Vatra në luftë me inxhinierinë demografike të Greqisë/
Nga Rafael Floqi/
Politika e sotme greke nuk del dot mbi mitin e ngritur se dëbimi i popullsisë çame ka ndodhur si rezultat i bashkëpunimit të çamëve me pushtuesit italiano-gjerman, por me një tendencë dhe një qëndrim të vjetër të politikës greke që pas 1912, që synonte eliminim e popullsisë shqiptare të Çamërisë, një politikë e ngulitur greke në periudhën në mes dy luftërave.
Nga ana tjetër, historiografia e mirëfilltë greke, nuk fut kokën në rërë dhe mbrohet me një argument “nonsens”, si ai i ministrit të jashtëm Venizellos , se Greqia “Problemin çam” nuk e njeh, por e bazuar ne fakte, e ka hedhur poshtë, qoftë si hipotezë idenë e vërtetë “anti-konvencionale “për historiografinë greke “, siç bën Lambros Baltsiotis në “Gazetën Evropiane të Studimeve Turke”, kur shkruan më 2011 se, “Dëbimi i çamëve myslimanë nga Epiri Perëndimor gjatë pjesës së të fundit të vitit 1944 dhe fillimit të vitit 1945 nga forcat guerile e EDES , që i rezistonin pushtimin italo –gjerman, ka ndodhur, në kundërshtim me opinionin konvencional grek se ajo jo vetëm ishte si një rezultat i bashkëpunimit të çamëve me forcat e pushtimit, por shihet më tepër si rrjedhojë e politikës shtetërore greke, një politikë e cila ishte ngulitur në ideologjinë mbizotëruese nacionaliste të periudhës midis dy luftërave”.
Ai argumenton se “pas shkëmbimeve të para greko-turke dhe greko- bullgare të popullsive më 1912, dëbimi i çamëve myslimanë ishte pjesë e politikës së shtetit grek për të ushtruar të drejtën e tij të pretenduar për të larguar “jo ” grekët nga territori i tij .” Ai shton se “Brenda parametrave të këtij kuadri ideologjik, legjislativ dhe praktikisht si brenda dhe jashtë vendit, dukshmëria (prania) e çamëve myslimanë duhej të pakësohej . Objektivi ishte minimizimi i pranisë fizike e tyre nëpërmjet reduktimit të numrit të tyre dhe të zvogëlimin e dallimeve të tyre si një grup i veçantë fetar dhe gjuhësor”.
Në këtë kohë sipas studiuesit Hajredin Isufi si pasojë “ evidente të situatës së re politike, ekonomike, sociale dhe administrative që u krijua në Çamëri pas aneksimit të saj nga qeveria greke (1912-1913), ishte fenomeni i emigracionit. Ndër drejtimet kryesore të këtij emigracioni ishin edhe SHBA. Çamët e emigruar në Amerikë gjetën një terren të përshtatshëm dhe një pritje të ngrohtë që i mundësoi të organizoheshin në mbrojtje të fateve të Çamërisë. Në radhët e çamëve të emigruar ishin dhe shumë figura të shquara si Haxhi Murati, Mesut Çami, Beqo Izeti, Lejla Dino etj., që ishin dalluar në periudhën e Rilindjes sonë Kombëtare për veprimtari të dendur patriotike.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë vendi i parë për përfaqësuesit e shqiptarëve te Çamërisë për të shpalosur një veprimtari të dendur patriotike e politike, për të sensibilizuar diplomacinë e Fuqive të Mëdha dhe veçanërisht atë amerikane, për dramën e rëndë që përjetonte Çamëria nën pushtimin grek. Në vitin 1918 në SHBA ishte formuar Partia Politike ose siç u quajt ndryshe, Partia Kombëtare Shqiptare dhe Shoqata Çamëria, me një shtrirje të gjerë në shumë qendra të rëndësishme në SHBA si dhe Shoqëria “Vatra”. Si në Partinë Politike ashtu dhe në Shoqërinë Çamëria, aderonin figura të shquara nga të gjitha trevat shqiptare dhe zhvillonin një veprimtari të dendur patriotike, duke i shpalosur platformën politike në organe të rëndësishme, në gazetën “Dielli”, “Albania” dhe më pas në “Immigrandi” qe dilnin në SHBA”.
Por me gjithë divergjencat me Partinë Kombëtare, në faqet e “Diellit gjithnjë ka qenë e pranishme çështja e Çamërisë, sidomos në vitet e dëbimit të shqiptarëve nga trojet e tyre ne vitet 1923-25. Aty pavarësisht largësisë është pasqyruar, me shqetësim situata dhe vuajtjet e popullsisë, qëndrimi i qeverisë shqiptare ai i qeverisë greke. Por mbi të gjitha aktivizimi i drejtpërdrejtë i Vatrës dhe drejtuesve të saj si në Lidhjen e Kombeve ashtu me miqtë e Shqipërisë në Londër, si kol. Audrey Herbert madje deri edhe tek qeveria Italiane e Musolinit.
Por si ishte situata në terren duket në një letër të botuar nga shoqata Çamëria me qendër në Werchester në qershor të vitit 1923 në artikullin “ Çamëria shkon jetën më të keqe” ku shkruhej:
“Letrat qe kemi marrë që pas luftës se Anadollit dhe gjer pak jave të shkuara nga Konispoli, veçanërisht një letër që muarmë nga një bashkëkrahinas, i cili në letrën e tij prej tetë faqesh, na pikturon gjendjen në Chamëri si shumë të keqe, si dhe letrat e para, po, e fundit jep tërë hollësitë e ngjarjeve, mbi kurris të nënave, motravet edhe vëllazërvet t’anë në Chamëri. Në Chameri refugjatët e Anadollit kapërcejnë numurin e të zotërve të shtëpive, ku guverna revollucionare e Greqisë i ka shpënë të rrojnë me ta, pa marrë ndër sy se shtëpia s’i arrin të zotit të rrojë me fëmijët. Ç’ ngjet? I zoti shtrëngohet t’ iki. Shtëpia dhe malli i zaptohet. Në këtë mes duhet të kuptohet se tëra sa veprohen—vjedhjet, grabitjet, rrahjet, vrasjet, burgu për të pandehurin e pafajshëm dhe çnderimet—, vepërohen në syt’ e autoriteteve qeveritare.(Lexoje të plotë në Diellin e printuar)