• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ZONJA ROSE KARAGJOZI, NJË JETË NË SHERBIM TË FAMILJES DHE TË “VATRËS”

November 1, 2018 by dgreca

3 agim Karagjozi

NGA IDRIZ LAMAJ/

            Në fund të shtatorit ndrroi jetë në Long Island të New Yorkut, zonja Rose Peshkëpia – Karagjozi.  Ajo lindi në mars të vitit 1940-të, në fshatin Visoka, rrethi i Fierit. Lindi në kohën e pushtimit të Shqipërisë; në kohën kur shumë patriotë të shquar intelektualë, si Mithat Frashëri, Ali Këlcyra, Hasan Dosti, Nexhat Peshkëpia, Abas Ermenji, etj.  po organizonin në Shqipërinë e Jugut një levizje të armatosur nacionaliste kundër pushtuesit të atdheut.  Babai i Rose-t, Eqrem Peshkëpia ishte atdhetar i njohur dhe  një prej themeluesëve të  “Ballit Kombëtar”.  Eqremi ishte komandant i forcave të “Ballit” në Fier dhe në Mallakastër. Jeta dhe veprimtaria e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore në atdhe dhe në mërgim është një histori e gjatë vuajtjesh, sakrificash dhe përpjekjesh që lidhen ngushtë me zhvillimet historike të kohës. Nga fundi i vitit 1944,  Eqremi me familje i la lamtumirën atdheut – largohet nga Shqipëria në një anije me Mitat Frashërin dhe shumë atdhetarë të tjerë të njohur të nacionalizmit shqiptar. Emigrojnë në Itali dhe  vendosën në kampet e refugjatëve.

          Pas afër pes vjet vuajtjesh nëpër kampet e refugjatëve në Itali, Eqrem Peshkëpia bashkë me familje emigroi më 1949 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

           Babain dhe nënën e Rose-it, Nekije-n  i njoha për herë të parë me 1969, kur shkova në shtëpinë e tyre në Detroit së bashkut me Prof. Nexhat Peshkëpinë. Në atë kohë Prof. Peshkëpia nuk ndihej mirë nga shendeti dhe ishte në fazen e fundit të jetës së tij. Si person kam qenë njeri me fat; jamë njoftë me Prof. Nexhat Peshkëpinë ditët  e para të ardhjes time në New York.  Me të më ka lidhur një miqësi e ngushtë. Në kohën e rënies së tij shendetësore kam dhënë ndihmesën time  në përgaditjen dhe botimin e gazetës, “Shqiptari i Lirë”, të cilën ai e drejtoi për afër një çerek shekulli, 1956-1970-të.  Për jetën dhe veprimtarinë e Prof. Peshkëpisë kanë shkruar miqët dhe kolegët e tij të njohur, Rexhep Krasniqi, Hasan Dosti, Vasil Gërmeni, e të tjerë.

          Nëna e e zonjës Rose – Nekije ( Koprenska ) Peshkëpia ishte  një  zonjë fisnike shqiptare e papërulur nga vështirësitë e jetës.  Kujtesa ime për zonjën Nekije mbetet e pashlyer gjatë ditëve të përcjelljes për në banesën e fundit të Prof. Nexhat Peshkëpisë;  Eqremi dhe Nekija ishin pranë tij kur ai  i mbylli sytë përgjithmonë.

           Pas vdekjes së Nexhatit dhe angazhimit tim të plotë në përgatitjen e gazetës “Shqiptari i Lirë”, me Eqremin dhe Nekijen mbajta kontakte të shpeshta – letër kembime dhe telefonata. Në bibliotekën time ruej një shkrim të Eqremit afër  30-të faqesh lidhur me  organizimin dhe drejtimin e forcave luftarake të “Ballit Kombëtar” në Shqipëri.Në paragrafin e fundit të atij shkrimi i cili ende nuk e ka pa dritën e botimit, Eqrem Peshkëpia iu drejtohet lexuesëve:

          “…Lexonjësve u lutem me shpirt të besojnë se përshkrimi im nuk duhet n’asnjë mënyrë të merret e të gjykohet në lidhje me ndonjë person ose parti politike të mërgimit. Që në muajin Nëntor 1954, vullnetarisht unë me gjithë familjen u bëmë nënështetas amerikanë, dhe që atëherë jemi bërë pjesë të VATRËS dhe të asnjë tjetër organizate. N’emrin edhe të shoqes së jetës, Nekijesë, u bëjë të ditur gjithë shqiptarëve, pa asnjë dallim, se shtëpia t’onë mbetet e hapët, ashtu sikurse ka qenë e hapët në Shqipëri dhe në kampet e refugjatëve të Italisë…”.

          Rose Peshkëpia Karagjozi, u rritë dhe edukue në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo lidhi fatin e jetës me Agim Karagjozin, u martua  në vitin 1959.  Gjithë jetën mbeti e brumosur me idealet e larta të prindëve të saj.  Në bisedime me të, shpesh ankohej dhe e thonte troç: – Agimi nuk po i kushton  kohë familjes.  Por,  menjëherë e kthente  biseden  rreth zhvillimeve më të fundit në Shqipëri dhe në Kosovë. Aty-përaty, na kritikonte të gjithëve: “Ju nuk po bëni  përpjekje të duhura kundër komunizmit në Shqipëri; nuk po i delni zot sa duhet çështjes së Kosovës”.

     Kur i dëgjoje me vemendje kritkaët e saj, shihje se Rose kishte njohuri të thella rreth  zhvillimeve  të kohës. Ajo lexonte shkrimet më serioze lidhur me atdheun e saj etnik.

           Nderin, karakterin e hekurt, besën, mikëpritjen dhe përpjekjet për të ndihmuar në çdo rast veprimtarinë kombëtare në mërgim, Rose iu la trashegim tre fëmijëve të saj – Zuhdiut, Shpetimit dhe Angel-s

          Shokëve të mij të ngushtë dhe fëmijëve të Rose-it iu kam thënë herë pas here:

 –  Agim Kragjozi i kushtoi tërë jetën çështjes kombëtare dhe Federatës Panshqiptare “Vatra” në saje të  mbështetjes, shtytjes dhe angazhimit të bashkëshortes së tij, Rose-it. Ajo  mbajti mbi shpatullat e veta familjen, rriti dhe  edukoi fëmijtë, dhe inkurajoi  e mbështeti  Agimin në secilin sherbim të tij kombëtar. Ajo e adhuroi “Vatrën” dhe e shoqëroi Agimin në veprimtaritë më të dukshme të “Vatrës”.  Ajo ishte shtyllë e hekurtë e Agim Karagjozit  në veprimtaritë  e tij kombëtare.

          Rose (Peshkëpia) Karagjozi qe një zonjë mërgimtare e motit, e dashur, mikpritëse, serioze, e buzëqeshur, dhe plotë kujtime të rrjedhëshme e të qarta të jetës të cilat nuk kthehen më. Kur Rose hynte atyre tregimeve, sidoemos për ata që i kishte njohur  dhe ato që kishte përjetuar e dëgjuar, të dukej se ishte këthye në kohën e fëminisë, rinisë, pjekurisë dhe pleqërisë, në jetën e mërgimit të pafund. Me ikjen e Rose Karagjozit zhduket një thesar kujtimesh të jetuara, të cilat nuk janë mbledhur, si nuk janë mbledhur kujtimet e shumë e shumë të tjerëvet, për dëm të madh të njohurive të vërteta mbi jetën dhe veprimtarinë e shumë atdhetarëve tonë në mërgim, të cilët moren me vete një pjesë të historisë tonë kombëtare.

 

Filed Under: Featured Tagged With: dhe Vatres, Idriz Lamaj, ne sherbim te Familjes, nje jete, Rose Karagjozi

Një Jetë, disa Histori: Vera Laçi

February 11, 2017 by dgreca

1-ok-marjana-bulku

Nga Marjana Bulku/

Këngëtarja dibrane Vera Laçi gjatë vizitës së saj në SHBA ishte e ftuara jonë në Albanian Culture TV në ciklin ”Një jetë…disa histori” në një komunikim të këndshëm ku jeta artistike dhe ajo e përditëshme ecin paralel duke iu rikthyer jo pak herë të shkuarës, ku natyrshëm fëmijëria është një faktor vendimtar në personalitetin e një artisti.Me një zë karakteristik që i shkon aq shumë përshtat lirikës popullore dibrane ku i këndohet dashurisë, martesës,dhimbjes, ku përveç tekstit spikatin elementët folklorik të etnografisë,bukurisë femërore,ritet zakonore që pikturojnë terrenin autokton dibran.

VDuka

Këngët tashmë të njohura”Pjergullo”, “Kur të vishesh nuse”, ”Moj Xhemile”, janë potpuri tingujsh e ndjenjash njerëzore ku shfaqet bota shpirtrore e cila pavarësisht kohëve që ndryshojnë, duket sikur i përjetëson njësoj emocionet. Dibra e mendjes e vuajtjes dhe e dramave sociale si pasojë e atyre ekonomike e politike, është edhe Dibra e trimërisë ku është mendja ajo që vendos nëpër ato odat burrnore ku debati dhe polemikat janë prova e dukshme se fjala që të jetojë gjatë duhet të thuhet mençur. Kenga ; “A ja din rendin burrnisë”spikat si një interpretim ku etnografia, zëri, artikulacionet performojnë aq bukur duke krijuar një mjedis muzeal kumbues muzikor. Vera nuk nguron të jetë artiste në skenë por edhe në jetë duke skalitur femrën e fortë që merr nga jeta lirizmin,epizmin dhe tragjizmin duke ia rikthyer ato skenës. Dhe skena e saj është Estrada dhe Teatri ”Haki Stërmilli” Peshkopi, që ajo nuk resht së falenderuari si djepi që e rriti, kompozitori Edmond Zhulali si ai që i dha emër jo vetëm në Shqipëri por edhe në skenat evropiane ku ajo ka interpretuar jo pak. Në zërin e Vera Laçit, repertorin dhe karrierën e saj artistike ka gjurmë terreni artistik dibran ku jo pak artiste femra kanë bërë histori, pavarësisht se sa është rekorduar ajo për shkak të kushteve të cunguara e mjaft faktorëve të tjerë jashtartistik. E adhurueshmja e kenges qytetare  Melita Shehu, e paharrueshmja Caje Poleshi dhe padyshim legjenda femërore dibrane e këngës Lirije Rasha janë terreni artistik përpara të cilave Vera përulet me mirnjohje. Në zërin e saj jeton sejcila prej tyre, trondit drama e kurbetit,kumbon vaji i dhembjes dhe i humbjeve njerëzore që nuk sjellin vetëm emocionin skenik por edhe përjetimin personal që interpretimi artistik i saj e përjetëson përmes artit. ”Fusha e Korabit” si drama balade e ikjes, ”Lotët mos mi fshij” një rikthim në këngë pas humbjes së djalit të vetëm Denis, ”Fatit mos iu anko” si një thirrje për ta përballuar jetën me forcën e vyrtytit dhe të karakterit janë produksione që dëshmojnë se jeta e cila na jep dhe merr aq shumë kërkon nga ne përkujdesje dhe dashuri dhe dëshmia më e qartë e kësaj është DEA personazhi më i brishtë dhe i bukur në jetën e artistes dibrane Vera Laçi, është ajo që ka sjellë aq shumë dashuri,shpresë dhe buzëqeshje në jeten e  saj (urojme edhe produksione te reja) që nuk është vetëm e saj por e gjithsejcilit nga ne përsa kohë ajo prodhon art.

Filed Under: Histori Tagged With: disa Histori: Vera Laçi, Marjana Bulku, nje jete

Hillary Clinton, një jetë nën syrin e publikut

July 27, 2016 by dgreca

Hillary Clinton hyri në histori si e para grua që siguroi emërimin si kandidate presidenciale e një partie kryesore politike në Shtetet e Bashkuara. Tani ajo shpreson t’i shtojë karrierës së saj kapitullin më të rëndësishëm dhe më domethënës. Nga zonjë e parë, më pas në senatore, nëse fiton në nëntor ajo do të bëhet Presidentja e Shteteve të Bashkuara. Anketat tregojnë se Hillary gjen tek elektorati mbështetje të zjarrtë në një segment, ndërsa zgjon antipati të thellë tek të tjerë. Ajo është një ndër njerëzit më të famshëm në botë, por ata që e njohin nga afër thonë se ajo është e rezervuar dhe nuk i shfaq në publik disa anë të natyrës së saj. Korrespondentja Cindy Saine i hedh një vështrim jetës së kësaj gruaje që, edhe ata që e duan, edhe ata që e urrejnë e pranojnë se ka dëshmuar që është e aftë dhe e vendosur për betejën politike:

Hillary Clinton arriti shumë pranë fitores në 2008, kur u përpoq të sigurojë emërimin e Partisë Demokrate si kandidate presidenciale, por humbi përballë Barack Obamës.

Në atë kohë, kur deklaroi tërheqjen nga gara, ajo u ndal tek vështirësitë që kishte hasur si grua në politikë, duke i quajtur pengesat “tavani prej xhami”, dhe 18 milionë votat që mori si çarje në këtë tavan:

“Nuk arritëm dot ta thyejmë këtë radhë tavanin, por falë jush i kemi shkaktuar 18 milionë të çara dhe tani drita depërton si kurrë më parë dhe na mbush me shpresë dhe me bindjen se rruga do të jetë pak më e lehtë radhës tjetër”.

Në faqen elektronike të fushatës së saj ajo flet për fëmijërinë e vështirë të nënës së vet, Dorothy Rodham, që e frymëzoi të futej në politikë:

“Nënën e braktisën prindërit e saj dhe kur ishte tetë vjeç, e dërguan të jetonte me gjyshërit që nuk e donin. Por njerëzit e mbajtën afër me dashamirësi. Një mësuese e shihte që nëna ime nuk kishte para për të blerë ushqim në shkollë dhe filloi të sillte ushqim me vete edhe për të”.

Në adoleshencë Hillary ishte republikane. Angazhimi në politikë vazhdoi edhe gjatë studimeve në Wellesley ku ajo mbajti fjalimin e diplomimit në 1969.

Ajo ndryshoi kahje politike gjatë studimeve për jurisprudencë në Yale, ku u njoh edhe me Bill Clintonin. Ata u martuan në 1975 dhe u vendosën në shtetin e tij, Arkansas, ku ai u bë guvernator në 1978. Vajza e tyre Chelsey lindi në Arkansas.

Gjatë atyre viteve, gazetari Ron Fournier i ndiqte nga afër Clintonët si reporter në kryeqytetin e shtetit, Little Rock. Ai thotë se Hillary është më e zgjuar dhe më me humor se Bill Clintoni:

“Bill Clinton di si të tregojë një histori, një shaka, por Hillary ka humor të momentit. Ajo di si të tallet me veten, ka atë të qeshurën tipike që i acaron shumë njerëz, por që mua më duket shumë tërheqëse, pasi është e vërtetë. Kur je në prani të saj, është një e qeshur ngjitëse”.

Ish-zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Bob Weiner thotë se Hillary Clinton është më e zgjuar se Presidenti Obama apo bashkëshorti i saj Bill Clinton kur është fjala për të kuptuar një problem, por ka një të metë të madhe:

“Ajo e di edhe vetë që nuk është karizmatike; i mungon karizma, por ka zgjuarsi dhe ka aftësinë qeverisëse që është gjë e madhe”.

Kur Bill Clinton u zgjodh president në 1992, ajo mori mbi vete një rol aktiv si zonjë e parë, por nuk arriti të sigurojë mbështetje për propozimin e saj për kujdes shëndetësor universal.

Vitet në Shtëpinë e Bardhë sollën edhe skandalin Lewinsky, për marrëdhënien jashtë-martesore të Presidentit Clinton me një praktikante. Ishte një goditje personale dhe publike për Hillary Clintonin, që e ka lënë atë të vrarë dhe të poshtëruar.

Por Hillary di si të ngrihet përsëri pas një humbjeje. Ajo u zgjodh senatore në 2000 dhe u rizgjodh në 2006. Në 2008, Presidenti Obama e emëroi sekretare shteti, një rol që e ndihmoi të ngrinte me të madhe të drejtat e grave përmes diplomacisë së butë.

Tani ajo ka përpara betejën më të fortë të karrierës, përballë miliarderit Donald Trump i cili, ashtu si vetë zonja Clinton, ka rryma të forta pro dhe kundër tij.

Anketat tregojnë se gara do të jetë shumë e fortë. Por e kaluara e Hillary Clintonit tregon se ajo është e gatshme dhe e përgatitur të luftojë deri në fund.

Filed Under: ESSE Tagged With: e publikut, Hillary Clinton, nën syrin, nje jete

“Një jetë …disa histori” Dibra

June 25, 2016 by dgreca

Nga Marjana Bulku/

Dibra, qyteti që shfaqet befasisht sapo kalon kthesën e fortë e ndoshta të fundit pas asaj rruge të gjatë plot dredha që të duket edhe më e lodhëshme sesa fluturimi disa orësh përmbi Atlantik, hesht…

Një heshtje që akuzon, kërkon ndihmë, lutet…një heshtje që dhemb sidomos kur kujton mendjet dhe emrat që ajo trevë jetike ka i falur atdheut tonë të përvuajtur.

Qyteti hesht sepse ikjet e kanë varfëruar shpirtërisht, politikat e kanë përcudnuar edhe materialisht edhe arkitektonikisht, rrugët e shtruara, gjysëm të shtruara e kanë braktisur. Ai hesht sepse ka frikë të ëndërrojë. Dibra është në udhëkryq. Dhe Dibra nënkupton dy; atë që nis prej grykës së Radikës e deri në Skuraj, aty ku rruga që lidh kombin degëzohet e re dhe e brishtë drejt Kukësit e Kosovës, e ku flitet shqipja jonë plot ngjyra dialektologjike. Dibra hesht edhe pse ka hiret që zoti bujarisht ia ka falur ndërsa njeriu pak ia ka përkëdhelur.Kur varfëria dominon , shpresat reduktohen, dëshirat fiken dhe progresi i ngjan një tuneli pa dritë ku rrënjët e thella të së shkuarës i përnjasojnë një objekti të zhdukur që është përherë aty e rënkon nga jeta e dyfishtë as e gjallë as e pagjallë.Lagja historike e qytetit me pllaka e pllakate të vjetra e mure që zhvishen dita-ditës, nuk zhurmon më përvec ndonjë objektivi  të rrallë që memorizon me foto duke përmbushur edhe përmallimin e largët të të ikurve.Qyteti pa park të gjelbërt, pa planifikim urban por me ujrat termale dhuratë perëndie dhe provë e patjetërsueshme se Zoti klimës së ftohtë malore i veshi ujrat termalë që nuk shterin së kuruari. Dibra hesht edhe pse shumë objekte të saj simbolike mbartin bagazhe jo të pakta intelektuale; Teatri i kukullave tashme i harruar, gjimnazi universitet tashmë i tjetërsuar, bulevardi i blinjve tashmë nën procesin e rilindjes edhe pse ka qenë vepra më e bukur e Rexhep Dodës, arkitektit që i dha formë një qyteti që nuk mund të quhet kurrë i tillë pa atë bulevard që e identifikon. Aty ku madhështojnë rrugët civilizimi kalcifikohet natyrshëm e nuk është rastësi që përbri bulevardit Rexhep Doda, (sapo e emërtova vetë edhe pse ka emrin Elez Isufi), janë lartësuar objektet më simbolike dibrane; kinemaja -gërmadhë, turizmi, banka nënë por edhe bijëzat, pallati i kulturës ku thuhet se jeton ende estrada, Prefektura Posta…Përtej cdo objekti ka shumë histori të pashkruara, por që nëse do ia risillnim heshtjes të paktën do mund të pëshpërisnim dicka jo pa krenari.

Qyteti hesht edhe kur duhet të tregojë, kërkojë dhe prezantojë më të mirën e vet. Për mua Dibër do të thotë Selim Alliu, ai humanist i rrallë, që ka lënë aq shumë dokumenta e studime për zonën nga vinte, që u bë frymëzim për ta dashur dhe admiruar arsimin, etnografinë ,shkollën, klasën, mësimdhënien.
Qyteti hesht edhe pse në kryeqytet të gjithë thonë jemi dibran kur përmendet tradita e gatimit, jetesës , pastërtisë.Qyteti hesht edhe kur në pragfushata artikulohet Rruga e Arbrit…

Kur po ndërtohej Rruga e Arbrit, e malet caheshin në mes dhe njerëzit e arrinin më shpejt kohën, jeta do kishte pasur një ritëm tjetër dhe fatet e këtyre banorëve gjithashtu…asnjë kronikë, asnjë analizë edhe pse ishte ndoshta një nga projektet më të vështira në një zonë që ishte akoma me rrugët e ndërtuara nga italjanët. U gërmua nëpër thellësi e toka pasuri na nxorri objekte të lashta ilire si për të na kujtuar se jemi zot te saj e duhet të rrëfejmë për të.Por qyteti i pazë heshte…e vetmja media lokale transmetonte non-stop filmat: “Kapedani” dhe ” Kumbari” madje kujtoj se në një nga mbledhjet e këshillit bashkiak e kam ngritur këtë shqetësim,,,por heshtja nuk ka kurrë zë, thonë se ka logjikë.

Qyteti që shfaqet befas pas kthesës por që duket qartaz nga lartësitë malore kurorë, ku Drini gjarpërueshëm shtegton luginash plot jetë, është pamja që gjithmonë e kam dashuruar, ishte fundi i një rruge të gjatë ishte pragu i times shtëpi, uroj qe befas aty të gjej krenaritë që heshtin nga dhuna e padrejtë, urrejtja e pashkak, vetëizolimi e harresa, ikja që s’ndal.

Kur kthej aty dhe makina ndal shpejtësinë pyes veten; Cfarë bëmë ne për këtë qytet, cfarë mundemi?! Ecim shpejt duke shpresuar qe mendje dhe memorje të kthjellëta të na zgjojnë heshtjen, krenarinë.

 

Filed Under: Histori Tagged With: ...disa histori'', Dibra, Marjana Bulku, nje jete

NJË JETË SI NJË LIBËR

March 10, 2016 by dgreca

  Një “dhuratë mirënjohje” për mësues Hajdar Mëhallën/

  NGA PËLLUMB GORICA/

Në një kujtesë të thjeshtë është e vështirë të gdhendësh jetën e një njeriu të njohur, e sidomos një mësuesi me vlera e kontribute si Hajdar Mëhalla. Ajo është si një libër, që në çdo fletë njihesh me sakrificat për t’u shkolluar, e gjer tek puna e përkushtimi i pashembullt në profesionin e nderuar të mësimdhënësit, pa harruar këtu cilësi të tjera të tij në shoqëri, familje e miqësi. Njerëz të tillë nuk kanë munguar asnjëherë me pozivitetin e tyre, në vendin tonë, por mua më la një ndenjë të thellë në brendinë time.

UDHË DIJE

Hajdar Mëhalla u lind, u rrit dhe u edukua në një familje me tradita të hershme patriotike në Topojanin malor të Elbasanit. Fshati i tij i lindjes shtrihet në anën lindore të kodrave shkëmbore të krahinës Sulovë, në një lartësi 500 – 600 m mbi nivelin e detit. Toka është e varfër dhe mezi prodhon, por hapsirat e mbuluara me pyje dhe kullota janë të mira për të mbarshtruar tufa të shumta delesh e dhish. Në këto kushte niveli i jetësës në Topojan gjithmon ka qënë i tillë, që çdo familje mezi siguronte prodhime për mbijetesë. Të parët e Hajdar Mëhallës janë të njohur në Topojan për traditat atdhetare, fjalën e mençur dhe gjithmonë sofër shtruar për miqtë e dashamirësit. Hajdari fëmijërinë e kaloi mes vuajtjesh e peripecish të shumta, të cilat ndiqnin njëra – tjetrën si rrjedhojë e gjëndjes së vështirë ekonomike që kalonte Shqipëria në vitet ‘40 të shekullit të kaluar. Oshëtimat e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, luftëtarët e lirisë dhe pushtuesit italo – gjermanë kaluan edhe pranë shtëpisë së tij. Lufta çlirimtare rrëmbeu në dallgët e saj edhe babanë e tij, Sulejmanin, që ishte sekretar i këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të fshatit në atë kohë. Ndërsa vëllai i madh, Isufi u rreshtua në Brigadën e Parë Partizane. Vendlindja e tij gëlonte nga ngjarje të shumta historike. Hajdari i dëgjonte gojëhapur me dëshirën e madhe për dije. Shkollën fillore e mbaroi në Dragot. Ishte një nga 18 nxënësit e parë të shkollës fillore të këtij fshati, e cila i hapi dyert në vitin 1945 me mësuese Ollga Sharrën, gruaja e inxhinierit Abdi Sharra, të ekzekutuar si sabotator në tharjen e kënetës së Maliqit, e cila duke parë aftësitë dhe dëshirën për arsimim e rekomandon babanë e tij, Sulejmanin, që Hajdari të vazhdonte më tej shkollën. Mes vështirësive të kohës ai e vazhdoi dhe mbaroi shkëlqyeshëm shkollën 7-vjeçare në Pogradec. Kushtet familjare nuk ishin të tilla të arsimohej më tej aty, prandaj dukej e tepërt dhe në pamje të parë e vështirë fjala shkollim të mëtejshëm, por Hajdari me një vullnet të madh mbaroi edhe shkollën e mesme pedagogjike ‘‘Luigj Gurakuqi’’ në Elbasan. Ai kish si bashkëudhëtare vështirësitë në rrugën e tij të jetës, në moshën kur çdokush projekton të ardhmen për më të mirën e mundshme. Natyrisht, qytetërimi i Elbasanit, jeta konviktore mes qindra të tjerë pedagogjikas nga gjithë Shqipëria, motivimi për të spikatur mbi të tjerë ndikuan në dëshirën që i kish vënë vetes për dije. Hajdari gjithmon i kujton me adhurim profesorët që jepnin mësim në shkollën e mesme pedagogjike të Elbasanit, një pjesë e të cilëve kishin ndjekur studimet në universitete prestigjoze të Europës, si: Shyqyri Demiri, Sotir Paparisto, Vasil Kamami, Mentar Belegu, Besim Qorri, Teki Tela, Marie Papajani, Mehmet Bebeti, Bukurosh Sejdini, Meri Andoni, Grigor Kallajxhiu, Hajdar Biçaku e të tjerë, të prerë për të përhapur dije, ndër mijëra pedagogjikas nga gjithë Shqipëria.

Mbas mbarimit të shkollës së mesme pedagogjike ‘‘Luigj Gurakuqi’’ në Elbasan ai u emërua mësues në fshatin Mollas. Dhe nisi kështu rrugën e gjatë e të nderuar të mësuesit. Në një kohë kur mësuesit nga Sulova numëroheshin me gishtat e dorës si: Riza Cërriku, Sali Çala, Isa Senja, Dan Çela, Abas Hysa, Rustem Metushi, që punuan me mish e me shpirt, kur ajo kishte nevojë, jo vetëm për bukën e përditshme, por edhe për dije e përparimin e saj. Shkollat po hapeshin në të katër anët e vendit, duke u bërë si një jetë e dytë për banorët. Ai e dashuronte aq shumë profesionin, dhe bashkë me të tjerë mësues elbasanas si: Dilaver Shkodrën, Zeliha Shkodrën, Sami Domnin, Ethem Mullajonuzin, Rruzhdi Belegun, Mustafa Pajengën, Albert Stojën, Liri Arapin, Astrit Bishqemin, Ismail Kafexhiun, Sami Paralloin, Bexhet Belegun, Nafie Çaushin, Esat Gjevorin, Hysen Saraçin, etjer, të cilët grisën këpucët e rinisë së tyre nëpër baltërat e Sulovës, e u bënë një përvojë e pasur për të. Ata kanë meritën e madhe që, duke punuar në kushte të vështira në këtë krahinë të mrekullueshme, dhe me mëndjen e tyre mësuan qindra djem e vajza, ndër të cilët edhe im atë, Rexhepin. Ky ishte një përparim i madh për kohën kur çdokush ishte i bindur se pa dije nuk mund të ecej drejt zhvillimit të vendit, sepse nuk mësohej vetëm për shkrim, lexim e njehësim, por dhe për civilizim, edukatë e qytetari. Ndërkohë u bënë ndryshime në arsim, si pjesë e reformave të shtetit të asaj kohe, për të kaluar në një fazë të re në hapjen e shkollave 7-vjeçare e më vonë 8-vjeçare kudo. Përveç shërbimit ushtarak, Hajdari nuk e ndërpreu profesionin e tij, deri kur doli në pension, i nderuar dhe i respektuar nga të gjithë. Ai u shqua për mësimdhënie me cilësi të lartë, përpikmëri, këmbëngulje, por edhe paanshmëri e njerzillëk. Kështu ai radhitet ndër mësuesit më me reputacion të kësaj krahine, sepse edukoi brezin e ri në kushte mbijetese mbase në nivel heroizmi. Por, me sedrën profesionale, prokupimin, dhe kërkesat ndaj vetes, ai i kryente me përpikmëri detyrat e mësuesit. Shpesh lodhej për t’i përcjellë njohuritë me metodën e kohës, që në thelb ishte përsëritja dhe ripërsëritja me ton si mënyrat e ngulitjes së mësuarit. Mbi këtë bazë ai krijoi personalitetin e tij, dhe u vendos nga drejtuesit e arsimit në Elbasan, të jetë drejtor i shkollës 8-vjeçare të Dragotit. Si njohës i mirë i mentalitetit të vendbanimit, dhe i kushteve ekonomike e të nivelit të ulët arsimor aty, detyrën e drejtuesit ai e filloi me gjërat elementare si frekuentimin e shkollës, mirëmbajtjen e ambienteve, sigurimin e bazës materiale, rritjen e cilësisë së mësimdhënies etj.  Ndërkohë, Ministria e Arsimit në këto vite i mëshoi përparësive për krijimin e laboratorëve dhe bazës materiale didaktike, që deri atëherë në shumicën e rasteve ishte të thjeshta e me mjete rrethanore, dhe Hajdari dha kontributin e tij në sigurimin e plotësimin e tyre. Insistimi i  Hajdarit bëri të mundur, që të ndërtohej një shkollë e re, sepse e vjetra po amortizohej, por edhe nuk i përgjigjej numrin në rritje të nxënësve. Energjitë e Hajdarit dhe gjithë të tjerëve si ai, që punuan mësues në Dragot, duke bashkuar kontributin e atyre nga Elbasani, Peqini me vendasit ishin maksimalisht të larta. Pra, ishte një impenjim i jashtëzakonshëm, një dhënie i tëri pas punës dhe problemeve që kishte arsimi, dhe jeta shoqërore në Dragot – Topojan. Ai ishte vlersues për të gjithë ata mësues që punuan me devotshmëri në shkollën e Dragotit si Stavri e Behije Ndrion nga Peqini. Xhevit Memën, Alush Xherien, Nezir Dushën nga Klosi. Kadri Nasufin nga Beliku. Neim Meminin nga Topojani, Dilaver Shabanin nga Dragoti. Lirie e Petrit Kumrinë nga Floqi. Qatip Cërrikun nga Kamunau. Nazmi dhe Bukuri Senjën nga Lumasi. Petrit Çakallin, Albert Palloshin, Ahmet Sulminën, Smail Shytin, Nazmie Mëlçinën, Rajmonda Pashën, Shefki Rudon, Sokrat Kotheren, Vjollca Toskën, Afërdita dhe Jakup Bishqemin, motër e vëlla nga Elbasani. Myqereme Xhikën, Nazmi Hoxhën nga Shtëpanja.  Vangjeli Shanin nga Bujarasi. Engjëllushe Toskën nga Shtërrmeni. Rrahman Taushanin, Skënder Asllanin dhe Qemal Çalën nga Mollasi etj. Natyrisht për këtë flet edhe respekti i brezave të nxënësve që mësuan, dhe u edukuan prej tyre. Mbase u zgjata në këto fakte, por për një njeri të tillë, që i kushtoi jetën e tij arsimit këto janë pak. Ndaj, puna përkushtuese e drejtuese e Hajdar Mëhallës për 35 vite me radhë kujtohet me respekt, edhe për kërkesën e llogarisë, dhe të këmbënguljes për shkollimin e mëtejshëm të nxënësve. Fatos Shkëmbi një nga nxënësit e tij kujton: “Me shikimin e parë, për sytë tanë si nxënës ai rrezatonte në kuptimin e plotë të fjalës njeri. Natyrisht mënyra se si demostronte vlerat, për të na pregatitur, e për të qënë të denjë në jetë është e veçantë. Kujtimet dhe mbresat e mia për të, janë të shumta, dhe nuk mund të rresht së treguari jo pak prej tyre. Pikërisht për këto dua të tregoj një episod të jashtëzakonshëm në provimet e lirimit të shkollës 8- vjeçare. Në komision ishin Hajdar Mëhalla, që ishte dhe drejtori i shkollës, mësuesi i matematikës, Kadri Nasufi, dhe Mersin Lamçe i biokimisë. Mësues Hajdari meqë isha nxënësi më i mirë i shkollës interesohej për mua, që të arrija nota të larta. Pasi mbarova tezën, të cilën komisioni e korrigjoi, më tha: Shkëlqyeshëm dhe një 10-të të padiskutuar, si gjithë provimet që ke dhënë, por a mund të na tregosh për “Teoremën e Pitagorës”. Ajo është një nga më të vështirat teori, të cilën unë e njihja mirë. Po i thashë teorikisht, dhe në dërrasën e zezë, shpejt e shpejt bëra zbërthimin e saj. Pasi e mbarova ai më vjen afër e më thotë me gëzim: Të lumtë Fatos se më bëre krenar mua personalisht si drejtor, por edhe shkollën tonë. Atë çast në sytë e tij lexova një kënaqësi të thellë, që rrallë e ndesh në jetë.”

MERITËHESHTURI,  HAJDAR MËHALLA

Meritëheshturi, Hajdar Mëhalla, paqësor e shpirtbardhë është lavdia e njeriut të zotë në vendlindjen e tij. Në këndvështrimin tej profesionit që ushtronte, të shkruash me pak fjalë rreth pasionit të tij për të drejtuar jetën organizative në Dragot, dhe duke e vendosur atë para përgjegjësive për shtimin e mirqënies aty është një detyrim moral. Ai ka folur dhe është dëgjuar. Ka pranuar detyra që i ka dhënë koha e shumica e banorëve, të cilët krijuan besim dhe respekt, duke i  shtuar jo pak cilësi, ku ai u shpërfaq i drejtë, serioz dhe me kulturë, sepse interesohej për hallet dhe problemet, të cilat kërkonin përkushtim, por edhe aftësi në zgjidhjen e tyre. Ashtu siç thuhet në atë kohë për Hajdarin me të mund të flisje e të qaje çdo hall. Ishte njeriu që fjala i zinte vend, e për më tepër përvoja jetësore, i jepte kuptim asaj. Emri i tij, në gjithë opinionin, në çdo mjedis, në biseda të lira u bë sinonim për kohën dhe rrethin shoqëror në Dragot e Topojanin e Elbasanit. Disa gjëra nuk shkonin ashtu siç duhej prej sistemit komunist, i cili kërkonte të krijonte njeriun e ri, por ai kurrë nuk shfaqi e nuk perceptoi të keqen. Ai gjithmon ruajti ekuilibrat me shpirtin e drejtë e mirkuptues, që, duke u kapur pas kësaj të vërtete të pamohueshme, të cilin një pjesë e harrojnë, por që shumica idealiste ndërmjet mirënjohjes së thellë e kujton me mall. Ajo që të bënte përshtypje në këto fjalë ishte respekti që gëzonte aty, si njeri i organizimit të punëve të mira, por edhe veprimtarive kulturore e sportive. Në bisedat ai trajtonte tema me interes nga historia, kultura, por shfaqej si një sportdashës i apasionuar i futbollit, të cilin e luante edhe vetë me nxënës, kolegë e bashkëfshatarë. Dragotasit e Topojanasit, të rrethuar nga malet, falë tij, të etur për dije e kulturë, i jepnin kuptim jetës, gëzimeve e lumturisë me shpirtin e tye të ndjeshëm çdo mbrëmje në shtëpinë e kulturës. Sot jetojnë heshtjen e demokracisë, dhe ka zënë vend braktisja e njerëzve. Të tilla erdhën kushtet, dhe u detyruan të ikin drejt qyteteve. Hajdar Mëhallën e frymëzonte jeta në mes banorëve dhe njohu të mirat, gëzimet, ashtu siç njohu hidhërimet, kundërshtitë. Koha lindi edhe dështakë, të cilët fryenin vetveten me bëmat e fisit, pa gjë në trastë. Ata me llogjikën e shpirtit të zi çirreshin si zhurma e bezdisur e këndezit majë plehu, orar pa orarë, por koha i zhvlersoi në sytë e njerëzve.

Një nga kolegët e tij, Qemal Çala të flet me simpati për Hajdarin, si njeri jo vetëm korrekt në mësimdhënie, por sidomos në artin e veçantë të drejtimit të shkollës së Dragotit, për zellin, ndërgjegjjen, këmbënguljen për të vërtetën, ndershmërinë dhe dinjitetin moral. “Të punoje me Hajdarin, ishte vërtetë kënaqësi. Hajdari shquhej gjithnjë për durim dhe vendosmëri për të kryer deri në fund punën që merrte përsipër. Edhe nga shprehja e fytyrës së tij kuptoje kur një gjë shkonte mirë apo keq dhe kështu ka mbetur akoma. Sa herë që takohem me të, ne kujtojmë copëza ngjarjesh, vitet e punës, duke përjetuar emocione të shumta. Ato vijnë edhe me ngjyrat e jetës, për gjendjen ekonomike të atyre viteve, vështirësitë, mungesat dhe mangësitë profesionale. Unë isha mësues i ri dhe punova disa vite në shkollën që ai drejtonte. Arsimi i sotëm është pajisur me kulturën e duhur, me kondita të mira dhe objektiva e arritje akoma më të mëdha, por nuk duhen harruar vitet e vështira, të cilat ai i kujton me nostalgji”.

I lidhur ngushtë me farefisin, shokët, miqtë, në dasma e festa, emri i tij përherë i nderuar.

“ – Kjo na bën – thotë nipi i tij,  Iliri – të ndjehemi krenar për të.” Duke përshkruar karakterin e tij, dhe duke vënë në dukje meritat e xhaxhait, ai thekson se është model jo vetëm për fisin, por edhe për Dragotin e Topojanin e në gjithë Sulovën. “Drejtor kështu ishim mësuar ta thërrisnim të gjithë në fshat, edhe kur u rritëm dhe dolëm në jete, e sa herë që e takojmë. Shpesh mendoj se ku e gjente ai kohën për përballimin e detyrave që kryente. Dhe kur e kërkonte arsyeja gjithmonë gjendej pranë miqve dhe familjes. Shtëpia e tij ishte streha e të ardhurve që vinin në fshat me punë a për hall.”

Hajdar Mëhalla është prind i nderuar dhe i respektuar nga fëmijët e tij, për të cilët ai u kujdes aq shumë në shkollimin e tyre, sepse edhe i mbrujti ata me fisnikërinë e të parëve, me traditat më të mira të tyre, si punëtorë, korrekt, të ndershëm në punë, shoqëri e familje. Kot nuk thonë atë fjalën e urtë: Bëmë baba të të ngjaj. Fëmijët e tij sot janë bërë prindër shembullorë, dhe punojnë në institucione të ndryshme, e janë korrekt dhe serioz kudo. Ai dhe e shoqja krenohen me fëmijët e tyre si dhe ata ndjehen mirë, që kanë një baba me emër të mirë.

Erdhi koha dhe një ditë ai doli në pension. Që nga 1995, për një jetë më të mirë ai u largua familjarisht nga vendlindja, dhe u vendos në qytetin e Elbasanit, por ende me shpirt është në Topojanin e Sulovës së tij, por edhe këto vite në Elbasan bën një jetë normale e të respektuar në shoqëri e miqësi. Arsimi është kryemotivi i jetës së tij. Hajdar Mëhalla tashmë ka shkelur të 80 e jetës së tij. Thinjat i kanë zbardhur flokët, por ai përsëri ndihet i ri.

Për të gjitha këto vlera, përkushtimin, drejtësinë, ndershmërinë e virtyte të tjera që ka shpirti i tij, mendojmë se kemi të bëjmë me një njeri me vlerë, që duhet nderuar e respektuar. Shumë vlersime janë bërë dhe bëhen nga Administrata shtetërore dhe institucionet përkatëse arsimore, por fatkeqësisht ai nuk ka marrë ende meritat që i takojnë, e sidomos nga ata individë që merren me ndarje mirnjohjesh e vlersimesh, të cilët do të duhet të bëjnë diçka për të. Sepse: A nuk do do të ishte mirë që të nderojnë këta njerëz sa janë midis nesh, por të mos presin sa ata të largohen nga jeta. Kjo është absurditet.

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Hajdar Mëhalla, nje jete, Pellumb Guri, SI NJË LIBËR

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Skulptori Gëzim Muriqi vjen me “ringjalljen” e Skënderbeut
  • Mistika dhe Fizika
  • “Atdhetari i shtigjeve të lirisë” – monografi për heroin e kombit Xhavit Hazirin!
  • THE UNITED STATES DAILY (1928) / AHMET ZOGU FALENDERON PRESIDENTIN AMERIKAN CALVIN COOLIDGE PËR NJOHJEN DHE URIMET E TIJ ME RASTIN E NGJITJES NË FRONIN E SHQIPËRISË (TELEGRAMI)
  • Kryetari Glauk Konjufca takoi ish-Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, Nancy Pelosi dhe Kongresistin Torres
  • Populli i Kosovës ka zgjedhur rrugën e vet
  • Shoqata studentore shqiptare në Columbia “Columbia University Albanian Society,” organizon: Bashkëbisedim mbi Eposin e Kreshnikëve
  • AMBASADOR BLERIM REKA VIZITON VATRËN TË MËRKURËN NË ORËN 2 PM
  • PROF.DR. ZYMER NEZIRI LIGJËRATË NË VATËR TË ENJTEN MË 30 MARS ORA 6.30 PM
  • “Fëmijët shqiptarë të Kosovës – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë 1981 – 1999”
  • BOKSIERI SHQIPTAR KRISTIAN PRENGA — NJË MOMENT KRENARIE PËR TË GJITHË SHQIPTARËT KUDO
  • Dashuri dhe vdekje – Fati tragjik i prindërve të Karl Thopias
  • Kryeministri Kurti: Masakra ndaj familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë
  • Kosovë-Homazhe te Memoriali në Izbicë
  • Kryetari Glauk Konjufca takoi Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-së, Gabriel Escobar

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT