në kurriz të interesave të vendit e të shqiptarëve. Por duke thënë këtë, nuk dua aspak të prek karakterin parimor e të drejtë të dy masave të fundit të qeverisë, të cilat kjo ishte dashur t’i merrte shumë më herët.
Si i konsideroni marrëdhëniet Shqipëri-Greqi dhe në ç’rrjedhë duhet të zhvillohen ato?
Unë thjesht mendoj se marrëdhëniet me Greqinë janë shumë-shumë të rëndësishme, dhe si të tilla duhen ndërtuar me kujdes, mbi bazë parimesh dhe interesash. E kam thënë vite e vite më parë, që politika e paprinciptë e lëshimeve ndaj kërkesave të nacionalizmit grek, nuk i shërben aspak miqësisë dhe bashkëpunimit afatgjatë, por përkundrazi lë gropa të hapura, mbjell risentimente e armiqësi. Populli shqiptar e di fort mirë, se mbajtja e ligjit të luftës, mosnjohja e kufijve të Shqipërisë, ndërhyrjet në punët e shtetit e të kishës shqiptare e, në përgjithësi, kërkesat me sfond nacionalist nga ana e qeverisë greke, janë reminishenca të një politike që vetëm kanë sjellë ballafaqime të përgjakshme midis dy popujve tanë. Ai e di gjithashtu, se politika e dyerve të shqyera ndaj presionit nacionalist grek, përdhosja e dinjitetit të shtetit dhe të qytetarëve shqiptarë, ngritja dhe shkulja e varrezave, hapja e shkollave me konotacion nacionalist, falja e hapësirës detare etj., janë akte antishqiptare të një qeverie të korruptuar, që është nën shantazhin e mëkateve të veta. Humbja spektakolare e 23 Qershorit i detyrohet jo pak edhe kësaj vetëdije të pjekur popullore. Kjo është arsyeja që marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë duhet të ngrihen mbi një bazë të re, dhe në këtë pikë nuk mund veçse t’i japësh të drejtë zotit Rama. Duket se edhe nga pala greke ekziston bindja se shumëçka duhet të ndryshojë në sjelljet me fqinjin shqiptar. Nuk mund të vazhdohet më tej me arrogancën e më të madhit, me shantazhin e “bukës së gojës” apo me aleancën amorale me mjediset e korruptuara të politikës, mediave apo shoqërisë civile shqiptare. Si vend i BE, Greqia duhet të kërkojë partnerë të tjerë në Shqipëri, dhe të aplikojë sjellje të ndryshme, nga ato që ka aplikuar deri tani.
Zoti Xhufi, pas 8 vitesh në opozitë, e majta fitoi zgjedhjet, ndërkohë që Rama ka shpallur tashmë kabinetin e tij. Si e shikoni ju këtë qeveri, nisur edhe nga fakti që shumë figura të rëndësishme të PS janë lënë jashtë saj?
Jam ndër të shumtët që mbështes me forcë formimin e një kabineti kryesisht me të rinj, të cilët kanë edhe avantazhin se janë të aftë e të pastër. Në fund të fundit, Edi Rama i fitoi zgjedhjet dhe e rrëzoi Berishën pikërisht me ata djem e vajza. Në historinë e PS të këtyre 20 viteve, ka patur shumë beteja, sakrifica e fitore, por për fat të keq ka patur edhe shumë tradhti, papërgjegjshmëri, oportunizëm dhe jo pak korrupsion. Historia politike e Kastriot Islamit dhe i grupit të tij të “mendimit ndryshe” ishte thirrja e fundit që i bëhej së majtës për t’u ndarë një herë e mirë nga të përzgjedhurit e fatit, nga punëpakët e fjalëshumët, nga mjeshtrit e intrigës e të batutës, nga “liderët” e “themeluesit” e gatuar në kuzhinat e PD, nga “heronjtë” e dalluar vetëm për beteja dhe për trimëri brenda llojit. Me trima të tillë, fitorja e së majtës nuk do kishte qenë ajo që qe. Ç’është më e keqja, me ta në qeveri, do vazhdonte të vërtitej mbi kokat tona fantazma e Berishës, sponsorizuesit të palodhur e të pakursyer të “kolonës së pestë” brenda PS. Ndaj, njëmijë herë më mirë pa ta. Sigurisht, shteti është një aparat gjigant, ku ka vend si për rinjtë, ashtu edhe për të vjetrit. Dhe për fat të mirë, në administratë por edhe në radhët e të përjashtuarve politikë nga regjimi i Berishës, ka me bollëk nëpunës, mësues, pedagogë, mjekë, ushtarakë të aftë e të përkushtuar. Këta të fundit janë padyshim mishërim i përvojës, sigurisë dhe memories institucionale. Pa kontributin e 50 apo 60 vjeçarëve, makina shtetërore do të rrezikonte të shkonte në drejtim të paditur. Ndaj jam i bindur, se Edi Rama dhe ministrat e tij nuk do i kapë dalldia e rinisë me çdo kusht e nuk do veprojnë si dikur një kryeministër socialist, i cili duke qenë 28 vjeç, iu duk vetja aq i moçëm dhe i ditur, saqë kërkoi të mbledhë rreth tij këshilltarë që ende s’i kishin mbushur të 25 vjetët.
LSI-së në këtë qeveri iu dha mes të tjerave dhe Ministria e Drejtësisë, çka pati mjaft reagime për shkak se kjo parti është akuzuar gjatë qeverisjes së shkuar. Si e shihni këtë zgjedhje? Çfarë ndryshimi mund të ndodhë kur tre nga ministrat e Ramës kanë qenë 3 muaj më parë ministrat e Berishës?
Në fakt, drejtësia, si çdo sektor tjetër, në qeverisjen e shkuar u drejtua nga e njëjta dorë e hekurt, që ishte ajo e z. Berisha. Megjithatë, qeveria PS-LSI është një sfidë e një shans për këto dy forca politike, dhe posaçërisht ministrat e tyre. Kuptohet, në këtë qeverisje shumë prej ministrave vijnë me vullnetin dhe ambicien për të shkruar ex- novo një faqe të bukur në karrierën e tyre, duke i shërbyer vendit me ndershmëri. Këtu e kam fjalën për ministrat e rinj, pa përvojë të mëparshme në qeverisje. Sigurisht, në listën e ministrave ka edhe të tillë që kanë patur përvoja të mëparshme qeverisëse, madje edhe në qeverinë e fundit e të shumëpërfolur “Berisha”. Por edhe këtyre u ofrohet një shans i papërsëritshëm: duke punuar mirë për vendin, dhe jo për vete, mund të lajnë ndonjë mëkat të së kaluarës së afërt dhe mund të lenë edhe ata një emër të mirë në historikun e qeverive shqiptare.
Ka një lloj dyshimi në lidhje me funksionimin e kësaj qeverisjeje për shkak të dualitetit Rama-Meta, kjo edhe për shkak të konflikteve që ata kanë patur edhe më parë, por edhe për shkak të karakterit të fortë që ka Meta si një lider në të majtë. Ju shihni probleme në këtë drejtim?
Populli thotë: “Uthulla e fortë thyen enën e vet” (në fakt, kjo vlen edhe për rakinë e fortë). Karakteret, apo qëndrimet e forta ndodh të prishin punë në çështjet e politikës. Vetë historia e marrëdhënieve Rama-Meta e dëshmon një gjë të tillë. Kur kanë bashkëpunuar, kanë bërë mrekullira. Kur janë zënë, kanë bërë hatara dhe e kanë dënuar veten me opozitë të detyruar (Rama), apo me qeverisje të pistë (Meta). Të jemi të sinqertë, në një vend normal, si Rama ashtu edhe Meta, do të ishin ndëshkuar nga vetë zgjedhësit e tyre e sot do të ishin harruar për andrallat që i kanë shkaktuar së majtës dhe vetë vendit me sherret e tyre, egoiste e meskine. Por, ja që në një moment edhe ata e dëgjuan zërin e popullit opozitar, shkelën mbi sedrën e “karakterin” e tyre dhe u bashkuan në emër të së mirës publike. Tashmë të dy e dinë ku, kur e si kanë gabuar. E dinë gjithashtu mirë se sa të brishtë janë rezultatet dhe shifrat që realizuan së bashku e veç e veç në këto zgjedhje, në rast se fillojnë e merren me intrigat e deridjeshme kundër njeri-tjetrit. Dhe akoma më shumë, e dinë mirë se mbi ta vigjilon një opinion, i cili nuk është opinioni që shoqëroi me hosanara prej fanatikësh rrugëtimin drejt humnerës së qeverisjes Berisha. Si Rama ashtu edhe Meta e dinë fort mirë se ndaj një qeverie socialiste guxojnë të ngrenë zërin edhe më burracakët e këtij vendi, edhe ata që në këta 8 vjet kanë mbyllur gojën ndaj çdo padrejtësie e krimi. Përse? Sepse socialistët nuk të pushojnë nga puna, nuk të rrahin, nuk të vrasin, siç bëri qeveria e Sali Berishës në 21 janar 2011.
Si e shpjegoni faktin që LSI, pavarësisht akuzave të shumta për korrupsion gjatë qeverisjes së shkuar, arriti të shumëfishojë rezultatin e saj në zgjedhje? Sipas jush, sa humbi dhe sa fitoi PS nga bashkëpunimi me LSI në këto zgjedhje?
LSI e shumoi rezultatin e saj për disa arsye. Së pari, sepse diti të bëjë një fushatë pragmatiste, e cila ngjit gjithnjë në vende të varfra si Shqipëria, ku punësimi në shtet shihet si zgjidhje për të ardhmen e shumë familjeve. Nga ana tjetër, mos harrojmë se LSI nxori përfitim të majmë nga aleanca me PS. Mendoni që, për shkak të sistemit, PS morri vetëm një mandat më shumë në raport me zgjedhjet e 2009, edhe pse e rriti me 90 mijë vota kuotën e saj. Në të kundërtën, LSI, e cila, nëse nuk gaboj, mori rreth 110 mijë vota më shumë se në 2009, fitoi 13 mandate më shumë. Nga ana tjetër, bashkëqeverisja me PD i hapi LSI-së disa mundësi depërtimi në xhepa të pakënaqura të së djathtës, të cilat mund ta kenë votuar atë në 23 qershor, si një alternativë më e pranueshme e më “tolerante” ndaj së djathtës. Por thashë, të gjitha këto janë rrethana të brishta, që si për Ramën ashtu edhe për Metën mund të përmbysen brenda natës. Të dy kanë të bëjnë me një opinion të brendshëm e të jashtëm, i cili ndaj tyre do të jetë vigjilent e kritik si asnjëherë më parë.
Diçka për zhvillimet në opozitën e re. Si e shihni zgjedhjen e Bashës përballë Olldashit, dhe për më shumë, si e parashikoni opozitën e ardhshme?
Z. Berisha ka një meritë të madhe edhe në këtë drejtim. Nuk la mundësi zgjedhjeje kur doli problemi i pasardhësit. E ktheu PD në një parti njëdimensionale. Kështu që u ndërtua një alternativë mes Olldashit e Bashës, e cila nuk thotë e nuk premton asgjë. PD do të kishte një shans për të ndryshuar e për t’u riorganizuar demokratikisht në masën që pasardhësi i z. Berisha do gjente kurajën për t’u larguar sa më shumë nga fusha e tij manjetike. Këtë z. Basha do mund ta bënte vetëm kur i gjithëfuqishmi ta thërriste pranë vetes ideatorin dhe protektorin e tij. Z. Olldashi jepte shenja se mund t’i rezistonte disi sharmit vrastar të shefit të tij. Por pikërisht për këtë, “i gjithëfuqishmi” i vërtiti gjërat në mënyrë të tillë, që ai të mos fitonte. Dhe askush nuk u çudit, as ai vetë. Kështu ka qenë, e kështu do të jetë.
Për kishën e Përmetit
“Të parët ishin aty për të zbatuar një vendim të formës së prerë të gjykatave shqiptare. Të dytët ndodheshin aty, të organizuar e të paguar nga të huajt për të realizuar axhenda të huaja, duke krijuar një “casus belli”, që siç duket i intereson dikujt në Athinë e dikujt në Tiranë”
Për Janullatosin:
“Sot, për shkak të paaftësisë dhe korrupsionit të politikanëve shqiptarë, ne kemi në kreun e KOASH-it një klerik grek. Z. Janullatos e pushtoi padrejtësisht atë post nën presionin e fortë që qeveria greke e Micotaqisit bëri mbi qeverinë e Sali Berishës, në 1992… Ai ja ka arritur, sepse atij dhe misionit të tij politik i janë nënshtruar të gjitha qeveritë e korruptuara shqiptare të pas 1990. Sidomos kjo e Sali Berishës.”
Për reagimin e qeverisë:
“Nëse heqim mënjanë sjelljen dinjitoze e të përmbajtur të përmbarimit e të policisë private, në çështjen e pallatit të kulturës, qeveria bashkë me policinë, me prokurorinë e me autoritetet lokale kanë mbajtur një qëndrim të turpshëm edhe në rastin në fjalë”
Për patriotizmin e Berishës:
“Në këto kushte, “trimërimi” i vonuar i qeverisë së Sali Berishës, e cila më në fund u kujtua se marrëdhëniet me fqinjët bazohen në parimin e reciprocitetit, duket shumë i bukur për të qenë i vërtetë. Qoftë vendimi për të zbatuar vendimin e gjykatave për lirimin e pallatit të kulturës nga pushtimi i një grushti mercenarësh të ndërkryer, qoftë edhe vendimi për t’iu përgjigjur me kthim të qytetarëve grekë, kthimit që autoritetet greke të kufirit u bënë në mënyrë të pamotivuar qytetarëve shqiptarë, më ngjajnë me një përpjekje të Berishës për t’i lënë edhe një tjetër patate të nxehtë qeverisë në ardhje të Edi Ramës”
Për Greqinë:
“Nuk mund të vazhdohet më tej me arrogancën e më të madhit, me shantazhin e “bukës së gojës” apo me aleancën amorale me mjediset e korruptuara të politikës, mediave apo shoqërisë civile shqiptare. Si vend i BE, Greqia duhet të kërkojë partnerë të tjerë në Shqipëri, dhe të aplikojë sjellje të ndryshme, nga ato që ka aplikuar deri tani”
Për të vjetrit:
“Me trima të tillë, fitorja e së majtës nuk do kishte qenë ajo që qe. Ç’është më e keqja, me ta në qeveri, do vazhdonte të vërtitej mbi kokat tona fantazma e Berishës, sponsorizuesit të palodhur e të pakursyer të “kolonës së pestë” brenda PS. Ndaj, njëmijë herë më mirë pa ta”
Për Ramën:
“Ndaj jam i bindur, se Edi Rama dhe ministrat e tij nuk do i kap dalldia e rinisë me çdo kusht e nuk do veprojnë si dikur një kryeministër socialist, i cili duke qenë 28 vjeç, iu duk vetja aq i moçëm dhe i ditur, saqë kërkoi të mbledhë rreth tij këshilltarë që ende s’i kishin mbushur të 25 vjetët”
Për qeverinë e re:
“Megjithatë, qeveria PS-LSI është një sfidë e një shans për këto dy forca politike, dhe posaçërisht ministrat e tyre. Kuptohet, në këtë qeverisje shumë prej ministrave vijnë me vullnetin dhe ambicien për të shkruar ex novo një faqe të bukur në karrierën e tyre, duke i shërbyer vendit me ndershmëri”
Për ministrat e LSI:
“Sigurisht, në listën e ministrave ka edhe të tillë që kanë patur përvoja të mëparshme qeverisëse, madje edhe në qeverinë e fundit e të shumëpërfolur Berisha. Por edhe këtyre u ofrohet një shans i papërsëritshëm: duke punuar mirë për vendin, dhe jo për vete, mund të lajnë ndonjë mëkat të së kaluarës së afërt dhe mund të lenë edhe ata një emër të mirë në historikun e qeverive shqiptare”
Për dyshen Rama-Meta:
“Populli thotë: “Uthulla e fortë thyen enën e vet” (në fakt, kjo vlen edhe për rakinë e fortë). Karakteret, apo qëndrimet e forta ndodh të prishin punë në çështjet e politikës. Vetë historia e marrëdhënieve Rama-Meta e dëshmon një gjë të tillë. Kur kanë bashkëpunuar, kanë bërë mrekullira. Kur janë zënë, kanë bërë hatara dhe e kanë dënuar veten me opozitë të detyruar (Rama), apo me qeverisje të pistë (Meta”
Për rezultatin e LSI:
“LSI e shumoi rezultatin e saj për disa arsye. Së pari, sepse diti të bëjë një fushatë pragmatiste, e cila ngjit gjithnjë në vende të varfra si Shqipëria, ku punësimi në shtet shihet si zgjidhje për të ardhmen e shumë familjeve. Nga ana tjetër, mos harrojmë se LSI nxori përfitim të majmë nga aleanca me PS”-*Kortezi:MAPO