Nga Enver Bytyçi/
“Ajo çfarë ne duam është sundimi i së drejtës, e cila vjen nga qeveritë e legjitimuara dhe mbështetet nga mendimi i organizuar i njerëzimit”./
Woodrow Wilson, 4 korrik 1918/
Kjo deklaratë e ish – presidentit amerikan të vjen vetiu në mendje kur dëshiron t’i kthehesh një teme të rëndësishme si ajo e Samitit të Berlinit, i cili prej dje po vijon punimet nën drejtimin dhe kujdestarinë e kancelares Angela Merkel. Në këtë samit janë mbledhur dhe po diskutojnë për të ardhmen e rajonit të Ballkanit Perendimor krerët e shtetit ose të qeverive të shtatë vendeve, përkatësisht, Shqipërisë, Kosovës, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës. Shkurt shtetet që kanë dalë nga ish-Jugosllavia, plus Shqipëria. Kjo formulë e integrimeve euroatllantike është përdorur para një dekade në Europë, por u kumdështua nga disa vende, sidomos Shqipëria, Sllovenia dhe Kroacia, për të shmangur çdo keqinterpretim në përqasjen me federatën jugosllave të kohës së sundimit komunist.
Ka ditë që kjo ngjarje përflitet si një sukses i jashtëzakonshëm i kryeministrit shqiptar, për shkak se Ai, pra zoti Rama, në përfundim të Samitit do të përfaqësojë kolegët e tjerë në konferencën e përbashkët për shtyp. Sigurisht që përzgjedhja e kryeministrit të vendit tonë për pjesmarrje në konferencën e përbashkët për shtyp është një vlerësim për Shqipërinë, për shqiptarët dhe për rolin pozicionin e ri që ata kanë fituar në rajonin e Europës Juglindore. Unë e shoh këtë edhe si simbolikë të vlerësimit që Merkel ka për zotin Rama personalisht e njëkohësisht si përpjekje të saj për ta inkurajuar atë në zhvillimin e demokracisë e vendosjen e shtetit ligjor në vendin tonë.
Se Shqipëria ka një rol parësor në integrimet rajonale, kjo tashmë është një fakt i provuar dhe një mendim i konsoliduar me politikat konstruktive të saj përgjatë 23 viteve të shkuara, me kontributet e saj permanente për implementimin e paqes e stabilitetit në rajon dhe në vatrat e tjera të konfliktit në botë, me politikat e vazhdueshme të integrimeve rajonale dhe zgjidhjes me dialog të problemeve dypalëshe ndërkufitare. Ndërkohë thuajse të gjitha vendet e tjera, përfshirë dhe Greqinë, kanë dëshmuar në vazhdimësi ose herë pas here se i përkasin një epoke tjetër, kur Ballkanin e sundonin periudhat konfliktuale, luftrat shfarosëse, urrejtja, ndjenja e hasmërisë dhe fobi të shumta kundër njëri-tjetrit.
Samiti i Berlinit është i pari Samit që zhvillohet me tematikën e integrimeve europiane e rajonale me iniciativën e një kancelari gjerman. Në këtë kuptim ky Samit ose Konferencë duket të luajë një lloj roli si Samitet e Kartës së Adriatikut, të cilët patën dhe kanë një ndikim të jashtëzakonshëm në procësin e anëtarësimit të Shqipërisë, Kroacisë dhe vendeve të tjera të rajonit në NATO. Vetëm se Kartën e Adriatikut e ideuan dhe udhëhoqën Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si vendi lider i Aleancës së Atlantikut. Iniciator i saj ishte ish- presidenti Xhorxh W. Bush. Ndërkohë që Samiti i sotëm u ideua dhe udhëhiqet nga Gjermania, si vend lider i Bashkimit Europian. Kancelarja Merkel luan të njëjtin rol si presidenti Bush, por tashmë me një objektiv tjetër, integrimin e rajonit në BE.
Konferenca e Berlinit ka domethënien e saj të shumanshme. Kryesimi i saj prej Angela Merkel është garanci se ky samit nuk do të mbetet si një akt formal në marrëdhëniet midis shteteve të Ballkanit Perendimor. Ai do të jetë një takim, në të cilin do të vendosen themelet e të ardhmes auropiane të Ballkanit Perendimor dhe mbi të gjitha një konfirmim i faktit se integrimi në BE do të jetë një proces i pakthyeshëm.
Samiti i Berlinit tërheq vëmendjen në disa aspekte historike dhe aktuale. Ai mbahet një shekull pas fillimit të Luftës së Parë Botërore. Po të kemi parasysh faktin së Lufta e Parë Botërore filloi në Ballkan me vrasjen e princit austriak, Franz Ferdinand dhe gruas së tij, pra se kjo luftë ishte pasojë e një sherri të madh ballkanik, ku shquhej ambicja e Serbisë për ta sunduar gjithë rajonin, atëherë duhet të themi se Samiti i Berlinit konfirmon një ndryshim rrënjësor në gjeopolitkën dhe sjelljen e shteteve dhe popujve të këtij rajoni. U desh ndërhyrja e NATO-s në Kosovë si dhe angazhimi politik e diplomatik i Uashingtonit dhe Brukselit që të vinim deri te kjo situatë, në të cilën të sundojë tashmë paqja, siguria, stabiliteti dhe harmonia, ndonëse ende në kufijtë e brishtësisë. Pra,edhe një paqe, siguri dhe stabilitet I imponuar nga nevoja e të gjitha këtyre vendeve për një ardhmëri më të mirë për veten e tyre.
Gjermania, duke qenë iniciatore e takimit të gjashtë vendeve ballkanike, duket dëshiron të konfirmojë faktin që pas një shekulli në rajonin tonë është implementuar thuajse identik vizioni I Perandorisë Austro-Hungareze dhe vetë Berlinit për një Ballkan të modelit të asaj që aso kohe e proklamoi presidenti amerikan, Woodrow Wilson, sipas të cilit: “Ajo çfarë ne duam është sundimi i së drejtës, e cila vjen nga qeveritë e legjitimuara dhe mbështetet nga mendimi i organizuar i njerëzimit”. Vjena dhe Berlini erdhën në konfliktin e verës së vitit 1914 për shkak të vizioneve të ndryshme midis Boshtit dhe vendeve të Antantës sa i përket gjeopolitikës së rajonit tonë. Dhe ndonëse në Konferencën e Paqes së Parisit Gjermania dhe Austro-Hungaria u ndëshkuan rëndë, duke anashkaluar për herë të parë që prej 1648-ës parimin e ruajtjes së ekuilibrave të Fuqive të Mëdha, Ëilson në princip mbështeti vizionin e paraLuftës të Fuqive të mundura në Luftën e Parë Botërore. Sot ky vision është realizuar në praktikë, Bosnjë-Hercegovina tashmë është një shtet sovran dhe i pavarur. Eshtë krijuar shteti i Maqedonisë, fatmirësisht pa luftë dhe konflikt të armatosur. Kosova ka shtetësinë e saj dhe shqiptarët kanë rifituar pozitën e tyre gjeopolitike në rajon. Pikërisht ajo çfarë kishte projektuar Austro-Hungaria me mbështetjen e Gjermanisë më 1912-1914. Në këtë kuptim Angela Merkel e rikthen vendin e saj në rolin e një fuqie fituese të Luftës së Parë Botërore, duke rikonfirmuar në këtë samit të së enjtes, se vizioni i vendit të saj dhe aleatit të natyrshëm, Austrisë, tashmë është një realitet i padiskutueshëm. Ndërkohë ajo duket se bën me dije se bota nuk do të hynte në luftë para 100 vjetësh, nëse Fuqitë e Mëdha që fituan luftën për shkak të forcës, por jo të ideve e vizionit për rajonin e Ballkanit Perendimor, do të kishin pranuar projektin Austro-Hungarez dhe gjerman të ndërtimit të hartës politike të Ballkanit. Në këtë rast vetë kombet ballkanike nuk do të kalonin në një kalvar vuajtjesh, si rezultat i konflikteve të pandërprera midis kombeve dhe popujve të rajonit.
Konferenca e Berlinit është një ngjarje, një ngjarje që dallon nga samitet e tjera të BE-së gjatë periudhës mbi 20 vjeçare për shkak të seriozitetit, momentit politik dhe zhvillimeve dramatike në lindje të Europës, ku kam parasysh krizën dhe konfliktin ruso-ukrainas. Gjermania për herë të parë i rikthehet interesimit të saj për rajonin e Europës Juglindore në mënyrë direkte dhe komplementare. Mesa duket ajo e sheh këtë rajon si mundësi për të gjerneruar resurse të mëdha për popujt e shtetet ballkanike, por edhe për Gjermaninë dhe Bashkimin Europian. Konflikti në Ukrainë e ka nxitur Gjermaninë dhe kancelaren Merkel që të implementojë një program e projekt zhvillimi të gjithanshëm në rajonin tonë. Në këto projekte bën pjesë ndërtimi i infrastrukturës si dhe investimet kapitale për zhvillimin e turizmit, bujqësisë dhe industrisë. Kriza në Ukrainë dhe përpjekjet e Moskës për dominim në ish-vendet e Bashkimit Sovjetik, bëjnë që Gjermania të tërheqë gradualisht një pjesë të kapitalit të saj nga Rusia dhe ta investojë atë në vendet e rajonit tonë.
Shqipëria i ka të gjitha shanset të shfrytëzojë momentin e “artë”, do ta quaja, për të. Ajo duhet të dëshmojë vullnet dhe partneritet të sinqertë me Gjermaninë dhe partnerët e miqtë e saj, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Austrinë, Italinë, Turqinë dhe vende të tjera. Dy janë elementët themelorë ku duhen adresuar zgjidhjet:
Së pari, politikës dhe diplomacisë shqiptare i nevojitet të punojë me sinqeritet me aleatët e saj strategjikë, të lartpërmendur ose me fqinjët dhe vendet e rajonit, me të cilët synohet ndërtimi i urave të paqes, sigurisë, stabilitetit, bashkëpunimit dhe integrimit të ndëersjelltë e të dyfishtë. Kjo do të thotë që shqiptarëve nuk u lejohet të bëjnë politikë e diplomaci të bazuar në ideologji, por në interesat kombëtare. Kjo do të thotë që strategjitë e bashkëpunimit të mos ndikohen nga nevojat elektorale, por nga interesat nacionale. Kjo do të thotë diskutim në tavolinë i të gjitha çeshtjeve që kërkojnë zgjidhje dhe jo vendimmarrje të njëanshme. Kjo do të thotë transparencë në marrëdhëniet me partnerët e aleatët tanë dhe jo qëndrime të dyfishta e të ndikuara nga “armiku i armikut tim”.
Së dyti, lehtësi maksimale për investime publike e private. Gara e krijimit të lehtësive të tilla është garë konkurence midis të gjitha vendeve tona të rajonit. Projektet e mëdha, të cilat prodhojnë punësim, prodhim, eksport, të ardhura e mirëqenie jaën destinacion i të gjitha vendeve të rajonit përfshirë edhe Greqinë dhe Bullgarinë e ndoshta Rumaninë dhe Turqinë, përveçse vendeve tashmë pjësmarrëse në Samitin e Berlinit. Ato i fiton ai vend, i cili krijon mekanizma të qëndrueshëm e bindëse për mbrojtjen e investimeve të huaja. I fiton ai vend, i cili udhëhiqet nga parimet e një demokracie funksionale dhe liberale si dhe parimet e ndërtimit të shtetit ligjor. Retorika e shtetit ligjor mbetet vetëm retorikë, nëse nuk shoqërohet me funksionimin normal të institucioneve qeverisëse të vendit. Për pasojë demokracia nuk funksionon, nëse mungon dialogu i brendshëm, përfshirja e të gjithë faktorëve e grupeve të interesit në vendimmarrje e kështu me radhë. Nuk mjafton të ndërtosh një diskurs pozitiv për sytë e ndërkombëtarëve dhe një diskurs dhe qëndrim të papranueshëm e negative për sytë e opozitës dhe kundërshtarëve politikë. Përkundrazi, nëse qëndrimet për politikat e brendshme merren të shkeputura dhe të veçuara nga qëndrimet dhe partneriteti me ndërkombëtarët, atëherë dështimi është i garantuar. Mund të duket se ka një sukses të pjesshëm e të përkohshëm, por kurrësesi një sukses të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Konkurenca midis kombeve ballkanike për investime ka tashmë përvojat e veta, nëse kemi parasysh investimet miliardëshe të Kinës në portet greke dhe investimet po ashtu miliardëshe të Emirateve të Bashkuara Arabe në Serbi e Beograd.
Konferanca e Berlinit është një shans, madje një shans i barabartë për të gjitha vendet e rajonit pjesmarrëse të saj. Diferencën do ta bëjë implemtnimi i një politike dhe diplomacie të shkathët, të drejtpërdrejtë e transparente, me qëllim që të fitohet besimi i partnerëve dhe aleatëve. Pa besim nuk ka bashkëpunim në asnjë segment te jëtës politiko-shoqërore. Vetëm me anën e besimit mund të garantohet suksesi i lidhjeve të gjithanshme të Shqipërisë me botën. Besimi nuk fitohet me mburrje si në kohën e Titos, Stalinit, Hrushovit e të Mao Ce Dunit, por me qëndrime dhe veprime korrekte. Nuk fitohet as me batuta dhe kritika ndaj partnerëve, shpesh herë pa vend dhe në kohën e gabuar. Ndërtohet me dialog dhe diskutime të sinqerta, me zgjidhjen e problemeve në tavolinë. Dhe probleme Shqipëria ka me disa vende të rajonit. Ka me Greqinë sa i përket çeshtjes çame dhe vendosjes së dëmarkacionit kufitar në ujrat detare të Jugut. Ka me Maqedoninë sa i përket të drejtave të shqiptarëve dhe implementimit të Marrëcveshjes së Ohrit. Ka probleme me Serbinë, për shkak të qëndrimit të saj ndaj Kosovës si dhe të mosrespektimit të të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Por ka dhe me vende të tjera për shkak të trajtimit të gabuar të pakicave shqiptare në këto vende. Kohët e fundit flitet për herë të parë që prej kur vendin e drejtonte udhëheqësi komunist, Enver Hoxha, për grindje dhe konflikte midis politikës shqiptare dhe asaj të Turqisë.
Të gjitha këto na bëjnë të besojmë se Samiti i Berlinit është vetëm fillimi i asaj që duhet të ndërtohet në planin politik, integrues, ekonomik, kulturor e në fushën e sigurisë në rajonin tonë. Euforia është dhe mbetet aleati më i keq i qeverisë dhe të gjithë faktorëve politikë shqiptarë në Shqipëri, Kosovë e rajon, sa i përket rolit që duhet të luajmë në implementimin e shpejtë të projeketeve politike, ekonomike e më gjerë, të diskutuara dhe miratuara në Berlinin e datës 28 gusht 2014. Thelbi i gjithë kësaj që thamë mbetet përsëri te ideja e ish-Presidentit amerikan Wilson të cituar në fillimin e këtij shkrimi.
Të qenit vetëm si shans për të njohur veten
Nga Aida Dismondy /
Përgjatë viteve kam biseduar e hasur shumë gra të cilat ,sapo kanë përfunduar një lidhje qoftë kjo dashurore a martesore, fillojnë të përsërisin me vete dhe me shoqërinë se ato ndjehen vetëm, se jane vetëm, se “s’ia var kush” në shprehjen më popullore. Këto pohime, këto mendime marrin shumë hapesire në mendjen e tyre saqë qëllon të bëhen paralizuese për të ecur përpara dhe bëhen shpesh aq verbuese sa ndodh edhe të errësojnë edhe të qenit koshient për të mirat që kanë në jetën e tyre. Me një fjalë ato pohime ndodh të shumëzojnë me zero ekzistencën dhe tërësinë e vlerave të këtyre grave apo femrave. Po i mëshojmë gjinisë femërore, pasi ndodh që femrat shprehen me pesimizem për mungesën e një partneri. Kam hasur femra që edhe pse në mes të divorcit të thonë “duhet me gjet një burrë më të mirë se ky”. Apo femra që kanë jetuar në një marrëdhënie të keqe apo kanë qenë në proces të largimit nga një marrëdhenie ku dhe kanë përjetuar horrore, e kanë pohuar se një nga zgjidhjet e mundshme për veten ka qenë gjetja e “një mashkulli që të më trajtojë më mirë se ai.” Janë femra që mbase dhe mund të kenë fëmijë në jetën e tyre e janë përgjegjëse për ta si nëna, por që e gjejnë veten të konsumuara me mendimin “s’më do askush”, kur dashuria më e madhe ndodhet përballe tyre. Në keto rastet e fundit paradoksi është i qartë. Ndonjë lexues mund të mendoje por femija nuk do më jape dashurinë që partneri do më japë. E drejtë, por është vlerësim sidosi është dashuri që ekziston në jetën e dikujt, për rrjedhojë zhvlerëson thënien “s’më do askush, dhe jam vetëm.” Një arsye tjetër dhe më e rëndësishme është se femrat janë ato që shpesh kalojnë nga një marrëdhenie e keqe në një tjetër akoma më të keqe, ose siç thotë populli “nga shiu në breshër”. Eshtë një përpjekje pa kohë për ndalim, për pushim për veten. Për hir të qartësisë nuk po dënojmë kërkimin për një partner apo dëshirën për të pasur dikë në jetë. Këtu po i mëshojmë atyre rasteve, kur dëshira për të qenë me dikë luan rol primar në disavantazh më pas të personit.
Ndonëse po flasim për gjininë femërore principi është universal pavarësisht gjinisë pasi nevoja për t’u ndierë të dashuruar apo të dëshiruar dhe i vlerësuar është e lindur me njeriun. Eshtë kjo arsyeja që ne shtyhemi të kërkojmë për njerëz dhe dëshirojmë të kemi njerëz në jetën tonë që na bëjnë të ndjehemi të dashuruar, të dëshiruar, dhe të vlerësuar. Nëse kur e gjejmë personin do të jemi të lumtur apo jo kjo është çështje tjetër, pasi të përfunduarit në lumturi apo në mizerje është produkt më pas i lidhjes. Dëshira e brendshme e lindur na bën gjithashtu që në momentet, kur nuk kemi partner të ankohemi ose të përsërisim refrenin “askush s’më do, e jam vetëm”.
Të qenit vetëm është parë si një semundje dhe një virus prej të cilit duhet të shpëtojmë shëndetin, në vend që të shihet si një mundësi, një shans që na jepet për të qenë me veten dhe të marrim kohën për ta njohur veten. Kjo qenësi vetëm si sëmundje është më dominuese, kur femrat kanë qenë dhe janë shkëputur nga lidhje jo të shëndetshme, jo funksionale, dhe shpesh abuzive, ose ose nga të jetuarit në një mjedis familjar ku sundon më tepër indiferenca dhe abuzimi sesa dashuria për pjesëtarët e familjes. Dëshira për ta hequr qafe vetminë është e lidhur me nevojen që përmenda më sipër për të qenë e për t’u ndjerë të vlerësuar, të mbështjellë në ngrohtësinë e dashurisë. Kështu, nevoja për të pasur dikë barazohet me vlerësimin personal, thënë ndryshe, nëse dikush është prezent në jetën e një femre, në mendjen e saj ka gjasa kjo përkthehet si të pasurit vlerë si njeri. Kjo nevojë për t’u ndjerë i vlerësuar është e lidhur shpesh me të pasurit një vleresim të ulët e të pakët për veten apo mungesë konfidence dhe besimi në vetvete. Si rezultat kërkojmë afirmim nga jashtë për të mbushur atë çfarë mungon brenda. Dhe ajo që mungon është njohja e vetvetes.
Monologu i lartpërmendur duhet ndaluar çfarë kërkon vendim-marrje nga personi për ta ndërprerë shiritin e magnetofonit që luhet në mendjen e tij/saj dhe të fillojë luajtjen dhe incizimin e një rekordi të ri. Sepse të luajturit e muzikës së vjetër në mendje nuk do të sjellë rezultat të kundërt, ose më saktë nuk mund të presësh rezultate të ndryshme duke ndjekur të njejtat procese a hapa. Kur nuk merret koha për të ndaluar muzikën e vjetër ndodh shpesh që të gjeturit e një personi të ri rezulton të jetë një person jo i gatshëm emocionalisht apo dikush që mund të ketë pasiguri të tjera e kështu shpesh femrat gjenden në pozitën e të ecurit apo rendurit në të njejtin rreth vicioz. Në rrethet e avokatëve dhe psikologëve që merren me persona të abuzuar ky rreth vicioz njihet si rrethi i dhunës për të ilustruar mes të tjerash të shkuarit nga shiu ne breshër. Këto veprime janë rezultat i të qenit në marrëdhenie jo funksional. Të qenit ne marrëdhenie jo funksionale është përkufizuar si një kontratë emocionale me dikë për të plotësuar një nevojë që rezulton në shkaterrim vetjak. Pra nuk do te thote qe personi ka te meta apo mangesi te karakterit qe e bejne ate manget thjesht se ne jeten e tij/saj ndodhen zona te fshehura ne subkoshience te cilat veprojne e manifestohen ne zgjedhjet e vendimet qe bejme. Këto marrëdhenie përsëriten. Lëvizja nga një marrëdhenie jofunksionale në tjetrën çon rrjedhimisht në drejtimin e gishtit kah personit tjetër për gjendjen jo të lumtur në të cilën këta individë e gjejne vetën dhe përpiqen të gjejnë si të vetmin solucion largimin nga personi. Largimi nga persona të caktuar është shpesh hapi më i drejtë dhe zgjidhja më e mirë pasi shpesh situata të tilla ku konfliktet janë të shumta kanë çuar në humbjen e jetës së shumë personave që kanë zgjedhur të qendrojnë në ato lidhje jo të shëndetshme.
Por në këtë proces të largimit të ikjes prej dikujt dhe të kerkimit te dikujt tjeter ndodh dukuria e te bërit të njejta gjëra që manifestohen në versione të ndryshme të së njejtës gjë në thelb. Prandaj kur femrat a individët gjenden në pozitën e të qenit pa partner është e rekomandueshme ta shikojnë këtë situatë si një shans që u afrohet për të njohur veten. Eshtë një shans që u jepet për të bërë një inventar të vetvetes. Ndonjë skeptik mund të thotë “si i rritur që jam e njoh veten”. Kjo është e vërtetë deri diku, por jo tërësisht përndryshe nuk do të rrotulloheshin në të njejtat rrethe e situata por do të shkonin drejt trajektores, pra duke iu larguar rrethit. Rrethit mund t’i largohesh kur merr vendimin të njohësh më parë veten. Të njohësh veten kërkon një hulumtim të sinqertë të emocioneve që qëndrojnë e jetojnë brenda saj, të eksperiencave të akumuluara gjatë jetës që manifestohen me pas si emocione apo reagime në botën e jashtme apo në mënyrën se si ne e përjetojmë jeten, apo dhe në marrëdheniet që kemi apo kërkojmë të kemi, qofshin këto intime apo jo. Të shkuarit brenda vetes nuk do të sjellë menjëhere fundin magjik të perrallava, por ndihmon të bëjë individin koshient të thelbit të tij: të frikës, të pasigurisë, të tolerancës apo mungesës së saj, të inatit, të dhimbjes, të fajit, por dhe të anëve të shëndosha e të forta që ekzistojnë në çdo individ: të dëshirave, të ëndrrave, të aftësive, dhe mundësive. Të njohurit e vetvetes merr kohë e është një proces që shpesh nuk merret vetë por bëhet me ndihmën e profesionistëve në fushat perkatese, por hapi i parë eshte ndërrmarrja e këtij procesi, të pranuarit se është një proces që duhet ta marrim. Por nëse shkojmë në këtë proces pa ndihmën e kujt si fillim mund të bëjmë dhe meditim apo të lexojmë materiale që do të na bëjnë të reflektojmë për çfarë qëndron brenda nesh, e që përjetohet në mendjen e emocionet tona. Meditimi në princip është të qenit në heshtje me veten dhe të vëzhguarit e mendimeve që shkojnë në të. Eshtë një proces që na bën koshient të trafikut që lëvron trurin. Duke vepruar kështu duke u bëre koshient të vetvetes bëhemi koshientë të kufizimeve që kemi dhe kufijve që duam për jetën tonë. Kufijtë presupozojne çfarë ne jemi gati të tolerojmë apo të biem në kompromis me të tjerët pa kompromentuar vlerat tona personale. Të qenit koshient për çfarë ekziston është hapi i parë në marrjen e vendimeve, qoftë ky vazhdimi i statusit quo qoftë ky lançimi në një drejtim ku ne vendosim ta drejtojmë jetën. Për këto arsye, femrat e kushdo duhet ta konsiderojnë momentin e të qenit vetëm si një shans flori për të hulumtuar vetveten dhe të shkeputen nga vetja e djeshme.
Rëndësia e shkëputjes jo vetem nga rrethi por dhe nga vetja e djeshme nuk mund të nënvlerësohet, është një princip të cilit psikologët i mëshojnë gjithmonë, sepse përvoja dhe shkenca ka treguar se e shkuara të mban të lidhur e ndikon shumë në perceptimin e jetës dhe si e jetojmë atë. Dr. Wayne Dryer, një udhëheqës shpirtëror në SHBA dhe autor i mjaftshitur i librave self-help, e shpjegon mirë këtë kur thotë se nuk mund të presësh lëng molle kur shtrydh një portokall. Pra, kur brenda vetes mbajmë bagazhet e të shkuares dhe i terheqim ato nga një lidhje në tjetrën sigurisht që keto bagazhe do të shfaqen dhe në marredheniet që krijojmë ngaqë nuk leme hapësirë për asgjë të re të hyjë sepse hapësira është e zënë prej tyre e bagazhet e vjetra shpesh prej jetëgjatësisë së tyre shnderrohen në plehra e fillojnë vijnë erë jo të mirë. Në jetën e njeriut kjo erë manifestohet në mënyrën se si jeta na paraqitet ne. Shembulli më i mirë i kësaj është kur femrat shprehen “të gjithë meshkujt janë njësoj.” E vërteta është se meshkujt iu shfaqen këtyre femrave njësoj pasi mendimet “bagazhet” që ato mbartin jane te mbushura me po ato perceptime dhe çfarë ato mendojnë atë terheqin. Populli më kot s’thotë “kujdes çfarë kërkon se do ta marrësh.” Pra, nëse mendojmë se të gjithë meshkujt a njerezit janë njësoj rrjedhimisht dhe partneri tjetër do t’i ngjajë atij që iku. Ndaj këto bagazhe duhen vënë mënjanë duhen pranuar për çka janë e hedhur për të krijuar hapësirë të re për diçka të bukur e të mirë. Mandej do të shtonim se pikërisht versioni i vetes me bagazhe shërben si larguesi i dëshirave dhe ëndrrave që duam të manifestojmë në jetën e jashtme. Pasi bagazhet kanë marrë tërë hapësirën, nuk mund të shikojmë dritë kur gjithçka rreth nesh është errësirë; duhet ose të ndezësh një shkrepse a të krijosh hapësirë për dritën të hyjë. E të tëra këto burojnë e kërkojnë anagazhim me vetveten, njohjen e vetvetes.
Të njohësh veten, pra është themeli i çdo gjëje pasi është themeli ai që e mban strukturën të fortë. Të njohësh vetveten çon në pranimin e vetvetes me tërë anet e forta dhe të dobëta të saj dhe rrjedhimisht me të qenit i/e lumtur me vetveten. Kur të kemi njohur vetveten do të jemi të zotë me pas të kemi mundësinë për të gjetur lumturinë dhe në botën perreth nesh. E nëse një partner qëllon të dëshirojë të hyjë në jetën e individit do të mirepritet si një shoqerues i këndshëm që i shton lumturisë që posedojmë brenda nesh dhe jo si sjellës i saj apo shkaktues i saj. Për të tëra arsyet që permenda më sipër është e rendësishme madje jetike që femrat sidomos ta shohin kohën që iu është dhënë për të qenë vetëm si shans për të festuar këtë dhuratë që iu jepet të njohin veten, pasi kështu do të ndryshojnë rrjedhën e jetës së tyre të kalojnë në trajektoren e një jete të re që i përputhet dëshirave të tyre dhe që është e mbushur me njerëz që ofrojnë respket, mirenjohje, e dashuri ndaj tyre.
© Aida Dismondy 8 Qershor 2014