• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kënga, simbioza e Kleopatra Skarcos

June 7, 2014 by dgreca

Nga Flora NIKOLLA/Tirane,7 Qershor/Kleopatra Skarco e nisi aktivitetin muzikor me Ansamblin Popullor të Nartës, në vitin 1966, nën udhëheqjen artistike të Themistokli Mones dhe koreografit Jani Gjergji. Në ato vite, lëvizja artistike amatore kishte marrë ë hov dhe nuk mungonin edhe organizimet kombëtare ku spikasnin talentet e rinj. Në një event të tillë u përcaktua dhe e ardhmja e saj. Sukseset dhe konfirmimi brenda dhe jashtë Shqipërisë, bënë që në vitet ‘70 të emërohej këngëtare profesioniste në Estradën e Vlorës. Në intervistë, Kleopatra Skarco tregon se dashuria për këngën i është rrënjosur e kultivuar nga prindërit, të cilët këndonin shumë bukur, një trashëgimni që sot mbahet gjallë edhe nga motrat e vëllezërit e saj. E quan këngën pjesë të pandarë, me të cilën do të jetë “Një” deri në fund të jetës. Kthehet herë pas here në Shqipëri dhe ka marrë pjesë në spektakle të ndryshme televizive si “Maratona e Këngës Popullore”, “Festivali i Këngës Popullore”, etj. Thotë se do të ishte kënaqësi të rikthehej në atdhe me një koncert recital, pse jo në Vlorën e saj të dashur, mjafton të gjenden rrugët e përshtatshme. Në Sofie, ku jeton së bashku me familjen, është ftuar si artiste e mirënjohur në raste festash apo evenimente të ndryshme, ndërsa ka përfaqësuar Shqipërinë në Festivalin Ballkanik në Bullgari dhe në Festivalin e Ansambleve në Jaltë, si pjesë e grupit “Skënderbeu” të Korçës.
Ju jeni e njohur në Vlorë dhe në Shqipëri si një emër që ka sinonim këngën dhe muzikën. Cili është sekreti i dashurisë për muzikën?
Aktivitetin muzikor e kam filluar me Ansamblin Popullor të Nartës, në vitin 1966, nën udhëheqjen artistike të Themistokli Mones dhe koreografit Jani Gjergji. Në ato vite lëvizja artistike amatore kishte marrë një hov të madh. Në Festivalin Kombëtar të Ansambleve Amatore të atij viti, ansambli ynë fitoi flamurin e festivalit. Ky sukses më dha mundësinë që të përfaqësohesha në një turne në Republikën Popullore të Kinës, me Ansamblin Shtetëror të Valleve dhe Këngëve Popullore. Qëndruam dy muaj e gjysmë në Kinë dhe ovacionet e një publiku gjigand në numër, siç duket, rikonfirmuan karrierën time si këngëtare. Pas Kinës, isha pjesë e një turneu në Rumani, krahas artistëve të shquar si Vaçe Zela, Bik Ndoja, Luçije Miloti e Hysen Koçia. Në të njëjtën kohë, kam qënë konkurrente në Festivalet Kombëtare të Radio-Televizionit Shqiptar me këngët e njohura për kohën si “Festë në Malësi”, “Nënë dhe shoqe”, “Interesant”, etj, ku gjithmonë jam vlerësuar me çmime të dyta dhe të treta. Sukseset dhe konfirmimi im si këngëtare vazhduan me turneun në Kosovë, në vitin 1969, si pjesë e Ansamblit të Vlorës, i cili u nderua në atë event me çmimin e parë. Kjo bëri që atë vit të emërohesha si këngëtare profesioniste në Estradën e Vlorës. Dashuria për këngën më është kultivuar nga prindërit e mi, të cilët këndonin shumë bukur. Dashuria për këngën është trashëguar dhe mbajtur gjallë jo vetëm nga unë, por edhe nga motrat e vellezërit e mi.
Çfarë është kënga për ju?
Kënga është pjesë e pandarë e imja, me të cilën do të jem “Një”deri në fund të jetës.
Jetoni prej vitesh në Sofje… Cilat ishin arsyet e emigrimit dhe pse zgjodhët pikërisht Bullgarinë?
U largova nga Shqipëria në Bullgari jo si emigrante, por nga një rastësi e jetës. Dy vajzat e mia studionin në Sofje. Vajza e madhe, Olta, studionte për drejtësi dhe Borjana në Liceun e Muzikës, për violinë. Një verë, vendosëm të vizitonim vajzat, së bashku me djalin e vogël. Ndodhi që ai theu këmbën në një vend shumë delikat dhe kirurgët që realizuan ndërhyrjen ortopedike na këshilluan për një regjim rigoroz. Minimumi 9 muaj im bir nuk duhej të lëvizte. Kësisoj u vendosëm në Sofje familjarisht, fillimisht përkohësisht, derisa të kalonte çdo gjë sipas këshillave të mjekëve, dhe më pas përfundimisht.
skarco2Sa e vështirë ishte përshtatja juaj me këtë vend. A mund t’i riktheheni për pak momente kujtimeve të vitit të parë të jetës në Sofje?
Përshtatja në Sofje ishte e lehtë, sepse populli bullgar është mikpritës dhe i çliruar nga komplekset nacionaliste. Mungesën e jetës artistike ma plotësonte vajza e dytë, Borjana, e cila si violiniste dha disa koncerte recitale në Sofje. Në atë periudhë Borjana mori edhe një ftesë nga Presidenti i Bullgarisë ku interpretoi një pjesë nga Paganini me Kuartetin e Harqeve të Filarmonisë së Sofjes, në Rezidencën Presidenciale. Më pas, ajo nisi të angazhohej me këngën dhe formoi grupin Dokle & Greesh, me të cilin ka realizuar videoklipe, është prezantuar në koncerte të ndryshme televizive si dhe është nderuar me çmimin special në festivalin e 42-të të Këngës në Bullgari. Mungesën e jetës artistike ma plotësoi në vijim edhe im bir, i cili përfundoi studimet për aktrim në Akademinë e Arteve të Bullgarisë, me rezultate të shkëlqyera. Tashmë aktivizohet në shfaqje të ndryshme teatrale dhe filma televiziv.
Kthehemi tek vitet shqiptare të këngës. Sa pranë janë ato vite tek Kleopatra Skarco dhe a keni menduar ndonjëherë të jepni koncert recital në atdhe?
Më mungojnë shumë ato vite dhe herëpashere kthehem në Shqipëri, duke marrë pjesë ne spektakle të ndryshme televizive si “Maratona e Këngës Popullore”, “Festivali i Këngës Popullore”, etj. Natyrisht, do të ishte një kënaqësi të rikthehem me një koncert recital në Shqipëri, pse jo në Vlorën time të dashur, mjafton të gjenden rrugët e përshtatshme.
Po në Sofje cila është marrëdhënia juaj me këngën dhe muzikën?
Në Sofje jam marrë pak me këngën, kur më kanë ftuar me raste festash apo evenimente të ndryshme. Por, ndërkohe kam marrë pjesë ne Festivalin Ballkanik të zhvilluar në Bullgari, ku përfaqësova Shqipërinë, si dhe në Festivalin e Ansambleve në Jaltë, në përbërje të Ansamblit “Skëndërbeu” të Korçës. Gjithashtu gjatë kësaj kohe kam marrë pjesë edhe në disa koncerte të tjera që janë zhvilluar në qytete të ndryshme të botës, si në Rimini, Selanik, etj.
Repertori i muzikës suaj ka një gjeografi mbarëkombëtare. A ju ka ndihmuar kjo për të arritur perfeksionin, apo ju ka dëmtuar? Ku qëndron më bukur zëri juaj?
Në repertorin tim, krahas muzikës së lehtë në festivalet kombëtare apo në Estradën e Vlorës, kam interpretuar këngë qytetare të Vlorës sime, por edhe Gjirokastrës, Fierit, Shkodrës, Korçës dhe për 10 vite edhe këngët e bukura lirike kuksiane. E gjithë kjo gamë e gjerë, në asnjë mënyrë, nuk më ka penguar, por përkundrazi e ka perfeksionuar procesin tim krijues. Falë bashkëpunimit me shumë muzikantë, nga Themistokli Mone, Reshat Osmani, Mishel Lako, Haxhi Dalipi, Aleksandër Lalo, Alfred Kaçinari, Ardian Hila, Shpëtim Saraçi, i ndjeri Luan Borova e shumë të tjerë, kam pasur mundësinë të përfitojë më të mirën nga eksperiencat e tyre dhe t’ia transmetojë ato publikut.
Si e konsideroni këngën qytetare vlonjate?
Natyrisht bashin e vendit e zë kënga vlonjate dhe gjithmonë jam ndier e përkëdhelur nga vlerësime të ndryshme në shtyp si “Mbretëresha e Këngës Vlonjate”.
skarco3Prej vitesh keni ndërtuar jetën në kryeqytetin bullgar. Mendoni se shqiptaret kanë arritur te integrohen dhe të njehsohen me vendasit?
Në Bullgari nuk ka emigrantë shqiptarë. Jemi gjithsej rreth 10 familje shqiptare, të integruara me dinjitet, të stabilizuara shumë mirë ekonomikisht dhe me fëmijë të shkolluar në universitetet më prestigjoze të Bullgarisë.
Mendoni se ka ardhur koha që çdo vlonjat, kudo ku ndodhet, të bëjë diçka për vendlindjen? Keni menduar ndonjëherë për një angazhim tuajin konkret?
Gjithmonë ka qënë i domosdoshëm dhe i mirëpritur kontributi i çdo vlonjati, kudo ku ndodhet në botë, për Vlorën tonë. Kontributi im ka qënë dhe do të jetë gjithnjë në sferën e këngës vlonjate, për ta përcjellë kudo atë.
Si e shihni sot Vlorën, ndryshimet që ky qytet ka pësuar në dy dekadat e fundit?
Padyshim, Vlora ka pësuar ndryshime të mëdha pozitive, por ato duhet të na frymëzojnë më tej për një hop cilësor për ta kthyer gjirin e Vlorës në perlën e Adriatikut dhe të Jonit.
Vendlindja juaj është Narta e Vlorës. Çfarë nismash mendoni se mund t’i shërbejnë këtij komuniteti dhe vetë bashkëqytetarëve tuaj?
Si e lindur në Nartë dhe e rritur në Vlorë, e ndiej si angazhim të vazhdueshëm t’i përfaqësojë denjësisht kudo si artiste, por edhe të jem gjithnjë e pranishme në evenimente të rëndësishme, siç ishte edhe koncerti i madh i 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, sidomos për faktin se Vlora ime e dashur më ka vlerësuar me titullin e lartë “Qytetare Nderi”.
Si e konsideroni iniciativën e Albanian Excellence për prezantimin e historive të suksesit të vlonjatëve që jetojnë jashtë atdheut?
E konsideroj si një mbështetje për potencialet intelektuale, artistike, kulturore të qytetit tonë, zemra dhe mendja e të cilëve duhet të rrahë gjithnjë për vendlindjen dhe të kontribuojnë për të pa asnjë çmim!

Filed Under: Interviste Tagged With: Flora Nikolla, Kënga, simbioza e Kleopatra, Skarcos

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT