Vëzhgim/
Abdurrahim Ashiku-Athine/
Shoqata e Emigrantëve Shqiptarë “Nënë Tereza” me përvojë 10 vjeçare tashmë, kërkon mësues/e vullnetarë/e për mësimdhënien e Gjuhës Shqipe tek fëmijët e emigrantëve në Selanik.
Mësimi zhvillohet çdo të diele, 11.30-13.00, tetor – qershor, në ambientet e Fakultetit Pedagogjik të Universitetit “Aristoteli” me bazë didaktike të siguruar nga shoqata.
Sikur një njoftim i tillë të kishte adresë përcjellëse nga Tirana, posaçërisht nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve të Republikës së Shqipërisë, do të gëzonte një numër shqiptarësh që bërë listë do të konkurronte me banorët –listë emërore të Tiranës mbarë.
Sikur…
Por njoftimi nuk vjen nga Tirana por nga Selaniku, qyteti i dytë në Greqi pas Athinës me ngujimin më të madh të mërgimtarëve shqiptarë, qyteti me “urinë” e njohur për t’i mbledhur fëmijët në mjediset e Universitetit “Aristoteli” për tu mësuar atyre, tash më se një dhjetëvjeçar të shkruajnë, lexojnë, recitojnë, këndojnë dhe flasin shqip.
Pa hyrje të mëtejshme po përcjell njoftimin…
Shoqata e Emigrantëve Shqiptarë “Nënë Tereza” me përvojë 10 vjeçare tashmë, kërkon mësues/e vullnetarë/e për mësimdhënien e Gjuhës Shqipe tek fëmijët e emigrantëve në Selanik.
Mësimi zhvillohet çdo të diele, 11.30-13.00, tetor – qershor, në ambientet e Fakultetit Pedagogjik të Universitetit “Aristoteli” me bazë didaktike të siguruar nga shoqata.
Mësueset/it duhet të jenë të diplomuar në Universitetet shqiptare në degët CIKLI I ULËT dhe GJUHË – LETËRSI SHQIPE dhe të kenë dëshirë për të ushtruar profesionin e tyre duke u mësuar shqip fëmijëve tanë.
Personat e interesuar do të dorëzojnë pranë kryesisë së shoqatës një fotokopje të diplomës së tyre si dhe një CV. Ju lutemi kontaktoni në numrat e mëposhtëm:
Evri 6931401607 gjatë orëve 12.00-20.00
Keti 6949708166 gjatë orëve 8.00-15.00
Ju mirëpresim të ndajmë së bashku këtë përvojë të mrekullueshme!
Njoftimi, i përcjellë në facebook pasi tashmë në Greqi janë “dorëzuar” para lexuesit të gjithë gazetat në gjuhën shqipe, është një thirrje që nuk duhet të kalojë në heshtje.
Nuk duhet të kalojë në heshtje nga mërgata shqiptare në Greqi, nga shoqatat dhe tubimet e shoqatave, detyra e të cilave nuk është të gjejnë mësues por të hapin auditorë shkollash dhe t’i mbushin ato me nxënës.
Nuk duhet të kalojë në heshtje nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit e Republikës së Shqipërisë, detyrimi kushtetues i së cilës është t’u sigurojë…”shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë shtetit për të ruajtur e zhvilluar lidhjet me trashëgiminë kulturore kombëtare” (Neni 8).
Rrjedhë e këtij detyrimi kushtetues ku “Kushdo ka të drejtën për arsimim” (Neni 57) njoftimi i Shoqatës së Emigrantëve Shqiptarë “Nëna Tereza” duhet të kishte jo thjesht një përgjigje por një përkujdesje të menjëhershme.
Heshtja si në tablonë e njohur “Në Shipkë ka qetësi”, përjashtuar disa lexuesve që bënë like dhe disa të “çuditurve” e të “habiturve” që tash pas më shumë se një dekade mësuan se në Greqi gjuha shqipe jepet nga mësues të dashuruar pas saj vullnetarisht, pa asnjë pagesë, çdo të shtunë apo të diele, kaloi siç kalon zëri në efir.
Selaniku i më se njëzet mësuesve shqiptarë që tashmë kanë dhënë jo thjesht emrin por shpirtin e tyre për ti tubuar fëmijët dhe me një dashuri të jashtëzakonshme u mësojnë gjuhën e nënës, e ka ngritur zërin dhe vazhdon ta ngrejë. Nuk është i vetëm. Zëri është ngritur tashmë në të gjithë Greqinë, nga stereja në ishujt e Egjeut dhe Jonit.
Në Zakintho ka tashmë kohë që DanelCana në krye të shoqatës së shqiptarëve të ishullit kërkon një “gozhdë” ku të kapet për tu kërkuar zyrtarëve të ishullit lirimin e mjediseve shkollore të shtunën apo të dielën që fëmijët shqiptarë të ulen në banka dhe të mësojnë të shkruajnë gjuhën e nënës.
Në Rodos,, ishullin e njohur për bukurinë dhe për legjendat e moçme Njazi Zebi, mësues me përvojë të gjatë në Dibër, kërkon të njëjtën gjë “gozhdën” ku të kapet për tu mësuar fëmijëve të shkruajnë e lexojnë gjuhën e lashtë shqipe.
Në…
Mund të sjell edhe të tjerë zëra.
Mund të sjell edhe shumë lajmërime nga facebook-u ku me tekste e me fotografi jepen momente të bukura të fillimit të vitit të ri shkollor në hapësirën e gjerë të Greqisë.
Në shënimet e autorëve dhe komentuesve kërkohet që shkollat e mësimit plotësues në Greqi të njihen së pari nga shteti shqiptar në të gjithë detajet, siç njihen shkollat, mësuesit dhe nxënësit në Shqipëri.
Në një njoftim të Shoqatës të Emigrantëve Shqiptarë “Nënë Tereza” në Selanik kërkohen…
mësues/e vullnetarë/e për mësimdhënien e Gjuhës Shqipe tek fëmijët e emigrantëve në Selanik…
Në Selanik…
… Mësimi zhvillohet çdo të diele, 11.30-13.00, tetor – qershor, në ambientet e Fakultetit Pedagogjik të Universitetit “Aristoteli” me bazë didaktike të siguruar nga shoqata.
Kërkesa më modeste 2014…Athinë, 8 t3tor 2014