Një “dhuratë mirënjohje” për mësues Hajdar Mëhallën/
NGA PËLLUMB GORICA/
Në një kujtesë të thjeshtë është e vështirë të gdhendësh jetën e një njeriu të njohur, e sidomos një mësuesi me vlera e kontribute si Hajdar Mëhalla. Ajo është si një libër, që në çdo fletë njihesh me sakrificat për t’u shkolluar, e gjer tek puna e përkushtimi i pashembullt në profesionin e nderuar të mësimdhënësit, pa harruar këtu cilësi të tjera të tij në shoqëri, familje e miqësi. Njerëz të tillë nuk kanë munguar asnjëherë me pozivitetin e tyre, në vendin tonë, por mua më la një ndenjë të thellë në brendinë time.
UDHË DIJE
Hajdar Mëhalla u lind, u rrit dhe u edukua në një familje me tradita të hershme patriotike në Topojanin malor të Elbasanit. Fshati i tij i lindjes shtrihet në anën lindore të kodrave shkëmbore të krahinës Sulovë, në një lartësi 500 – 600 m mbi nivelin e detit. Toka është e varfër dhe mezi prodhon, por hapsirat e mbuluara me pyje dhe kullota janë të mira për të mbarshtruar tufa të shumta delesh e dhish. Në këto kushte niveli i jetësës në Topojan gjithmon ka qënë i tillë, që çdo familje mezi siguronte prodhime për mbijetesë. Të parët e Hajdar Mëhallës janë të njohur në Topojan për traditat atdhetare, fjalën e mençur dhe gjithmonë sofër shtruar për miqtë e dashamirësit. Hajdari fëmijërinë e kaloi mes vuajtjesh e peripecish të shumta, të cilat ndiqnin njëra – tjetrën si rrjedhojë e gjëndjes së vështirë ekonomike që kalonte Shqipëria në vitet ‘40 të shekullit të kaluar. Oshëtimat e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, luftëtarët e lirisë dhe pushtuesit italo – gjermanë kaluan edhe pranë shtëpisë së tij. Lufta çlirimtare rrëmbeu në dallgët e saj edhe babanë e tij, Sulejmanin, që ishte sekretar i këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të fshatit në atë kohë. Ndërsa vëllai i madh, Isufi u rreshtua në Brigadën e Parë Partizane. Vendlindja e tij gëlonte nga ngjarje të shumta historike. Hajdari i dëgjonte gojëhapur me dëshirën e madhe për dije. Shkollën fillore e mbaroi në Dragot. Ishte një nga 18 nxënësit e parë të shkollës fillore të këtij fshati, e cila i hapi dyert në vitin 1945 me mësuese Ollga Sharrën, gruaja e inxhinierit Abdi Sharra, të ekzekutuar si sabotator në tharjen e kënetës së Maliqit, e cila duke parë aftësitë dhe dëshirën për arsimim e rekomandon babanë e tij, Sulejmanin, që Hajdari të vazhdonte më tej shkollën. Mes vështirësive të kohës ai e vazhdoi dhe mbaroi shkëlqyeshëm shkollën 7-vjeçare në Pogradec. Kushtet familjare nuk ishin të tilla të arsimohej më tej aty, prandaj dukej e tepërt dhe në pamje të parë e vështirë fjala shkollim të mëtejshëm, por Hajdari me një vullnet të madh mbaroi edhe shkollën e mesme pedagogjike ‘‘Luigj Gurakuqi’’ në Elbasan. Ai kish si bashkëudhëtare vështirësitë në rrugën e tij të jetës, në moshën kur çdokush projekton të ardhmen për më të mirën e mundshme. Natyrisht, qytetërimi i Elbasanit, jeta konviktore mes qindra të tjerë pedagogjikas nga gjithë Shqipëria, motivimi për të spikatur mbi të tjerë ndikuan në dëshirën që i kish vënë vetes për dije. Hajdari gjithmon i kujton me adhurim profesorët që jepnin mësim në shkollën e mesme pedagogjike të Elbasanit, një pjesë e të cilëve kishin ndjekur studimet në universitete prestigjoze të Europës, si: Shyqyri Demiri, Sotir Paparisto, Vasil Kamami, Mentar Belegu, Besim Qorri, Teki Tela, Marie Papajani, Mehmet Bebeti, Bukurosh Sejdini, Meri Andoni, Grigor Kallajxhiu, Hajdar Biçaku e të tjerë, të prerë për të përhapur dije, ndër mijëra pedagogjikas nga gjithë Shqipëria.
Mbas mbarimit të shkollës së mesme pedagogjike ‘‘Luigj Gurakuqi’’ në Elbasan ai u emërua mësues në fshatin Mollas. Dhe nisi kështu rrugën e gjatë e të nderuar të mësuesit. Në një kohë kur mësuesit nga Sulova numëroheshin me gishtat e dorës si: Riza Cërriku, Sali Çala, Isa Senja, Dan Çela, Abas Hysa, Rustem Metushi, që punuan me mish e me shpirt, kur ajo kishte nevojë, jo vetëm për bukën e përditshme, por edhe për dije e përparimin e saj. Shkollat po hapeshin në të katër anët e vendit, duke u bërë si një jetë e dytë për banorët. Ai e dashuronte aq shumë profesionin, dhe bashkë me të tjerë mësues elbasanas si: Dilaver Shkodrën, Zeliha Shkodrën, Sami Domnin, Ethem Mullajonuzin, Rruzhdi Belegun, Mustafa Pajengën, Albert Stojën, Liri Arapin, Astrit Bishqemin, Ismail Kafexhiun, Sami Paralloin, Bexhet Belegun, Nafie Çaushin, Esat Gjevorin, Hysen Saraçin, etjer, të cilët grisën këpucët e rinisë së tyre nëpër baltërat e Sulovës, e u bënë një përvojë e pasur për të. Ata kanë meritën e madhe që, duke punuar në kushte të vështira në këtë krahinë të mrekullueshme, dhe me mëndjen e tyre mësuan qindra djem e vajza, ndër të cilët edhe im atë, Rexhepin. Ky ishte një përparim i madh për kohën kur çdokush ishte i bindur se pa dije nuk mund të ecej drejt zhvillimit të vendit, sepse nuk mësohej vetëm për shkrim, lexim e njehësim, por dhe për civilizim, edukatë e qytetari. Ndërkohë u bënë ndryshime në arsim, si pjesë e reformave të shtetit të asaj kohe, për të kaluar në një fazë të re në hapjen e shkollave 7-vjeçare e më vonë 8-vjeçare kudo. Përveç shërbimit ushtarak, Hajdari nuk e ndërpreu profesionin e tij, deri kur doli në pension, i nderuar dhe i respektuar nga të gjithë. Ai u shqua për mësimdhënie me cilësi të lartë, përpikmëri, këmbëngulje, por edhe paanshmëri e njerzillëk. Kështu ai radhitet ndër mësuesit më me reputacion të kësaj krahine, sepse edukoi brezin e ri në kushte mbijetese mbase në nivel heroizmi. Por, me sedrën profesionale, prokupimin, dhe kërkesat ndaj vetes, ai i kryente me përpikmëri detyrat e mësuesit. Shpesh lodhej për t’i përcjellë njohuritë me metodën e kohës, që në thelb ishte përsëritja dhe ripërsëritja me ton si mënyrat e ngulitjes së mësuarit. Mbi këtë bazë ai krijoi personalitetin e tij, dhe u vendos nga drejtuesit e arsimit në Elbasan, të jetë drejtor i shkollës 8-vjeçare të Dragotit. Si njohës i mirë i mentalitetit të vendbanimit, dhe i kushteve ekonomike e të nivelit të ulët arsimor aty, detyrën e drejtuesit ai e filloi me gjërat elementare si frekuentimin e shkollës, mirëmbajtjen e ambienteve, sigurimin e bazës materiale, rritjen e cilësisë së mësimdhënies etj. Ndërkohë, Ministria e Arsimit në këto vite i mëshoi përparësive për krijimin e laboratorëve dhe bazës materiale didaktike, që deri atëherë në shumicën e rasteve ishte të thjeshta e me mjete rrethanore, dhe Hajdari dha kontributin e tij në sigurimin e plotësimin e tyre. Insistimi i Hajdarit bëri të mundur, që të ndërtohej një shkollë e re, sepse e vjetra po amortizohej, por edhe nuk i përgjigjej numrin në rritje të nxënësve. Energjitë e Hajdarit dhe gjithë të tjerëve si ai, që punuan mësues në Dragot, duke bashkuar kontributin e atyre nga Elbasani, Peqini me vendasit ishin maksimalisht të larta. Pra, ishte një impenjim i jashtëzakonshëm, një dhënie i tëri pas punës dhe problemeve që kishte arsimi, dhe jeta shoqërore në Dragot – Topojan. Ai ishte vlersues për të gjithë ata mësues që punuan me devotshmëri në shkollën e Dragotit si Stavri e Behije Ndrion nga Peqini. Xhevit Memën, Alush Xherien, Nezir Dushën nga Klosi. Kadri Nasufin nga Beliku. Neim Meminin nga Topojani, Dilaver Shabanin nga Dragoti. Lirie e Petrit Kumrinë nga Floqi. Qatip Cërrikun nga Kamunau. Nazmi dhe Bukuri Senjën nga Lumasi. Petrit Çakallin, Albert Palloshin, Ahmet Sulminën, Smail Shytin, Nazmie Mëlçinën, Rajmonda Pashën, Shefki Rudon, Sokrat Kotheren, Vjollca Toskën, Afërdita dhe Jakup Bishqemin, motër e vëlla nga Elbasani. Myqereme Xhikën, Nazmi Hoxhën nga Shtëpanja. Vangjeli Shanin nga Bujarasi. Engjëllushe Toskën nga Shtërrmeni. Rrahman Taushanin, Skënder Asllanin dhe Qemal Çalën nga Mollasi etj. Natyrisht për këtë flet edhe respekti i brezave të nxënësve që mësuan, dhe u edukuan prej tyre. Mbase u zgjata në këto fakte, por për një njeri të tillë, që i kushtoi jetën e tij arsimit këto janë pak. Ndaj, puna përkushtuese e drejtuese e Hajdar Mëhallës për 35 vite me radhë kujtohet me respekt, edhe për kërkesën e llogarisë, dhe të këmbënguljes për shkollimin e mëtejshëm të nxënësve. Fatos Shkëmbi një nga nxënësit e tij kujton: “Me shikimin e parë, për sytë tanë si nxënës ai rrezatonte në kuptimin e plotë të fjalës njeri. Natyrisht mënyra se si demostronte vlerat, për të na pregatitur, e për të qënë të denjë në jetë është e veçantë. Kujtimet dhe mbresat e mia për të, janë të shumta, dhe nuk mund të rresht së treguari jo pak prej tyre. Pikërisht për këto dua të tregoj një episod të jashtëzakonshëm në provimet e lirimit të shkollës 8- vjeçare. Në komision ishin Hajdar Mëhalla, që ishte dhe drejtori i shkollës, mësuesi i matematikës, Kadri Nasufi, dhe Mersin Lamçe i biokimisë. Mësues Hajdari meqë isha nxënësi më i mirë i shkollës interesohej për mua, që të arrija nota të larta. Pasi mbarova tezën, të cilën komisioni e korrigjoi, më tha: Shkëlqyeshëm dhe një 10-të të padiskutuar, si gjithë provimet që ke dhënë, por a mund të na tregosh për “Teoremën e Pitagorës”. Ajo është një nga më të vështirat teori, të cilën unë e njihja mirë. Po i thashë teorikisht, dhe në dërrasën e zezë, shpejt e shpejt bëra zbërthimin e saj. Pasi e mbarova ai më vjen afër e më thotë me gëzim: Të lumtë Fatos se më bëre krenar mua personalisht si drejtor, por edhe shkollën tonë. Atë çast në sytë e tij lexova një kënaqësi të thellë, që rrallë e ndesh në jetë.”
MERITËHESHTURI, HAJDAR MËHALLA
Meritëheshturi, Hajdar Mëhalla, paqësor e shpirtbardhë është lavdia e njeriut të zotë në vendlindjen e tij. Në këndvështrimin tej profesionit që ushtronte, të shkruash me pak fjalë rreth pasionit të tij për të drejtuar jetën organizative në Dragot, dhe duke e vendosur atë para përgjegjësive për shtimin e mirqënies aty është një detyrim moral. Ai ka folur dhe është dëgjuar. Ka pranuar detyra që i ka dhënë koha e shumica e banorëve, të cilët krijuan besim dhe respekt, duke i shtuar jo pak cilësi, ku ai u shpërfaq i drejtë, serioz dhe me kulturë, sepse interesohej për hallet dhe problemet, të cilat kërkonin përkushtim, por edhe aftësi në zgjidhjen e tyre. Ashtu siç thuhet në atë kohë për Hajdarin me të mund të flisje e të qaje çdo hall. Ishte njeriu që fjala i zinte vend, e për më tepër përvoja jetësore, i jepte kuptim asaj. Emri i tij, në gjithë opinionin, në çdo mjedis, në biseda të lira u bë sinonim për kohën dhe rrethin shoqëror në Dragot e Topojanin e Elbasanit. Disa gjëra nuk shkonin ashtu siç duhej prej sistemit komunist, i cili kërkonte të krijonte njeriun e ri, por ai kurrë nuk shfaqi e nuk perceptoi të keqen. Ai gjithmon ruajti ekuilibrat me shpirtin e drejtë e mirkuptues, që, duke u kapur pas kësaj të vërtete të pamohueshme, të cilin një pjesë e harrojnë, por që shumica idealiste ndërmjet mirënjohjes së thellë e kujton me mall. Ajo që të bënte përshtypje në këto fjalë ishte respekti që gëzonte aty, si njeri i organizimit të punëve të mira, por edhe veprimtarive kulturore e sportive. Në bisedat ai trajtonte tema me interes nga historia, kultura, por shfaqej si një sportdashës i apasionuar i futbollit, të cilin e luante edhe vetë me nxënës, kolegë e bashkëfshatarë. Dragotasit e Topojanasit, të rrethuar nga malet, falë tij, të etur për dije e kulturë, i jepnin kuptim jetës, gëzimeve e lumturisë me shpirtin e tye të ndjeshëm çdo mbrëmje në shtëpinë e kulturës. Sot jetojnë heshtjen e demokracisë, dhe ka zënë vend braktisja e njerëzve. Të tilla erdhën kushtet, dhe u detyruan të ikin drejt qyteteve. Hajdar Mëhallën e frymëzonte jeta në mes banorëve dhe njohu të mirat, gëzimet, ashtu siç njohu hidhërimet, kundërshtitë. Koha lindi edhe dështakë, të cilët fryenin vetveten me bëmat e fisit, pa gjë në trastë. Ata me llogjikën e shpirtit të zi çirreshin si zhurma e bezdisur e këndezit majë plehu, orar pa orarë, por koha i zhvlersoi në sytë e njerëzve.
Një nga kolegët e tij, Qemal Çala të flet me simpati për Hajdarin, si njeri jo vetëm korrekt në mësimdhënie, por sidomos në artin e veçantë të drejtimit të shkollës së Dragotit, për zellin, ndërgjegjjen, këmbënguljen për të vërtetën, ndershmërinë dhe dinjitetin moral. “Të punoje me Hajdarin, ishte vërtetë kënaqësi. Hajdari shquhej gjithnjë për durim dhe vendosmëri për të kryer deri në fund punën që merrte përsipër. Edhe nga shprehja e fytyrës së tij kuptoje kur një gjë shkonte mirë apo keq dhe kështu ka mbetur akoma. Sa herë që takohem me të, ne kujtojmë copëza ngjarjesh, vitet e punës, duke përjetuar emocione të shumta. Ato vijnë edhe me ngjyrat e jetës, për gjendjen ekonomike të atyre viteve, vështirësitë, mungesat dhe mangësitë profesionale. Unë isha mësues i ri dhe punova disa vite në shkollën që ai drejtonte. Arsimi i sotëm është pajisur me kulturën e duhur, me kondita të mira dhe objektiva e arritje akoma më të mëdha, por nuk duhen harruar vitet e vështira, të cilat ai i kujton me nostalgji”.
I lidhur ngushtë me farefisin, shokët, miqtë, në dasma e festa, emri i tij përherë i nderuar.
“ – Kjo na bën – thotë nipi i tij, Iliri – të ndjehemi krenar për të.” Duke përshkruar karakterin e tij, dhe duke vënë në dukje meritat e xhaxhait, ai thekson se është model jo vetëm për fisin, por edhe për Dragotin e Topojanin e në gjithë Sulovën. “Drejtor kështu ishim mësuar ta thërrisnim të gjithë në fshat, edhe kur u rritëm dhe dolëm në jete, e sa herë që e takojmë. Shpesh mendoj se ku e gjente ai kohën për përballimin e detyrave që kryente. Dhe kur e kërkonte arsyeja gjithmonë gjendej pranë miqve dhe familjes. Shtëpia e tij ishte streha e të ardhurve që vinin në fshat me punë a për hall.”
Hajdar Mëhalla është prind i nderuar dhe i respektuar nga fëmijët e tij, për të cilët ai u kujdes aq shumë në shkollimin e tyre, sepse edhe i mbrujti ata me fisnikërinë e të parëve, me traditat më të mira të tyre, si punëtorë, korrekt, të ndershëm në punë, shoqëri e familje. Kot nuk thonë atë fjalën e urtë: Bëmë baba të të ngjaj. Fëmijët e tij sot janë bërë prindër shembullorë, dhe punojnë në institucione të ndryshme, e janë korrekt dhe serioz kudo. Ai dhe e shoqja krenohen me fëmijët e tyre si dhe ata ndjehen mirë, që kanë një baba me emër të mirë.
Erdhi koha dhe një ditë ai doli në pension. Që nga 1995, për një jetë më të mirë ai u largua familjarisht nga vendlindja, dhe u vendos në qytetin e Elbasanit, por ende me shpirt është në Topojanin e Sulovës së tij, por edhe këto vite në Elbasan bën një jetë normale e të respektuar në shoqëri e miqësi. Arsimi është kryemotivi i jetës së tij. Hajdar Mëhalla tashmë ka shkelur të 80 e jetës së tij. Thinjat i kanë zbardhur flokët, por ai përsëri ndihet i ri.
Për të gjitha këto vlera, përkushtimin, drejtësinë, ndershmërinë e virtyte të tjera që ka shpirti i tij, mendojmë se kemi të bëjmë me një njeri me vlerë, që duhet nderuar e respektuar. Shumë vlersime janë bërë dhe bëhen nga Administrata shtetërore dhe institucionet përkatëse arsimore, por fatkeqësisht ai nuk ka marrë ende meritat që i takojnë, e sidomos nga ata individë që merren me ndarje mirnjohjesh e vlersimesh, të cilët do të duhet të bëjnë diçka për të. Sepse: A nuk do do të ishte mirë që të nderojnë këta njerëz sa janë midis nesh, por të mos presin sa ata të largohen nga jeta. Kjo është absurditet.