NGA MINELLA ALEKSI/
Prej disa vjetësh çdo fillim vjeshte bën bashkë në një përzgjedhje më të mirësh dy emra shkrimtarësh të mëdhenj, Philip Roth amerikan dhe Ismail Kadare. Kur mora të rilexoja romanin “Kështjella” të Kafkës kisha parasysh dy rethana ndërthurëse shumë interesante. Shkrimtari Roth është një studjues i veprës së Kafkës dhe ka krijuar dy romane bazuar në shpirtin kafkian ndërsa studjuesit europian e ata anglishtfolës e gjejnë veprën e shkrimtarit Kadare të krahasueshme me veprën e Kafkës.
Interesant është fakti se te intelektualët e perëndimit në vitet 60të egzistonte një vizion romantik mbi shkrimtarët e Lindjes komuniste mbasi ishte opinioni se ata “vuanin në emër të letërsisë”. Të vuash në emër të letërsisë!!?? Tingëllonte shumë kavalereske, i bënte që në mënyrë mosbesuese të tundnin kokat ata që e dëgjonin.
Në universitetin ku studjoi për jurist gjuha gjermane praktikohej njëlloj si gjuha çeke. Me edukacion prej ebreu, me kulturë gjermanike, edhe pse jetoi në Pragë nuk i përkiste kulturës çeke. Intelektual që në veprimtarinë e tij krijuese shpërfilli nocionin komb, shtet, rend shoqëror dhe u vetzbeh edhe si gjerman. Krijimtaria e tij letrare tërhoqi menjëherë vëmendjen e intelektualëve perëndimorë të kohës. Në vitin 1946 studjuesit perëndimorë për herë të parë përmendin fjalën “kafkian” apo “bota kafkiane”, 22 vjet pas vdekjes së tij. Pas L2B çuditërisht ndërsa në Perëndim studjohej dhe debatohej intensivisht për veprën e Kafkës, në vendet e ish Bllokut komunist u ndalua. Duke filluar nga viti 1948 në Çekosllovaki Kafka konsiderohej “tabu”, u ndalua, politika kulturore zyrtare e cilësoi shkrimtar dekadent. Për ti diskredituar veprën origjina e tij prej ebreu gjerman me maniera borgjeze ofronte një pretekst më shumë. Në 1959 Jiri Hajek do shkruante në revistën “Tvorba” atë që u bë “mantra kulturore” e Bllokut Lindor komunist: Shkrimtarit Kafka i njihej rëndësia e përshkrimit të tjetërsimit të njeriut në shoqërinë perëndimore, por meqë në socializëm njeriu nuk është “aspak i tjetërsuar” atëhere Kafka nuk është aktual, nuk është i nevojshëm si inspirues letrar për shkrimtarët e vendeve socialiste. Kritiku amerikan H. Fast shkruante në vitet 60të se Kafka në vendet komuniste ishte vendosur në majë të gropës së plehut kulturor të reaksionit. Në BS qarkullonin dorëshkrime të “Proçesit” të shtypura në mënyrë artizanale që kush i lexonte ishte i bindur se ishte vepër e ndonjë shkrimtari sovjetik. Kush tjetër mund të njihte më mirë me detaje absurdin dhe sistemin totalitar stalinian!
Në vitin 1956 në Moskë me Krushovin në pushtet u botua një përmbledhje e krijimtarisë së Kafkës, por në parathënien prej 60 faqesh B. Suchkov e konsideronte shkrimtarin “mëkatarë me shtatë mëkate kardinale: Injorues i konvencioneve letrare, pesimist, tërhiqte vëmendjen e lexuesit nga problemet bazë të shoqërisë, nihilist, deprimues shpirtëror nga humbja e kurajos ose e shpresës, pasivitet, dhe tjetërsim të njeriut”.
Si e thotë filozofi L.VVittgenstein Kafka “ I theu rregullat e mjeshtërisë, të artit të të shkruajturit. Sepse e jetoi gjithë jetën e tij në kufirin e limiteve të gjuhës dhe që janë edhe kufijtë e botës, atje ku mbaron dominimi i shkencës, i artit, i filozofisë, i njohjes njerëzore, atje ku poezia dhe besimi fillojnë të angshtohen nga mungesa e ajrit. Në fund të jetës Kafka vetë ishte bërë një skelet i banuar nga qiellorja. Zëri i tij nuk kuptohej më”.
Kafka me nerv humori të zi i vendos personazhet e tij të kapur në kurthe, në lidhje çorientuese brenda sistemesh aspak mikpritës. Në vepër përfshin temat e izolimit shpirtëror, të refuzimit të sistemeve sociale, të zhgënjimit dhe të dëshpërimit përpara një të ardhmeje të pa administrueshme. Krijimet e Kafkës lexohen si testamente të një njeriu të demoralizuar. Vepra e tij me “kompleksin kafkian” nënkupton se karakteret e tij operojnë në situata administrative komplekse shumë të shtrira, bizare, të çuditshme, alogjike, ku individi gjëndet i pa fuqishëm që të kuptoj apo që të kontrolloj atë që ndodh para syve të tij, i frikësuar nga një armik të cilin nuk e di se ku ndodhet.
“I mirënjohuri regjisor R. Polanski ka pohuar se gjithmonë konstatonte te vepra e Kafkës një nerv të ndjeshëm komiciteti, humori të zi. Dhe shtonte se kjo gjë i shpëtonte pothuaj plotësisht një spektatori apo një lexuesi jo europianolindor, sepse mësoheshin për fat të keq nga shkolla apo nga librat me konceptin që Kafka ishte ekskluzivisht shkrimtar i fajit, i ankthit dhe i boshit. M. Kundera e mbështet plotësiht këtë opinion të Polanskit: “Mënyra sesi jo vetëm unë por të gjithë çekët në përgjithësi e kuptojnë Kafkën është e ndryshme nga ajo e lexuesit perëndimor. Për ne Kafka është një shkrimtar realist sepse vepra e tij përmban një vizion të shkëlqyer të realitetit. Si ne askush tjetër i lexon si alegori librat e tij. Për pasojë jemi shumë më sensibël ndaj humorit të tij.
David Foster VVallace romancier dhe eseist amerikan mendonte se pjesa më e madhe e humorit kafkian nuk është aspak delikate, e lehtë, përkundrazi është e kundërta. Humori kafkian varet nga një lloj letrarizimi radikal i së vërtetës që zakonisht trajtohet si metaforë. VVallace konkludon që “historitë e Kafkës janë si një lloj porte që hapet nga jashtë”. Trajton frustrimin dhe tjetërsimin e njeriut që kërkon të integrohet në një sistem që ndërsa e fton, e margjinalizon dhe e largon në të njëjtën kohë.
Kafka stigmatizon e vë në lojë në mënyrë të vazhdueshme problematikën dhe dëshpërimin e veprimeve njerëzore në lidhje me rendin Hyjnor. Raporti i tij me realitetin është krejt ironik, mosbesues, i shtyrë nga vullnete të këqija, njëlloj si prestigjatori me pajisjet e veta. Natyrisht nuk është vetëm humori i zi i vetmi çelës i interpretimit të veprës së Kafkës. Duhen mbajtur mirë parasysh simbolika e lidhjeve të Kafkës me ebraizmin, të raportit midis ebraizmit dhe humorit në veprën e tij. Humori ebraik është një armë e shkëlqyer mbrojtjeje dhe sulmi. Një proverb ebrai thotë: “Njeriu mendon, Zoti qesh”. Kultura ebraike ka zhvilluar progresivisht një nerv humori që tenton të bashkëbisedojë me të vetmin anëtar të bashkësisë sonë të vendosur në qiell. Ata që e besojnë thënien e mësipërme e imagjinojnëe egzistencën tonë si një teatër komik për një Spektator të vetëm. Ky Spektator nga lartësia qiellore buzëqesh me përpjekjet tona të kota për të njohur botën, për ti dhënë asaj një kuptim e që për Atë veprimet dhe mendimet tona edhe ato më të tëmerrshmet ka mundësi që përbëjnë një spektakël zbavitës. Psikanalisti C. Musatti thotë: “Ebreu është ai që edhe në fatkeqësi, në mizerje dhe mundime, me tërësinë e elementeve individuale karakteriale nga njëra anë dhe zotësisë për të ditur si të përpiqet në këto situata, ia arrin që të konvertojë nëpërmjet humorit vetjak palumturinë e tij në një gjëndje situate të dominuar me vetëdije.
Dramaturgu hungarez Miklos Hubaj përshkruan një episod shumë interesant që lidhet me “humorin realist” të Kafkës. Mbas dështimit të revoltës së vitit 1956 në Budapest shumë intelektualë u morën nga shtëpitë, ua mbuluan sytë me shami në një udhëtim që zgjati disa orë, të bindur se po i çonin diku për ti pushkatuar. Kur kamionët u ndalën, ua hoqën shamitë dhe vunë re se ndodheshin në një peizazh malor (ishin në Rumani) të dominuar nga një kështjellë burg. Mbetet emblematike në këtë rast thënia e filozofit hungarez Georgy Lukash e thënë me zë të lartë dhe që provokoi te të pranishmit një të qeshur çliruese: “Gjithmonë kam menduar se Kafka ishte një shkrimtar abstrakt e një borgjez i vogël. Tani po kuptoj se ka qënë një shkrimtar i madh realist”.
I pa qartë mbi këtë vizion romantik dhe i magjepsur nga letërsia e Kafkës shkrimtari i njohur amerikan Philip Roth ndërmer për disa vite rrjesht (1972-1977) udhëtime në Çekosllovakinë komuniste në kërkim të Kafkës, të studimit dhe kuptimit në thellësi të asaj që quhej bota kafkiane. Këto vite eksplorimesh u kurorëzuan nga Roth me dy romane ku ngjarjet dhe karakteret përshkruhen në kontekstin e shpirtit kafkian. Ajo çka Roth gjeti në këto udhëtime ishte, po të citojmë Kunderën, “Kafka i ndaluar në vende, kultura e të cilave ishte masakruar nga invazioni shtetëror dhe kulturor sovjetik”. Thellësisht i impresionuar nga dimensioni politik i jetës kulturore në vendet e ish Bllokut komunist Roth filloi botimin e librave të disa autorëve të bllokut Lindor komunist në 4 volume (1975-1980) nën okelion “Shkrimtarë nga Europa tjetër”, (Philip Roth, Milan Kundera, Bruno Schulz, Tadeusz Borovvski, Daniol Kis, Joseph Brodsky, John Updike, Jan Kott). Fryma e romanit të Philip Roth “The Professor of Desire” 1977, ishte një reflektim i thellë mbi atë se përse regjimet totalitare të ish Bllokut komunist kërkoninheshtjen totale për Kafkën. Ja një përcaktim mbi këta shkrimtarë:
Këta ishin shkrimtarë nga një botë ku “njerëzit janë shumë të interesuar, pasionant rreth ideve, ku intelektualët përbëjnë problem. Ku kultura dukej që ishte një armë në luftën kundër sistemit, ndërsa intelektualët ishin ngritur në nivel heronjsh”. Një pjesë e mirë e këtyre intelektualëve ishin socialist që me gjithë energjitë e shpirtit besonin se sistemi mund të reformohet dhe përmirësohet nga brenda. Me një fjalë vazhdonin që të luftonin për një socializm “me fytyrë njeriu”. (Cituar nga studimi i Timothy Garton Ash, Londër Penguin 1999).
Pavarësisht preokupimit personal dhe letrar si shkrimtar perëndimor për vështirësitë e pengesat e ndalimit me ligj të autorëve të Europës Lindore, Roth mbeti i kujdeshëm, i matur me idenë e shumë diskutuar të “muzës çensuruese” që i atribuohej krijimtarisë artistike të këtyre shkrimtarëve. “Muza çensuruese” interpretohej si besim se, vetëm autorët nën trysninë e kontrollit të shtetit janë të aftë që të japin vepra letrare të rëndësishme, ndryshe nga autorët në vendet ku gjithëçka ecën normalisht. Me këtë temë Roth ka pasur një polemikë të nxehtë me shkrimtarin e kritikun e njohur franko-amerikan Francis George Steiner. Habitem, i drejtohej Roth debatuesit Steiner, përse të gjithë shkrimtarët e Europës Lindore që njoh dhe që e urrejnë regjimin duke uruar gjithë pasion zhdukjen e tij nga faqja e dheut nuk arrijnë që ta konkretizojnë, sikurse thotë Steiner, që ky është momenti i tyre për të manifestuar talentin e tyre të madh letrar? Roth insistonte që sistemi totalitar jo domosdoshmërisht prodhon vepra madhore arti. Theksonte se dëmtimet fizike në jetën private e profesionale dhe atë shpirtërore që u shkakton autorëve, kjo po është e sigurtë sidomos kur zgjat shumë. Roth është larg glorifikimit të “muzës çensuruese” dhe idealizimit të intelektualit disident.
Në romanet dhe refleksionet e tij nga Praga e Lindja komuniste Roth çfaqi një balancë të arsyetuar qartë midis admirimit e keqardhjes për shkrimtarët disident nga njëra anë dhe një vlerësimi të sinqertë për letërsinë e tyre që shpesh ishte jo në raport respektiv me biografitë e tyre të komplikuara nga persekutimi, nga ana tjetër.
“Ata që si Steiner dëshirojnë që ti shikojnë disidentët e Europës Lindore si heronj të pakujdeshsëm që luftojnë për letërsinë e madhe me siguri që i kanë parë romanet e Roth me temë nga Praga jo të përshtatshëm, madje disi problematikë. Në të vërtetë karakteret e romaneve të tij nga Praga nuk janë sipas shijes së George Steiner, por i bën ata personazhe autentik”. (cituar nga studimi i M. Bryla, Univ. i Sevilias, 2013).
Që Kafka ishte kuptuar si një instrument efikas për demokratizimin e regjimit socialist evidentohet gjatë Konferencës së Moskës për çarmatimin në korrik 1963.I influencuar nga egzistencializmi Jean Paul Sartre pjesëmarrës në mbledhje bëri thirrje për rëndësinë e çarmatimit kulturor. “Kafka përbën një shembull real të rivaliteteve kulturore, kultura nuk ka nevojë që të mbrohet as me ushtarë e as me politikanë, kultura ka nevojë që nga ndërhyrjet të sigurohet. Kjo është detyra jonë, kjo kërkohet nga të gjithë ne intelektualët, që ta demilitarizojmë. Sidoqë fjala e Sartrit nuk u publikua në gazetat kryesore të Moskës, prapëseprapë luajti një rol në afrimin e Kafkës në këto vende. Me këtë rast letrari gjerman R.Karst u shpreh: “ Të pranohej Kafka vetëdijshëm në letrësinë sovjetike nënkuptonte që hapur apo heshturazi të pranoje egzistencën e një pluralizmi, të paktën në letërsi.
Megjithatë nuk mungoi letërsia e madhe. Ata shkrimtarë që e përshkruan me realizëm, me talent artistik të lartë, s’kish sesi të mos krijonin me veprat e tyre pika takimi afërsie me veprën e Kafkës. Shkrimtarit rus Mikhail Bulgakov-së me veprën “Mjeshtri dhe Margarita” botuar më 1966 (20 vjet pas vdekjes së autorit) tërhoqi vëmendjen e studjuesve perëndimorë. U cilësua si një satirë fantastike e burokracisë dhe establishmentit sovjetik, me nënkuptime filozofike në terrenin e paranojës së Rusisë sovjetike. Intrigë demoniake, tronditëse ku herë herë të duket sikur je i përfshirë në kompleksin kafkian.
Në fillim të shek. të frymëzuar nga ideologjia komuniste shumë vende të Europës lindore hynë në epokën e sisteme diktatoriale komuniste. Pushteti komunist u vendos me revolucion, me terror e gjakderdhje. Po të mbajmë parasysh konceptin universal që çdo veprim ka në të njëjtën masë një kundërveprim atëhere konkludojmë se, te vepra e Kafkës u mishërua me të njëjtën masë Kundërveprimi historik ndaj sistemit totalitar komunist. Intutita e shkrimtarit gjeni kapi dimensionin katastrofik që ndaj racës njerëzore paraqiste diktatura komuniste. Me gjenialitetin e tij Kafka krijoi veprën, sistemin letrar-filozofik që koha kërkonte si kundër reagim për të zbërthyer dhe denoncuar sistemin totalitar komunist, fatin e rrezikuar të njerëzimit në konditat e diktaturës. Kjo bën që në kulturën botërore vepra e Kafkës të qëndrojë si paraprirëse kundërvënëse ndaj totalitarizmave. Kështu i erdhi njerëzimit dhe këtë rol luajti vepra e Shekspirit 400 vite më parë në epokën e popujve të skllavëruar nga mbretërit sundimtarë. Këtë funksion emancipues për njerëzimin luajti vepra e Dante Aligerit 700 vite më parë. Kafka renditet në klasikët pikërisht për vlerat universale emancipuese..
Kur themi që Kafka ishte një herë “tabu” në vendet e mëdha të ish Bllokut komunist kuptohet që, së paku ishte dy herë i tillë në komunizmin ekstremisht barbar shqiptar. Një botë ankthi e paranoje e futur në çdo qelizë të shoqërisë shqiptare, një teatër i gjallë ku luheshin përditë fate individësh të pafajshëm.
Kur themi që Kafka filloi të pranohej në ish Bllokun e Lindjes në vitet 70të nuk mund të lemë jashtë vëmendjes një fakt shumë domethënës në lidhje me krijimtarinë e shkrimtarit Kadare. Nuk di të them me saktësi se kur është njohur Kadare me veprën e Kafkës. Po të kemi parasysh që iu dha mundësia e udhëtimit në Perëndim në mes të viteve 70të kohë kur tashmë e kishte dhënë një të tretën më të rëndësishme të krijimtarisë së tij letrare atëhere pa ngurim mund të themi se gjenia e tij letrare e ka pasur brenda vetes Kafkën, “kompleksin kafkian”. Mbas botimit të “Dimri i madh” në Francë kritika franceze filloi që të përmendëte fjalët “bota kadareane, universi kadarean”.
“Pas Kadaresë gjuha e letërsisë shqipe nuk është më ajo e dikurshme; është mbushur me një ligjërim tjetër. Ai e bëri atë jo thjesht më të pasur, por edhe më të lirë, më të bukur, më artistike, më të zhdërvjellët, më shprehëse, më intriguese, më tronditëse. Shqipja sot është një gjuhë botërore e letërsisë artistike.
“Një zë universal kundër totalitarizmit” ishte motivacioni i çmimit Asturias. Motivacioni i titullit të nderit “Komandant i Legjionit të nderit” – Autor i mrekullueshëm i historisë së Ballkanit. Avokat i pasionuar i kulturës europiane”. Nënkupto avokat i lirive dhe i të drejtave unisversale të njeriut.
Megjithatë studjuesit seriozë të shkrimtarit Kadare unanimisht kanë pohuar që, me veprën e tij Kadare ka rindërtuar, ka ringjallur botën shqiptare, një Shqipëri europiane. Ai e ka lidhur ngushtësisht fatin e veprës së tij me fatin e vendit, të popullit dhe të gjuhës shqipe që kanë qënë disa herë në kufijtë e zhdukjes.
Mendje shumë të holla antishqiptare nga vendet fqinjë e kanë ndjerë dhe e kanë kapur shpejt këtë tipar përcaktues patriotizmi te vepra e shkrimtarit Kadare. Tërë vepra e tij, jehona dhe fama e saj europiane e më gjerë u ka dalë përpara si një mur i pakalueshëm kulturor historik në mbrojtje të vendit, popullit dhe gjuhës shqipe.
Me vullnet të palodhur antishqiptar sidomos krahu serb, kanë krijuar mekanizma për të zvogëluar sa më shumë të jetë e mundur efektin shoqëror patriotik që vepra letrare përmban në vetvete. Që nga kohët kur fqinjët e Veriut nisën luftërat pushtuese mbi shqiptarët dhe e bënë të tyren Kosovën, serbët nuk kanë pushuar asnjë çast me insinuatat diskredituese, kundërvënien sistematike me njërëzit e shkencave social-historike për të paraqitur shqiptarët si një racë që nuk i përket familjes europiane. Shkrimtar nacionalist nuk mund të jetë një i tillë që vjen nga një vend e popull kaq i vogël sa jo vetëm që nuk mund të fantazojë e projektojë iniciativa nacionaliste por që i duhet të përpunojë mekanizma vetmbrojtjeje për të mos u zhdukur pa farë e nishan. Vepra e Kadaresë është sistemi i vlerave të racës shqiptare me reflex universal për kulturën europiane e më gjerë. Sipas studjuesve Kadare qëndron denjësisht në nivelin e veprës së autorëve klasikë që ndërtuan sisteme kulturore e filozofike antitotalitare e emancipuese shoqërore 100 vjet, 400 dhe 700 vite më parë.
Imagjinoni që të mos egzistonte vepra e shkrimtarit Kadare, ky gjigand kulturor e gjuhësor shqiptar. Mendoj se Kadare duke e lidhur fatin e veprës letrare me fatin historik të vendit, të popullit dhe të gjuhës shqipe ka një avantazh për të cilin populli dhe vendi i tij duhet ti jenë pafundësisht mirënjohës.