• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

28 NENTORI SI REFLEKTIM

November 30, 2016 by dgreca

Kreu i Shtetit shqiptar ua ka uruar të gjithë bashkatdhetarëve 104-vjetorin e Ditës së Pavarësisë: Gëzuar Festën e Flamurit Kombëtar!/

Presidenti i Republikës, Sh. T .Z. Bujar Nishani dhe Zonja e Parë, Odeta Nishani dhanë sonte në darkë në Pallatin e Brigadave, pritjen zyrtare me rastin e Festës Kombëtare, Ditës së Pavarësisë dhe të Flamurit, në të cilën ishin të pranishëm Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deputetë të Kuvendit, anëtarë të Qeverisë, ish-Presidentë, ish-kryeministra, drejtues dhe përfaqësues të bashkësive fetare, Ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, akademikë, artistë, intelektualë, familjarë të nënshkruesve të Aktit të Pavarësisë si dhe bashkatdhetarë të shumtë.

Në vijim përshëndetja e plotë e Kreut të Shtetit shqiptar:

“I nderuar zoti Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë,

I nderuar zoti President i Kosovës,

Të nderuar ish-Presidentë, ish-kryeministra,

Të nderuar autoritete të Shtetit Shqiptar,

Shkëlqesi Ambasadorë,

Të nderuar drejtues dhe përfaqësues të Bashkësive Fetare,

Të nderuar autoritete vendore,

Të dashur bashkatdhetarë kudo ndodheni,

Zonja dhe zotërinj, miq e të ftuar!

E përjetoj si privilegj të madh dhe nder të veçantë që në cilësinë e Presidentit të Republikës në këtë ditë të shënuar për kombin tonë të uroj të gjithë bashkatdhetarët tanë: Gëzuar Festën e Pavarësisë kombëtare! Gëzuar Festën e Flamurit! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!

Si sot më 28 Nëntor 1912, pas një udhëtimi të gjatë nëpër histori mes luftrash, kryengritjesh, rreziqesh e sfidash ekzistenciale, mes kujtimit të mijëra dëshmorëve e gjakut të derdhur, Rilindja e vërtetë shqiptare mbërriti në apogjeun e vet! Si kurrë më parë e shkuara dhe e ardhmja, gegë e toskë, të gjallë e të vdekur ishin pranë njëri-tjetrit në atë ditë të shenjtë rreth Ismail Bej Vlorës për të përmbushur vullnetin e një populli të lashtë për liri, pavarësi e shtetformim. Nder përjetë Atit themelues! Nder përjetë Rilindasve të mëdhenj të kombit! Nder përjetë luftëtarëve dhe dëshmorëve të këtij procesi që bëri të mundur kalimin e shqiptarëve drejt modernitetit, kthimin e tyre në shtëpi, në gjirin e kontinentit që i përkasim që kur zë fill jeta, kthimin në familjen evropiane. Do të na mbetej peng në ndërgjegje nëse sonte vëmendjen nuk e kthejmë me mirënjohje edhe ndaj Vilhelm Vidit, Princit evropian të Shqiptarëve!

Po ashtu do të mbeteshim peng të historisë së ideologjizuar komuniste nëse nuk e kthejmë edhe formalisht Mbretin Zog, këtë burrë të ndritur të kombit shqiptar, shtetformues e konsolidues i tij, atdhetar e politikan i klasit të lartë në panteonin e vlerave të ndritura të kombit. Nder përjetë kujtimit të tyre!

Kanë kaluar 104 vjet nga dita e shenjtë, 104 vjet histori e shtetit shqiptar në të cilën reflektohen të gjitha virtytet dhe cenet tona, të gjitha ëndrrat dhe aspiratat e idealistëve, qëndresa dhe fataliteti, liria dhe tirania, lufta dhe paqja, diktatura dhe antikomunizmi, pluralizmi dhe demokracia, tranzicioni dhe integrimi! Gjatë fundit të kësaj periudhe, problemi shqiptar në Ballkan ka gjetur zgjidhje duke i dhënë paqe e stabilitet rajonit. Pavarësia dhe demokracia e Kosovës janë një provë dhe realitet i patjetërsueshëm i këtij fakti. Nga kjo sallë ceremoniale përftitoj nga rasti të përshëndes të gjithë shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Luginë të Preshevës, ata në Diasporë i bindur se Flamuri Kombëtar na mbështjell të gjithëve si identitet i patjetërsueshëm.

Të nderuar të pranishëm,

Gjatë historisë ne kemi pasur sukses të gjitha ato herë kur jemi treguar bashkëpunues me njëri-tjetrin! Nuk e kemi pasur atë sa herë jemi treguar egoistë, sa herë i jemi kundërvënë ashpër njëri-tjetrit për interesa të ngushta pushteti, sa herë kemi vendosur partinë mbi Shqipërinë, sa herë kemi braktisur vullnetin e popullit për pushtetin e individit, sa herë kemi vendosur dhunën e forcës mbi forcën e arsyes, sa herë kemi cenuar standardet demokratike. Fjala e lirë është arritja jonë e madhe. Duhet ta ruajmë atë me çdo çmim.

Gjatë këtij viti kanë ndodhur disa ngjarje të mëdha për të na kujtuar të gjithëve ne se ende nuk jemi ndarë plotësisht nga e kaluara komuniste. Shenjtërimi i 38 Martirëve të Kishës Katolike shqiptare nga Papa Françesku na nxit për të reflektuar! Shteti shqiptar duhet të gjejë sa më parë formulën për t’i shpallur ata dhe të gjithë viktimat e diktaturës të pafajshëm. Ne kemi nevojë të konservojmë kujtesën e rezistencës antikomuniste, ta bëjmë pjesë të kurrikulave shkollore dhe të dënojmë krimet pa thënë “ndoshta e sikur” dhe jo t’i relativizojmë ato duke e shndërruar historinë në folklor e folklorin në histori. Ne duhet të nxëmë nga historia dhe jo të vazhdojmë manipulimin e saj.

Kurrë më shumë se sa sonte mund të shpreh kënaqësinë e madhe, timen personale, por edhe të të gjithë shqiptarëve për atë që ndodhi më 4 shtator në Sheshin Shën Pjetër. Shqiptarët tashmë kanë Shenjtoren Terezë. Në çdo situatë nuk duhet të harrojmë se jemi populli i saj.

Të dashur miq!

Në 26 vjet ne kemi shënuar përparim të madh duke pasur parasysh pikën e nisjes. Por nuk kemi mbërritur ende aty ku dëshirojmë, aty ku mundemi dhe kemi vullnet. Pengesa subjektive, të cilat shpesh i krijojmë vetë, na zënë rrugën nganjëherë. Në korrik të këtij viti Parlamenti shqiptar me një konsensus historik bëri ndryshimet kushtetuese duke mundësuar nisjen e reformës në sistemin e drejtësisë. Personalisht kam bërë çdo gjë që ky proces të jetë sa më efikas dhe në shinat e kushtetueshmërisë. Drejtësia mbështetet në ligj dhe ligji është i barabartë për të gjithë. Nuk ka drejtësi as mbi ligjin e as nën ligjin.

Zonja dhe zotërinj,

Edhe viti që po lemë pas ka qenë i mbushur me sfida për paqen, sigurinë dhe vlerat njerëzore, duke sjellë nevojën për një përgjigje më të shpejtë e të koordinuar. Shqipëria ka qenë plotësisht e rreshtuar në krah të aleatëve dhe partnerët e saj strategjikë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, në përballjen me sukses të këtyre sfidave, qoftë ndaj terrorizmit, radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, e udhëhequr nga respekti për liritë dhe të drejtat themelore, zbatimi i ligjit dhe bashkëpunimi ndërkombëtar. Shqipëria tashmë është një faktor dhe aktor aktiv e i pazëvendësueshëm në kontributet për bashkëpunimin, bashkëjetesën dhe mirëkuptimin rajonal. Ajo është anëtare e të gjitha organizatave rajonale të Evropës Juglindore dhe të Ballkanit Perëndimor, duke u kushtuar një vëmendje të veçantë e të madhe marrëdhënieve me vendet fqinje, por edhe me rajonet e tjera të botës.

Me ndjenjë krenarie iu referohem shpesh partnerëve tanë ndërkombëtarë, të cilët e vlerësojnë lart rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon, në dobi të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Sot rajoni i Ballkanit Perëndimor ka hyrë në një fazë të re mirëkuptimi dhe bashkëpunimit. Agjenda e integrimit evropian mbizotëron bashkëpunimin mes të gjitha vendeve të rajonit.

Gjithashtu, Pavarësia e Kosovës demonstroi se ishte një vendim i drejtë në mbështetje të paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit. Një vendim që nuk drejtohej kundër ndonjë vendi apo etnie tjetër, por një vendim, i cili i shërben një të drejte të mohuar të popullit të Kosovës.

Të nderuar miq,

Kontributin tonë në NATO dhe perspektivën evropiane të vendit, më shumë se çdo gjë tjetër, i kemi parë dhe i shohim si përgjegjësi. Integrimi evropian ka qenë kurdoherë zgjedhja e klasës politike dhe qytetarëve shqiptarë dhe jo një vendim i imponuar nga rrethanat apo kushtet. Si e tillë ai është dhe do të mbetet gjithmone alternativa jonë e vetme. Në këtë optikë, funksionimi i konsoliduar i shtetit ligjor, maturimi në politikëbërje në standardin evropian, ndërtimi i një kulture politike bashkëpunuese e konsensuale, përqendrimi në plotësimin e 5 prioriteteve të përcaktuara nga Komisioni Evropian për Shqipërinë dhe angazhimi më aktiv civil janë sfida aktuale të vendit. Hapja sa më parë e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian do të jetë hapi tjetër cilësor që do na çelë derën për të ecur në udhën e gjatë të reformave edhe më të thella, e ndoshta më të dhimbshme, por të domosdoshme për t’u bërë pjesë e familjes evropiane. Ajo që mbetet pjesa thelbësore e këtij procesi është angazhimi, përkushtimi dhe veprimi i pandalshëm i shoqërise shqiptare dhe aktorëve të saj në përmbushjen e standardeve të kërkuara. Jam i bindur se shqiptarët nuk do të lodhen kurrë në këto përpjekje dhe në këtë rrugëtim.

Të dashur bashkatdhetarë,

Periudha në vijim është një periudhë me dy prioritete të mëdha: zgjedhjet e lira e të ndershme që do të zhvillohen në qershorin e ardhshëm dhe lirimin e vendit nga kanabisi, kjo murtajë që rrezikon të sotmen dhe të nesërmen, ne dhe fëmijët tanë, politikën dhe shtetin, demokracinë dhe integrimin.

Në cilësinë e Presidentit të Republikes i ftoj të gjitha palët politike në vend që sa më shpejt të bëjnë reformën zgjedhore, një reformë kjo që t’u përgjigjet zhvillimeve në vend duke korrigjuar defektet dhe konsoliduar infrastrukturën zgjedhore! Vendi e ka të pamundur të ballafaqohet me zgjedhje të cenuara e të kontestuara. E kemi jetike nevojën për zgjedhje të lira e të ndershme. Unë shpreh besimin tim se Shqipëria dhe shqiptarët dhe të gjitha institucionet do të dinë të ngrihen në lartësinë e sfidave të bashkohësisë duke bërë më të mirën për sot dhe për nesër, për vete dhe për brezat.

Gëzuar Festën e Pavarësisë! Rroftë Flamuri ynë kuq e zi! Zoti i bekoftë shqiptarët dhe Shqipërinë!”

Filed Under: Histori Tagged With: 28 nentori, presidenti Nishani, si reflektim

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT