Foto: Skender Hasko Mars 1936- 5 Shkurt 2013/
1.
Nuk është hera e parë, që ne shkruajmë e flasim për kolegun dhe mikun tonë shumë të dashur, shkrimtarin e njohur Skënder Hasko, birin e denjë të Dukatit të Vlorës. Por sot ne po i shkruajmë këto radhë ndryshe nga herët tjera. Në çdo rast, ne kemi evidentuar cilësitë e rralla të tij, njerëzore e krijuese në letrat shqipe. Sigurisht edhe tani do ta bëjme këtë gjë, por kur jemi të mbushur me dhimbje e mall të pashuar për të, pasi nuk e kemi më ndërmnjet nesh. Nuk do të rrimë më ne, si shpesh herë, së bashku dhe të pimë një kafe në shoqëeinë e miqësinë tonë të mirë; nuk do të bëjmë më shaka e të kënaqemi me njëri-tjetrin. Pra, ai na ka krijuar tani një boshllek shumë të madh e vëshrirë të zëvendësueshëm, duke u ndarë kështu përgjithnjë nga jeta, nga fëmijët e vëllezërit, nga familjarët dhe kolegët e miqtë e tij të shumtë, kudo në Shqipëri e jashtë saj.
Kur po i shkruajmë këto radhë, ne sjellim ndërmend jetën e begatë, por dhe të trazuar të kolegu e mikut tonë të paharruar, Skënder Hasko. Lindi në një ditë të fillim marsit 1936, pra kur pritej të niste pranvera, me gjelbërim e lule. Që i vogël, i detyruar nga vështirësitë e familjes, herët provoi të punonte teneqexhi dhe më vonë punëtor në Kuçovë. Por dhe hyri në udhën e diturisë, së pari, në shkollën fillore dhe pastaj me radhë: në 7-vjeçaren, të mesmen e të lartën. Kurdoherë këmbëngulës dhe i etur për të mësuar. Ndërsa shpejt nisi edhe të krijojë e të shkruajë, pasion që e shoqëroi deri në fundin e jetës së tij. Zanaflla e kësaj udhe ishte koha, kur punoi me grupet amatore, në shtëpinë e kulturës së Beratit. Gjithashtu, aty njohu edhe njeriun e zemrës së tij, gjimnazisten Shane Balili, e cila do të bëhej bashkëshorte e bashkudhëtare e denjë për të në jetë, deri në Berat, Vlorë, Shkodër e Tiranë, pra kudo të pandarë. Nga dashuria e tyre, lindën e rritën tre fëmijë aq të mirë. Por jeta e goditi ashpër Skënderin disa kohë më parë, kur Shanja e dashur, kengëtare dhe mësuese, e la përgjithnjë vetëm. Pastaj ai i kushtoi një libër të tërë me poezi, të frymëzuara dhe të mbushura plot me mall.
Mbasi mbaroi studimet e larta në Universitetin e Tiranës për gazetari, Skënder Hasko punoi redaktor në revistën e kohës “Hosteni” dhe drejtoi disa institucione të rëndësishme të shtypit e cultures: Pallatin e kulturës “Studenti”, revistën “Pionieri” dhe Teatrin Kombëtar të Kukullave. Gjithashtu, shfaqi aftësi në fushën e humorit e aktor në estradë, por dhe luajti në filma.
2.
Kolegu e miku ynë i mirë, Skënder Hasko do të kujtohet gjatë dhe nuk do të harrohet, sepse la një pasuri të çmuar në krijimtarinë publicistike e letrare. Që në vitin 1971, botoi librin, “S’jam i vogël”. Në vazhdimësi, krijimtaria e tij letrare nuk u ndal dhe publikoi njëri pas tjetrit: 7 romane për fëmijë e të rritur,1 vëllim me përralla, 2 poema, 6 pjesë për Teatrin e Kukullave; 14 drama, komedi e radiograma,si dhe 2 skenarë filmash për fëmijë. Shumica e librave të tij është ribotuar disa herë, brenda e jashtë vendit. Ndërsa disa prej tyre janë përkthyer në gjuhë të ndyshme të botës, si: rusisht , greqisht etj. 14 vepra të tij janë nderuar me çmime kombëtare, si: ”La Fonteni”,”Viktor Eftimiu”, “Xhani Rodani”,”Tasim Gjokutaj” .
Afër 20 vjet më parë, shkrimtari Skënder Hasko u bë shumë i njohur me librin për fëmijë, ”Një gjeneral kapet rob” dhe, në Konkursin Kombëtar, iu dha çmimi i parë. Më pas, ai u bë film, po me atë titull. Romani i tij për fëmijë, ”Gjashtë muaj nga jeta e Besianit”, u cilësua ”Libri më i mirë për fëmijë, i vitit 2005”. Janë shumë domethënëse fjalët e shprehura, me modesti nga ai, për krijimtarinë e gjerë e cilësore të tij: ”Bëra ç’munda, për të vënë, qoftë dhe një guriçkë, në themelet e edukimit të brezit të ri”. Shoqata e shkrimtarëve për fëmijë e të rinj, me rastin e 75-vjetorit të lindjes, e nderoi atë me Çertifikatën e Mirënjohjes, ”Për vlera të shquara në krijimtarinë për fëmijë”.
Një veçori dalluese e jetës së shkrimtarit Skënder Hasko ishte, se ka qenë kurdoherë i lidhur shumë ngusht me vendlindjen e tij. Prandaj Shoqata e krahinës e ka nderuar atë me titullin “Pishtar i shquar i Labërisë”, gjë që ai e ka shprehur bukur edhe nëpërmjet magjisë së vargjeve poetike. Ndër librat e shumtë të tij, Skënder Hasko la pas edhe një me kujtime nga jeta. Atë ai e ka mbyllur me epilogun metaforik, drejtuar bashkëvendlindasve dhe gjithë lexuesve :”Kur ta shihni se kam vdekur/ edhe frymë as marr as jap/ Merrjani këngës dukaçe/ Edhe unë do të ngjallem prapë!”.
Nesër trupi i pajetë i shkrimtarit të njohur Skënder Hasko do të prehet i qetë, pikërisht aty në vendlindje, në Dukatin e dashur dhe pranë Shanes, bashkëshortes së pandarë të jetës.
Të paharruara qofshin jeta dhe veprat e kolegut dhe mikut tonë të dashur, Skënder Hasko!
-Bardhyl Xhama, “Mësues i merituar”
-Prof. Murat Gecaj
-Viron Kona, publicist e shkrimtar
-Sejdo Harka, arsimtar e publicist
Tiranë, 5 shkurt 2013